• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën me shtatoren e sponsorizuar nga Marjan dhe Ilir Cubi nga Nju-Jorku

July 3, 2026 by s p

Lekë Mrijaj/

Në Klinë, në një atmosferë solemne, përkujtimore dhe qytetare, u zbulua shtatorja e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe figurës qendrore të rrugëtimit politik të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit demokratik. Ceremonia e sotme solemne u mbajt me rastin e 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rugova”, në dalje të qytetit të Klinës, në rrugën për Skenderaj. Ky aktivitet përurues u organizua nën përkujdesjen e Komunës së Klinës dhe kryetarit të saj, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke mbledhur qytetarë të shumtë, përfaqësues të institucioneve, personalitete politike e publike, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave. Ngjarja u hap nën moderimin e Shqipe Deskut, moderatore e Radio Alba në Klinë, e cila i dha ceremonisë një rrjedhë dinjitoze, të matur dhe në përputhje me karakterin solemn të kësaj dite.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ukë Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe biri i Presidentit Historik, Vjosa Osmani-Sadriu, ish-kryeministrat Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj, Sali Cacaj, ish-këshilltar i Presidentit Rugova, përfaqësues institucionalë shtetërorë e lokalë, familjarë të Presidentit Rugova, qytetarë të Klinës dhe veprimtarë të shumtë nga Kosova e mërgata. Prania e tyre i dha kësaj ngjarjeje peshë institucionale, historike dhe kombëtare.

Në vazhdim të ceremonisë, me fjalë rasti u paraqitën kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari i Komunës, Fadil Gashi, si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në fjalimet e tyre, ata evokuan me respekt jetën, veprën dhe trashëgiminë politike e kombëtare të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si arkitekt të lëvizjes paqësore, prijës të urtisë politike dhe simbol të shtetformimit demokratik të Kosovës. Folësit theksuan se Dr. Ibrahim Rugova, në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë kombëtare, diti ta orientojë popullin e Kosovës drejt një rruge të mençur, të dinjitetshme dhe euroatlantike. Me vizionin e tij të qartë politik, me besimin e palëkundur në liri, pavarësi dhe demokraci, ai ndërtoi themelet e rezistencës institucionale, duke e ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duke e bërë zërin e popullit të saj të dëgjohej në qendrat më të rëndësishme të diplomacisë botërore. Në fjalimet e rastit u nënvizua edhe rëndësia historike e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si një nga aktet më të guximshme politike dhe juridike të përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Ky akt, siç u theksua, ishte një gur themeli në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë, sepse shprehu qartë vullnetin politik të Kosovës për liri, barazi dhe shtetësi. Në këtë kontekst, figura e Dr. Rugovës u vlerësua si mishërim i këtij vizioni historik, që më vonë do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, u rikujtua se Rugova nuk ishte vetëm udhëheqës politik, por edhe intelektual, humanist dhe njeri i kulturës, i cili politikën e shihte si mision shërbimi ndaj popullit. Ai besonte në forcën e fjalës, në fuqinë e durimit, në kulturën e dialogut dhe në mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Me këtë filozofi, krijoi një model të veçantë lidershipi shqiptar, të mbështetur në paqe, urtësi, dinjitet dhe orientim të qartë perëndimor.

Një vend i veçantë në këto fjalime iu kushtua edhe mbështetjes madhore të Marjan dhe Ilir Cubit nga Nju-Jorku, të cilët me përkushtim atdhetar dhe bujari të lartë financiare e shpirtërore mundësuan realizimin e kësaj vepre përkujtimore. U theksua se ky kontribut nuk është vetëm ndihmë materiale, por akt i lartë nderimi ndaj figurës së Presidentit Rugova dhe dëshmi e lidhjes së fuqishme të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë ishte fjala e Ilir Cubit, ssponsor I tërësishëm i projektit të shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës. Në emër të tij dhe të familjes Cubi, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ditë të veçantë dhe e cilësoi përurimin e shtatores si nderim të përjetshëm për Presidentin Historik të Kosovës. Në fjalën e tij, Ilir Cubi theksoi se Dr. Ibrahim Rugova u përjetësua në Klinën kreshnike e historike si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tij madhështore në shërbim të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Ai e vlerësoi Presidentin Rugova si një nga figurat më të mëdha të historisë moderne kombëtare, burrë shteti me vizion të rrallë dhe udhëheqës që e ngriti çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë popullit shpresë në kohët më të vështira. Ilir Cubi nënvizoi se Dr. Rugova ishte personalitet i veçantë si njeri, politikan, ideolog dhe filozof. Me urtësi, mençuri, vizion dhe përkushtim të palëkundur, ai e udhëhoqi popullin e Kosovës në njërën nga periudhat më të rënda të historisë, duke ndërtuar rezistencën paqësore dhe duke mbajtur gjallë idealin e lirisë. Duke folur për kuptimin e kësaj vepre, Cubi u shpreh se shtatorja e zbuluar në Klinë nuk është thjesht një vepër arti e punuar në bronz, por simbol i një epoke, i qëndresës paqësore, i besimit në liri, demokraci dhe pavarësi. Sipas tij, ajo përfaqëson vizionin e Presidentit Rugova për një Kosovë të lirë, demokratike, të integruar në familjen euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh dhe garantuesin e paqes, sigurisë dhe lirisë së Kosovës. Në një pjesë emocionale të fjalës së tij, Ilir Cubi tha se është dardan i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ndihet jashtëzakonisht me fat që pati privilegjin ta njihte nga afër Presidentin Rugova, ta shoqëronte, ta priste dhe ta përcillte gjatë vizitave të tij diplomatike e patriotike në Amerikë. Këtë privilegj, siç theksoi ai, e kishte pasur së bashku me babain e tij, Marjan Cubi, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së LDK-së për New York, New Jersey dhe Connecticut. Ai e cilësoi si krenari të madhe faktin që është biri i një burri që pati fatin të ishte mik i afërt i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Këtë trashëgimi morale, u shpreh ai, do ta mbajë me nder gjatë gjithë jetës. Fjalën e tij e përmbylli me bekimin: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën. Dhe Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.”

Pas fjalës së sponsorizuesit Ilir Marjan Cubit, të pranishmëve iu drejtua edhe skulptori ekselent, prof. Burim Berisha, autor i shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës, i cili foli për realizimin artistik të kësaj vepre, për domethënien e saj në hapësirën publike të Klinës dhe për kontributin e Marjan dhe Ilir Cubit, falë të cilëve kjo shtatore u bë realitet. Paraqitja e tij i dha ceremonisë një dimension artistik dhe krijues, duke e lidhur monumentin me kujtesën historike që ai përfaqëson.

Ceremonia u pasurua edhe me një pikë tjetër artistike nga sopranoja Eliona Sadiku, e cila me interpretimin e saj i dha kësaj dite një frymë të veçantë emocionale, kulturore dhe solemne. Pjesa artistike u prit me respekt nga të pranishmit dhe u bë pjesë e harmonisë së përgjithshme të ngjarjes.

Në fund të ceremonisë u bë akti solemn i zbulimit të shtatores së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Zbulimin e saj e bënë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari Fadil Gashi, Ukë Rugova, Vjosa Osmani-Sadriu, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, sponsorizuesit dhe veprimtarët e kauzës kombëtare, Marjan Cubi dhe Ilir Cubi. Ky moment u përcoll me emocion, duartrokitje dhe respekt të thellë nga qytetarët e pranishëm, duke shënuar kulmin e kësaj dite përkujtimore.

Vlen të thuhet se vendosja e këtij monumenti në Klinë nuk përfaqësoi vetëm një akt përurimi, por edhe një moment të rëndësishëm të kujtesës historike, institucionale dhe kombëtare. Me këtë vepër përkujtimore, qyteti i dha hapësirës së tij publike një simbol të përhershëm të paqes, urtisë politike, qëndresës qytetare dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Në këtë ditë, Klina u shndërrua në vendtakim të historisë, mirënjohjes dhe respektit për një udhëheqës që, në kohët më të vështira për popullin e vet, zgjodhi rrugën e mençurisë, dialogut dhe diplomacisë ndërkombëtare. Njëkohësisht Data e 2 Korrikut i dha ceremonisë një kuptim të veçantë historik. Deklarata Kushtetuese e vitit 1990 mbetet një nga aktet më të rëndësishme politike të shqiptarëve të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë. Ajo shprehu vullnetin e një populli për të jetuar i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në tokën e vet. Pikërisht në këtë kontekst, zbulimi i monumentit të Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë e lidhi kujtesën e kësaj date me figurën e njeriut që i dha Kosovës drejtim politik, zë ndërkombëtar dhe vizion shtetformues. Dr. Ibrahim Rugova mbeti në historinë shqiptare si prijësi i një filozofie politike të veçantë, ku urtia nuk ishte dobësi, por forcë morale; ku durimi nuk ishte dorëzim, por strategji; ku fjala nuk ishte vetëm komunikim, por instrument i lirisë. Në periudhat e rënda të shtypjes, kur Kosova përballej me represion, diskriminim dhe mohim të të drejtave themelore, ai e ndërtoi qëndresën qytetare si projekt politik dhe e ngriti çështjen e vendit në ndërgjegjen e botës demokratike. Prandaj, kjo vepër nuk u vendos vetëm për të përkujtuar një emër, por për të nderuar një epokë të tërë të historisë së Kosovës. Pra, krahas nderimit për Presidentin Historik, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe donatorëve, z. Marjan Gjergj Cubi dhe birit të tij, z. Ilir Cubi, shqiptaro-amerikanë me rrënjë nga Drenoci i Klinës. Mbështetja e tyre për ngritjen e shtatores u vlerësua si akt fisnik, atdhetar dhe i qëndrueshëm, i cili dëshmoi lidhjen e thellë të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare që përfaqëson figura e Dr. Rugovës. Ky donacion nuk ishte veprim i shkëputur, por vazhdimësi e një tradite të gjatë veprimtarie kombëtare dhe humanitare. Marjan Cubi, patriot dhe humanist i shquar, me lidhje nga Klina e Republikës së Kosovës, u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1974. Që nga ajo kohë, ai u bë pjesë aktive e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një nga veprimtarët e përkushtuar të çështjes kombëtare. Mërgimin nuk e pa si shkëputje nga atdheu, por si mundësi për t’i shërbyer më fuqishëm Kosovës dhe çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në jetën komunitare të shqiptarëve të Amerikës, Marjan Cubi, së bashku me familjen e tij, u dallua për angazhimin kulturor, kombëtar, humanitar dhe kishtar. Ai ishte drejtues i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork, një qendër e rëndësishme për ruajtjen e identitetit shqiptar, bashkimin e komunitetit dhe kultivimin e vlerave kombëtare e shpirtërore. Po ashtu, ishte anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës, e cila ndër dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare. Në vitet e rënda për Kosovën, Marjan Cubi u angazhua fuqishëm në organizimin e demonstratave në Amerikë. Ai i përkiste brezit të mërgatës shqiptaro-amerikane që ngriti zërin kundër represionit serb, sensibilizoi opinionin amerikan dhe kërkoi mbështetjen e institucioneve më të larta të Shteteve të Bashkuara për lirinë e Kosovës. Përmes takimeve, organizimeve dhe kontakteve me miq amerikanë të çështjes shqiptare, kontribuoi në çuarjen e zërit të popullit të tij deri në Capitol Hill dhe në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë rrugëtim, ai ishte pjesë e përpjekjeve të diasporës për të ndërtuar ura komunikimi me kongresmenë, senatorë dhe personalitete të politikës amerikane. Në kujtesën e kësaj veprimtarie përmenden edhe kontaktet me figura të rëndësishme amerikane, përfshirë Presidentin Bill Clinton dhe kongresistin e njohur mik të shqiptarëve, Eliot Engel. Këto përpjekje kishin një qëllim të qartë historik: ndërprerjen e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, çlirimin e vendit nga regjimi serb dhe përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s. Veprimtaria e Marjan Cubit nuk u kufizua vetëm në fushën politike. Ai dha ndihmesë të rëndësishme edhe në fushën humanitare, kulturore dhe shpirtërore. Një nga angazhimet më të njohura të tij ishte roli si Kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ky projekt kishte rëndësi të madhe jo vetëm fetare, por edhe kulturore e kombëtare, sepse katedralja u bë një nga simbolet më të njohura të Kosovës së pasluftës dhe dëshmi e pranisë së vlerave shpirtërore, humane dhe qytetëruese në zemër të Prishtinës. Në këtë angazhim ishte e përfshirë edhe familja e Marjan Cubit, veçanërisht biri i tij, Iliri, i cili e vazhdoi rrugën e të atit me përkushtim dhe ndjenjë të lartë atdhetare. Ilir Cubi u dëshmua si veprimtar në gjurmët e babait të tij, duke mbështetur nisma që lidhen me kujtesën kombëtare, projektet me rëndësi publike dhe ruajtjen e lidhjes së mërgatës shqiptaro-amerikane me Kosovën. Në këtë mënyrë, kontributi i familjes Cubi nuk mbeti vetëm akt individual, por u shndërrua në trashëgimi familjare dhe në shembull të vazhdimësisë së atdhedashurisë shqiptare.

Donacioni për monumentin e Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë u kuptua si kulmim i një rrugëtimi të gjatë veprimtarie. Ai lidhi në një pikë të vetme Presidentin Historik të Kosovës, mërgatën shqiptaro-amerikane, qytetin e Klinës, Drenocin dhe kujtesën kombëtare. Në këtë akt u bashkuan historia politike e vendit, roli i diasporës dhe mirënjohja qytetare për njeriun që u bë simbol i lirisë, paqes dhe shtetësisë. Shtatorja e Dr. Rugovës do të qëndrojë në Klinë si dëshmi e një kohe kur Kosova, edhe pse nën shtypje, nuk e humbi besimin në liri. Ajo do t’u flasë brezave për një udhëheqës që besoi në forcën e fjalës, dinjitetin njerëzor, kulturën politike dhe miqësinë e përhershme me botën perëndimore. Ajo do të kujtojë se liria nuk erdhi rastësisht, por përmes sakrificës, qëndresës, organizimit institucional, diplomacisë, ndihmës së miqve ndërkombëtarë dhe përkushtimit të pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptare.

Me zbulimin e kësaj vepre përkujtimore, Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën, por njëkohësisht edhe 2 Korrikun, kujtesën shtetërore të Kosovës dhe të gjithë ata që punuan për lirinë e vendit. Në këtë ditë, qyteti e vendosi në zemrën e tij një simbol që i përket historisë mbarëkombëtare. Bronzi i shtatores nuk foli vetëm për një portret, por për një epokë; nuk shënoi vetëm një emër, por një rrugë; nuk përfaqësoi vetëm një kujtim, por edhe një amanet për brezat që vijnë. Kjo ditë mbeti një faqe e veçantë në kronikën qytetare të Klinës. Ajo bashkoi institucionet, qytetarët, mërgatën dhe kujtesën historike në një akt të përbashkët nderimi. Në figurën e Dr. Ibrahim Rugovës u nderua Presidenti Historik, arkitekti politik i Kosovës së pavarur dhe simboli i urtisë shtetformuese. Në mbështetjen e Marjan Gjergj Cubit dhe Ilir Marjan Cubit u vlerësua mërgata shqiptaro-amerikane, e cila për dekada ishte zëri, mbështetja dhe ndërgjegjja e Kosovës në botën demokratike.

Në Klinë, më 2 korrik 2026, u nderua historia, shtetësia, Presidenti Rugova dhe diaspora shqiptare, e cila kurrë nuk e harroi atdheun. Shtatorja e tij do të mbetet aty si shenjë e përhershme e lirisë, paqes, kujtesës dhe mirënjohjes kombëtare. Lavdi veprës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Mirënjohje e përhershme për Marjan Gjergj Cubin dhe Ilir Marjan Cubin, për kontributin e tyre fisnik, atdhetar dhe historik në ngritjen e shtatores së Presidentit Historik në Klinë.

Urime, Klinë! Urime, Republika e Kosovës!

Filed Under: Vatra

Ansambli “Trojet” nga Zvicra vizitoi Vatrën

July 1, 2026 by s p

Sokol Paja/

New York, 1 korrik 2026 – Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” vizitoi Federatën Vatra. Miqtë nga Zvicra, themeluesi z. Zeqë Gashi, lahutari Shaqir Dema, anëtari i kryesisë Bubekir Morina dhe Leotrim Gashi udhëheqës artistik, u pritën nga editori i Diellit dhe vatrani Bashkim Shehu. Editori u shpjegoi historikun e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe kontributin patriotik që këto dy institucione kombëtare kanë dhënë për komunitetin dhe kombin shqiptar. Miqtë nga Zvicra shprehën për mirënjohje për punën kombëtare të Vatrës në ruajtjen e vlerave e trashëgimisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngritjen e zërit e ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare në institucionet amerikane. Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” uroi kryetarin e Vatrës Dr. Elmi Berisha për rizgjedhjen në krye të Federatës dhe përgëzoi veprimtarinë në shërbim Kosovës. Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” u themelua më 17 prill 2013 në Winterthur të Zvicrës, fillimisht si degë e Ansamblit “Vatra” – dega Winterthur. Nisma lindi nga dëshira jonë që fëmijët e mërgatës shqiptare të mos humbnin lidhjen me kulturën e vendlindjes dhe të kishin një vend ku të mësonin vallen, këngën, gjuhën, veshjen dhe të bashkoheshin rreth vatrës ku buron bujaria shqiptare. Misioni kryesor i Ansamblit “TROJET” është ruajtja, kultivimi dhe prezantimi i vlerave të mirëfillta kulturore përmes këngëve, valleve, veshjeve, lojërave popullore dhe gjithë trashëgimisë e krijimtarisë tjetër artistike shqiptare. U themelua nga Zeqë Gashi dhe një grup të rinj të dedikuar për mbrojtjen e vletave artistike e kombëtare. Ky ansambël viziton Amerikën në kuadër të Festivalit të 35-të të Lahutës që zhvillohet në Michigan. Editori dhuroi për miqtë nga Zvicra disa kopje ndër vite të gazetës Dielli ndërsa drejtuesit e Ansamblit “Trojet” dhuruan kopje të revistës artistike të Ansamblit.

Filed Under: Vatra

John G. Ingram, ish-Gjyqtar i Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut, Monitor i Zgjedhjeve URDHËR për Valentino Lumaj

June 25, 2026 by s p

Queens, New York

25 Qershor 2026

URDHËR I NDRYSHUAR (AMENDED ORDER)

Ky URDHËR I NDRYSHUAR i drejtohet Valentino Lumajt dhe duhet të publikohet menjëherë në gazetën DIELLI.

Më 24 qershor 2026, monitori i nënshkruar lëshoi një urdhër drejtuar Valentino Lumajt.

Monitori gaboi kur deklaroi në URDHRIN e mëparshëm të datës 24 qershor 2026 se Valentino Lumaj kishte publikuar informacion të pasaktë në gazetën DIELLI lidhur me anulimin e Kuvendit dhe Zgjedhjeve të Vatrës, të planifikuara për të shtunën, më 27 qershor 2026.

Tani jam informuar se informacioni i rremë lidhur me anulimin e Kuvendit dhe zgjedhjeve NUK është publikuar në gazetën DIELLI, por është dërguar me email nga Valentino Lumaj te 55 persona.

Prandaj, po korrigjoj urdhrin e përmendur dhe urdhëroj që ky URDHËR I NDRYSHUAR të publikohet në gazetën DIELLI sa më shpejt të jetë e mundur.

Z. Valentino Lumaj urdhërohet që të mos publikojë, dërgojë me email apo shpërndajë me çfarëdo mjeti tjetër informacione të rreme ose të pasakta lidhur me caktimin e datës së Kuvendit dhe Zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen më 27 qershor 2026, në përputhje me URDHRIN e Gjyqtarit Cohen të datës 5 qershor 2026.

KËSHTU URDHËROHET

25 Qershor 2026

John G. Ingram

Ish-Gjyqtar i Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut

Monitor i Zgjedhjeve

Zyrtar për Seancat Gjyqësore (Judicial Hearing Officer)

Filed Under: Vatra

MIQTË- ARMIQ, KONICA DHE NOLI

June 24, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi nga libri “Noli dhe Konica në dritën e Diellit”.

Marrëdhënia midis Fan S. Nolit dhe Faik Konicës nuk është thjesht një kapitull historik; është një dramë psikologjike dhe kulturore, një balancë e brishtë mes admirimit dhe konkurrencës, mes afërsisë dhe largësisë, mes idealizmit të zjarrtë dhe ironisë së kthjellët. Nuk i përket as kategorisë së miqësive të qeta, as asaj të armiqësive të hapura.

Ajo i përket një zone të ndërmjetme, një hapësire ku dy gjigantë që e njohin njëri-tjetrin thellë, e kanë të pamundur të mos përplasen, por po aq të pamundur të shkëputen.

Në psikologjinë moderne, kjo marrëdhënie quhet frenemies (freenemy mik-armik angl. R.F): një raport ambivalent ku individët janë njëkohësisht miq dhe rivalë, bashkëpunëtorë dhe kritikë, të afërt emocionalisht dhe të rrezikshëm për njëri-tjetrin.

Pikërisht ky përshkrim i shkon për mrekulli Nolit dhe Konicës.

1. Madhëria e parë: Admirimi i fshehur

Në thellësi të marrëdhënies së tyre gjendet një admirimi i ndërsjellë që, megjithëse nuk artikulohej gjithmonë hapur, ishte themeli i tensionit krijues mes tyre.

Noli e njihte epërsinë estetike të Konicës dhe e pranonte këtë me sinqeritet: “Faiku ka bisturinë; unë kam shpirtin.”

Kjo është një nga ato fjali që mund t’i thotë vetëm një njeri i sigurt në madhështinë e vet shpirtërore.

Nga ana tjetër, Konica shihte te Noli një forcë morale që pak njerëz e kanë: një energji që e mobilizon popullin dhe e përfaqëson shpirtin e një kombi. Në një letër të hershme shprehet me një lloj drite të frikshme: “Noli është i madh sa të të frikësojë.”

Ky nuk është vetëm kompliment, është pranim i një peshe.

Të dy e ndjenin njëri-tjetrin si prani të pazëvendësueshme.

2. Madhëria e dytë: Bezdisja e domosdoshme

Por admirimi nuk mjafton për t’i mbajtur afër dy mendje kaq të ndryshme. Në fakt, pikërisht madhështia e secilit prej tyre krijon një lloj lodhjeje të pashmangshme.

Noli e ndiente ironinë e Konicës si një thikë të rafinuar, jo për shkak të ligësisë, por për shkak të saktësisë së saj. Noli ishte zë moral, zë profetik; retorika e tij ishte shpërthyese dhe e mbështetur te shpirti. Dhe ai e dinte se Konica, me syrin e tij estetik dhe gjykimin e saktë, do ta nuhaste çdo teprim, çdo idealizim të pakontrolluar.

Konica, në anën tjetër, lodhej nga intensiteti i Nolit. Ai besonte te puna e vogël, e duruar, te standardi dhe te përpikmëria.

Noli besonte te momenti historik, te flakërimi i ndërgjegjes. Për Konicën, Noli ishte shumë i madh për t’u menaxhuar; për Nolin, Konica ishte shumë kërkues për t’u ndjekur. Dhe megjithatë, kjo bezdi ishte një pjesë e pandashme e admirimit.

3. Forca që shtyjnë njëra-tjetrën drejt majës

Në shumë kultura, çiftet intelektuale funksionojnë si “kundër-forca” që e rrisin njëra-tjetrën. Noli dhe Konica janë shembulli shqiptar i kësaj simetrie të rrallë.

Pa Konicën, Noli do të rrezikonte të humbiste në idealizëm të pastër. Ai kishte gjenialitet moral, por jo gjithmonë durim analitik. Pa Nolin, Konica do të rrezikonte të mbetej në estetikë të kulluar, larg nevojave të popullit dhe larg emocioneve kolektive.

Noli, me pathosin e tij moral, e çonte Konicën drejt shpirtit. Konica, me kthjelltësinë e tij estetike, e çonte Nolin drejt mendjes.

Ata nuk e zëvendësonin njëri-tjetrin. Ata e përsosnin njëri-tjetrin, duke qëndruar të ndryshëm.

4. Pse nuk u grindën kurrë publikisht?

Kjo është një prej enigmave më fisnike të historisë sonë kulturore.

Në privat ata mund të kenë pasur heshtje të ftohta, zhgënjime, mosdakordësi të thella. Por në publik, asnjë nuk e sulmonin njeri- tjetrin. Asnjëri nuk e përdori tjetrin për përfitim politik apo retorik.

Pse?

Sepse ata e kuptonin se konflikti i tyre nuk ishte personal, ishte misionar. Dhe një grindje publike mes tyre do të ishte fitore për armiqtë e kombit. Ndaj Konica, që tallej me të gjithë Shqipërinë, nuk e talli kurrë Nolin.

Dhe Noli, që ngrinte kryengritje morale ndaj kujtdo, nuk e goditi kurrë Konicën personalisht.

Kjo është një etikë historike e rrallë.

5. Miqësi që nuk jetohet, por mbetet

Ata nuk ishin miq të përditshëm. Nuk i bashkonte rutina. Nuk ishin njerëz që do të uleshin për kafe. Por i bashkonte një diçka më e fortë: i bashkonte- historia.

Noli dhe Konica janë miqësi epokale, jo miqësi intime. Janë dy figura që nuk e kërkuan afërsinë personale, por e krijuan njëri-tjetrin përmes distancës krijuese.

Nuk i lidhi rehatia. I lidhi misioni.

Ata qenë frenemies, që krijuan kulturën moderne shqiptare

Nëse do të mungonte njëri prej tyre, kultura shqiptare do të ishte e gjymtuar: pa Nolin, do të mungonte thellësia morale dhe gjuha profetike; pa Konicën, do të mungonte eleganca, standardi dhe kritika estetike.

Ata janë dy këmbët e së njëjtës urë. Njëri mban drejtësinë. Tjetri mban formën.

Rivaliteti i tyre nuk ishte shkatërrues, por krijues. Miqësia e tyre nuk ishte e qetë, por ishte themelore. Ata janë frenemies në kuptimin më të bukur: dy energji që nuk mund ta duan njëra-tjetrën pa e sfiduar, dhe nuk mund ta sfidojnë njëra-tjetrën pa e respektuar.

Kjo dramë e heshtur është zemra e identitetit modern shqiptar.

Që në fillim, të dy e panë njëri-tjetrin si reflektim të atyre cilësive që vetë i kërkonin. Konica admiroi te Noli një poliglot të rrallë, një orator me temperament profetik, një njeri që “digjej me flakën e idealit”, siç do ta përshkruante vetë në mënyrë të tërthortë në shkrimet e tij për karakteret politike shqiptare.

Megjithatë, solemniteti i Nolit e shqetësonte Konicën, i cili ironizonte shpesh “predikimet me patos të tepëruar”, një thumb që i përket qartësisht Nolit edhe kur nuk përmendet me emër.

Nga ana tjetër, Noli e çmonte finesën e gjuhës koniciane, të cilën e quan “gjuha më e bukur e shqipes së shkruar”, por njëkohësisht e bezdiste cinizmi i Konicës, mungesa e besimit të tij në mundësitë morale të popullit, mendimi që Noli e dënonte shpesh në mënyrë të nënkuptuar në predikimet dhe shkrimet e tij politike.

Pavarësisht këtyre tensioneve, një simbiozë e pavullnetshme filloi t’i lidhte.

Konica kontribuoi si askush tjetër në formësimin e shqipes letrare moderne. Në artikull pas artikulli të Albania-s, gjuha e tij shkëlqen me atë që ai vetë e quante “estetikë e pastër e mendimit”.

Noli, nga ana e tij, solli solemnitetin moral dhe fuqinë e një etosi të ri: besimin se kombi shqiptar mund të ringrihej nga prapambetja dhe të ndërtonte shtetin e vet.

Për Konicën, arti i fjalës ishte bisturi; për Nolin, fjala ishte çekiç që duhej të binte mbi padrejtësinë.

Konicës i mungonte idealizmi i Nolit; Nolit i mungonte eleganca kirurgjikale e Konicës. Në këtë mënyrë, secili plotësonte boshllëqet e tjetrit. Njëri i jepte kulturës shqiptare gjuhën, tjetri i jepte shpirtin. Njëri i jepte kritikën, tjetri besimin.

Polemikat e tyre, të drejtpërdrejta ose të fshehta, nuk ishin vetëm akte përplasjesh egoje. Ishin akte të themelimit të kritikës moderne shqiptare. Konica shtynte përballë mediokritetit me fjalë që “prisnin si brisku i rrojës”; Noli ngrihej mbi padrejtësinë me fjalë që “thërrisnin drejtësinë”. Të dy kërkonin të vërtetën, por me mjete të ndryshme: njëri me bisturinë, tjetri me çekiçin.

Në këtë tension të vazhdueshëm u farkëtua një pjesë e mirë e vetëdijes kombëtare shqiptare.

Pa Konicën nuk mund të kuptohet standardizimi modern i shqipes. Pa Nolin nuk mund të kuptohet modernizimi politik dhe shpirtëror i shqiptarëve. Pa rivalitetin midis tyre, kultura shqiptare e fillimit të shekullit XX nuk do të kishte marrë atë pjekuri estetike dhe morale që e dallon.

Në fund, Konica dhe Noli nuk ishin kurrë thjesht kundërshtarë, as thjesht miq.

Ata ishin frenemies (miq-armiq) në kuptimin më të thellë të fjalës: të domosdoshëm për njëri-tjetrin, të papajtueshëm në temperament, të pandashëm në histori.

Është interesant fakti tregon Qerim Panariti, një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, i cili botoi postum veprën e papërfunduar së Faik Konicës ” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” i cili kujton se Noli pranoi dhe bëri parathënien e librit,” më 8 maj 1957– Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë”.

“Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.”

Vetëm duke lexuar tensionin midis tyre kuptojmë se si shqiptarët e diasporës kaluan nga romantizmi folklorik i shekullit XIX në modernitetin kritik të shekullit XX.

Dhe vetëm duke pra-nuar këtë dualitet, ne kuptojmë se përse historia vazhdon t’i për-mendë gjithmonë së bashku, edhe kur ata vetë mund të mos e kishin kërkuar këtë fat.

Filed Under: Vatra

REZOLUTË PARA-KUVENDIT E KRYESISË EKZEKUTIVE

June 23, 2026 by s p

REZOLUTË QË AUTORIZON PARAQITJEN E KANUNORES SË RISHIKUAR

DUKE QENË SE, organizata ka ndërmarrë një rishikim të dokumenteve të saj qeverisëse;

DUKE QENË SE, një Kanunore e rishikuar është përgatitur për shqyrtim nga delegatët [nëpërmjet kryetarëve të degëve përkatëse] të mbledhur në Kuvendin e 27 Qershorit 2026;

DUKE QENË SE, kopje të Kanunores së propozuar u janë vënë në dispozicion të gjithë delegatëve që kanë të drejtë të marrin pjesë në Kuvend;

TANI, PRA, VENDOSET që Kanunorja e propozuar të paraqitet në Kuvend për shqyrtim dhe votim;

VENDOSET MË TEJ që Drejtori i Degëve / VATRA të mbajë, si pjesë të dokumentacionit zyrtar të Kuvendit, një kopje të Kanunores së propozuar, provën e shpërndarjes së saj tek delegatët, si dhe të gjitha dokumentet që lidhen me shqyrtimin dhe miratimin e saj.

Miratuar këtë 22 Qershor 2026.

Mondi Rakaj

Drejtor i Degëve / VATRA

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 166
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT