• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kukullave në Nju Jork hapin siparin e vitit të ri shkollor dhe mundësinë e një bashkëpunimi me perspektivë

September 9, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Dy pjesët e mbrëmshme nga Teatri Kombëtar i Kukullave në auditorin e PS 108 pranë Morris Park, Bronx, përkuan me hapjen e vitit të ri shkollor dhe vijnë pak muaj pas arritjes historike të përfshirjes së shqipes në komunikimet zyrtare të shkollave publike të Nju Jork-ut. Pikërisht, në këtë shkollë sapo filloi për herë të parë programi dygjuhësh shqip-anglisht për fëmijët e kopshtit. Drita Gjongecaj, edukatore, prind dhe promotore e nismës ndien krenari si edhe besim se të rinjtë mund ta ruajnë trashëgiminë gjuhësore dhe identitetin e tyre në një shoqëri shumë-kulturore.

Në skenën e auditorit ishin improvizuar dekori dhe skenografia e teatrit me kukulla në sfondin e një perdeje të zezë. Fëmijët e ciklit të ulët me prindërit dhe motrat e vëllezërit ulur pranë ndiqnin shfaqjen e mysafirëve nga Shqipëria si pjesë e programit të aktivitet jashtëshkollor. Disa mbanin plisa të bardhë me shqiponjën dykrenore ndërsa dëgjonin regjisoren Klaudia Hila të prezantonte dy pjesët e Teatrit Kombëtar të Kukullave.

Shfaqja e parë E Bija e Hënës dhe e Diellit, e realizuar me kukulla me tel, me zëra dhe muzikë të regjistruar paraprakisht, përcillte rrëfimin e gjyshes për një trim i cili në emër të besës është i gatshëm të vetëflijohet. Shfaqja e dytë, Qeni që nuk dinte të lehë, realizuar mbi një platformë druri me kukulla dore (marioneta), ishte një fabul që lejonte pjesëmarrje të dyanshme midis aktorëve dhe fëmijëve në audiencë.

Dy aktoret e talentuara Esmeralda Kame dhe Ermonela Lika mbuluan të gjitha rolet me mjeshtëri interpretimi, lëvizje koreografike dhe këngë. Pas shfaqjes regjisorja i ftoi spektatorët e vegjël të fotografohen me kukullat në skenë. Përpara aparateve të prindërve, fëmijët iu afruan kukullave dhe disa mbanin ndonjë “personazh” në dorë. Në një grup fëmijësh, dikush formon me duar shenjën e shqiponjës për të shprehur pa fjalë atë çka ndjen në zemër.

Të dyja shfaqjet u dhanë në Boston dhe në Uster gjatë fundjavës nën kujdesin e Teatrit të Diasporës, i cili e mundësoi ardhjen e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Amerikë, një nismë shumë e mirë që hap shumë perspektiva bashkëpunimi të reja. Në sajë të bashkëpunimit të tyre me aktivistin dhe Mark Gjonaj kryetar i Këshillit Kordinues të Diasporës dhe Drita Gjongecaj, pjesët teatrale erdhën përpara publikut të moshave të reja në Bronks, Nju Jork. Turneu në Amerikë vazhdon në shtetin e Connecticut ku do jepet shfaqja tjetër përpara se trupa të kthehet në Tiranë.

Filed Under: Reportazh

Lamtumirë Mikja Jone Norvegjeze Amerikane Anne Marie Jensen!

September 8, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Po sjellë dhe disa kujtime për ceremoninë mortore rreth Anita Bitrit që kanë lidhje me amerikanen Anne Marien dhe bashkëshortin e saj tepër të nderuar Inxh. George Jensen.

Rest In Eternal peace, Anne Marie. Your Love Will Forever Shine In Our Hearts!

Komunitetit të Diasporës Norvegjeze Amerikane iu largua për në qiell një

Miss Norvegjezo Amerikan dhe një nga zonjat më aktive të saj.

Anne Marie Jensen vdiq në moshën 87 vjeçe e rrethuar me dashuri nga bashkëshorti i saj Inxh. George Jensen, 11 nipër, mbesa dhe 22 stërmbesa dhe sternipër.

Si shqiptarë emigrantë ka qenë ndër miqtë e parë amerikane që i kemi takuar qysh në vitin 1997, kur emigruam në Amerikë dhe që prej atëhere nuk u ndamë kurrë. Anne Maria ka qenë një zonjë jo vetëm e bukur fizikisht, por dhe më shumë shpirtërisht. Ajo ishte një besimtare e Zotit, altruiste e madhe, humaniste e pashoqe dhe familjare e thekur. Anne Maria ishte dhe organizatorja kryesore e Miss Norvegjia që zhvillohet çdo vit në Broklyn

Takimi me këtë çift ka qenë fat për mua dhe Qemalin, sepse kishim se ç’të mësonim prej tyre dhe të ndiqnim gjurmët e arta që ata kanë lënë në Amerikë.

Bashkëshorti i saj Inxhinier George Jensen është një nga themeluesit e First Evangelical Free Church në Brooklyn, Shef i Bordit të Trustisë, po ashtu dhe në Norwegian Cristian Home, Health Center. Z. Jensen është një intelektual par excellence, ish drejtor i John F. Kennedy International Airport në New York.

Befasuese ishte moderimi i ceremonisë mortore, por jo dhe aq për mua dhe Qemalin, sepse gjithmonë e kemi parë nëpër podiume se si udhëheq aktivitete të rëndësishme.

Inxh. Gensen moderoi gjithë ceremonine mortore të bashkëshortes së tij fisnike, të bukur, ëngjëllore. Burri 90 vjeç i qëndroi pranë gjer në frymën e fundit dhe e përcolli me dinjitet për tek Zoti. Ajo që do të më bënte përshtypje ishte, kur dolën stërnipërit dhe stërmbesat duke intepretuar këngën aq kuptimplote dhe që prek zemrat e publikut botëror Ave Maria me fjalët si:

Të falemi Mari, hirplotë, Zoti është me ty. Bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar fryti i barkut tënd, Jezusi. E Shenjta Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në çastin e vdekjes sonë.

Amen!

Kënga “Ave Maria” e Franz Schubert është një nga pjesët më të njohura të muzikës klasike, e luajtur në shërbimet kishtare, por edhe më gjerë, në dasma dhe gjatë varrimit.

Duke dëgjuar këtë këngë aq të njohur botërore në mendje më vinin imazhet për nënën time Liri e cila u përcoll me nderime duke na siguruar vendin në këtë ndërtesë të shenjtë në Brooklyn, konkretisht Anne Marie së bashku me z. George Jensen. Në atë ceremoni nje tjetër norvegjeze e bukur Arlene Bakke Rutuelo intepretoi këtë këngë shumë të dashur. Oh doemos lotët s’më pushonin! Pata një dialog me Perëndinë, në qetësinë e zemrës sime, është fuqia e dashurisë për njerëzit.

Si dritë perëndie më vinin nga tre ëngjëlloret për artisten e shquar Anita Bitri, ku humbën jetën së bashku me Siborën dhe nënën e saj Hazbijen të cilave iu bë ceremonia mortore pikërisht në këtë vend.

E më konkretisht nuk mund ta harroj Diaspora shqiptaro amerikane të shtunën e 23 tetorit, 2004, ishte një ditë dhimbjesh të medha në sallën e lutjeve të First Evangelical Free Church në Brooklyn New York.

E sjellë këtë fakt real dhe bamirësie, sepse ishte pikërisht z. George Jensen, bashkëshortja e tij Anne Marie, sekretarja e kishës Kristina Prustupa dhe bashkeshorti i saj Dr. Peter Prustupa, Arlene Bakke Rutuelo dhe shumë të tjerë që lejuan që ceremonia për këtë shqiptare të kryhej në sallën kryesore të kishës. Ajo që më ka bërë përshtypje dhe nuk mund ta harroj, sepse është frymëzim për mua dhe shqiptarët për njerezit bamirës amerikan është se: Në sallën kryesore ishte planifikuar një ceremoni dasme amerikane, ishte rregulluar gjithçka për t’u realizuar dhe mirëpritur nusen, dhëndrin dhe dasmorët. Ishte shumë prekëse, kur në momentin që Qemal Zylo i cili ishte i punësuar aty dhe më vonë ne Health Care Center, Norewegian Christian Home si inxhinier shkoi dhe bisedoi në zyrë që ceremonia mortore të zhvillohej në këtë vend. Ai bisedoi me Bordin e Trustisë për tragjedinë që kishte ndodhur për bashkatdhetaren e shquar të tij. Gjithçka u ra dakord me mirësinë më të madhe. Bordi dhe familja e dasmës vendosën të shkonin në një sallë tjetër në katin e nëndheshëm, (basement) dhe natyrisht nderin që na bëri kjo kishë nuk do ta harrojme kurrë ashtu siç thotë dhe vëllai i saj Arben Bitri që erdhi nga Italia për këtë dramë të madhe familjare që iu ndodhi.

Gazetari i ndjerë Dalip Greca i cili ndihmoi për këtë ceremoni dhe ndër të tjera publikoi në gazeta se Qemal Zylo; organizatori kryesor i kësaj përshpirtje, padyshim që nuk arrin ta marrë veten pas një përkushtimi shumë ditorë së bashku me të shoqen, Kozeta Zylo. Nuk është kjo e para sipërmarrje bamirësie në raste të tilla që ata organizojnë!

Bashkëpunëtorët e tjerë si artisti i shquar Edmond Xhani me plot përkushtim, dashuri dhe dhimbje së bashku me ekipin e tij të muzikës si dhe artistë të tjerë, organizata “Motrat Qiriazi” dhe gjithë Diaspora ndihmuan mjaft në realizimin e përcjelljes së trupave në Vloren heroike, atje ku jetuan dhe u rritën së bashku. Bekuar qofshin të gjithë!

Gjithashtu këta njerëz tejet human amerikanë si çifti Jensen dhe Prustupa i kanë ndenjur pranë dhe familjes tjetër shqiptare të Gazmend Grezdës të cilit i humbi bashkëshortja e bukur dhe fisnike Teuta Grezda në moshën 40 vjeçare duke lënë pas fëmijët e mitur. Këto mirësira nuk mund t’i harrojmë kurrë!

Anne Maria ishte një grua zonjë, e devotshme shpirt madhe, mësuese e jashtëzakonshme në kishë duke fituar zemrat e amerikanëve, norvegjezëve dhe shumë shqiptarëve që e njohën.

Lamtumirë Anne Marie Jensen!

Dritë të pastë shpirti nga qielli, parajsa, atje ku e ke vendin e merituar!

Do të kujtojmë përgjithmonë!

Your love will forever shine in our hearts!

Filed Under: Reportazh

Kalabroi, fisi ilir pak i njohur, që i dha emrin jugut të Italisë

September 6, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Origjina dhe Etimologjia

Në veprën e tij të njohur Geographica, gjeografi i lashtë grek Straboni përmend fisin ilir të Calabroive, të cilët ai i regjistron si Γαλάβριοι (Galabri). Ky emër është shpesh i lidhur me termin messapik “Calabri”, i cili lidhet me rajonin e Kalabrisë në Itali jugore. Gjithashtu, emri është lidhur me toponimin shqiptar “Gallapi” në Kosovën verilindore të sotme.

Straboni, i cili e regjistroi emrin si Γαλάβριοι (Galabri) në veprën e tij Geographica:

“Κατά μέρους της Ιλλυρίας, μεταξύ των άλλων φυλών, υπάρχουν οι Γαλάβριοι”

(“Në pjesën e Ilirisë, midis fiseve të tjera, ndodhen Galabri”) – Straboni, Geographica, libri VII)

Në Geographica, Straboni përmend Galabrit si një nga fiset e Dardanisë, duke theksuar zhvillimin e tyre shoqëror dhe qytetërimin. Ai tregon se një qytet i lashtë ndodhej në rajonin e Galabritëve, i cili mund të jetë identifikuar me Kalën në Shkup. Ky informacion tregon për një nivel të avancuar të zhvillimit shoqëror dhe të integrimit kulturor në këtë zonë. 

Vendndodhjet indo-evropiane gjenden në gjithë territorin e Shqipërisë; si në Maliq, Vashtëm, Burimas, Barç, Dërsnik në rrethin e Korçës, Kamnik në Kolonjë, Kolsh në rrethin e Kukësit, Rashtan në Librazhd dhe Nezir në rrethin e Matit. Ashtu si në pjesë të tjera të Evropës, këto fise migratore indo-evropiane hynë në Ballkan dhe kontribuan në formimin e fiseve historike paleo-ballkanike, nga të cilat shqiptarët rrjedhin. 

Popullsitë e mëparshme – gjatë procesit të asimilimit nga fiset immigrante IE – luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e grupeve të ndryshme etnike të krijuara nga kjo simbiozë e gjatë. Për pasojë, gjuhët IE që u zhvilluan në Gadishullin Ballkanik, përveç evolucionit të tyre natyror, u ndikuan edhe nga idiomet e popujve para-Indo-Europianë të asimiluara. Nga ana gjuhësore, gjuha substrat para-Indo-Europiane e folur në Ballkanin jugor ka ndikuar ndoshta në para-proto-shqipen, idiomi pararendës i gjuhës shqipe. Shtrirja e këtij ndikimi gjuhësor nuk mund të përcaktohet me saktësi për shkak të vendit të pasigurt të shqipes ndër gjuhët paleo-ballkanike dhe dëshmive të pakta që kemi për to.

Një shembull historik i lidhjes së Ballkanit me pjesën jugore të Gadishullit Italian janë Mesapët, banorët e pjesës jugore të Japigisë (Puglia), të dalluar nga Peucetët (toka e Barit) dhe Daunët (toka e Foggias). 

Nuk dihet me siguri nga rrjedh emri i tyre, por mendohet se do të thotë “popull mes dy deteve”. “mes” Herodoti i përmend si një popullsi të unifikuar dhe të fortë etnikisht dhe kulturisht; sipas tij, Mesapët ishin pasardhës të Kretasve, të cilët mbërritën në bregdetet e Salentos, u përzunë me popullsitë ekzistuese, themeluan qytetet e para dhe sollën zakone dhe tradita që dalluan banorët e Salentos nga popujt e tjerë. 

Por sipas historianëve modernë, Mesapët ishin të prejardhjes ilire, siç tregojnë emrat gjeografikë, glosat dhe gjuha e mbishkrimeve mesapike të gjetura në Puglia. Ata mendohet të kenë arritur në Otranto rreth vitit 1000 p.e.s., pika më e afërt me Shqipërinë, pastaj të jenë lëvizur deri në S. Maria di Leuca dhe më pas të jenë ngjitur deri në Taranto. Kjo lidhje historike tregon ndikimin e lëvizjeve migratore nga Ballkani drejt Gadishullit Italian dhe rolin e tyre në formimin e popullsive dhe kulturave të hershme, duke nënvizuar lidhjen mes fiseve ilire dhe paraardhësve të shqiptarëve.

Origjina e emrit të krahinës italiane  Calabria mbetet e diskutueshme; disa teori sugjerojnë lidhje me fiset ilire ose messapike të antikitetit, nga greqishtja e lashtë (“kalabrós” që mund të nënkuptonte “toka e ngushtë”), ose nga latinishtja (“Calabriae”), duke reflektuar historinë shumë-etnike të rajonit.

Vendndodhja Gjeografike

Calabroi ndodheshin në Ballkanin perëndimor gjatë antikitetit, në zonën kufitare midis Ilirisë dhe Epirit. Kjo mund të përfshinte pjesën jugore të Shqipërisë së sotme ose veriperëndimin e Greqisë, një rajon ku bashkëjetonin fise të ndryshme ilire dhe epirote. Disa burime sugjerojnë se ata mund të jenë vendosur përgjatë bregdetit Adriatik ose në zonat e brendshme të Shqipërisë, Malit të Zi ose Dalmacisë veriore. Vendndodhja e tyre kufitare i bëri të përthithnin ndikime të dyfishta, ilire dhe epirote.

Emri Γαλάβριοι (Galabri) është i regjistruar nga gjeografi i lashtë grek Straboni në veprën e tij Geographica si një nga fiset e Dardanisë, së bashku me Thunatët. Ky emër është lidhur me termin messapik “Calabri” që ndodhet në jug të Italisë. Sipas Strabonit, Galabrit jetonin në një rajon të Dardanisë, ku ndodhej një qytet i lashtë. Disa studiues sugjerojnë se ky qytet mund të jetë identifikuar me Kalën në Shkup, duke treguar një nivel të zhvillimit shoqëror dhe qytetëror në këtë zonë .

Lidhjet Etnike dhe Kulturore

Galabrit janë përmendur si një fis dardan, një grup që ndante karakteristika kulturore dhe gjuhësore me fiset e tjera të Dardanisë. Dardania, siç e përmend Straboni, ishte një nga tre fiset më të fuqishme ilire, së bashku me Ardianët dhe Autariatët . Kjo tregon për një shoqëri të organizuar dhe të zhvilluar në këtë rajon. Edhe pse informacionet për Galabrit janë të kufizuara, përmendja e tyre nga Straboni tregon për praninë e një popullsie të organizuar dhe të zhvilluar në Dardani. Lidhjet e mundshme me emrin “Calabri” dhe toponimin “Gallapi” sugjerojnë një vazhdimësi kulturore dhe etnike në rajon, duke kontribuar në mozaikun e pasur të popujve të Ballkanit gjatë antikitetit.

Identiteti Kulturor dhe Shoqëror

Calabroi ishin pjesë e grupit më të gjerë kulturor dhe gjuhësor ilir. Ata ndanin tipare të ngjashme kulturore si fise të tjera ilire: organizim fisnor, shoqëri luftëtare, rituale fetare dhe lidhje familjare të forta. Si shumica e fiseve ilire, ata ndoshta flisnin gjuhën ilire ose një dialekt të saj. Angazhimi i tyre në bujqësi të vogël, barishte dhe tregti me fqinjët grekë dhe më vonë me romakët tregon ndërveprimet e tyre ekonomike dhe kulturore.

Nuk ka të dhëna historike për një mbret ose sundimtar të veçantë të Calabroive. Ilirët zakonisht organizoheshin në fise autonome, secili me udhëheqës lokal, dhe shpesh nuk kishin monarki të centralizuar. Pushteti shpesh ishte i shpërndarë mes kryetarëve të fiseve ose udhëheqësve lokalë. Për një kuptim më të gjerë të mbretërisë ilire, studiuesit referohen te sundimtarë të njohur si Bardhyli (393–358 p.e.s.), themelues i dinastisë së parë ilire, dhe Genci (181–168 p.e.s.), mbreti i fundit i njohur ilir, të cilët sunduan mbi shumë fise të ndryshme. Calabroi nuk duket të kenë pasur një monarki të tillë. Megjithatë në njё shkrim citohet të ketë qenë mbreti i parë ilir.

Aleancat dhe Konfliktet Rajonale

Për shkak të vendndodhjes së tyre në kufi me Epirin, Calabroi mund të kenë qenë në kontakt me fiset epirote dhe Mbretërinë e Epirit. Ata mund të jenë përfshirë herë pas here në aleanca ose konflikte për të mbrojtur interesat e tyre. Me zgjerimin e Mbretërisë së Epirit nën Pirron I në shekullin III p.e.s., është e mundur që Calabroi të jenë ndikuar ose të kenë bashkëpunuar me fuqitë fqinjë. Calabroi ndoshta ishin të lidhur ngushtë me fise të tjera ilire si Taulantët, Byllionët dhe Parthinët. Këto fise ndanin një bazë të ngjashme kulturore dhe gjuhësore, dhe mund të kishin formuar aleanca ose konfederata rajonale për mbrojtjen e territoreve dhe interesave të tyre. Me kalimin e kohës, ndryshimet politike dhe konfliktet mund të kenë çuar në integrimin e Calabroive në grupe më të mëdha fisnore.

Trashëgimia

Edhe pse Calabroi përmenden rrallë në burimet antike, ata kontribuojnë në kuptimin e diversitetit kulturor dhe strukturës fisnore të Ilirisë së lashtë. Historia e tyre pasqyron popuj të vegjël dhe më pak të njohur, të cilët megjithatë ishin pjesë e mozaikut të pasur kulturor dhe etnik të Ballkanit perëndimor. Trashëgimia e tyre ilustron një shoqëri dinamike dhe të ndërlidhur, e formësuar nga ndikimet e brendshme dhe ato të jashtme. Si përfundim Calabroi janë një fis ilir kryesisht i panjohur, por pjesë e trashëgimisë së Ilirisë së lashtë. Historia e tyre, vendndodhja gjeografike, lidhjet kulturore dhe ndërveprimet me fqinjët tregojnë një rajon të larmishëm, të qëndrueshëm dhe të hapur ndaj ndikimeve të jashtme, duke ndihmuar në formësimin e imazhit të Ballkanit perëndimor në antikitet.

Origjina ilirike e Kalabrisë

Origjina ilire e Kalabrisë lidhet me praninë dhe ndikimin e popujve mesapikë ilirë dhe italikë. Mesapia, që do të thotë “tokë e lagur nga dy dete”, ishte emri i lashtë i Salentos, një territor i vendosur midis deteve Jon dhe Adriatik. Ky emër, si te Japigët dhe Apuli, përmban tingullin “ap”, që do të thotë “ujë”. Mesapianët banonin në pjesën jugore të Puglias, të quajtur Japigia, e cila nga ana tjetër ishte e ndarë në Peucetia (toka e Barit) dhe Daunia (toka e Foxhias). Herodoti i përshkruan ata si një popullsi etnike dhe kulturore shumë kompakte dhe i konsideron pasardhës të Kretasve, të cilët arritën në bregdetin e Salentos, ku u përzien me popullsitë ekzistuese, duke themeluar qytetet e para dhe duke sjellë me vete zakonet dhe traditat që i dallonin Salentinët nga popullsitë e tjera të Puglias. 

Sipas historianëve modernë, megjithatë, Mesapianët ishin me origjinë ilire, siç sugjerojnë emrat gjeografikë dhe gjuha e mbishkrimeve Mesapiane të gjetura në Puglia. Ata do të kenë mbërritur në Otranto rreth vitit 1000 p.e.s., pasi ishte më afër Shqipërisë, pastaj do të kenë zbritur në Santa Maria di Leuca dhe do të kenë vazhduar deri në Taranto. Mesapia përfshinte të gjithë gadishullin e Salentos, nga Kepi Santa Maria di Leuca deri në Taranto dhe Brindisi, siç dëshmohet nga gjetjet gjuhësore. 

Gjuha është indoevropiane qendrore-lindore dhe ka një ngjashmëri të ngushtë me shqipen e sotme. Nuk dihet shumë për të; në fakt, njerëzit mund ta lexojnë, por nuk mund ta kuptojnë sepse shkronjat, shumë të ngjashme me ato të alfabetit grek, formojnë fjalë kuptimet e të cilave janë të panjohura në pjesën jugore të Gadishullit Italik para dhe gjatë periudhës së Greqisë së lashtë. 

Mesapët, një popull me origjinë ilirike, ishin të vendosur kryesisht në pjesën juglindore të Italisë, në rajonin që sot njihet si Salento (Puglia), që nga shekulli III deri në shekullin I p.e.s. Ata ruanin tipare të kulturës dhe gjuhës ilirike, të dukshme edhe në vendbanimet dhe ritualet e tyre. Edhe pse Kalabria është më në jugperëndim, ajo ka pasur kontakte të ngushta me Mesapët përmes migrimeve, tregtisë dhe shkëmbimeve kulturore. Disa studime arkeologjike dhe burime historike sugjerojnë se disa fiset mesapike u zhvendosën përgjatë bregdetit jonik dhe tirrenik, duke u vendosur pjesërisht në Kalabrinë veriore dhe qendrore. Prania mesapike në Kalabri duket kryesisht në disa fusha kulturore: 

Gjuha dhe onomastika: Disa emra qytetesh dhe fisi në Kalabri ruajnë rrënjë të ngjashme me ato mesapike dhe ilirike, duke treguar ndikim të drejtpërdrejtë. Arti funerar: Varret dhe ceramika mesapike, të zbuluara në disa zona të Kalabrisë, tregojnë praninë e tyre fizike dhe përhapjen e traditave kulturore ilirike. Religjioni dhe ritualet: Disa praktika fetare mesapike, si kultet për të vdekurit, duket se u adoptuan nga komunitetet lokale kalabreze.

Dëshmitë arkeologjike

Vendbanimet: Relikte mesapike janë gjetur kryesisht përgjatë bregdetit jonik, pranë qyteteve të sotme si Reggio dhe Crotone. Qeramika: Zbulimet e qelqit dhe enëve të mesapëve, të ngjashme me ato të Puglias, tregojnë shkëmbime kulturore ose prezencë të drejtpërdrejtë.  Me ardhjen e kolonizimeve greke gjatë periudhës së Magna Grecia (shekulli VIII–VI p.e.s.), Mesapët e Kalabrisë u kontaktuan me kolonët grekë dhe kultura e tyre filloi të integrohej gradualisht me elementë grekë dhe lokalë.

Gjuha mesapike dhe lidhja me gjuhën ilirike

Gjuha mesapike është një gjuhë e vdekur indo-evropiane që flitej nga fiset mesapike, peucetike dhe daune në juglindje të Italisë, kryesisht në rajonin e Puglias dhe Kalabrisë, nga shekulli VI deri në shekullin I p.e.s. . Ajo është e lidhur ngushtë me gjuhën ilirike, e cila flitej në brigjet lindore të Adriatikut dhe në Ballkanin jugperëndimor. Për këtë lidhje, flasin ngjashmëritë leksikore dhe onomastike, si dhe disa karakteristika të përbashkëta fonetike dhe gramatikore. Leksiku dhe onomastika: Studimet kanë identifikuar emra të përbashkët për qytete dhe fise në të dyja brigjet e Adriatikut, si: Bardylis/Barzidihi, Teuta/Teutā, Dazios/Dazes, Platōr/Plator-, Iapydes/Iapyges, Apulus/Apuli, Dalmata/Dalmathus, Peucetioe/Peucetii, Ana/Ana, Beuzas/Bozat, Thana/Thana, Dei-paturos/Da-matura. 

Gramatika dhe fonetika: Gjuha mesapike ka disa veçori fonetike dhe gramatikore që e lidhin me gjuhën ilirike, si përdorimi i disa morfemave dhe struktura të ngjashme sintaksore. Gjuha mesapike është e dokumentuar në rreth 300 mbishkrime, kryesisht të periudhës nga shekulli VI deri në shekullin I p.e.s., të shkruara në dy alfabete të ngjashme, të dyja me origjinë greke, sipas Oxford Research Encyclopedias

Trashëgimia mesapike në Kalabri

Kalabria, veçanërisht rajoni i Salentos, ka ruajtur shumë gjurmë të kulturës dhe gjuhës mesapike. Disa prej tyre janë: Qytetet antike: Si Oria, Rudiae (sot Lecce), Hyria, Uzentum (sot Ugento), dhe Gnatia (sot Fasano), të cilat ishin qendra të rëndësishme mesapike.  Rreth 300 mbishkrime mesapike janë zbuluar në Kalabri, të cilat ofrojnë dëshmi të rëndësishme për gjuhën dhe kulturën mesapike. Elemente të veçanta të artit dhe arkitekturës mesapike, si varret dhe objektet e zbukuruara, janë gjetur në Kalabri, duke dëshmuar për zhvillimin e tyre të veçantë kulturor.

Përmbledhje

Kalabria ruan gjurmë të origjinës mesapike dhe ilirike kryesisht përmes zbulimeve arkeologjike dhe ndikimeve kulturore. Megjithatë, Mesapët nuk ishin populli dominues; rajoni ishte gjithashtu vendbanim i popujve vendas, si Enotrit dhe Brutët, të cilët u ndërthurën me Mesapët dhe kolonistët grekë, duke formuar një kulturë shumëdimensionalë dhe të pasur historikisht. Origjina ilirike e Mesapëve është një faktor kyç për të kuptuar ndikimin e tyre në gjuhë, zakone dhe artin e Kalabrisë antike. Ndaj dhe origjina e emri Calabria nga fisi ilir  Calabroi që përmendet nga gjeografi i lashtë grek, Straboni, i cili e regjistroi emrin si Γαλάβριοι (Galabri) ka sa lidhje historike aq dhe gjuhësore të kuptueshme.

Referenca

Straboni, Geographica, libri VII.

Strabo, Geographica, përkthyer nga Horace Leonard Jones, në Bibliotekën Klasike Loeb: archive.org/details/Strabo08Geography17AndIndexWikipedia+5Internet Archive+5Loeb Classics+5

Strabo, Geographica, përkthyer nga Sarah Pothecary, botuar nga Princeton University Press: degruyterbrill.com/document/doi/10.1515/9780691243122/htmlDe Gruyter Brill

Eric Hamp: Në vitin 1957, Hamp propozoi grupimin e gjuhës mesapike dhe ilirike në një degë të përbashkët indo-evropiane, të quajtur “Messapo-Illyrian”, që përfshin edhe gjuhën shqipe në një grup më të gjerë “Adriatic Indo-European”. Wikipedia

Hyllested & Joseph (2022): Këta studiues identifikuan gjuhën mesapike si më të afërtën me gjuhën shqipe, duke formuar një degë të përbashkët të quajtur “Illyric”. Ata gjithashtu e rendisin këtë grup në degën “Balkan IE”, së bashku me gjuhët greko-frigjiane dhe armenishten. Wikipedia

Çabej (1986): Gjuha shqipe, sipas Çabejt, është një pasardhëse e drejtpërdrejtë e gjuhës ilirike, dhe kjo lidhje është e dukshme në shumë aspekte të gjuhës dhe kulturës. 

Filed Under: Reportazh

NË DITËT E SHËN NËNË TEREZËS 2025 KOMBI SHQIPTAR KUJTON BIJËN E VET ME FAMË BOTËRORE – Por nuk ishte gjithmonë kështu!

September 5, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në bashkëpunim mes SH. B. “ DRITA” në prishtinë dhe Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK), Shkup nga 25 gusht deri më 5 shtator, u  organizuan “Ditët e Shën Nënë Terezës” 2025, për të promovuar me veprimtari kulturore, kombëtare dhe shpirtërore, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës në vende të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe anaë e mbanë diasporës shqiptare.  Frank Shkreli: 115 vjetori i ditëlindjes së Shën Nënës Terezë dhe 20 vjetori i Bekimit të gurthemelit të Katedrales në Prishtinë | Misioni Katolik Shqiptar Shën Nëna Terezë në Rijekë – Albanska Katolička Misija Sv. Majka Terezija u Rijeci

Gjatë këtyre 10-ditëve të kaluara u përkujtua Nënë Tereza anë e mbanë trojeve shqiotare dhe më gjërë me dinjitet siç i ka hije një kombi që është krenar – pa dallim feje a krahine – për veprimtarinë dhe jetën e bijës së tij me fame botërore, e që i ka sjellur shqiptarëve vetëm një emër të mirë e të respektuar anë e mbanë këtij planeti.  Nënë Tereza u kujtua këto ditë me veprimtari të ndryshme kulturoro-shpirtërore: me shërbime fetare, me botime librash shkencore kushtuar Shënjëtores shqiptare dhe me deklarata të liderve politikë të dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës — në këtë përvjetor të lindjes dhe shenjtërimit të Nenë Terezës. Në përmbyllje të veprimtarive 2005, kushtuar Nenë Terezës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh: “Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.  Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, ka shënuar në faqen e saj të internetit, e para e shtetit të Republikës së Kosovës, bashkangjit këtë fotografi të saj para shtatores së Nenë Terezes.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan me këtë rast se, sot, e gjithë bota i lutet Shenjtës Nënë Terezë, duke vazhduar se ne, “Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve. Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë!”, ka shkruar në deklaratën e tij në fejsbuk, Presidenti Begaj, në përmbyllje të veprimtarive prej 10-ditësh të këtij viti, kushtuar Nenë Terezës anë e mbanë botës dhe në mbarë trojet shqiptare.

Por për fat të keq, respekti dhe nderimi që bota – përfshir Presidentë amerikanë, Frank Shkreli: Amerika për Nënë Terezën – Rastësi apo Dora e Zotit në veprim? “Prej sot je bijë e Amerikës ” | Gazeta Telegraf dhe Papët e Romës — i akordonte Nenë Terezës për dekada me rrallë – nuk mund të thuhet se ajo gëzonte të njëjtin respekt, të pakën zyrtarisht, nga shqiptarët në përgjithsi, siç vihet në dukje në një shënim sot të muzeut të Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory —Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha:   “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.  Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria.  Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.  Nëna e saj, Drande Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër me 12 korrik 1972 në Tiranë. Ajo nuk arriti të shihte edhe një herë të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: Drandja bijës së vet, që nuk e shihte prej 45 vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: “Gonxhe, të puth nanëlokja”, përfundon shënimi i botuar në muzeun Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory me foton më poshtë.

Pritja e ftohët e Nenë Terezës në Tiranë, gusht, 1989, kur më në fund u prit nga përfaqësuesit e një regjimi kriminal, frikacak, që për vite nuk i jepte vizë një murgeshe katolike të thjesht për të vizituar Nenën dhe motrën e saj, sa ishin gjallë. Turp kombëtar për ata atëherë dhe për apologjetët e sotëm që sot e kësaj dite mbrojnë dhe justifikojnë krimet e atij regjimi sllavo-aziatik që për një gjysëm shekulli ndau – për jetë dhe në vdekje — familjet shqiptare – si familjen e Nenë Terezës! Si shumë e shumë familje shqiptare, fati i Nenë Terezës megjithse me famë  botërore, mund të thuhet se ishte ai që siç është shprehur dikur edhe Imzot Pjetër Bogdani: “Fati i im është fati i popullit tim”.

Kështuqë, ndërsa shqiptarët kudo në botë janë krenarë se si sot, Kombi në përgjithsi kujton, nderon dhe respekton bijën e vet — Ikonën shqiptare të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin – nuk duhet harruar se edhe trajtimi çnjerëzor i Nënë Terezës nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – është pjesë e historisë së trajtimit të Nënë Terezes nga bashkvëllëzrit dhe motrat e saj. Në një kohë kur Ajo pritej e dekorohej me Çmimin prestigjoz Nobel për paqë, pritej në kancelaritë e fuqive më të mëdha botërore, përfshir Shtëpinë e Bardhë dhe Kombet e Bashkuara. Ishte 40-vjetori i Kombeve të Bashkuara kur organizata botërore ftoi Nenë Terezën të mbante një fjalim me atë rast, Blessed Mother Teresa’s Address to the United Nations, Diplomatët e Shqipërisë komuniste – në një prej shfaqjeve më të shemtuara, ndoshta në historinë e diplomacisë shqiptare të të gjitha kohërave i treguan botës ftyrën e vërtetë të regjimit të tyre primitiv që ata përfaqësonin.  Pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në atë kohë, Perez De Quellar duke paraqitur bijën e famshme shqitare para delegatëve të botës, pat deklaruar se Nenë Tereza mishëronte Kombet e Bashkuara – delegacioni që përfaqësonte regjimin enverist, në protestë ndaj fjalimit të Nenë Terezes – para syve të mbarë botës, braktisën sallën e Kombeve të Bashkuara ndërsa Nenë Tereza i fliste botës.

Për ne shqiptaro-amerikanët që në atë kohë prisnim të shihnim ndonjë shenjë sado simbolike për ndonjë ndryshim në mundëshëm në Shqipëri siç po ndodhte në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, ky rast i shëmtuar na zhduku edhe ndonjë shpresë që mund të kishim për ndonjë ndryshim të shpejtë. Trajtimi i Nenë Terezës nga regjimi i Tiranës zrytare në atë kohë u bë si një farë busulle e ndonjë ndryshimi të vogël por të pa shpresë. Sepse siç është shprehur me një rast i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës, i dashur dhe i respektuar për shumë prej nesh që e kemi njohur, ka thenë se, “Nenë Tereza ka pasur gjithmonë një mesazh të qartë e të mirëkuptimt: se e ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmerinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, në të cilin nuk ka të përjashtuar e të mënjanuar, të diskriminuar e të harruar”, ka thënë,  Imzot Rrok Mirdita.

Por sot në 115-vjetorin e lindjes, Kombi shqiptar, me të drejtë është krenar për Nenë Terezën. Këtë e tregojnë angazhimet dhe organizimet e dnryshme kulturoro-shpirtërore, pa dallim feje a krahine, siç ishin ato të 10-ditëve të fundit, për të festuar dhe për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës në trekëndshin Prishtinë, Shkup e Tiranë. Por edhe anë e mbanë diasporës dhe gjakut të shprishur arbëroro-shqiptar të shpërndarë gjithë andej. Deklaratat e liderve shqiptarë gjatë viteve por edhe sot duken të sinqerta se më në fund, bota shqiptare e ka kuptuar mesazhin e saj të qartë – diçka që bota tjetër kryesisht e kishte kuptuar me kohë — atë të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin si dhe për mirëkuptimin se e “ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmërinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. Ishte ky mesazh i Nënë Terezës, përmbledh nga Imzot Rrok Mirdita, mesazhi i “qytetërimit të dashurisë”, pra që nuk përjashton, nuk diskriminon as nuk harron askënd, përfshir më të varfërit e të varfërve.

Ma merr mendja se ishte, pikërisht, ky mesazh i Nenë Terezës i cili bëri që diplomatët e regjimit komunist të Shqipërisë pranë OKB-s, 40-vjet më parë në Nju Jork, të braktisnin sallën e Asamblesë së Përgjithshme kur filloi t’i fliste botës për “qytetërimin e dashurisë”, murgesha e thjesht katolike me origjinë shqiptare e lindur 115-vjet më parë në Shkup, kryeqytetin e dikurshëm arbëroro-shqiptar. Prandaj duhet të jemi krenarë për nderimet dhe respektin që i bëhet sot Nenë Terezës, ashtu siç në të vërtetë ndodhë në mbarë botën — por të mos harrojmë se nuk ishte gjithmonë kështu. Sado absurde të na duken sot sjelljet e regjimit komunist shqiptar me Nënë Terezen dhe familjen e saj, nuk duhet të harrohen se kollaj mund të përsëriten. Është thenë se ata që harrojnë historinë janë të destinuar t’a përsëritin.

Filed Under: Reportazh

Një takim i paharrueshëm në Milano me Darling Vlora, stërnipin e Ismail Bey Qemalit

September 3, 2025 by s p

Nga Dashnim Hebibi, Milano/

Vlorë, Dardani, Iliridë e Kosovë Lindore u bashkuan shpirtërisht në një ditë të veçantë, më 2 shtator në Milano të Italisë, në një takim historik e plot emocione me stërnipin e Ismail Beut Qemalit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora.

Ky takim ishte planifikuar prej kohësh dhe pritej me padurim nga veprimtarët shqiptarë në diasporë. Nga Zvicra, me shumë entuziazëm dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, u nisën: z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore; z. Met Krasniqi, ish-kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër dhe njëherit kandidat për kryetar të Gjakovës; si dhe Dr. Dashnim Hebibi (PhD), president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih dhe kryeredaktor i SAM24.info, qendrës mediale shqiptare në Zvicër. Ata u shoqëruan gjithashtu nga veprimtari Arsim Mulliqaj, duke e bërë edhe më të plotë këtë delegacion të diasporës shqiptare.

Takimi ishte i përzemërt, i sinqertë dhe i ngarkuar me emocione të papërshkrueshme. Shkëlqesia e Tij, z. Darling Vlora, ishte i shoqëruar nga publicisti dhe veprimtari i njohur në Itali dhe më gjerë, z.Arsim Mulliqaj i cili dashurinë për Kosovën e pavarur e ka dëshmuar me vepra që nga ditët më të vështira të historisë sonë.

Në këtë takim u dëgjuan rrëfime të paçmuara, fakte dhe histori të panjohura më parë rreth jetës dhe veprës së Babait të Kombit, Ismail Beut Qemajlit. Çdo fjalë e z. Vlora mbante peshë të veçantë, sepse vinte jo vetëm nga trashëgimia e gjakut të një figure kolosale, por edhe nga përvoja e një personaliteti me vlera të larta shkencore e atdhetare.

Delegacioni e përshkroi këtë përjetim me fjalët:

“Morëm bekimin nga stërnipi i Ismail Beut Qemajlit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora, për të ecur me besim e siguri në rrugën e historisë sonë. Me amanetin e tij të shenjtë, që udhëton brez pas brezi, edhe ne në diasporë e ndjejmë peshën dhe nderin e kësaj besëlidhjeje. Flamuri kuqezi është drita që na bashkon, është zëri i atdheut që na thërret, është forca që na udhëheq e na bashkërrugëton drejt së ardhmes.”

Në takim u ndanë emocione të sinqerta, deri në lot gëzimi. Z. Vlora, i prekur thellë nga prania e vëllezërve shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat, u shpreh se kjo ditë do të mbetet e paharrueshme për të, duke shtuar: “Sot ndjeva se kam pranë gjithë kombin tim. Këtë ditë nuk do ta harroj kurrë.”

Familja emblematike Vlora, trashëgimtare e një prej kapitujve më të ndritur të historisë kombëtare, do të mbetet përjetësisht simbol i nderit dhe krenarisë shqiptare, për sa kohë të jetojë gjuha jonë shqipe dhe të pulsojë zemra shqiptare.

Në këtë takim, z. Met Krasniqi mori bekimin dhe besën se do të punojë edhe më fort për të mirën e kombit dhe qytetit të tij, Gjakovës, të cilën e sheh të zhvilluar e të ndritur në frymën e qyteteve moderne europiane. “Edhe ne mundemi të bëjmë më shumë për atdheun, që rinia të ketë shpresë dhe motiv për një të ardhme të sigurt,” – u shpreh ai.

Z. Florim Useini e njoftoi Shkëlqesinë e Tij z. Vlora me disa projekte të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër dhe përcolli përshëndetjet e miqve afaristë e bamirës që jetojnë e veprojnë jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.

Ndërkaq, z. Dashnim Hebibi u ndal te situata aktuale në Luginën e Preshevës dhe e ftoi z. Vlora që një ditë të shkruajë për këtë pjesë të kombit dhe të vizitojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, duke ndjerë nga afër sfidat e shqiptarëve atje.

Në fund, z. Arsim Mulliqaj theksoi me forcë nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve, për të përcjellë të paprekur amanetin e të parëve tanë tek brezat që vijnë.

Ky takim i veçantë, i cili zgjati më shumë se një orë, nuk ishte vetëm një bashkëbisedim i ngrohtë, por një pikënisje për bashkëpunim më të madh në të ardhmen me Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora. Ishte një ditë e historisë së gjallë, ku amaneti i të parëve u ndje si obligim, si frymëzim dhe si thirrje për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT