Nga Hazbi SHEHU, New York/
Qyteti i bardhë tregon jo vetëm bardhësinë e shtëpive me gëlqere, por shpreh sidomos ndjenjat e pastra të qytetarëve Beratas, dashurinë, miqësinë dhe mikpritjen e tyre. Lagjet e njëmbinjëdritareve flasin për ndërtimin e detyruar të shtëpive rreth kodrave dhe sipër tyre për tu mbrojtur nga armiqtë. Nuk po shkruaj që të zbukuroj vulën “Qytet Muze” dhenë nga komisioni ndërkombëtar, por të shpreh nderin e lindjes sime, të prindërve dhe stërgjyshëve në këtë qytet.
Çdo mëngjes rrezet e diellit i buzëqeshin qytetarëve Beratas në dritaret e lagjeve Kala, Mangalem dhe Goricë. Janë po këto dritare që në kohët më të lashta kanë plagosur shumë zemra vajzash, kur ato të mbyllura ndiqnin me sy lëvizjet e djemëve gjatë brigjeve të Osumit dhe rrugës kryesore. Kjo situatë sillte dashurinë platonike që në disa raste përfundonte në tragjedi. Ishin ndjenjat dhe zemrat e vajzave që kërkonin të fluturonin nga dritaret në lumë.
Unë e dua dhe e respektoj Beratin jo vetëm për bukurinë, për lashtësinë dhe arkitekturën e tij. E dua jo pse tërheq turistët nga e gjithë bota, por për njerëzit që e ndërtuan, për banorët, që mirëpresin dhe përqafojnë mikun në shtëpitë e tyre.
Qyteti ndodhet në veri të malit “Tomorr” dhe në Lindje të malit “Shpirag”, me perspektiva të mëdha për naftë dhe gaz. Ai është ndërtuar fillimisht rreth kodrave të Kalasë dhe të Goricës në të dy krahët e lumit “Osum”. Mali i lartë dhe madhështor “Tomorr” derdh dëborën, që rrjedh nëpërmjet përrenjëve dhe rrëkeve, që në vazhdim formojnë lumin “Osum”. Lagjet Kala, Mangalem dhe Goricë janë simboli i bukurisë dhe i lashtësisë së qytetit. Ato shprehin mrekullinë e ndërtimeve të banorëve të lashtë Beratas. Qëllimi kryesor i projektit për ndërtimin e shtëpive në majat e kodrave dhe në faqet e tyre nuk ka qenë bukuria, që na tërheq ne sot, por pozicioni i tyre për tu mbrojtur nga armiqtë.
Ndërtimi i shtëpive, rrugicave, shkallëve, etj. janë llogaritur që e gjithë lagja të përfaqësojë një shtëpi të vetme. Rrugicat kontrollohen nga dritaret e shtëpive. Sapo një i huaj do të hynte në cilëdo rrugicë; i pari banor i ndodhur në dritare do të lajmëronte të gjithë lagjen. Kjo lidhje nxiste banorët të dilnin në dritaret e shtëpive dhe të qëllonin armikun me mjetet e asaj kohe. Shtëpitë janë ndërtuar prej guri, të forta dhe të qendrueshme për të përballuar sulmet e armiqve. Pozicioni i ndërtimit të shtëpive rreth kodrave është i tillë që armiku ishte i detyruar të sulmonte vetëm nga poshtë. Pra ndërtimi i shtëpive në lagjet përkatëse tregon për mençurinë e banorëve të atëhershme. Lidhja midis lagjeve kryhej me anë të sinjaleve sekrete. Nuk kishte tradhëti brenda lagjeve, sepse mbrohej familja, farefisi dhe lidhja e gjakut.
Dora e mjeshtrave të lashtë të banorëve Beratas frymëzohej nga dashuria për tokën, për shtëpitë, për familjet e tyre. Ata kanë gdhendur dhe skalitur gurët, për të ndërtuar rrugicat dhe shtëpitë që të rezistonin në shekuj. Këto ndërtime janë kryer në kohë lufte me nje dorë skalisnin gurët, ndërsa me tjetrën mbanin pushkën për tu mbrojtur. Mjeshtrat nuk kanë derdhur lotë, por gjak në ndërtimin e këtyre lagjeve për ti bërë ato të përjetëshme. Kur ecën në këto sokakë të gurta dëgjon tingullin e çekiçit, ndërsa çdo goditje shpreh punën paqësore dhe gjakun luftarak të artistave të lashtë Beratas. Këto ndërtime të lashta dhe të bukura përfaqësojnë ndjenjat e banorëve të Beratit për dashurinë midis tyre. Kjo krenari nuk shpreh mburrje, por liri dhe dashuri njerëzore. Ata kanë derdhur gjak për të mbrojtur lirinë në trojet ku jetonin dhe kurr nuk kanë sulmuar për të shkekur tokat e huaja.
Bukuria e Beratit qendron jo vetëm në madhështinë si Qytet Muze por veçanërisht në karakteristikat për kuptimin jetës dhe kulturën e banorëve. Këtu nuk ndihet propaganda e ndonje feje. Ç’do ritëm fetar kryhet në kultet përkatëse; ndërsa në parqe, klube, kafene dhe rrugëve në shetitje ose dhe në punë shprehet vëllazë-rimi i banorëve. Ata diskutojnë për problemet shoqërore, zyrtare, etj. sikur të jenë të një feje.
Beratasit kanë trashëguar nga stërgjyshërit: punën, thjeshtësinë, urtësinë, mençurinë dhe mikpritjen. Egoizmi nuk para ka dalë mbi ujë në këtë qytet; edhe kur është shfaqur ujrat e lumit Osum e kanë rrëmbyer për ta çuar larg në det. Ata janë mjaftuar me mençurinë dhe urtësinë për zgjidhjen e problemeve shoqërore. Zgjidhja e kontradiktave me anë të forcës nuk është karakteristikë e njerëzve të mençur. Kush përdor pushkën e pëson nga pushka. Edhe në postet e larta qeveritare beratasit kanë lenë gjurma të thella të thjeshtësis, urtësisë dhe mençurisë, por për të mbrojtur vendin dhe nderin natyrisht kanë përdorur dhe armët. Varrezat e Kombit dhe ato të dëshmorëve shprehin renien e heronjve për t’i treguar vendin armiqve. Beratasi tipik i njeriut të thjeshtë, të urtë, studjues dhe të mençëm ka qenë Vehxhi Buharaja. Kur e caktuan punëtor me lopatë, ai nuk u demoralizua dhe nuk u dorëzua. Përkundrazi, në shtëpi studjonte dhe përkëthente. Ka qenë mjeshtri i penës, interpretues, shqipërues dhe krijues i veprave të mëdha Persiane. Ai ishte i thjeshtë si e vërteta. Kodrat e mbjellura me ullinj, etj., argumentojnë mençurinë dhe punën e madhe e njezëve të lashtë, për ti siguruar ushqimin lagjeve: Kala, Mangalem dhe Goricë, për atë kohë dhe sot për banorët e gjithë qytetit.
Berati plak mban në gjirin e tij thesarët e lashtësisë. Njeriu i sotëm duke i studjuar dhe vlerësuar ato mbetet i habitur jo vetëm për krijimin, por sidomos për ruajtjen e tyre në shekuj nga banorët beratas. Ata lindin punojnë dhe vdesin, ndërsa qyteti duket gjithmonë e më i ri. Bukuria dhe madhështia e qytetit të Beratit shkëlqen, jo vetëm nga lashtësia e ndërtimeve arkitekturale të mahnitshme, por veçanërisht nga buzëqeshja e ngrohtë dhe mikpritëse e qytetarëve. Beratasit kanë qenë dhe janë të thjeshtë, punëtorë dhe zanatçinj, qysh nga lashtësia. Ata ato që fitojnë në punë i konsumojnë në familje. Bëjnë një jetë të gjallë të lumtur dhe të lidhur me farefisin dhe shoqërinë. Rrallë takon familje të pasur në Berat. Në përgjithësi kanë shtëpitë e tyre kryesisht private, të mobiluar mirë në kushtet e një jete normale. Rrojnë me parimin që me të ardhurat dhe fitimet nga puna të ushqehen mirë sot, por njëkohësisht mendojnë për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Në varësi të kushteve ekzistuese nuk kanë mundësi të mendojnë për tu bërë i pasur. Kjo është arsyeja që tek Beratasit egoizmi shfaqet dobët.
Bukuria e qytetarëve Beratas qëndron në kuptimin e vërtetë të jetës njerzore. Ata nuk jetojnë për tu pasuruar, por punojnë për të jetuar dhe për ta shijuar jetën me të gjitha format dhe bukuritë e saj. Atyre nuk ju pëlqen dhuna, por fjala e embël që të bashkoi dhe vëllazëroi njerëzit. Shembull tipik për të ilustruar mendimet e shprehura më sipër është shprehja e Z. Abdyl Pilafi: “Unë kam shtëpi. Ndihmoni me shtëpi njerëzit që po flenë jashtë”. Ai si dhe shumë të tjera tregon thjeshtësinë dhe mungesën e egoizmit tek qytetarët Beratas. Beratasit nuk janë mësuar të nxjerrin gështenjat me duart e botës. Ata ç’do punë e kryejnë vetë, nuk përdorin shërbetorë. Kjo ndodh sepse që në vogëli i kanë ndejtur punës tek koka. E duan dhe e respektojnë punën, sepse ajo ju sjellë të mirat materiale dhe shpirtërore.
Atje ku ka gjallëri, ka jetë dhe plakje. Krahas rinisë në lëvizje shohim dhe flokët e bardha të banorëve beratas të plakur në moshë, por me zemër të bardhë dhe mikpritëse. Shpirtin madhështor të banorëve të lashtë e gjykojmë dhe e ndjejmë duke vrojtuar dhe vlerësuar veprat e tyre antike të mrekullueshme. Ne jo vetëm i lavdërojmë, por më shumë i adhurojmë mjeshtrat e ndërtimit stërgjyshërit e qytetit tonë, sepse ato shprehin dhuratën e punës dhe të mençurisë.
Rol specifik në ndërtimin e qytetit ka luajtur, por dhe luan lumi Osum. Pamja e tij e zbukuron Beratin, por proçeset gërryese të ujrave në thellim të shtratit dhe brigjeve anësor është shkatërrues. Ky lum e ka origjinën tek shkrirja e dëborës së malit “Tomorr” dhe kodrave rreth tij. Ujrat e përrenjve lëviznin në drejtim të jesëvë më të ulta kryesisht drejt veriut. Këto ujra gërryenin shkëmbinjt në zonën më të ulët; midis kodrave të Kalasë dhe kodrës së Goricës dhe me kalimin e kohës u formua lumi Osum. Bazuar në studimet gjeologjike të shkëmbinjëve (përberja litologjike, matjet e elementeve të shtrishmëris si renia dhe orientimi i shtresave), arrihet në përfundim se shkembi i Goricës dhe ai i Kalasë janë vazhdim i njeri tjetrit. Këto studime janë kryer dhe në shkëmbinjtë e shtratit të lumit. Ç’do lumë ka fazat e tij të zhvillimit: të rinisë, të pjekurisë dhe të pleqërisë. Osumi ndodhet në fazën e rinisë; prandaj ai vazhdon të gërryejë jo vetëm shtratin e tij në thellësi, por dhe të dy brigjet. Në saj të këtyre gërryerjeve vazhdon të zvogëlohet gjerësia e rrugës kryesore që lidh pjesën veriore të qytetit me qendrën. Gjithashtu gërryerjet rrezikojnë këputjen e kembëzave të urës të Goricës dhe shembjen e saj.
Problem tjetër i rëndësishëm i këtij qyteti është mbrojtja e udhëtarëve (që kalojnë në rrugën kryesore kryesisht në zonën nga ura e Goricës e deri në rrugën për Mangalem) nga copat e shkëmbit të Kalasë si rezultat i gravitacionit. Këto janë çeshtje serioze si për tani dhe për të ardhmen e Beratit. Unë po i shtroj këto jo vetëm si vrojtues dhe si qytetar Beratas, por si specialist gjeiolog që kam kryer studimet gjeologjike në rrethin e Beratit së bashku me specialistet e tjerë. Eshtë e domosdoshme që të ngrihet një grup pune të përbërë nga specialistë gjeologë, ing. ndërtimi, përfaqësues të Bashkisë, etj. Ky grup duhet të përpilojë një plan pune që të parashikojë punimet urgjente dhe ato për të ardhmen. Drejtuesit e qytetit të Beratit duhet të studiojnë seriozisht problemet e mësipërme dhe të parashikojnë masat përkatëse për realizimin e tyre. Duhet theksuar se rruga kryesore, rruga e Goricës dhe shkembi i Kalasë mbi rrugë jo vetëm që janë kyçi për zhvillimin e qytetit, por rezikojnë jetën e banorëve. Të gjithë qytetarët e këtij qyteti duhet të lëvizin, të marrin pjesë direkt në diskutimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve që lidhen me zhvillimin Europian të qytetit tonë të Beratit. Sigurisht përgjegjësinë kryesore e kanë drejtuesit e vendit që të luftojnë për të siguruar jo vetëm projektet, por fondet përkatëse nga qeveria dhe kompanitë private. Në planin e rregullimit të qytetit, zona nga ura e Goricës e deri në hyrjen për në qendër ku përfshihen: rruga kryesore, shkëmbinjtë që lidhin Kalanë me Goricën dhe ura e Goricës duhet ti nënshtrohet në mënyrë urgjente nje studimi kompleks gjeplogo ndërtues, sepse kjo është nyja për zhvillimin e qytetit.
Dëshira për të njohur botën e madhe, por veçanërisht gjendja shumë e rendë ekonomike i detyroi shqiptarët të emigronin me lotë në sy dhe me dhembje në shpirt dhe në zemër. Emigracioni po të kesh mend dhe fuqi të pasuron, por braktisja e vendlindjes të plagos. Në këto raste për t’ju shmangur fjalës “tradhëti”, përdoret shprehja e shpresës ekonomi. Populli gjykon i dënon, por duke patur parasysh nevojat dhe kushtet përkatëse dhe i përqafon. Emigracioni dhe malli për Atdheun janë binjakë. Gati të gjithë kërkojnë të largohen për të parë botën e madhe dhe për një jetë më të mirë. Kur je larg Atdheut të plagoset zemra nga kujtimet për familjen, farefisin, shoqërinë dhe rrugët e rrugicat. Mendon për përplasjet me jetën plot vuajtje por e ndërthurur me bukuritë e vendlindjes. Kur kthehesh në Atdhe e ndjen më thellë dashurinë e njerëzve të tu të dashur në përgjithësi dhe buzëqeshjen mikpritëse të Beratasve në veçanti. Më kujtohet mirë dita e kthimit. Sapo dola në mëngjes nga dera e shtëpisë, i ndjekur nga nje natë plot me ankthe dhe pritje, fjalët mikpritëse dhe buzëqeshjen e parë e mora nga fqinjët e pallatit. Më përqafuan dhe u shprehën “Urdhëroni në shtëpi, të bisedojmë se na ka marrë malli”. Me të hyrë në rrugë dëgjoj thirrje “Mirë se erdhe vëlla i dashur”. Të shtrëgojnë duart të përqafojnë dhe shprehen “Ekonomia të detyron të largohesh, por zemrën e ke lënë këtu në këtë rrugë dhe tek këta njerëz”.
Dal nga lagja për të vazhduar në rrugën kryesore. Lë në të djathtë Xhaminë dhe hyj në parkun e Dëshmorëve të Kombit. Nuk kisha ecur më shumë se dhjetë hapa, kur dëgjoj nje zë “Erdhe Hazbi!”. Ishte zëri i shokut dhe mikut të lagjes, Sulejman Fuga, i ulur në nje nga solat e parkut. U përqafuam dhe u ulëm për të biseduar. Pyetja e parë që ai më bëri ishte “Ç’është emigracioni?” Unë ju përgjigja “Je i lumtur o Sulejman, që nuk ndoqe rrugën time. Lotët për vendin e lindjes, për shokët, miqtë dhe rrugët ku luanim dhe grideshim; atje larg në vetmi të mbysin”. Ai më shihte drejt në sy dhe përgjigjej “E kuptoj, e kuptoj”. “Jo”, ju përgjigja unë. “Që ta kuptosh duhet ta jetosh. Mua më vret ndërgjegja e quaj veten dhe tradhëtar se nuk ju binda shprehjes së popullit “Guri i rendë në vendin e tij”.” “Jo, i dashur jo,” u përgjigj Sulejmani, “gjëndja e rendë ekonomike i detyroi dhe vazdon ti detyrojë njerëzit që të largohen. Ti mendove për të ardhmen ekonomike të familjes e në veçanti të fëmijëve, prandaj nuk është tradhëti, por nevojë ekonomike; megjithatë brengat e shoqërisë nuk kurohen me nje bisedë të lehtë si kjo e jona”. U ndava me Sulejmanin dhe vazhdova rrugën në drejtim të urës Goricës.
Majtas rrugës kryesore, pikërisht në fillim të rrugës malore për në Kala ndodhet varri i Baba Aliut. Në krahë të djathtë të rrugës dhe në fund të parkut është libraria e Abdyl Pilafit. Duke vazhduar të ecja drejt rrugës kryesore për në qendër ktheja kokën majtas nga shkembi i Kalasë për t’ju shmangur rënies së copave të shkëmbinjve. Duke ecur rrugës nga restoranti i ndërtuar në të djathtë të rrjedhjes së lumit Osum, nje zë i embël më tingëlloi në vesh “I dashur Hazbi!”. Ishte Thoma Kajana, të cilit i kisha dhenë kitaren para largimit tim nga Berati. Tomi me buzëqeshjen e tij karakteristike më përqafoi dhe më tha “Të prisja”. Pastaj më ftoi për kafe në restorantin e tij, pranë rrugës për në Mangalem. Duke pirë kafen ai u shpreh “Ti vetëm trupin ke andej, se mendjen dhe shpirtin e ke këtu në Berat”. Leonidha Basko që ishte duke punuar në dyqan, dëgjoi bisedën time me Tomin dhe doli nga dyqani më përqafoi dhe mu drejtua mua “Mos u largo pa ja shtruar vënçe bashkë se do zemërohem”. Po të le të lirë për të takuar dhe shokët e tjerë. Pasi u ndava me Tomin dhe Lonin vazhdova rrugën për në drejtim të qendrës.
Hyra në farmacinë e Lika Kolanit. Sapo më pa më përqafoi me dashuri dhe me harre. E pyeta për familjen, për vëllanë Kiçon dhe shokët. “Ta mbyll farmacinë, mbledhim dhe shokët e tjerë dhe ja shtrojmë?!” “Të faleminderit”, ju përgjigja, “por jo tani se jam nisur për në Bibliotekën e qytetit”. Gjatë rrugës për në Bibliotekë çdo 5-6 hapa takoja shokë dhe miq, të cilët më përqafonin dhe më pyesnin për jetën në botën e jashtme. Në parkun para Bibliotekës takova shokun dhe mikun tim Servet Muka, që ndodhej i ulur në nje stol. Ai më detyroi të ulem me të dhe filloi të më tregonte peripecitë e burgut. “Ah i dashur Servet,” i thashë, “të tilla peripeci dhe më të tmerrshme duke shkuar deri në pushkatim kaluan dhe kolegët e mi të Institutit Gjeologjik të naftës”. “Po,” u përgjigj Serveti, “i di sepse me disa prej tyre kam qënë bashkë në burg”. Pas një bisede të shkutër u ndava me të duke i premtuar për një tjetër takim dhe hyra në Bibliotekë. Takova drejtoreshën, me të cilën biseduam rreth të ardhmes së bibliotekës “Vehxhi Buharaja”. I dhurova dy kopje të librit tim me titull “Kujtime dhe Mbresa” dhe u largova.
Vazhdova të ecja në rrugën kryesore. Në anë të majtë të rrugës zhvillohej tregëtia e hapur. Në kryqëzim të rrugëve takova Komin. E përqafova dhe e pyeta “Cfarë bën?”. Ai u përgjigj “Eshtë varfëri e madhe këtu në Berat. Të gjithë detyrohen të shesin; unë shes stofra dhe basma.” “I dashur Komi, a të kujtohet filmi Indian, “Tellalli”? Shes basma dhe kadife, dalin vajzat në penxhere…?” “Po”, u përgjigj Komi, “po ai ishte filmi i rinisë. Ne këtu po shtrëngojmë rripin e ekonomisë, të urisë dhe pleqërisë. ” “I dashur Komi, dëshiroj të më shoqërosh për të parë fundin e kësaj tregëtie në rrugë, pa penguar punën tende”. Ai i thirri gruas së tij që të merrej me dyqanin dhe të dy u nisëm. Gjatë rrugës takova disa ish-studenta të mi të cilët ishin bërë tregëtarë të këtij pazari. Ky pazar konsiderohej zemra e të ardhurave të njerëzve të pa punë në Berat. Tek stadiumi ku ishte dhe fundi i kësaj tregëtie të lirë të rrugës u ndamë me mikun tim Kozma. Pasdite dhe mbremjen e kalova me vëllanë, kushërinjt e mi dhe të gruas.
Kohën tjetër të qendrimit tim në Berat, ja kushtova shokëve të fëmijërisë, kryesisht të lagjes duke shëtitur nëpër rrugicat ku dikur luanim. Nga takimet me shokët dhe miqtë konstatova se shumica e shokëve, miqve dhe kolegëve ishin larguar nga Berati; kryesisht në Tiranë, por dhe nje pjesë e mirë jashtë shtetit.
Një ditë të bukur me diell duke kaluar pranë kafenesë “Tomorri” ose që shpesh njerëzit akoma e quajnë “Turizmi” takova një të njohurin tim. Ai duke më përqafuar më tha “Nuk të kam parë prej kohësh.” Unë ju përgjigja “A ke kohë të lirë të pimë nje kafe?” “Po”, u përgjigj ai dhe të dy u drejtuam për në kafene. Pasi u ulëm dhe porositëm kafet vazhduam bisedën. I pari më pyeti ai “Si ja kaloni andej?” “Dëgjo i dashur! Mërgimi është i rendë fizikisht dhe shpirtërisht. Atje larg vendit tënd nuk të presin me krahë hapur. Që të jetosh normalisht, duhet të jesh i fuqishëm fizikisht gjithashtu duhet të dish dhe gjuhën. Për të huajt pa shkollë ka vetëm punë të renda: në ndërtim ose pastrim shtëpish, zyrash etj., por dhe këto mund ti gjesh me ndihmën e njerëzve që punojnë atje prej kohësh. Nëse nuk gjen punë mund të lypësh për të jetuar. Kuptohet se kurrë nuk gjen punë përveç ankthit për jetën, sepse qeraja është shumë e lartë, ke dhe mërzitjen e largimit nga Atdheu. Kjo është situata reale e emigranteve atje. Unë vij shpesh në Berat, por nuk vë re ndonjë ndryshim, nuk ka zhvillim. Berati ka mbetur siç ka qenë dhe përgjegjësia për këtë gjendje i përket drejtuesve të qytetit, qeverisë dhe politikanëve të zgjedhur nga populli i Beratit.”
Menjëherë ndërhyri bashkbiseduesi duke u shprehur “Fondet kanë qenë të pamjaftueshme.” “Nuk është kjo arsyeja,” ju përgjigja unë, “pse për disa qytete, institucione, etj, rubineta e parave është harruar të mbyllet? I dashur, arsyeja e vërtetë që qyteti i Beratit nuk është zhvilluar ka qënë dhe vazhdon të jetë inati partiak. Meqë kemi kohë kafeneje, unë do të bëj nje analizë të situatës. Bota e vlerësoi qytetin me titullin e merituar “Muze”, jo për bukurinë natyrore, por për duart e arta të mjeshtrave të lashtë Beratas që e ndërtuan këtë qytet mbi shkëmbinj. Ky vlerësim i lartë është dhuratë dhe pasuri e madhe jo vetëm për Beratin por për të gjithë Shqipërinë, sepse sjell të ardhura në valutë në thesarin e shtetit. Këto pasuri jo se nuk njihen nga politikanët që drejtojnë shtetin tonë, por nuk i ka lenë egoizmi partiak që këto para të derdheshin në arkën e shtetit. Ato para do të ndihmonin sado pak familjet në varfëri, njerzit e paaftë për punë, të sëmurët, sakatët, të ngujuarit nga gjakmarrja, etj.” “Me sa jam unë në dijeni, turistët e huaj e kanë vizituar Beratin”, u shpreh bashkëbiseduesi. “Nuk e prisja këtë thenie nga një Beratas. Nëse ndonjë turist ka ardhur për vizitë në këtë qytet, me siguri që i është prishur makina ose do ti jetë thyer ndonjë pjesë e saj gjatë udhëtimit në rrugët Lushnjë-Berat ose Fier-Berat. Ky turist jo vetëm që nuk do ta përsëriste për herë të dytë nje udhëtim të tillë, por është bërë propagandues për të mos ardhur turistë të tjerë në këtë qytet. Situatën e qytetit Muze e ka të qartë çdo Beratas, por në veçanti atë e njohin drejtuesit e muzeut Ajet Nallbani, etj. Ata me ato pak fonde që i kanë dhenë jo vetëm që po rehabilitojnë ndërtimet e lashta, por përgatitën materiale propagandues në gjuhën shqipe dhe anglisht. Një miku im, Vladimir Çela, më dha disa kopje të këtyre materialeve, të cilat i shpërndava në Berat dhe do ti shpërndaj në New York. Drejtuesit e qytetit si dhe përfaqësuesit e tij në qeveri duhet të punojnë me seriozitet që drejtuesit e shtetit Shqiptar ta kuptojnë dhe ta njohin vlerën e qytetit muze të Beratit, siç e ka kuptuar dhe vlerësuar komisioni ndërkombëtar i botës.” “Ky takim më gjallëroi dhe më kujtoi shoqërinë tonë të vjetër” u shpreh miku im. “Nesër”, vazhdoi ai nisem për Tiranë, “nëse dëshironi shkojmë bashkë.” “Ju falenderoj për ftesën, por nuk mundem sepse pasnesër nisem për në New York.” Pastaj u ngritëm u përqafuam dhe u ndamë.
Pas tre javësh qëndrimi në Atdhe u ktheva në New York. Duke ecur takova rastësisht shokun tim, Jorgjin. Më përqafoi dhe më pyeti “Si ja kalove në Shqipëri?” “Mirë”, ju përgjigja, “fare mirë, por e dhimbshme është largimi nga vendlindja, njerzit e dashur, farefisi, shokët, miqtë, rrugët, rrugicat ku ke luajtur me shokët e lagjes.” “Po”, u përgjigj Jorgji, “e dhimbshme, madje shumë e dhimbshme, por akoma më e dhimbshme është ndarja nga fëmijët.” “Ke të drejtë, megjithatë malli më merr shpesh për vendin e lindjes në qytetin tim të paharruar Berat.” Jorgji më përqafoi dhe u ndamë për të vazhduar jetën në qytetin plot zhurmë, emocione dhe punë.
Kjo është jeta plot ankthe e emigrantit. Këtu duhet vullnet, durim, punë dhe shpresë.
Kosovë-Ëndrra dhe fantastikja e para dy dekadave
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina, pamje nga kati 11 i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, 19 dhjetor 2015/
-Reportazhi i ardhmërisë: Një ditë e një viti që vjen/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 27 Dhjetor 2015/ Para dy dekadave, pikërisht në 27 dhjetor, kam shkruar reportazhin futuristik “Një ditë e një viti që vjen”, ku personazhi ishte gazetari i Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, i ardhur nga Tirana në Kosovën e lirë. Shumë nga ato që në atë reportazh dukeshin si ëndërr, që i kasha fantazuar-parashikuar, janë realizuar.
Është një nga reportazhet futuristike që i shkruaja çdo fundit, një nga shumë shkrimet që meqë nuk mund të lidhesha me Tiranën drejtpërdrejtë nga Prishtina i dërgoja me telefax në Zvicer, Gjermani, Turqi, Maqedoni, madje edhe në Australi, që t’i përcjellin.
“JU LUTEM ËPRCILLNE NË TIRANË 34230”, kam shkruar me dorë në faqen e tretë, në fund të reportazhit, të shkruar brenda ditës së para dy dekadave për të tretën herë – së fundi në kompjuter për ta nisur me telefax, po që nuk arrita të lidhem drejpërdrejtë, pasi nuk kisha arritur të lidhem as me telex, ku e kisha shkruar së dyti në një shirit të gjatë të shifruar, e pasi së pari e kisha shkruar me një makinë të vjetër shkrimi…
Për të katërtën herë e radhita-përshkrujta sot në llaptop nga dokumenti, që ka shpëtuar bashkë me ato pak gjëra që kisha arritur t’i fsheh brenda murit të banesës në Prishtinë para se unë të ikja dhe të hynte aty policia serbe në marsin 1999.
E përshkruajta krejt si është në dokument, me mbititull e titull. Në gjuhën që kam përdorur aty Telekomit i thoja Telekombi me idene e një telefonije-poste kombëtare.
Në kohën e viteve të rënda të okupimit me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
Një nga reportazhet futuristike ishte edhe “Udhëtimi për në Prizren…”, që e kam shkruar më pas, para 19 viteve, dhe është botuar në 31 dhjetor 1996. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.
Kur shkruaja reportazhet futuristike ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e titulloja reportazhin që u botua në 19 mars 1996, dhe kur “Sa afër e sa larg Shqipëria” shprehesha në titullin e shkrimit botuar në 11 gusht po atë vit.
Të gjitha këto shkrime i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip, dhe tituj të tyre gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Ky ishte reportazh i para 2 dekadave – vitit 1995:
KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË
Një ditë e një viti që vjen
PRISHTINË, 27 dhjetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Cingërron telefoni, ku ta dish për të satën herë, dhe e zgjon. “Mirëmëngjes, keni porositur zgjimin”, i thotë një zë plot gjallëri nga Telekombi i Prishtinës, pasi kishte ngritur përgjumshëm receptorin. Kishte fjetur vonë. Nuk ishte ëndërr: mbrëmë kishte parë në Teatrin e Operës e Baletit të kryeqytetit të Republikës së Kosovës “Valsin e pranverës”, pastaj me kolegët gazetarë të “Rilindjes” kishte ndejur e ngritur ndonjë gotë në restorantin “Kulla” në teracën mbi katin e gjashtëmbëdhjetë të Pallatit të Shtypit. Pastaj në dhomën e hotelit “Bozhuret” kishte shfletuar e lexuar botimin e mbrëmjes të gazetës “B” (‘Bujkut” të dikurshëm) derisa e kishte zënë gjumi. Ishte gazetar nga Tirana dhe kishte ardhë të raportojë për një kohë nga Prishtina.
Hapi televizorin. I pëlqente shumë të shikojë programin e Televizionit Shqiptar të Prishtinës që në atë orë jepte këngë dhe valle të ansamblit folklorik “Rugova”, po edhe priste padurim të shoh Teletekstin në Televizionin Shqiptar të Tiranës, ku me siguri do të emetohej lajmi i tij i parë që kishte dërguar nga Kosova nga zyrat e Agjencisë Shqiptare të lajmeve. Tek e kërkonte nëpër frekuenca kanalin e teletekstit iu kujtuan lajmet e një kohe të kaluar nga Kosova për pengesat serbe që i bëheshin depërtimit në Kosovë të sinjaleve te Radiotelevizionit Shqiptar…Nuk vonoi dhe në ekran u shfaq edhe lajmi i tij: “Në Kosovë filluan solemnisht punimet për ndërtimin e autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, në shtegun e rrugës së vjetër viaignatia Lis-Dardani…”
Këtë lajm, që një ditë më parë e kishin dhënë të përsëritur disa herë radio dhe televizioni, po e përsëriste atë mëngjes edhe Televizioni Shqiptar i Shkupit, duke e plotësuar informacionin me mundësitë e lidhjes me autostradën Durrës-Shkup-Sofje-Stamboll.
Informacione të gjera për fillimin solemn të autostradës, në praninë e udhëheqësve më të lartë shtetërorë nga Tirana e Prishtina, atë ditë botonin edhe gazetat. Sapo kishte dalur nga hoteli ishte ndalur në sheshin “2 Korriku” para shtandit të gazetave, që ishte shumë i gjerë dhe me shumë gazeta e revista të Prishtinës, Tiranës, Shkupit, po edhe me gazetat e revistat kryesore të shumë vendeve të botës.
Së pari mori “Rilindjen”, botimin në Prishtinë, pastaj “Rilindjen Demokratike”, “Albaninë”, “Lajmin e Ditës” dhe ca gazeta të tjera të Tiranës, siç i merrte edhe në Tiranë, si edhe “Flakën” e Shkupit.
U kthye në teracën e hotelit, porositi kafe e konjak “Skenderbeg” të Korçës dhe filloi të shfletojë shtypin e ditës…
Nuk arriti t’i shfletojë të gjitha. Më shumë u ndal në gazetën “Flaka” që botonte lajmin ekskluziv “Shkupi heq regjimin e pasaportave për shtetasit e Kosovës”. E ngriti me fund gotën dhe niset për ta dhënë këtë lajm sa më shpejt. Derisa po mendonte se do të jetë ky lajmi më i mirë që do të hyjë edhe në “pasqyrën e shtypit shqiptar”, tek ecte si në vrap e ndaloi polici dhe e qortoi vëllazërisht pse e kishte kaluar keq rrugën e automjeteve. Ballafaqimi me policion përsëri ia kujtoi pamjet e lajmet e kohëve të shkuara nga Kosova për policët serbë me pancirë që terrorizonin shqiptarët. Po, ishte tash një imazh krejt tjetër. Polici që mbante me kreni emblemen e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pasi kuptoi se kend e kishte ndaluar dhe pse i ngutej, e pyeti në ka nevojë ta ndalë ndonjë automobil për ta dërguar më shpejt në zyrë…
Me të parën e mori në telefon Tiranën dhe e diktoi lajmin. Në atë orë iu kujtua se vetëm në vitin 1995 ishin bërë të mundshme, për herë të parë, lidhjet e drejtpërdrejta telefonike nga Prishtina në Tiranë. Ai telexi i vjetër, po aq i mirë, qe një kohë të gjatë ishte lidhje e vetme, edhe pse shumë e vështirë, prej nga dërgoheshin lajmet nga Kosova, i ngjante në atë moment më shumë në një rearitet muzeal.
Pasi mbaroi me lajmin që i erdhi si befasisht, nisi të mendojë për punët që i kishte paraparë: një rportazh për Prishtinën, pritjen në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës, pyetjet për intervistën me presidentin e Republikës së Kosovës…
E para ishte reportazhi, dhe një sheti nëpër Prishtinë ishte e domosdoshme. Kishin ardhë ta shoqërorin edhe kolegët nga ky qytet, dhe bashkë me ta së pari u nis të vizitojë Muzeun më të ri të kryeqytetit, ku më parë ishte selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, mandej e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Presidencës së Republikës së Kosovës, ku zhvilloheshin gjithë ato veprimtari kombëtare e atdhetare…Kishte parafytyrimin e asaj shtëpie të vogël-muze, ku janë bërë aq shumë punë të mëdha.
Rrugës i ranë në sy mbishkrimet, të vëna aq bukur e aq me përkushtim, shqip. Po, në ndonjë dyqan, a ndonjë vend tjetër, pa edhe mbishkrime në gjuhën serbe. Në Kosovë të gjithë i kanë të garantuara të gjitha të drejtat, askush nuk trajtohet si minoritet, se askujt nuk ia dëshirojmë këtë ndjenjë e këtë trajtim ne shqiptarët, që aq shumë kemi hequr e jemi diskriminuar nën etiketën e minoritetit që na e kishin vënë, edhe pse, si edhe sot, përbënim mbi nëntëdhjetë përqind të popullsisë dhe ishim autoktonë në trojet tona etnike, prandaj secili flet dhe shkruan në gjuhën e vet pa asnjë pengesë, i shpjeguan kolegët. I sugjeruan ta lexojë Kushtetutën e Kosovës.
Duke u larguar nga Muzeu ktheu aty afër në zyrat e Stadiumit të Qytetit për të marrë buletën për ndeshjen e futbollit midis ekipit kombëtar të Kosovës dhe atij të Gjermanisë, që do të luhet të nesërmen.
Tek shkonte në kuartin e ambasadave të takohet me personalin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, e pastaj në Pallatin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, që kishte paralajmëruar një mbledhje të rëndësishme pas tre ditësh, i bënë përshtypje të veçantë kupollat e dritshme të Bibliotekës Kombëtare në Kompleksin Universitar, ndërtesa e renovuar e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Përmendorja e martirëve të lirisë e demokracisë dhe Memoriali i Skenderbeut, në qendër të qytetit të Prishtinës si në sheshin e gjerë të Tiranës.
Për një çast u ndal para reklamave të kinemave dhe kur pa repertuarin fare nuk u hamend që atë mbrëmje ta shohë filmin për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të xhiruar nga “Kosovafilmi”, me aktorë nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Nga Pallati i Parlamentit dhe i Qeverisë doli edhe me lajmin se në minierën e “Trepçës” në Stantërg fillon eksploatimi i xehes edhe në horizontin e dymbëdhjetë dhe me paralajmërimin e projektit se Elektroekonomia e Kosovës do të ndërtojë termocentrale të reja në malin e Qyqavicës e jo në tokat e bukës siç ishin ndërtuar ato më parë.
Me parafytyrimin e thellësive me ar e të lartësive më dritë dhe të fushave det me kallinj buke shkonte të shkruajë për Kosovën, po, edhe këto, edhe jeta e njerëzit ishin Shqipëria, që do të bëhet…
Gëzuar viti që vjen dhe ajo ditë që do të vijë! Ishte ky urimi shqiptar i përsëritur nëpër vite e shekuj, që po dëgjohej edhe në atë mbrëmje gëzimi bashkë me cakërrimën e gotave në lartësinë e ‘Kullës”…
***
SHËNIM I SOTËM, 27 DHJETOR 2015: Në atë kohë të komunikimeve shumë të vështira, por edhe të ndaluara, nuk isha i sigurt nëse ka mbërritur në Tiranë dhe botuar reportazhi…Në Prishtinë u botua në fundin e dhjetorit të para dy dekadave – numrin e Vitit të Ri në gazetën e rezistencës “Bujku”, e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, që ishte pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Kosova feston Krishtlidjen …
…me mesazhet për kombin me të ardhme e bashkëjetesën ndërfetare/
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Festa e Krishtlindjes në Kosovë, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë/
-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji: Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Dhjetor 2015/Kombi me të ardhme, Kosova e bashkëjetesës ndërfetare janë theksuar në mesazhin “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi mbi tokë” të Festës së Krishtlindjes, ku Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji shpreh gëzimin se Papa Françesku i ka hapur rrugë shenjtërimit të shqiptares Nënë Tereza.
“Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje”, shprehet Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës.
Imzot Gjergji në mesazhin e tij ka theksuar edhe se, “është e domosdoshme të fillojmë të arsyetojmë e të reflektojmë të gjithë, për të bërë një kthim rrënjësor drejt së vërtetës, bashkëndërtimit dhe dialogut qytetërues”.
“Pa dialog, pa mirëkuptim dhe pa pajtim, nuk ka të ardhme për askënd në këtë vend; pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, pa respektim të parimeve dhe premtimeve të dhëna, Kosova nuk mund të ketë të ardhme; pa ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare dhe pa mbrojtjen e kulturës qytetëruese të të parëve tanë, s’ka të ardhme kombi në përgjithësi”, është shprehur Ipeshkvi i Kosovës.
Kosova po feston gëzuar Krishtlindjen e 17-të vend i lirë, të 8-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe sot në urimet e drejtuesve më të lartë institucionalë, politikë e fetarë.
E gjithmonëshme kjo vlerë u manifestua edhe në natën e lindjes së Jezu Krishtit, në meshat në të gjitha kishat katolike në Kosovë tradicionalisht të mbushura me besimtarë katolikë dhe qytetarë të besimeve të tjera, në atmosferën e urimeve e festave të fundvitit.
Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë meshën e natës së Krishtilindjes e drejtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Para meshës, u mbajt Koncerti Klasik i Krishtlindjeve me qëllime humanitare. Pjesë e festimeve është edhe pritja solemne me rastin e Krishtlindjes në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales.
Tradicionlisht, në Kosovë, festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Mesha e Krishtlindjes mbahet sot në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë – Prishtinë dhe në kisha të tjera katolike në Kosovë.
Festën e Krishtlindjes e kanë uruar liderët institucionalë, politikë e fetarë të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Krishtlindjes, simbol i paqes, solidaritetit, dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve.
“Në këtë Krishtlindje, urimet më të mira dëshiroj t’ua përcjell edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë në vendin tonë”, shprehet ajo.
Edhe në këtë ditë kremte, vijon Jahjaga, të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, ndaj miqve dhe ndaj gjithë shoqërisë.
“Në këtë ditë Krishtlindjeje, me respekt të veçantë, të bëjmë homazhe dhe të nderojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e që sot nuk janë në mesin tonë”, shprehet Presidentja e Republikës.
Duke përcjell urimet më të përzemërta për festën e shenjtë, kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.
“Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Ai u ka uruar Festën e Krishtlindjes përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët po japin kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, në emër të qeverisë theksoi respektin më të thellë për Kishën Katolike dhe komunitetet e tjera fetare, për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në fuqizimin e vlerave të bashkëjetesës, të tolerancës dhe për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar vizita nëpër qytete e fshatra, duke takuar besimtarë dhe përfaqësues të fesë katolike.
“Krishtlindja është festë madhështore, që simbolizon lajmin e mirë për njerëzimin, lindjen e shpëtimtarit. Krishtlindja është pjesë e identitetit tonë. Simbol i triumfit të paqes mbi dhunën, të dashurisë mbi urrejtjen, të shpresës mbi dëshpërimin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës u uroi edhe Vitin e Ri, me dëshirën që 2016-ta të jetë vit i prosperitetit dhe sukseseve të reja për të gjithë qytetarët e vendit.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës feston jubileun e 40 vjetorit
-Kosova, partneritet me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në/
-Pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot/
-Akadamia e Shkencave e Shqipërisë uron në 40 vjetor Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës/
Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 18 DHJETOR 2015/ Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka festuar sot 40 vjetorin me një veprimtari solemne në Prishtinë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetarë e përfaqësues të tjerë akademishë nga vendet e rajonit e më gjerë, përsonalitete të shquara.
JAHJAGA: AKADEMIA NË NDËRTIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË TONË TË RE
“Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Prandaj, vijoi ajo, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, theksoi Jahjaga.
Shtetbërja e Kosovës, vijoi ajo, bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë.
t“Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”, tha Presidentja kosovare.
Akademia, vlerësoi Jahjaga, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.
“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!”, u shpreh ajo.
Ne, theksoi Presidentja Jahjaga, nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë.
“Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë. E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet”, tha ajo.
Andaj, vijoi Jahjaga, them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
“Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës”, tha Jahjaga.
Megjithëkëtë, vijoi ajo, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë.
“Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi”, tha Presidentja e Kosovës.
Andaj, vijoi ajo, Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja. Paqi fat!”, përfundoi Presidentja e Kosovës, Jahjaga.
KRYEMINISTRI MUSTAFA: ASHAK-U ROL ESENCIAL PËR PROGRESIN E KOSOVËS NË TË GJITHA RRAFSHET
Kryeministri Isa Mustafa, në manifestim ka përcjellë përshëndetjet dhe urimet e qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.
“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.
“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërsa po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumëkulturore”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.
VESELI: TË QENIT NË SHËRBIM TË LIRISË ËSHTË NDERI MË I MADH PËR NJË INSTITUCION TË SHKENCËS DHE ARTIT
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.
Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.
“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në manifestimin festiv, të hapur me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin e Shtetit të Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami tha se, “40 vjet histori të këtij institucioni mund të mos duken shumë në jetën e akademive me traditë të gjatë, por për ne janë si katër shekuj të përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve të gjera politike dhe shoqërore në Kosovës dhe në vetë shtetin”.
Ai vijoi se, “kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën pavarësinë e shtetit më të ri në botë, janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”.
Kryetari Islami theksoi se, “Akademia në asnjë rast nuk mund të involvohet në diskutime të politikës së ditës, duke mbledhur rreth vetës shkencëtarët, ekspertët dhe elitën e krijimtarisë artistike, dijen dhe vizionin e tyre ajo mund t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të mendimit kritik shkencor dhe artistik dhe të ofrojë zgjidhje për shumë çështje madhore të shoqërisë, por vetëm mbi bazë të argumenteve shkencore dhe jashtë ritmeve të ndodhive ditore”.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe, e cila me veprimet e saj u shkaktoi tragjedi të mëdha miliona njerëzve”, tha Islami.
Gjatë vitit 2015, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur akademikët Mark Krasniqin, Esat Stavilecin, Pajazit Nushin.
AKADAMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË URON NË 40 VJETOR AKADEMINË E SHKENCAVE E TË ARTEVE TË KOSOVËS
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, në një veprimtari festive sot në Prishtinë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit kosovar, uroi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e 40 vjetorit të themelimit, duke theksuar rëndësinë dhe bashkëpunimet e dy institucioneve të larta kombëtare.
“Rrugëtimi, zhvillimi, rritja, konsolidimi i Akademisë së Shkenaceve dhe të Arteve të Kosovës, institucionit më të lartë shkencor e të artit të Kosovës është një eveniment i veçantë në historinë e kombit tonë, shumë të vjetër historikisht por të rinj si shtete”, u shpreh ai.
Akademik Korkuti theksoi se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me motrën, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e themeluar 43 vite më parë, janë dy shtylla, dy institucione të mirëfillta shkencore të pavarura, që kanë në themel studimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën kombëtare.
“Themelimi i Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës erdhi si rezultat i zhvillimit shkallë-shkallë të disa institucioneve pedagogjike e shkencore të kerkimeve albanologjike”, përkujtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Korkuti për jubileun e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj akademik Hivzi Islamin kishte sjellë dhuratë një komplet veprash të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është themeluar me Ligj të veçantë të Kuvendit kosovar në 20 dhjetor të vitit 1975, në kohën kur me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova avancoi dhe arriti mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete, mes të cilave Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
NË TRABOININ E HOTIT KRESHNIK
Nga KOLEC TRABOINI*/
Rruga nga Shkodra deri në Han të Hotit, që nga hera e fundit kur kam kaluar në nëntor 2012 ka ndryshuar shumë. Ishte më e rregullt, e sistemuar dhe të jepte vërtet një përshtypje të mirë, sepse ka qenë një nga segmentet më problematikë. Padyshim që edhe peizazhi ishte i bukur, anipse dimër. Vjeshta ende nuk lëshohej megjithë të ftohtin që kanë këto ditë. Ishte një ditë me diell, një kthjellim që t’i sillte malet krejt pranë, sikur t’i prekje me dorë. Gjithherë që kaloj për në Malësinë e Tuzit, vështrimi im thellohet, më vjen më pranë se kurrë historia, më vijnë në vesh në mënyrë imagjinative tërë ato klithma malësorësh, “bini n’ta bre burra…” përmbi koshadhet e Turqisë. Tërë kjo pamje malore në anë të lindjes, sepse në perëndim është liqeni i Shkodrës, të shfaqet si një dekor i Termopileve shqiptare në vitin 1911 –siç shkruante “New York Times” në Amerikë, që edhe pse shumë breza kanë kaluar të duket se lavdinë e vet e kanë shkruar në shkëmb. Në Kastrat im atë ka qënë mësues dhe është e kuptueshme se çfarë emocioni më përcjell ky vend e këta njerëz. Më tej kalojmë te Sukat e Moksetit, njohur aq mirë prej meje, se këtu janë zhvilluar betejat për mbrojtjen e tokave shqiptare prej invazionit të huaj në vitin 1920, ku im atë ka qënë luftëtar dhe në betejë është vrarë trimi i Hotit, Luc Nishi, i biri i kryekomandantit të forcave kryengritëse të malësisë në vitin 1911, Nik Gjelosh Luli. Të dy këta at e bir, dëshmorë të kombit shqiptar ishin nga fisi e Ded Gjo Lulit. Të dyja këto familje u shuan sepse edhe trashëgimtarët që lanë; Kol Ded Gjo Lulin e helmuan esadistët në Vlorë, ndërsa Pal Luc Nishi vdiq në moshë të re në Torino. Ka një kujtesë popullore që nuk i lënka të harrohen njerëzit që i kanë kushtuar gjithçka vendit të vet, atdheut të vet, dhe unë këtë do ta kuptoja më mirë kur të dilja në Traboin të Hotit.
Rrugës për në Bardhaj të Hotit…
Në anën tjetër të kufirit, përtej Hanit të Hotit mua dhe mikun tim poet, Qazim Muska, na priti Gjon Dushaj, kryetari i shoqatës “Ded Gjo Luli” në Tuz, i biri i profesor Mark Dushaj, i njohur e i respektuar aq shumë në Malësi, por edhe në Kosovë. Gjoni që në krye na pyeti pse nuk erdhi shkrimtari Pandeli Koçi, siç ishim në fjalë. I thamë se qe i pamundur për arsye shëndetësore. Atij i erdhi keq sepse me Pandeliun njiheshin prej kohësh nëpërmjet një veprimtarie të përbashkët dhe e respektonte. Aq me tepër se Pandeli Koçi ishte ftuar prej malësorëve dhe kishte marrë pjesë edhe në simpoziumin “Hoti ndër shekuj” në Michigan në vitin 2013, ku kishte mbajtur një kumtesë për krijuesit hotjanë dhe qe pritur shumë mirë. Do ta fillojmë për së mbari. – na tha Gjoni. Do të shkojnë e të bëjmë një vizitë tek shtëpia e Ded Gjo Lulit, pastaj vazhdojmë me programin tonë. Qazimi Muska shprehu kënaqësinë e tij. Të vizitosh shtëpinë e kreshnikut të Malësisë është një gjë mbreslënëse, aq më tepër që tashmë shtatorja e Ded Gjo Lulit është vendosur në qendër të Tiranës, kësisoj lidhjet ndërshqiptare po bëhen përherë e më të forta. Sapo kaluam Bozhajn, Gjoni e futi makinën në një rrugë malore, e ngushtë por e asfaltuar. E kemi bërë rrugën deri tek shtëpia e Heroit, – na tha, – se kështu bëhet më e lehtë për t’u vizituar nga kushdo që vjen në Tuz apo Malësi. Gjithkund shkëmbinj e gjethnaja, përmes ngjyrave të kafejta e diku-diku të kuqërremta shfaqej grija e gurëve të mëdhenj në shpat të malit. Te vendi i quajtur Druma e Hotit, por edhe Druma e Borës, na ndaloi një makinë e policisë kufitare malazeze. Flisnin shqip dhe si kontrolluan dokumentat e makinës na përshëndetën. E kanë si rregull, na tha Gjoni, se këndej ndodh të kalojnë edhe njerëz që merren me kontrabandë mallrash në mes dy shteteve. Gjatë rrugës për në Bardhaj të Hotit, takuam dy makina. Drejtuesi i njërës makinë ishte Ded Dedvukaj, i cili si u përshëndet me Gjonin e ne, na tha të mos harronim të ktheheshim tek shtëpia e tij. Tash flas me djalin në telefon e ju pret. Na tha gjithashtu se po shkonin në një mort e ishin me ngut. E ngushëlluam e vazhduam rrugën. Diku u ndaluam. Gjoni na tregoi se pak ma lart ishte Qarri i Ded Gjo Lulit, i njohur në historinë e këtij vendi se këtu mblidheshin burrat e për nën hije kuvendonin punët e Traboinit, se Deda ka qenë vojvoda i Traboinit e për gjithçka ngjiste në Traboin ishte përgjegjësia e tij. Prej tij dilte fjala apo urdhëri, urtia apo pajtimi i traboinasve për problemet mes vedi, por edhe me të tjerët.
Kulla e Ded Gjo Lulit ku buçet historia…
Ja dhe shtëpia e heroit të malësisë e mbarë shqiptarisë. Në krye ishte portarja, derë oborri në malësi prej degë drurësh të kryqëzuara që më tepër janë simbolike se funksionale. Oborri ishte plot me drurë të rinj dhe sheshi i mbuluar me gjethe vjeshte. Ecëm nëpër kalldrëmin që të çonte deri tek kulla e Ded Gjo Lulit. Nuk i rrimë tundimit pa bërë fotografi përpara kullës prej gur mali. Pastaj u ngjitëm në shkallët e gurta ku kishte një derë të madhe me pamje nga jugu, pra Shqipëria. Është një mrekulli që e kanë rikonstruktuar këtë kullë, që është një tempull atdhetarie, një kullë së cilës tre burra i janë vrarë në luftë dhe konsiderohet e shuar. Kur nisi lufta në fund të marsit 1911, u vranë Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, Lek Marash Peci, Frano Zek Pllumi, vëllezërit Gjon Lulash Zeka e Zef Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka, Nik Gjelosh Luli, Nik Hak Shabi, Zef Peri, Gjeto Vuja e të tjerë. Ishin djemtë e burrat më të mirë të Hotit. Më trimat që e bënë dekën si me le. Pastaj kohë më vonë, më 20 shtator 1911, Ded Gjo Lulit i thanë se në luftë me asqerët e Turqisë qenë vra në një ditë shtatë burra të Hotit; Gjok Kol Preli, Ded Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji, Preloc Mark Gjeka…. por të shtatin nuk po guxonin t’ia thonin. Pikëllim i madh ra në sytë e në shpirtin e plakut të urtë të Hotit. Po më së fundi i thanë se është vra edhe Gjergj Ded Gjo Luli, pra i biri. Atëherë Ded Gjo Luli e mori veten e tha: Po dhe ai djalë nane isht! Me çka donte të thoshte se nuk ka pse ta ndante në dhimbje prej të tjerëve. Për atë të gjithë djemtë e Hotit e të Malësisë ishin si bijtë e tij. Ky ishte Ded Gjo Luli. Shtëpia muze e heroit ishte një kullë malësore, poshtë hauri dhe me një ode të madhe sipër. Në faqet e mureve ishin vendosur më së shumti fotografi, por edhe objekte të ndryshme për të krijuar mjedisin e një shtëpie karakteristike të fillimit të shekullit XX. Fotografitë janë të njohura. Fort e çmuar ishte piktura e artistit të madh që e ndan jetën e tij mes Gjermanisë e Malësisë, Gjelosh Gjoka. Ai i ishte përmbajtur pamjes reale të heroit, por jo aq sa të krijohej përshtypja e një portreti klasik realist, por një krijim i mirëfilltë e me stilin e tij të veçantë. Aty binte në sy dhe një kornizë në të cilën qe vendosur xhamadani i Kol Ded Gjo Lulit. Një fotografi e madhe me krerët e Malësisë, bërë nga Marubi më 1908, hijeshonte në faqen e murit dhe aty pashë në mes të burrave edhe tim atë që asokohe ishte 20-vjeçar. Pranë tij dy kushërinjtë e parë, djem xhaxhallarësh, vëllezërit Martin Ujk Çeku dhe Gjon Ujk Çeku, ky i fundit dëshmor i rënë në Tuz në 28 mars 1911. Më thanë se Agim Çeku, ish kryeministër i Kosovës, kur kish ardhur një përvjetor të kryengritjes, kishte thënë se ishte kushëri i afërt me dëshmorin Gjon Ujk Çeku. U çudita sepse Gjon Ujk Çeku, të cilin siç thashë babai im e kishte djalë xhaxhai, nuk kishte asnjë të afërt që të kishte lënë Hotin e të kishte shkuar në Kosovë. Të afërm të tij janë në Shqipëri, Itali dhe Amerikë, por në Kosovë asnjë. Ngandonjëherë entuziasmi të bën të thuash gjëra që i beson vetë, por nuk bindin askënd. Pas vizitës, bëmë fotografi në atë mjedis që të krijonte emocione të mëdha. Shënuam edhe përshtypjet në librin e vizitorëve.
Në shtëpinë e Kol Marash Dedvukajt në Bardhaj të Hotit…
Kujdesin për shtëpinë Muze e kishte i riu Gjergj Dedvukaj, i afërt në fis me familjen e Ded Gjo Lulit, i cili na ftoi në shtëpinë e tij që e kishte fare pranë. Ne pamë rreth e rrotull e na u duk se këtu nuk kishte shtëpi të tjera, ngaqë kudo na rrokte vështrimi shkëmbenj e shkurre. Dolëm në një rrugë, pastaj në një shesh të vogël dhe na u shfaq shtëpia e Kol Marash Dedvukaj. Ishte një shtëpi mjaft e mirë, e mirëmbajtur, si një vilë qyteti, si në pamje të jashtme edhe të brendshme. Gjergji na priu në dhomën e madhe me kolltukë. Mjedisi ishte ngrohtë dhe i këndshëm. Pastaj u shfaq një burrë shtatlartë, 80-vjeçar e fisnik në pamje. Kishte një kuvendim të bukur, i pëlqente të fliste për historinë. Më dha të njohur menjëherë duke më thënë se kishte qënë në promovimin e librit të tim eti “Flamuri në Deçiq” në nëntor 2012. Kol Marash Dedvukaj dinte plot histori dhe i tregonte bukur. Këtu jemi në Bardhaj të Hotit, na tha dhe kjo është pjesë e Traboinit. Aty pranë qëndronin Gjergji me vëllanë e vet Kolën, një 12-13 vjeçar ky, që kishte marrë emrin e gjyshit të vet. Vajza e shtëpisë, Filja, rreth 15-16 vjeçare, përpiqej që të nderonte miqtë duke na servirur verë shtëpie e pastërma, po dhe gjëra të tjera. I zoti i shtëpisë na u lut të rrinim për drekë, por ne kishim lënë takim në Nabom, te kroni i Traboinit, a me saktë tek shkolla ku do të takoheshim me nxënësit e mësuesin. Sa herë t’ju bjerë rruga për Tuz, kthehuni. – na tha Kol Marash Dedvukaj. – Hoti i ka dyert e hapur për miqtë. Anipse Bardhajt e Hotit janë pranë me Nabomin e Traboinit, duhej të kalonim në një rrugë tjetër për të shkuar atje, sepse rruga përmes Hotit kishte dy degëzime. Gjon Dushaj nëpërmjet celularit të tij njoftoi ata të shkollës se po mbërrinim.
Te kroi dhe shkolla e Traboinit….
Kur mbrritëm pamë të kishin dalë te sheshi para Kroit të Traboinit, Vasel Dushaj, kryetar i Bashkësisë lokale të Hotit, Tone Dushaj-Ivezaj, profesoreshë gjuhe, Pjetër Ivezaj zëvëndës i Avokatit të Popullit, Anton Gojçaj shkrimtar e poet i njohur, Marash Zef Gojçi, Palok Nicaj i biri i Zef Metit dhe Gjon Camaj, drejtori që na priu drejt shkollës që ishte aty pranë. Në një prej klasave u takuam me mësuesin Shtjefën Gjonaj, një i ri 27-vjeçar me nxënësit e klasave të ulta. U shpreha kënaqësinë e ardhjes në këtë shkollë ku dikur im atë, Palok Traboini, u kish dhënë mësim në gjuhën shqipe hotjanëve të vegjël, e unë sot po u sillja një libër timin me titull “Djali nga Hoti” i mbështetur pikërisht në kujtimet e tij shkollore. Zhvilluam një bisedë të lirë ku njeri nga bashkëbiseduesit tha se i vinte shumë mirë që edhe pse ke lindur në Shqipëri e jeton jashtë, vjen herë pas here e nuk e harron vendlindjen e babait dhe të gjyshërve të tu. Kur po na ndodh që edhe disa që janë lind e rrit këtu në Hot, kur shkojnë të jetojnë jashtë po harrojnë të kthehen. U tha gjithashtu që gjatë verës vijnë shumë mërgimtarë e jeta në Hot bëhet atëherë më e bukur dhe ka më shumë gjallëri. U dhuruam libra me kushtim së pari vogëlusheve Maja Gjelaj, Dajana Dushaj, Marta Gjelaj e të tjerëve. Libra u dhamë edhe të rriturve, sepse sekush e ka një vogëlush në shtëpi. Ishte një takim i bukur, i thjeshtë, i ngrohtë e miqësor e thuaj i përmallueshëm. Personazhi rrëfimtar i librit që sollëm në Hot ishte pikërisht nga ky vend. Ishte rritur në Nabom, nga fisi Gojçajve, i familjes Çekaj, kishte pirë ujë te Kroi i Traboinit, kishte luajtur në këtë shesh e në ograjat përreth, kish shkuar pas gjësë së gjallë. Rrëfimet nga fëminia i djalit të Hotit para një shekulli me dashuri për vendlindjen, vinin aq të ngrohta për brezat e rinj.
Një ndalim e kuvendim tek Lulja e Blinit…
Pas takimi në shkollë, dolëm te sheshi para Kroit të Traboinit. Këtu kanë pirë ujë burrat e historisë. Këtu ndalonin e bënin edhe kuvende të shkurtra. Kroi i Traboinit është edhe në këngën që e interpretojnë bukur Gjekë Dushaj e Gjyste Vulaj “Te kroni i Traboinit”. Anipse Traboini njihet për histori trimërore, kënga është lirike e flet për dashurinë. Malësorët e kanë pasur të vetin epizmin, por edhe lirizmin në atë pak kohë midis luftrash.. A të kujtohet Lulja e Blinit/Ty te kroni i Traboinit/Mbi një gur ti po pushoje/me bisht të synit më shikoje… M’u kujtua kjo këngë e bukur e u thashë se pa pushue pak te Lulja e Blinit nuk mund të shkojmë kurrkund. Thashë ashtu se në pritjen që dha presidenti shqiptar në dekorimin e Ded Gjo Lulit në Pallatin e Brigadave në Tiranë më 27 nëntor 2015, takova edhe një bijë nga Hoti, me emrin Lule Nicaj, e cila më pat porositur që kur të vish në Hot të ndalesh tek Lulja e Blinit përballë Kroit të Traboinit. Ata që e kuptuan se përse e kisha fjalën morën drejtimin drejt lokalit përballë. Në një tabelë të kuqe qe shkruar “Lulja e Blinit”, dhe vërtet anash lokalit ishin drurë lule blini e lokali dukej i strukur mes tyre. Ngjitëm shkallët e gurta dhe aty na priti Lule Nicaj. Mir’se erdhe! – më tha. E mbajte fjalën. U ulëm në një tryezë të përbashkët. Lulja na serviri kafe, çaj, e kush deshi edhe raki. Aty, krahas të tjerave ra fjala edhe për tim atë. Atëherë unë nuk u ndala në histori që mund t’i lexonin në librat e atit tim, por u tregova diçka tjetër. Marash Zef Gojçajn, u thashë, nuk e kisha parë kurrë. Erdhi nga Traboini i Hotit në Tiranë në përurimin e shtatores së Dedë Gjo Lulit dhe më dha të njohur. U takuam e u gëzuam bashkë edhe me atë edhe me Palok Nicaj, të birin e Zef Metit. Jo më kot e citova emrin Zef Meti, sepse ai ka qenë një nga bashkëluftëtarët e tim ati në kryengritjen e vitit 1911 dhe në disa kujtime veteranësh të pavarësisë thuhet se Zef Meti ka pas një zë që ngrinte malet peshë kur këndonte në gëzim të flamurit të Deçiqit në 1911, por edhe grykëholla i këndonte bukur. Në atë gëzim të shtatores së kryetrimit të Malësisë Dedë Gjo Luli, Marash Zef Gojçaj ma la në dorë një CD. Kur të mbarojmë ceremoninë e shtatores, më tha do të shkojmë ta dëgjojmë tek makina që e kishte parkuar tek Tirana Internacional. Katër burra të Hotit u futëm në makinë e dëgjuam një këngë me lahutë. Palok Nicës, djalit të Zef Metit, iu mbushën sytë me lot. Gjithë këto histori m’i ka treguar baba jem. – më tha. Po fliste për ngjarjet që përmendeshin në tekstin e këngës të shkruar nga Marash Gojçaj e kënduar me lahutë nga Pretash Nilaj. Edhe unë isha i emocionuar aq shumë sa nuk po dija si ta falenderoja Marash Gojçin e Pretash Nilajn. Ishte një këngë kushtuar babait tim, Palok Traboini. Më mbeti mendja tek ky akt i bashkëhotjanit tim, këtij njeriu me shpirt të madh. Ja pra që edhe nëse ne i harrojmë prindërit tanë prej shukullimave të ditës, kur ata kanë bërë diçka të mirë e me vlerë për këtë komb i kujtojnë të tjerët bëmat e tyre. Sepse mirësia që ka pasur ndokush, cilësitë që ka mishëruar, i kthehen, edhe i vdekur në dhé në qoftë, madje edhe sikur gjysmë shekulli të mos jenë më ndër të gjallët. Po i vdekuri qenka më i gjallë se i gjalli ndonjëherë. Populli nuk i harron kurrë bijtë e vet që janë përkushtuar për këtë komb, për tokën e lirinë e shqiptarëve. Kjo ishte biseda që bëra në lokalin “Lulja e Blinit” të Lule Nicaj në Traboin të Hotit.
Duke zbrit prej Traboinit për në Tuz …
Pasi bëmë disa fotografi te sheshi para kroit të Traboini u ndamë me të gjithë duke i shprehur mirënjohje për këtë takim të bukur. Gjon Dushaj në zbritje na ndaloi së pari në Nabom. Këtu dikur ka qënë shtëpia e gjyshit tim Luc Çeku dhe e tërë familjes Çekaj, a thënë ndryshe të gjitha atyre që vinin nga Çek Nik Lulash Gojçaj, i cili ka patur tre djem, Lucën gjyshin tim, Ujkën dhe Prelën. Keq më vjen se në librin “Hoti gjenealogjia e pjesshme e tij” e autorit Llesh Preç Smajlaj, një botim voluminoz ky i vitit 2006, nuk gjendet as emri i gjyshit tim dhe as vëllait tjetër të tij Ujk Çeku prej të cilëve kanë rrjedhur mjaft breza. Por le ta plotësojmë këtë mungesë. Gjyshi im ka patur dy djem Palin(Palokën) babën tim dhe Pjetrin. Ky i fundit ka vdekur i ri dhe i pamartuar. Vazhdues jam unë dhe kam dhe një djalë Donaldin, inxhinier, që jeton në Boston. Vëllai tjetër i gjyshit i munguar në libër, Ujk Çeku ka patur tre djem, Gjonin trim i çartun, dëshmori i kryengritjes së vitit 1911 e dy djem të tjerë, Martinin që nuk ka lënë djalë dhe Zef Ujk Çekun, me djemtë Pjetrin, Gjonin, Franin dhe Ndocin, familje e madhe kjo që në vazhdimësi ka marrë mbiemrin Ujka e sot gjendet në Shqipëri, Itali dhe Amerikë. Shumica e trashëgimtarëve që burojnë nga Çek Nik Lulash Gojçit janë shpërngulur nga Hoti e janë vendosur në fillim në Hot të Ri në Shkodër dhe pas vitit 1990 në mërgim. Një fotografi në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e të parëve të mi padyshim është një kujtim i bukur, por edhe diçka më shumë se një kujtim. Pastaj duke zbritur më poshtë u ndaluam para shtëpisë së mësuesit nga Hoti, Gjok Gojçaj që tani jeton në New York, një shtëpi e re dhe e bukur. Ndërkohë dielli kish nisur të binte tej mbi liqenin e Shkodrës që nga lartësitë e Hotit ku ishim, shfaqej në një mjegullim të përskuqur. Më poshtë shihej fusha dhe qyteti i Tuzit. Mali i Deçiqit dhe Maja e Bratilës e gjithë i përhimtë e pa asnjë bimësi kish nisur të zhytej në mugëtirat e mbrëmjes.
Festival poetik në Traboin të Hotit – një dëshirë e bukur…
Do të shkojmë te “Verdi”, na tha Gjon Dushaj që na shoqëronte gjatë gjithë vizitës sonë.Verdi ishte një restorant në Tuz. U bashkuam dhe me shkrimtarin Anton Gojçaj e shkuam në restorantin ku të servirnin një ushqim jashtëzakonisht të mirë. Biseduam ndërkohë se si mund të bënim një veprimtari artistike vjetore në Traboin të Hotit. Folëm e ramë në një mendje që një ditë poetike dhe artistike bashkë mund të bëhej të Kroni i Traboinit, por kjo në kohë vere, sepse vinim për pushime në vendlindje shumë shqiptarë të Malësisë që punojnë e jetojnë në Amerikë. Madje i lëshuam frerin fantazisë duke i emërtuar çmimet si “Kroi i Traboinit” apo “Lulja e blinit” një zgjidhje mes epikës e lirikës që aq bukur bashkjetojnë në këtë vend. Kishim dëshirën e mirë që të mund të bënim një gjë që nuk është organizuar në ndonjë veprimtari më parë. Po kjo punë u la të bisedohej në vazhdimësi që të krijohet një traditë e bukur dhe e përvitshme në Hot. Gjon Dushaj ndërkohë mori në telefon intelektualin e njohur, gazetarin e mësuesin Pjetër Dreshaj dhe e lamë të takoheshim pas pak në bar-restorant “Troja” për një kafe. Intelektuali Pjetër Dreshaj, është i mirënjohur në Tuz e në Malësi. Biseduam për krijimtarinë letrare bashkëkohore të shqiptarëve në Malit të Zi dhe më gjerë. Pjetër Dreshaj sapo kishte përkthyer një libër me poezi të shkruara nga vëllezërit Martin e Mirash Ivanaj gjatë qëndrimit në Pozharevac dhe Beograd në 1908 ku kryen shkollën e mesme, të botuara së pari këto poezi sllavisht në revistat e kohës. Pas përkthimit në shqip nga Pjetër Dreshaj janë botuar në Tiranë me titull “Kulla e shpresës sime”. Ai gjithashtu ka përkthyer në sllavisht edhe librin me poezi të Gjekë Marinajt. Pjetri na lexoi disa fragmente të librit tim “Orakujt kanë zbritur në ferr” të cilin ka nisur ta përkthejë në gjuhën malazeze, gjithnjë me dëshirën e mirë për ta botuar në Mal të Zi. Kur dolëm nga lokali “Troja” kishte rënë mbrëmja në Tuz. U ndamë me Pjetër Dreshajn dhe Gjon Dushajt duke i falënderuar për këtë takim të bukur, ndërsa shkrimtari Anton Gojçaj na përcolli deri në kufi. Ndaluam në Shkodër tek Hotel “Rozafa”, sepse e kishim lënë me Filip Guraziun të na i linte aty listat me firmat që ishin mbledhur në këtë qytet për nderimin e Aristidh Kolës me titullin “Nderi i Kombit”. Gjatë kthimit për në Tiranë na bëri përshtypje se pjesa më e madhe e rrugës ishte përfunduar dhe ndriçimi me dy palë refleksione, të bardha e të kuqe, të krijonte më të vërtetë kënaqësi në udhëtim. Kësaj here rruga nga Hani i Hotit deri në Tiranë, dhe pse e papërfunduar plotësisht, na u duk me të vërtetë e bukur.
12 dhjetor 2015
* Ne Foto:Tek Kroi i Traboinit
- « Previous Page
- 1
- …
- 129
- 130
- 131
- 132
- 133
- …
- 181
- Next Page »