• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërgjegjja etnike shqiptare në Himarë gjatë shekujve XVI–XVIII: Feja, arsimi dhe identiteti kombëtar

June 12, 2025 by s p

Nikollë Loka/

Rrethanat historike që favorizuan një lëvizje identitare në Himarë

Gjatë shekujve XVI deri në XVIII, treva e Himarës u përball me sfida të shumta në ruajtjen e identitetit të saj etnik shqiptar, si pasojë e politikave osmane dhe ndikimit të kishës greke. Gjatë kësaj periudhe, Himara gëzonte një farë autonomie ndaj Perandorisë Osmane, shpesh e mbështetur nga fuqitë perëndimore, veçanërisht nga Republika e Venecias dhe Selia e Shenjtë.

Edhe pse shumica e banorëve ishin të krishterë ortodoksë, ata e përjetonin me rezervë autoritetin e Patrikanës së Stambollit, e cila ushtronte një presion të vazhdueshëm për helenizim. Në kuadër të sistemit osman të miletit, të gjithë të krishterët ortodoksë përfshiheshin nën etiketën “rum” (grekë), çka ndikoi në turbullimin e identitetit të vërtetë etnik të shqiptarëve ortodoksë. Kjo do të thoshte se një shqiptar ortodoks konsiderohej pjesë e “miletit grek” (Falcetta, 2014: 51–52), pasi kisha ortodokse drejtohej nga klerikë grekë dhe liturgjia zhvillohej në gjuhën greke.

Sistemi i miletit ndikoi ndjeshëm në krijimin e një identiteti të dyfishtë për shumë shqiptarë ortodoksë, duke kontribuar në formimin e asaj që më vonë u quajtën “grekë të rremë” – shqiptarë etnikë që u identifikuan ose u vetëidentifikuan si grekë për arsye fetare, administrative ose për përfitime të tjera. 

Në Himarë, përdorimi paralel i shqipes dhe greqishtes ishte i zakonshëm, gjë që e vështirësonte përcaktimin e qartë të përkatësisë etnike në dokumentacionin kishtar dhe dëshmonte se identiteti etnik dhe gjuhësor ndikohej fort nga feja dhe liturgjia. Në këtë kontekst, kthimi i një pjese të popullsisë në katolicizëm të ritit lindor nuk përfaqësonte vetëm një akt fetar, por edhe një zgjedhje politike dhe identitare. Ky orientim drejt katolicizmit shihte në Kishën e Romës një mundësi për të ruajtur lidhjet me Perëndimin dhe për të shmangur asimilimin nga Patrikana greke.

Marrëdhëniet e ngushta me Perëndimin shpjegojnë pjesërisht prirjen e himariotëve për t’u afruar me Kishën Katolike. Kjo vihet re që nga koha e Papës Gregori XIII (1572–1585), kur në Romë u themelua Kolegji Papnor Grek i Shën Athanasit (1577), ku ndër studentët e parë ishte edhe një himariot (Murzaku, 2017: 22). Në letrat drejtuar Vatikanit, populli i Himarës i përcillte Papës dëmet e shkaktuara nga osmanët, përfshirë djegien e kishave dhe të rezidencës së Ipeshkvit, duke kërkuar ndihmë financiare për rindërtimin e saj si dhe për sigurimin e armëve dhe municioneve për t’u mbrojtur nga sulmet osmane.

Letra e 12 korrikut 1577 drejtuar Papës Gregori XIII, e firmosur nga klerikë dhe laikë himariotë, shpreh jo vetëm dëshirën për bashkim me Romën, por edhe kërkesën që sakramentet dhe kremtimet të vijonin sipas ritit bizantin, pasi shumica e popullsisë nuk e njihte gjuhën latine (Murzaku, 2017: 22–23).

Në fillim të shekullit XVII, një mision i murgjve bazilianë, të formuar në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, u dërgua në trevat jugore shqiptare për të realizuar një bashkim juridiksional me Kishën e Romës (Doja, 2023: 98). Në Himarë, misioni i parë i tyre daton nga viti 1632 dhe vijoi, me ndërprerje, deri në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ky ishte një mision udhëtues, tipik për zonat e konsideruara terra missionis (tokë misioni).

Pranimi i katolicizmit të ritit lindor u shndërrua në një formë rezistence kulturore dhe etnike, më shumë sesa një veprim thjesht fetar. Himariotët i kërkonin Vatikanit të mundësonte shkollimin e fëmijëve të tyre në Romë dhe Napoli, një kërkesë që dëshmon ndërgjegjen e qartë për rëndësinë e arsimit në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Letrat e tyre, shpesh të nënshkruara në emër të “kombit tonë shqiptar”, përbëjnë dëshmi të qarta të vetëdijes kombëtare shumë kohë përpara epokës së Rilindjes Kombëtare.

Liturgjia në gjuhën shqipe, e ndaluar nga Patrikana greke, u kthye në një kërkesë politike dhe kulturore për komunitetet shqiptare ortodokse që synonin ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar (Falcetta, 2014: 149). Kërkesa për ta dalluar veten nga grekët, i shtyu klerikët dhe intelektualët arbëreshë të theksonin veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë vetëdijes kombëtare që do të kulmonte dekada më vonë (Historia e arsimit, 2003: 98; Tare, 2019: 78–79) dhe do të jepte ndikimin e saj edhe në Shqipërinë e Jugut.

Arsimi dhe liturgjia në gjuhën shqipe në Himarë

Zhvillimi i arsimit dhe liturgjisë në gjuhën shqipe në Himarë lidhet ngushtë me ndikimin e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve për të frenuar islamizimin dhe për të forcuar identitetin etnik dhe fetar të popullsisë. Vatikani lehtësoi përdorimin e shqipes në shkolla dhe në përgatitjen e klerikëve vendas, të cilët përbënin bërthamën e strukturës fetare greko-katolike në Shqipërinë e Jugut.

Në këtë drejtim, rolin kryesor e luajtën dy qendra arsimore me rëndësi: Kolegji Grek i Shën Athanasit në Romë (1581), i themeluar nga Papa Gregori XIII me Bulën Apostolicae Sedis Specula më 13 janar 1576, dhe Manastiri i Shën Bazilit në Mezzojuso të Siçilisë (1601). Kolegji i Shën Athanasit, më i hershmi ndër institucionet arsimore për ortodoksët në Romë, pranoi studentë grekë, shqiptarë dhe italo-shqiptarë, të cilët më vonë u kthyen si misionarë në trojet shqiptare (Altimari, 2014:3; Murzaku, 2017: 84-85; Tare, 2021:80). Manastiri i Mezzojuso-s, nga ana tjetër, u shndërrua në një qendër të rëndësishme kulturore dhe arsimore për komunitetet arbëreshe, duke funksionuar për dy shekuj si një lloj universiteti për kolonitë shqiptare (Di Marco, 2007:12).

Në vitin 1692, me kërkesë të vetë komunitetit të Himarës, Kongregata e Propagandës vendosi të ringjallte misionin e nisur më 1633 nga Neofit Rodino dhe të vazhduar nga Simeon Laskari, Arkadi Stanila, Onofrio Kostantini dhe Giovanni Giuseppe De Camillis, të gjithë të formuar në Kolegjin Grek të Romës dhe pjesëtarë të urdhrit të Shën Bazilit, të lidhur me manastirin e Mezzojusos. Ata përgatiteshin në greqishten liturgjike, por kishin një njohje të thellë edhe të shqipes, e cila ishte e domosdoshme për misionin e tyre në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në Himarë (Altimari, 2014:63).

Janë pikërisht këta misionarë arbëreshë, të formuar në Munxifs (Mezzojuso), që themeluan shkollat e para shqipe në Bregdetin Jugor. Dokumentet dhe dorëshkrimet që na kanë mbërritur dëshmojnë për përdorimin e shqipes si gjuhë ndërmjetësimi në procesin e ungjillizimit, pastaj edhe si gjuhë e liturgjisë. Një rol të veçantë në përhapjen e gjuhës shqipe pati edhe Imzot Zef Skiròi, që përpiloi dhe shpërndau tekste në shqip (Altimari, 2014:64).

Në krahasim me shkollat katolike në Shqipërinë e Veriut, të cilat përdornin veprat e Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në jug praktikohej përkthimi i posaçëm i Doktrinës së Krishterë për përdorim lokal. Kjo tregon se në Jug, përdorimi i shqipes në shkollim dhe liturgji ishte më i lidhur me priftërinjtë vendas dhe ata të ardhur nga komunitetet arbëreshe, siç është rasti i priftërinjve të formuar në Mezzojuso dhe kthyer në trojet e tyre, ndër ta edhe At Dhimitri nga Dhërmiu (Minguli, 2016: 58-59).

Në vitin 1628, Propaganda Fide ngarkoi Giovanni Rodinò me misionin për të themeluar një qendër greko-katolike në Himarë, të cilën e drejtoi deri më 1643. Ai themeloi një shkollë në Vuno, e cila u shndërrua në qendër rajonale dijesh, që tërhiqte nxënës nga gjithë zona dhe klerikë nga manastiret përreth. Rodinò botoi katekizma dhe libra në shqip, të cilat i shpërndante falas. Ndër nxënësit e tij ishte edhe Papa Dhimitri nga Dhërmiu, i cili përktheu katekizmat në një shqipe elegante për përdorim në të gjithë krahinën e Himarës (Murzaku, 2017: 25-26).

Pas Rodinòs, misioni u vazhdua nga figura të tjera si Konstandino Onufro Skanilos, Giovanni De Camillis, Filoteo Zassi, Mattenga, dhe Giuseppe Skirò. Edhe pse ndeshën kundërshtim të ashpër nga dhespoti i Janinës, ata arritën të forconin rrjetin shkollor shqip në bregdetin e Himarës, duke arsimuar pothuaj të gjithë klerin lokal (arbresh.info).

Një shembull  përkushtimi është Nilo Catalano, i cili përgatiti një “Gramatikë shqipe” për 80 nxënësit e shkollës së Dhërmiut, si dhe një fjalor shqip-italisht që, sipas Zef Skiròit, ruhen ende nga familja Skirò (Murzaku, 2017:22). Më 10 maj 1693, Katalano dhe Zassi mbërritën në Himarë dhe në gjashtë muajt e parë organizuan shkolla në Dhërmi, Himarë dhe Vuno, duke konsoliduar arsimin shqip në rajon (Di Marco, 2007:15).

Rasti i Himarës në shekujt XVI–XVIII dëshmon qartë përpjekjet e qëndrueshme të popullsisë vendase për të ruajtur identitetin kombëtar dhe gjuhësor nëpërmjet arsimit dhe liturgjisë në gjuhën shqipe. Ndërhyrja e Selisë së Shenjtë, përkrahja e kolegjeve kishtare në Itali dhe veçanërisht kontributi i misionarëve italo-shqiptarë, krijuan një rrjet të qëndrueshëm shkollash dhe misioni që përhapi kulturën dhe fenë në shqip. Këto përpjekje, që shpesh zhvilloheshin në kundërshtim me presionet e kishës ortodokse greke dhe pushtetit osman, dëshmojnë jo vetëm një rezistencë shpirtërore e kulturore, por edhe një ndërgjegje të hershme etnike shqiptare në rajonin e Himarës. Në këtë dritë, përdorimi i shqipes në liturgji dhe shkolla nuk ishte thjesht një akt fetar apo edukativ, por një akt vetëdije kombëtare.  Kjo trashëgimi historike na rikujton se identiteti shqiptar në jug të vendit nuk është produkt i zhvillimeve të vonshme, por një realitet historik i ngulitur thellë në ndërgjegjen dhe veprën e brezave. 

Filed Under: Sociale

“Applying to Residency”

April 25, 2025 by s p

Albanian American Medical Society/

We are delighted to host our annual “Applying to Residency” Advice Panel, happening on Saturday, April 26, 2025 @ 2PM EST.

We welcome all U.S. medical students and international medical graduates (IMGs) to an insightful session featuring a dynamic panel of current residents who have pursued MD and DO degrees both in the U.S. and abroad.

Gain valuable advice on navigating the residency application process, hear firsthand experiences from those who’ve been through it, and take advantage of networking opportunities with future colleagues and mentors.

Use the sign up link listed here to register: https://forms.gle/wDKjfEWj9ubfyj3d6.

We look forward to seeing you there!

Filed Under: Sociale

NACIONALIZMI KULTUROR TE SHQIPTARËT NË FUNKSION TË ÇLIRIMIT KOMBËTAR

April 24, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shfaqja e “kombit” i jep mozaikut që përfaqëson shekullin e gjatë ballkanik fijen më të rëndësishme, sepse gjatë asaj periudhe, komuniteti laik i “kombit” filloi të shfaqet gradualisht në rajon, pas shkatërrimit të formave më të vjetra dhe më të përhapura të identitetit. Ky proces nisi përafërsisht në fillim të kësaj periudhe si një lëvizje thuajse e padukshme, por në fund të saj ishte shndërruar në një realitet të pakundërshtueshëm. Kur osmanët filluan t’i kuptonin rreziqet që sillte nacionalizmi, ata vendosën politika që krijonin pengesa të mëtejshme për bashkimin e popujve të shtypur.

Për shqiptarët Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Argumenti i shtetit otoman për të ndaluar organizimin e mësimit në gjuhën shqipe, kërkesë që u shpreh më fort në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte se shqiptarët u përkisnin mileteve myslimane, ortodokse dhe katolike dhe për rrjedhojë ishin pjesë e komuniteteve turke, greke dhe latine. Trajtimi i shqiptarëve si tri bashkësi, “milete” të veçuara fetare dhe bashkëngjitja e tyre me milete etnikisht të huaja (turke, greke, sllave dhe latine) përmbante rrezikun e një zhvillimi kulturor dhe shoqëror të veçuar. Kjo gjendje i hapte rrugën humbjes së identitetit kulturor dhe kombëtar.

Për të penguar shkëputjen e popujve ballkanikë nga shteti, në periudhën pas kryengritjeve të grekëve, bullgarëve, serbëve dhe vllehëve, atyre iu njohën disa veçori kulturore. Njëra prej tyre ishte edhe shkollimi në gjuhën amtare. Në realitet, popujt jomyslimanë edhe më përpara e kishin shkollimin në gjuhët e tyre dhe në këtë periudhë ata filluan ta shfrytëzonin këtë të drejtë për formësim kulturor dhe identitar. Parë në këtë këndvështrim, shqiptarët kishin mbetur prapa në krahasim me popujt tjerë të Ballkanit. Aq më keq për shqiptarët, se në tokat e tyre po hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare, sepse dekreti perandorak osman i quajtur Hatti-Humaiun ua lejonte ato. Në vitin 1892, në katër vilajetet shqiptare kishin më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe.

Aty ku kombet u shfaqën si normë, shqiptarët nuk kishin veçse dy zgjedhje për t’i rezistuar pasojave negative të këtyre zhvillimeve dhe për t’u bërë pjesë e tyre. Së pari ishte për të demonstruar se shqiptarët përbënin një grup etnik të veçantë, si hapi i parë i tjetërsimit për të formuar një bazë për të drejtat e tyre historike, mbi territoret ku ata kishin jetuar. Zgjedhja e dytë për shqiptarët ishte të arrinin pjekurinë e tyre për të demonstruar se ishin në gjendje të qeverisnin një komunitet politik. Kjo mund të sigurohej me çlirimin kulturor, nëpërmjet edukimit intelektual, për t’i hapur rrugën një platforme politike.

Në Perandorinë Osmane, si në të gjitha vendet në modernizim të shekullit të 19-të, zhvillimet politike shfaqen si një proces i ndërthurur me zhvillimet në fushën kulturore. Lëvizja kombëtare shqiptare filloi si lëvizje kulturore në fushën e arsimit. Fakti që shqiptarët morën një iniciativë laike në fushën e nacionalizmit dhe pranuan herët shkronjat latine, dhe se ata adoptuan këtë metodë për bashkimin e njerëzve të feve dhe sekteve të ndryshme, përbën një fazë interesante të historisë ballkanike.

Shekulli XIX është epoka e zgjimit kulturor të shqiptarëve. Pas treqind vjetësh robërie të rëndë dhe padije të thellë, që i kishte shpurë në prag të zhbërjes si komb i veçantë, bota shqiptare nisi të lëvizte. Si kudo, lëvizja kombëtare shqiptare u shoqërua me një periudhë zgjimi kulturor. Me mungesën e një feje të përbashkët apo qendre gjeografike, gjuha mbeti lidhja kryesore mes shqiptarëve. Krahas rezistencës kundër reformave të Tanzimatit, që u hiqte shqiptarëve të drejtat autonomiste që gëzonin, në këtë periudhë lindi dhe u zhvillua Rilindja Kombëtare. Mund të mos jetë thjesht rastësi që, në të njëjtën periudhë me reagimin kundër reformave, u hodhën hapat e parë të ndërgjegjshëm drejt zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqiptare.

Në vitet ‘50 të shekullit XIX e më pas, përpjekjet e shqiptarëve brenda atdheut u bashkuan me veprimtarinë e madhe e të gjithanshme të atdhetarëve në mërgim, të cilët po organizoheshin në shoqëri atdhetare, arsimore e kulturore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e mësimit shqip, për botimin e teksteve shkollore etj. Bashkatdhetarët në mërgim u vunë në shërbim të luftës për liri, të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar, me të gjitha mjetet e mundësitë e mbi të gjitha me dëshirën e tyre të zjarrtë. Pas kushtetutës së vitit 1846, dhe si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Por, duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët shqiptarë myslimanë të kohës u munduan që edhe përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, si mjeti i përparimit dhe i ngritjes kulturore. Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se pa emancipim kulturor nuk ka as vetëdije kombëtare, kështu që ata zhvilluan një sërë aktivitetesh, ku si synim kryesor kishin zhvillimin e arsimit dhe të shkollës kombëtare.

Lidhja e Prizrenit konsiderohet si një pikë kthese në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar, pasi ajo përfaqësoi ekspozimin e parë publik të nacionalizmit shqiptar, si dhe pikën e tij të transformimit nga një lëvizje kulturore në një lëvizje politike. Ndonëse problemet politike, ushtarake dhe diplomatike patën përparësi në veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit, ajo nuk i la pas dore problemet e arsimit dhe të cultures, si dhe hartoi një platformë të gjerë të zhvillimit kulturor të vendit. Programi kulturor që parashtroi dhe mbrojti Lidhja e Prizrenit parashikonte: “Njohjen zyrtare të gjuhës shqipe dhe përdorimin e përgjithshëm brenda kufijve territorial të shtrirjes së kombit, në administratë, arsim e kulturë. Roli i Lidhjes Shqiptare në planin kulturor qëndron, para së gjithash, në hartimin prej saj të programit të zhvillimit të arsimit kombëtar, që ishte pjesa organike, e pandarë e programit të autonomisë territoriale administrative. Programi që parashtroi Lidhja Shqiptare parashikonte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në përdorim të përgjithshëm brenda kufijve territorialë të shtrirjes së kombit, në sistemin administrativ, në kulturë dhe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor.

Në fillim të shekullit XX, intelektualët e Rilindjes Shqiptare kishin përcaktuar një perspektivë të re arsimore për ndërtimin e një kombi të lirë, përmes theksimit të aspekteve kryesore shoqërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Dëshirat e forta të nacionalistëve shqiptarë për të patur shqipen si gjuhën e arsimit nuk u pranuan nga shteti osman, me gjithë qasjen e butë në fillim. Duke e konsideruar këtë kërkesë si një mjet të separatizmit, administrata osmane këmbënguli në përdorimin e turqishtes si gjuhë mësimi në shkolla.

Sukseset e arritura në zhvillimin e arsimit shqip, pas revolucionit xhonturk, i shqetësoi së tepërmi turqit e rinj, të cilët përdorën kundër arsimit shqip çdo mjet, që nga shfrytëzimi i ndjenjave fetare dhe intrigat e deri te dhuna e drejtëpërdrejtë. Siç shprehet një diplomat italian “dëshira e shqiptarëve për dituri e arsim dhe kërkesa e tyre e ligjshme për të mësuar në gjuhën amtare u quajt nga Komiteti xhonturk si një prirje seperatiste dhe u vu në shënjestër nga ana e tij”. Në fillim, pa dalur ende hapur kundër arsimit shqiptar, turqit e rinj vunë në veprim klerin konservator dhe elementët fenatikë e turkomanë, për t’i larguar shqiptarët myslimanë nga mësimi shqip, duke përdorur parulla me karakter fetar, shoqëror e politik si: “Shqipja të ban kaurr …të ban me shemb teqe e xhamia, me lon kuranin, agjinesën” etj. Gjithashtu përhapeshin fjalë se “përkrahësit e mësimit shqip ishin kundër interesave shtetërore osmane dhe u shërbenin shteteve të huaja, sidomos Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Pasi ndalimi i shkollimit shqip, në kushtet e regjimit kushtetues xhonturk, dukej si i pamundur, një nga mjetet kryesore që përdorën xhonturqit, për të penguar përhapjen e mësimit e të shkollës shqipe, ishte propagandimi i shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin turko arab, që përdorej edhe për gjuhën osmane. Në fushatën e tyre antishqiptare xhonturqit mbështeteshin në ligjet “Mbi bandat” dhe “Mbi shoqëritë”, të miratuara nga parlamenti turk, në vjeshtën e vitit 1909, sipas të cilëve në Perandorinë Osmane ndaloheshin të gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre osmane. Në zbatim të këtyre ligjeve, autoritet xhonturke filluan me arrestime, internime e transferime patriotësh shqiptarë dhe pastaj vazhduan me mbyllje klubesh e shkollash shqipe.

Në fillim të shtatorit të vitit 1909, kur po zhvillohej ekspeditat ushtarake e Xhavit Pashës për “paqësimin” e shqiptarëve, filloi dhe fushata kundër shkollës shqipe dhe alfabetit kombëtar. Shtypja e kryengritjes shqiptare të Kosovës, në vitin 1910, u pasua me luftën kundër kulturës dhe gjuhës shqipe, me pretekstin se ishin “vatra të revoltës” dhe me burgosjen e ndalimin e botuesve, redaktorëve dhe gazetarëve të gazetave shqipe. Në vitin 1911, Shqipëria dëshmoi shfaqjen e një gjuhe nacionaliste në very, nën ndikimin e jugut, duke paraqitur kërkesa për njohjen e shqipes si gjuhë amtare dhe zyrtare, së bashku me kërkesat për autonomi të katër vilajeteve, në një vilajet të bashkuar, me një guvernator shqiptar. Edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe. Kërkesa të tilla u shprehën nga kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, Hasit, Mitrovicës, Dibrës, Junikut etj.

Përmes betejës për gjuhën shqipe dhe zhvillimin e arsimit kombëtar shqip, rilindasit shqiptarë siguruan tejkalimin e ndarjeve fetare dhe krahinore dhe u mobilizuan për fitimin e të drejtave kombëtare, duke i kthyer shkollat në gjuhën shqipe në simbole të kombësisë te shqiptarët.

Filed Under: Sociale

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË AKADEMIK PROF. DR. SALI GASHI

April 22, 2025 by s p

Familjes Gashi,

Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Prof. Dr. Sali Gashit – një prej figurave më të ndritura të dijes, shkencës dhe shoqërisë kosovare.

Profesor Gashi ishte një mendje brilante e kimisë, një udhëheqës i urtë dhe vizionar në shërbim të qytetit të Prishtinës si ish-Kryetar i Kryeqytetit, si dhe një zë i fuqishëm në botën akademike përmes punës së tij të vyer si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në edukim, shkencë dhe zhvillimin institucional të vendit do të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën kolektive të kombit shqiptar.

Isha i nderuar që për vite të tëra punuam së bashku për shtendërtimin dhe prosperitetin e Kosovës tonë.

Në emrin tim personal dhe të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Ndajmë dhimbjen me familjen, Akademinë, studentët dhe bashkëpunëtorët e shumtë të tij, duke e kujtuar Prof. Dr. Sali Gashin me nderim të thellë dhe respekt të përjetshëm.

Lavdi jetës, veprës dhe kujtimit të tij!

Dr. Elmi Berisha

Kryetar

Federata Panshqiptare e Amerikës – VATRA

Filed Under: Sociale

A është plakja një sëmundje që mund ta zmbrapsim? Një vështrim mbi shkencën e lëvizjes për të zgjatur jetën

April 18, 2025 by s p

Përktheu: Rafael Floqi

Të gjithë duam të jetojmë më gjatë, por a është një jetë e gjatë e shëndetshme dhe e lumtur? Një shkrimtar i revistës Vogue, Jancee Dunn hulumton shkencën që thotë se mund të jetë e mundur.

'Black Scarf,' 1996, by Alex Katz

Shalli i Zi, 1996, nga Alex Katz. Foto: © Christie’s Images / Bridgeman Images 

Ekspertët thonë se gjenetika përbën vetëm 20 për qind të “hapësirës së shëndetit” – pjesa tjetër është stërvitja dhe mënyra e jetesës. 

DAVE ASPREY, themeluesi i kompanisë së suplementeve Bulletproof dhe një nga titanët e shumtë të teknologjisë së Silicon Valley të fiksuar pas zgjatjes së jetës së tyre, deklaroi në mënyrë të famshme se dëshiron të jetojë përtej 180 viteve. Kjo tingëllon, sinqerisht, rraskapitëse. E megjithatë, kush nuk do të donte të pinte një gllënjkë të pakëndshme nga kupa e plakjes, duke supozuar një shëndet dhe palestër të arsyeshme?

Këtu qëndron tërheqja: Një jetë e gjatë është diçka që e dëshirojmë dhe i frikësohemi në të njëjtën masë. Xhaxhai im ishte një shkencëtar raketash në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Marshall të NASA-s në Huntsville, Alabama. Kur e vizitova në vitet e tij të fundit, nuk e njoha atë njeri dikur dinamik dhe brilant. Ai ishte konfuz, i brishtë, i paqartë. Në vitin 2014, Ezekiel Emanuel, një onkolog i njohur dhe kryetar i Departamentit të Etikës Mjekësore dhe Politikave Shëndetësore në Universitetin e Pensilvanisë, shkroi një ese të prerë për The Atlantic me titull “Pse shpresoj të vdes në moshën 75 vjeçare”. Ai argumentoi se “dëshpërimi maniak për të zgjatur pafundësisht” jetën rrënon burimet dhe “na grabit kreativitetin dhe aftësinë tonë për të kontribuar në punë, shoqëri dhe botë”. Emanuel i qëndron pranë. “Nuk dëshiron të presësh deri në fund të jetës tënde dhe ta jetosh në mënyrë të pandërgjegjshme”, më tha ai së fundmi.

Por, çka nëse do të mund të ndryshonim jo vetëm datën e skadencës, por edhe kohën para saj? Hulumtimet tregojnë se shumica e njerëzve janë të sëmurë me sëmundje për pesë deri në tetë vjet para se të vdesin. A duhet të jenë? Një valë shkencëtarësh po thonë jo. Ata thonë se plakja është një sëmundje – një sëmundje që mund të synohet, trajtohet dhe ndoshta edhe të kthehet mbrapsht. 

Jetëgjatësia – një kërkim po aq i vjetër sa vetë njerëzimi – është kryefjala më e fundit e botës së mirëqenies, që shfaqet kudo, nga palestrat e specializuara si Longevity Lab NYC, te formula Nutriyouth IV prej 600 dollarësh e NutriDrip (e cila premton të “ndikojë ‘gjenet e mira’ suplementet e Bahamit të Victoria + AD” – deri te suplementet e Victoria-ssan të Beham+. Ndërkohë, investitorët e mëdhenj (Jeff Bezos, Peter Thiel) po mbështesin kompanitë që po dizajnojnë barna për të shmangur dëmtimet që lidhen me plakjen: Thiel’s Breakout Labs synon qëllimin modest të “riprogramimit të natyrës”. Sektori i jetëgjatësisë, sipas disa analizave të industrisë, është në rrugën e duhur për të qenë një industri shumë trilionë dollarëshe.

Pra plakja mund të konsiderohet një sëmundje – një sëmundje që mund të synohet, trajtohet dhe ndoshta edhe të kthehet mbrapsht

Një mëngjes të kësaj vere, takova Nir Barzilai, M.D., drejtor themelues i Institutit për Kërkimin e Plakjes në Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein në Nju Jork, në hyrje të shtegut tre milje të këmbësorëve gjatë urës Mario Cuomo, e cila shtrihet përtej lumit Hudson. I dashur dhe me syze, autori 64-vjeçar i librit të ri Age Later (Plaku më vonë) ka sugjeruar që të ushtrohemi gjatë bisedës sonë – ushtrimi është një nga plumbat magjikë për një jetë të gjatë dhe të gjallë, ose “gjatësi shëndetësore”, siç e quajnë ai dhe ekspertë të tjerë. (Kur bëhet fjalë për hapësirën shëndetësore, thotë Barzilai, gjenetika përbën vetëm rreth 20 për qind. Pjesa tjetër është mjedisi dhe mënyra e jetesës.) Këtë mëngjes, ai ende nuk e ka thyer agjërimin e tij ditor 16-orësh që të zgjat jetën. Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se “stresorët” si agjërimi me ndërprerje mund ta shtyjnë trupin tuaj të aktivizojë gjenet që ndihmojnë në riparimin e ADN-së së thyer dhe mbrojtjen e kromozomeve.

Ndërsa ecim, ai më tregon praktikat e tij të tjera: Së bashku me agjërimet dhe ushtrimet e tij, Barzilai merr një dozë ditore metformine. Një medikament i lirë për diabetin që ekziston që nga vitet 1950, metformina mendohet se imiton kufizimin e kalorive të agjërimit duke kufizuar sasinë e sheqerit që trupi thith (efektet anësore janë përgjithësisht të lehta, mes tyre dhimbje barku, të përziera dhe humbje oreksi). Një studim i vitit 2017 me më shumë se 41,000 përdorues meshkuj të metforminës zbuloi se ajo zvogëloi – me një sasi të konsiderueshme – gjasat e çmendurisë, kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Një numër në rritje i mjekëve po e përshkruajnë atë jashtë etiketës, por Barzilai dëshiron që ilaçi të jetë i sanksionuar nga FDA për çdo të rritur të moshuar. Ai është gati të ndërmarrë një provë kombëtare gjashtëvjeçare (të quajtur TAME, për “Targeting Aging With Metformin” Trajtimi i plakjes me Metforminë), e financuar pjesërisht dhe në mënyrë anonime nga një miliarder i njohur teknologjik.

Nëse agjërimi nuk është saktësisht shpejtësia juaj, dieta është ende jashtëzakonisht e rëndësishme. Sa i përket asaj që duhet të hani, standardi i artë mbetet dieta mesdhetare – ajo që është e lartë në perime, fruta, drithëra, fasule, arra, fara dhe vaj ulliri, dhe me pak mish të kuq – e vetmja dietë, thotë Barzilai, e provuar nga kërkimet klinike për uljen e vdekshmërisë kardiovaskulare. Një studim i fundit në revistën mjekësore Gut zbuloi se ndjekja e saj për vetëm një vit ngadalësoi zhvillimin e proceseve inflamatore të lidhura me moshën.

Ph.D  David Sinclair, gjenetisti i Harvardit dhe autori i bestsellerit Jetëgjatësia: Pse plakemi—dhe pse nuk duhet, thotë se dieta mesdhetare në thelb “e mashtron trupin të mendojë se kemi bërë stërvitje dhe agjërim”. Sigurisht, kjo nuk është një fletë leje për tasat pa fund me rigatoni; shumë edhe nga një gjë e mirë është shumë. Dan Buettner, bashkëpunëtor i National Geographic që ndihmoi në popullarizimin e idesë së “zonave blu” – pesë zonat në mbarë botën me banorët më jetëgjatë – thotë se ai ndjek një rregull të praktikuar nga banorët e Okinawas, Japoni dhe ndalon së ngrëni kur stomaku i tij është plot 80 për qind. Dhe ndoshta konsideroni të anashkaloni herë pas here ëmbëlsirën: Hulumtimet tregojnë se marrja e sheqerit përshpejton inflamacionin e lidhur me moshën.

 “Sa më shumë sheqer të hani, aq më shpejt plakeni”, thotë Robert Lustig, profesor i endokrinologjisë pediatrike në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko. (Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që gratë ta mbajnë atë nën gjashtë lugë çaji në ditë.)

Praktika të tjera të rëndësishme të jetës si : një gjumë adekuat dhe menaxhimi i stresit. Në zonat blu, thotë Buettner, “njerëzit ulen gjatë gjithë ditës, përmes lutjes, meditimit ose thjesht dremitjes”. Dhe shkencëtarët po arrijnë gjithashtu të kuptojnë më plotësisht rolin që luajnë njerëzit e tjerë në zgjatjen e jetës. 

Një studim i vitit 2019 në revistën SSM-Population Health zbuloi se marrëdhëniet sociale rrisin ndjeshëm jetëgjatësinë tek të rriturit e moshuar. Neuroshkencëtari Daniel Levitin, autor i Plakjes së suksesshme të këtij viti, ka zbuluar se miqësia në moshën 80-vjeçare është një parashikues më i madh i shëndetit sesa niveli i kolesterolit. Miqtë dhe madje edhe fqinjët, shkruan ai, mbrojnë trurin tuaj, ndërsa vetmia “është e përfshirë pothuajse në çdo problem mjekësor që mund të mendoni”.

Por çfarë ndodh me faktorët që nuk mund t’i kontrolloni? Shumica prej nesh nuk e dinë se çfarë fshihet në gjenomin tonë dhe shpesh nuk janë të vetëdijshëm se mund të trashëgojmë ndonjë sëmundje derisa t’i shohim simptomat. Kjo po ndryshon, me testet që janë liga përtej 23andMe. Klinika e re Preventive Genomics në Brigham and Women’s Hospital në Boston është klinika e parë akademike në vend që ofron sekuencë dhe interpretim gjithëpërfshirës të ADN-së të afro 6000 gjeneve të lidhura me sëmundjet, duke filluar nga kanceret e zakonshme deri te sëmundja e rrallë Fabry, e cila dëmton ndarjen e yndyrës në qeliza dhe ndikon në zemër. “Afërsisht 20 për qind e njerëzve do të kenë një variant për një sëmundje të rrallë, siç janë problemet e trashëguara të zemrës”, thotë drejtori Robert Green, M.D., gjenetist mjekësor në Brigham and Women’s. Aty ku një panel i plotë testesh kushtonte qindra mijëra dollarë, në klinikë paguan 250 dollarë për një panel më të vogël dhe 1,900 dollarë për renditjen dhe interpretimin e plotë. (Këto kosto nuk mbulohen ende nga shumica e sigurimeve.)

“Në të ardhmen e afërt,” thotë Barzilai ndërsa përfundojmë ecjen tonë, “ne mund të jemi të shëndetshëm dhe jetësor edhe në të 90-at e më tej.” Ai qesh. “Mund të tingëllojë si fantashkencë, por ju premtoj, është shkencë.” Ndërsa mund t’i kuptoj dyshimet për zgjatjen e jetës, do të pranoj se jam ende i programuar të dëshiroj ato vite shtesë dhe do të miratoj çfarë ndryshimesh mundem për t’i bërë ato më të gjalla. Modeli im këtu është Gloria Steinem, tani 86 vjeçare. E cila tha një herë “Kam në plan të jetoj deri në 100 vjeç,”. “Gjë që do të më duhej ta bëj gjithsesi, vetëm për të përmbushur synimet e mia.”

PS. Nga përkthyesi ‘Ju uroj një jetë të gjatë!’

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT