• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARJA QË U DIPLOMUA SHKËLQYESHËM NË EDINBURG DHE FITOI DOKTORATËN NË OKSFORD

July 21, 2013 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI/

Kur po uleshim ngadalë në aeroportin Heathrow të Londrës, ndaj të gdhirë, në gjithë gjatësinë e krahut të djathtë të aeroplanit u reflektua një ngjyrë rozë e ndritshme. Ishin rrezet e para të diellit të vakët vjeshtak, pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër natën e gjatë atlantike. Pastaj çdo gjë u mbulua nga mjegulla e dendur dhe një shi i imët e I mërzitshëm na dha mirëseardhjen në tokën e anglo-saksonëve.

Të vizitoni Londrën, qytetin metropolit, i vjetër e i ri në të njëjtën kohë, të gjitha shqisat dhe truri juaj kthehen në një aparat të madh regjistrimi. Ju ecni tërë emocion në rrugët ku ka shkelur Shekspiri, Dikensi dhe Çurcilli. Ju mahniteni që nga stolitë e kurorës mbretërore, tek ndërtesat gotike e stilesh të tjera moderne, statujat, teatrot, muzeumet e mëdha etj. Deri tek zhurma e rrëmuja e rrugëve të ngushtuara nga rryma pa fund e makinave dhe e autobuzëve të kuq dykatësh.

E kundërta ndodh kur hyn në Oksford mbas një udhëtimi gadi dy orësh, me autobus nga Londra. Befasohesh nga një qetësi qiellore e të duket sikur ke hipur në makinën e kohës e ke shkuar dhjetëra shekuj prapa. Një ndiesi të tillë e pata qysh orët e para të mbërritjes në Oksford, për të vizituar familjen e vajzës sime aty. Qyteti mban vulën e ndërtesave të vjetra madhështore të stilit gotik, të vendosura në një rregullshmëri të ngurtë gjeometrike duke krijuar imazhin e një amfiteatri gjigand.

Historia e qytetit të Oksfordit fillon në vitin 700 me legjendën e një princeshe saksone e cila, për të shpëtuar nga mbreti lakmiqar, erdhi e u fsheh në një pyll ku dhe ndërtoi një manastir. Një komunitet i vogël filloi të rritet jashtë dyerve të manastirit dhe qyteti filloi të marrë formë e gjallëri, me kishat,tregun, banjat, shëtitoret dhe muret rrethuese që janë ende edhe sot. Por ky qytet i vogël anglez u bë i famshëm qysh në shekullin e dymbëdhjetë kur u ndërtua universiteti i parë në botë në gjuhën anglisht. Gjatë shekujve që pasuan, deri në kohën e sotme, nuk rreshtën së ndërtuari kolegje e biblioteka, qendra kërkimore-shkencore e muzeume etj. nga më të dëgjuarat e më të kërkuarat në botë. Sot numërohen rreth 39 kolegje që I kanë ndërtuar mbretërit, bishopet e kishave dhe pasanikët.

Ndërtesat e stilit gotik quhen “ndërtesa të arta” sepse janë ndërtuar nga gurë të skalisur të verdhë e të fortë që i rezistojnë erozionit dhe kohës. Pothuajse të gjitha ndërtesat ngrihen në formë kështjellash masive oktagonalesh, kupolash dhe kullash me bedena ose me maja të mprehta, sipër të cilave qëndrojnë,sikur ëndërrojnë, kambana, sahatë të rrumbullaktë, zogj metalike, shtiza e shigjeta fluturuese.

Të gjitha këto mrekulli pata fatin t’i admiroj ditëve të ngrohta të shtatorit duke ecur me vështirësi rrugëve me kalldrëm, e shoqëruar nga njerëzit e mi. Dhëndrri im gjerman, doktor I shkencave e studiues në një nga kolegjet e qytetit, gjatë një shëtitjeje, më prezantoi me disa kolegë e profesorë, dy-tre prej tyre emra të dëgjuar në gjithë botën. Sigurisht, në këto situata,njeriu e ndien vehten pak ngushtë, mundohet t’i zgjedhë e t’I mendojë mirë fjalët…Dhe ja… tek afrohet e prezantohet ajo, e thjeshta, e mira, buzëqeshura, shkencëtarja shqiptare Migena Bregu, e cila ma shton më tepër hutimin, por dhe gëzimin. E përqafova si të ishim njohur prej kohësh, e mora mënjanë e I fola me zë të lartë, “Cila qenka kjo bashkëatdhetarja ime që I paska buzëqeshur fati kaq shumë?”

KORÇA – QYTETI I SAJ

 Është Migena. Dhe, si një korçare, s’ka si të mos jetë e gjatë,elegante, me një fytyrë tërheqëse, dy sy gështenjë të mëdhenj, të gjallë e të lëvizshëm. Ndërsa flet të tërheqin vëmendjen buzëqeshja që nuk i ndahet nga fytyra dhe anglishtja e saj me një akcent të admirueshëm.Ecim me Migenën rrugëve të Oksfordit që gëlojnë nga biçikletat, zërat dhe thirrjet e gëzueshme të mijëra studentëve ardhur nga gjithë bota. Pyetjeve të mia të njëpasnjëshme vajza korçare u përgjigjet me modesti ose ndonjëherë ndërron bisedë duke më treguar ndonjë kuriozitet nga qyteti enigmatik I kolegjeve. Ajo ndal hapat para një dyqani të vjetër me mbishkrimin, “Dyqani i Lizës.” “Është fjala për, “Lizën në Botën e Çudirave” thotë ajo. Autori i Lizës, Lewis Carroll, ka qenë matematicien dhe tregtar i dëgjuar në Oksford. Ngjarjet e librit zhvillohen rreth e rrotull Oksfordit. Në këtë dyqan Liza ka psonisur…”

Ajo kujtoi diçka nga fëmijëria e saj. “Isha vajzë e urtë, thotë,pak e mbyllur, por me një dëshirë e kuriozitet për të mësuar. E mbaj mend që fillimin e shkollës e prita me emocion të madh; abetaren e aritmetikën i mbaja tek koka e krevatit, javë përpara se të fillonte shkolla. Shkollën e fillova me një etje për të mësuar çdo gjë. Që në klasën e parë isha e vendosur për të dalë e para e klasës, pasi doja të merrnja pjesë në “mbrëmjet e nxënësve të dalluar” të Korçës, sepse aty jepeshin lodrat më të mira që gjendeshin në Shqipëri. Madje, me naivitetin e fëmijës, e mbaj mend se ndonëse për tre vjet me rradhë dola e para e klasës, mësuesja nuk më propozoi për mbrëmjen e të dalluarve. E zhgënjyer, kur e pyeta mësuesen cila qe arsyeja, ajo m’u përgjigj se prindërit e mi nuk ishin “punëtorë.” Si fëmijë 9-vjeçar që isha, u ktheva në shtëpi duke qarë dhe e indinjuar u thashë prindërve se ishte faji i tyre që mua s’më dërgonin në mbrëmjet festive sepse ata nuk ishin “punëtore”, pra…s’punonin sa duhet! Ky incident ishte përballimi im i parë me doktrinën proletare, kur për herë të parë m’u spjeguan diferencat klasore.”

Prindërit e Migenës jo vetëm që ishin intelektualë, Bahriu, babai,inxhinier topograf në minierë dhe e ëma, Valentina, inxhiniere pyjesh, por familja e tyre ishte përfshirë tragjikisht në vorbullën e luftës së klasave. Qysh prej atij momenti Migenës iu bë e qartë se do t’i duhej të përpiqej të arrinte rezultatet më të larta akademike për të kompensuar mungesën e “biografisë së mire politike.” Në një farë mënyre ky u bë dhe synimi i saj në jetë.

Qysh në shkollën fillore ajo mori pjesë në olimpiadat e matematikës e në konkurset e letërsisë, që organizoheshin nga Shtëpia e pionierit. Me fillimin e shkollës tetëvjeçare dhe studimin e anglishtes si gjuhë të dytë, Migenës iu hapën dyert e bibliotekave për leximin e letërsisë së huaj. Dalëngadalë filloi edhe ambicja për studimet jashtë shtetit në të ardhmen. Dëshirë që i kishte rrënjët në etjen e madhe të të rinjve shqiptarë për të njohur botën e huaj, për të pasur atë eksperiencë që ishte kthyer në ëndërr, për shkak të mohimit. “Kur fillova shkollën e mesme, thotë ajo, i vura vehtes si qëllim që ta mbaroja gjimnazin me ‘Medalje të artë’ pasi kisha mësuar se qeveria jepte bursa për studime jashtë shtetit, për këta nxënës. Gjatë katër viteve të gjimnazit studiova me këmbëngulje jo vetëm për marrjen e notave dhjeta në të gjitha lëndët, por edhe për pjesëmarrjen në olimpiadat e rrethit, të kimisë e biologjisë, pasi një nga kriteret e marrjes së medaljes së arit ishte dhe fitimi i një çmimi kombëtar në olimpiadat. Isha me fat që në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, kishim disa pedagogë të cilët ishin të predispozuar për

të krijuar kurse të avancuara jashtë klase, për të inkurajuar nxënësit që kishin interes për të ecur më përpara se programet në tekstet shkollore. Me ndihmën cilësore që mora nga mësuesit arrita që, në vitin 1993, të fitoja Olimpiadën Kombëtare të Biologjisë, si dhe “Medalje ari”, që jepej nga Ministria e Arsimit.”

Mbas gëzimit dhe festimit në familje të plotësimit të ëndrrës së saj, pasoi zhgënjimi, kur Migena mësoi se qeveria shqiptare nuk jepte bursa për jashtë shtetit. E vetmja mundësi ishin disa bursa nga qeveria egjiptiane për të studiuar në një Universitet Fetar, diçka që s’përputhej me aspiratat që vajza i kishte vënë vetes. Atëherë ajo e kuptoi e u bind se duhej të përpiqej vetë për të fituar të drejtën e studimit jashtë. Ajo filloi Fakultetin

Juridik në Tiranë e ndërkohë përpiqej të merrte informacion për studimet universitare në Britani, dëshirë që e kish për arsye të lidhjes me gjuhën e letërsinë angleze.

Fatmirësisht për atë kohë, me revolucionin demokratik, sapo kishin filluar të hynin informacioni, shtypi dhe gazetat e huaja. Migenës i ra në dorë një broshurë me informacion për studimet në Europen Perëndimore dhe filloi t’iu shkruaje institucioneve direkt, për të kërkuar më shumë informacion.

Këtu filloi dhe maratona një vjeçare e aplikimit për në universitetet britanike. Nuk ishte e lehtë; vështirësia qëndronte se korrespondenca duhej bërë përmes letrave, interneti as që njihej në Shqipëri, dhe informacioni ishte shumë i kufizuar.

“Kur më erdhën rezultatet e pranimit nga tri universitete britanike, thotë ajo, me të vërtetë, më dukej e pabesueshme. Zgjodha Universitetin Heriot-Watt në Edinburg për degën Mikrobiologji. Kisha lexuar për kryeqytetin e Skocisë që ishte shumë i bukur prandaj nuk hezitova të zgjidhja Edinburgun. Zgjodha mikrobilogjinë si degën që do të më jepte mundësinë për të eksploruar zhvillimet e fundit në shkencat biologjike.”

EDINBURGU

 Pranimi në këtë universitet ishte vetëm hapi i parë I realizimit të ëndrrës së Migenes, mbasi egzistonte vështirësia e sigurimit të burimeve financiare. Britania, nga vendet e Europës Perëndimore, ka taksat më të shtrenjta universitare. Migena filloi kontaktimin me fondacionet shqiptare kryesisht fondacionin Soros në Tiranë, si dhe me fondacione të tjera në Britani. Fillimi nuk qe shumë premtues, thotë ajo, dhe i dukej

se për mungesë fondesh do ta humbiste këtë shans. Gjithsesi me grantet e fondacioneve si dhe me ndihmen financiare të familjes, ajo arriti të mbulojë financimin për vitin e parë.

“Synimi im ishte sa të filloja universitetin, thotë ajo. Por më vonë i kisha vënë qëllim vetes që të arrija rezultate të larta akademike e t’i kërkoja universitetit ndonjë bursë nderi.” Por pas gjithë këtyre përpjekjeve, pengesa e fundit ishte marrja e vizës. Për shkak të procedurave të tejzgjatura për dhënien e vizave për shtetasit shqiptarë, ajo arriti në Edinburg në tetor të vitit 1994, tri javë me vonesë nga dita e fillimit të simestrit.

“Mbërritja në Edinburg ishte sa mbresëlënës aq dhe e vështirë, thotë Migena. Për herë të parë më duhej të përballoja gjithçka vetë.Vështirësia qëndronte në dy nivele. Së pari, studentët e tjerë kishin krijuar miqësitë dhe për mua ishte e vështirë të depërtoja në rrethet e ngushta studentore. Së dyti, duke humbur pothuaj tri javë leksione kalimi i provimeve ishte jo aq i lehtë. Tri ditë mbas arritjes, pata një takim me koordinuesin e kursit. Ai, duke ditur prejardhjen time nga Shqipëria dhe fillimin me vonesë të universitetit, në mënyre të sjellshme më paralajmëroi se s’duhej të mërzitesha në qoftë se ngelesha në provimet e simestrit të parë, pasi kisha të drejtën e përsëritjes. I jam përgjigjur atij me ngulm, “Unë s’kam ngelur në asnjë provim deri tani dhe nuk mendoj pse duhet të filloj tani.” Që nga kjo bisedë Migena premtoi me vete se do të dilte sa më mirë në provime e t’u tregonte pedagogëve atje, se, në kundërshtim nga paragjykimet, shkolla shqiptare i kishte dhënë asaj formim të kënaqshëm shkencor si dhe ambicien për konkurencë e arritje të larta.

Fillimisht ajo vajti me kasetofon për të regjistruar gjithë leksionin dhe të kishte mundësi ta ripërpunonte gjatë studimit të saj privat. Fatmirësisht në provimet e vitit të pare Migena doli nga të parat e kursit. Pedagoget ishin aq të impresionuar dhe e ndihmuan me referenca të shkëlqyera për aplikimet që ajo bënte për bursë. Në fund të vitit të parë ajo takoi zëvendës principialin e universitetit, Dr.Brown, te cilit i kërkoi anullimin e taksave universitare. Mbështetur në rezultatet e saj akademike si dhe në vështirësitë financiare, Këshilli i Lartë i Universitetit miratoi anullimin e taksave që ishin 8,000 pounds (14,000 $).

Ky ishte lehtësim i madh pasi tani ajo e kishte më të lehtë pagesën për koston e përditshme të jetesës. Si ka studiuar Migena gjatë këtyre katër viteve të universitetit, përpjekjet, këmbëngulja dhe disiplina e hekurt në arritjen e suksesit, e tregojnë provimet e saj përfundimtare,

ku arriti të marrë diplomë të klasit të parë. Gjithashtu ajo doli jo vetëm studentja a parë në kursin e Mikrobiologjisë por edhe studentja e parë në gjithë Fakultetin e Shkencave Biologjike.

Për këtë arsye mori dhe dy çmimet më të larta të nderit dhënë nga Heriot-Watt University. Por Migena është modeste e s’tregon më shumë. Duhet t’ia nxjerrësh fjalët si me darë. Kur u ktheva në Amerikë e u telefonova prindërve të saj që banojnë në Dallas, ata më treguan diçka për vajzën e tyre. Migena kishte ardhur nga Edinburgu me pushime verore pranë familjes dhe një korrespondent i Radio Korçës erdhi në shtëpi e mori në intervistë. Përgjigjet e saj ishin aq të shkurtëra e të thjeshta, sa, korçarët që e dinë mirë ç’janë universitetet britanike, kur e dëgjuan emisionin e radios, nuk u kënaqën.

MIGENA NE BOTEN E OKSFORDIT

 Vajza e Korçës fitoi nga Universiteti Heriot-Watt medaljen, “Watt-Club Medal”—Medalja e argjendit dhënë studentit me rezultatet më të larta në Fakultetin e Biologjisë dhe “Loise- Fletcher Memorial Prize”, çmim i dhënë për studentin me rezultatet më të larta në kursin e ikrobiologjisë.

Ishin këto çmime që e ndihmuan Migenën të fitojë të drejtën për të vazhduar doktoratën në Universitetin e Oksfordit, një ëndërr e objektiv që ajo ia kish vënë vehtes prej kohësh. Pranimi në Oksford ishte për të një gëzim i veçante pasi ajo e kishte admiruar Oksfordin si një nga qendrat ku kishin hedhur rrënjë arsimi dhe kultura europiane. “Të bëhesha pjesë e këtij komuniteti, thotë ajo, ku të kisha mundësi të prezantoja potencialin intelektual shqiptar, ishte një emocion dhe mission i veçantë.”

Oksfordi dhe Kembrixhi janë dy Universitetet që janë ndërtuar, e akoma funksionojnë, mbi bazën e kolegjeve. Kolegjet filluan si manastire, me një organizim të pavarur arsimor e kulturor për aristokracinë britanike. Përmes shekujve, kolegjet e Oksfordit u shtuan e u zgjeruan duke u bërë qendra elitare kulturore në Europë. Sot Universiteti i Oksfordit funksionon mbi bazën e kolegjeve dhe fakulteteve që së bashku koordinojnë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Në pesë dekadat e fundit Oksfordi ka shtuar fushat e studimeve kërkimore-shkencore duke forcuar e duke i dhënë drejtim të ri rolit tradicional të të mësuarit.

Tradita dhe cilësia akademike janë bazat e Universitetit të Oksfordit. Gjatë historisë Oksfordi ka nxjerrë burra e gra të adhuruar nga çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, të cilët kanë studiuar ose kanë dhënë mësim në Universitet. Midis tyre përmenden katër mbretër, 46 fitues të çmimit Nobël, 25 kryeministra, 18 kardinalë etj.

Migena doktoratën në Oksford e kreu në departamentin e Biokimisë në lidhje me Brasenose College. Brasenose College është themeluar në vitin 1509 dhe frekuentohej kryesisht nga fëmijët e pasanikëve. Ndër akademikët e njohur të kolegjit përmendet nobelisti e shkrimtari William Golding. Gjithashtu në këtë kolegj kanë studiuar stërgjyshi i Xhorxh Washingtonit, presidentit të parë të Amerikës, si dhe gjyshi i John Adams,

presidentit të dytë të Amerikës.

Për doktoratën Migena u financua nga Wellcome Trust si dhe fitoi Overseas Student Awards. Është interesante të theksohet se fillimisht në Universitetin e Oksfordit nuk pranoheshin femrat, megjithse qyteti ishte themeluar nga një femër. Gratë u pranuan për herë të parë në Oksford në vitin 1878 por ato nuk kishin të drejtë të diplomoheshin. Në Brasenose College femra e parë është diplomuar në vitin 1974 dhe kjo date koinçidon me vitin kur është lindur Migena.

“Kërkimin shkencor, thotë Migena, e kreva në laboratorin e profesor David Sherratt, geneticist i njohur që ka studiuar rekombinim gjenetik të A D N në bakteria. Studimi im ishte fokusuar në mekanizmat molekulare që kontrollojnë rekombinimet gjenetike në bakterien E.Coli. Mbas tre viteve rezultatet e kërkimit tim shkencor i botuam në një nga revistat më prestigjoze në fushën e biologjisë molekulare. (The EMBO Journal, Vol.21 No 14.)

Pas mbrojtjes me sukses të doktoratës ajo fitoi titullin “Doktor i shkencave,” në korrik 2002. Mbresat e dorëzimit të titullit “Doktor,” atë ditë, i përshkruan Bahriu, babai i Migenës: “Bashkë me gruan, thotë ai, ishim të ftuar në ndërtesën e teatrit te Oksfordit, ku zhvillohej ceremonia. Ne ishim ulur në sallën e madhe tok me prindërit e tjerë kryelartë e krenarë anglezë, por edhe nga vendet e tjera të botës. Përveç emocionit, ishte kënaqësia më e madhe që kam ndier ndonjëherë në jetë. Ç’fat i madh që ndodhesha aty, ku më kishte sjellë vajza ime…”

Por Migena ishte më pak e emocionuar. E mësuar me këto lloj festimesh ajo e kishte mendjen më shumë për planet e së ardhmes. Para saj tani ishin hapur perspektivat dhe rrugët e pa fund të shkencës. “Gjatë doktoratës, thotë ajo, më lindi dëshira që të merresha jo vetëm me kërkimin shkencor në nivelin akademik. Doja që të eksploroja dhe se si zbulimet dhe përparimet shkencore kanë efekt mbi zhvillimin e shoqërisë së

sotme. Për këtë arsye vendosa që, pas doktoratës, të bëja një ‘internship’ për komisionin europian në Europë, në departamentin për shëndetësinë dhe të drejtat e konsumatorit.

Duke shpresuar që së shpejti Shqipëria do të bashkohet me komunitetin europian, kjo mundësi m’u duk ideale për të luajtur në një farë mënyre rolin e ambasadorit jozyrtar. Fillova punën në Bruksel ku kontaktova me komisionin që organizonte raportin mbi asocacionin e Shqipërisë me Europën. Gjatë diskutimit që pata me ta u përpoqa të theksoja nevojën për të analizuar situatën në Shqipëri me spektër të plotë e jo me gjykim

të njëanshëm. Pavarësisht nga situatat e ndera politikoekonimike, Shqipëria ka potencial njerëzor e natyror që mund t’i sjellë kontribut komunitetit europian. Imazhit shqiptar që përfaqësohet nga politikanët e tanishëm i mungon disi serioziteti dhe pjekuria që gjendet midis intelektualëve dhe komunitetit të moderuar shqiptar.”

Mbas mbarimit të internshipit në Bruksel, Migena u kthye për të vazhduar në Universitetin e Oksfordit si punonjëse akademike shkencore në Departamentin e biokimisë. Kërkimin e tanishëm shkencor ajo e ka në vazhdim më të thelluar të arritjeve shkencore të doktoratës, për të zgjeruar kuptimin mbi rregullimin qelizor të rekombinimeve gjenetike.

“URA E PSHERETIMAVE” – BRIDGE OF SIGHS

 Me Migenën vizituam disa nga kolegjet më të vjetra të qytetit. Mjedisi ku qëmdrojnë madhërisht ndërtesat e kolegjeve që formojnë zemrën e Universitetit, sot konsiderohet si grupi më i dalluar, fin, i ndërtesave në Europë. Më tej kalojmë në “Urën e psherëtimave,” një urë e vjetër në hyrje të rrugës së Universitetit. Ura është ndërtuar mbi një hark gurësh mbi rrugë, dhe lidh dy ndërtesa ballë për ballë. Është vazhdim i traditës

që studentët e diplomuar parakalojnë nën këtë urë, ekuivalent i një lloj harku triumfi, të duartrokitur nga banorët e qytetit të cilët qëndrojnë në të dy anët e saj. Nën këtë urë ka parakaluar edhe Migena, midis vargut të gjatë të të diplomuarve, veshur me pelerinën karakteristike të zezë dhe me kapelen e zezë në formë libri. Emërtimi “Ura e psherëtimave” nuk e ka kuptimin romantik të vuajtjes së të dashuruarve, por është simbol i fatit dramatik të studentëve që mbeteshin në provime e i thoshin “lamtumirë” Oksfordit. Ata hipnin mbi këtë urë e derdhnin lotë me psherëtima.

E pyes Migenën: “Ke dëshirë të kalosh edhe njëherë tjetër nën urë?” Me pamjen serioze të fytyrës ajo ma ktheu: “Do të isha e lumtur sikur të shihja të parakalonin aty edhe student të tjerë shqiptarë. Për mua, suksesi i studentëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike dhe kulturore shfaq atë potencial të admirueshëm njerëzor që kemi ne si komb. Potencial që në një farë mënyre duhet të jetë burim frymëzimi, vetbesimi e nderi, por që në të njëtën kohë duhet të shihet si përgjegjësi. Përgjegjësi për të nxitur etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar. Përgjegjësi

për të inkurajuar intelektualët shqiptarë të zhvillojnë karrierat profesionale në Shqipëri e për ta pasqyruar pasurinë e potencialin e kombit tonë në botë. Është tragjike të shohësh largimin në masë të intelektualëve shqiptarë. Është tragjike që për brezat e rinj s’ka asnjë stimulim moral ose financiar.”

Migena tregon se si në shtetet e tjera me vështirësi financiare si Brazili, Argjentina, Bullgaria, Rumania, pavarësisht nga krizat financiare, qeveria e institucionet, janë të angazhuar në përkrahjen e nivelit arsimor e shkencor. Vetëm si shembull, për në Oksford, qeveria e Brazilit financon çdo vit disa bursa për studentët, me kusht që me mbarimin e studimeve, të kthehen në Brazil e të kontribuojnë në zhvillimin e vendit për një periudhë minimale prej pesë vjetësh. Një angazhim i tillë deri tani s’është marrë nga qeveria shqiptare. A nuk do të ishte ky një stimulim që do të rizgjonte etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar? A nuk do të ishte më mirë sikur diaspora shqiptare e institucionet private të hiqnin dorë nga financimet e konkurseve të bukurisë dhe të fillonin të investonin e të përkrahnin financiarisht konkurset e olimpiadat shkencore e kulturore?

Ne kemi nevojë për shkencëtarë, artistë e inxhinierë për të ndërtuar vendin në standartet që kërkon koha dhe shoqëria moderne, thotë ajo.

Sipas Migenës, përse historia e kultura shqiptare në botën e huaj, në shumicën e rasteve prezantohet nga analistet e huaj. Ka ardhur koha, thotë ajo, që ne si shtet të investojme në studimet tona historike e kulturore. Ne duhet t’i paraqesim botës bagazhin tonë historik e kulturor përmes studiuesve shqiptarë.

Në këtë aspekt bashkëpunimet me institucionet e huaja kanë avantazhe të disaanshme. Së pari, studiuesve tanë u krijohet mundësia të kryejnë punë cilësore dhe të publikojnë në botime të njohura ndërkombëtare, gjë që do të rrisë njohuritë mbi Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar dhe do të nxisë interesin e të huajve mbi çështjet shqiptare. Së dyti, do të ndihmojë studiuesit shqiptarë të sjellin mentalitetin shqiptar e botëror në

linja të përbashkëta. Diçka që do të ishte shumë e dobishme në shkencat politike e diplomatike sepse për momentin, Shqipëria vuan ndjeshëm nga një mospërputhje e gjuhës politike shqiptare me atë europiane. Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet të fillojnë projekte konkrete për studime historike, antropologjike e politike të çështjeve delikate për Shqipërinë, duke ofruar mundësi studimi

e bashkëpunimi me universitetet e huaja që kanë experience në këto fusha. “Le të mos e lemë potencialin shqiptar të japë fryte vetëm

në botën e huaj. Le të përkrahim etjen për dituri që ka qenë e mbetet një virtyt i shqiptarit. Shembujt e mirë i kemi, le ta përdorim këtë si inkurajim për të ardhmen.” Ky ishte dhe mesazhi i fundit i intelektuales së shquar shqiptare.

…Kur u largova nga qyteti ndjeva se Oksfordi s’ka nevojë për stinën e ëmbël të pranverës sepse atë ia krijojnë studentët në të gjitha stinët. Janë vetë shkollarët që i japin gjallëri, energji e bukuri ambientit. Një nga këto lule është dhe Migena jonë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Migena Bregu, ne Oxford, Rozi Theohari, vajza qe studioi

Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit

July 6, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Në orën 21.00 trageti mbëriti në portin e Brindizit dhe ngadalë iu afrua molit që të ankorohej. Pasagjerët nisën qysh më parë që të lëviznin drejt derës kryesore të hekurt, me qëllim që të mos vonoheshin në dalje. Bashkë me djalin beratas u gjendëm të parët tek shkallët, pasi në atë orë nuk është e lehtë të gjesh tren apo autobus për të shkuar në Leçe. Dera e tragetit u hap dhe njerëzit vraponin për tek dogana. Tek dera e hyrjes disa policë na ftuan që të prisnim derisa gjithçka të ishte gati. Më pas u gjendëm në brendësi të godinës ku kontrolloheshin dokumentat. Për pak minuta kontrolli përfundoi, ashtu dhe meraku i bashkëudhëtarit tim që në çastin e kontrollit, ia përktheja bisedën midis tij dhe policit. Një lloj konfuzioni i paqtë mbizotëroi disi në kërkim të njerëzve dhe dokumentave përkatëse dhe më pas dolëm për t’u drejtuar tek hyrja e portit ku na priste i vëllai i bashkëudhëtarit. Pasi u prezantuam, më ftuan që ta bëja bashkë me ta rrugën deri në Leçe. Një kortezi që në atë orë të vonë të natës vështirë se e gjen mes qytetarëve të huaj që nuk i ke njohur kurrë. Gjaku nuk bëhet ujë – thonë. Pas nja 45 km mbërritëm në qytetin e Leçes dhe gati në qendër ishte hoteli ku do të qëndronim disa ditë, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë. Pasi bëra regjistrimin dhe mora celësin, vrapova për në dhomën time ku surprizat nuk mungonin. Hoteli ishte i një klasi të lartë dhe sapo hyra, mbi tryezën e dhomës, një letër që më uronte mirëseardhjen në konferencë. Ndeza televizorin sepse kishte ndeshje, luante Italia dhe Spanja. Pas një dushi të domosdoshëm në ato momente, rruga e gjatë nga Korça deri në Brindizi, sado e lehtë që të jetë, e kërkon një çlodhje dhe nuk ka më mirë sesa një banjë. Kur mbërrin në qytetin për ku je nisur dhe pasi i zgjidh disa probleme emergjente të strehimit dhe akomodimit, edhe mendja sikur qetësohet. Ndjen një relaks të këndshëm, pas stresit të rendjes deri fundin e aventurës së udhëtimit, kur bagazhet pushojnë në një hotel dhe zemra fillon të rrahë normalisht, e lehtësuar nga të papriturat e panjohura të vendit ku ke shkuar.

Të nesërmen në mëngjes, pasi u takova me miqtë e ardhur nga shumë vende dhe pas një mëngjesi bujar në hotel, u drejtuam për në qendrën historike të qytetit, një perlë e gërshetimit të disa kulturave, me emrin Barok,  ku do të zhvillonte punimet konferenca dy ditore me temë : Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit. Na pritën drejtues të Agjensisë së Trashëgimisë kulturore euromesdhetare të Leçes, kryetari i Provincës së Leces, zv/kryebashkiakja, zv/rektorja e universitetit e të tjerë. Presidentja e Agjensisë znj. Bortone na uroi mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi në evidentimin e traditave të kulturës kombëtare në kuadrin mesdhetar dhe përpjekjet që kultura të jetë urë lidhëse për të gjithë popujt. Më tej u ndal edhe tek bashkëpunimi i disa institucioneve që bëri të mundur realizimin e konferencës. Përshëndetën autoritetet lokale të cilat e vunë përsëri theksin tek roli i madh i kulturës dhe mundësisë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për popujt, si dhe inkuadrimin e politikave të drejta për promovimin e saj. Një përshëndetje e këndshme që dua ta nxjerr në pah, ishte edhe e zv.rektores që e vlerësoi këtë takim, duke theksuar se edhe universiteti që përfaqësonte kishte kontributin e vet.

Por në këtë kohë krize edhe kultura po vuan nga mungesa e fondeve, por gjithësesi duhen gjetur rrugë që promovimi të mos e cënojë apo shkatërrojë ndihmën ndaj saj. Ideja dhe propozimi i zv/kryebashkiakes Tessitore, për një dhuratë, libër, të lënë për miqtë, do të ishte një nismë që mund të shtrihej kudo. Dihet se vera është stina më e mirë për të lexuar, por leximi duhet të jetë pjesë e jetës në të gjitha stinët. Nismë që shumë mirë mund ta adoptojmë edhe tek ne, duke parë rënien e interesit total për leximin. Besoj se avangarda e kësaj nismë kanë qënë dhe do të jenë poetët dhe shkrimtarët të cilët janë dhuruesit më të mirë të librit.

Presidentja e Shoqatës De Giovanni pasi i falenderoi të gjithë faktorët që ndihmuan në organizimin e konferencës, u ndal tek mesazhi që kjo veprimtari përcjell, atë të njohjes së letërsive respektive, të autorëve të Mesdheut, të kulturave që e gjallojnë atë dje dhe sot me të gjitha vargjet e bukura që lexojmë. I falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, edhe ata që erdhën nga larg, shumë larg, deri dhe nga Japonia, pasi e tillë është natyra e shoqatës.

Më pas filloi punimet konferenca dy ditore me një temë tepër interesante dhe të gjerë që kishte në qendër detin, udhëtimin, krahinat që lagen nga Mesdheu, autorë dhe autore, epoka, histori, mite. Ditën e dytë të punimeve më takoi të flisja për Letërsinë shqiptare, pikërisht për poezinë që nga viti 1944 e deri në vitin 1990 dhe për autorin dhe lirikun më të madh shqiptar të asaj periudhe, gjeniun dhe mjeshtërin e vargut, Dritëro Agollin. Nuk mund ta ndash atë nga poetët e tjerë të mëdhenj të Mesdheut, nga deti, edhe pse nuk e ka njohur që në vogëli, nga udhëtimi që ka emrin jetë, nga të gjitha udhëtimet që Shqipëria përshkoi në mbi 45 vjet të historisë së saj, nga libri i madh Udhëtoj i menduar, që çdo autor do ta meritonte ta shkruante. Në thelb udhëtimi është një filozofi më vete që, nëse shkenca e mendjes dhe arsyes nuk e ka marrë shumë në konsideratë, janë poetët ata që i japin frymëmarrje gjithë filozofisë së udhëtimit. Konferenca i mbylli punimet në një abaci, kishë, ku ende dukeshin gjurmët e traditave ortodokse të ndërtimit dhe afreskeve. Ndoshta midis piktorëve të asaj kohe ka patur edhe shqiptarë të cilët si kurdoherë kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla në kulturën e vendit fqinj.  Në fund një recital me poezi të autorëve pjesëmarrës në konferencë dhe disa çmime për kontributet në kulturë. Gjatë qëndrimit tonë në Leçe patëm mundësi që të shijonim edhe kuzhinën e pasur të Salentos, krahinë që mbi 22 vjet më parë hapi dyert e saj për të pritur me mijëra emigrant Shqiptarë. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga mikpritja e tyre fisnike dhe e dashur. Kanë ndryshuar vetëm kohët.

Ditën e dielë 30 qershor rruga e kthimit për në atdhe ndalet në Brindizi, një qytet ku deti është kryefjala e ditës, ku vera edhe pse disi e freskët, kishte hapur zemrën dhe pushues të shumtë shëtisnin mbrëmjeve buzë detit, përgjatë shëtitores së saporestauruar. 5 orë më tutje, drejt lindjes, përballë, ndodhej atdheu im.

Nga njëra Itakë tek tjetra

Ai rrip toke mbi të cilin

Hodha hapat e fundit në tokën amëtare

Për të hipur lart në anijen “Shuttle”,

Po largohej gjithnjë e më shumë

Dhe mjegulltazi po zhdukej në det.

Valët e bardha shkumbonin

Si të zemëruara me ndarjen:

Kush është ai njeri që nuk derdh lot,

Kur diçka të dashur e humbet !…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, Mesdheu, origjina e leterersise, se udhetimit

Kur nisesh për udhë

July 4, 2013 by dgreca

Reportazh Arjan Th. Kallço/

Kur mendon Vlorën, qyteti që është simboli i stinës së verës, ashtu si dhe disa qytete të tjera detare, mendja të shkon tek e kaluara jo fort e largët, kur për 15 ditë endeshim në krahët e detit, rërës dhe bukurive natyrore të rivierës sonë. Pas disa dekadash në të njëjtën stinë, por në rrugëtim krejt ndryshe, përtej brigjeve shqiptare, në Itali. Rruga për në Vlorë nisi mëngjesin herët të datës 27 qershor nga Korça, në një klimë më shumë vjeshte sesa vere dhe shiu që nga qafa e Pllocës deri në të dalë të Pogradecit, që kishte rënë, ta shtonte bindjen se po na ngatërrohen stinët. Si kudo në orët e para të mëngjesit heshtja është bashkëudhëtarja jote më e mirë. Ngadalë rruga kombëtare po gjallohej dhe deri në Elbasan dita merrte një ngjyrë krejt të dallueshme: nga shiu tek ajo me diell. Tek rrethrrotullimi në afërsi të rrugës për në metalurgjik, fillon pjesa e dytë e rrugës me një pjesë që ende nuk i gëzohet tërësisht kushteve të infrastrukturës sonë. Për çudi është lënë pasdore një aks që është plot trafik në drejtim të jug-perëndimit të vendit. Rruga zgjatet përmes qyteteve, shumë e ngushtë, saqë nëse dikush hap derën për të dalë nga shtëpia, ka rrezik të përplaset me makinat që kalojnë aty. Për të mos folur për kushtet e higjenës, pluhuri është zot i aksit, që me të drejtë lënë për të dëshiruar, për më tepër kur në këtë stinë kërkohet sa më shumë kujdes për ajër të pastër. Pasi kaluam edhe Rrogozhinën rruga kalon në autostradën qëndrore që lidhet me Vlorën. 85 km e fundit dhe udhëtimit po i vinte fundi. Kudo në qytete ndihej ende jehona e zgjedhjeve, pasi reklamat e pafund ende qëndronin në këmbë si për të na thënë se do të duhej edhe pak kohë që vendi të pastrohej prej tyre. Diku pranë portit u ndalëm dhe tashmë Vlora ishte një realitet i prekshëm. Pasi mbarova disa porosi të vogla aty përreth, iu drejtova biletarisë së trageteve që ta merrja në dorë dhe t’i drejtohesha doganës. Agjensitë janë të shumta dhe secila të ofron një çmim të ndryshëm nga konkurrenca. Në hyrje të portit pasi bisedova me disa punonjës, mora rrugën drejt doganës. Përballë anija e ankoruar të jepte përshtypjen se, nga çasti në çast do të nisej. Në terminalin e kalimit kufitar pas ndonjë paqartësie të vogël dhe disa pyetjeve disi të çuditëshme, sapo isha kthyer nga një konferencë në Banja Lukë ku ndodhi të tilla nuk ndodhën, iu drejtova anijes Shuttle që po mbushej me njerëz dhe mjete. Kaluan disa orë të mira në pritje të nisjes dhe rreth orës 16.00 anija u nis nga porti i Vlorës me destinacion Brindizin. Rruga e gjatë pa biseda me njerëzit që ulen rrotull sikur nuk shkon. Pranë kishte pasagjerë të shumtë që po shkonin në Itali për punë dhe halle të ndryshme. Biseda e parë nisi tek dritaret e tragetit me disa vlonjatë ndonjë me origjinë çame, që tek fliste me pasion për detin, të kujtonte peshkatarët e filmave apo këngëve të shumta. Njerëzit e detit – ishte e para këngë që m’u kujtua në atë fill të shkurtër kohe. Bisedat rrodhën me tej tek njerëzit e afërm, tek qytetet nga vinim dhe tek e pashmangshmja, ëmbëlsira e përditëshme, politika. Rezultati i zgjedhjeve duket se kishte marrë konsensusin e të gjithëve të cilët shpreheshin se pas 8 vjetësh, duhej një ndryshim, ndryshe demokracia do të bukosej fare, nuk do të merrte frymë lirisht dhe për të gjithë. Më tej zinxhirri i njohjeve u shtri më tej, me njerëz të pjekur dhe me plot halle që, pavarësisht jetës, u pëlqente ta ruanin atë pakëz humor të përditshëm. Një i ri më tej po shkonte me pushime tek familja e tij diku afër Leçes, por meraku e hante tek dogana italiane, se mos i nxirrnin problem dhe e kthenin prapa. I premtova se në doganë do ta ndihmoja që t’ia përktheja bisedat, pasi nuk e njihte gjuhën. Më tej ndonjë dorë me domino, sikur e shtyu edhe disa kohë udhëtimin. Shprehja thotë se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi dhe për disa çamë aty, nuk mund të mos hapej biseda e një pjesë të popullsisë shqiptare që u detyrua të shpërngulej me forcë drejt Shqipërisë. Por pas viteve ’90 përsëri shumë familje morrën rrugën e dhimbshme të kurbetit me shqetësimin e madh se a do të gjente zgjidhje problem i tyre. Mbetëm nga një shtet tek tjetri dhe asgjë nuk e kemi të sigurtë – thoshin ata. Nëse punët nuk do të shkojnë mirë edhe në Itali, kriza po i vinte në vështirësi edhe emigrantët, do të ktheheshin përsëri në Shqipëri, por përsëri do të mbetetn të ardhurit e përjetshëm. Një plagë që rrezikon të mbetet gjithmonë e hapur për një komb që gjatë gjithë historisë së vet nuk iu ndanë padrejtësitë. E natyrisht problemi ekonomik i bën edhe ata që dikur e kishin një shtëpi apo një copë tokë, të mos rrëeshtinin së medituari për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ndonjëherë mundohesh ta kapërcesh situatën edhe me ndonjë batutë që sikur ta lehtëson përsëri dhimbjen, por ajo ka zënë vend thellë në shpirtin e përdhosur të një kombi dhe rrënjët e shtrira larg vendlindjes, nuk do të jenë kurrë të fuqishme që t’i mbajnë të lidhur fort me origjinën. M’u kujtua një fabul e përkthyer disa vite më parë, tek e cila do të gjesh filozofinë e një populli : pse po ikin të gjithë nga ky vend? – ishte pyetja më tragjike e saj. Përgjigjia kishte të sintetizuar mençurinë e kohës : sepse nuk hodhën dot rrënjë. Por historia dihet tashmë dhe në atdheun mëmë, ata e gjetën mikpritjen dhe bashkëjetesën, por në mendjen e tyre është vendlindja e të parëve dhe e pasardhësve. Ballkani është vendi i paradokseve të mëdha të historisë që kurrë nuk morën përgjigjen e duhur dhe të drejtë. Të dorëzuar dukeshin edhe vetë ata që ndoshta nuk do të mund të jetojnë dot më në tokën e të parëve. Gabime fatale, kaos i pandreqshëm ballkanik, dihet se si u gatua në shekuj, që mbajnë vulën e marrëzisë së fuqive të mëdha të kohës së djeshme dhe të sotme.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, kur nisesh per udhee, reportazh

Midis Shqipërisë, Kanadasë dhe Amerikës

July 4, 2013 by dgreca

Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/

Në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!/

Unë e dua Shqipërinë, thotë nëna ime, tek e ka lënë mbrapa para rreth 9 muajsh. Pasi ka vizituar Kanadanë, i gjen fjalët më të bukura për t’i bërë elozhe këtij vendi që e ka vizituar të paktën 4 herë. Dhe kuptohet, çfarë mund të thotë për Amerikën?   Nëna ime, dy nga katër djemtë, i ka përtej Atlantikut. Por historia e kalimit të oqeanit Atlantik prej familjarëve të saj fillon një shekull më parë, kur babai i saj me dy vëllezër do të kalonin Oqeanin për shkuar në Amerikën e ëndrrave ku do punonin për vete por sidomos për Shqipërinë. I vendosur në Boston, babai i nënës sime do të bëhej anëtar i VATRËS dhe flamurtar i saj. Madje para disa ditësh, më kontaktoi një i ri tepelenas në facebook dhe ngaqë ishte nga Salaria, i thash se dhe unë jam nip në Dukaj, jam nipi i Jaho Sinanit. –Oh, më tha, – ti qenke nipi i flamurtarit…Ndoshta, paratë që bëri për vete, u harruan, por ajo që gjyshi im bëri për Shqipërinë (ndonëse komunizmi bëri të pamundurën për t’ia mohuar…) nuk u harrua dhe nuk do të harrohet

Nëna ime, shembulli tipik i dashamirësve të Amerikës   Në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nëna ime u ndodh këtu në Montreal dhe e festuam së bashku festën e madhe. Dhe, kuptohet, atdheu duket ndryshe kur je larg, u dashka edhe më shumë. Ose, largësia dhe malli përzihen në mënyrë të tillë që edhe deklaratat e dashurisë ndaj dheut të mëmës tingëllojnë edhe më të ëmbla se deklaratat e bëra pikërisht në Shqipëri. Nga ky ritual nuk bënë përjashtim as nëna ime.

Por, në datën një korrik është festa e Kanadasë dhe tre ditë më vonë festa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, puna e do të urojmë njëri-tjetrin ne të Amerikës së Veriut. Por nëna ime, si nënë që është, nuk do që t’na e prish qejfin ne të Kanadasë dhe,  pasi na uron për festën, nuk harron të lëvdoj vendin që na është bërë atdhe  i dytë.

Po, Amerikën nuk e do, – e ngacmojmë ne?

-Po si nuk e dua Amerikën, fillon mamaja ime. Po Amerika na ka mbrojtur në ditë të vështira, po në Amerikë po jetojnë e përparojnë kaq e kaq shqiptarë, po nga Amerika merr shembull gjithë bota, po Amerika është vendi i demokracisë. Babai im më tregonte qysh atehere (fillim-shekulli i kaluar…) se sa e zhvilluar ishte Amerika… Dhe tregimet e legjendat për Amerikën dhe ëndrrat që ka ushqyer ky vend emigrantësh nuk mbarojnë. Sepse i madh është ndikimi i Amerikës dhe amerikanëve në jetën e shqiptarëve. Prandaj edhe ata e duan aq shumë sa që një fakt i tillë  cudit edhe tek vet amerikanët.

Pas disa ditësh, nëna ime do të largohet nga Amerika për në Shqipëri. Në ditën e lindjes së Amerikës ajo ndihet e emocionuar që do lëri vendin e  ëndrrave dhe realiteteve të mëdha që për të kanë nisur një shekull më parë dhe që vazhdojnë edhe sot … e që do të vazhdojnë edhe nesër …

Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!(Kortezi:Tribuna)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ajet Nuro, Gezuar festen Amerike

” DASEM RUGOVASE “NE MALET E NEW YORKUT

June 26, 2013 by dgreca

Pikniku dhe aktivitetet e tjera kan bërë që numri i anëtarëve të kësaj shoqate të vijë duke u rritur dita ditës, duke i shtyrë Rugovasit në Amerikë, drejt organizimeve edhe më të mëdha…..!/

Nga Beqir SINA/- Në Taconic State Park – Rudd Pond – shtetin e New Yorkut, të dielën, në mjediset piktoreske të parkut natyror “Franklin D. Roosevelt State Park”, me një natyrë shumë të ngjashme me bjeshkët e krahinës së Rugovës, Shoqata dhe Ansambli artistikë “Rugova” nga New Yorku, organizoi piknikun e saj vjetor.

Pikniku i rugovasve për të gjithë pjesmarresit ka qenë një ditë e veçant. Në në parkun rekreativë vërshuan familjet rugovase, që nga orët e para të mëngjesit, duke u mbledhur si në një dasëm të madhe vëllazërore , me dëshirën për t’u takuar që nga me të vegjëlit(fëmijët e shkollës) të rinjët e të reajt deri tek më të moshuarit, kudo vrehej një gëzim i pa përshkruar.
Në këtë aktivitet kishin ardhur pothuajse të gjithë rugovasit me familjet e tyre, për të kaluar së bashku një ditë të gëzuar, ku ata shpalosën disa nga vlerat karakteristike të krahinës. Një nga pikat më kulminante të këtij pikniku, ishte dhe shfaqja i improvizuar në mënyrën më origjinale të Dasmës Rugovase.

Një dasmë, kjo, që të krijonte përshtypjen se me të vërtet po bëhej dasmë Rugovase në Amerikë, e kompletuar ajo me të gjitha elementët e saj. Duke filluar nga përgatitjet e të dyjave palëve, dasmorët dhe kanegjeqi, nuses, dhe kalit të shalës i bardhë, deri tek atmosfera e gëzimit që mbizotronte me këngët e vallet, doket dhe zakonet Rugovase, të cilat ishin mbresalënëse, tek sa tërhoqën vëmendjen e familjeve rugovasve me gjithë fëmijët e tyre

Ky piknik tradicional, argëtues, kulturorë dhe sportivë, u organizua nga Shoqata dhe Ansambli ” Rugova”, në New York, nën kujdesin e kryetarit të kësaj shoqate, zotit Adem Muriqi, z. Ramiz Mujaj, Idriz Çelaj, Florim Lajçi, Isuf Rexhaj etj.

Kan qenë më shumë se 300 – 400 rugovas të emigruar nga kjo krahinë në Amerikë në periudha të ndryshme, që u ngjitën të dielën në lartësitë e New Yorkut, për t’u relaksuar nën ajrin e freskinë si dhe bukurinë e maleve të Taconicut – të cilat ndodhen në pjesën veriore të New Yorkut.. Gjithçka, ishte e përgatitur për bukuri në pajtim me zakonet dhe traditën e kësaj krahine. Ku përveç një dasme të madhe rugovase të improvizuar, janë mbajtur edhe garat sportive për fëmijë, të rinjë e të reja dhe moshat e tjera, siç ishin vrapimi dhe kërcimi së gjati për fëmijët, tërheqja e litarit, hedhja e gurit, volejbolli dhe shahu për të rriturit, si dhe lojrat e fatit.
Në fillim të piknikut foli për rëndësinë e tij, Vjosa Mujaj – Nikqi, e cila i dha fjalën zotit Idriz Çelaj për të lexuar materialin “Dasmën Rugovase”, të përgatitur nga zëdhënsi i Shoqatës dhe Ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj .

“Këtu në këtë vend ku ne jetojmë, thuhej në fillim te këti materiali, i cili është një vend pishtar i kulturave të njerëzimit dhe demokracisë boterore, natyrisht, që është kënaqësi dhe privilegj që kemi mundësinë të bashkohemi dhe t’a zhvillojm traditën e kulturës sonë këtu në Amerikë”.

“Ne sot kemi dasëm! thuhej ndër të tjera , këtë dasëm e bëjmë për fëmijët tanë që t’u tregojmë atyre se si prindërit dhe gjyshërit e tyre, dhe tanët natyrisht, i bënin dasmat në vendëlindjen e tyre dhe në të njëjtën kohë të shpalosim një pjesë të kulturës sonë, në këtë vend ku lulëzojnë të gjitha kulturat e botës.”

Në materialin e përgatitur enkas nga Ramiz Muja, tregohej se sa të lashta janë Këngët dhe vallet Rugovase, sa të lashta janë kostumet tradicionale të kësaj krahine. “Plotë artë janë veshja kombëtare e burrave, tregon ai, ato janë të punuara me dorë nga vet vendasit . Po ashtu shumë të bukura janë edhe veshjet e femrave me plot ngjyra , janë njësoj të lashta dhe tradicionale autoktone , edhe ato janë të punuar nga grat vendase , ku veshia e qiknisë është e veçantë dhe po aq autoktone.”

Më tej në materialin të përgatitur nga zëdhënsi i shoqatës dhe ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj, thuhej se:” Në këtë dasëm ne jemi përpjekur, që sa do pak t’a vëmë në skenën natyrore nëpërmjet improvizimit të dasmës tradicionale Rugovase, me të gjitha elementët e saj.”

Pikniku nisi me Dasmën Rugovase – Nusja në kalë! Familja e Zhuke Haxhisë nga Stankajt e Rugovës u miqësua me familjen Hasan Nikqit nga Rugova . Idriz Çelaj nga kjo familje ju dha vajzën Gretën për një djalë të familjes Nikqi ( improvizimi).

Më pasë atmosfera argëtuese në piknikun e rugovasve, u “ndez”, kur filloj kënga dhe vallja popullore të këndohej nga këngëtarët Dile Geci, Besim Muriqi dhe këngëtarët Entela Iliriani, Bekim Jahjaga, në shoqërimin e muzikantit Nexhmedin Bakraqi, të cilët i futën të gjithë pjesëmarrësit në valle, të rinjë e të reja, burra e gra, me repertorin e tyre argëtues.
Gjatë programit të këtij pikniku u zvilluan dhe aktivitete të ndryshme sportive, si gara vrapimi për fëmijët, ndeshje Volejbolli, Tërheqja e litarit, Hudhja e gurit, dhe loja e Shahut, etj.

Në këto aktivitete, sipas sporteve u arritën këto rezultate: Tërheqja e litarit, vendi i parë i takoi ekipit të përbërë nga : Flamur Husaj, Ukë Qorraj, Isuf Rexhaj, Jashar Lajqi, Besim Lajqi dhe Arif Rexhaj.
Hudhja e Gurit: – vendi i parë: Fadil Dembogaj, në të dytin Leotrim Dembogaj dhe i treti Agim Mujaj.
Në Volejboll: – në vend të parë skuadra e Rexhë Avdia – Shkrel në vend të dytë Mujajt – Dugaive dhe të tretë Çelë Shabani – Stankaj. Në garat e volejbollit duhet cekur se me shumë sukses keto gara u drejtuan nga referet Idriz Çelaj dikur volejbollist nga Universiteti i Prishtinës dhe Florim Lajqi.
Ndërsa në lojën e Shahut: – vendi i parë i takoi Isuf Rexhajt, dhe ai i vendit të dytë Esat Rexhaj.
Njëri prej këtyre organizatorëve, zoti Idriz Çelaj, tha se me këtë rast dëshirojë të faleminderoj, në mënyrë të veçantë, në emër tim, dhe të Ansamblit Rugova, të Shoqatës dhe të gjithë Rugovasve për kontributin që kan dhënë të gjithë; prej nga i palodhshmi, vallëtari, instrumentisti, solisti, lahutari kostumografi dhe kryetari i Ansamblit Artistik ” Rugova ” ketu ne Amerike, i madhi z. Sylë Nikqi, i cili bëri aq shumë që ” Dasma Rugovase”, të shkëlqejë edhe këtu në Amerikën e largët!
Çelaj, vijojë duke thënë se : “Edhe një herë i them të faleminderit Daja Sylë! ndërsa faleminderoj edhe vajzën tij Gretën, e lindur në Amerikë, që pa kurrfarë frige, u shpreh ai hipi në kalë, si dikur Nora e Kelmendit! I faleminderoj për së fundi tha Çelaj të gjithë Rugovasit për pjesmarrjen e tyre, dhe ju premtojmë, që sebashku me organizatorët, në vitin tjetër – 2014 do jetë edhe pikniku Rugovas më madheshtor!

Gazetës tonë, në fund Kryetari i Shoqatës, Adem Muriqi, tha se ky piknik synon që të shpalos traditat shqiptare që mbart këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ansambli dhe Shoqata Rugova. Edhe pse një ditë relativisht e nxehtë, Ansamblii këngëve dhe valleve Rugova”, nuk hoqi dorë nga interpretimi i valleve të bukura rugovase në lëndinën e bukur pranë pyllit. Të veshur me kostumin karakteristik rugovas valltarët dhanë një spektakël të duartrokitur. Ndërkohë, që fëmijët, djemtë dhe vajzat tona, burrat e gratë e bënë si një festë bënë të improvizuar një dasmë të madhe Rugovase në Amerikë”

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dasma rugovase, ne malet e Nju Jorkut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT