• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERSE KJO HESHTJE NE DY PERVJETORET E PROF. ARSHI PIPES?

August 9, 2015 by dgreca

Gjatë muajit Korrik, Prof Arshi Pipa kishte dy përvjetorë, të vdekjes(20 Korrik 1997) dhe 27 Korrik (1920) atë të Lindjes. Me përjashtim të nje interviste publike të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Bucaj në Zërin e Amerikvs me 25 Korrik, përcjellë edhe nga disa media në Tiranë, si dhe njoftimet paraprirëse në Gazetën “DIELLI” për Konferencën Shkencore të organizuara nga Federata VATRA, askush tjetër nuk u ndje në këta përvjetorë! Përse kjo heshtje? Si mund ta kalonte në heshtje Shkodra përvjetorin e birit te saj, së cilës ai i besoi të plotë veprën e vet, arkivin dhe gjithcka tjetër? Sivjet ishte përvjetori i plotë i Lindjes, 95 Vjetori dhe institucionet kulturore të vendit? Asgje nga Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare, panairet e Librit, klubet e Shkrimtarëve, gazetat, ATSH, madje as Shoqata e Shkrimtarëve në SHBA nuk arriti të bashkëpunonte me Vatrën në Konferencën Shkencore kushtuar 95 vjetori të Lindjes. Arshi Pipa e shkroi veprën e vet ne Amerikë dhe parasëgjithash kjo shoqatë duhej ta kishte vlerësuar veprën e Prof. Pipës,mirëpo në të shumtën e herëve shoqata promovon vetëveten dhe jo shkrimtarët e kalibrit të Arshi Pipës.
Konferenca Shkencore e Vatrës me nivelin e lartë përcolli mesazhe nderimi për profesorin Arshi Pipa. Kumtesat e studiueseve: Anton Cefa, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Mithat Gashi dhe Astrit Lulushi, hodhën dritv mbi jetën dhe veprën e intelektualit te permasave Kombetare. Percjellja e kësaj Konference nga media, Dielli, Bota Sot, Iliria, vecanerisht Televizioni Kultura Shqiptare ne Nju Jork , pergatitur prej Driatn Haxhise, meriton vleresime. Ka ca Tv ne komunitet qe ndjekin vetem veten e vet dhe ca veprimtari krahinash e fshatrash.
Ne mbyllje te Konferences Shkencore, moderatori i kesaj veprimtarie, Dalip Greca-editor i Gazetes Dielli, i kerkoi Vatres qe me rastin e 100 vjetorit te Lindjes, t’i propozohet Presidentit te Republikes qe t’i jape titullin”Nder i Kombit” Prof. Arshi Pipes, i cili eshte dekoruar vetem me Urdherin Naim Frasheri. Emnri i Arshi Pipes i benë Nder vete Kombit!

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, E PROF. ARSHI PIPES?, NE DY PERVJETORET, PERSE KJO HESHTJE

Tjetër zbulim i rrallë nga miniera Konica- Harta e tij shqiptare e vitit 1902 –

August 3, 2015 by dgreca

Fletore koniciane nr.7/
Nga Fotaq Andrea/
Është e njohur që, në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III, (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV, ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj.
Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare. Faik Konica, gjurmues i hershëm i gjithçkaje shqiptare nëpër bibliotekat e Europës, është i pari rilindës që intrigohet dhe interesohet nga afër për hartat më të vjetra që pasqyrojnë Shqipërinë, duke arritur të zbulojë në British Museum tetë hartat e Camotti-t (Venedik, 1571) me emrin “Provincia di Albania”. Veçse, krahas entuziazmit të zbulimeve, ai edhe do thartohet njëfarësoj tek vëren, sidomos gjatë shekullit XIX, pasaktësi e shtrembërime në emërtime, si dhe kufizime të theksuara në përmbajtjen e hartave, të cilat e shfaqnin Shqipërinë në mënyrë të copëtuar e “të përciptë” (cilësimi është i vetë Konicës), në kuadër të Europës jug-lindore, të gadishullit ballkanik apo të së ashtuquajturës “Turqi europiane”. Për më tepër që asnjë hartë që i binte në dorë nuk ishte e përpiluar enkas për shqiptarët, ndonëse paraqitnin trevat e tyre. Ato ishin thjesht të destinuara për publikun e huaj.
E megjithatë, ai nuk i ndal hulumtimet, dhe veç kur e shohim, në fillim të shekullit XX, të vendosë kontakte të drejtpërdrejta pune me gjeografin e madh Elisée Reclus, figurë e shquar botërore, autor i veprës “Gjeografia e përbotshme”, vepër të cilën Konica e quan “monument”, tek ka pikasur në të që stërgjyshi i tij i lashtë Ali Pashë Tepelena shpallet “Rishëljëja i Shqipërisë”. Themi që Konica vendosi “kontakte pune” sepse gjeniu i ri shqiptar do të kishte idenë e shkëlqyer për të botuar për herë të parë, falë Institutit gjeografik të Brukselit, një hartë të Shqipërisë, unikale në llojin e vet, hartë me emërtime toponimike shqipe, të cilën ai e shihte si një domosdoshmëri historike. Që në gusht 1901 (Albania nr. 8, 25 gusht 1901, viti V), ai njoftonte tashmë publikisht se “Shpresojmë të japim së shpejti lajmin e botimit të një harte të madhe murale të Shqipërisë në përdorim për shkollat tona. Projekti është në studim e sipër në Institutin Gjeografik të Z. Elisée Reculs. Jemi hëpërhë në kërkim të emrit të personazhit bujar që do të marrë përsipër tërë shpenzimet”.
Në fakt, për sa i përket botimeve, në atë kapërcyell të shekullit XX, kur shumë rilindës shpejtonin të shtypnin librat e tyre të parë për shkollat shqipe, me poezi e prozë patriotike për të ngjallur ndjenjën kombëtare, dhe kur mbisundonin abe-të dhe librat letrarë me alfabet të amalgamuar, Konica shihte e rrihte edhe më lart me “Albania-n” e tij: ngulmonte jo vetëm te një alfabet i përbashkët, por në radhë të parë te një gjuhë shqipe e përbashkët dhe e njësuar, me përpunim shkencor të themeltë, ngulmonte pra, te GJUHA LETRARE SHQIPE që kemi sot dhe që e ka zanafillën pikërisht te shkrimet e tij, të cilat, me shumë meritë, i ka përmbledhur në një vëllim të vetëm Kristina Jorgaqi nën titullin “Faik Konica – Mendime gjuhësie”. Krahas botimit të revistës së tij “Albania”, që po shkëlqente në rrethet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, por edhe në qarqet intelektuale të Europës, Konica do t’i hynte botimit edhe të disa librave shqipe me vlerë të veçantë – si “Jeta e Kara Mahmud pash Shkodrës” (1899) nga Nasuf beg Dizdari, “Jeta e Mustaf Pashë Shkodrës (1898) prej I. D”., “Abetari i ghues shcip” (1899), “Kalendari i Maleve” (1899), “Historia e Shcypniis”, Bruksel 1902, “Historia e Turkiis”, Londër 1902 nga Dom Ndoc Nikajt –, si dhe shtypjes e shpërndarjes të një numri kartë-postalesh me figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti nën penelin e mikut të tij belg Paul Nocquet. Veçse, në këtë mes, botimi që ai do t’i bënte “Hartës së Shqipërisë”, me terminologji shqipe, do të ishte kurorëzimi i tërë punës së tij botimore në vitet 1898-1902 dhe do të përbënte – e përbën – një stoli të vyer koniciane, tek shënon një ngjarje madhore për vetë hartografinë shqiptare.
Sipas FESH, historiku i hartografisë shqiptare “zë fill” me hartën e gjeografit të shquar shqiptar Ahmet Gashi përpiluar më 1940. Nuk kemi asnjë kundërshtim, përderisa nuk ka qenë e njohur dhe ka mbetur për një kohë të gjatë në errësirë të plotë Harta shqiptare Koniciane e vitit 1902. Sot, tek e zotërojmë të numerizuar këtë hartë, të rënë e të lënë në gjumin e harresës, po e bëjmë për herë të parë të njohur për publikun dhe studiuesin shqiptar pas 113 vjetësh, duke shfaqur përmbajtjen e saj thelbësore dhe cilësitë që e karakterizojnë.
E quajmë këtë “Harta Koniciane” sepse: 1) Nisma për përpilimin dhe hartimin e saj u ndërmor nga dhe vetëm nga Faik Konica; 2) Emërtesat, apo “nomenklatura e hartës” siç e quan Konica (“nomenclature” – fr.), janë autorësi e vetme e tij, mbi bazën e këtyre tre burimeve: a) “Kujtesës sime” – thotë ai, pra kujtesës gjeniale të Faik Konicës i cilësuar siç dihet nga Apolineri “Enciklopedi lëvizëse” ; b) “Shfrytëzimi i tërë librave që munda” (FK) – dhe dihet e njihet biblioteka e pasur koniciane, zhdukur pa nam e nishan; c) “Gjeografia e shkëlqyer e Shqipërisë”, botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës; 3) Titulli, shkalla, formati, tirazhi i hartës u përcaktuan nga Faik Konica për dy qëllime kryesore : për shkollat shqipe dhe për shkencën; 4) Emrat e lumenjve, liqeneve, maleve dhe lokaliteteve (qytezave) që Konica i quan “pshat (fshat) – bourg në frëngjisht”, si dhe të 250 katundeve që përfshihen në hartë janë përcaktuar nga Konica, me një “saktësi të përpiktë”, siç shprehet konkretisht ai vetë; 5) vetë Konica nuk ka dashur që harta e tij të ketë kufij të përcaktuar fizikë, përderisa nuk ekzistonin kufij natyrorë me shtete fqinje dhe kur pjesë historike të trojeve shqiptare ishin copëtuar arbitrarisht që me Traktatin e Berlinit në kurriz të etnisë dhe kombit shqiptar; 6) Ishte ideja origjinale e Faik Konicës për t’i shtuar hartës së tij edhe dy suaza hartash në miniaturë për gjeologjinë dhe klimën e Shqipërisë, të cilat Konica i quan në shqip “kartica” në bazë të frëngjishtes “cartouches”; 7) Vetë Konica e kishte, të themi, një dell dezinjatori për harta, po të kemi parasysh se, që më 1896, ai vetë kishte skicuar në një fletë fletoreje një hartë të Pellazgjisë, në kërkim të lashtësisë së kombit shqiptar (Letër drejtuar N. N. Naços, 20 mars 1896 – AQSH).
Nga ana tjetër, e vërteta e thjeshtë është se Konica flet më se një herë për botimin e kësaj harte, jo vetëm në letërkëmbim, por sidomos te “Albania” e tij, duke i kushtuar dy shkrime, në shqip e në frëngjisht, tek s’përmbahet në entuziazmin tejet të përligjur që shpreh: “Është e para kartë e dheut tonë në shqip”, është “kryepunë e dobishme për shkollat, e e dobishme për shkencën”, “është dritë për kombin tonë”, thekson ai dhe, në mënyrë thirrmore, me një pikë-çuditëse të fuqishme gëzimi e lumturimi, shfaq admirimin me një fjalë të vetme: ” E ç’kartë ! ” (“Albania”, prill-maj 1902, nr. 4-5).
Pikërisht, ky entuziazëm i Konicës, vetë ajo ngjarje e shënuar që përbënte botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare, të gjitha këto motive na nxitën për t’iu drejtuar me një mesazh të thjeshtë Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës në janar 2015, me qëllim që të ndihmoheshim në hulumtimin e një “harte shqiptare” botuar nga Universiteti i Ri i Brukselit, tek përmendnim autoritetin evropian të Konicës dhe autoritetin e Prof. Elisée Reclus. Nuk do vononte dhe shefi i Seksionit të hartave dhe planeve të kësaj Biblioteke, Z. Fabien Sansterre do të na përgjigjej se në koleksionet e tyre kishin vërtet një hartë të Shqipërisë botuar nga Instituti gjeografik i Universitetit të Ri por, duke qenë se veta harta nuk kishte të dhëna përshkrimore dhe kurrfarë reference, ata kishin hasur vështirësi në identifikimin e saj, sepse gjithçka mbi të ishte në gjuhën shqipe. Kuptohet gëzimi ynë i papërmbajtshëm me të parë disa klishe që na u dërguan, tek u bindëm se ramë pikërisht në atë që kërkonim. Dhe nisëm një letërkëmbim të dendur, ku vërtetuam bindshëm se bëhej fjalë për “Hartën Koniciane”, tek dërguam dokumentin frëngjisht (shkrimin-bazë të Konicës te “Albania”) me të dhënat e sakta të formatit, shkallës, vitit dhe vendit të botimit të hartës, rrethanat si u botua, marrëdhëniet Konica-Reclus, e mbi të gjitha tek zbërthyem hollësisht vetë hartën, në përmbajtjen dhe karakteristikat e saj thelbësore. Përfunduam, duke siguruar personelin e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës se ata zotëronin kështu një “stoli të vyer”, një “hartë të rrallë shqiptare” që nderonte Institucionin e tyre.
Po le të shohim më mirë këtë hartë nga afër:
1. Titulli i saj jepet në shqipen e kohës në dy dialektet: gegërisht, Shcypenia, toskërisht, Shciperia, por që të dy dialektet të shkrira në një fjalë të vetme ku y/i dhe n/r jepen me germa më të vogla në formë thyese, një krijim apo sajesë kjo simbolike, e mirëfilltë koniciane, dhe konkretisht në formën:
y n
Shc-pe- ia
i r
2. Poshtë titullit, është shkruar me germa të mëdha: E’ para karte é dheut t’one é shtypur/n mé të holla të Lartesise Tij Don Ghinit, Marcés i Aladros é prints i Kastrioteve nga ghaku i te Madhit t’one Skenderbég, Pérendia i faltë jéte te ghate. (Bien këtu në sy “e” që është “ë-ja” e frëngjishtes dhe po ashtu “é-ja” me theks, një përdorim karakteristik i këtyre dy germave nga Konica në krejt shkrimet e tij shqip të Albania-s.)
3. Në fund të hartës, jashtë kuadratit të saj, më të djathtë, jepet botuesi dhe viti i botimit në dy gjuhë: Ghithemsim i Ri. Institut Dhêshkrimtar i Bruselit (1902): Université Nouvelle. Institut Géographique de Bruxelles (1902). (Edhe këtu bie në sy prirja e Konicës për të shqipëruar çdo term të huaj shkencor, konkretisht fjalët “universitet” dhe “gjeografik” që i jep në format shqipe të tij “gjithëmësim” dhe “dhéshkrimtar”.)
4. Më poshtë, me shkrim dore, me laps, ku dallojmë qartë shkrimin e Konicës, është shënuar: XIV G, Albanie, 1902 “Përlindia”. Është fjala këtu për porositësin e hartës, që është “Shoqëria kombiare”, të cilën Konica e quante “Përlindia (Rilindja) e Shqiptarëve”. Dhe pikërisht, në krahun e majtë të hartës shfaqet me germa shtypi qoftë burimi apo baza ku mbështetej realizimi i skicë-idesë: “Ngrehur mbas punevet t’Institutit dhéshkrimtar ushtarak te Vjenes”, qoftë porositësi i hartës: “Per Shocerine “Perlindia e Shcipetarevé””.
Por tërë hollësitë e kësaj harte, të shkallës 1/500 000, në formatin 1m,20 x 0,75m, me pesë rilevime (kurbat niveluese pesëngjyrëshe) jepen në artikullin e Konicës në frëngjisht, të cilin po e japim më poshtë të përkthyer për herë të parë. Megjithatë, mbetet në pikëpyetje tirazhi i saj, sepse nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Po prapë, nisur nga disa të dhëna të tërthorta të vetë Konicës në letërkëmbimin e tij, mendojmë se tirazhi nuk duhet t’i ketë kaluar 300 kopjet. Kështu, në dhjetor 1908, ai thotë se iu kthyen në Londër nga Amerika 150 copë harta të pa shitura (Vepra 4, f. 169), kur mund të ketë dërguar aty ndoshta rreth 200 copë dhe kur mund të ketë shitur rreth 100 copë në Europë gjatë viteve 1902-1908. Çmimi i hartës ishte 5 franga (“1 fiorin a 10 grosh brenda në Shqipëri”- e përcakton ai çmimin), pothuaj po aq sa mund të kushtonte në atë kohë libri i një autori në zë. Nisur nga këto përllogaritje të hamendësuara, krejt kostoja e shtypit të hartës nuk duhet t’i ketë kaluar 1000 franga, të financuara – sikurse jepet që në nëntitull -, nga princi Aladro Kastrioti, i cili faktikisht kishte përcaktuar në po atë periudhë (1902-1903) edhe një çmim prej 1000 frangash si shpërblim vjetor për letrarin më të mirë shqiptar. Ishte koha kur pasaniku spanjoll Juan Pedro Aladro, i vetëshpallur Princ Kastrioti, zgjidhte qesen tek pretendonte të zinte fronin e ardhshëm të Shqipërisë dhe të kalëronte si mbret i shqiptarëve. Sidoqoftë, fakti është që në gusht 1912, Konica lajmëron se “Karta dheshkrimore e Shqipërisë u mbarua. Është një punë që gjithë dijetarët e kanë pëlqyer – vijon ai -, e me të vërtetë më e mirë nukë bëhej…” (Vepra 4, f. 176). Që me botimin e saj (mars 1902), ai vinte në dijeni edhe ministrin e jashtëm të Austrisë baronin Gulochowski, tek nënvizonte se: “Kam në dispozicionin tuaj aq ekzemplarë sa ju duhen. Nuk është e nevojshme të më dërgoni të holla për këtë qëllim, mbasi për botimin e kësaj harte më është dashur shumë punë, por nuk kam bërë as më të voglin shpenzim” (Vepra 4, f. 105 – nënvizimi ynë).
“Më është dashur shumë punë” – shprehet Konica pa modesti të shtirur kur, në fakt, vetëm për të saktësuar emrat e qyteteve dhe lokaliteteve shqiptare lypsej të mbante shënime gjuhësore, të bënte vëzhgime të përpikta dhe të nxirrte konkluzionet e duhura për njëjësim. Kështu, më 1898, ai ishte i intriguar që emrat e përveçëm të shqipes shfaqeshin në botimet e huaja në formë të dyfishtë, të shquar e të pashquar: Berat/Berati, Janinë/Janina, etj. “Në paraqitjen më të zakontë të fjalës, shkruan ai, përdoret forma e pashquar. Mirëpo, falë një kundërshtie që nuk arrij ta shpjegoj dot, në librat dhe hartat që kanë të bëjnë me Shqipërinë, të hartuara nga autorë të huaj, emrat mashkullorë (Berat, Ulkin, Prizren, Ipek, etj.) përdoren në formën e tyre të pashquar, kurse emrat femërorë (Janina, Dibra, Dschakova) në formën e tyre të shquar. Për të mos ndjekur këtë gabim, ne, vazhdon ai, do shkruajmë pra këtu, këtej e tutje, Janinë, Dibrë, Dschakovë, etj.” (Albania, B, 15-31 gusht 1898). Dhe fakti është që ai iu përmbajt me fanatizëm këtij rregulli të saktë që vendosi vetë, jo vetëm te Albania e tij, por edhe te harta që po trajtojmë, rregull që vijon edhe sot e kësaj dite në hartografinë shqiptare.
Tek jep lajmin e gëzuar për botimin e hartës, në të njëjtin numër të Albania-s Konica ndalet në përdorimin e fjalëve kartë dhe hartë, konkretisht në shkrimin “Mendime gjuhësie”. Parashtron këtu argumentet e veta pse duhet përdorur në shqip togfjalëshi “kartë dhéshkrimore” në vend të terminologjisë “hartë gjeografike”. Sepse – në neologjizmat e veta të shumta, në tërë shkrimet analitike gjuhësore, dhe si gjuhëtar e poliglot që ishte (njohës e folës i 15 gjuhëve të huaja) -, Konica merrte gjithnjë për bazë dhe për model gjuhën frënge, të cilën e zotëronte me mjeshtëri; por bazohej edhe në gjuhët e tjera perëndimore si gjermanishtja e anglishtja, të cilat ai i quante “gjuhë të mbëdha e të bukura”, tek shprehnin absolutisht prirjen dhe bindjen e tij të hershme për përparim të kombit shqiptar drejt Perëndimit Europian. Pra, ai parapëlqente në rastin tonë përdorimin shqip të fjalës kartë (carte fr. dhe land-karte gjer.) dhe jo hartë, term që e shihte si të prejardhur në rastin konkret nga turqishtja “harita”, dhe “që e përdorin dudumët” (turqit), sikundër shprehet ai. Sigurisht që mjeshtri i gjuhëve, që do shkruante më 1904 librin madhor e në nivele europiane “Sprovë për gjuhët natyrore e artificiale”, e njihte origjinën e fjalës hartë nga latinishtja charte (fleta e letrës – kartë). Por nuk gëlltiste dot atë “haritën” turke për fjalën hartë në shqip. Në fund të fundit, edhe pse “fitoi” përdorimi në shqip i fjalës hartë në vend të fjalës kartë, që predikonte Konica, nuk ka në këtë mes ndonjë “humbje”, kurrgjë “të keqe”, kur dihet që në gjuhësi përdorimi i fjalëve është çështje shijeje, pëlqimi, zakoni, mode, madje edhe “detyrimi”, si në rastin e përdorimit masiv të termit “shok” gjatë regjimit totalitar, në vend të fjalës “zotëri, zot”. Por ama, ne nga ana jonë, kemi të drejtë ta gjejmë të bukur e të goditur togfjalëshin konician “kartë dheshkrimore”, që e çmojmë, tek na tingëllon ëmbël në veshë, si një togfjalësh paksa ekzotik, por që përbën, pamëdyshje, një gjetje mjeshtërore koniciane.
Nga pikëpamja teknike e topografike, harta-bazë ku u mbështet Konica ishte, siç e thotë edhe vetë, Harta e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës. “Është harta më e mirë që ekziston për Shqipërinë, por ka plot pasaktësi”, thotë ai për të. E dinte që ekzistonin dy botime të asaj harte: ajo e vitit 1880, që kishte përdorur albanologu Julius Pisko për të përcaktuar – pa rezultat – topografinë e fushatave të Skënderbeut dhe ajo më e fundit e vitit 1900. Duke studiuar nga afër këto harta, Konica do arrinte në konkluzionin se një punë e vërtetë shkencore në fushën e hartografisë duhej të mbështetej, në radhë të parë, në dy kritere bazë: a) të merren me këtë punë njerëz nga vetë terreni, që e njohin këtë me themel, “njerëz nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Dibra”, thotë ai; b) të merren njerëz të përkushtuar për këtë punë, që kanë dashuri e interes për historinë e popullit dhe epopetë e tij të lavdishme.
Si shqiptar me rrënjë të lashta fisnikërore, plot dashuri e patriotizëm të flaktë për vendin e tij dhe si erudit i shkallës së epërme, Konica i plotësonte e i tejkalonte ku e ku këto dy kritere kryesore. Dhe, sa për historinë dhe epopetë e lavdishme të popullit shqiptar, Konica prej kohësh i kishte hedhur sytë nga epopeja skënderbejane, për të ringjallur kujtimin e Heroit Kombëtar dhe vetë ndjenjën kombëtare shqiptare. Sepse është e njohur që Konica është i pari rilindës që i hyri konkretisht studimit të topografisë së fushatave të Skënderbeut (Albania, nr. 9, 1901), pikërisht fusha studimore ku kishte dështuar austriaku Pisko. Mbështetur edhe në studimet e J. G. Hahn e të Biemmi, Konica dha 16 lokalitete-arena të luftërave të Skënderbeut ndaj sulltanëve turq, nga Albulena, Alkriha e Çidhna te Mekhadio, Modrisa, Mokri, Oroniqi, Otoneta, Petralba, Svetigradi, Talmirana, Torviolli, Vajkali, etj. Veçse i vjen keq që nuk arriti të shfrytëzojë sa duhet vetë studimin e tij për t’i paraqitur këto fushata edhe mbi hartën që përgatiti, tek u mjaftua thjesht në vënien e disa datave poshtë lokaliteteve kryesore historike të hartës.
Ç’ka i interesonte në mënyrë të veçantë ishin kufijtë etnikë e historikë të Shqipërisë. Ai e njihte edhe Hartën tregtare të Shqipërisë (“me dy Shqipëritë – Toske e Gege”) nga F. Bianconi, dhe “me gabimet e saj të falshme” (F.K.), kur ishin lënë jashtë kufijve krejt Manastiri me fshatrat e tij shqiptare. “Manastiri është provincë shqiptare sa më s’bëhet”, proteston Konica me bindje të plotë (Albania, nr. 13, 30 maj 1898). Jo vetëm kaq por, në shkrimet e tij të shumta, shpesh ai shpreh zemëratën e vet gjer në revoltë sa herë që i referohet padrejtësive historike në kurriz të shqiptarëve, duke filluar me Kongresin e Berlinit që copëtoi egër trojet e tyre. Mbi të gjitha, me ton të fuqishëm polemizues ai i hyn me fshikull kurrizit dhe kopaçe të rëndë në kokë qarqeve politike shoviniste të vendeve fqinje, serbe, malazeze, bullgare, greke, maqedone, italiane, si dhe zëdhënësve e kalemxhinjve të tyre kryesisht frëngj që po i binin tmerrësisht në qafë kombit shqiptar në perëndimin e turpshëm të Perandorisë osmane. Që në numrin e parë të mrekullisë Albania (mars 1897 – por të përgatitur që më 1896), në një “Shënimth” me 20 rreshta, 20 vjeçari Konica, duke rimarrë formulën e Prud’honit, do shkruante me penë gjeniu një koncentrat ideor filozofik, historik e patriotik, tek shkruan : “Ç’është rendi i tretë? Asgjë. Çfarë duhet të jetë? Gjithçka.” Dhe, duke e parodizuar këtë formulë të famshme historike, për të treguar që fati i shqiptarëve nën Turqinë otomane ishte fati i nën-njerëzve që s’gëzonin liri e pavarësi, por ishin faktor kryesor veprues, Konica pyet: “Ç’janë shqiptarët në Turqinë evropiane? Asgjë. Çfarë duhet të bëjnë? Gjithçka” E vijon: “Ne nuk kemi para për të paguar gazetat dhe agjencitë, por kemi mushkri të fuqishme, dhe thirrja jonë do të arrijë më në fund gjer te publiku i gjerë. Ja ku po shpallim me të madhe, ja ku po thërrasim me forcë për ta dëgjuar njerëzit e ndershëm dhe dashamirë: Territoret e sotme të Greqisë, të Serbisë, të Bullgarisë, dhe grupi i fshatrave të quajtur Mal i Zi përfshijnë elementë të huaj; për të vënë në vend drejtësinë, Thesalia, një pjesë e Bullgarisë dhe e Malit të Zi, dhe Serbia, nga Vrana duke shkuar për në Jug, duhet t’i bashkëngjiten Shqipërisë. Në vend që të rrinë urtë, si hajdutë që janë e që kanë marrë si shumë, dhe kur duhet t’i mbushin brekët se mos e hanë, grekët dhe të tjerët dashkan ende ta copëtojnë Shqipërinë. Grekëve dhe të tjerëve, ja ku po u themi këtë çast me zë të prerë: mjaft më! Mos shkoni më tutje!” – Ja pra, një fantastike tjetër koniciane à la Wagner! Dhe sa aktuale, kur grekët e sotëm na duan detin, ndjekin kufirin e Epirit të Veriut me shpikjen dhe vendosjen e varrezave të ushtarëve grekë si një gozhdë Nastradini, kur vetë ushtarët grekë janë kthyer në kanibalë për të ngrënë mish shqiptari dhe kur Autoqefalia shqiptare në qendër të Tiranës është një fjalë boshe.
Më në fund, nëse krahasojmë Hartën Koniciane të vitit 1902 me Hartën e Shqipërisë natyrale të vitit 1867, hartuar nga F. Milone më 1942, vërejmë se nuk kanë ndonjë ndryshim lidhur me trojet shqiptare që sot ndodhen përtej kufijve fizikë të përcaktuar arbitrarisht nga Fuqitë e mëdha më 1913 dhe 1920. Duke ndjekur vijën e lakuar të emrave të vendeve fqinje vërejmë se përvijohet “ndarja” sipas asaj që do ta quanim “linjë klasike”, që niset nga Artë-Preveza në Jug, për të marrë drejt Kallabaqit e Dishkatit në Jug-lindje, më në Lindje drejt Kozhanës, Manastirit e Prilepit, duke u ngjitur drejt Kumanovës, Vranjës e Leskovacit si pika më veri-lindore, për të kulmuar në Veri drejt Ibarit e Beronës dhe për të përfunduar në Veri-perëndim drejt Rashpës e Ulqinjit. Por një gjë bie dukshëm në sy: në një kohë kur kufijtë janë bërë gjëja më e shenjtë, Konica i lë hapur kufijtë e Shqipërisë, tek ka parasysh te shkuarën e hidhur për kombin shqiptar të coptuar e të masakruar, si një përgjigje politike e historike për qarqet arbitrare evropiane, duke lënë të kuptohet se kufijtë e Shqipërisë janë aty ku ka shqiptarë në trevat e tyre historike, shqiptarë që i kanë bërë qëndresë asimilimit të dhunshëm dhe dëbimeve masive. Nga ana tjetër, kjo Shqipëri e hapur, me kufij të hapur konicianë, që i bën edhe vendet fqinje të mos kenë kufij të përcaktuar me Shqipërinë, duket si një mesazh tepër aktual, ardhur nën penën e Konicës që nga fillimi i shekullit XX, për hapje ballkanike e evropiane, për atë në synohet drejt një Europe të Bashkuar. E s’ka si të mos e mbajmë në këtë rast Faik Fisnik Konicën tonë si pararendës të shkrirjes së akujve kufitarë që ndajnë historikisht popuj e vende, si pararendës të Ballkanit dhe Europës pa kufi.

Harta e parë e Shqipërisë

Nga Faik Konica

Hartë gjeografike e Shqipërisë, në shkallën 1/500 000, format 1m,20 x 0m75, hartuar nga Instituti Gjeografik i Universitetit të Ri të Brukselit. (Çmimi 2 fr. për Shqipërinë, 5 fr gjetkë. Për ta marrë jo të palosur, por rrotullam në karton, shtoni 0,50 fr).

Punimet e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës shërbyen si bazë për hartën tonë, por ja përmirësimet që janë realizuar:
1. Emrat e lokaliteteve e të tjera janë të shkruara në shqip me një saktësi të përpiktë.
2. Kurbat niveluese shfaqen me pesë ngjyra të ndryshme duke shkuar nga e kafejta më e çelët që vjen e forcohet, gjer te larushia më e errët, tek ndiqen lartësitë, dhe mjaft të hidhet një sy mbi hartë për të krijuar një ide të qartë rreth konfigurimit të tokës shqiptare. Kjo mënyrë i lejon nga ana tjetër profesorit të zgjuar t’u japë nxënësve të tij një seri mësimesh sugjestionuese dhe tërheqëse, që janë të pamundura me hartat ku lartësitë shfaqen me ndoca ravijëzime të turbullta, zgjatur ku këtu, ku atje.
Sepse kjo hartë destinohet kryesisht për shkollat. Andaj pra dhe kemi përdorur një format aq të madh dhe, me qëllim që t’i japim emrat me germa të mëdha, të lehta për t’u lexuar, u kufizuam në një nomenklaturë prej rreth 400 lokalitetesh, lumenjsh, liqenesh, etj.
Nuk kishim për qëllim të bënim një hartë për një fushë të ngushtë, dhe ndjenja e lartë shkencore e Z. Elisée Reclus do t’i priste me gëzim këto kërkesa tonat të paanshme. Nuk gjendet në të një vijë ndarjeje midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje, po ashtu turke [nën suazën turke], por të banuara nga kombësi të tjera. Nuk deshëm të përcaktonim kufij të kontestuar. Është një hartë shkencore dhe asgjë më tepër, ose më mirë, asgjë më pak. Nëse kemi përfshirë pjesë territori dukshëm joshqiptare, si për shembull në Veri-Lindje, kuptohet – veç në mos qofshin mendjengushtë për keqardhjen tonë – se është e pamundur në një hartë të priten kufij të skajshëm, e vetëm të përdornim atëherë viza të drejta. Pra, nuk shkaktojmë kurrfarë ambicie, kurrfarë iluzioni, makar i vogël qoftë. Ata që jetojnë me fjalë dhe përkunden me ninulla fjalish s’kanë pse vinë e ankohen dhe të na lëshojnë britmat e tyre të zakonta prej palloi.
Po ashtu, nuk janë shënuar me vizë kufijtë e vendeve fqinje, por kjo, kuptohet, për arsye krejt të tjera. Duke pasur parasysh shkallën e hartë sonë dhe pasaktësinë e mundshme të dokumenteve që disponoheshin, iu trembëm pasaktësive. Andaj dhe emrat e vendeve fqinje u shkruan sipas një lakoreje, në përputhje me vijën e përgjithshme të kufijve. Mendoj se ideja ishte e arritur dhe nuk mund të bëhej më mirë.
Vendi nuk është ndarë në vilajete, duke qenë se kjo ndarje nuk paraqet asnjë interes nga pikëpamja gjeografike. Në të kundërt, poshtë emrit të lokaliteteve kryesore historike janë dhënë disa data. Është për të ardhur keq që nuk arritëm të shfrytëzonim sa më mirë në këtë drejtim studimin tonë botuar te Albania me titullin Topografia e fushatave të Skënderbeut.
Nga ana tjetër, për të shtuar interesimin për këtë hartë të admirueshme, shtuam dy suazime, një për gjeologjinë, tjetra për klimën e Shqipërisë.
E ndjej si detyrë të falënderoj me zemër, në emër të popullit shqiptar Z. Elisée Reclus, që nuk është vetëm një gjeograf i madh, por edhe një zemër e madhe dhe që, si këtu, si në gjithçka, u tregua me zemër të lartë fisnike. Falënderoj gjithashtu Z. Bertrand dhe Z. Pattesson, dy hartografët e shquar të Institutit që u morën me aq mjeshtri e shkathtësi për ta çuar gjer në fund tërë këtë ndërmarrje.
A ka gabime materiale në këtë hartë? Nuk besoj; por është e mundur dhe, në këtë rast, kërkoj të falur, sepse gjithçka që ka të bëjë me nomenklaturën, kuptohet, vetiu, që është dhënë nga unë. Vura në veprim kujtesën time dhe tërë librat që munda, konkretisht gjeografinë e shkëlqyer të Shqipërisë botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës. E megjithatë, kam frikë se mund të jenë bërë edhe gabime, sidomos për sa i përket Veriut të Shqipërisë.
Mirëpresim gjithë mirënjohje tërë vërejtjet që mund të na bëhen, do t’i klasifikojmë ato dhe, po qe se ky botim i parë, sikurse shpresojmë, arrin të shitet shpejt, ne do t’i përdorim ato për një botim të ardhshëm. Ndërkohë, pa dyshim, Instituti gjeografik ushtarak i Vjenës do ketë botuar hartën e tij të re të Shqipërisë jugore, gjë që do lejojë, ka të ngjarë, në botimin tonë të dytë, disa ndryshime në lakoret niveluese.
Do të ishte mungesë nga ana ime po të mos realizoja detyrimin më kryesor për të falënderuar Z. De Aladro, i cili hoqi shpenzimet e këtij botimi. Me natyrshmërinë më dashamirëse mori përsipër të gjitha shpenzimet, një ditë kur po i flisja për një projekt harte të Shqipërisë. Ja një veprim më se i dobishëm, dhe tërë shqiptarët i janë atij mirënjohës.
F.K.
P.S. Harta është në shitje në Redaksinë e Albania-s dhe në Librarinë Kissling*, Montagne de la Cour, në Bruksel.
Albania, Viti 6, prill-maj 1902, nr. 4-5.(Hartat e plota Dielli do t’i publikoje ne numrin e printuar)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: Fotaq Andrea, Hartat e Faik Konices, Zbulim i rralle

KËRKESË PUBLIKE KRYESISË DHE POSAÇËRISHT KRYETARIT TË FEDERATËS PANSHQIPTARE TE AMERIKES”VATRA” /

August 2, 2015 by dgreca

Ju kërkojmë të reflektoni për situatën aktuale në anarkisë së pronës në Shqipëri/
Shkruan:Ing. Isuf Bodo,pronar autokton i fshatit Dukat, Vlorë/
Unë quhem Isuf Bodo, jam nga pronarët autoktonë nga fshati Dukat i Vlorës, që mbetm pa prona sepse na I kinfiskoi diktatura, por nuk po na I kthen as demokracia. Unë jetoj në Shqipëri dhe në rradhë të parë ndjej detyrim moral të falenderoj redaksinë e gazetës “Dielli”, si shtyp i lirë që na jep mundësinë të komunikojmë dhe shprehim lirisht mendimet tona. Gazeta “Dielli” ka botuar me korrektësi të gjitha shkrimet kritike per problemin e pronave, adresuarj Qeverive shqiptare të majta e të djathta. Redaksia “Dielli” ka në themel profesionalizmin dhe ky është model për të gjithë gazetat që botohen në Shqipëri, të cilat në fakt janë pjesërisht të lira sepse realitetin ato e modifikikojnë nën këndvështrimin e interesave të drejtuesve të politikës.
Nëpërmjet këtij shkrimi të hapur i drejtohem publikisht Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Panshqiptare Vatra dhe posaçrisht kryetarit aktual z. Gjon Buçaj .
Zotëri të nderuar, Kanë kaluar 25 vjet kur populli shqiptar e përmbysi diktaturën komuniste që në 45 vjet krahas gjërave të mira që realizoi me punën e popullit, si organizim ishte maskim i interesave pansllave.
Në 1991 Shqipëria rrëzoi Monumentin e Diktatorit dhe me Dispozitat Kryesore Kushtetuse pranoi respektimin e lirive dhe të Drejtave themelore të Njeriut, pranoi parimet e Helsinkit, pranoi respektimin e konventave ndërkombëtare etj. Në 1991 në programin e parë të Partisë Demokratike, ku kam qenë present, perfshihej kthimi i pronës tek i zoti. Ishte gabim fatal i Sali Berishës që e si “me urdhër të peshkut” ndryshoi programin e PD dhe sot situata është edhe më e rëndë se në kohën e diktaturës. Konkretisht : Neni 8 i ligjit nr 7501 I miratuar me datë 19.07.1991 “Për tokën” thotë: “Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihet pronësia e mëparëshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit” Praktikisht jo i gjithë ligji por këto dy fjalët mohuese NUK dhe AS janë virusi vdekjeprurës për demokracinë dhe popullin shqiptar. Mohimi I pronës, ju interesoi deputetëve në 1991 dhe vazhdon ti mbajë ata me gojën mbyllur edhe sot . Këto dy fjalët mohuese janë burimi i kriminalizimit të administratës shtetërore, të gjyqësorit dhe pastaj e keqja zhvillohet dhe pëhapet kudo në çdo sector të shoqërisë sipas ligjit shkak-pasojë .
Tani pas 24 vjet pluralizëm, nga ambasadori i SHBA z. Donald Lu, nga ambasadore e BE znj Romana Vlahutin dhe nga të gjithë drejtuesit e politikës shqiptare konstatohet një realitet i hidhur: – shteti shqiptar rezulton i korruptuar, i kriminalizuar. Pra monumenti i Enverit u përmbys në 1991 por demokacia është mohuar, sepse diktatura është transformuar në korrupsion vertikal. Këtë periudhë 24 vjeçare, njerëzit e pandershën, të papërgjegjegjshëm që ju futën politikës e shfrytëzuan atë për të plotësuar interest e tyre personale. Shqipëria po denatyrohet, shqiptarët po vriten ndërmjet tyre. Është publikuar se janë mbi 8000 të vrarë dhe mijëra familje të ngujuar për shkak të ligjit 7501. Kete e ka deklaruar vete kryeministri Edi Rama, ish kryeministri Pandeli Majko, vetë Sali Berisha dhe shumë deputetë te tjerë, që ja lene fajin pales kundershtere, pa bërë asgjë konkrete. Për ju zoti Buçaj që keni kulturën demokratike të SHBA është e qartë se pa respektetuar titujt e pronësisë ashtu siç thote Kushtetuta dhe siç ndodh në SHBA të gjithë botën demokratike, nuk mund te kete investime te huaja nuk mund te kete pranim të Shqipërsisë ne Bashkësinë Europiane. Shoqata e pronarëve prej vitit 1991 ka luftuar pa kompromis për zgjidhjen e problemit të pronës dhe gjithnjë ka kërkuar të njëjtën gje: zbatimin nga shteti të detyrimeve kushtetuese . Në 2013 Shoqata ka paraqitur për diskutim projekligjin që eshte në përputhje me kushtetuten. Projektligji shoqatës parashikon qe shteti të mos tallet me pronarët dhe me Kushtetutën, por të hapi rregjistrat e shtetëzimeve që bëri Enver Hoxha dhe dhe kërkohet që të jenë strukturat shtetërore që secilit trung familjar ti kthejë pronën e tij të trashëguar. Për pronat që në periudhën 1945-1991 janë tjetërsuar për nevojat publike ligji i propozuar nga shoqata parashikon kompensim. Nëse kjo detyrë merret përsipër nga Qeveria, e gjithë procedura mbyllet benda pak javëve dhe pa kosto financiare, duke realizuar kërkesën urgjente që ka vendosur BE para qeverisë Shqiptare. Praktikisht ne kërkojmë që Qeveria rë marri përsipër detyrimin të zbatoje kushtetutën dhe të çlirojë tokat e pushtuara nga interesat e popitikanëve grykës. Por kjo kërkesë e shoqatës nuk ju pëlqen politikanëve shqiptarë, që vazhdojnë ti koruptojnë ose ti mashtrojnë nderkombëtaret, duke përdorur termin kompensim. Qeveria ka një muaj që orvatet të ofrojë një variant projektligji që është dështim pasi është vazhdimësi e rrugës së gabuar te filluar në vititn 1991, process, që vetë Sali Berisha në 2013 e deklaroi te gabuar. Lidhur me mungesën e dështirës së politikaneve shqiptare për zgjidhjen e problemit, sqaroj se edhe në takimin e fundit të datës 31 Korrik 2015 të Minstrit të Drejtësisë z. Nasip Naço, me shoqatat e pronarëve,për zgjidhjen e problemit të pronave, ku pronarët kërkonin zbatim të Kushtetutës d.m.th kthimin fizik të pronës dhe kompensim për pronat e zëna per nevoja publike, vetë Ministri i Drejtësisë, ju përgjigj pronarëve se… “ ju jeni pak, ne nuk mund të plotësojmë kërkesat tuaja, por ne si forcë politike po marrim përsiper të kompensojme me teper nga sa bëri Sali Berisha …”. Në fakt ai dhe stafi tij kërkojnë të imponojnë nje projektligj që të gjitha grabitjet e pronave të bëra në zonat turistike nga politikanët e postkomunizmit të mbyllen me një kompensim që është i papranushëm për ne.. Ne kërkojmë ndihmën e shoqatës Vatra sepse nuk duam ta shesim tokën e të parëve tanë, prona është atdheu për secilin nga ne . Siç u tha edhe në takim me Ministrin kjo nuk ndalon askend që nuk ka më interes për pronën që pasi prona të çlirohet nga pushtimi nga të fortët e politikës dhe ti kthehet fizikisht, ai, pra vetë pronari ta shesi pronën e tij. Në takimin e dt. 31 Korik 2015 drafti i Qeverisë u refuzua kategorikisht si i papranushëm, nga të gjithë pjesëmarësit që insistuan për detyrimin e shtetit për të zbatuar detyrimet kushtetuese, për kthim fizik të pronës që ju është konfiskuar dhe kompensimi të parashikohet për pronat që janë tjetersuar për nevoja publike. Të gjitha këto janë thënë edhe më parë në takime, në gazeta, në TV e kudo nga zoti Rrapo Danushi kryetari i shoqatës Pronësi me Drejtësi” nga z Niko Nesturi kryetar i shoqatës “Bregdeti” dhe nga z. Axhem Ymeri, kryetar i shoqatës “Krahina Jonë Dukat Tragjas Radhim” por zeri dhe argumentat e tyre bien ne veshin e shurdhër të politikanëve shqiptare. Në takimin e datës 31 korrik 2015, por edhe në takimin e mëparshëm gazetarët dhe TV u ndaluan të hynin në sallë dhe të asistonin, prandaj këto zhvillime nuk janë bërë të njohura për publikun. Në takimin e dt 31 Korrik, Kryetari i Shoqatës “Krahina Jonë“ z. Axhem Ymeri por dhe pjesëmarës të tjerë në bisedime, i kërkuan Ministrit të Drejtësisë, që nëse nuk mundet ta mbrojë Kushtetutën, është më mirë të tij si person dhe për të gjithë vendin, të bëjë dorëheqjen.
Sot më shumë se kurrë populli shqiptar dhe demokratizimi I vendit ka nevojë për ndimën patriotike nga Shoqata Vatra. Ju keni dijeni më të plota dhe në gjirin e Vatrës ka intelektualë të shquar e patriotë që mund të sugjerojnë një fjalë me senatorë e kongresmenë që përpiqen me gjithë shpirt për të mirën e demokracisë në Shqipëri, por që nuk i njohin realisht problemet tona. Prandaj ju drejtohem posaçrisht ju zoti Gjon Buçaj, kryesisë së shoqtes panshqiptare Vatra, që të konkretizoni patriotizmin tuaj duke sqaruar në politikëbërësit e SHBA dhe DASH se problemi më shqetësuar për popullin dhe te ardhmen e stabilitetit social në Shqipëri është korigjimi i anarkisë që prodhohet nga dy fjalët mohuese në nenin 8 të ligjit 7501, dy fjalë djallëzore që korruptojnë pushtetarët dhe Shteti praktikisht nuk e respekton Kushtetutën. Të sqaroni gjithashtu se kompensimi për prona që janë transferuar në mënyrë të paligjshme është mashtrim dhe se këto dy fjalë në nenin 8 të ligjit 7501 dhe të gjitha prapësitë e tjera të bëra me pronat në kohën e postkomunizmit i korigjon projektligji i shoqatës,që politikanët e mbyllin ne sirtar. Këtë projektligj cilido që është i interesuar e gjen ne shqip dhe në anglisht në faqen e internetit të shoqatës www.defendingproperty.com

Shpreh bindje të plotë për mirkuptimin tuaj dhe në shpirtin patriotik të shqiptaroamerikanëve
Me respekt
Ing. Isuf Bodo,
pronar autokton i fshatit Dukat, Vlorë

Filed Under: Vatra Tagged With: Isuf Bodo, Kryetarit te Vatres, Leter nga Shqiperia

Virtyti i guximit intelektual të Arshi Pipës

July 30, 2015 by dgreca

Ne Foto:Fehime Pipa, Arshi Pipa, Mithat Gashi, Washington D.C. Qershor 1996./
Nga Mithat Gashi/
Në librin e tyne “Intellectual Virtues,” Roberts dhe Wood (2007), ndër të tjera, rreshtojnë disa virtyte cerebrale të inteligjencës njerëzore.Ndër këto janë:
1) dashunia për ta ndjekë dijen;
2) guximi intelektual;
3) qëndrueshmënia ndaj bindjeve kur ke fakte dhe arsye edhe kur ato nuk janë popullore;
4) përultësia – mos me shkarravitë a me shkrue për me ra në sy, por se ke diçka thelbësore që don më e thanë;
5) autonomia – kur nuk pranon çdo lloj ideje pa e sitë mbarë e mirë. I rendita këto virtyte, sepse ma kanë sjellë ndër mend karakterin e profesor Arshi Pipës. Arshi Pipa e ka dashtë dhe ndjekë dijen. Ai kurrë nuk ka qenë i lëkundshëm në karakter dhe në mendime. Si rrallë kush, u ka qendrue besnik bindjeve të veta. Si intelektual i përgjegjshëm, Pipa kurrë nuk ka shkrue për me u dukë, por ka dashtë me e publikue atë çka ai thellësisht, ka mendue se asht thelbësore për t’u thanë. Profesor Pipa ka qenë mendimtar i pavarun, në kuptimin e plotë të kësaj fjale; nuk ka pranue çdo lloj ideje pa e futë në sitën e vet të arsyes dhe llogjikës.
Në temën e sotme, unë do të përqendrohem tek virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, dhe për të ilustrue guximin e tij intelektual, do të jap vetëm pak shembuj tue i bâ nji vështrim veprave të tij në: poezi, kritikë letrare, gjuhësi, analiza politike, si në publicistikë dhe veprimtari.
Roberts dhe Wood (2007) theksojnë se forma ma e dukshme e guximit intelektual asht rezistenca në mbajtjen e pikëpamjeve jopopullore. Për të mbërri në konkluzionin e pikëpamjeve jopopullore, duhet të merren në konsideratë të gjitha faktet dhe anët e argumentit.
Kur Arshiu ishte i ri, ideologjitë marksiste kishin penetrue në rininë shqiptare, sidomos në Korçë dhe Shkodër. Pushtimin e Shqipnisë nga Italia komunistët e shfrytëzuen më rritë radhët e tyne. Siç pohon edhe vetë Pipa, elementë të ndryshëm u munduen me e futë në radhët e komunistëve, por aj, tue përdorë synin kritik dhe intuitën, dijti të dallojë të keqen prej të mirës. E pa qysh herët që komunizmi nuk asht sistem i mirë për njerëzimin. Dhe për kët arsye nuk e pranoi atë idelogji.
Tash po jap disa ilustrime të shkurta të guximit intelektual të Pipës në fushat që përmenda ma parë:
Poezia e Pipës
Në “Libri i Burgut”, jo vetëm që në kohën ma të vështirë Pipa merr guximin me i bâ kritikën e duhun sistemit komunist, por ai i len historisë së letërsisë shqipe nji testament mbi krimet e komunizmit. Në parathanien e këtij libri, shkrue në vitin 1958, ai tregon se zgjodhi vargun, jo sepse vargu asht sintetik dhe zen vend ma pak, por donte të paraqiste jehonën e shpirtit tue kapë momentet e realitetit, ose siç shkruen ai vetë: “me ruejtë çasin, çasin vështrimplotë, herë mbas here, në mënyrë qi ndija e kohës, e asaj kohe, të mbetej e gjallë.”
Nji prej përshkrimeve të këtij realiteti asht “Kanali” që tregon vuejtjen e të burgosunve në Kampin e Vloçishtit.
Poeti shkruen:
Kanali
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamas mbi krena e shroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Kur rojeve u tekej me u zbavitun
Merrshin ndokên nga puna, zakonisht
Fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
Lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun.
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
Qi e ngitte posi kalin tu’ e shetitun
Përgjatë kanalit, “hyja!” tue i britun…
E ja diftojshin puntoris me gisht:
“Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerët!…”
Zgërdhiheshin, ngërdhesheshin. At’herë
dy-tre zuzarë ma t’lig, shokët e t’parit,
shtymjen i jepshin n’gjol qi nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
Në “Kështjelli” ku përshkruen jetën e burgut në Gjirokastër, Pipa shkruen:
“Kush e mendonte se prej ktij kështjelli/do ta soditsha rishtas pamjen tande”.
“kur me prindin erdha/te shpija e etnëve.
E shumta u dogjën. Nuk i dogj i hueji, /Greku, Italjani, por banori i tyne/Gjatë luftës qytetare…
26 vjet mbas shembjes së Murit të Berlinit, propaganda komuniste ende e glorifikon “Luftën Nacional Çlirimtare”. Pipa e ka shkrue në poezi qysh në vitin 1950, kur ishte në burg, se ajo ishte luftë qytetare, pra luftë civile.
Nëpër burgje, të burgosunve u banin edukim politik. Mbi këte, Pipa shkruen,
“Na thonë se sot na miq i kemi Grekët, /se jemi lidhun kundër komunizmit/me ta për nji qellim!…
Dhe në pjesën tjetër të strofës, ban pyetjen:
“Shqiptarë, a i njifni? /Harruet Hormovën? Kristo Negovanin, /shërbëtorin e Zotit e t’atdheut/therun me thika? Egzodin çam harruet?
Në pjesën përmbyllëse të kësaj strofe, Pipa deklaron:
Jo, nuk e due lirín qi m’falë anmiku!/Ma parë kalbem e vdes ndër kto bodrume/se me shpërblye kamatën e lirimit/me turpin e nji heshtjeje tradhtare!
Mund të gjejmë plot vargje të tjera ku shprehet guximi intelektual i Pipës në poezi.
Kritikë letrare
Arshi Pipa asht themeluesi i kritikës letrare shqiptare. Qysh në moshë të re, e pa se ndër letrat shqipe ekzistonte edhe boshllëku i kritikës letrare. Për këtë arsye, ai argumentoi se nuk duhet të çuditemi që nuk kemi kritikë shqipe, sepse “mungon materiali për t’u kritikue.” Në vitin 1944 nxori në botim revistën “Kritika” të cilën e drejtoi vetë. Në numrin e parë të kësaj reviste, në faqen 27, Pipa shënon se revista ka për qellim me botue në pjesën e parë prodhime origjinale dhe përkthime dhe në pjesën e dytë, kritikë lerare. Mbi kritikën letrare, Pipa shkruen: “N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht shêji i mendjes së pjekun. Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. (nxjerrë nga: https://gazetadielli.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf). Pasionin e tij për kritikën letrare, Pipa e vazhdoi ma vonë në Amerikë me botimin e Trilogia Albanica (1978), Montale dhe Dante (1968), me shkrimet që botoi në revistën “Albanica” të cilën e drejtoi vetë, etj.
Gjuhësi
Në librin Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste (1989), spikasin njohunitë e Pipës në lamën e gjuhësisë, të metodologjisë hulumtuese, dhe të analizave teknike në linguistikë. Pipa muer guximin me i bâ nji autopsi procesit të standardizimit të gjuhës shqipe.
Në studimin e tij gjuhësor, Pipa vê në dukje mungesat dhe të metat methodologjike të tri veprave: 1) Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), 2) Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), dhe 3) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980).(Te plote lexoje ne Diellin e Printuar, Korrik 2015)

Filed Under: LETERSI, Vatra Tagged With: Arshi Pipa, guximi intelektual, Mithat Gashi, Virtyt

VATRA NDEROI KUJTIMIN E PROF. ARSHI PIPES NE 95 VJETORIN E LINDJES ME NJË KONFERENCË SHKENCORE

July 28, 2015 by dgreca

Të Hënën me 27 Korrik, në ditëlindjen e Prof. Arshi Pipës, Vatra organizoi një Konferencë Shkencore, ku u mbajtën kumtesa mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Arshi Pipës në fushën e studimeve, të letërsisë, të përkthimeve, të publicistikës, të filozifisë, të kritikës letrare etj.
Në krye të sallës, një portret i Prof. Pipës, një karrige-ku ishin vendosë libra të tij dhe një buqetë lulesh, në urim të Ditëlindjes.Përmes ekranit shfaqej Prof. Arshi Pipa gjatë vizitës së tij në Shqipëri, takimi me njerëzit e dashur, motrat, shokët e fëminisë dhe të shkollës, si dhe zëshëm jepeshin kujtimet e tij të rinisë shkollore, studimet në Shkodër dhe Firence, pastaj arrestimi, burgu, arratisja, veprimtaria në SHBA.
Seminarin e ka hapë Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen pjesmarrësve dhe ligjërusëve, tha:”… Mirëse vini në perkujtimin e prof. Arshi Pipës, në ditën e 95 vjetorit të lindjes, që “Vatra” ka organizue për t’a nderue me mirënjohje jo vetëm për kontributin që ai i ka dhanë kulturës shqiptare, por edhe për shërbimin që i ka ba kësaj organizate kombëtare, si përkrahës dhe, për nji periudhë të shkurtër njivjeçare, edhe si kryetar dhe editor i gazetës “Dielli”.
Nga ligjëratat e autorëve kompetentë, të cilët e kanë njoftë profesor Pipën edhe përsonalisht, do të njiheni me shumë aspekte të këtij personaliteti poliedrik të kulturës sonë: poet, shkrimtar eseist, polemist, kritik, filozof, pedagog, botues, studiues i palodhun dhe konseguent në qëndrimet e tij.
Komunizmin e ka pasqyrue dhe e ka quejtë ashtu siç asht, pansllavizëm në shërbim të nji iedologjije të huej kundër interesave të njerëzimit përgjithësisht dhe të kombit shqiptar në mënyrë të veçantë.
Kjo konferencë shkencore do të jetë nji kontribut i vlefshëm për njohjen e Arshi Pipës nga opinioni shqiptar dhe besoj se do të jetë nxitës për studime të ma tejshme të veprës së tij të larmishme.
Dëshiroj të shprehi mirënjohjen zotit Dalip Greca që, bashkë me ligjëruesat, ka koordinue organizimin e këtij përkujtimi dhe kam kënaqsinë t’ia kaloj mikrofonin që t’a moderojë këtë konferencë shkencore.”
Editori i Diellit, Dalip Greca, u shpreh se :-E kemi konceptuar këtë veprimtari shkencore si një festë të Ditëlindjes të Prof. Pipës,- është kjo arsyeja përse e kemi venë këtë karrige në ballë të sallës, ku janë librat e shkruar prej tij dhe një buqetë me lule.Lulet, natyrisht janë aty në vend të urimit.Aty do të ishte Prof. PIPA.
Gjithësesi, tha Editori, për ta nderuar Kujtimin e Prof. Pipës, do t’ju kërkoja që të ngriheni në këmbë dhe të mbajmë një minut Heshtje!
….I përjetshëm Kujtim i Tij!
Më pas editori bëri një koment të shkurtër: Në këtë veprimtari modeste, e para e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA”, që Prof. Arshi PIPA pati nderin ta drejtojë për një kohë të shkurtër, një vit, si dhe drejtoi e editoi Gazetën”Dielli”, studiuesit që kanë marrë përsipër kumtesat, do të sjellin madhështinë e figurës shumëdimensionale të Arshi Pipës, njëri prej princave të letrave shqipe,filozofit, poetit, studiuesit brilant, pedagogut të shkëlqyer,gjuhëtarit, kritikut, studuesit dhe mbledhësit të folklorit, qëndrestarit të paepur të burgjeve komuniste, denocuesit të ferrit komunist përmes Librit të Burgut, politikanit jo konformist etj.
E kanë vlerësuar Prof. Pipën personalitete të shumtë Kombëtar dhe ndërkombëtar.E kanë krahasuar me Nolin dhe Konicën si intelektual, ndërkohë që si antikomunist është krahasuar me Solzhenicinin në Rusi, Gjilasin në ish Jugosllavi, dhe…Prof. Arshi Pipa, i treti, si simbol i antikomunizmit shqiptar.
Por le t’ua lëmë radhën folësve dhe ekranit për të hedhur dritë mbi figurën e madhërishme të Arshi Pipës, tha Editori Greca.
Nga ekrani është shfaqë Prof. Pipa, i cili përmes kujtimeve tregon kohëlindjen(saktëson se ka lindur me 27 Korrik 1920 dhe jo me 23 shkurt- siç shënohej në listat e gjendjes civile Shkodër) tregon për vendlindjen, shkollimin, …flasin shokët e tij të klasës dhe lodrave, flasin motrat e përmalluara, që lotojnë përmes kujtimeve….dhe veprimtaria bëhet emocionuese.
Më pas gazetari Frank Shkreli, Ish Drejtor i Divizonit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, sjell kumtesën e tij, ku hedh dritë mbi personalitetin e Arshi Pipës, të cilin e njohu nga afër.
Duke kombinuar kujtimet e Prof Pipës më kumtuesit, studiuesi Mithat Gashi solli kumtesën për kontributet e Prof Arshi Pipës në Letërsi, Kritikë Letrare, politikë, duke e vënë theksin tek guximi qytetar i intelektualit Arshi pipa. Z. Gashi solli dhe kujtime personale nga takimet me Prof. Pipën.
Elegjinë e Arshi Pipës për shokun e Burgut, bashkëthemeluesin e Vatrës, deputetin, Kristo Kirka,i shuar në Burgun e Burrelit, e përcolli sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.
Kumtesën e studiuesit Anton Çefa,” ARSHI PIPA, INTELEKTUALI, POETI, ATDHETARI IDEALIST, DEMOKRATI ANTIKOMUNIST NE 95 VJETORIN E LINDJES ” e përcolli Editori i Diellit, ndërsa studimin e gazetarit Astrit Lulushi”Montale, Dante dhe Arshi Pipa”, e përcolli gazetari Frank Shkreli.
Me shumë interes u ndoq studiuesi Idriz Lamaj me kumtin e tij rreth ç’burgosjes të “Librit të Burgut”. Tashmë prej kohësh dihet se libri doli nga qelitë e Burrelit në letra cigaresh, të palosura në përmasa të vogla, të fshehura në rrobat që ai ua jepte motrave për t’i larë. Transkriptin e atyre letrave, pati fatin që ta bëjë studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj, ish fqinj i Arshi Pipës.Përpaar se Lamaj të tregonte se si arriti që të bënte transkriptin e letrave, editori u tregoi pjesmarrësve një fotografi-Kartolinë, ku Prof Pipa, i shkruante Idriz Lamajt se ajo fotografi, ishte marrë përpara ish Burgut të Durrësit, ku ai vuajti 4 vite…Ajo shtëpi, atë kohë që Prof. Pipa shkoi dhe e vizitoi, e më pas u fotografua para saj , ishte kthyer në shtëpi banimi për romët, të cilët kur e panë profesorin, u frikën pasi menduan se ai ishte pronari…
Z. Lamaj demonstroi transkripet e letrave origjinalin e “Librit të burgut”. Me interes ishte dhe dëgjimi i një fragmenti bisedash zanore të Shkrimtarit Martin Camaj dhe prof. Arshi Pipës, që Lamaj i kishte sjellë enkas për këtë veprimtari….
Nga ekrani, aktori Juli Nënshati përcolli vargjet”Shemo Hajduti”një ndër perlat e Prof Arshi Pipa, e shkruar në toskërisht, por që më vonë hoqi dorë nga toskërishtja si protestë ndaj standartizimit të gjuhës shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit.
Veprimtaria është mbyllë me pjesë nga dokumentari Kushtuar Prof. Arshi Pipës, i cili endet nëpër Shkodër, sodit Liqenin, Rozafën, dhe mjediset e Shkodrës Loce.
Për këtë Konferencë kishte dërguar studimin e tij nga Australia Fritz Radovani” DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…”. Kjo kumtesë botohet në këtë numër të Diellit në print.
Në mbyllje të veprimtarisë, moderatori Greca tha:Shpresoj që me këtë veprimtari Vatra shleu një pjesë të vogël të borxhit ndaj udhëheqësit të saj dhe Editorit të Diellit, Prof. Arshi Pipa. Shpresoj, shtoi ai, që në një të ardhme jo të largët , Vatra, t’i propozojë Presidentit të Republikës, që Prof. Arshi Pipës t’i akordohet titulli plotësisht i merituar”Nderi i Kombit”.

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, Astrit Lulushi, Fran shkeli, Idriz Lamaj, konference shkencore, Mithat Gashi, Vatra nderoi prof. Arshi Pipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • …
  • 148
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”
  • HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
  • NJË JETË ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE, Inxhinier Mërgim Korça iku…
  • Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT