• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Kristo Negovani, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar

November 24, 2023 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Familja Harallambi lindi shkrimtar dhe klerik patriot

Kristo Harallambi (1875–1905), Mësues i Popullit, lëvrues i shqipes në kushtet e reaksionit anti-shqiptar, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar, prift ortodoks shqiptar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare i njohur me emrin Papa Kristo Negovani. Ka lindur në vitin 1875 në Negovan afër Follorinës në kohën e Perandorisë Osmane, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shek. XIX nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës. I ati Harallamb Çali, që ishte tregtar, shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë. Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë shkollën në Athinë, ku e dërgoi i ati dhe të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik në vitin 1891 dhe në Ballkamen në vitin 1892 për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Brëilë të Rumanisë ku krahas punës si marangoz zhvilloi dhe veprimtari patriotike. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në atdhe, ku iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, të cilën e kuptonte të lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në gjuhën amëtare. “Është e madhe nevojë, shkruante Kristo, të shtypenë vivlla, të shkruhenë Istoria Kombiare, të leçitet gjuha kudo; ata që dinë të këndojnë shqip, të stërvitin e të mësojnë të paditurit jo vetëm në shkolla, por edhe nëpër shtëpitë…gjer sa të vijë koha që të këndonjetë liruar gjuha janë”. Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shkolla e hapur në shtëpinë e tij, brenda një kohe të shkurtër u rrit dhe u bë një vatër e edukimit patriotik për nxënësit fshatarë të Negovanit e Ballkamenit. Në Negovan në shkollë u mësoi shkrim e lexim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Me interesimin e tiju dërguan vajzat e para fshatare në shkollën shqipe të Vashave në Korçë. Ai meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke. Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar këndon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”.

Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre i errët sterrë, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin, si dhe katër veprimtarë të tjerë, veprimtarë të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarit Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Mitropolitia e Korçës vrasjen mizore të andartëve ua përshkruan komitëve shqiptarë. Në vit në pas martirizimit të Papa Kristos, vëllait të tij dhe pesë shqiptarëve të tjerë ortodoksë, atdhetari dhe luftëtari i lirisë, Bajo Topulli likuidoi djallin e Mitrpolitisë së Korçë, at Fotisin, i cili kishte çkrishëruar Papa Kriston dhe kishte yshtuar andartët grekë të masakronin atë.

Autor në prozë, poezie, tekste shkollore, përkthime e përralla

Prodhimtaria e tij letrare në pjesën më të madhe ka karakter didaskalik dhe i përket fondit të letërsisë sonë për fëmijë. Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë si në “Vjershë shkresëtoreja” në vitin 1899 në vargje; “I drunjti kryq” të botuar në vitin 1906, në vargje vepra është në dy pjesë në Sofje; “Prishja e Hormovës” në vitin 3, vjershë lirike dhe “I vogëli Donat Argjendi”novelë për fëmijë të botuar në Sofje në vitin 1904. Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër botimet e tij janë: Istori e dhiatë së vietërë, të botuar në Bukuresht në vitin 1899; Vjershë shkresëtoreja, të botuar në Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë, Sofje 1903; një përmbledhje vjershash me 78 faqe; Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, të botuar në Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); – libri me 122 faqe dhe një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, të botuar në Selanik 1909.

Martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë

Në pavionin e martirëve të gjuhës shqipe dhe të çlirimit të Shqipërisë, një vend nderi zë dhe mësuesi e prifti shqiptar, Papa Kristo Negovani. Në veprimtarinë e tij intelektuale dhe atdhetar punoi dhe luftoi për rizgjim të shqiptarëve, për shkrim e këndim të gjuhës shqipe dhe për përhapje të diturisë laike e fetare. Aktiviteti i tij iluminist ishte përhapja e dijes dhe e diturisë në gjuhën shqipe. Atë e masakruan andartët grek, të cilët kanë pretenduar dhe pretendojnë për të gjithë krishterët ortodoksë se kanë qenë dhe janë grekë. Kjo urrejtje, kjo ksenofobi e çmendur fashiste ka gjetur terren në Shqipëri në kohën e Demokracisë, ku forcat të caktuara nacionaliste e fashiste greke kanë shprehur dhe po shprehin haptas synimet për greqizmin e Shqipërisë së Jugut. Fillimisht ‘pushtuan’ kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, sot e kësaj dite mbajnë nën kontroll të gjitha kishat e manastiret, kanë ngitur varreza, obelisqe e memoriale gjigante për grekët, që masakruan shqiptarët gjatë Luftës Italo-Greke, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë shpallur Himarën si Zonë të Greqisë dhe bëjnë luftë për një bashkiak me vota të vjedhura, krejt haptas po synojnë krijimin e një shteti të ri grek të Epirit të Veriut. Të gjitha këto nën hijen dhe me miratimin e qeverisë shqiptare, duke ngritur buste e vendosur emra të atyre që Shqipërinë e kishin dhe kanë halë në sy. Kjo është demokracia që na mëson Europa dhe një ligj lufte që ka 84 vjet që po bën roje për të filluar këtë luftë.

Papa Kristo Negovani me të drejtë quhet dëshmor i gjuhës dhe i çështjes shqiptare, mësuesi dhe letrari, i pari që futi meshën shqipe në kishë, atdhetari i njohur i një shekulli më parë. Ai vlerësohet për krijmtarinë letrare dhe për punën e tij të madhe në ndihme të atdheut. Gazetari dhe historiani i mirënjohur Marin Mema ka shkruan se “një histori e harruar, me simbole të shkatërruara, figura kombëtare të braktisura, monumente të shpërfytyruara si refreni ku shteti shqiptar po mbështet themelet e tij të vjetra e të reja. Politika vasale me fqinjë që shtrinë e tërheqin këmbët sipas dëshirës, me varreza ushtarësh, kisha ilegale e eshtra të grabitura. Kjo është korniza e deformuar mbi të cilën po ngjyroset ekzistenca shqiptare. Fqinjët kërkojnë historinë e tyre në tokën tone, ndërkohë që autoritetet shqiptare gjithmonë kanë hezituar të mbledhin copëzat e saj të mbetura jashtë kufinjëve zyrtarë…”.

Ai është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Korçës nr. 150, datë 22 nëntor 1986, një shkollë 9-vjeçare në Ersekë ka emrin “Papa Kristo Negovani”, si dhe në Tiranë ka një rrugë me emrin Papa Kristo Negovani. Është nderuar me titullin “Mësues i Popullit” figura e atdhetarit Papa Kristo Negovani, por sot ka një heshtje e nënvlerësim, duke mos u përmendur emri i tij nëpër shkrime apo studime, duke mos iu kushtuar kësaj figure të shquar vëmendje në TV, në shtypin e shkruar dhe në vepra përkujtimore, etj.

Filed Under: Sociale Tagged With: Prof. Asoc.Dr.Bernard Zotaj

Bernard Bilotta, arbëreshi i kontributeve të mëdha dhe vlerave të epërme krijuese

November 23, 2023 by s p

Kultura, gjuha, tradita, doket, zakonet, historia, dhe gjithçka që përbën në thelb identitetin e arbëreshëve të Italisë, atë qëndresë epike të shpirtit shqiptar, me patjetër që është në themelet e rolit dhe kontributit që veprimtarë të shquar të kulturës, gjuhës, historisë dhe jo vetëm, dhanë me emrin, veprën dhe vlerat monumentale në qenësinë e arbëreshëve të Italisë si identitet. Në këtë plejadë të shquarish, Bernard Bilotta është pjesë vitale. Një përfshirje të fuqishme dhe prezence ndikuese, autoriteti, personaliteti dhe integriteti i tij intelektual dhe origjindashës, u trupëzuan, duke u bërë dhe mbetur ajo që është sot Arbëria italiane, ato që janë sot e përgjithmonë, arbëreshët e Italisë.

Një nga burrat më të njohur arbëresh në fushën kulturore dhe atdhetare është pa dyshim, poeti, gjuhëtari dhe folkloristi arbëresh, Bernardo Bilotta. Ai ka lindur në Frasnita të Kozencës më 29 nëntor 1843, djali i Emanuele Bilotta dhe Francesca Martire, prindër të nderuar. Ka studiuar në S. Demetrio Corone, në Shkollën e S. Adriano, e cila ishte për shumë vite vendi ku mendjet dhe burrat më të shquar arbëreshë të Kalabrisë, u brumosën. Në atë shkollë Bilotta studionte falas, duke filluar nga viti i dytë i studimeve, sepse ishte shumë inteligjent dhe studioz. Pasi u shugurua meshtar i ritit bizantin në vitin 1866, ai mori edhe një diplomë në arsimin fillor dhe ai dha mësim në shkollat ​​në Frascineto deri në vitin 1873, kur ai zëvendësoi, si famullitar i Frascinetos, Papa Michele Bellusci.

Bilotta ishte i interesuar jo vetëm për pedagogji, filozofi dhe teologji, por edhe në gjuhë dhe letërsi klasike dhe moderne; por ai ushqeu dashurinë e tij më të madhe për gjuhën shqipe, të cilën e quajti “hyjnore”. Në italisht shkruante shumë vepra filologjike për gjuhën shqipe, të cilat i botoi nga viti 1893 e deri 1915.

Më 9 gusht 1898, Akademia Kombëtare Italiane e Shkencës, Letërsisë dhe Arteve, e vendosur në Firence, nderoi Bilottën me një diplomë të përhershme anëtare. Ai mori të ngjashme diploma nga Akademia “Leonardo da Vinci”, me vendndodhje në Tortona; dhe nga Akademia Ndërkombëtare Partenopiane në Napoli. Ai ishte gjithashtu anëtar i Komitetit që promovoi Kongresin Gjuhësor Shqiptar, në Corigliano, ku mori pjesë në tetor 1895. së bashku me De Rada, Argondizza, Camodeca, Ribecco, Lorecchio e të tjerë. Në atë takim intelektualësh Bilotta prezantoi me një fjalim në gjuhën shqipe gjuhën shqipe alfabeti, që po përdorte në shkrimet e tij: Ishte alfabeti që e përdori edhe në veprën “Shpata e Skënderbekut në Dibrën e Poshtme”. Në një poezi shqipe që lexoi në atë Kongres, ai pyeti pjesëmarrësit kështu: “Kushtojini vëmendje studimit, flisni dhe shkruani mirë këtë gjuhë, prezantojeni atë të njohur në mesin e Gjuhëve të Botës dhe rekomandojini intelektualë të huaj që dinë ta vlerësojnë.”

Lidhur me artin poetik të Bilottës, mbetet për t’u nënvizuar mendimi që kishte De Rada, i cili, duke i dhënë një kopje të Konferencës së tij mbi “Lashtësia e gjuhës shqipe”, shprehet me këto fjalë: “Për mikun tim dhe poetin e vërtetë Arciprete Bilotta, me një “Bravo” nga zemra”. Por veprat e tij të pashtypura, të shkruara në shqip, janë më të shumta dhe më të rëndësishme se ato tashmë të publikuar. Këta ishin nën kujdestarinë e nipit të tij Agostino Giordano, shkruan Emanuele papas Giordano, i cili m’i dha, sepse Bilotta i kishte thënë: “Derisa të ketë një prift në familjen tonë askush nuk duhet t’i prekë këto”.

Bilotta filloi veprimtarinë e tij letrare në nëntor 1870, me veprën “Mercurio Dorsa”: Kjo vepër satirike ka më shumë se 1500 vargje me shtatë rrokje dhe autori e dënon atë veprimet e dhunshme të një shoqate individësh të udhëhequr nga një drejtues i njërës të lagjeve lokale. Kjo vepër, e cila është e para në rend kronologjik, na shpalos ndjenjat e shkrimtarit, i cili duke qenë njeri i drejtë, nuk mund t’i duronte fare padrejtësitë e njerëzve ndaj vëllezërve, veçanërisht kundër të varfërve dhe të përulurve. Kjo karakteristikë të stilit dhe mënyrës së tij të të menduarit, që nuk e duronte dot dhunën dhe shtypjen, del në të gjithë punën e tij, edhe në ato të natyrës fetare. Kështu mund të themi se Bilotta ishte vërtet përfaqësuese e racës shqiptare, me të cilën ndau edhe vuajtjet e tij. Romani shumë i bukur fantazi, me titull “I trembëdhjeti”, që ka pothuajse 2000 vargje tetërrokësh, nuk ka datë, por duke gjykuar nga alfabeti i përdorur, duket se ai kthehet në vitin 1870. Kjo vepër mund të lexohet në një seancë, për shkak të argumentit dhe për shkak të rrjedhshmërisë së poezisë.

Më 1874 filloi poemën epike “Shpata e Skënderbeut në Dibrën e Poshtme”. Tre shkrimet e paplota janë të viteve 1874, 1878 dhe 1888; i fundit i plotë shkrimi është i vitit 1890. Të gjitha këto shkrime na tregojnë se autori ka sjellë 12 këngë, me më shumë se 10,000 vargje, gjashtë dhe shtatërrokje. Përpara 12 këngëve ai vendos një këngë të vetme, në të cilën tregon dueli midis Skënderbeut dhe një Tartari gjigant në Adrianopolis; kjo këngë përbëhet nga 56 rreshta me gjashtë vargje, me gjashtë dhe shtatë rrokje dhe është pjesë e shkrimi i vitit 1874. Alfabeti i përdorur në këtë shkrim nuk është shumë i ndryshëm nga ai i përdorur në kopjen e fundit të veprës “Shpata e Skënderbeut në Dibrën e Poshtme”. Gjithashtu, letrat janë shumë të qarta, shkruan Emanuele Giordano.

Më 1888 Bilotta përfundoi mbledhjen e 6000 fjalëve në gjuhën e Frascinetos, në një “Fjalor” prej afro 200 faqesh. Më 18 korrik 1891 mbaroi së shkruari “Historia e qytetit të Frascineto”. Kjo vepër historike është e ndarë në 5 pjesë. E pesta është e paplotë, sepse rrëfimi ndalet në ngjarjet e fundit të shekullit XVIII. Historia e qytetit përbëhet nga 332 rreshta me gjashtë vargje, që janë afro 2000 vargje njëmbëdhjetërrokësh.

Megjithëse kjo punë nuk është e dokumentuar mirë, ajo mbetet një burim informacioni i çmuar, sepse ishin marrë nga traditat e popullit, të cilave arbëreshët ishin dhe janë gjithmonë besnikë.

Ndoshta për të përfunduar “Historinë e qytetit”, Bilotta shkroi veprën, “Zakonet e Frascinetos”, përfunduar në vitin 1894. Në këtë vepër ai përshkruan zakonet, traditat, lojërat, festat që zhvillohen në Frascineto gjatë 12 muajve të vitit. Vepra përbëhet nga 570 vargje treshe me 1710 vargje njëmbëdhjetërrokëshe. Vlera e saj është e madhe, sepse tregon dashurinë e popullit arbëresh për zakonet kombëtare, duke na kthyer në origjinën e tyre ose në Shqipërinë e Skënderbeut.

Në të njëjtin dorëshkrim të datës 26 maj 1894, Bilotta fut gjithashtu “Fejesën, Martesën, Lindjen dhe Pagëzimin”. Të mbledhura, këto pjesë përbëjnë 232 rreshta, me 1329 vargje njëmbëdhjetërrokëshe. Vlerat historike, folklorike, psikologjike, dhe vlerat poetike të kësaj vepre është shumë e madhe, sepse autori transkripton me besnikëri informacionin, duke depërtuar në ndjenjën popullore dhe duke na paraqitur jetën e thjeshtë, të ndershme dhe të ngarkuar të arbëreshëve deri në shekullin XIX. Bilotta është i hidhëruar sepse doganat kanë filluar të harrohen, me modernizimin e shoqërisë njerëzore, pas bashkimit të Italisë dhe thotë: “… por që nga vitet ’60 (1860) njerëzit janë korruptuar/ aq shumë sa çdo sjellje e mirë është prishur dhe rraskapitur!”

Një nga veprat më voluminoze është “Vajza e bukur e botës”, të cilën ia kushton, në shenjë nderimi dhe respekt miqësie, poetit dhe filologut të famshëm arbëresh, Jeronim de Rada, duke i’u kushtuar atij si një dishepull më i përkushtuar. Kjo punë është një roman arbëresh, i përfunduar më 22 shkurt 1895, i cili ka 440 sonete, me 6160 vargje njëmbëdhjetërrokësh. Bëhet fjalë për një djalë të ri, bir mbreti, i cili me një kalë të magjepsur – pasi kërkoi dhe gjeti tre motrat e tij, të cilat u rrëmbyen nga Dielli, Deti dhe Ferri – rrëmben Bukuroshja e Botës, me të cilën më vonë martohet me shumë solemnitet.

Bilotta përfundoi së shkruari një roman tjetër më 16.2.1896, duke e quajtur atë ” Gëzimi i Bukur”, i përbërë nga afro 2000 vargje njëmbëdhjetërrokëshe. Historia tregohet për një mbret, i cili dërgon një kalorës për të kërkuar Bukurinë; por ajo, kur duke qëndruar para sovranit, thotë se dëshiron të martohet me dashur me kalorësin trim, në vend të mbretit të keq dhe dembel, i cili më vonë vritet me vaj të vluar dhe ujë nga Xhehennemi. Në këtë roman autori dënon krenaria e mbretërve dhe lartëson thjeshtësinë e të shtypurve.

Më 4 prill 1903, Bilotta nis “Minos”, një vepër poetike-mitologjike, e cili ka 24 këngë, me më shumë se 8000 vargje njëmbëdhjetërrokësh. Një dorëshkrim tjetër e asaj vepre, me disa shtesa, ka përfunduar më 3-11-1909 dhe ka 37 këngë me 8664 vargje njëmbëdhjetërrokësh. Por Autori ndryshon titullin për këtë, “Skena të tmerrshme dhe të gëzueshme të jetës së përtejme”. Në këtë vepër Bilotta, duke marrë frymëzim nga “Komedia Hyjnore” e Dantes, ftohet nga Fati për të vizituar tre mbretëritë e jetës së përtejme, ku ai mëson fakte të panjohura, takon shumë njerëz të rëndësishëm të historisë së lashtë, dhe gjithashtu njeh disa nga bashkëqytetarët e tij të Frascinetos dhe ai bisedon me ta. Ai filloi një shkrim të tretë të “Minos”, shumë i lëmuar, më 18 prill 1918, por e lë të papërfunduar në pikën e këngës XVIII, në fund të të cilën ai e shënon datën 8 qershor 1918, tetë ditë para se të vdiste papritmas.

Më 30 shtator 1903 përfundoi “Ferri”, një poezi me 10 këngë, e cila është kompozuar prej 3276 vargjesh njëmbëdhjetërrokësh. Në “Ferri”, ai dënon jo vetëm kriminelët e lashtësisë, por edhe bashkëkohësit e tij të këqij. “Jeta e Virgjëreshës”, e përbërë nga 7 këngë nga 1720 vargje pesërrokëshe, përfundoi më 18 maj 1896. Më 31 maj ai gjithashtu përfundoi “Të vdekurit”, ku tregon për fakte të pabesueshme dhe të mbinatyrshme, dhe shfaqjet e të vdekurve; 5 këngët e veprës janë 2000 njëmbëdhjetërrokëshe vargjet. “Historia e Shën Nilos”, murg i shenjtë bazilian i Rossano dhe themelues i Manastirit të Grottaferratta, u shkrua për të përkujtuar 900-vjetorin e vdekjes së Shenjtorit. Vepra ka 122 strova gjashtëvargëshe, njëmbëdhjetërrokësh. Drama komike “Don Kishoti”, 3500 vargje, shtatë e tetërrokëshe, është në vitin 1908. Autori na tregon për aventurat e një shoku utopist dhe të çmendur dhe miq e tij. Më 26 qershor 1916 përfundoi një vepër tjetër me titull “Jeta e Madonës”, e përbërë nga 127 sonete. 200 sonete të tjera me titull “Për shenjtorët që shërbej në Kishë”; janë të datës 21 dhjetor 1917. Përtej kësaj atje është një sasi e madhe fabulash dhe legjendash, këngësh fetare, kronikash, fjalësh të urta dhe diskurse, të shkruara ndërmjet viteve 1870 dhe 1918. Këto kompozime janë bërë nga më shumë se 20.000 vargje. Më 15 dhjetor1905 mbaroi satirën ” Veprat e njerëzve të padenjë”, që e kishte nisur më 15 shtator të po atij viti. Në fund të veprës, Autori shkruan: “Nuk më ka pëlqyer, përdorni stilolapsin për të treguar për veprat e turpshme të njerëzve të padenjë në poezi dhe tregime, por këto vargje i kam shkruar që brezat e ardhshëm, që ata t’i dënojnë”.

Në këtë veprimtari poetike Bilotta pothuajse mblodhi të gjithë historikun, folklorin dhe tradita narrative e popullit arbëresh të Frascinetos, dhe gjithashtu pjesërisht të arbëreshët e Kalabrisë. Për këtë meritat e tij lidhen me shqipen që u la me gjaku dhe për Shqipërinë, që ishin dhe mbeten të shtrenjt për të. Dhe emri i tij do të mbahet mend dhe i lavdëruar nga të gjithë arbëreshët dhe nga mëmëdheu, i dashur dhe i paharruar.

Ai ishte gjithashtu një ndër nismëtarët e dy kongreseve gjuhësore arbëreshe të mbajtura në Koriljano Kalabro më 1895 dhe në Lungër më 1897.

“Shpata e Skënderbeut në Dibër të poshtme”, e e lënë në dorëshkrim u botua në Tiranë më 1967. Bernard Bilota ka lënë pa botuar mjaft vepra me interes për njohjen e zakoneve, jetës e gjuhës së popullit arbëresh.

Në varganin e gjatë të atyre që i kushtuan jetën dhe veprimtarinë e tyre, kulturës, traditës, historisë dhe gjuhës arbëreshe, si pjesë e shqipes dhe shqiptarëve, ku prin; Papa Lekë Matrënga, Imzot Nilo Katalano (1637 – 1694), Papa Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741), At Gjergji Guxeta (1682 – 1756), Imzot Feliçe Samuel Rodotà (1691 – 1740), Papa Nikollë Filja (1693 – 1769), Papa Pal Maria Parrino (1710 – 1765), Imzot Gjergji Stasi (1712 – 1801), Papa Jul Variboba (1727 – 1788), Papa Nikolla Keta (1741 – 1803), Jeronim de Rada (1814 – 1903), Francesco Crispi (1818 – 1901), Papa Anton Santori (1819 – 1894), Papa Dhimitër Kamarda (1821 – 1882), Gavril Dara i Riu (1826 – 1885), Anselmo Lorecchio (1843 – 1924), Zef Serembe (1844 – 1901), Frangjishku Muzaka (1852 – 1931), Zef Skiroi (1865 – 1925), At Nilo Borxhia (1870 – 1942), Papa Tani Petrotta (1882 – 1952), Papa Marko la Piana (1883 – 1958), Imzot Xhovani Mele (1885 – 1979), Papa Dushko Vetmo (1914 – 1999), Papa Domeniko Belushi (1918 – 1988), Lluka Perone (1920 – 1984), Karmell Kandreva (1931 – 1982), Imzot Sotìr Ferrara (1937), Jozef DioGuardi (1940), Paolo Petta (1942 – 1999), Karmine Abate (1954), Françesko Altimari (1955) dhe Matteo Mandalà (1958), ka vendin e vet të pazëvendësueshëm dhe rolin e tij të pamohueshëm edhe Bernard Bilota.

Përgatiti: Albert Vataj

Referenca:

https://www.lanuovacalabria.it/domenica-a-frascineto-si…—albanesi-nel-campo-della-cultura-e-del-patriottismo
https://www.wikiwand.com/…/Arb%C3%ABresh%C3%ABt_n%C3%AB…
https://www.members.tripod.com/egiordano0/16.html

No photo description available.

Like

Comment

Filed Under: Sociale

Përsëri mbi pellazgët

November 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë studiues thonë se Popujt e detit (Filistinët dhe Pellazgët) e kanë prejardhjen nga Minoanët. E vetmja dëshmi për Popujt e Detit është regjistruar në mbishkrimet e faraonëve Merneptah dhe Ramesses III.

Ky është mbishkrimi i Merneptah: Asnjë tokë nuk mund të qëndronte para krahëve të tyre. Një kamp u ngrit në një vend në Amurru. Ata shkretuan popullin e tij dhe toka e tij nuk lulëzoi kurrë më. Ata po shkonin përpara në drejtim të Egjiptit. Konfederata e tyre përbëhej nga Peleset, Shekelesh, Danuna dhe Veshesh.

Mbishkrimi i Ramesses përshkruan ardhjen dramatike të Popujve të Detit në Egjipt. Ata cilësohen si një konfederatë e njerëzve nga ishujt, atdheu i të cilëve ishte trazuar; kishin udhëtuar me anije, shkaktuan kërdi në të gjithë Mesdheun dhe sulmuan Egjiptin. Forcat egjiptiane, të udhëhequra nga Ramesses III i mundën.

Këta pushtues të robëruar më vonë u vendosën në Levant.

Dhe kjo është gjithçka që dimë vërtet për Popujt e Detit. Por mjafton për të konkluduar për origjinën e tyre.

Filistejtë ose Pellazgët janë dy interpretime të mundshme të emrit Peleset që gjenden në mbishkrimet egjiptiane. Popujt e Detit përfshinin njerëz nga më shumë se një kulturë

Zonat rreth ishujve britanikë, Danimarkës dhe Skandinavisë kanë një histori shumë të gjatë të ndërtimit të varkave të sofistikuara. Zbulimi i një platforme 8000-vjeçare në Britani mund të jetë vendi më i vjetër për ndërtimin e varkave i zbuluar ndonjëherë. Ishujt Britanikë në veçanti ishin një burim i rëndësishëm i kallajit për epokën e bronzit, kështu që mund të kishin lidhje tregtare detare në veri e në jug. Popujt që jetonin rreth ishujve duhet të kishin qenë plotësisht të vetëdijshëm për shoqëritë e pasura me të cilat bënin tregti. Edhe ideja se bënin udhëtime dhe angazhoheshin në pushtime e shkatërrime të epokës së bronzit nuk është plotësisht përtej sferave të probabilitetit.

Importi i prodhimeve të tyre ishte i gjerë. Edhe stacioni detar i Athinës në Dor, në Palestinë, kishte lidhje me këtë. Do të dukej si e çuditshme që athinasit të vendosnin një port detar atje nëse nuk kishte një lidhje kulturore ekzistuese më parë.

Historia egjiptiane ka kuptim për njerëzit e detit. Asnjë tokë nuk mund të qëndrojë para ushtrisë së tyre. Ramesses III luftoi disa beteja, por e humbi luftën. Njerëzit e detit zhdukën aborigjenët. Ndoshta, “afrikanët veriorë” të tanishëm janë pasardhës të popujve të detit.

I vetmi informacion vjen nga një burim tjetër egjiptian thotë se disa prej tyre u vendosën në Levant. Nuk dihet se cili ishte fati i të tjerëve.

Nuk ka asnjë ngjashmëri midis Pellazgëve që ishin para grekë dhe palestinezëve të islamizuar dhe arabizuar, nga pushtuesit të quajtur filistinë.

Peles dhe filistinë të ishin dy popuj të ndryshëm me të njëjtin emër. I gjithë rrëfimi i palestinezëve që janë pellazgë është totalisht me origjinë politike. Në fakt, Peleset dhe Filistinët nuk janë pelazgë. Mbishkrimet janë ato që janë dhe të gjitha të dokumentuara mirë. “P” fillestare duket se ka pësuar ndryshim në një fërkim. Një pyetje më e mirë ka të bëjë me “Keftiun” egjiptian. A ishte kjo fillimisht kf-tiu, ku “f” përsëritej një “r”, me fjalë të tjera Kreta, Kretas?

Ka disa popuj të detit. Peleset e Filistejtë janë identifikuar si dy prej tyre dhe ADN-ja u është testuar. Ata ishin me prejardhje indoevropiane.

Filed Under: Sociale

LETËRKËMBIMI I STUDIUESVE TË KOSOVËS ME PROFESOR ÇABEJN

November 9, 2023 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Përmbledhje: Interesimin e studiuesve të Kosovës për vep¬rën e Çabejt në vitet ’70 e kanë shprehur edhe numri i madh i letrave e kartolinave që ata ia kanë dërguar Profesor Çabejt nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë që letërkëmbimi, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë, ishte me pasoja. Në letërkëmbimin e tyre diskutohen një varg çështjesh gjuhësore, historike, etnologjike, kulturore dhe familjare.

Në studimet albanologjike duket sikur epistemologjia nuk ka zënë vendin e duhur të trajtimit, por po të gjurmohet më thellë dhe më kujdesshëm, nuk është vështirë të shihet se ajo është e pranishme gjerësisht në dokumentet e saj .

Shumë çështje të diskutueshme të fatit të krijuesve shqiptarë të Rilindjes Evropiane (Bardhi, Budi, Bogdani) janë trajtuar dhe vazhdojnë të rizbulohen mbështetur kryesisht në epistemologjinë e tyre apo të bashkëkohësve të tyre, e cila në rrethanat e reja ka marrë vlerën e dokumentit.

Në studimet albanologjike epistemologjia merr vlera të veçanta në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Studiuesit shqiptarë të kulturës materiale e shpirtërore të shekullit XIX, një letër të Naum Veqilharxhit e kanë vendosur në shtegun e fillimit të Rilindjes Kombëtare. Në rrethanat historike në të cilat u zhvillua Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që në të vërtetë ishte Lëvizje ushtarake, politike, arsimore dhe kulturore, sidomos në hapësirën e gjerë euroaziatike në të cilën u zhvillua ajo, hulumtimi dhe studimi i epistemologjisë ndërmjet rilindësve shqiptarë që jetonin në hapësirën aziatike, sidomos atyre në hapësirën evropiane (Itali), ishte dhe është e një rëndësie vendimtare. Edhe më vonë vlerësimi i rëndësisë së epistemologjisë nuk ka munguar, por është theksuar kryesisht vetëm në kontekst të pasurisë së saj: letërkëmbimi i pasur i Jeronim de Radës, Sami Frashërit, Elena Gjikës, sidomos Faik Konicës. Gjurmime të kësaj pasurie pjesërisht janë bërë edhe në arkivat personale, shkencore dhe shtetërore të albanologëve të proveniencës austro-gjermane: Gustav Majer, Norbert Jokli etj., ndërsa konsiderohet e një interesi të veçantë epistemologjia shumë e pasur e studiuesve dhe krijuesve të gjysmës së parë të shekullit XX.

Në këtë rrjedhë unë kam bërë kërkime kryesisht në epistemologjinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, në krye të të cilëve qëndrojnë Profesor Jup Kastrati dhe ‘qarku i ndaluar’ i gjuhëtarëve shkodranë. Letërkëmbimi i Profesor Kastratit me studiuesit e këtij qyteti (sidomos Justin Rrotën), studiuesit vendorë (Profesor Mahir Domin dhe Profesor Eqrem Çabejn), me studiues nga Kosova dhe pothuajse të gjithë albanologët në vend dhe në botë, është i një rëndësie të madhe për studimet albanologjike, si dhe rrethanat historike në të cilat është zhvilluar ajo. Ndonëse për nga numri shumë herë më i vogël, (sipas të dhënave më të reja, rreth 1 000 njësi) për studimet albanologjike dhe zhvillimet e saj, letërkëmbimi i Profesor Çabejt është po kaq i rëndësishëm. Komunikimi i tij i dendur me albanologë dhe linguistë nga e gjithë bota shkencore, i cili pritet të botohet i skanuar në 100-vjetorin e lindjes së tij, do ta sjellë portretin e plotë të vlerave të tij njerëzore në një kohë të mungesës së plotë të komunikimit të brendshëm, aq më pak ndërkombëtar .

Vazhdimi i një tradite

Në qoftë se i referohemi faktit se epistemologji quhet jo letërkëmbimi publik i dy e më shumë personave, apo personit dhe institucioneve, por letërkëmbimi intim i dy a më shumë personave, sepse letrat e kësaj natyre më vonë marrin vlerat e dokumentit, atëherë letërkëmbimi i studiuesve nga Kosova dhe përgjithësisht nga ish-Jugosllavia me Profesor Çabejn, i plotëson pikërisht këto kërkesa të natyrës teorike për disa arsye:

Komunikimi ndërmjet studiuesve të Kosovës dhe Profesor Eqrem Çabejt bëhet në rrethana politikisht, kombëtarisht dhe kulturalisht të vështira, për të mos thënë të kontrolluara nga shumë institucione politike, shkencore dhe shtetërore. Ai nis në fillim të viteve ’70, pak vite pasi kishte filluar botimi i studimeve të tij për personalitetet , letërsinë arbëreshe, letërsinë e vjetër, sidomos vendin, gjenezën dhe formimin e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, por shtohet në mënyrë të veçantë pas ribotimit të librit “Për gjenezën…” dhe iniciativës për botimin e veprave të plota të tij në Prishtinë. Në të vërtetë, i gjithë komunikimi i takon kësaj dekade, pra fillon në vitin 1970, kur Rexhep Qosja ia dërgon librin e tij “Antologji e lirikës shqipe”, me përkushtimin: “Prof. Eqrem Çabejt me ndjenjat e përkushtimit dhe të respektit më të sinqertë, R. Qosja, 13. 10. 1970, Prishtinë”. Letërkëmbimi fillon në vitin 1971, me një letër të Mehmet Gejvorit nga Prishtina, me një letër dhe një kartolinë të Rexhep Ismajlit nga Parisi, dhe mbyllet në ditët e fundit të jetës së tij në vitin 1980, me një letër e një kartolinë të Hasan Mekulit nga Igumenica (Greqi), një kartolinë të Haxhi Krasniqit nga Prizreni, një kartolinë të Nazmi Shurdhanit nga Gjermania demokratike, si dhe një letër të Skënder Gashit nga Prishtina.

Megjithatë, një rrethanë është favorizuese në këtë kohë. Është koha kur mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë zhvillohen, ose përpiqen të zhvillohen marrëdhënie të mira politike dhe fqinjësore, mbështetur kryesisht në nevojat e shqiptarëve të Kosovës. Është koha kur në ish-Jugosllavi bien nga skena politike dhe policore disa personalitete serbe, të cilët që nga viti 1944, në emër të Beogradit, në Kosovë kishin udhëhequr një sistem të dorës së fortë policore-ushtarake. Kjo është koha e një lëvizjeje arsimore, kulturore dhe shkencore, me përpjekje të botimit të arritjeve më të reja letrare, arsimore dhe shkencore në Tiranë. Në këtë kohë arrihet marrëveshja ndërmjet Universitetit të sapothemeluar të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, për mbajtjen e ligjëratave nga profesorë të Tiranës. Një prej profesorëve të Tiranës, i cili më shumë se një profesor universitar, më shumë se një shkencëtar me përmasa kombëtare dhe evropiane, bëhet një hero, për të mos thënë një mit, që përcillet nga studentët, profesorët dhe intelektualët shqiptarë nga Universiteti në hotel dhe anasjelltas është profesor Eqrem Çabej. Në këto rrethana, sigurisht bëhet edhe këmbimi i adresave mes komunikuesve të parë, për të mos thënë të gjithë atyre që në një mënyrë apo një tjetër kërkojnë mundësinë për t’i dërguar mesazhet e tyre në adresë të Profesor Çabejt. Prej vitit 1971 deri në vitin 1980, ku më shumë e ku më pak, me Profesor Eqrem Çabejn shkëmbejnë letra apo kartolina: Anton Çetta, Anton Nikë Berisha, Eric Hamp, Gani Bobi, Hasan Mekuli, Haxhi Krasniqi, Ibrahim Rugova, Isa Bajçinca, Ismail Dumoshi, Ismajl Doda, Mehdi Bardhi, Mehmet Gjevori, Murat Blaku, Nazmi Shurdhani, Rexhep Ferri, Rexhep Ismajli, Rrahman Dedaj, Skënder Gashi, Vehap Shita dhe Zef Mirdita. Një kartolinë e shkruar nga Greta Dellçeva, (nënshkruar edhe nga Mehdi Bardhi, Isa Baj-çin¬ca, Imri Badallaj, Oda Buchholz, Dalibor Brozoviq, Wilfried Fied¬ler, Johannes Faensen, Rexhep Ismajli, Leonard Newmark, Papa Ema¬nuel Jordani, Irina Voronina, dhe Galja Bregibova), grup seminaristësh dhe profesorësh në ditët e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, paraqet një dëshmi tjetër të dorës së parë në letërkëmbimin me Profesor Çabejn .

Diskutime shkencore dhe kërkesa kolegiale

Komunikimi ndërmjet tyre intimizohet edhe për faktin se letërkëmbimi ndodh në rrethana shumë të veçanta: nga konferencat shkencore, nga institucionet arsimore dhe shkencore në ish-Jugosllavi dhe Evropë. Në këtë grup mesazhesh hyjnë kryesisht letrat e Profesor Rexhep Ismajlit, Ismail Dodës dhe të Skënder Gashit.

Mbështetur në tekstet e letërkëmbimit të studiuesve të Kosovës dhe Profesor Çabejt, ne këtu mund të bëjmë një tipologji të interesimeve të tyre për komunikim, e këto janë:

• Tema e madhe e botimit të veprave të plota të tij (Mehmet Xhevori , Rrahman Dedaj dhe Ahmet Kelmendi);

• Interesimet thjesht personale të studiuesve (Anton Nikë Berisha , Haxhi Krasniqi ) dhe

• Tema e interesimeve shkencore, e cila i kapërcen interesimet personale të njërit apo tjetrit dhe merr përmasa të interesimeve të përgjithshme albanologjike (Rexhep Ismajli , Ismajl Doda dhe Skënder Gashi ).

Letërkëmbimi mes Profesor Çabejt dhe redaktorëve e drejtuesve të projektit të botimit të veprave të plota të Profesor Çabejt në Shtëpinë Botuese “Rilindja” hap mundësinë e identifikimit të plotë të bartësve të vërtetë të këtij projekti të rëndësishëm përtej interesave thjesht albanologjike. Prej letërkëmbimit me Profesor Çabejn mund të shihet qartë se ky projekt i përmasave kombëtare është drejtuar nga vetë Profesor Çabej, e jo nga individë apo grupe të caktuara, që përtej interesimeve gjuhësore, qenkan udhëhequr nga ideologjia e vetëdijesimit të kombit, në mos bërjes së tij.

Prej letërkëmbimit të studiuesve nga Kosova del se ideja e përgatitjes së veprave të Profesor Çabejt ka dalë si rezultat i një studimi monografik të Profesor Jup Kastratit, botuar disa vjet më parë në Buletinin e Universitetit të Shkodrës (1965), por që kishte arritur në Bibliotekën e Kosovës në vitin 1971.

Përjashto letërkëmbimin edhe të studiuesve të tjerë, si Ahmet Kelmendi, Skënder Gashi, Nazmi Rrahmani etj., i cili, përveç me probleme të botimit të veprës së tij, lidhet edhe me miqësinë personale, serinë e komunikimit me këtë temë e mbyll Rrahman Dedaj (kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve), i cili, më 6. X. 1975, e njofton Profesorin e nderuar se vepra e tij ishte kryer së radhituri dhe ishte dërguar në shtyp, me mundësi që në vëllimin e fundit (VI) të përfshiheshin edhe studime të tjera.

Ky fakt del edhe mbështetur në letrën e njërit prej redaktorëve kryesorë të “Rilindjes”, Mehmet Gjevorit, më 26 tetor 1971, të cilën ai e ka shkruar në emër të Redaksisë së Botimeve “Rilindja”, për ta marrë mendimin rreth mundësisë së botimit të veprave të plota të tij. Në mesazhin e tij nga Prishtina, të datës 26. X. 1971, Mehmet Gjevori e njofton Profesor Çabejn se Redaksia e “Rilindjes” “mendon që në planin botues të vitit 1972, të cilin është duke e përpiluar, të parashohë botimin komplet të veprave tuaja me një përgatitje shumë të mirë teknike. Për këtë punë, dmth. për mbledhjen e materialit dhe sistemimin e ndarjen e tij në disa libra, Redaksia mendon të ngarkojë 2-3 bashkëpunëtorë të jashtëm si dhe një redaktor të Shtëpisë sonë botuese” . Njëkohësisht, Gjevori e njofton Profesor Çabejn se në këtë punë kaq serioze e me rëndësi, ndihmën më të madhe do ta kishim drejtpërdrejt prej tij si autor. Njëkohësisht, kujton Gjevori, disa punimeve të mëparshme do t’u bënte “tani diku-diku ndonjë përmirësim a redaktim i nevojshëm”. Në mesazhin e tij Gjevori dëshironte ta merrte pëlqimin e mendimin e tij, njëherësh edhe sugjerimet rreth gjetjes dhe sistemimit të tërë punimeve shkencore të Profesor Çabejt .

Lajmin për fillimin e përgatitjes së gjashtë vëllimeve të veprave të Çabejt e gjejmë tre vjet më vonë, në një letër të Mehmet Gjevorit. Letra sqaron edhe disa gjëra të diskutueshme shumë vjet me radhë pas vdekjes së Çabejt: kush e përgatiti veprën e tij, në të vërtetë kush e ndërtoi konceptin e radhitjes së temave dhe vëllimeve të veprës së tij, Jup Kastrati (i cili propozohej në fillim nga Prishtina), vetë Eqrem Çabej, Ahmet Kelmendi, për të cilën ai shpesh ka deklaruar se e ka bërë, apo Redaksia e Rilindjes. Le t’i referohemi letrës së Mehmet Gjevorit.

Në letrën e tij dërguar Profesor Çabejt, Gjevori së pari na njofton se tekstet e tij Profesor Çabej i dërgonte në rrugë të ndryshme, kryesisht dora-dorës: “artikujt që na keni dërguar me Rrahmanin (Dedajn, v. j.) dhe Din Mehmetin i kemi marrë”; së dyti, se ai ishte vetë përgatitësi dhe sintetizuesi i veprave të tij (“Ju e keni kopjen e listës së punimeve, ndarë në gjashtë libra. Prandaj ju kisha lutur t’i hidhni një sy e të na shkruani mos është shënuar me tjetër titull”); dhe së treti, sepse në këtë kohë “libri i parë dhe i dytë janë radhitur. Korrekturën e tyre po e bën Sulejmani (Drini, v. j.). Mbështetur në kërkesat e Mehmet Gjevorit, vetëm vëllimi i gjashtë nuk ishte kompletuar, sepse “Për librin VI na duhet material edhe më” .

Po në këtë kohë një letër për shpjegime dhe plotësime Profesor Eqrem Çabejt ia dërgon edhe kryeredaktori i “Rilindjes”, Rrahman Dedaj, i cili kërkonte disa sqarime: Te Prapashtesat e gjuhës shqipe, “në faqen 96, nr. 151 – ua – ue, në fund të faqes mungojnë disa fjalë greqishte”; te artikulli Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e emrave të vendeve, “në faqen 222 mungon fusnota nr. 7”; te artikulli Histori gjuhësore dhe strukturë dialektore e arbëreshëve të Italisë, “faqe 26 nuk ka shpjegim fusnota 59”; te artikulli Çështja e prejardhjes së ngulimeve arbëreshe të Italisë në dritën…, “harta që gjendet në faqen 24 nuk është e qartë e nuk i lexohen shkronjat”, prandaj kërkohej të dërgohej një hartë tjetër ku duken qartë emrat e shënuara në të. Në letrën e tij Rrahman Dedaj kërkonte që “brenda muajit tetor të na dërgoni sqarime të plota me shkrim me anën e postës”, ndërsa “bashkë me këto sqarime, nëse kishte të gatshme, mund të dërgoni edhe ndonjë punim tjetër që ka të bëjë me librin VI” .

Të një qëllimi dhe të një përmase tjetër ndjenjore, kulturore dhe shkencore janë mesazhet e studiuesit Anton Berisha dhe Skënder Gashi. Pasi e kishte botuar një artikull studimor për kontributin e Profesor Çabejt, Anton Berisha gjente rastin që nga Gottingeni t’i dërgonte një letër me dy-tri fjalë nderimi e respekti dhe një separat të studimit të tij, të botuar tek e përmuajshmja shkencore e Prishtinës “Përparimi”, në “të cilin ishte botuar edhe një punim i tij tejet modest për mendimin e Çabejt mbi disa probleme të letërsisë sonë gojore” . “Ju pata bërë me dije qysh në Tiranë (në ekspeditën shkencore me prof. Latifin (Mulaku, v. j.) – maj – qershor 1978), – shkruan Anton Berisha, – se jam duke shkruar diçka rreth mendimit Tuaj mbi letërsinë gojore. Një punim u botua ne “Rilindje” (i nxitur nga rrethanat e momentit apo, më mirë, lidhur me kontekstin kohor – aktual; besoj se ju ka ra në dorë), një version i shkurtër i punimit që po ju dërgoj. Pastaj, iu përvesha ngulshëm punës dhe e përgatita për ‘Përparim’ këtë version. Çka kam menduar rreth disa pikëpamjeve Tuaja mbi letërsinë tonë gojore e jo vetëm mbi të, me një mënyrë ose në një tjetër e kam thënë. Këtu më mbetet të theksoj se do ta ndiej veten aq fatlum nëse do të kem arritur të depërtoj dhe ta shkoqis sadopak mendimin Tuaj mbi disa probleme aq komplekse të artit të fjalës së folur. Them kështu, sepse vetëm ai që depërton thellë në mendimin Tuaj do të shohë drejt se sa vështirë është ta prezantosh e le më ta interpretosh mendimin e shkencëtarit e studiuesit që ka një begati dije e invencion, gjë që shihet sa qartë kur njeriu ka parasysh problemet komplekse që shtrohen dhe mënyrën e qasjen e të interpretimit” .

Në komunikimin e studiuesve nga Kosova një vend të veçantë zë studiuesi, atëherë shumë i angazhuar në fushë të hulumtimit të toponimisë, Skënder Gashi. Përmasat e këtij komunikimi Gashi i shpreh jo vetëm në letrat e tij, po edhe në kartolinat përshëndetëse.

Në letrën e parë Gashi uron Profesor Çabejn për rrugëtimin e mbarë nga ato udhëtimet mjaft të pasura shkencore që bënte Profesor Çabej në Prishtinë dhe në institucionet shkencore të gjuhësisë së përgjithshme në qendrat ndërkombëtare të Evropës. Në letrën e tij nga Vjena, studiuesi i pasionuar i gjurmimeve albanologjike e njoftonte se vazhdonte punën duke gjurmuar literaturë “që nuk e kisha njohur më parë apo që nuk pat mundësinë ta shfrytëzonte në Prishtinë, duke e plotësuar versionin e fundit të tezës së disertacionit”. Mirëpo në këtë gjendje përfundimtare të sintezës së disertacionit të tij Skënder Gashit i mungonte një prapashtesë sllave: “një gjë që më mundon e që nuk po mundem t’i jap rreh është prania e sufiksave sllavë – ce e – vic (përkatësisht) -ovit ndër emra lokalitetesh që në të vërtetë janë toponimizimi i emrave të vëllezërve shqiptarë. Më patët thënë, shkurt, se prapashtesa (o) – vit është prapashtesë greke. Po të mund të dëshmohej kjo gjë, atëherë përfundimi që do të nxirja në tezën e disertacionit do të ishte me rëndësi për onomastikën e Kosovës”, shkruante Gashi. Prandaj studiuesi ynë i lutej patriarkut të albanologjisë jo vetëm t’ia dërgonte përgjigjen, por atë ta shoqëronte edhe me literaturë të hollësishme, “me theks të veçantë në fushën e formimit të emrave të vëllazërive” .

Prej letrës së dytë të Skënder Gashit, që njëkohësisht është edhe letra e fundit e tij për Profesor Çabejn, kuptojmë se kërkesat e tij për probleme të thelluara gjuhësore (sufiksat sllavë të toponimisë dhe sidomos patronimisë shqipe), kuptojmë se Profesor Çabej i është përgjigjur nga shtrati ku po kurohej në një spital të Romës. Kjo është arsyeja që falënderimi i Skënder Gashit në letrën e tij kap tri përmasa të rëndësishme edhe për tekstin tonë: përmasën etike të bardit të albanologjisë (“Gëzohem shumë që tani shëndeti ju shkon mbarë. Ky gëzim nuk është vetëm i imi, porse i të gjithë neve që të Ju shohim punëtorin e palodhshëm dhe njëkohësisht burimin e pashtershëm të këshillave të papritueshme dhe të ndihmës së pakursyeshme për të gjithë që përpiqen t’ia shtojnë kalasë së dijes albanistike edhe nga ndonjë gurë”); përmasën shkencore të bindjes së tij në vërejtjet e përcjella në një kartolinë të shkruar në shtratin e kurimit, ndonëse pa literaturën përcjellëse, sikur kërkohej (“Kartolina Juaj, e shkruar në klinikë të Romës nga shtrati ku shëroheshit, lidhur me prapashtesën -ovit mbetet për mua shembulli madh i sakrificës dhe i ndihmës suaj për të rinjtë) dhe kërkesat e reja. Së këndejmi, marr guximin që edhe kësaj radhe me respekt të thellë t’Ju lutem për sqarimin e dy çështjeve: 1. një katund i anës së Bujanovcit quhet Lapardincë. A mund të jetë emri i këtij katundi i së njëjtës gurrë gjuhësore prej nga heq rrënjët emri i vendit Lapardha i Shqipërisë dhe si mund të sqarohen këta emra?; 2. Ndër burime raguzase të mesjetës së vonë del se banorët e viseve shqiptare mbanin edhe antroponimin Vok. Ky emër do të jetë mbase i dalë nga mbiemri shqiptar (i) vogël (si edhe mbiemrat Vogli, Voka, Vokrri, Voca, Bocrri). A mundet që në këtë familje emrash të hyjë edhe toponimi Voksh?” .

Letërkëmbimi Çabej – Ismaili

Në letërkëmbimin e tij me Profesor Çabejn vendin kryesor zë Profesor Rexhep Ismajli jo vetëm për shkak të numrit të madh të letrave dhe të kartolinave, por edhe për shkak të temave të shumta e serioze me të cilat merret në letrat e tij. Prej letërkëmbimit të tij mund të shihet se ky komunikim fillon në vitin 1970 dhe vazhdon pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së Profesor Çabejt.

Të para në një linjë të gjerë, diskutimet mes Profesor Çabejt dhe Profesor Ismajlit kapin tri çështje të mëdha: orientimet shkencore të Profesor Ismajlit në Paris dhe ndihma e Profesor Çabejt në caktimin e temës së doktoratës, e në këtë rrjedhë edhe të diskutimit të problemeve gjuhësore të historisë së shqipes e të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanike; botimi i veprës së Çabejt në Prishtinë dhe çështja e një Parathënie “tjetër”, si dhe gjendja e studimeve albanologjike në disa nga institucionet shkencore, sidomos në Gjermani, të lidhura ngushtë edhe me bartësit e tyre.

Çështja e parë, orientimet shkencore të Profesor Ismajlit në Paris, nën përkujdesjen e Profesor Çabejt, hedhin dritë edhe në orientimet shkencore të Profesor Çabejt dhe qëndrimit të tij ndaj personaliteteve shkencore të shkollave moderne (Martinet etj.) emrat e të cilëve ishin të padëshiruar në shkencën shqiptare. Profesor Ismajli këtë ndihmë, që nuk ishte e rastit vetëm për të, por për gjithë brezin e ri, përkatësisht të tij, e ka theksuar edhe më parë, madje duke sjellë edhe ndonjë fragment letre të tij . Diskutimet e Profesor Çabejt dhe udhëzimet që ia dërgonte Profesor Ismajlit në lidhje me temën që duhej ta diskutonte me Profesor Martinet, na dëshmojnë se bibliografia e vendosur në veprat e Çabejt nuk përfaqëson gjithnjë kulmin e dijes së tij në shkencën e linguistikës. Përkundrazi, ai përcillte dijen më të re të kohës edhe atëherë, kur emrat si Sosyr, Martinet, Sapir etj., shkenca zyrtare shqiptare i përjashtonte nga letrat shqipe nën pretekstin se ata përfaqësonin shkencën borgjeze të Evropës.

Botimi i kompletit të veprave të Profesor Eqrem Çabejt në Prishtinë ka qenë një prej projekteve më të mëdha, në mos më i madhi, madje më i vështiri në fushë të botimeve shqipe në Prishtinë deri më sot. Kjo është arsyeja pse kjo temë do ta zinte vendin e merituar në komunikimin e Rexhep Ismailit dhe Eqrem Çabejt, i cili fillon me urimet e zakonshme, vazhdon me njoftimet për mirëpritjen e tij në hapësirën shqiptare, madje me përpjekjen për popullarizimin e tij jashtë hapësirës shqiptare dhe shkon deri te komentet intime të tyre. “Para pak ditësh, shkruan Ismajli, pata një kërkesë nga Zagrebi që të shkruaj diçka për veprat Tuaja. Meqenëse e di se ajo revistë nuk ju vjen në Tiranë (është revistë kulturore ‘Oko’ , në të deri tash janë prezantuar shumë çështje të kulturës shqiptare, ndër të tjera, vetë kam prezantuar edhe Kadarenë dhe Fatos Arapin si poetë, e pastaj në një numër edhe poezinë e sotme arbëreshe), vendosa t’Jua dërgoj kopjen e dorëshkrimit. Nuk kam mundësi tash ta përkthej, por kujtoj se kjo s’ka rëndësi. Më falni që në kopjen që u dorëzua për botim janë bërë disa ndryshime, shtesa, e këtu s’pata mundësi t’i vë. Më gëzoj shumë fakti se edhe ata e kanë hetuar rëndësinë e këtij botimi dhe duan të flasin për të”.

Në komunikimin e përditshëm në Prishtinë, shumë kohë pas botimit të veprave të Profesor Çabejt, jo një herë është theksuar një ‘si dëshirë’ e Profesor Çabejt që Profesor Rexhep Ismajli të merret me përgatitjen e veprës së tij. Tani ne këtë nuk mund as ta pohojmë as ta mohojmë dhe ky nuk është as qëllimi ynë. Këtu duam të sjellim një fakt që del nga letërkëmbimi i tyre: pakënaqësinë e Profesor Ismajlit me Parathënien e vendosur në vëllimin e parë nga Akademiku Idriz Ajeti, e cila, sipas tij, duhej të ishte “pak më eksplicite duke nisur nga metoda e deri te pikëpamjet për problemet kryesore”, si dhe gatishmërinë e tij, po të kishte kohë, që në një botim tjetër të merrej me përgatitjen e “një biografie me një parathënie të njerëzishme”.

Një temë tjetër që del në letërkëmbimin e tyre, sigurisht nga më të rëndësishmet, është gjendja e studimeve albanologjike në hapësirën evropiane. Është koha kur Profesor Çabej nuk mungon në aktivitetet shkencore me karakter ndërkombëtar, por për shkak të qëndrimit zyrtar që diktohej në jetën shkencore, nuk ishte e mundur ta shihte gjerësisht lëvizjen shkencore, përmasën e përfshirjes së shqipes në ligjëratat dhe diskutimet shkencore në katedrat e institucioneve arsimore dhe shkencore, si dhe nivelin e angazhimit të ligjëruesve të shqipes, të ballkanistikës dhe të indoevropianistikës. Në anën tjetër, Profesor Ismajli, një studiues i ri dhe me mundësi të pakufishme angazhimesh, lëviz nga njëri seminar në tjetrin dhe nga njëri institucion shkencor në tjetrin jo vetëm në hapësirën ballkanike, por edhe evropiane. Në këtë rrugëtim ai i dërgon Profesor Çabejt informata të gjëra për botimet albanologjike dhe ato me interes për linguistikën përgjithësisht , por edhe “mungesën e shqipes në ligjëratat e studimeve krahasuese, të cilat i ndiqte në Francë, Austri e Gjermani, për botimet e reja me interes edhe për gjuhësinë historike e standardin e shqipes, por edhe për degjenerimin politik të ndonjë lektorati, si ai i Bochumit, të cilin e udhëhiqte Profesor Dodići.

Sigurisht, një prej temave interesante për të cilat shkruajnë në letërkëmbimin e tyre Eqrem Çabej dhe Rexhep Ismaili janë edhe diskutimet rreth teksteve të Rexhep Ismailit me mundësi botimi në Tiranë dhe vështirësive që i dalin gjatë periudhës së parë të kërkimeve të tij shkencore në fushë të dijes në Paris , si dhe në fushë të arritjeve shkencore në Prishtinë.

Letërkëmbimi Eqrem Çabej – Ismail Doda

Letërkëmbimi i studiuesit nga Arbneshi, një oazë etnike, arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Mal të Zi, Ismail Dodës, fillon me një letër mjaft të gjatë prej gjashtë faqesh, të cilën ai ia nis Profesor Eqrem Çabejt, nga Arbneshi, më 30.6.1975.

Në tërësinë e komunikimit të studiuesve shqiptarë nga ish-Jugosllavia, letërkëmbimi i Ismail Dodës dhe Eqrem Çabejt paraqet pjesën më të pasur të diskutimeve shkencore.

Në letrën e tij të parë Ismail Doda ia kujton Profesor Eqrem Çabejt, se njohja e tyre kishte filluar më 1972, gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, ndonëse nëpërmjet literaturës e njihte që më parë. “Prore i mbaj në zemër këto kujtime. Ndaj sinqerisht ju falënderoj mbi gjithë atë që i dhatë kombit dhe shkencës sonë. Njëkohësisht ju uroj shëndet dhe suksese edhe në të ardhmen!” – shkruante Doda. Në këtë rrjedhë, në letrën e tij e njoftonte mjeshtrin e tij se kishte njohuri për punën që po bëhej në Prishtinë për botimin e veprës së plotë të tij, prandaj shprehej “me padurim e pres botimin e kompletit të veprave Tuaja”.

Një paragraf më vete në mesazhin e tij paraqet përshkrimi i situatave tragjike në familjen e tij (vdekja e vajzës njëvjeçare, e babait, e sëmundjes së rëndë të gruas etj.), të cilat, shkruan Ismail Doda, “u orvata t’i përballoj me durim dhe punë sistematike”. Se përpjekjet e tij vërtet ishin “sistematike”, dëshmojnë edhe të dhënat mjaft të pasura të punës së tij në këtë kohë. Gjatë kësaj kohe, pavarësisht gjendjes së rëndë familjare nëpër të cilat kalon dhe pavarësisht prej detyrave të shumta që i dalin në administrimin e shkollës, të cilën e drejton, Ismail Doda njofton Profesor Çabejn se, përkundër vështirësive, me punë sistematike dhe “vullnet të çelikosur” po përpiqej t’i kontribuonte vendit dhe shkencës albanologjike, ndërsa konsultimet dhe këshillimet, qofshin ato edhe përmes korrespondencës, ishin të një vlere të madhe. Është kjo koha kur Ismail Doda vjelë toponomastikë, frazeologji, folklor dhe fjalë të rralla, trajta nëndialektore etj., ndërsa po përgatitej të merrej me një projekt mjaft serioz në fushë të gjuhësisë shqiptare: studimin “Rreth përkimit të gjuhës së Buzukut me ligjërimet e Krajës dhe të Shestanit”, të cilën ia kishte sugjeruar Profesor Çabej më 8.12.1972 gjatë ditëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”.

Mirëpo, shkruan Doda, “momentalisht jam duke shkruar një punim mbi poezinë popullore shqiptare të Krajës për Kongresin e Folkloristëve Jugosllavë, që do të fillonte më 28 gushti 1975 në Zhablak të Malit të Zi”, dhe në këtë përpjekje të tij për të përgatitur një studim sa më sintetik dhe sa më përmbajtjesor, i dilnin disa probleme të natyrës terminologjike, kuptimore dhe historike e kulturore.

Çështja e parë për të cilën ai dëshironte të diskutonte ishte toponimi apo sikur e quante ai termi Krajë, sepse serbët e quanin Krajina. Në të vërtetë letra e Dodës hap një informacion shumë sintetik dhe saktësues për politikën serbe që udhëhiqej ndaj kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi, sidomos ndaj trashëgimisë gjuhësore të shqiptarëve në Mal të Zi.

Ismail Doda në letrën e tij dëshmon për fillimet e krijimit të trajtës serbe për emërtim të Krajës si Crnogorska Krajina. Për dallim prej Bosanska Krajinës, Negotinska Krajinës etj., shkruan Doda në letrën dërguar Profesor Çabejt, këtë (Malësinë e Mbishkodrës, v. j.) kanë zënë ta quajnë Crnogorska Krajina, në vend se të quanin Skadarska Krajina. Unë mendoj ta quaj Krajina (me shënim se në shqipe quhet Krajë-a) na Skadarskom jezeru, që do të thotë Kraja mbi Liqe të Shkodrës . Por, nuk është krejt me vend sa ky emërtim, më se di unë, para ardhjes së sllavëve në këto anë kjo krahinë u quajt Lugina e Rromeneut, sipas malit Rumia. Një shpjegim i tillë jepet në Acta Albaniae II, dok. 770:. 239. Çka mendoni Juve?

Pasi shpjegonte anët historike, etnografike dhe analizën ideo-estetike e fatin historik të heronjve të tyre, Doda e njihte Profesor Çabejn me disa materiale “mjaft kontestuese”, që të tilla vazhdonin të qëndronin që nga fillimi i shekullit XX dhe vazhdojnë të jenë në disa përmasa edhe sot. Në letrën e tij Ismail Doda kontestuese i shihte përpjekjet e studiuesve serbë për “ndikimin e këngëve popullore – kreshnike në ato shqipe, posaçërisht gegënishte, si dhe termin kreshnik, të cilin shumë shkencëtarë e konsiderojnë me prejardhje serbe”.

Mbështetur në të dhënat e hulumtuara të tij, kryesisht të materialeve të proveniencës sllave: Pavle Mijoviq, Alojz Shmaus, Radosav Medenica etj., studiuesi Ismail Doda kërkon “sqarime mbi këto mendime të këtyre shkencëtarëve”, madje edhe të një natyre që kapin përmasa të paimagjinueshme edhe për një shkencëtar si Profesor Çabej, prej të cilit kërkonte që ‘mundësisht, të njoftohej se kush ka shkruar dhe publikuar këngë nga Kraja dhe Shestani në shqipet apo edhe në gjuhë të huaja, prej kohëve të vjetra gjer më tani’(!) Me këtë rast, – vazhdonte kërkesat e tij Ismail Doda, – të më tregoni titullin e këngës, materialit, numrin e revistës, veprën, faqen, vaktin e botimit, botuesin dhe kërkesat e tjera shkencore, duke dhënë edhe mendimin Tuaj mbi to, nga aspekti ideo-estetik dhe stilistik’(!) Mbase është me interes jo vetëm për kërkuesin e kësaj letre, po edhe për studimet çabejane përgjithësisht, shënimi i Dodës në letërkëmbimin e tij, për “disa këngë popullore të Krajës të mbledhura, nga Çabej dhe të deklaruara prej tij gjatë takimit të tij me Dodën në vitin 1972. Më sa më kujtohet, ato i keni shënuar nga një kranjan gjysmë analfabet që jeton në RP të Shqipërisë. A mendoni t’i botoni së shpejti dhe kund? Edhe për to të më shkruani diçka”. Kërkesat e Ismail Dodës për Profesor Çabejn shkojnë deri atje sa ai kërkon hulumtime të tij te revistat “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, të ndaluara edhe për kërkimet etimologjike të Profesor Çabejt.

Letra e parë e Ismail Dodës mbyllet edhe me kërkesa të tjera të natyrës teknike dhe shkencore: “Pres sugjerime dhe ndihmesë rreth titullit të kumtesës, metodologjisë së punës dhe mundësisht rreth dërgimit të ndonjë literature përkatëse”.

Profesor Çabej i përgjigjet letrës së parë të Ismail Dodës pas rreth dy muajsh, duke i kërkuar njëkohësisht edhe ndjesë për vonesën. Në letrën e tij, Eqrem Çabej shpreh dhembjen e tij për humbjen e vajzës dhe babait, por edhe gëzimin për Shpresën e sapolindur. Në letrën e tij Eqrem Çabej gjithashtu e përgëzon për punën e bërë në mbledhjen e visareve folklorike, gjuhësore e toponimike të Krajës, ndërsa ndalet në mënyrë të veçantë, duke ia pohuar mendimin e dyshuar të tij për prejardhjen e emrit kreshnik: “Për sa i përket emrit kreshnik nuk ka dyshim se rrjedh prej sllav. Krajsnik dhe kuptimi i parë i fjalës ka qenë ‘kufitar’, pastaj mori zhvillim të mëtejmë në gjuhën shqipe”. Interesim të veçantë Profesor Çabej tregon edhe për çuarjen përpara të përpjekjeve të Dodës në lidhje me të folmen e Krajës, prandaj e nxit më tej duke i premtuar se do t’ia dërgonte edhe një ekzemplar të “Mesharit” për krahasim, ndërkohë që “tash për tash nuk mendoj të botoj këngët e Shestanit që kam në dorëshkrim”, përfundon letrën e tij Profesor Çabej .

Kartolina si ndërlidhje aktive e komunikimit

Komunikimi ndërmjet tyre bëhet jo në një linjë të natyrshme (adresa familjare apo institucionin ku punojnë), por nga pika të ndryshme të globit. “Adresat” e studiuesve shqiptarë janë pikat turistike, qytetet qendrat e ekskursioneve, vendpushimet turistike, në të cilat gjenden zyrtarisht apo rastësisht, si dhe adresa gjithherë zyrtare (Tirana) e Profesor Çabejt. Në këtë listë komunikimi, me pak përjashtime, hyjnë numri më i madh i letrave të studiuesve dhe kryesisht i kartolinave. Profesorë universitarë, gjuhëtarë të rinj, studiues të letërsisë, të folklorit e të etnologjisë, arkeologë dhe historianë të përkushtuar në studimet albanologjike, lexues të pasionuar të veprës së tij, i shkruajnë Profesor Çabejt nga qytetet ku kanë shkuar zyrtarisht, nga institucione ku kanë shkuar për kërkime shkencore, apo nga vende ku kanë shkuar për pushime familjare, dhe ia përcjellin urimet e tyre më të përzemërta për shëndetin e tij dhe të familjes së tij. Të kësaj natyre janë letrat e përgëzimit dhe kartolinat e dërguara nga shumë qytete të Kosovës, ish-Jugosllavisë dhe Evropës e Mesdheut.

Në kartolinat e tij nga Prishtina Anton Çetta e uron Profesor Çabejn për Vitin e Ri 1975, përkatësisht për vitin 1978 dhe, përveç në gjuhën shqipe, e bën edhe në gjuhën frënge, ndërsa nga Zagrebi shëndet e të mira i uron Gani Bobi.

Se personaliteti i Profesor Çabejt është bërë pjesë jo vetëm e studiuesve, po edhe e familjes së tyre në momente pushimi, dëshmojnë edhe letrat që Hasan Mekuli ia ka dërguar nga qyteti i Ohrit apo Igumenicës, në të cilat pushonte familjarisht, ndërsa po me këtë diskurs intim shprehen në kartolinat e tyre nga Prishtina dhe Prizreni (Haxhi Krasniqi), nga Prishtina (Ismail Dumoshi) dhe nga Gjilani, Dubrovniku, Prishtina e Gjermania Demokratike (Nazim Shurdhani), të cilët, përveç shprehjeve të zakonshme për dashurinë e miqësinë që kanë ndaj personalitetit të tij, përzemërsinë e tyre e zgjerojnë edhe me respektin që kanë ndaj familjes së tij (gruas dhe vajzës) edhe anëtarët e tjerë të familjes së tyre: baballarët, nënat, vëllezërit dhe motrat e tyre. Ndonjëri prej tyre madje nuk heziton të ankohet te Profesori i nderuar edhe për gjendjen e vështirë shëndetësore në të cilat ka kaluar familja e tij – nga Arbneshi, Kraja e Malit të Zi, Pirani i Kroacisë dhe Zhablaku i Serbisë (Ismajl Doda), ndërsa një tjetër nuk heziton që mallin e shprehur në letrat e të tjerëve dhe të tij ta përmbyllë “me lot në sy” (Nazmi Shurdhani).

Po e kësaj natyre është edhe kartolina e Murat Blakut nga Tunizia, kartolina e Rexhep Ferrit nga Budva e Malit të Zi, sidomos kartolina e gjuhëtarit të shquar amerikan Erik Hamp nga Plava e Malit të Zi. Një komunikim të dendur për nga numri i madh i kartolinave dhe përshëndetjeve, kujtimeve e përgëzimeve, përbëjnë ato që janë dërguar nga Budva e Malit të Zi, nga Poreçi i Kroacisë, nga Roma, nga Zagrebi, nga Parisi, nga Prizreni, nga Beogradi, nga Dibra, nga Gjer¬ma¬nia Demokratike, nga Jena (Gjer¬mania Demokratike), nga Londra, Petro¬va¬ci (Kroacia), nga Pre¬she¬va, nga Ru¬ma-nia, nga Sfeti Ste¬fani (Maili i Zi), nga Zara, nga Kryshevci i Serbisë, nga Munihu, nga Bukureshti, nga De¬ça¬ni, nga Lenggries i Gjermanisë me autorë Rexhep Ismajlin. Ndonëse Profesor Ismajli një komunikim të dendur me Profesor Çabejn e bënte nëpërmjet letrave të shpeshta, jo rrallë nuk kursehet ta njoftojë mjeshtrin e tij edhe nëpërmjet kartolinave, për lëvizjet e tij, për pjesëmarrjen e tij në seminare e konferenca shkencore, për shqetësimet e tij familjare, për respektin që ka ai dhe familja e Profesor Çabejt në rrethin e tij familjar, për ndonjë komunikim me studiues të huaj e vendor dhe për ndonjë iniciativë të rastit. Në këtë rrjedhë do thënë se Profesor Ismajli është i vetmi komunikues me Profesor Çabejn, pas emrit të të cilit, në kartolinë jo rrallë gjenden edhe emra të tjerë: Erik Hamp, Ibrahim Rugova, Zef Mirdita, Gani Bobi etj.

Kartolina nga Prishtina të nënshkruara kur në emrin e tij e kur në emër të Redaksisë (fjala është për Redaksinë e botimit të veprës së Profesor Çabejt nga “Rilindja” në Prishtinë), i shkruan Mehmet Gjevori për probleme të natyrës teknike rreth botimit të veprave të plota të tij; Vehap Shita nga Sfeti Ste¬fa¬ni, Zef Mirdita nga Heidelbergu i Gjermanisë Demokratike, Zagrebi e Prishtina, Ibrahim Rugova nga Parisi, Muhamet Tërnava nga Gjermania Demokratike etj. Në kartolinat e tyre ata njëkohësisht shprehin atmosferën familjare të të nënshkruarve, nderimin që atij i bëhej në familjet dhe institucionet e tyre, kujtimin që e ushqenin nga ditët kur kishin pasur rastin ta njihnin për herë të parë, nderin që do t’ua bënin në rast të një vizite rasti në familjet e tyre etj.

Diskursi i komunikimit

Në letërkëmbimin e studiuesve nga Kosova, sigurisht me shumë interes është edhe diskursi i komunikimit të tyre me Profesor Çabejn. Pothuajse në të gjitha rastet kartolinat, letrat përgëzuese (kryesisht për Vitin e Ri) dhe letrat me kërkesa e diskutime nga më të ndryshmet, nisin nga një intimitet i skajshëm kolegial, me cilësorë e epitete nga më të lartat dhe nga më të ndryshmet. Për diskursin e komunikimit është me shumë interes të lexohen vetëm paragrafët e parë a të fundit, të mesazheve të tyre, si: “Shumë i nderuari Profesor”, “Na mori malli të shihemi”. (Rexhep Ismajli), “Fort i dashur shoku Prof. Eqrem Çabej (Hasan Mekuli)”, Duke pritur me kënaqësi e mburrje përgjigjen Tuaj (Skënder Gashi), “Fort i dashur mik”, “I nderuari për jetë profesor i dashur Eqrem Ça-bej”, “Tungjatjeta i nderuari shoku Prof. Eqrem Ça¬bej” (Haxhi Krasniqi), “I dashur dhe i nderuari Z. Profesor”, “Seher gehrter Herr Professor” (Zef Mirdita), “Përqafime”, “Me lot në sy” (Mehmet Shurdhani), “I ndershëm Z. Profesor” (Mehmet Gjevori) etj.

Të shikuara nga një aspekt tjetër sintetik diskursi i tyre do të mund të matej me shkallën gramatikore të shkallës sipërore të mbiemrave (në tekstin hyrës dhe përmbyllës të kartolinave apo të letrave) dhe ma shkallën sipërore të ndajfoljeve (në pjesën e brendshme të letrave dhe të ndonjërës prej kartolinave) që përcjellin mesazhet e tyre të komunikimit.

Duke përfunduar

Interesimin e studiuesve të Kosovës për vep¬rën e Çabejt në vitet ’70 e kanë shprehur edhe numri i madh i letrave e kartolinave që ata ia kanë dërguar Pro¬fesor Çabejt nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë që letërkëmbimi, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë, ishte me pasoja. Në letërkëmbimin e tyre diskutohen një varg çështjesh gjuhësore, historike, etnologjike, kulturore dhe familjare. Letërkëmbimi i tyre është i rëndësishëm njëkohësisht edhe për dokumentaritetin që përshkon, mënyrën e komunikimit (adresarin), mesazhin që bartin ato dhe diskursin e komunikimit.

*Mungojnë fusnotat

Filed Under: Sociale

DY NËNTORI, DITA KUR TË PAKTIT LUTEN PËR TË SHUMTIT

November 2, 2023 by s p

Ndue Bacaj/

Që kur Krijuesi i gjithësisë e ndau jetën e krijesave të tij (njerzve), në dy pjesë, në atë të përkoshmën- toksore, dhe në atë të amshueme (qiellorë), njërzimi dalngadal filloi të ndërgjegjësohet, për respektin, nderimin dhe përkujtimin e atyre që tashma i përkisnin jetës së amshueme , ku janë jo pak por rreth 80 miliardë shpirtra (që kur lindi njeriu e deri sot), të cilët jetës sonë tokësore si kujtim i kanë lënë trupin e tyre që ia kishin marrë përkohësisht, dhe ku si simbole kujtese të përhershme janë varret e tyre. Te këto varre që i vizitojmë çdo dy nëntor gjejmë prehje shpirtërore, n’a rikthehen ëndërrat e kujtimet dhe në imagjinatë tonë na duket sikur këtë ditë do të takohemi e çmallemi, me të afërmit e të dashurit tanë, të cilët prej kohësh janë larguar nga kjo jetë toksore… Ditën e dy nëntorit besimtarët Kristian (katolik) e quajnë ditën e shpirtrave të Purgatorëve, ose në gjuhen popullore dita e të Shumtëve (të Shumave). Në përkujtim, nderim e respekt të të shumtëve, me dy nëntor, pranë varreve të tyre vendosim lule si shenjë i dashurisë që nuk shuhet, kryqa si simbol besimi ku kryqëzohet hyjnorja me toksoren, ndezim qirinjë si simbol përshpirtje e drite të pasosun, si dhe vendosim pranë këtyre varreve, gjëra kryesisht konsumi, që dhurohen për shpirtin e të afëmëve dhe të dashurve. Gjithashtu me dy nëntor varret bekohen e pranë tyre flitën uratë e bëhen lutje për shpirtin e tyre që të gjejnë prehje, por në këtë ditë çohen edhe mëshë nëpër Kisha… I gjithë ky përkujtim, nderim e respekt ka vlera jo vëtëm për shpirtrat e atyre që nuk i përkasin më jetës toksore, por edhe për të gjallët e kësaj jete toksore, të cilët në këtë ditë kujtohen më shumë se kurrëse se këtu jemi vëtëm kalimatarë, që shpesh me dashje apo pa dashje bëhemi edhe mëkatar. Në këtë ditë kujtohemi se të gjithë pa perjashtim, të pasur apo të varfër, të mirë apo të këqinjë, të lumtur apo dëshpruar do të kemi nevoj që pasardhësit tanë të na nderojnë e kujtojnë, që të mos na humbë emri e varri, por edhe të luten për shpirtrat tonë që të gjejnë pak prehje e pak dritë në jetën e amshueme. Kujtesa e nderimi i të dashurve e të afërmëve tanë që nuk jetojnë më, në jetën toksore është edhe ngushllim, por edhe detyrim moral që duhet të trashigohet nga njëri brez në tjetrin…

Photo: vaticannews.va

May be an image of candle holder and fire

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

44

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT