• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatrani Leka Buçaj, i biri i Kryetarit të Vatrës, ishte pjesë e një ekipi të NATO-s në bombardimet e Serbisë

March 25, 2015 by dgreca

DEKLARATA NE RTK-“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë./
Vatrani Leka Buçaj, i biri i Kryetarit të Vatrës, ishte me një nga ekipet qe fluturuan me aeroplanet e NATO-s në bombardimet e Serbisë/
Prishtinë, 24 mars 2015 – Nën komandën e Wesley Clark ka qenë edhe vatrani Leka Buçaj. Ai në një deklaratë dhënë për RTK-në ka rrëfyer pasionin e tij që kishte për te qene pjese e clirimit te Kosoves.“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë. Atëherë u kthefshim për nja 7-8 orë pushonim, atëherë prapë në ajër. Por, thash, si mund të marr pjesë edhe ma fort….synoja që vetë të bija poshtë dhe t’u ndihmoja diqysh populates”, ka rrëfyer Buçaj.
Ai ka thënë se ka qene e papërshkrueshme ndjenja e nisjes në luftë me NATO-n, për ta çliruar Kosovën.B.S.

Filed Under: Vatra Tagged With: e Serbisë, i biri i Kryetarit të Vatrës, ne bombardimet, piloti, Vatrani Leka Buçaj

LAMTUMIRË KRYEZOT I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS!- 50 VJET NGA SHUARJA E FAN S. NOLIT

March 25, 2015 by dgreca

*Vatra, Dielli dhe përcjellja e Imzot Nolit 50 vite të shkuara: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar./
*Vatranët mbajtën 40 ditë zi për humbjen e atit shpirtëror, At Fan S. Noli/
* Misioni shqiptar në New York u ndalua që të merrte pjesë në varrimin e Nolit. Telegrami i Mehmet Shehut dhe i Halim Budos, tendenca për përçarjen e shqiptarëve të Amerikës./
* Shteti komunist i kërkoi Amerikës trupin e Nolit/
NGA DALIP GRECA/
Jeta e Imzot Nolit kishte marrë goditje në vjeshtën e vitit 1964. Më 2 Nëntor u operua. Mjekët kur e hapën
panë se brenda ishte shfaqur e keqja, sëmundja kanceroze që do t’i merrte jetën. E mbyllën sakaq. Pas 2 javësh doli nga spitali. Më 20 Dhjetor u nis drejt shtëpisë dimrore që ia kishte blerë Vatra në Florida. Atje, nën diellin e Floridës do t’i shtynte çastet e fundit të jetës. U shua më 13 mars, në orën 11 të ditës, kur Meri Xhons e kishte nxjerrë të përshëndetej me diellin e ngrohtë. Por gjithçka mbaroi aty. Ai u shua. Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsit 1965, e mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zije për të gjithë vatranët për humbjen e prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj:VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D. Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.

VATRA E MORI LAJMIN TË NESËRMEN

Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.

LAMTUMIRË KRYEZOT!

Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës. Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë, burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar, poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira, që kemi përpara. Ju keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli, dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim Panariti.

UDHËTIMI I FUNDIT NGA FLORIDA NË BOSTON

Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqëruesi i tij në udhëtimin mortor drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën 3 e 30 minuta arriti në aeroportine Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me rrobat peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe nga kontinete të largët, përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
Editori Athanas Gegaj shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë shqiptarë.

PËRCJELLJA NGA KRERËT FETARË
Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit. Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi, që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane, e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e madhe kombëtare në SHBA.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të shumanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori, Liturgji dhe Muzikë. Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët!
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem, dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.

NDARJA E FUNDIT- 20 MARS 1965 NË FOREST HILLS

Varrimi u krye të premten me 20 Mars 1965. Lulet dhe lotët e shqiptarëve të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit në një ditë të ftohtë, ditë me borë. Vatra kishte porositur të gjitha degët të përfaqësoheshin në përcjelljen e Atit, ata që s’kishin mundësi të porositnin kurora me lule. Në krye të kortezhit mortor printe Governori i Shteti z.John Volpe me krerët fetarë. Bota shqiptare përfaqësohej jo vetëm nga të gjitha orgnanizata në SHBA, por edhe nga Kanadaja, Evropa e Australia. Ishin mijëra qytetarë shqiptarë dhe amerikanë që e përcollën kryeprijësin e shqiptarëve të Amerikës.
Në varrezat e Forest Hills, të mbuluar nga dëbora, arkivoli u ndal. Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi do të mbanin fjalime lamtumire.
Bashkë me Nolin po mbyllej aty në Forest Hills epoka mëse 50 vjeçare Noliane.Sami Repishti në përcjelljen e imzot Nolit shkruante në Dielli: Tetëdhjet e sa vjetë ma parë, kur Shqipnia s’ishte zojë dhe shqiptarët s’ishin zotë, lindi Noli. Në gji të ngrohtë familjesh arbnore Ai mësoi Shqipen, kur shqipja s’shkruhej, desht Shqipninë kur ajo fyhej, desht shqiptarin, kur ai përbuzej, desh të vorfnin për ç’ka s’kishte, desh vëllaun pse s’pati vlla, desh njeriun si krijesë të Zotit….E kishte thanë Zoti që Noli të flasë gjuhën e shqiptarëve…Vdekja e mori Nolin, por Noli vetë, na la Nolin përjetë mes nesh!
Degët e Vatrës dhe vatranët nga të gjitha anët ngushëllonin për ikjen e kryetarit të tyre. Arkëtari i i asaj kohe i Vatrës, Barney Kirka vajtonte:” Imzot, shtjerrë sytë nga qielli e vështro dhe vizito këtë vreshtë që e ka mbjellë dora jote, dhe na ndriço që të plotësojmë porosinë tënde të çkëlqyer. Nga Ohio përcillej vaji i kryetarit të degës 54, ndërsa Ingj. Mahmut Cungu, e cilësonte imzot Nolin si “Ylli i fundit dhe më i shkëlqyshmi i Rilindjes Kombëtare….
Nga Nju Jorku në emër të degës 29 ngushëllonin Kryetari Shazuvan Pashun dhe Sekretari Agim Karagjozi.
Degët e Vatrës nga Chikago, Detroit, Meriland, Pitsburgh, PA, Ontario-Canada, e shumë të tjrea ngushëllonin me telegrame.

NOLI DHE TESTAMENTI SHPIRTEROR

Edhe organizatat e tjera u bënë pjesë e dhimbjes së kolonisë shqiptare për Ikjen e Imzot Nolit. Familja Mbretërore ngushëllonte me 17 Mars, që nga Madridi:” Lajmi i idhët i humbjes të patriotit të madh Imzot Nolit na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdhaja që i ka sjellë Atdheut kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të çmushme. Si unë dhe Mbertnesha bashkohemi me Vatrën në këtë zi të madhe. Shpirti i Tij u qetësoftë në Paqe e qetësi!
Leka I
Në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ngushëllonte Prof. Rexhep Krasniqi: “Thellësisht të prekur për humbjen e madhe që ka pësuar Kombësia e Shqiptarëve me vdekjen e Imzot Fan S. Nolit, udhëheqësit të ndritshëm shpirtëror, letrarit gjenial, mbrojtësit të shquar të shqiptarizmit në Botë,bashkëthemeluesit dhe Kryetar Nderi i Vatrës famëmadhe, në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ju shpreh ngushëllimet më të ndjeshme.”- Rexhep Krasniqi, Kryetar.
Në emër të Asmblesë së Kombeve të Robëruara ngushëllonte kryetarin e Vatrës James Thanas, Z.Vasil Gërmenji-Kryetar dhe Brutus Coste, sekretar i përgjithshëm. Për Hasan Dostin, vdekja e Peshkop Nolit, patriot i madh, themelonjës i Kishës Autoqefale, Kryetar Nderi i Federatës Vatra, ishte një humbje e rëndë për të gjithë Kombin Shqiptar. “Shoqërohem në zinë që goditi Vatrën dhe shfaq ndjenja të simpatisë së sinqertë. Populli Shqiptar është i sigurtë se Vatra do të vijojë mbushjen e Misionit të mbrojtjes së Lirisë, indipendencës së tërësisë toksore të Shqipërisë dhe mbajtjes së presitigjit të Kishës Autoqefale Orthodokse që përfaqësojnë Testamentin shpirtëror të Përjetshëm të Kryeprijësit të Madh që varroset sot jashtë Atdheut në tokën e Georgë Washngtonit.”- Hasan Dosti Los Angeles.
Në emër të Ballit Kombëtar të Bashkuar ngushëlonin Theodor Papalilo dhe Halim Begeja, nga Blloku Independent Kol Çuni, në emër të Partiasë Katundare Organizata e Bashkimit Shqiptar dhe Heroizma Shqiptare, ngushëllonte Isa Elez Ndreu, në emër të Lidhjes së tretë të Prizrenit ngushëllonte Ismet Ukë Sadiku, nga Australia ngushëllimet e shqiptarve i përcillte Safet Aliaj, nga shqiptarët e Turqisë ngushëllonte kryetari i Kolonisë Shqiptare të Stambollit dr. Tare Libohova.
Për vdekjen e Nolit shkroi edhe shtypi amerikan: The New York Times, Boston Globe, The Evening Gaztte- Worcester, Boston Herald,The Boston Sunday Globg, Post Journal-Jamestown, Worcester Daily Telegraph, Miami Herlad etj.

MISIONI SHQIPTAR ANKOHET NË OKB

Misioni Shqiptar kërkoi leje tek Qeveria Amerikane që të shkonte në ceremoninë e varrimit të Nolit në Kryekishën e Shën Gjergjit, që t’i bënte nderet në emër të Shtetit Shqiptar, por nuk u lejua. Shefi i Misionit Shqiptar u ankua me anë të një proteste drejtuar sekretarit të përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e dha publikisht në media në emër të autoriteteve amerikane Mr. Stefenson, kryetar i misionit Amerikan në OKB. Ai shprehu nderim për Peshkop Nolin në emër të qeverisë amerikane, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mund të nderohej një fetar si Noli nga Kryetari i Misionit Shqiptar, që përfaqësonte një qeveri ateiste”! Ja si e komentoi DIELLI refuzimin e amerikanëve: “Përfaqësuesit e Misionit Permanent të Qeverisë Komuniste të Tiranës, për arsye diplomatike, nuk u lejuan të vinë në Boston. Kurora lulesh të dërguara nga autoritetet komuniste të Tiranë figuronin në Shën Gjergj. Gjesti i Qeverisë amerikane, nuk ka të bëjë me popullin shqiptar; ky është vetëm një akt diplomatik mes Tiranes e Washingtonin, janë masa reciproke e asgjë tjetër.”
Gjithësesi qeveria e Tiranës nuk e gëlltiti lehtazi masën ndaluese të amerikanëve, por shkoi më tej: Kërkoi trasportimin e trupit të Kryepeshkop Nolit në Shqipëri. Këtë kërkesë të Qeverisë së Tiranës e konfirmon Dielli në kronikën e shkurtër me titull”Trupi i At Nolit Pushon në Amerikë”, publikuar me 24 Mars. Dielli shkruan: Sipas informatave që kemi, Qeveria Komunsite e Tiranës kërkoi transportimin e trupit të Kryepeshkopit tonë në Shqipëri. At Noli që nga viti 1932, kur mori pasaportën amerikane, jetoi vazhdimisht në Amerikë dhe qe një nështetas amerikan. Gazeta jonë nuk bën asnjë koment më shumë për këtë çështje.
Megjithatë, duket se editori dhe Vatra ndërrojnë mendje për të mos e komentuar faktin, aq më shumë kur Shefi i Misionit Permanent Shqiptar dhe Kryeministri Mehmet Shehu, dërgojnë telegrame ngushëllimi(Ia dërguan Kishës), që tentojnë të përçajnë shqiptarët e Amerikës. Thënë më shqip, Qeveria e Tiranës bënë prova nëse mund ta shkëpusë Nolin nga Vatra pasvdekjes. Në numrin e Diellit të 7 prillit 1965, Vatra i rikthehet problemit të Mehmet Shehut dhe Halim Budos. Dielli merr shkas nga një telegram që kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Mehmet Shehu, i dërgonte Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Dielli korrekton Mehmet Shehun dhe Halim Budon, përfaqsuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për formulimin gabim të emërtesës së Kishës shqiptare në Amerikë dhe për togfjalshin që përdor Mehmet Shehu, vëllezërve patriotë. Dielli shkruan” Gabon rëndë Mehmet Shehu kur na drejtohet me fjalët”Vëllezër patriotë”, ne nuk jemi vëllezër të atyre që shtypin popullin. Gabon rëndë edhe kur e kërkon trupin e Hirësisë Noli drejtëpërdrejtë nga Kisha kombëtare -amerikane. Ai harron se -Kisha, duke qenë një institucion amerikan nuk ka të drejtë të vendos në një çështje kaq delikate e që është kompetencë e autoriteteve amerikane, dhe vetëm i atyre, sepse At Noli është nënshtetas amerikan. Këto gjëra Mehmet Shehu i din, por nuk i dijnë”patriotët vëllezër”(këtu është fjala për anëtarët e Organizatës Shqipëria e Lirë, që bashkëpunonin ngushtësisht me regjimin e Tiranës), që duke qenë amerikanë, lipset që të mos çajnë fare kokën për shokun Mehmet Shehu, qesëndis Dielli. Shqiptaro-amerikanët kanë për Kryetar presidentin L. B.Johnson. Pra Mehmet Shehu na fyen rëndë duke kërkuar të na ndajë dhe të themelojë këtu në Amerikë një kollonë të pestë me’vëllezërit patriotë”.
Dielli merret gjatë me telegramin e Halim Budos, me tituj kilometrikë.
“Amerika bëri mirë, që e ndaloi diplomatin sepse Halim Budo mbron Kinën, Vietnamin e Veriut, Kubën dhe atakon Amerikën. Kësaj i thonë përfaqësi e popullit shqiptar? “. Budo-, shkruan Dielli, që është njeri me kulturë, por janë kanë larë trurin me doktrinën e Marksit, Englesit, Leninit, Stalinit e Maos, – citon Nolin më së pari në”Kryetrimat që çliruan Shqipërinë” e harron se kjo shprehje ishte e mirë në atë kohë, por pastaj nuk pinë më ujë , sepse Amerika i konsideronte si aleatë ata që u fshihnin nën maskën e Frontit Nacionalçlirimtar, çpikje si ato të gjitha vendeve komuniste, që përmbysin një regjim e ngrinin një tjetër dhe më të zi.
Dielli komenton një shprehje të Budos në telegramin ngushëllues, ku shkruante:” Fronti Demokratik i Shqipërisë e Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë parë gjithëmonë te personi i Nolit patriotin e madh e të palodhur.”
“Akoma nuk janë mërzitur me këto shprehje?” shkruan Gazeta e Vatrës: Sa për At Nolin, po ta kishte pasur në dorë Qeveria e kuqe, Ati Ynë sigurisht do të kishte mbaruar në burg ose edhe në litar, ku kishin shkuar shokët e tij. Një njeri, siç ishte Peshkop Noli, do të kishte protestuar me tërë afshin e zemrës së tij kundër gjaksirave që ngjanë nën regjimin komunist gjer në ditët e sotme. Tani kërkojnë të na e grabisin për së vdekuri,e të lavdërohen me emrin e tij.
Dielli replikon gjatë me telegramin propagandistik të kryediploamtit komunist në New York, që përpiqej t’i hidhe benzinë zjarrit të përçarjes, duke i ndarë shqiptarët e Amerikës në armiq dhe vëllezër patriotë.
Sigurisht qëllimi i Qeverisë komuniste nuk u relaizua, Kryetari i Vatrës mbeti përjetë me Vatrën.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Fan S Noli, LAMTUMIRË KRYEZOT!

BALLI KOMBËTAR NDEROI ME ÇERTIFIKATËN E MIRËNJOHJES FEDERATËN “VATRA”

March 19, 2015 by dgreca

Të Mërkurën më 18 Mars 2015, në Selinë e Vatrës,ishin për vizitë mysafirë nga Shqipëria. Një dërgatë e Kryesisë së Ballit Kombëtar e përbërë nga kryetari Adriatik Alimadhi, Gëzim Breza, nënkryetar (njëkohësisht Kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën), dhe Beniamin Toro, sekretar i përgjithshëm që mbulon marrdhëniet me Diasporën(dhe kryetar i degës së Fierit), u pritën nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj dhe bashkëpunëtorët. Mysafirët shoqëroheshin nga sekretari i degës së Vatrës në Michigan Mondi Rakaj. Në takim ndodheshin dy nënkryetarët e Vatrës Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, arkëtari i vatrës, njëkohësisht anëtar i Kryesise Marjan Cubi, anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj,dr. Skënder Murtezani,anëtar i Këshillit të Vatrës dhe kryetari i degës së Queensit-NY, advisory board Zef Perndocaj, vatrani Halit Shpuza dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës dr. Gjon Buçaj u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe u parashtroi qëndrimet e Vatrës për çështjen Kombëtare, për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duek u ndalë dhe në çështjen Çame.Ai u ndal gjatë edhe në pamoralitetin e politikës në Shqipëri dhe Kosovë, në problemete korrupsionit, dekriminalizimin e politikës e dhe dekomunistizimin e shoqërisë, për hapjen e dosjeve dhe lustracionin etj.
Kryetari i partisë Balli Kombëtar, z. Adriatik Alimadhi, falenderoi për pritjen, vlerësoi veprimtarinë 103 vjeçare të Vatrës dhe përcolli gjendjen reale të Shqipërisë, pozicionet e partisë që ai drejton, mbajti qëndrim për pamoralitetin e politikës shqiptare, për tranzicionin e tejzgajtur, korrupsionin, dhe hallet e qytetarëve, që sa vijnë e shtohen. Z. Aliamdhi, tha se anëtarët e Partisë Balli Kombëtar punojnë me moton”Partia Jonë është Shqipëria” dhe nuk udhëhiqet nga interesat e çastit, apo thjeshtë për kolltukët e pushtetit, siç veprojnë shumica e partive në Shqipëri.
Më pas ai tregoi edhe për përpjekjet, që kanë nisë prej kohësh, për mundësinë e trasferimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në një kohë të përshtatshme në Shqipëri.
Kur u diskutua ky problem, ndërhyri dr. Skënder Murtezani, i cili tregoi për veprimtaritë 2-vjeçare të degës së Vatrës në Queens. Veprimtaritë për nderimin e Mithat Frashërit janë zhvilluar me synimin për të hedhur më shumë dritë rreth figurës së tij,jetës së shkurtër në SHBA, vdekjes enigmatike, por edhe për të hedhë dritë rreth kontributit për çështjen Kombëtare, në fushën e diplomacisë, në fushën e letrave shqipe, marrdhëniet me Vatrën etj.
Gjatë takimit diskutuan për qëndrimet e Vatrës, situatën në Shqipëri dhe Kosovë, për zhvillimet në Ballkan edhe nënkryetarët Rexhaj dhe Bushati, anëtari i Këshillit Zef Balaj dhe editori i Diellit.
Në takim u evidentuan edhe marrdhëniet e Mid’hat Frashërit me Federatën Vatra, fillimisht si delegat i Vatrës në Zvicër, por edhe si promotor në Fushatën e Vatrës për Huanë Kombëtare 1920-21, si dërguari i Qeverisë Shqiptare. Dihet se kjo fushatë e suksesshme e Vatrës i dha arkës së shtetit shqiptar jo pak por 197 mijë dollarë(Shuma e konvertuar sot kap shifrat 2 milion e 777 mijë dollarë).
Në fudn të takimit Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar, z. Adriatik Alimadhi, nderoi Vatrën me “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJE” me motivacionin:” Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për ruajtjen historike të Identitetit Kombëtar Shqiptar dhe kontributin e dhënë për mbrojtjen e çështjes Kombëtare Shqiptare.”

Filed Under: Vatra Tagged With: Balli Kombetar, FEDERATËN VATRA, ME ÇERTIFIKATËN E MIRËNJOHJES, nderoi

Atë Arthur Liolin: “Noli – Njeriu i të gjitha kohërave”

March 15, 2015 by dgreca

Mesazhi i Atë Arthur Liolin, Kryekancelarit të Kishës së Nolit, dërguar enkas për sesionin e Vatres ne kujtim te 50 vjetorit te vdekjes se Nolit-Lexuar nga Pastor fr. Nathan Preston nga Kisha Ortodokse St. Nicholas/
I nderuar Dr. Gjon Bucaj, kryetar i Federatës Pan Shqiptare e Amerikës-Vatra
Në këtë 50 vjetor i përkujtimit të mbështetëm Fan Stilian Nolin, i cili vdiq në 13 Mars 1965, ju lutem pranoni përshëndetjet tona të thella për ju dhe për të gjithë kolegët tuaj të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës – Vatra.
Ju keni zgjedhur të përkujtoni Atë më 13 Mars – Dita e saktë, e 50 vjetorit të kalimit të tij në amshim –
VATRA, me këtë rast mbledh që të reflektojnë dhe për të dëgjuar nga kontributet e shquar që Fan Noli kishte bërë për të rritur njohuritë dhe imazhin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Fan Noli ka shërbyer si një nga themeluesit më me famë të Vatrës. Kështu, ne qëndrojmë në nderim, mirënjohje dhe admirim të trashëgimisë së jashtëzakonëshme që ai bëri në fusha të tilla të ndryshme si fe, letërsisë, historisë, gazetarisë, shkrimit, muzikës, poezisë dhe artit, e mynyrës të qeverisjes.

Në shumë mënyra, ai u bë si një “Njeriu për të gjitha kohërat.”

Si e tillë, me anë të jetës së tij të jashtëzakonshme dhe punëve të jashtëzakonshëm ai vazhdon të shërbejë si një mishërim i të gjithëve, që njerëzit tanë të gjejnë vlerat dhe të mbajnë ato si të shenjtë. Në të vërtetë, me trashëgiminë e tij, Ai është bërë një Icon i Identitetit Shqiptar Kombëtar dhe një model frymëzues, për brezat që vijnë, për ta kujtuar Atë si: Ikon i Kombit. Më tej, për të u mbledhur gjatë muajit mars ne na mundëson që të kujtojmë dhe nderojnë Atë me përulësi. Vdekja e Tij ishte në muajin mars, muaj kur ai u shugurua si prifti i parë shqiptar ortodoks për të filluar misionin e Tij, ambicioz gjatë tërë jetës. Në mars, Ai i prej se kur la Atdheun, kishte themeluar kishën e tij të parë shqiptare në Boston . Dhe ishte marsi i pesëdhjetë vjetëve më parë kur Ai ka hyrë në përjetësi.
Ju lutem me këtë rast pranoni urimet më të përzemërta për VATREN dhe të gjithë bashkatdhetarët të nderuar, dhe për të rikujtuar trashëgiminë pavdekshëm e ofruar për ne dhe për njerëzimin nga Fan Stilian Noli. Mundet që kujtesa e Tij ngaherë të jetë e përjetshëme. I perjetshem qofte kujtimi i Tij! Me shumë mirënjohje dhe lutje, Very Rev Arthur E. Liolin –

* Mesazhi i dërguar në Seminarin Përkujtimor të VATRËS për 50 vjetorin e ndarjes së Nolit nga Jeta.
New York 13 mars 20015

Filed Under: Vatra Tagged With: Atë Arthur Liolin: "Noli - Njeriu, i të gjitha, kohërave", mesazh, Pastor fr. Nathan Preston n

NJË DITË TE VARRI I NOLIT ME PRESIDENTIN RUGOVA

March 13, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Në vitin 1993 së bashku me presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili asaj kohe ndodhej për një vizitë zyrtare në SHBA, në shoqëri te At Arthur Lioninin, Kancelari i Kishës Orthodokse Shqiptare ”Shën Gjergji”, Antony Athanas, veprimtarin dhe biznismenin e njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe Dr. Alush Gashin, vizituam varrin e Fan S. Nolit në Forrest Hill Cemetery në Boston, njërit ndër figurat më të spikatura të kulturës shqiptare, politikës dhe diplomacisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që u bë Kryedioqeza e shqiptarëve ortodoksë të Amerikës.
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duke njohur mirë veprimtarinë e Nolit dhe të Konicës dhe kontributin e tyre në fushën e letërësisë dhe të kulturës shqiptare, kishte një dëshirë të jashtëzakonshme të vizitonte Bostonin. Një kënaqësi tjetër e tij ka qenë edhe takimi me mikun tim të ngushtë Anthony Athanas, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë një kohë të gjatë me Nolin dhe Konicën. Me vemendje të madhe Dr. Rugova e ndiqte fjalën e zotit Anthony Athanas për këta dy kolos të papërsëritshëm të komunitetit tonë në SHBA.
Noli dhe Konica, me punën e tyre intelektuale, bënë që shqiptaro -amerikanët të ngrisnin zërin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kundër pushtimeve të tokave shqiptare pas vitit 1912 nga Greqia, Serbia dhe Mali i Zi. Noli ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të SHBA Wilson para Konferencës së Paqes në Paris, duke kërkuar ndihmën e tij që të ndaleshin pretendimet e fqinjve për copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare. Noli, ku sot shënojmë 50 vjetorin e vdekjes së tij, ishte njëri ndër themelusit e Organizatës Panshqiptare ” Vatra” në SHBA, udhëheqës i saj dhe editor i gazetës “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot pas 100 vjetësh të themelimit. Komuniteti ynë ka ndjekë dhe po ndjek rrugën e Nolit dhe të Konicës e të intelektualëve të tjerë që asaj kohe selinë e kishin në Boston. Zoti Athanas ka qenë ndërlidhës i brezit të vjetër me brezin më të ri të “Vatrës” dhe të brezave të komunitetit tonë. Ishte një figurë me influencë në Qeverinë amerikane, ngaqë kishte një lidhje të ngushtë me presidentin e Kennedy.
Duke iu falënderuar Nolit dhe Konicës dhe shumë veprimtarëve të tjerë, sot kemi një komunitet të fuqishëm me ndikim në Washington. Ne punuam në vazhdimësi që të kemi një komunitetet veprues, aktiv dhe të koordinuar për çështjen shqiptare. Mendoj se me punën që po bëjmë së shpejti do të jemi të pranishëm në Kongresin dhe Senatin amerikan.

Filed Under: Vatra Tagged With: nje dite, PRESIDENTIN RUGOVA, TE VARRI I NOLIT ME

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • …
  • 150
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT