• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tri motrat Hoxha: Kushëri e kishim Enverin, por na internoi 30 vjet ne Saver Lushnjes

April 14, 2013 by dgreca

Edhe sot, që është më e moshuara ndër tri motra, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër të të gjitha lëvizjeve në shtëpi. Sado që i ka kaluar 85 vite jetë, ka mbetur më e shkathëta. Është ajo që ngrihet e para nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasje, nëse duhet gjetur ndonjë foto e vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. 15 vitet që është marrë me sport, kanë lënë ende shenja në fizikun e saj.

Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit në Liceun Artistik. Më e vogla, Nermini, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja. Ende sot që është në prag të të 80-ave, vazhdon të ketë 2 nxënës, të cilëve u mëson anglishten.

Të tria motrat, dikur, aq vite larg sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe fare pranë Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja me mësues privat, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga 4 vilat e vetme në plazhin e Durrësit, derisa gjithçka u ndërpre me thikë. Çifligjet e trashëguara nga i gjyshi e patën kohën e artë për shumë pak kohë. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të afërmet e ish-diktatorit. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, prejardhjen e përbashkët, e me hyrjedalje familjare, prej tij morën pajën e vetme që të tria patën në jetë, 30 vite e 6 muaj internim.

Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, pranojnë të flasin, duke thënë vazhdimisht që “kemi nevojë për qetësi, nuk duam intervista”.

Sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut…, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

“Ç’bëmë” ishte ajo e të parëve tuaj që ju dënoi për 30 vite?

Ishin 30 vite e 6 muaj (ndërhyjnë të saktësojnë të tria thuajse një zëri). Ishte fundi i vitit ’59, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjës.

Nga ju erdhi persekutimi, nga babai, gjyshi…

Në fakt, historia nis që nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte prej vëllait. Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ishdiktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.

Nga ç’shkruhet e nga ç’thoni ju, pasuria ka qenë “dëmi” i parë…

Po, por nuk u shfaq menjëherë. Jetuam për pak vite mirë, ashtu siç ishim mësuar gjithnjë. Mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.

A nuk ishte shumë për kohën gjithë kjo liri që ju jepte babai?

Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” {(nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej.(Kortezi Panorama)

 

Filed Under: Histori, Sociale Tagged With: 30 vjet, Enver Hoxhen, Kusheri e kishim, ne Saver, por na internoi, te Lushnjes

FAMILJE APO VETMI?!

February 6, 2013 by dgreca

Analizë Psikologjike/

Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu/ New York/ Pas pune shumë qytetarë të New Yorkut dalin dhe shetisin me qen, të lidhur me anë të një litari që e tërheq ose e lëshon qenin sipas kërkesave të trotuarëve ose dëshirës së qenit. Këta njerëz i takojnë moshave të ndryshme, janë pa familje dhe jetojnë në vetmi. Nuk janë të pakta dhe rastet e lëvizjeve burrë-grua të shoqëruara nga karroca me fëmijë. Dëshira për të jetuar “të lirë” ka lenë shumë të rinj të pamartuar. Ata duan të ecin, të ecin dhe vetëm të ecin?! Kur shetisin gjatë bregut të oqeanit, dallgët e tërbuara përplasen nganjëherë në anën e djathtë të fytyrës. Djali i goditur kthen kokën majtas, duke parë tokën ku banon dhe hallet e saj?! Përsëri ai vazhdon të eci. Ecën dhe vazhdon të eci i vetëm?! I duket sikur e ndjekin nga pas dhe duan ta lidhin me hallet familjare. Ai e nxiton hapin, që ti shmanget jo vetëm dallgëve të oqeanit, por sidomos problemeve  të jetës, të familjes dhe të shoqërisë. Po ku shkon?! Fundin e presim të gjithë; vetëm sikur është shpejt për ta takuar atë; veçanërisht të rinjtë?! Ata turren mbas dëfrimit, përkëdheljeve, puthjeve etj, duke u zhytur në llumin e zi që shpreh një të ardhme të zymtë njerëzore. Duke u përkëdhelur nga një femër tek tjetra; ose nga një mashkull tek tjetri, harrojnë infeksionet e rrezikshme?! Këtij dëfrimi nuk i gjendet fundi?! Ai po i çon të rinjtë në vetmi; në një të ardhme tragjike për jetën e tyre. Kur të plaken jo vetëm askush nuk do t’ju hedhi sytë; por as që do t’ju shtrij dorën për ndihmë njerëzore?! Duke mos krijuar familje; koha do ti plagosi, do ti hedhi në rrugë, të kërrusur dhe të pangopur nga dëfrimet shthurrëse. Kur dikush i plakur nga mosha dhe hallet dëshiron tu japë këshilla ndonjë të riu; ky i fundit qesh. Kjo qeshje plakut i kujton të qeshurit e tij, në rini dhe vajtimin tani në pleqëri. Kur një i ri ndodhet në ekstazën djaloshare, duke u përkëdhelur me seksin përkatës dhe kur dikush i moshuar dhe nga gjaku i tij i pëshpërit në vesh “Kujdes!”, ai duke qeshur mendon me vete “Sa të trashë janë këta të moshuar që kurrë nuk e kanë kuptuar jetën”.

Pranvera vjen dhe lulet çelin, por njëherë në vit. Kurse këta të rinj të ekzaltuar duan përgjithmonë prandverë dhe me lule që të lulëzojnë përherë. Ata ose ato, kërkojnë fytyra të reja dhe kur dikush ndryshket e flakin?! Nuk janë djemtë që kërkojnë vajza; as vajzat që kërkojnë djem, por është zjarri i brendshëm që i ndez?!

Ky zjarr i brendshëm shuhet në pleqëri,

kur dikush këkon ta ndezi me qiri;

kthehet në qesharak o njeri;

se plaku nuk bëhet kurrë i ri.

Një ditë, pashë një plak që tërhiqte një qen. “Përse e tërheq me forcë qenin? Nuk po e kupton që ai kërkon liri?” e pyeta . “E kuptoj”, u përgjigj plaku, “por për mua dhe për qenin është vonë tani. Ne jemi të lidhur bashkë dhe jetojmë për njeri tjetrin. Ne të dy formojmë familjen tonë. Qeni është besnik dhe nuk më tradhëton kurrë; përveç kësaj shpenzimet janë të pakta. Ai më ndjek mua gjithmonë, por nganjëherë dhe mua më duhet ta ndjek ate.” “Më lejoni t’ju pyes, përse nuk u martove dhe të krijonit familje?” “Kjo është plagë e mbyllur për mua, por pyetja juaj lë deren hapur për të tjerët, që sot janë të rinj. Unë shpreh kënaqësi, për njerëzit që kanë formuar familje dhe për fëmijët e tyre. Familja, sigurisht ka kontradikta që i krijon mënyra e jetesës, por ato shpesh kurohen nga prania e fëmijëve, dashuria dhe përkëdheljet përkatëse. Familja jo vetëm që është e nevojshme për vazhdimin e jetës njerzore, por ajo të mban gjallë me përplasjet, dhimbjet, kontradiktat dhe përkëdheljet e saj. Unë dhe jo vetëm unë, por të gjithë ata të moshuar, që ju i shihni të shoqëruar me qen, shprehin familjet e tyre.” “Më fal”, i thashë, “por kam parë shumë të rinj të shoqëruar me qen.” “Tek ata” u përgjigj ai, “është më e fortë ndjenja dhe ndjekja e seksit:

Për ata jeta është punë,

shetitje lule më lule dhe gjumë,

ata nuk e kthejnë kokën të shohin

dhe të pyesin njerëz me përvojë si unë.”

“Po përse ata të rinj shoqërohen me qen”, pyeta unë. “Ka disa arsye”, u përgjigj ai:

“E para: qenin e përdorin si grep për të zenë qënin e seksit tjetër; ndërsa dy qentë hungërijnë; shoqëruesit e tyre, fillojnë të shkëmbejnë sinjalet për dëfrimet përkatëse. E dyta: këta njerëz nuk gatuajnë; ushqehen nëpër restorante, bredhin, shetisin, defrehen, lodhen dhe pastaj shkojnë në foletë e tyre për gjumë. Ky cikël do të përsëritet deri sa të plaken dhe të bëhen si unë. Tani do të më falësh se qeni po më tërheq si shumë duke treguar se është mërzitur, prandaj duhet të ndahemi bashkë.” E falenderova për bisedën dhe u ndamë. Pikërisht nga nxitimi dhe ndoshta lodhja, plaku padashur u përplas me një familje. Ai menjëherë përdori shprehjen e zakonshme “Sorry”. Unë ndërhyra në çast “Më falni, por fajtori jam unë; duke biseduar gjatë me këtë njeri të thjeshtë ai sigurisht është lodhur dhe ndodhi përplasja me ju, prandaj ta falni.” Në vazhdim të bisedës i pyeta “Fëmijët tuaj janë këta?” “Po” u përgjigj burri. “Qenkeni familje e lumtur” . Ata qeshën dhe burri mu drejtua mua “Mos kujto se është e lehtë të jetosh me familje. Ka shumë probleme, nganjëherë dalin kontradikta aq të forta, sa që të çojnë dhe në divorc. Vetëm se duhet theksuar, që prania e fëmijëve i zbut shumë kontradiktat në familje. Për hir të tyre bëhen lëshime të dy anëshme, nga burri ose nga gruaja”. “Ju falenderoj për përgjigjet tuaja të llogjikshme dhe të ngrohta. Ju uroj shëndet dhe lumturi në familjen tuaj të bukur”,mirë u paeshim.

Ekzaltimi i ndjenjave shpirtrore të brendshme të rinisë gjen shprehje të qartë, të plotë dhe të njejtë me proçeset gjeologjike që ndodhin në planetin tonë. Planeti ynë përbëhet nga pllaka tektonike, të ndara nga kanale,nëpër të cilat kalon dhe shpërthen lava e vullkaneve. Në këto zona pranë kontaktit të pllakave ndodhin dhe tërmetet. Si rrjedhojë i përplasjes së pllakave; kur njëra zhytet në thellësi, tjetra hipën mbi të. Shtypja e tyre shkakton rritjen e presioneve dhe temperaturave shumë të larta dhe si pasojë shkrihen shkëmbinjtë pranë zonave të kontaktit, duke formuar lavën e lëngshme dhe të nxehtë. Vullkanet shpërthejnë në drejtim të sipëfaqjes së tokës sepse kundërpresioni është më i vogël. Kjo lavë e lengshme dhe shumë e nxehtë del në sipërfaqje dhe ftohet gradualisht dhe duke i shtuar tokës material të ri dhe me moshë më të re. Këto proçese njeriu i sheh me sy, gjatë shpërthimit të vullkaneve.

I njejti proçes ndodh dhe me qeniet e gjalla. Mashkulli me femrën përfaqësojnë pllakat tektonike. Nga afrimi i trupave të tyre, dhe si rrjedhojë i tërheqjes dhe shpërthimit të ndjenjave të brendshme (lëvizje që ne e quajmë dashuri); krijohen presione dhe temperatura të larta, që shprehin dashurinë e zjarrtë rinore. Ky takim mund të krijojë një fryerje të sipërfaqjes tek femra, e cila në kohën përkatëse të caktuar shpërthen duke lindur fëmijën, si materie e re, që i shtohet njerëzimit. Pra materia e ngurtë si toka jonë, të gjithë planetet dhe yjet e gjithësisë janë gjithmonë në lëvizje dhe sjellin vazhdimisht material te ri, pra ndodh përtëritja e materies. Ne që jetojmë në planetin ose tokën tonë, duhet të marrim shembullin e saj, të zbatojmë ligjin e natyrës. Ashtu siç ben toka jonë, që sjell nga thellësia material të ri dhe i shtohet sipërfaqjes së tokës; dhe ne duhet të martohemi dhe ti japim njerëzimit material të ri, njerëz të rinj, që të vazhdoj zhvillimi i mëtejshëm i botës.

Këto probleme të mprehta dhe delikate të familjes dhe vetmisë e kanë venë në lëvizje shoqërinë njerëzore. Shumë akademi në SH.B.A., shoqata dhe organizata të ndryshme kanë filluar të japin cikla leksionesh për forcimin e familjes. Po jepen emisione speciale në televizione, për krijimin e lidhjeve të shëndosha të anëtarëve të familjeve. Eshtë për tu përshëndetur kompanite, që po dhurojnë $20,000 dhe nje makina, për ç’do emision gare midis familjeve, etj. Qellimi i këtyre emisioneve televizive dhe i leksioneve te akademive, organizatave, shoqatave, etj, është forcimi dhe ngritja në nje nivel më të larte të rolit pozitiv dhe shumë të nevojshëm, në shoqërinë njerëzore. Shoqëria Amerikane për të penguar fundin tragjik të dëfrimeve shthurrëse të të rinjve të paekuilibruar, po përdor format më të mira edukuese. Po, format më tërheqëse, më irrituese dhe më efikase, për njerëzit janë emisionet ku dhurohet dollari. Konkretisht janë për tu admiruar kompanitë, që japin emisionet si “Family Feud”, d.m.th. garë familjesh duke dhuruar para familjes fituese.

Shprehjes pesimiste se është vonë mund ti përgjigjemi “Po është vonë për të moshuarit, që e kanë kaluar këtë rrugë, por jo për të rinjtë, truri i të cilëve ka filluar të reflektojë dhe të mendojë për një të ardhme të jetës normale njerzore. Proçeset e natyrës si tek materia e ngurtë (toka ose planeti yne, etj) dhe tek qeniet e gjalla, shprehin dhe paraqesin model të njejtë të zhvillimit. Zjarri i brendshëm i ndjenjave të të rinjve i ngjan lavës së nxehtë, që shpërthen nga vullkani. Ftohja e saj është një proçes i gjatë dhe i ngadalshëm. Kush tenton ti afrohet në çastin, kur ajo del ne sipërfaqjen e tokës përvëlohet dhe digjet nga afshi i nxehtë. Kështu ndodh dhe me zjarrin e ndjenjave të brendshme shpirtërore tek djemtë e rinj. Ai që kërkon të shuaj këtë vatër të nxehtë (qoftë ky dhe njeriu më i dashur i familjes) do të digjet nga afshi i nxehtë i saj. Nxehtësia e ketyre ndjenjave tek të rinjtë do të shuhet gradualisht; ajo lidhet me plakjen e njeriut.

Rruga më llogjike për të rinjtë do të ishte, që djali ose vajza të pëpiqet të zgjedhi partnerin që i përshtatet; të krijojë familjen me fëmijët përkatës. Kjo do te realizonte plotësisht ndjenjat e brendshmme përvëluese, do të shmangte infeksionet e rrezikshme, që sjellin vdekje dhe do të qetësohesh nga përkëdhelja e partnerëve të shumtë. Kjo mënyrë jetese zhvillon njerëzimin normalisht dhe i qetëson ata nga kërkimi i seksit. Një jete e tillë krijon kushte, që të punosh dhe të studjosh i qetë në familje dhe shoqërinë njerëzore. Sigurisht në familje do të lindin kontradita, por me durim dhe guxim ato kalohen, sidomos me ndihmën e fëmijve, që luajnë rolin e katalizatorit përkëdhelës.  Duke krijuar familje plotëson detyrën kryesore, që ke para shoqërisë, përtëritjen e njerëzimit. Pyetjes, që i kanë berë pleqve beqar

; “Përse nuk jeni martuar?”, të gjithë, pa përjashtim, i janë përgjigjur “Kemi gabuar”. “Tani për ne është vonë; gabimin tonë ja u lemë të rinjve ta korigjojnë; ta kryejnë këtë detyre për të ardhmen e njerzimit.”

Shkurt, 2013

Filed Under: Sociale Tagged With: Familje apo vetmi, Prof. Dr. Hazbi Shehu

AVOKATJA SHQIPTARE JU INFORMON PER RREGULLAT E REJA TE EMIGRACIONIT

January 26, 2013 by dgreca

REFORMA TË REJA EMIGRACIONI PËR EMIGRANTË TË MARTUAR ME QYTETARE AMERIKANE/

 NGA DEA SHKUPI-Avokate/

Në 3 Janar 2013, Departamenti i Sigurimit të Shtetit publikoi rregulla të reja që duke filluar nga data 4 Mars 2013, do ti lejojnë njerëzit që kanë hyrë në SHBA pa inspektim (ose që nuk mund të rregullojnë status për arsye të tjera) të aplikojnë me formën I-601A “Waiver of Inadmissibility”. Ky aplikim është për faljen e prezencës ilegale në SHBA, e cila është një nga arsyet e refuzimit të green card. Kur këto aplikime do të aprovohen, këta emigrantë do kenë mundësi të marrin vizat (ose green cards) jashtë shtetit. Qeveria amerikane dhe Departamenti i Shtetit kanë pasur si qëllim të evitojnë ndarjet që do shkaktoheshin si rezultat i largimit të emigrantëve për muaj dhe ndoshta vite midis emigrantëve dhe të afërmve të tyre që janë qytetarë amerikanë.

Me anë të reformave të reja emigrantët do të kenë mundësi të sigurojnë se aplikimet i janë aprovuar përpara se të largohen nga SHBA. Ata do intervistohen jashtë shtetit nëpër ambasada në vendet e tyre, dhe do të kthehen tek familjet e tyre në Amerikë brenda disa ditësh.

Më poshtë janë disa pyetje dhe përgjigje që kanë të bëjnë me komplikacionet që mund të dalin si pasojë e këtyre  rregullave të reja:

 

Kush ka të drejtë të aplikojë më format I-601A?

 

Në mënyrë që të kualifikohet për këtë lloj aplikimi, personi duhet të jetë të paktën 17 vjeç, dhe të jetë përfituesi (beneficiary) i një aplikimi të aprovuar I-130 si i afërm i një qytetari amerikan.

Të afërmit që hyjnë në këtë kategori janë bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët e qytetarëve Amerikanë. Në mënyrë që dikush të konsiderohet “prind”, djali ose vajza që e sponsorizon duhet të ketë mbushur 21 vjeç.

Ligji kërkon që aplikanti duhet të demonstrojë se i afërmi i tij do të kalojë vuajtje ekstreme “extreme hardship” në qoftë se aplikanti do të largohej nga Amerika. Të afërmit mund të jenë bashkëshortë ose prindër që janë qytetarë amerikanë ose rezidentë të përhershëm(me green card). Sidoqoftë, një person që ka vetëm një prind ose bashkëshort me green card, sado që mund të aplikojë për lejen I-601 jashtë Amerikës, nuk mund të aplikojë për I-601A nga brenda Amerikës.

Personat që janë në kategoritë e kufizuara fmailjare apo të bazuar në viza pune nuk kualifikohen për këto leje të përkohshme, megjithëse USCIS ka indikuar se ky program mund të zgjerohet në të ardhmen.

 

Për çfarë baze refuzimi të green card mund të përdoret aplikimi I-601A?

 

Aplikimi I-601A përdoret vetëm për të kërkuar falje për prezencën ilegale në SHBA. Aplikantët të cilëve u ndalohet hyrja në Amerikë për 3 ose 10 vjet nga moment i daljes, mund të aplikojnë. Personi që ka një ndalesë të përhershme nuk mund të aplikojë me këtë formë derisa të kenë kaluar 10 vjet jashtë Amerikës.

Personat që janë të papranueshëm nën një tjetër pikë të ligjit ( për shembull mashtrim ndaj oficerëve të emigracionit, dënim kriminal, etj.) gjithashtu nuk mund të aplikojnë për këtë leje.

Po në qoftë se një person është jashtë SHBA dhe ka një takim për një vizë në një ambasadë jashtë SHBA?

Këta persona nuk kanë të drejtë të aplikojnë me formën I-601A.

Po nëse një person ndodhet tani nën procedura të emigracionit ose ka një urdhër final për largimin nga SHBA?

Këta persona mund të aplikojnë me formën I-601A vetëm në qoftë se procesi gjyqesor i tyre mbyllet në mënyrë administrative dhe nuk hapet sërish brenda kohës që dorezohet aplikimi për lejen tek USCIS.

Personat që ndodhen në procedurat e largimit që kanë aplikuar për atë që quhet Deferred Action (DACA), mund të applikojnë me formën I-601A mbasi USCIS të ketë aprovuar aplikimin e tyre DACA, por vetëm nëse i plotësojnë kushtet e tjera dhe procedurat penale ndaj tyre janë mbyllur në mënyrë administrative.

Në qoftë se USCIS e aprovon I-601A për një person që ndodhet në procedura gjyqesore, atëherë ky person duhet të kërkojë mbylljen e çështjes nga gjykata e emigracionit. Çështja duhet mbyllur përpara se ky person të niset për në intervistën në ambasadën amerikane jashtë SHBA-së. Në qoftë se personi nuk e bën mbylljen e çështjes, atëherë kjo mund të krijojë një pengesë ndaj marrjes së vizës dhe kthimit në SHBA.

Personat që kanë urdhra finale për largim nga Amerika, nuk janë të kualifikuar të marrin pjesë në këtë program. Sidoqoftë në qoftë se ata arrijnë të rihapin çështjen e tyre, atëherë ata mund të aplikojnë.

A është e mundur që të falet taxa e qeverisë prej $585 për aplikimin I-601A ose për shenjat e gishtave $85.

Jo.

A ka mundësi të shpejtohet ky aplikim?

Zakonisht jo, por aplikantët mund të kërkojnë proces të përshpejtuar në qoftë se i mbushin kushtet e USCIS.

Në përgjithësi, USCIS merr rreth 4-6 muaj për të procesuar një aplikim I-601. Me reformat e reja pritet që numri i aplikimeve I-601A të jetë me mijëra, kështu që koha e procesimit do rritet.

Në qoftë se një aplikim I-601A nuk pranohet, a ka mundësi për ta apeluar vendimin?

Jo.

Sidoqoftë, megjithëse nuk ka apel të një mospranimi të I-601A, është e mundur të aplikosh sërish pas këtij refuzimi.

Departamenti i Sigurimit të Shtetit u shpreh si më poshtë:

“ Në qoftë se aplikimi I-601A i një personi nuk pranohet ose tërhiqet, ky person mund të aplikojë sërish me një formë të re I-601A sipas rregullave të kësaj procedure. Çështja e aplikantit duhet që të jetë akoma pezull me DOS, dhe aplikanti duhet të njoftojë DOS se ai ka ndërmend të aplikojë përsëri. Në rastin e tërheqjes së një aplikimi nga aplikanti, USCIS nuk ka për ti kthyer mbrapsht paratë sepse ka marre hapa tashmë për gjykimin e kësaj çështje.”

“Nga ana tjetër, një person që tërheq mbrapsht aplikimin e tij I-601A, ose të cilit ky aplikim nuk ju pranua, mund të aplikojë me një formë I-601 tek USCIS Lockbox, pasi ky person ka bërë një intervistë për vizë dhe DOS ka vendosur se ky person është i papranueshëm. Në qoftë se baza për papranueshmërinë e këtij personi është një bazë që mund të falet, atëherë ky person mund të aplikojë me formën I-601 bashkë me dokumentat mbështetëse dhe prova që ai kualifikohet për këtë leje dhe për vizë…”

“I kujtojmë aplikantëve dhe avokatëve të tyre se ata mund të korrigjojnë gabime që kanë bërë në një formë I-601A duke dërguar dokumenta të reja para se të jetë marrë një vendim në çështjen e tyre. USCIS do të konsiderojë të gjithë dokumentat para se të marrë vendim.”

A mundet një person që plotëson një aplikim I-601A të vihet në procedura largimi nga SHBA?

Megjithëse USCIS thotë se “nuk parashikon të fillojë procedura kthimi ndaj atyre aplikantëve të cilëve nuk u pranohen aplikimet”, rezervon të drejtën për ti hapur këto procedura në qoftë se personi në fjalë është një nga ata që konsiderohen prioritet – domethënë në qoftë se ky person ka një histori kriminale, është dënuar për mashtrim, ose përbën një rrezik ndaj sigurimit të shtetit ose atij publik.”

“DHS e kujton dhe njëherë publikun se aprovimi i një aplikimi I-601A se vetmi pa marrë green card, nuk i jep aplikantit një status të ligjshëm në Amerikë dhe nuk do ta mbrojë atë nga grumbullimi i kohës në prezencë ilegale. Gjithashtu aprovimi i këtij aplikimi nuk e autorizon alienin të hyjë në Amerikë pa vizë ose tjetër dokument të përshtatshëm; nuk i jep benefite të tjera si autorizim punë, etj; dhe nuk i ofron mbrojtje alienit ndaj procesit të largimit nga Amerika.”

  

 Cilat janë shanset që një aplikim I-601A të aprovohet?

 

Kjo sigurisht varet nga faktet e çështjes tuaj, dhe sa mirë e keni dokumentuar aplikimin I-601A në mënyrë që të tregoni se i afërmi juaj që është qytetar amerikan do të vuante jashtë mase në rast se emigranti do të largohej nga Amerika. Mos dorëzoni vetëm 5-6 dokumenta dhe prisni t’ju aprovohet çështja. Në këto lloj aplikimesh është e domosdoshme që avokati juaj të dijë bazat legale për të treguar se ekziston “extreme hardship”.

“Extreme hardship” mund të jetë vuajtje financiare, emocionale, mjekesore, etj. Ndoshta dhe një kombinim i këtyre faktorëve.

Vitin e kaluar, USCIS refuzoi 34% të rasteve, ose pak më shumë se një në tre aplikime I-601.

Personat që janë martuar tani shpejt, zakonisht nuk i këshillohet që të dërgojnë këtë aplikim. Sidoqoftë, shanset e tyre për aprovim rriten kur ata kanë fëmijë dhe blejnë shtëpi.

Gjithashtu, shumë persona të cilëve i është refuzuar aplikimi I-601, kanë aplikuar vetë ose kanë përdorur shërbimet e dikujt që nuk është i kualifikuar. Kjo nuk është ide e mirë.

Gjithsesi këto reforma pritet që të ndikojnë në jetën e mijëra emigrantëve që kanë vite që jetojnë në Amerikë dhe kanë frikë të bëjnë diçka për të rregulluar statusit ilegal. Këto reforma do t’i japin shansin mijëra çifteve që të vazhdojnë përpara me jetën e tyre pa frikë se do të ndahen për një kohë të gjatë.

JU MUND TE DERGONI EDHE PYETJE PER AVOKATEN SHQIPTARE DHEV AJO DO T’JU PERGJIGJET PERMES DIELLIT(gazetadielli@gmail.com)

PER HOLLESI I TELEFONONI DEA SHKUPIT. Tel (212) 729-4984

Adresa: 325 Broadway

Suite 503

New York, NY 10007

dshkupi@gmail.com

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: avokatja, Dea Shkupi, ju informon

SHQIPERI: Censusi 2011, Popullsia 2.821.977 Banorë

December 13, 2012 by dgreca

Numri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona; “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. Sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj./

Instituti i Statistikave (INSTAT) shpalli dje zyrtarisht rezultatet e censusit në lidhje me kombësinë dhe fenë. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, gjatë prezantimit të “Censusit 2011”, tha se realizimi me sukses i censusit ka qenë një ndër objektivat kryesorë të qeverisë, dhe se ajo ia arriti qëllimit. Sipas tij, të dhënat e censusit do të ndihmojnë vendimmarrësit në përcaktimin e politikave për komunitetin. 
“një rNumri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona”, tha Pollo. Ai u shpreh se, ky nuk është ezultat surprizë, për shkak edhe të emigrimit. “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. 0.7% e të pyeturve refuzuan censusin”, tha ministri i Inovacionit, Genc Pollo. 
Ministri tha se, “Censusi 2021 do të ketë një taban të përgatitur dhe do të zhvillohet pa shumë tensione”. Gjithashtu, sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj. 
Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll më 1 nëntor 2011. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

Censusi, një operacion statistikor mjaft kompleks

Duke prezantuar rezultatet finale të censusit të popullsisë dhe banesave 2011, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, tha se ky proces ka qenë i gjatë dhe angazhoi thuajse të gjithë stafin e INSTAT në Tiranë e Prefektura si dhe qeverinë shqiptare, shoqërinë civile, partnerët e INSTAT dhe komunitetin ndërkombëtar. 
“Ky census u krye, duke ndjekur rekomandimet dhe standardet europiane dhe INSTAT sot publikon të dhënat themelore statistikore socio-ekonomike për të ndërtuar politika të shëndosha për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Madje këto të dhëna konform standardeve europiane do të japin kontributin e tyre në procesin e integrimit europian”, u shpreh Znj.Nurja. Ajo bëri të ditur se, Censusi i vitit 2011 është një operacion statistikor mjaft kompleks dhe ka kaluar në shtatë faza të ndryshme; përfshirjen e palëve të interesuara për përzgjedhjen e pyetjeve thelbësore dhe jo thelbësore, aktivitetet përgatitore, numërimin në terren, përpunimin e të dhënave, publikimin e rezultateve, vlerësimin e mbulimit dhe analizat e rezultateve. 
Të pestë fazat e para janë përfunduar, ndërsa publikimi i rezultateve finale do të kryhet sot me këtë publikim të parë, i cili do të ndiqet gjatë vitit që vjen me të tjera publikime të rëndësishme dhe së fundmi me analizat tematike deri në vitin 2014. 
Operacionet e censusit e kanë fillesën në vitin 2008 me përgatitjen e hartave dixhitale. Ndërsa në vitin 2009, INSTAT filloi një proces konsultativ me grupet e interesit, duke përcaktuar temat e regjistrimit ku qëllimi kryesor ishte për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me këtë proces si dhe për të patur përfshirjen e aktorëve të tjerë në këto aktivitete përgatitore. 
Gjatë këtij censusi u kryen disa testime të pyetësorit dhe në vitin 2010 u krye një census pilot në mënyrë që të testojë disa nga aspektet kryesore të funksionimit të plotë të Censusit në tetor të vitit 2011. 
Aktivitetet në terren për numërimin e popullsisë dhe banesave u organizuan dhe monitoruan me ndihmën e një mjeti mjaft efikas, atë të aplikacionit të menaxhimit Web GIS. 
Anketa e pas Censusit u krye për herë të parë në Shqipëri për të vlerësuar mbulimin e Censusit në terren si dhe cilësinë e disa variablave të përzgjedhur. 


Krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%

Sipas Census 2011 sot numërohen 722 262 familje

Sipas rezultateve të Census 2011 numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot, numërohen 722 262 familje nga 726 895 që ishin në vitin 2001. Por, struktura brenda familjes (numri i anëtarëve) ka patur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht sot një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001. 
Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon, duke patur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etno-kulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim. 
Duke prezantuar disa nga rezultatet kryesore të këtij censusi, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja deklaroi se, “Nga rezultatet përfundimtare të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia rezidente është 2 821 977. Numri total i refuzimeve është 21 839 persona. Siç shihet nga kjo panoramë, krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%. Ndaj analizat paraprake na dëshmojnë se, emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen. Numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rënie prej 9.2%, ndërsa ai i meshkujve me 8.3%. Raporti gjinor në Shqipëri kërkon një vëmendje të veçantë nga demografët dhe studiuesit. 
Për herë të parë në historinë e censuseve në Shqipëri, popullsia që jeton në zonën urbane e ka tejkaluar numrin e popullsisë që jeton në zonën rurale. Tashmë në zonën urbane jetojnë 53,5% e popullsisë, ndërsa 46,5% e saj jeton në zonën rurale. 

Rritet me 16.8% numri i banesave krahasuar me vitin 2001

Numri i ndërtesave për qëllime banimi në censusin e vitit 2011 është 598 267 dhe është rritur me 16.8% krahasuar me vitin 2001. Fondi i banesave rezulton në 1 012 400 banesa, ku përfshihen jo vetëm banesat e banuara, por edhe ato të pabanuar që përbëjnë 29.8% të totalit në krahasim me 11.3% në 2001. Jo vetëm fondi i banesave është rritur në krahasim me vitin 2001, por dhe kushtet e jetesës në to kanë ardhur duke u përmirësuar përsa i përket aksesit në shërbimet bazë si dhe zotërimit të pajisjeve afatgjatë. Në ndryshim nga censusi 2001, lidhur me karakteristikat e kushteve të banesës INSTAT disponon edhe të dhëna mbi telefoninë fikse dhe mobile, të cilat i gjeni në këtë publikim. 
Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve mbi gjuhën amtare, fenë dhe grupet etno-kulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare, të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe. Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77% e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas, vijnë gjuha greke me 0.54%, maqedonase 0.16%, rome 0.14 % dhe arumune me përkatësisht 0.14. 
Një tjetër e dhënë, e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% muslimanë, 10.03% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5% ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë. 
Përsa i përket përkatësisë etno-kulturore, 82.58% kanë deklaruar se janë shqiptarë të 0.87% grekë, 0.30% romë, 0.30% arumunë dhe 0.20% maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në këtë pyetje përbën 13.96% e totalit të popullsisë. 
Një tjetër analizë me mjaft interes do të ishte shpërndarja e numrit të refuzimeve (13.96 %) dhe përgjigjeve të pavlefshme apo të papërcaktuara (1.58%) lidhur me përkatësinë etno-kulturore. Po t’u referohemi këtyre shifrave, rezulton se 99.6% e tyre kanë deklaruar gjuhë amtare shqipen, 0.15 % gjuhen greke, 0.04% rome, 0.04% arumune dhe 0.03% maqedonase. 
Një vend të rëndësishëm në këtë publikim, zë dhe niveli i arsimimit të popullsisë. Po t’u referohemi shifrave, vërejmë se në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2% tyre e kanë ndjekur ose janë, duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011, bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%. 
Për herë të parë, në një census është pyetur edhe për aftësinë e kufizuar të popullsisë. Këto të dhëna do të shërbejnë në të ardhmen për të bërë vrojtime më të specifikuara si dhe për të ndërtuar politika mbështetëse në funksion të kësaj kategorie personash. 
Unë me të vërtetë shpresoj se, këto të dhëna do të jenë shumë të dobishme për të interpretuar ndryshimet e vendit tonë dhe do të shqërbejë si bazë për të ndërmarrë aksionet e duhura për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë në të ardhmen. 
Në përfundim të prezantimit të rezultateve të Censusit 2011, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja falenderoi, Eurostat për mbështetjen e dhënë, qeverinë shqiptare, Komisionin Qendror të Censusit, Delegacionin Europian në Tiranë, Asistencën Teknike të BE-së si dhe stafin e INSTAT, i cili ka punuar me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal për realizimin me sukses të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. (Kortezi:Halil RAMA)

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Censusi ne Shqiperi, Genc Pollo

NË “KOPSHTIN E GJETSEMANIT” U THYE NJË DEGË ULLINI

November 15, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/ 

            Kjoftë edhe një degë e vogel ullini… gjithmonë na ka sjellë Paqen…/

            Jo pak, shtëpia në Shkoder, na kujtonin “Kopshtin e Gjetsemanit”…/

Ka vite, shumë vite perpara, që një ditë pata hy në “Kopshtin e Gjetsemanit” të qytetit të Shkodres, në shtëpinë e Gazullorëve, tek Arra e Madhe, ku atëherë jetonte një mik i vertetë i imi, mësuesi i nderuem Simon Gazulli. Kujtojshe ma vonë se nga ai kopësht kam pa disa here me Simonin edhe nipin e Tij Danielin…Edhe Ky i brezit të kulturuem i fisit të vjeter dhe shumë të njohun që në kohen e Gjergj Kastriotit, Gazullorëve të Sapës.

Pak vite perpara mora një mesazh, mbrenda të cilit ishte një poezi: “Rrëmaji”.

Danieli shenon: Kushtue…”Një Monument nën dhe” nga Fritz Radovani…

           

Një  gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr për ajrì Alpeve.

Mandej përplaset fort

e kthen

ku njerëzit kalamendë,

ligshtue prej lëngatës së gjatë,

i trandë ajo piskamë,

që po i thërret

me u zgjue

e me u mbledhë

aty prej nga vjen gjama:

Në Rrëmaji.

Aty

me ba bè në Kryqa

se nuk kanë ma me ia lëshue

zezanen Shkodër

gjaksorëve,

që e shkallmuen në trup

e në shpirt

me drapën e çekan.

 

Një gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr zemrat e njerëzve:

 

Asht kushtrimi

I  Fatosave

flijue për Atdhe…

që paqë nuk gjejnë,

tradhëtue idealesh –

e gjamën mnershëm lëshojnë

nga ai Monument.

 

 * Vorrezat katolike, Shkodër, 2010, 3 Maji.

 

            E prap sot, mbas një dhimbjes së fortë që në zemer më ka piskatë, ndigjova një za…

Një  gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr për ajrì Alpeve…

            E as nuk më shkonte kurrë nder mend, se në Kopshtin e Gjetsemanit të Gazullorëve të Sapës, ishte thye… një degë ullini, ku Shpirti im gjente Paqen, Dijen, Kulturen, Fjalen e ambel të mikut të vertetë, freskinë e një flladi që frynte pa pushue…e në çastet e vështira kur merzija më kapllonte mendjen e një mall të pakuptueshem, Fjala “durim bre Burrë!”, më bante me pranue “Paqen” që shperthente nga zemra e goja e Danielit…

            E sot, bash një degë ku ishte ma e mira asht thye…

            Zoti e mori Atë degë me e mbajtë në dorë të Vet…

            I duhet Atij të Lumit, per me na predikue, Paqen, Drejtësinë dhe Dashninë…

            Asht Ajo “Degë Ullini” që sot ra në Lezhë, pranë të Madhit Gjergj Kastrioti!

            Pranë Tij, po po, Aty asht edhe Daniel Gazulli!

 Melbourne, 13 Nandor 2012

Filed Under: Sociale Tagged With: Daniel Gazulli, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT