• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në ditën e 15 vjetorit të ndarjes nga jeta të albanologut Peter Prifti

August 17, 2025 by s p

Julika Prifti/

Një nga figurat më të plota poliedrike, me aktivitet prej gjashtë dekadash në Amerike, është ajo e Peter Priftit (1924 – 2010) i cili me gjithë prurjet në gjuhësi, histori, arkitekturë, shkencat politike, ekonomi, si edhe në përkthime, letërsi, mbetet pak i njohur jashtë rretheve akademike amerikane, shqiptare dhe kosovare.

Kjo mund të lidhet fort me karakterin e tij tepër modest dhe mos rënies së gjoksit për aftësitë e tij dhe bagazhin e arsimin e tij të lartë. Analizat e tij të habisin sot për saktësinë e trajtimit e argumentimit dhe largpamësinë e mendimit si në punët e komunitetit e Kishës Autoqefale tek çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar dhe amerikan.

Libri i tij i parë Socialit Albania Since 1944 botuar nga MIT Mass në 1976 është konsideruar si pikë referuese e studimeve për Shqipërinë nga revistat shkencore dhe gazetat më të mëdha të Amerikës, Evropës e Australisë. Artikujt dhe esetë e Peter Priftit do të ishin burim informativ e referues për studiuesit e çështjeve shqiptare në mbarë botën gjatë izolimit të regjimit hoxhist.

Si njohës i mirë i shqipes, anglishtes dhe frëngjishtes, Peter i lexonte materialet dhe shkrimet në gjuhët origjinale dhe përveç kësaj kishte aftësinë të hynte në thelbin e temave historike, ekonomike, sociale, gjuhësore etj. Edhe në dekadat pas rënie së komunizmit, botimet e tij në anglisht, frëngjisht dhe shqip si edhe librat nga botues amerikanë e shqiptarë dallohen për mendimin e qashtër analitik dhe nivelin shkencor të temave të trajtuara.

Për mua si mbesë e tij, sot në 15-vjetorin e largimit të tij nga kjo botë, më tërheq fillesa e jetës së tij në Amerikë ku ai erdhi të jetonte në Filadelfi me babanë dhe vëllain e madh.

Peter Prifti, i cili do arrinte të merrte diplomën e Masterit në Filozofi, do shkonte si Specialist në Massachusets Institute of Technology (MIT) dhe, më pas do nderohej me titullin Emeritus në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, në 1940 i shkruan letrën e parë mamasë që e kishte lënë në fshat. Ai nuk qahet se nuk e di gjuhën, se nuk ka shokë, dhe se në shkollën e madhe është i vetmi shqiptar në klasë.

Pas pyet për familjen dhe kushërinjtë, rrëfen se ka një javë e gjysmë që vete në shkollë “inglish” dhe se “shkolla këtu të jep librat, rigë, mullivë, bojë, kartë për të shkruar të tëra. I tregon për vizitën në kopshtin zoologjik ku rrojnë kafshët e botës duke shprehur befasi dhe admirim me shprehjen “të vesh atje të çuditesh”.

Në fjalinë tjetër Peter tregohet i rezervuar “si një i rritur” kur thotë se “të gjitha gjërat që më kishit dhënë ua dhashë dhe u kënaqën shumë.” Më tej, përmend me radhë të gjithë bashkëfshatarët me të cilit ishte takuar (“pjekur” në të folmen dialektore) në Filadelfia.

I mësuar të shkojë në kishën e fshatit, djaloshi 15 vjeçar rrëfen se kishte vajtur 2 herë në kishë dhe se “njëdizaj të dielë erdhi dhe Fanoli mbajti fjalë në kishë. A merrni vesh gjë ju aty nga politika”. E shkruar me gjuhën e një adoleshenti, ai mesa duket ka ndjerë tonet që shprehnin në atë kohë fjalimet e Fan Nolit në kohën kur Lufta e Dytë Botërore kishte shpërthyer prej tetë muajve. Menjëherë kthehet tek vajtjet në “sinema”, mesa duket ishte një tërheqje e re dhe zbavitëse. Në fund, Peteri i dërgon të fala edhe për gjitonët dhe e mbyll me “Përfundoj unë biri i juaj Pando Rr. Prifti”

Nga opusi i tij i pasur në shumë lëmi, po të veçohen letërkëmbimet dhe korrespondenca me presidentët amerikanë, profesorë dhe akademikë do ketë vëzhgime me shumë interes dhe me koherencë për kohën e sotme. Prandaj po kujdesem t’i mbledh dhe t’i klasifikoj letrat e tij me idenë e një botimi të ardhshëm. Për përvjetorin e sotëm, letra e tij e parë më ngjan se nis të shpërfaqë interesimet e tij në shumë lëmi të cilat më vonë u kultivuan në nivele të larta dhe veçanërisht manifeston një dimension konstant të tij – ngrohtësinë e pacënuar kurrë nga largësia fizike me nënën, familjarët e bashkëatdhetarët.

Filed Under: Vatra

VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA

July 29, 2025 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha i shoqëruar nga vatrani legjendar Marjan Cubi, Anton Raja e Bardh Tomaj ishin të ftuar specialë në dasmën e vajzës së Presidentit historik të Kosovës znj.Teuta Rugovës me z.Agron Gjeloshi. Si miqtë e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dr.Ibrahim Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vatranët nderuan me respekt lidhjen e gjallë shpirtërore mes Dr. Rugovës, Vatrës e mërgatës Shqiptaro-Amerikane. Kryetari i Vatrës Dr. Berisha shkroi i emocionuar: “I nderuar që isha pjesë e ceremonisë së kurorëzimit dhe dasmës së Teuta Ibrahim Rugovës dhe Agron Nikë Gjeloshit. Një event i jashtëzakonshëm me tradita tipike shqiptare. Urime dhe bekime çiftit të ri, ju dëshiroj mbarësi dhe të trashëgohen” uroi në ditën e dasmës Dr. Berisha. Në darkën e mirënjohjes prej çiftit Rugova-Gjeloshi, kryetari i Vatrës i emocionuar shkroi: “Sonte në Radavcin pitoresk, nën strehën e Alpeve Shqiptare dhe gurgullimën magjepse të Drinit të Bardhë, të ftuar nga Teuta Ibrahim Rugova dhe Agron Nikë Gjeloshi. I nderuari të nderon thotë fjala popullore, Teuta dhe Agroni nderuan miqtë e etërve të tyre shqiptaro – amerikanë, Elmi Berishën, Marjan dhe Dila Cubin si dhe Bardh dhe Drita Tomaj. Pasi bashkuan zemrat dhe jetën e përbashkët me ceremoni madhështore tipike shqiptare, sonte na bashkuan me nderim dhe respekt maksimal, ashtu si ju ka hije këtij çifti brilant, duke nderuar trungun familjar dhe traditat kombëtare. Ju rritë ndera Teuta dhe Agron, paçi gjithmonë harmoni, dashuri dhe vetëm gëzime” uroi kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha.

Filed Under: Vatra

“Vatra”, monument shpirtëror i kombit shqiptar

July 23, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

“Vatra” është një ndër institucionet më jetëgjata, më përfaqësuese dhe më me ndikim në historinë e shqiptarëve jashtë atdheut dhe një nga monumentet shpirtërore të kombit shqiptar. E themeluar në një kohë dramatike për fatet e Shqipërisë, më 28 prill 1912, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vatra nuk ishte një shoqëri e zakonshme emigrantësh, por mishërimi institucional i një ideali të lartë kombëtar: bashkimi i shqiptarëve, ruajtja e gjuhës dhe kulturës kombëtare, dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare në arenën ndërkombëtare. Ajo përfaqëson një ndër shembujt më të qartë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare në mërgim, të organizuar me dinjitet dhe vizion, duke lënë një trashëgimi të pasur të shkruar dhe të gjallë në kujtesën e çdo brezi.

Vatra nuk lindi rastësisht, por u rrit mbi themelin e lëvizjes atdhetare që kishte marrë hov ndër shqiptarët e Amerikës në dekadat e para të shekullit XX. Kolonitë e para shqiptare në SHBA, të përqendruara kryesisht në qytete si Boston, New York, Buffalo dhe Detroit, u formuan nga emigrantë që largoheshin nga varfëria, shtypja otomane, taksat e rënda dhe pasiguria. Megjithatë, ata nuk e harruan kurrë atdheun e tyre. Përkundrazi, në dheun e largët ata ndjenë edhe më thellë nevojën për t’u organizuar për çështjen kombëtare. Para Vatrës u krijuan shoqëri të veçanta si “Besa-Besë” në Boston, “Mall i Mëmëdheut” në Buffalo, “Skënderbeu” në New York e të tjera, të cilat bënë punë të vyer, por vepronin të ndara dhe pa forcën e një bashkimi të madh kombëtar. Këto ndarje e dobësonin veprimin e tyre, sidomos në një kohë kur çështja shqiptare kërkonte një zë të unifikuar përballë diplomacisë ndërkombëtare dhe opinionit amerikan.

Në këtë klimë, personalitete të jashtëzakonshme të mërgatës shqiptare si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kol Tromara, Paskal Aleksi dhe dhjetëra veprimtarë të tjerë punuan me përkushtim për bashkimin e shoqërive të veçanta në një federatë të vetme. Me themelimin e Vatrës, shqiptarët e Amerikës për herë të parë ndërtuan një institucion me statut dhe rregullore të mirëfilltë, me një program kombëtar të qartë: mbrojtja e Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha trevat, mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës dhe kulturës shqipe, ndihma për atdheun dhe mbajtja gjallë e lidhjeve shpirtërore dhe materiale me të. Ky vizion u mishërua në strukturën organizative të Vatrës, e cila kishte degë në të gjithë kolonitë shqiptare në Amerikë, një administratë qendrore dhe organin e saj të përditshëm, gazetën “Dielli”.

Gazeta “Dielli” është ndoshta arritja më e qëndrueshme dhe më domethënëse e Vatrës. Organi zyrtar i Vatrës ka botim të pandërprerë për më shumë se një shekull, duke përbërë një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë shqiptare. Përmes faqeve të saj janë dokumentuar jo vetëm veprimet dhe qëndrimet e Vatrës, por edhe gjithë historia moderne e shqiptarëve në mërgim dhe në atdhe. Aty kanë shkruar disa nga mendjet më të ndritura të kombit: Fan Noli me elokuencën dhe thellësinë e tij historike e filozofike; Faik Konica me stilin e tij të mprehtë e kritik dhe me kulturën e gjerë europiane; Kristo Dako, Kol Tromara, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Anton Logoreci e shumë të tjerë që kanë lënë dëshmi të paçmuara të përkushtimit ndaj kombit. “Dielli” nuk ishte vetëm një gazetë informative – ajo ishte një akademi e vërtetë mendimi kombëtar dhe një tribunë e lirë ku u formësuan dhe u mbrojtën idetë e mëdha të lirisë, pavarësisë, bashkimit kombëtar dhe përparimit kulturor.

Që në vitet e para të ekzistencës së saj, Vatra u përfshi direkt në mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo mblodhi fonde për qeverinë e Ismail Qemalit dhe financoi misionin diplomatik të Fan Nolit në Londër në Konferencën e Ambasadorëve më 1913. Ishte një ndër zërat më të fuqishëm që kundërshtoi copëtimin e trojeve shqiptare dhe kërkoi njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë si shtet i pavarur. Në vitet pas Luftës së Parë Botërore, në një kohë të pasigurt për fatet e shtetit shqiptar, Vatra u bë streha morale dhe financiare e qeverisë shqiptare në mërgim dhe mbrojti vazhdimisht integritetin territorial të Shqipërisë në tryezat ndërkombëtare. Ajo loboi me ngulm në qarqet politike amerikane për njohjen e pavarësisë dhe për ndihmën ndaj shtetit të ri shqiptar.

Vitet 1920–1930 shënuan një periudhë sfidash të mëdha për Vatrën. Përplasjet politike që pasuan Revolucionin e Qershorit dhe rikthimin e Zogut në pushtet shkaktuan ndarje të brendshme në diasporë, të cilat prekën edhe Vatrën. Megjithatë, ajo mbijetoi dhe vazhdoi të funksionojë si një organizatë kombëtare, duke ruajtur mbi të gjitha idealin e bashkimit kombëtar dhe të pavarësisë kombëtare. Edhe në kohë të vështira, Vatra dhe “Dielli” vazhduan të jenë zë i fuqishëm i patriotizmit, duke ndihmuar emigrantët shqiptarë të ruajnë gjuhën, traditat dhe lidhjet me atdheun.

Pushtimi italian dhe më pas gjerman i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore i gjeti anëtarët e Vatrës të mobilizuar për denoncimin e çdo forme agresioni ndaj vendit të tyre. Por periudha më dramatike dhe njëherazi heroike e historisë së Vatrës nisi pas vitit 1944, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Mijëra shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe nga Jugosllavia për të shpëtuar nga ndjekjet politike, internimet, burgjet dhe pushkatimet. SHBA u bë vendstrehim për një pjesë të madhe të tyre dhe Vatra u bë streha e natyrshme organizative, shpirtërore dhe politike. Ajo i priti këta të arratisur politikë jo thjesht si refugjatë ekonomikë, por si pjesë e një rezistence të gjallë kombëtare. Duke ruajtur vazhdimësinë e saj historike dhe përvojën organizative, Vatra u bë institucioni i vetëm i madh shqiptar në mërgatën amerikane që artikulonte qartë dhe me autoritet një vijë të pastër antikomuniste, demokratike dhe kombëtare.

Në këtë periudhë, Vatra bashkoi rreth vetes figura të mëdha të kulturës dhe politikës shqiptare. Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Anton Çobani, Martin Camaj dhe dhjetëra intelektualë të tjerë kontribuan në jetën e saj, duke e kthyer atë në një qendër të mendimit shqiptar antikomunist dhe në një arkiv të gjallë të kujtesës kombëtare. Në faqet e “Diellit” u denoncuan krimet e regjimit të Enver Hoxhës, u mbrojtën të drejtat e të burgosurve politikë dhe u mbajt e gjallë ideja e një Shqipërie të lirë dhe demokratike. Veprimtaria e Vatrës nuk u kufizua vetëm në çështjet e Shqipërisë londineze: ajo mbrojti me vendosmëri të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, duke lobuar në Kongresin Amerikan, në Departamentin e Shtetit dhe në opinionin publik amerikan për ndërprerjen e represionit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Në vitet 1980 dhe 1990, kur lëvizja shqiptare për liri në Kosovë po merrte përmasa të mëdha, Vatra dhe komuniteti shqiptar i Amerikës organizuan demonstrata të mëdha në New York, Washington, Detroit, Chicago dhe Boston, të cilat u pasqyruan gjerësisht në mediat amerikane dhe ndihmuan në sensibilizimin e opinionit publik për kauzën shqiptare. Me rënien e komunizmit në Shqipëri pas vitit 1990, Vatra u përfshi menjëherë në ndihmën humanitare për vendin e rrënuar, duke mbledhur ndihma financiare, duke përkrahur ardhjen e studentëve shqiptarë në SHBA, dhe duke ofruar mbështetje politike dhe diplomatike për një tranzicion demokratik. Lufta e Kosovës më 1999 ishte një tjetër moment historik ku Vatra luajti një rol aktiv në mbledhjen e ndihmave, në organizimin e demonstratave dhe në lobimin për ndërhyrjen ndërkombëtare që çoi në çlirimin e Kosovës dhe më pas në pavarësinë e saj.

Edhe sot, mbi njëqind vjet nga themelimi i saj, Vatra vazhdon të jetë një institucion i gjallë dhe funksional, që ruan me dinjitet traditën e saj kombëtare dhe misionin e saj kulturor. Ajo organizon aktivitete për ruajtjen e gjuhës shqipe, shfaqje kulturore, konferenca shkencore, veprimtari përkujtimore dhe mobilizon mërgatën shqiptare në mbrojtje të interesave kombëtare sa herë që ato kërcënohen. Gazeta “Dielli” vazhdon të botohet si gazeta më e vjetër në botë në gjuhën shqipe me botim të pandërprerë, duke mbetur një dëshmi e gjallë e seriozitetit, përkushtimit dhe vizionit të themeluesve të saj.

Historia e Vatrës është historia e një ideali të lartë kombëtar të mishëruar në formën më të organizuar dhe më të qëndrueshme që ka pasur ndonjëherë diaspora shqiptare. Ajo është dëshmi e forcës së bashkimit, e vullnetit të palëkundur për të mbrojtur identitetin kombëtar, e vendosmërisë për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të ndihmuar atdheun në çdo kohë. Mbi një shekull veprimtarie e pandërprerë, e dokumentuar dhe e pasur me kontributin e qindra personaliteteve të shquara, i jep Vatrës një vend të nderuar në historinë shqiptare dhe e bën atë një model për organizimin e diasporës. Brezat e ardhshëm do të gjejnë te Vatra jo vetëm një histori të shkruar, por një trashëgimi të gjallë, një testament të vërtetë të dashurisë për atdheun, të mendimit të lirë dhe të përkushtimit qytetar për lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Filed Under: Vatra

VATRA dhe Albanians Fighting Cancer USA nga Bostoni, dhurojnë ndihmë financiare për gratë që përballen me kancerin në Gjakovë

July 2, 2025 by s p

Gjakovë, Kosovë – Korrik 2025/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me organizatën Albanians Fighting Cancer (AFC) nga Bostoni, kanë dhuruar një shumë të konsiderueshme parash në ndihmë të Shoqatës “Ja Vlen të Jetosh / It’s Worth Living”, e cila mbështet gratë në Gjakovë që po luftojnë me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Kjo ndihmë financiare vjen vetëm pak javë pasi VATRA dhe AFC-ja kishin dërguar gjithashtu medikamente dhe vitamina, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për këtë komunitet të ndjeshëm dhe të harruar shpesh nga institucionet.

Në ceremoninë modeste, por plot emocione, ndihma u dorëzua nga Kryetari i VATRËS në Boston z. Mentor Maksutaj, të cilin e shoqëronte një përfaqësues i Albanian Fighting Cancer. Çeku u pranua nga znj.Valbona Kastrati, kryetare e shoqatës, së bashku me anëtare të tjera të guximshme që çdo ditë përballen me sfidat e jetës dhe të sëmundjes. Ato shprehën mirënjohjen dhe falënderimin e tyre të thellë për këtë gjest human dhe mbështetës nga diaspora shqiptare në Amerikë.

Z. Maksutaj dorëzoi edhe një letër personale me një mesazh kuraje dhe force, ku ndër të tjera shkruhej:

“Ju jeni luftëtare të vërteta dhe nuk jeni vetëm, zemrat tona janë me ju.”

Ky gjest është një dëshmi se solidariteti dhe dashuria mes shqiptarëve nuk njeh kufij, dhe se diaspora mbetet gjithmonë pranë njerëzve në nevojë në trojet tona.

Filed Under: Vatra

Vatra Ridgewood, Queens, në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare…

July 1, 2025 by s p

Monda Hamitaj/

Më 29 Qershor, nën drejtimin dhe organizimin e kryetares së Degës së Vatrës Ridgewood, Queens, znj. Monda Hamitaj, u realizua mbledhja e kryesisë së kësaj dege me temë: gjallërimi i aktivitetit në degë, evidentimi i ecurisë së arritjeve e problemeve në degë dhe projekti i ecurisë në të ardhmen. Kjo degë aktive është gjithnjë përkrahëse e fuqishme e aktiviteteve të Vatrës në Selinë Qëndrore. Mbledhjen e hapi kryetarja e Degës së Vatra Ridgewood znj. Monda Hamitaj ku parashtroi disa pikave të përzgjedhura nga ajo që plotësonin tematikën e mbledhjes dhe rrugët e realizimit të tyre si :

1. Njohja dhe diskutimi rreth Kanunores ku do të mësohen të drejtat dhe detyrimet që gëzojnë nga nenet e saj.

2.Ndërlidhja me degët e tjera.

3.Ndihmesa e anëtarëve të rinj të ardhur në USA me mbështetje orientuese për tu aderuar në jetën amerikane.

4.Pagesa e kuatizacionit vjetor të anëtarësisë.

5. Formimi i një fondi monetar të Degës në dispozicion të aktivitetit në degë nga njerëz sponsorizues në degë .

6. Pasurimi i degës me anëtarë të rinj, të devotshëm për të kontribuar dhe për të qenë aktivë në degë dhe aktivitetet e Federatës Vatra në Selinë Qëndrore.

Pas këtyre pikave të parashtruara nga kryetarja e degës Ridgewood Queens u shtrua për diskutim tek antarët e tjerë të kryesisë.

Vatrani Kujtim Porja me funksionin e Sekretarit të Degës tha se mbështeste pikat e parashtruara nga kryetarja e Degës së Ridgewood dhe shtoi se duhet të punohet që në radhët e Degës tonë duhet të mos influencohet nga rryma politike por të dominohet nga fryma kombëtare nën moton: “Një komb, një flamur !” Si dhe ndihma dhe mbështetja mes anëtarëve të Degës për të qenë si një familje e madhe në veprimtari.

Ndërhyrja e juristit dhe avokatit Z.Bashkim Musabelliut (si i ftuar) në kordinimin e veprimtarisë mes degëve dhe qendrës së Federatës Pan Shqiptare Vatra duke zbatuar Kanunoren e Federatës, hapi diskutime pasi antarja e vjetër në degë dhe njëkohësisht antarja e kryesise znj. Vangjeli Bicolli parashtroi sygjerimin për shtimin edhe më tepër të aktiviteteve në Federatën Pan Shqiptare në qendër dhe ndërlidhje me aktivitete tepër të rëndësishme si ato të festës së flamurit, në parada kombëtare, festës kombetare te Shqipërisë ashtu dhe Pavarësisë së Kosovës e çdo aktivitet kombëtar e komunitar.

Nënkryetari i degës z. Gjadi Gjana ra dakord me pikat e parashtruara nga kryetarja e Degës znj. Hamitaj për seriozitetin e veprimtarisë në degën e Vatrës së Ridgewood, Queens duke dhënë kontributin e tij në këtë drejtim si dhe terheqjen e anëtarëve aktivistë dhe humanitarë që me mbështetjen e tyre do të bëjnë më të lehtë veprimet në degë dhe jashtë saj. Gjithashtu anëtari i kryesisë, njëkohësisht dhe arkëtari i degës z. Jovan Bicolli u dakordësua me pikat e parashtruara nga kryetarja e degës znj. Hamitaj si dhe sugjeroi që fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit të thirret mbledhja e radhës së degës së Vatra Ridgewood, Queens për të analizuar realizimet dhe synimet e projektuara nga takimi i kryesisë së degës së Ridgewood dhe ide të tjera të reja që do sillen nga antarët e degës.

Mbledhja që zgjati gati dy orë u mbyll me suksese dhe me shtrëngime duarsh mes anëtarëve të kryesisë dhe diskutimin e ideve zhvëllimore për të ardhmene Vatrës dhe komunitetit tonë. Me shpresë se synimet do të realizohen së shpejti, anëtarët e kryesisë u ndanë si miq të mirë për tu ritakuar së shpejti në një mbledhje të degës së Vatra Ridgewood Queens Ny.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 150
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT