• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJEKJA E TALENTUAR, EFROSINA (NINA) KAJO 

May 16, 2024 by s p

Fran Gjoka/

40 Vjet në shërbim të pacientëve, duke merituar respektin dhe mirënjohjen e tyre

Të flasësh për mjekët flokëthinjur nga pesha e viteve të tyre mbi supe nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë më shumë ndjenjë, pasion, dashuri e humanizëm, vlera,  të cilat ne i kërkojmë tek heronjtë. Jeta na mëson se heronjtë janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar në mjekësi, që sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. E tillë është  edhe mjekja e talentuar, Efrosina. Njerëz të tillë, që vazhdojnë e punojnë po me atë pasion dhe kanë sakrifikuar shumë nga vetja, padyshim kanë krijuar sot portretin e tyre, ndaj të shkruash për mjekët është jo vetëm një obligim, por dhe një nder dhe refleksion ndaj asaj që kemi lënë jashtë vëmendjes apo kemi neglizhuar. Sot kemi me qindra mjekë e infermierë, që mbajnë peshën e rëndë të viteve të punës intensive, ndaj them me plot gojën se bluzat e bardha dua të kenë të drejtën e inkurajimit shpirtëror e material. 

                                                      Efrosina (Nina) Kajo, 

                 mjeke e talentuar dhe me përgatitje të lartë shkencore dhe intelektuale

               Le të ndalemi tek njëra prej mjekeve të nderuara dhe shumë të respektuara, e talentuara Efrosina (Nina) Kajo, me origjinë nga Korça, lindur e rritur në Tiranë, ka kryer gjimnazin më me emër “Sami Frashëri”. Ndikuar nga babai i saji, Jorgji Adhami, i njohur tashmë për kontributin e shkëlqyer që dha dekada me radhë në zhdukjen e malaries në Shqipëri. Kjo vajzë tiranase filloi si një studente e thjeshtë, por mendjendritur. Diplomohet në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1979. E mbushur me besim në vetvete e plot entuziazëm për t’u shërbyer njerëzve. Me përfundimin e specializimit pasuniversitar për kardiologji, në vitin 1995, ajo ka punuar si kardiologe në klinikën e kardiologjisë pranë QSU-1 për 35 vjet. Këtu, dallohet për aftësi, përgatitje të lartë shkencore, seriozitet dhe humanizëm të lartë. Duke vlerësuar, që në rininë e saj të hershme, aftësitë në kardiologji dërgohet për një specializim më afatgjatë në një nga katedrat Kardiokirurgjikale më të mëdha të Evropës, në Gjermani, për Ecografi Kardiake. Kontributi i saj 42-vjeçar në Kardiokirurgji ka përfshirë: Diagnostikimi Ecokardiografik të pacientëve para dhe pas operacioneve dhe në mënyrë të veçantë tek të operuarit me valvula artificiale si dhe diagnostikimin dhe ndjekjen me përparësi të sëmundjeve të lindura të zemrës tek fëmijët dhe të rriturit. 

           Sot Nina Kajo u gëzohet aftësive të saj në shëndetësi, përpjekjeve dhe djersës, sakrificave ditën e natën në shërbim të sëmurëve, skaliti dhe portretizoi figurën e një zonje me vlera të mëdha intelektuale e bashkëkohore, duke marrë pas disa dekadave titullin e lartë “Prof. Dr. E Shkencave Mjekësore”. Duke parë vizionin intelektual e emancipues të saj, emërohet Shefe e Seksionit të Fiziologjisë Patologjike në Fakultetin e Mjekësisë, pa llogaritur anëtarësimin e saj në disa komisione vlerësimi apo në shoqatat shqiptare apo evropiane të kardiologjisë. 

            Duke biseduar me doktoreshë Ninen, të duket se dëgjon qindra zëra pacientësh në vite tek rrëfejnë se ajo ka bërë ç ‘është e mundur të kryejë detyrën e mjekes e të drejtueses së vërtetë. Dhe pse ka dalë në pension, për asnjë çast nuk është shkëputur nga mjekësia. Vazhdon të shërbejë po me atë zell e pasion në klinikën e saj, pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë përsëri nga shpirti i saj i madh e bujar gjithçka për pacientët, ku rrezaton kulturë komunikimi dhe me plot pasion u jep jetë dhe shpresë të sëmurëve. Një jetë e tërë si kardiologe me tituj e grada shkencore, e mbushur sot me shumë vlerësime të merituara.

                              Mjekë me emra të ndritur, shkollë dhe shembuj për brezat

            Kujtojmë me respekt të veçantë shefin e kardiologjisë Dr. Prof. Petrit Gaçe, mjekët Veli Zogu, Ali Alushani, Fedhon Meksi etj. Komunikimi i tyre i veçantë, nuk ishte thjeshtë vetëm një element edukativ, por dhe mënyra për të transmetuar idetë te mjekët e tjerë me më pak përvojë, gjë që reflektohej në konsultat mjekësore, ku ata shquheshin për logjikën dhe intuitën e lartë shkencore. Sugjerimet dhe këshillat e tyre, transmetonin limitet e dijes, ndryshonin këndvështrimin, ndihmonin në perceptimin sa më real të shëndetit të pacientëve. Nuk rri dot pa thënë diçka për mjeken laborante Aurora Knuti, doktore e shkencave mjekësore, aktualisht punon pranë klinikës Kajo. Një bashkëkombëse dhe shoqe e ngushtë pune, prej 40 viteve, me Dr. Nina pranë qendrës spitalore. Dhe pse ka dalë në pension, vazhdon të shërbejë, po me atë pasion e vullnet, pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar gjithçka për pacientët e saj. Pas çdo analize laboratorike me një vullnet të paparë i këshillon pa përtim pacientët kardiakë. Kjo është Dr. Aurora, një grua fisnike e mbushur sot me shumë vlerësime të merituara.

Në foto: Prof.Dr. Nina Kajo

E përkushtuar për të bërë vazhdimisht më të mirën për pacientët 

             Pyetjes, nëse ndryshimi i saj ka ardhur thjeshtë nga dëshira apo mundësitë që i janë afruar, Nina, do t’i përgjigjet sinqerisht se është një kombinim midis formimit të saj për të kontribuar, por dhe mundësive që i janë afruar në punë dhe në jetë nga shteti dhe shoqëria. Njeriu ka të vetën dhe të padiskutueshmen, aftësitë dhe intelektin e vet, dëshirat, vullnetin dhe këmbënguljen, të cilat, siç mund të kuptohen, mbetën personale dhe janë atribut i vetë individit. Pastaj është shoqëria që e bën vlerësimin që afirmon dhe e çon individin në piedestalin e lartë njerëzor. Është bukur dhe në interes të shoqërisë, që kur këto dy anë kombinohen, atëherë arrihet ajo që është më e mira dhe, për këtë, Nina vazhdon e punon çdo ditë me përkushtim për të bërë më të mirën për njerëzit në nevojë. Shpesh në punën e saj kujton thënien: “Jeta i jepet njeriut vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar me dinjitet”. Këtë devizë, doktoreshë Nina e ka pasur të njohur që në rininë  e hershme, kur ishte mjeke e përgjithshme, por edhe gjatë gjithë aktivitetit të saj. Kjo vajzë e grua e tiranase, për 40 vjet fisnikëroi veten, por njëkohësisht vlerësoi integritetin dhe inteligjencën, vlerësoi gjithnjë njerëzit në nevojë. Me këto mundësi, jeta dhe puna e Ninës në mjekësi ka marrë vlera të shumanshme e të respektuara nga komuniteti dashamirës. Këtu qëndron dhe respekti që kanë sot punonjësit në kliniken e saj. Këtu e ka burimin edhe gëzimi e kënaqësia e saj e madhe, sadisfaksioni i saj moral. Nuk është çështje që të jesh, por rëndësi ka se çfarë jemi dhe çfarë bën në jetë. Impresionet e mia për dr. Ninën janë të shumta, një grua zonjë, një personalitet i spikatur profesionalisht, që rrezaton cilësi të vyera humane, teksa në portretin e saj janë të pandara pamjet tejet e njerëzishme, buzëqeshja e sinqertë, pasioni e vullneti për t’i shërbyer gjithkujt me përkushtim të plotë, duke i qëndruar pranë si të ishte një i afërm i familjes, si një prind, si një motër, si një nënë, doktoreshë e vërtetë. Me vlerat e rralla njerëzore që ka shfaqur e që ka përcjellë te njerëzit, ajo ka fituar qindra mijëra miq në të gjithë Shqipërinë. Janë të panumërt ata njerëz të thjeshtë, intelektualë, qytetarë të shtresave të ndryshme, të cilët e kërkojnë dhe respektojnë shumë, i shfaqin shpesh mirënjohje për përkushtimin që ajo ka treguar dhe tregon ndaj pacientëve të tyre. 

         Në punë ajo u njoh me kolegun dhe bashkëshortin e saj, Ilir Kajo, mjek i talentuar dhe duarartë, i specializuar për Gastroenterologji-Hepatologji, i njohur jo vetëm në Tiranë, por dhe në mbarë vendin, një profesionist që bën pjesë në plejadën e mjekëve që tërë jetën e ka lidhur me shërbimin ndaj njerëzve. Dr. Nina shquhet gjithmonë për marrëdhënie korrekte me pacientët. Ajo i shikon si njerëz, ndaj të cilëve duhet bërë një shërbim cilësor dhe asnjëherë nuk i pa si “klientë”. Ajo është e ndjeshme dhe gjithmonë vendos marrëdhënie të paqme dhe shumë të mira me punonjëset e saj.

                                                Humane, fisnike dhe e admiruar

            Në çdo konjukturë politike që ka kaluar, Dr. Nina ka qenë dhe mbetët vetvetja. Ka një individualitet superior të shprehur nëpërmjet punës, pa poza e pa pretendime për t’u dukur. Pasuria më e madhe e saj mbetët ruajtja e personalitetit njerëzor e shoqëruar me sjellje e kulturë, që i kanë dhënë lumturi e mirëqenie shpirtërore. Dituria profesionale e intelektuale janë velloja e artë që ka zbukuruar personalitetin e saj shoqëror. Në një kohë aventurash, si kjo e sotmja, ku njerëzit kanë rëndur pas fitimit për t’u pasuruar me çdo çmim moral, duke braktisur diturinë. Ata që mbetën njerëz në ndjesi, i kemi sot të paktë në mjekësi. Zilia e të tjerëve ia ka prishur ndonjëherë qetësinë, por dr. Nina ka arritur të ruajë gjakftohtësinë. Kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e saj dhe kur ishte përballë përfitimeve të të mirave materiale dhe famës shoqërore. Vazhdon dhe mbetet e dashur me të vërtetën dhe e rreptë me padrejtësitë. “Për mua,- thotë dr. Nina, – një rëndësi të madhe në jetën time profesionale ka mirënjohja njerëzore dhe mbetesh në memorien e popullit tënd, ky është vlerësimi më i madh i jetës time”. Por fatkeqësisht gjejmë jo rrallë që s’kanë asnjë ndjesi shpirtërore, si rezultat i zbrazësive karakteriale, mangësisë dhe vulgaritetit të përmasave të kufizuara intelektuale. Dr. Nina ruan respekt të veçantë për punonjësit e saj të shërbimit, ku me devotshmëri ju shërbejnë qytetarëve dhe pacientëve në klinikën e saj private, ku ajo drejton, e shoqëruar me një rregull e disiplinë dhe pastërti shembullore të admiruar.

                                       Shembull për fëmijët dhe brezin e ri

            Cilësitë e vyera, edukata familjare dhe kultura e lartë  komunikimit, dr. Nina e përcolli dhe te dy fëmijët. Me kujdesin e një nëne të arsimuar dhe kulturuar, dr. Nina, së bashku me bashkëshortin e saj të talentuar, dr. Ilirin, u kujdesën për rritjen, edukimin dhe shkollimin e tyre. Djali dhe vajza u shkolluan në universitetet më me zë të Evropës, aktualisht jetojnë e punojnë në Shqipëri, ku u gëzohen kulturës dhe dijes së tyre. Këta dy pasardhës shikojnë tek prindërit e tyre modelin e prindërve të devotshëm, babain e tyre të mirënjohur e shembullor në gjithçka, të nënës së tyre që personifikon modelin njerëzor, figurën e nënës së dhembshur, të dashur, profesioniste e rrallë, që rrezaton kudo dhe kurdoherë humanizëm dhe mirësi, një qytetare tiranase me emancipim bashkëkohor. Një gjyshe, ku reflekton përkujdesje dhe dashuri për nipat dhe mbesat e saj, duke i quajtur me plot gojën ëmbëlsirat e shpirtit. Unë si autori i shkrimit i uroj dr. Ninës shëndet dhe jetë të gjatë bashkëshortore!

Filed Under: Sociale

Historia jonë

May 14, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Sipas The Catholic Encyclopedia, termi “hero” e ka origjinën nga luftëtarët dhe gjysmëperënditë e lashtë të famshëm për trimërinë dhe veprat e tyre, të popullarizuar në mitologjinë greke. Hesiodi, sipas Herodotit, ishte një bashkëkohës i Homerit rreth vitit 900 pes, dhe i përshkroi heronjtë në “Punët dhe ditët” si “njerëz me famë të madhe”. Hesiodi shkroi më tej në “Goddesses and Heroes” në Theogony (brezat e perëndive) se perënditë krijuan një racë paranatyrore duke u riprodhuar me të vdekshmit (njerëzit). Pasardhësit e rremë ishin gjigantët gjysmëperëndi: “Raca hyjnore e heronjve, e quajtur gjithashtu gjysmëperënditë, raca para së tashmes. Të gjithë vdiqën duke luftuar në luftërat e mëdha”; dhe: “Së dyti, Zeusi, babai i perëndive dhe njerëzve, më i fuqishmi i perëndive dhe më i forti deri tani; Dhe pastaj raca e njerëzve dhe e gjigantëve të fuqishëm.” Iliada dokumenton gjithashtu disa luftëtarë dhe kampionë gjysmëperëndi si Akamusi, Akili, Ajaksi dhe Telamoni. 

Megjithatë, Hesiodi, në Teogoni, duket se i referohet dy krijimeve të gjigantëve në tregimet e tij. . Raca e parë e gjysmëperëndive,  që vdiq në luftëra të mëdha, ka të ngjarë të ishte raca gjigante përpara përmbytjes së krijuar nga perënditë mëmë si Kroni, Poseidoni dhe Iapetus; ky i fundit prodhoi gjigantët Gog, Magog dhe Albion përpara përmbytjes. Raca e dytë gjigante u krijua nga Zeusi dhe perëndi të tjerë pasardhës pas përmbytjes – gjigantë si Herkuli, Tezeu dhe Perseu. Duke ditur se Josephus barazoi gjigandët Nefilim dhe Refaim me heronjtë grekë dhe ashtu si gjigantët sumerianë si Gilgameshi u përshkruan si heronj, duhet të habitemi që një qytet në rajonin sirian të malit Hermon u quajt Heropolis, “qyteti i heronjve.” Regjimi i Zotit prind mbretëroi përpara përmbytjes dhe perënditë pasardhës mbretëruan pas përmbytjes, kur fuqia e fundit qiellore rivendosi Rendin Botëror Nefilim me pasardhësit e tyre të rremë në një, i cili ka vazhduar brez pas brezi. 

Për të kuptuar se arritëm në rendin tonë aktual shoqëror dhe për të kuptuar profecinë e fundit të kohës, duhet të hetohen ngjarjet e mjegullta të parahistorisë dhe historia e hershme e regjistruar, të cilat mbajnë çelësat për të zhbllokuar alegorinë profetike. Nga ana biblike, ne nuk thuhet se si u shfaqën gjigantët pas përmbytjes – ne dimë vetëm se ata po shfaqen. Edhe pse dikush mund të përcaktojë se përmbytja kishte për qëllim të çlironte tokën nga të gjithë të këqijtë që e korruptuan tokën; këtu fillon historia që  njohim: Utnapishtimi në Eposin e Gilgameshit dhe Deukalioni, djali i Prometeut në historinë greke të përmbytjes; në arkë me Noeun, tre djemtë e tij dhe gratë e tyre pa emër.

Filed Under: Sociale

DHUNA NDAJ FËMIJËVE SHPREH EDHE DOBËSI NË PUNËN E SHKOLLËS

May 13, 2024 by s p

Fran Gjoka/

-Ndëshkim për çdo mësues qe ushtron dhunë psikologjike dhe fizike ndaj nxënësve-

Realisht ka përmirësime në sistemin e punës së shkollës dhe aktorëve të tjerë, që kanë për mision kultivimin e vlerave pozitive në grupmoshat shkollore. Ato shfaqen dukshëm edhe në përmirësimin e raporteve njerëzore mes palëve mësues- nxënës, nxënës – prind, nxënës – nxënës, në uljen e shkallës së agresivitetit në raportet e ndërsjellta, në një klimë më të butë në marrëdhëniet mes grupeve të interesit për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri me normat morale të një shoqërie demokratike dhe të hapur, në një mënyrë sjellje më civile për zgjidhjen e konflikteve në shkollë e jashtë saj, në zbritjen e rasteve të përdorimit të dhunës fizike e emocionale në institucionet e edukimit etj. Siç duket, këtu ka ndikuar edhe përpjekja e shoqërisë për emancipim e qytetari si dhe masat e marra kohët e fundit nga MAS-i për vlerësimin e situatës dhe ndjekjen hap pas hapi të problemit nga strukturat drejtuese të saj. Gjithësesi, në shkolla dhe mjedise familjare, ka ende dhunë, mungesë kompromisi në zgjidhejn e konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve, shfaqje të theksuar të intolerancës në komunikim, agresivitet etj.Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet ende minimal të jetesës e të sigurisë.E bashkë me prindërit mbetën edhe fëmijët shqiptarë, të cilët ndihen të dhunuar si në familje ashtu edhe në shkolla.Një studim i fundit UNICEF raporton aktualisht nivele të larta të dhunës fizike e verbale,kryesisht tek nxënësit e arsimit 9-vjeçar . Në pamundësi për të parë problemin në një plan të gjerë, pasi të tilla janë hapësirat e një shkrimi, në po i referohemi problemit vetëm në shkolla e në mjediset ku jetojnë e kalojnë kohën nxënësit dhe adoleshentët.
Kur mësuesi mund të dhunojë nxënësin, në çfarë situatash?

Në anketat e hapura dhe ato tëe mbyllura, të bëra në disa shkolla të vendit , rezulton se numrin më të madh të nxënësve të dhunuar e përbëjnë ata që viktimitizohen psikologjikisht. Siç duket, rënia e numrit të ushtrimit të dhunës fizike ndaj kësaj kategorie nxënësish, lidhet edhe me intensitetin e punës dhe masat qe po merr kohët e fundit MAS –i për sensibilizimin e opinionit dhe parandalimin e fenomenit, puna e specializuar e psikologëve në shkolla, një përpjekje që duhet vazhduar e thelluar edhe në të ardhmen dhe jo të veprohet me fushata , siç kemi vepuar ne shqiptarët në tërësi dhe drejtuesit e shkollave e mësuesit në veçanti.
Ajo që shfaqet dukshëm në mësim mbetet dhuna psikologjike. Së paku, kështu shprehen nxënësit dhe ky është edhe konkluzioni ynë. Ushtruesit janë mësuesit ndaj nxënësit. Ndërsa jashtë shkollës, në kohën e lirë ose në veprimtari vetorganizuese të nxënësve, ata që ushtrojnë dhunë psikologjike (jo vetëm psikologjike), janë nxënësit kundër nxënësve. Fatkeqësisht ushtruesit e dhunës, mësuesit, grupet e nxënësve dhe individët, siç tregojne të dhënat, i referohen prejardhjes së “viktimës”, origjinës së tij, shkallës së intelektit, dobësive që mbart në përvetësimin e programit mësimor, që më së shumti lidhen me nivelin e punës së dobët të shkollës nga ata kanë ardhur se sa nga miveli intelektual i tyre, nga paraqitja e jashtme etj. Shikojmë edhe anën tjetër të medaljes: mësuesit që po ndjehen të shqetësuar në shpjegimin e mësimit, ku nxënësit, pavarësisht paralajmërimeve që mësuesi u bën, vazhdon të prishë qetësinë e orës së mësimit. Ndodh që mësuesi humbet durimin dhe në një moment nervozizmi reagon, duke u sjellë dhunshëm ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Anketimi në fjalë u shtri 550 shkolla të vendit,ku fëmijët janë pyetur me metodën ballë për ballë duke ruajtur autonimatin e secilit prej tyre. Studimi tregon më në detaj se niveli më i lartë i dhunës është në zona urbane .Më konkretisht 55.6% e fëmijëve e pranojnë se janë dhunuar nga mësuesit e tyre .

Nxënësit e anketuar pranojnë se fyhen dhe ndjehen keq nga fjala që ju drejtojnë atyre mësuesit ose shokët e shoqet e tyre, që e kanë burimin tek origjina si: katundarë, malok, etj. Fëmijët nëpërkëmben emocionalisht nga shokët e mësuesit me fjalë të tilla, që lidhen me moshën psikologjike të tyre, si: gojëkyçur, i/e trashë etj., dhe një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhunohen emocianalisht me fjalët e shprehjet që lidhen me të metat fizike, një fatkeqësi e lindur ose e fituar, që askush nuk do ta dëshironte, si: veshëllapush, i/e shpifur, qurravec, trashaluq etj. Po të shihet me kujdes dukuria, dalim në përfundimin se shumë evidente është dhuna psikologjike, disi e fshehtë, që ushtrohet nga shkolla ndaj nxënësve të ardhur nga zona rurale dhe që janë ngulur përgjithmonë për të banuar në zonat ku vepron institucioni. Mendimi ynë, i shprehur edhe nga nxënësit, është se ajo, tek kjo kategori fëmijësh, shfaqet me frekuencë më të lartë në këto dy raste: me formën e përjashtimit dhe vetëpërjashtimit nga jeta e shkollës e këtyre nxënësve. Një veprim I tilllë fatkeqësisht nxitet edhe nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndersa drejtoritë e shkollave dhe strukturat drejtuese të nxënësve, që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat e shokëve dhe shoqeve heshtin. Në situata të tilla përjashtuese dhe vetëpërjashtuese, kjo kategori nxënësish nuk vetpëlqehet, nuk vetëvlerësohet, nuk shihet e sigurtë. Rrjedhimisht stresohet dhe nuk fiton aftësinë e integrimit në mjedisin e ri, çka do të thotë se dhuna emocionale do të vazhdohet të thellohet mbi ta. Në formën e paragjykimit dhe të një qëndrimi disi indiferent dhe pse kjo edhe përbuzës ndaj këtyre nxënësve që kanë edhe probleme ekonomike dhe të formimit kulturor. Për këto dy probleme unikale të formimit dhe të bashkëjetesës qytetare, i takon shkollës që të krijojë mjedise e frymë bashkëpunimi e bashkëveprimi me te gjitha grupet sociale, që formojnë kolektivin, në të kundërtën rezultatet e pritshme nuk arrihen, objektivat nuk përmbushen dhe reformimi i shkollës kompromentohet.

-Cilët mësues ushtrojnë më shumë dhunë dhe pse?

Nga të dhënat del që mësuesit që ushtrojnë më shumë dhunë janë ata me eksperiencë të vogël në punë, që kanë mungesë përvoje, që nuk i zotërojnë emocionet, që nuk i njohin format e komunikimit dhe psikologjinë e grupit, sidomos raportin mes moshës kronologjike me atë psikologjike dhe që në një farë mënyre nuk janë të formuar ende si edukatorë. Për këtë kanë përgjegjësi edhe fakultetet përkatëse, që përgadisin punonjës pedagogjik, të cilët nuk e vlerësojnë formimin e mësuesve të ardhshëm si edukator ë. Fatkeqësisht strukturat përkatëse te emërimit të tyre nuk mendojnë shumë për përgaditjen e tyre tek i emërojnë në shkolla pa përvojë dhe me kolektiva aspak të njohura për tregues në përgaditjen e nxënësve, ndaj nxënësit ankohen për mësuesit e rinj. Mësuesit e kësaj kategorie duhet të fillojnë punë në shkollat më me emër në qytet dhe në fshat dhe të jenë nën kujdesin e përhershëm për ndihmë e trajnim të kualifikuar për disa vite nga drejtuesit mësuesit dhe metodistët më të mirë që posedojnë DAR-i dhe ZA-të në rrethe.
Në grupin e mësuesve që i dhunojnë më shumë nxënësit fizikisht dhe psikologjikisht janë dhe ata që kanë disa vite pune në arsim, por që kulturalisht dhe profesionalisht janë ende larg ritmit të zhvillimit të arsimit, teknikës, shkencës dhe zhvillimit të shoqërisë në tërësi. Boshllëqet në formimin e tyre shkencor e metodik, psikopedagogjik e social të tillë mësues përpiqen t’i mbulojnë me sharje e britma, duke iu hedhur fajin padrejtësisht nxënësve pas çdo kontrolli që u bëhet. Ata ose duhen trajnuar, ose një ditë duhen larguar, pasi breza nxënësish do të dalin pa bagazhin e domosdoshëm të njohurive për përballimin e kërkesave të tregut. Është edhe një kategori tjetër mësuesish që ushtrojnë dhunë për hir të një tradite të mbartur nga shkolla e sistemit komunist diktatorial dhe që shprehet hapur nga ata që mendojnë se dhunë ka edhe në parajsë, se sipas filozofisë popullore, druri ka dalë nga xheneti. Mësues të tillë nuk njohin modele alternative të sjelljes për disiplinimin e fëmijëve. Një pjesë e mësuesve janë shumë të ngarkuar fizikisht e psikologjikisht, kanë kaluar me ngarkesë dhe plot halle një jetë të tërë në arsim, tek kanë punuar me devotshmëri dhe kurrë s’janë shpërblyer nga shteti dhe shoqëria, komuniteti dhe instiucionet e tjera të edukimit të asaj kohe, të gjitha këto kanë rrritur tek ata nivelin e stresit dhe i ka çuar në shkarkimin padrejtësisht të tyre tek nxënësit. M.A.S për të zbatuar këtë fenomen që po ndikon negativisht në shkollat tona , ka nisur zbatimin e strategjisë së komunikimit .Fëmijët që keqtrajtohen nga mësuesit,ka plot raste të tilla në shkollat shqiptare, por mbrenda shoqërisë sonë gjejmë edhe raste të nxënëve që ushtrojnë dhunë për gabime të vogla të fëmijëve të tyre.”Përballë kësaj situate jemi të vendosur për të ndëshkuar kedo që në ambjentët e shkollës ushtrohet dhunë. Dhunë pa dyshim psikologjike apo verbale,pa folur pastaj edhe për raste absolutisht të patolerueshme që është dhuna fizike. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe përfaqësuesi UNICEF në vendin tonë,i cili tha se shoqëria shqiptare njëherë e mirë duhet të njohë dhe të dijë të dallojë format e ndryshme , dhe të denancojë me reptësi ato.Për të reduktuar në maksimum nivelin e dhunës në shkolla kërkohet rritja e ndëgjegjësimit publik,nëpërmjet fushatave snsibilizuese ,por edhe të trajnimit të mësuesve për çështje psikologjike që lidhen me pasojat e dhunës tek fëmijët e të rinjtë.Kjo kërkohet të shoqërohet herëpashere me monitorime të vazhdueshme të nivelit të dhunës në institucionet arsimore edukative në të gjithë vendin. Vetëm kështu bëhemi pjesë integrale e komunitetit prinderor dhe atij vendor në shkallë kombëtare.
Në përfundim, duhet theksuar se nxënësit janë më të predispozuar për të denancuar dhunën që ushtrojnë moshatarët dhe të rriturit ndaj tyre dhe pothuajse mungon dëshira për denancim ndaj mësuesve dhunëushtrues. Siç duket, kjo lidhet me frikën ndaj hakmarrjes dhe flet për atë që shoqëria e shkolla nuk janë ende demokratizuar e emancipuar dhe se tërë vëmendja e atyre që merren me arsimin dhe edukimin duhet përqëndruar në gjetjen e mekanizmave të reja që prodhojnë për shoqërinë e edukimin më shumë tolerancë e qytetari, emancipim e kompromis e që përjashtojnë hakmarrjen e frikën, dyfytyrësinë dhe cinizmin. Çdo politikë arsimore duhet të orientohet nga qëllime të tilla.

Prindërit kërkohet të njohin më mirë fëmijët e tyre

Ky është përfundimi i pyetësorit, i cili ka brenda diçka të vërtetë. Një pjesë e prindërve nuk i njohin tipet, të tjerët nuk ja kanë idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e tyre në kufinjtë e një moshe. Ka edhe prej atyre që s’duan t’ja dinë për interesat që fëmijët kanë për jetën, shkollën, shoqërinë dhe kulturën në tërësi. Jo pak prindër i konsiderojnë të mbaruar detyrimet ndaj fëmijëve me plotësimin e kushteve për veshmbathje, ushqim e shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për mësim dhe argëtim plotësues. Disa prej nënave dhe baballarëve nuk e dinë se kjo moshë është në kërkim të identitetit dhe ideales, çka nuk është e lehtë të arrihet. Një moshë e tillë e ka veçorinë psikologjike për të shijuar në këtë botë vetëm lumturi e gëzim, për të siguruar vetëm suksese dhe për të bërë qejf. Mirëpo jeta nuk mund të mendohet kurrë fushë me lule, pa kthesa e të papritura. E konceptuar ndryshe, ajo s’të jep kënaqësi, nuk të kalit vullnetin, këtë veti të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për jetën e njeriut. Kishte të drejtë dramaturgu i njohur B. Shou kur i këshillonte të rinjtë se në se rruga nga kalon nuk përbëhet nga kthesa e vështirësi, dijeni se ajo nuk ju shpie gjëkundi. Rrjedhimisht përceptimi i tyre për jetën e shoqërinë, dëshirë dhe të ardhme, shpesh herë është iluziv dhe mund të nxisë ata në kryerjen e veprimeve të nxituara e pse jo edhe në shkarje drejt aventurës. Ka të rinj që e kanë të zhvilluar rebelizmin, prandaj mësuesit, prindërit duhet t’’ua shpjegojnë këtyre nevojën për një jetë intensive sociale, për pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e ndërveprim me të rriturit, për vlerësim të mundësive e kapaciteteve të tyre në kryerjen e detyrave të ngarkuara.
Mosvlerësimi i mendimeve dhe ideve të të rinjve, siç ndodh ende në disa familje, i hedh ata në pasivitet, duke bërë një jetë të varfër emocionale e shpirtërore, i fut ata në burgun e vetmisë. Pra, mungesa e aftësisë së tyre për të dalë nga kjo situatë, i hedh të rinjtë në një jetë boshe. Kultivimi i tolerancës me këta të rinj, si vlerë, i takon shkollës dhe përbën domodoshmëri pasi ajo krijon klimë të butë dhe të përshtatshme për punë në mjediset e shkollës, motivon të rinjtë, duke pasqyruar botën e tyre emocionale dhe krijon kushte optimale për bashkëpunim në dobi të modernizimit të procesit mësimor-edukativ, me të cilët përballen shkollat tona.

Filed Under: Sociale

100 years of the Boston Sunday School at St. George Cathedral

May 11, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

On Sunday, Albanian Orthodox Cathedral of St. George marks the 100th anniversary of the Sunday School. The event pays homage to an institution that was organized in 1923 at the directive of Bishop Fan Noli. Since that time for a few decades, the Sunday School classes, much like the church services, were held at different locations in Boston.

The church school has provided generations of children in the community with a fundamental education in the Orthodox faith. According to Fan Noli writings, in November 1955, the Diocese acquired a building at 529 East Broadway, South Boston which was used for Sunday School classes.

Linda Tochka, the current head of the school, was once a student there and remembers fondly how the fellow classmates gathered around the piano as Mr. George Atwater provided the instructions of the liturgical hymns. In honor of the distinguished and dedicated director of the institution, the school has established a scholarship named after him. Dr. George Atwater scholarship is awarded annually to a deserving former Sunday School students and altar servers.

The classes run from October through the beginning of May and are conducted each Sunday during liturgy with the students coming to church to receive holy Communion. Linda says that “the most anticipated part of the graduation program each year is the quiz where students compete with the congregation. It was initiated by the late Father Arthur Liolin to showcase what the students have learned in the course of one year and it includes a range of questions. Of course, the students always win,“ says Linda Tochka.

Evans Liolin, son of Father Liolin, recalled how he attended the Sunday school with a large group of kids in the early 80s.

Tomorrow the Albanian Orthodox Cathedral of St. George invites the community to join in celebrating three events: the centennial of the Sunday School, the Atwater scholarship as part of the graduation ceremony and Mother’s Day!

Filed Under: Sociale

Guximi për të studiuar lidershipin

May 7, 2024 by s p

Nga Prof. Dr. Nevila Nika/

Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.
Të mësuar prej dekadash tashmë që punimet rreth personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme të trajtoheshin të rrumbullakosura sipas linjës partiake e shtetërore deri në vitin 1991 e më pas në kushtet e reja të krijuara mbas ndërrimit të sistemit kur liria i dha mundësi gjithkujt të na jepte në dorë punime me shumë vlera e të tjera për t’u hedhur tutje, punimi i Evaristit zë pa dyshim një vend me të vërtetë të merituar.
Të shkruash sot rreth figurës së Ismail Qemal Vlorës gjithkush prej nesh do të mendonte se, “autori po humb kohën kot”, apo, “nuk ka çfarë të re të sjellë”, apo “të gjitha i kanë thënë të tjerët më parë” etj. etj. Por kur lexon punimin e Evaristit kupton që në faqet e para se je nxituar në gjykim.
Falë një pune të mundimshme ai ja ka dalë të mbledhë të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të

historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Mbledhja e të dhënave ka qenë faza e parë e punës së tij dhe sigurisht e kushtëzuar fort nga qëllimi që autori i kishte vënë vetes, analizimin e personazhit të jashtëzakonshëm Ismail Qemal Vlora në rolin e të qenët Lider,
Prijës i kombit të vet drejt Lirisë e Shtetformimit.
Familja, fëmijëria e vendlindja janë për autorin pikënisja e gjithçkaje që kjo figurë e ndritur e kombit tonë do të dëshmojë
gjatë gjithë jetës së tij. Lindja në një mjedis si ai i familjes zëmadhe Vlora, për autorin Beqiri është një fakt më shumë se domethënës.
Sipas tij ky mjedis familjar sa aristokratik aq edhe patriotik do të ndikonte fuqishëm në formimin e mbrujtjen e karakterit të djaloshit Ismail Vlora si Lideri, Prijësi ardhshëm i Kombit Shqiptar. Nuk ka dyshim se familjet e mëdha të pajisura me një mbiemër e pasuri ju kalonin pasardhësve për shekuj me radhë pushtetin e prestigjin për ruajtjen e transmetimin e kujtesës historike të familjes, vendlindjes e mbarë kombit. Ismaili i ri nuk mund të bënte përjashtim. I pajisur me inteligjencë të rrallë ai kur largohet nga gjiri familjar, kishte mundur të merrte më vete gjithçka nga historia e familjes Vlora, pra e të parëve të tij, por dhe gjithë krahinës. E kjo pasi ishin kohët kur e kaluara e familjes, por edhe më gjerë se ajo, nuk hidhej poshtë me të shpejtë si diçka e pavlerë. Ekzistonte një dialog midis brezave brenda mureve të sarajeve të kësaj familjeje. Për Ismailin e ri ishte vendi ideal për përpunimin e kujtimeve të të parëve të tij, bëmave të tyre. E kaluara ishte gjithnjë për “darkë”, duke kultivuar tek pjesëtarët më të rinj të familjes dashuri për tokën e të parëve, por mbi të gjitha dëshirën për të shpëtuar nga zgjedha e pushtimit e ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit, flamurin e Pavarësisë.
Mendoj se Evaristi ia ka dalë të na përcjellë me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit. Gjithsesi në punimin e tij autori nuk ka lënë mënjanë të analizojë edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
Do t’i mbyll këto pak rreshta me një pasazh të shkëputur nga një artikull i shkruar 91 vite më parë nga biografi i parë i Mustafa
Qemal Ataturkut, gazetari Ismet Toto:
“Njerëz të mëdhenj ka patur e do të ketë në çdo kohë, sa herë që do të ketë qejf e Madhja Natyrë. Këta janë Drita të botës….Mbrenda në thellësin e shpirtit të këtyre njerzve origjinalë qëndron një fuqi hyjnore.
Ideali dhe vullneti i tyre është arsyeja e qënies për ata. Ata e kanë dedikuar vehten realizimit të një ideali. Ata s’mendojnë gjë tjetër në jetë. S’mund të mendojnë! Ata qëndrojnë për çështjen e tyre në çdo kusht e me çdo sakrificë. S’ka gjë në botë që mund të zërë vendin e qëllimit për të cilin ata rrojnë në jetë….
Në këtë kuptim duam të marrim dhe ne këtë Ismail Benë tonë, jo vetëm se pse me veprën e 28 Nëntorit ndezi një zjarr që s’u shua dhe s’do shuhet kurrë, por se pse e gjithë jeta e tij ka një frymë madhështie. Një madhështi mendore të habitshme për të cilën Shqiptarët e gjithë kohëve kanë të drejtë të rrinë kryelartë.
Është pikërisht kjo madhështi e Mendjes dhe e Shpirtit që e bën të mundur që një Ismail Qemal të sundojë Shqiptarët duke qenë vetë i vdekur. Kjo lloj madhështie është e pa zhdukur; përkundrazi
bashkë me kalimin e kohës rritet e shkëlqen më fort dhe gjithnjë
më fort…Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës tonë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria. Neve besojmë në sinqeritetin e këtij Burri të Madh që ka trashëguar gjitha ç’është më e bukur, e lartë dhe fisnike në palcën e shpirtit Arbnor.”

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT