• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Recitali AMA 2026

February 25, 2026 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Mbrëmë ishim në Recitalin AMA, Edicioni i 13-të, dhe e ndjemë atë vazhdimësi të qetë që ndërtohet vetëm me vite pune serioze. Trembëdhjetë vite nuk janë pak, janë kohë e mjaftueshme që një ide të kthehet në traditë.

Salla ishte e gjallë. Fëmijë të vegjël që ndiqnin me sy të hapur çdo tingull. Të rinj që e kuptonin peshën e momentit. Prindër dhe gjyshër që mbanin në fytyrë atë krenarinë e heshtur që vetëm kultura e ruajtur mund ta japë. Ishte një publik i përzier në moshë, por i bashkuar në ndjeshmëri.

Programi kishte maturi artistike dhe rrjedhë natyrale. Repertori klasik, loja në instrumente muzikore, vallja, kënga, poezia dhe elementi tradicional shqiptar komunikonin pa sforcim. Si njerëz që e njohim disiplinën e skenës, e ndjejmë kur një koncert ka strukturë, dhe kjo mbrëmje e kishte. Një moment me peshë të veçantë ishte përkujtimi i të ndjerit Sami Elezi, një kontribuues i madh i muzikës shqiptare në Kërçovë. Përmendja e tij ishte një akt respekti dhe një kujtesë se arti kërkon përkushtim afatgjatë.

Mirënjohje për Besarta Bashën për qartësinë dhe ndjeshmërinë e saj artistike. Për Shoqatën “Uskana”, ShBA që prej 13 vitesh po mban këtë standard me dinjitet.

Dhe mbi të gjitha, respekt për fëmijët që dolën në skenë me guxim e seriozitet, për familjet që i mbështesin, dhe për Shkollën e Manastirit (Çikago) që ruan gjuhën dhe rrënjët tona.

Kur sheh një sallë të tillë, të re e të moshuar bashkë, e kupton se kultura jonë nuk është vetëm kujtim. Është vazhdimësi. 🇦🇱🇺🇸

(Foto nga Recitali AMA, 13th Ed.)

Filed Under: Reportazh

Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne

February 23, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Një stuhi e fuqishme bore ka paralizuar Nju Jorkun dhe një pjesë të madhe të verilindjes së Shteteve të Bashkuara, duke lënë miliona njerëz të izoluar në shtëpi, mijëra fluturime të anuluara dhe qindra mijëra familje pa energji elektrike. Bora ka rënë me intensitet 2–3 inç në orë, ndërsa erërat mbi 30 milje në orë kanë krijuar kushte “whiteout” (lëbyrje e bardhë) – pamundësi pothuajse totale shikimi. Por përtej lajmit meteorologjik, kjo situatë është një pasqyrë e brishtësisë së qytetërimit modern përballë forcave natyrore.

Çfarë është një “Bomb Cyclone”?

Termi dramatik “bomb cyclone” nuk është sensacionalizëm mediatik. Ai lidhet me një proces shkencor të quajtur bombogjenezë, që ndodh kur presioni qendror i një stuhie bie të paktën 24 milibar brenda 24 orëve. Sa më i ulët presioni, aq më e fuqishme stuhia. Këto stuhi formohen zakonisht kur ajri i ftohtë arktik përplaset me masa ajrore më të ngrohta – një konflikt atmosferik që krijon sisteme të fuqishme presioni të ulët. Rezultati? Reshje intensive bore, erëra të forta, rënie pemësh dhe ndërprerje masive energjie. Verilindja amerikane, Alaska, zona e Paqësorit Veriperëndimor dhe rajoni i Liqeneve të Mëdha janë ndër zonat më të prekura.

Amerika e Bllokuar: Një Shoqëri në Pauzë

Mbi 5,000 fluturime u anuluan vetëm brenda një dite

Transporti publik u pezullua në disa zona dhe madje edhe shërbime si DoorDash ndaluan dërgesat në Nju Jork . Paralelisht, më shumë se 500,000 klientë mbetën pa energji elektrike përgjatë Bregut Lindor

Këto shifra nuk janë thjesht statistika. Ato tregojnë sa e varur është jeta moderne nga infrastruktura e vazhdueshme: energjia, transporti, komunikimi. Një stuhi 24-orëshe mjafton për të ndalur një ekonomi të tërë rajonale. Në një epokë ku teknologjia na jep iluzionin e kontrollit absolut, natyra vazhdon të kujtojë se dominimi ynë është relativ.

• 22.5 inç (57 centimetra) në Aeroportin Long Island MacArthur, Nju Jork

• Rreth 15 inç (38 centimetra) në Central Park, Nju Jork

• Rreth 18 inç (46 centimetra) në Newark, Nju Xhersi

• 17 inç (43 centimetra) në New London, Konektikat

• 17 inç (43 centimetra) në North Kingstown, Rhode Island

Rreziku i Heshtur: Zemra përballë Borës

Një dimension më pak i diskutuar, por jashtëzakonisht serioz, është rreziku shëndetësor. Zyrtarët shëndetësorë në Pensilvani raportuan tre vdekje të lidhura me pastrimin e borës. Të gjitha viktimat ishin mbi 60 vjeç. Pastrimi i borës është punë fizike intensive. Kombinimi i lodhjes dhe temperaturave të ulëta ngushton enët e gjakut, rrit presionin e gjakut dhe shton rrezikun për infarkt apo goditje në tru. Shoqata Amerikane e Zemrës paralajmëron se edhe persona që ndihen të shëndetshëm mund të rrezikohen, sidomos nëse zakonisht bëjnë jetë sedentare. Ky fakt ngre një pyetje më të gjerë: a jemi të përgatitur jo vetëm si sistem, por edhe si individë?

Kriza Klimatike dhe Intensiteti i Ekstremeve

Edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt stuhia me ndryshimet klimatike, është e pamundur të shmanget ky reflektim. Modelet klimatike tregojnë se ngrohja globale nuk do të thotë thjesht temperatura më të larta – por edhe më shumë ekstreme: stuhi më të forta, reshje më intensive dhe kontraste më të theksuara mes masave ajrore. Kur ajri arktik përplaset me ajër më të ngrohtë, energjia e çliruar është më e madhe. Kjo do të thotë sisteme më të paqëndrueshme dhe potencialisht më shkatërruese. Pra, “bomb cyclone” nuk është vetëm fenomen meteorologjik. Është metaforë e tensioneve klimatike të epokës sonë.

A Po Mësojmë nga Këto Kriza?

Në aspektin institucional, reagimi amerikan ishte i shpejtë: ndalim udhëtimi, paralajmërime emergjente në celularë, mbyllje shërbimesh . Por mbetet pyetja: a është infrastruktura energjetike mjaftueshëm e fortë? A janë qytetet e mëdha të përgatitura për ndërprerje të zgjatura? Në aspektin individual, kultura e reagimit shpesh është impulsive. Njerëzit dalin menjëherë për të pastruar borën, nënvlerësojnë lodhjen, injorojnë simptomat. Ndërkohë, organizatat shëndetësore këshillojnë ritëm të ngadaltë, shtyrje në vend të ngritjes së borës dhe thirrje urgjente nëse shfaqen shenja alarmi Kriza nuk është vetëm në natyrë – por edhe në mentalitet.

Mësimi i Madh

Stuhitë e tilla na kujtojnë tri të vërteta thelbësore: Natyra nuk negociohet.Infrastruktura moderne është e brishtë.Shëndeti individual është pjesë e sigurisë kombëtare. Një stuhi bore shndërrohet në krizë ekonomike, sociale dhe shëndetësore brenda pak orësh. Në një botë të ndërvarur, çdo ndërprerje ka efekt domino.

Përtej Sensacionalizmit

Termi “bomb cyclone” tingëllon dramatik. Por drama e vërtetë nuk është në emërtim. Është në faktin se një rënie presioni prej 24 milibarësh në 24 orë mund të paralizojë një nga rajonet më të zhvilluara të botës Kjo stuhi nuk është thjesht një lajm i motit. Është një test për sistemet tona, për kulturën tonë të reagimit dhe për përgatitjen tonë si shoqëri. Sepse çdo herë që qielli errësohet dhe bora mbulon rrugët, zbulohet diçka më e thellë: sa të fortë jemi vërtet përballë forcave që nuk i kontrollojmë. Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është se si formohet një “bomb cyclone”.

Por sa të përgatitur jemi ne për stuhitë që do të vijnë?

Filed Under: Reportazh

Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri

February 20, 2026 by s p

Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Peshkopi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Shqiptarëve në Amerikë, Hirësia e Tij Nikodhimi ishte për vizitë nga data 9-18 Shkurt 2026 në Shqipëri. Ai ishte i shoqëruar nga Kancelari i Kryepeshkopatës, Stavrofor Ikonom Atë Mark Doku, Klerik i enorisë së Kishës “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Worcester, Massachusets, si dhe V.Rev. Kakhaber (Kai) Kurtanidze, Klerik i enorisë së Kishës “Shën Joan Gojarti” në Filadelfia, Pensilvani, si dhe Z. Mathew Sotir, Përgjegjësi i Financave.

Kjo vizitë ishte në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy Kishave tona motra dhe bashkëpunimit të ardhshëm në projekte të përbashkëta kishtare.

Në datën 10 Shkurt kjo përfaqësi u prit në Kryepeshkopatën e Hirshme të Tiranës nga Kryepeshkopi i Tiranës , Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan.

Në 12 Shkurt Peshkopi Nikodhim u prit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi dhe nga klerikët e qytetit. Mbas hyrjes në Katedrale dhe faljes në altar siç është tradita kryeprifërore, të dy Kryepriftërinjtë shkëmbyen mesazhe, urime dhe falenderime me njeri-tjetrin. Më pas, Mitropoliti i Korçës priti në sallën e pritjes vëllezërit e ardhur nga larg, ku vijoi biseda vëllazërore. Hirësia e Tij, Anastasi shoqëroi vizitorët në Kishën e “Burimit Jetëdhënës” pranë Mitropolisë, ku Peshkopi Nikodhim pa nga afër punimet për rindërtimin e kësaj Kishe historike për qytetin.

Në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Boboshticë dhe më pas në Manastirin e “Shën Joan Prodhromit” në Voskopojë, Hirësia e Tij Nikodhimi dhe klerikët që e shoqëronin u njohën me investimet e bëra në këto dy manastire, që vitet e fundit janë bërë nga Qendra Shpirtërore për organizmin e kampeve verore për të rinjtë e Kishës sonë (djem dhe vajza). Dita u mbyll me një drekë të përbashkët nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Anastasi, i cili shprehu mirënjohje për Hirësinë e Tij Nikodhim, Klerikëve dhe grigjës së Tij. Ditën tjetër ata vizituan kishat e qytetit të Korçës.

Më 15 Shkurt, të Dielën e të Lidhurit të Mishit, Hirësia e Tij, Nikodhimi bashkë me Klerikët e Tij bashkëmeshuan në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë me Mitropolitin e Elbasanit, Hirësinë e Tij, Andonin dhe klerikë të Kryepeshkopatës së Hirshme. Mbas Liturgjisë Hyjnore, Peshkopi Nikodhim ishte i ftuar për të mbajtur temën shpirtërore “Mbi Gjykimin e Fundit” me besimtarë, prindër dhe të rinj të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Kjo temë u prit me shumë interes nga të pranishmit, të cilët e vazhduan këtë takim me Peshkopin Nikodhim përmes pyetjeve dhe përgjigjeve.

Në 16 Shkurt Hirësia e Tij Nikodhim bashkë me dy Klerkët shoqërues, dhanë intervista për Media e Kishës “Ngjallja”.

Me kërkesë të të rinjve, Hirësia e Tij pati biseda shpirtërore në sallën e aktiviteteve të rinisë, pranë katedrales orthodhokse të Tiranës. Hirësia e Tij u takua me Mitropolitin e Fierit, Hirësinë e Tij Nikolla.

Vizita nga Kryepeshkopata Ortodokse e Shqiptarëve në Amerikë forcoi frymën vëllazërore, shkëmbeu eksperienca dhe konsolidoi më shumë urat e bashkëpunimit për të ardhmen me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, Peshkopi Nikodhim dhe Klerikët e tij u shoqëruan nga Atë Grigor Pelushi dhe Dhjakon Aleksandër Dimroçi.

Filed Under: Reportazh

Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!

February 19, 2026 by s p

Kujtesa është  baza e personalitetit individual, sikurse tradita është  baza e personalitetit kolektiv të një  populli. Të  dya këto vlera të rralla njerëzore dhe historike, që  janë  faktor thelbësor i krijimtarisë  së  njeriut, jetojnë  brenda popullsisë  çame, të  shpërngulur me dhunë  gjatë  eksodit biblik të  viteve 1944-1945. Populli çam jeton brenda kujtimeve dhe, nëpërmjet tyre, këto kujtime i përjetëson dhe i shndërron në  shpresë, që  e kaluara të ketë  të  ardhme. Mjaftoi edhe një  koncert si ai i emisionit “E diell” në  Topchanel, (15 shkurt 2026), me 120 pjesëmarrësit e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Italia, Norvegjia e më gjerë, për të  parë  se sa vital mbetet folklori çam, kryeveprat artistike të  Çamërisë, të  cilat janë pjesë e trashëgimisë kombëtare jomateriale dhe shquhen për vlera të rralla estetike. Këngët dhe vallet çame erdhën para publikut me gjithë elementët stilizues, duke ruajtur të paprekur melodinë burimore, intonacionet kombëtare me fizionomi të qartë e të dallueshme nga trevat e tjera.

Një përfaqësim dinjitoz dhe shumë profesional i këngës dhe valles Çame, i dokeve dhe zakoneve, i etnografisë, i etnokulturës në tërësi i transmetuar në breza. 

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, Bashkia Konispol, Ansambli “Krahu i Shqiponjes, Taip Madani” Vlorë, Vëllezerit Çam të Vlorës, Ansambli Amantia, Enkelejda Alushi (Arifi), Luziana Tahiri,  Edmond Muho , Hysni Alushi, Altin Malo, Gezim Kaso, Maldin Avduli, Roland Latifi, u bënë pjesë e “Gurrës çame”.

Këta artistë të mëdhenj, që  kënduan e kërcyen valle, kanë  hodhur themelet e një tradite artistike, e cila përbën në vetvete një pasuri të çmuar në kulturën shpirtërore të popullit tonë.

Bukuria, dëlirësia, thjeshtësia dhe dashuria tingëlluan të freskëta dhe të ngrohta, plot ngjyrë dhe tinguj, duke na kujtuar se ç’forcë krijuese ka populli çam, me traditë të lashtë muzikore dhe me botë të pasur shpirtërore.

Ky koncert tregoi edhe një herë  afirmimin në  rritje të  identitetit kulturor të  Çamërisë, vlerat e mëdha muzikore dhe etnografike të  artit shqiptar të  kësaj treve, me këngë  e valle, që  kanë  qenë  e mbeten të  famshme, dhe që nuk janë  prekur nga rreziku i zhdukjes apo i tjetërsimit kulturor.

Fondacioni Çamëria  i kushton një rëndësi të  madhe ringjalljes së  traditave, duke pasur tre synime: regjistrimin, ringjalljen dhe përhapjen gjerësisht të  kulturës tradicionale çame.

Folklori çam vjen nga një e kaluar heroike, e kaluar e pastër, autentike, thotë drejtuesi i fondacionit, Alket Veliu. Edhe në momentin që kjo e kaluar bie në kontakt me të tashmen, ajo nuk “kontaminohet”, nuk e humb autenticitetin e saj, origjinalitetin dhe vlerën  e mirëfilltë. 

Prandaj Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” mbështet idenë  se folklori duhet të ruhet, të konservohet, t’i japim mundësinë të mbijetojë, si lëndë burimore kombëtare.

Folklori çam vazhdon të jetë i gjallë edhe në botën moderne dhe përcillet, jo vetëm verbalisht, por edhe me internet. Ai prodhohet aty ku janë çamët, ku janë këngëtarët dhe valltarët, jo vetëm në  Shqipëri, por edhe në  diasporë. Terreni ku jetojnë  çamët e shpërngulur në  Shqipëri, si në  Vlorë, Sarandë, Fier, Durrës, Elbasan, Tiranë  etj, vazhdon të jetë produktiv. Ndaj, e themi me bindje se folklori çam nuk humbet, as nuk vdes; ai është dhe do të  jetë  mes nesh, në formën e tij burimore, ndaj duhet të vazhdojmë ta përcjellim kudo që të jetë ai.

Jam i mendimit se teknologjia nuk e zhduk dot folklorin tonë  të  kristalizuar brez pas brezi, përkundrazi, ajo është një faktor vital në transmetimin e tij, duke u bërë kështu një burim ekzistues për inspirimin e gjeneratave të reja që të krijojnë folklor.

Grupet folklorike si Ansambli “Krahu i Shqiponjes “Taip Madani” në  Vlorë, apo Grupi i Bashkisë  Konispol, vazhdojnë të cilësohen si vlera të folklorit të mirëfilltë në  festivalet folklorike, ku këto grupe shfaqen me veshje, kostumet karakteristike, instrumente, këngë dhe performansa popullore, të bartura direkt nga Çamëria. Kënga popullore çame, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ka mbetur e pastër plot vlera estetike, sikundër e kanë krijuar mjeshtrit popullorë.

Drejtuesit artistikë  nuk kanë   lejuar kurrsesi mohimin e traditës folklorike dhe i lidhjet e saj gjenetike e strukturore me folklorin tradicional.

Këngët, vallet, performancat dhe format e tjera krijuese, vijnë si pasojë e një nevoje shprehëse për të ndarë me të tjerët një emocion, një situatë rrëfimore, që  pasqyron botën e brendshme të popullsisë  çame.

Folklori çam ka një veçori të rrallë, sepse pak kultura në botë e kanë të mundshme t’i kenë aktivë tre brezat njëkohësisht dhe të kenë mundësinë t’i përcjellin fazat evolutive të këngës apo valles. Një kontribut të çmuar për lëvrimin dhe kultivimin e saj kanë dhënë mjaft këngëtarë, valltarë  e kompozitorë të njohur si: Refat Sulejmani, Shaban Zeneli, Mifarete Laze, Enkelejda Alushi, Hysni Alushi, Altin Malo, Gëzim Kaso etj, valltarë  si Taip Madani e Puen Bajrami, kompozitorë si Edi Balili, Edmond Zhulali, Sokol Marsi, drejtues artistik si Sali Nuredini, Elidon Brahimi, Vangjel Taho etj. 

Arben Iliazi

Filed Under: Reportazh

“Drejtësi, jo politikë”, mijëra qytetarë në Prishtinë tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

February 17, 2026 by s p

Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në Prishtinë për të marshuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale në Hagë ka kërkuar gjithsej 180 vite burgim.

Marshimi me moton “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar në sheshin “Skënderbeu”, ka bërë bashkë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Tubimit i janë bashkuar dhe krerë të shtetit të Kosovës dhe figura të njohura politike, mes tyre presidentja Vjosa Osmani, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, si dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Mes protestuesve ndodhet edhe djali i ish-presidentit Thaçi.

Gjatë marshimit, turma ka brohoritur njëzëri “UÇK” dhe “Drejtësi për UÇK-në”, ndërsa atmosfera është shoqëruar me simbole kombëtare dhe pankarta mbështetëse.

Në podium është ngjitur edhe reperi i njohur Lyrical Son (Festim Arifi), pjesë e platformës “Liria ka Emër”, i cili mes emocionesh ka hapur marshimin me një këngë patriotike. Nuk ka munguar dhe performanca me 3 breza e Ilir Shaqirit, djalit të tij Korabit dhe nipit.

Tubimi vjen në një moment të ndjeshëm të procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së e cilësojnë atë si të padrejtë dhe me sfond politik.

/rtsh.al/

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT