• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nazim Salihu – “Noli Tv”, rrëfimi i një rrugëtimi në art, media, sukses e shërbim komunitar

May 9, 2026 by s p

Kastriot Fetahu/

“Arti është forma më e thellë e individualizmit që njeh bota”, ka shkruar Oscar Wilde. Gonxhet e vona mbase e kishin talentin, vetëm nuk e kishin zbuluar, kështu do të shkruaja unë për Nazim Salihun në përmbushje të thënies së Wilde. Kultura është një tërësi vlerash shpirtërore dhe materiale, të cilat janë një përgjigje ndaj problemeve ekzistenciale. I tillë është rrugëtimi jetësor i Nazim Salihut, një histori këmbënguljeje, pasioni dhe realizimi të ëndrrave, e ndërtuar përgjatë më shumë se katër dekadave në art, media dhe jetë profesionale.

Që në fëmijërinë e tij në vitet ’70, ai kishte dy ëndrra të mëdha: mikrofonin dhe artin e flokut (parukerinë). Megjithatë, dëshira e prindërve ishte që të ndiqte rrugën e mjekësisë. Si rezultat, hapat e parë i nisi në shkollën e mesme të mjekësisë. Por pasioni për estetikën dhe krijimtarinë nuk u shua kurrë. Shkolla e mjekësisë për të ishte si një fjali pa shenjën e pikësimit në fundin e saj.

Gjatë katër viteve të shkollimit, ai paralelisht iu përkushtua edhe profesionit të parukerisë, duke punuar me emra të njohur të kësaj fushe. Që në moshë të re filloi të marrë pjesë në seminare profesionale nëpër Evropë, ku edhe e kuptoi se dashuria e tij për këtë art ishte e pakrahasueshme.

Vlera e artistëve të tillë qëndron në atë se, përmes dhuntive të tyre, na bëjnë të ndihemi më mirë. Na zgjojnë dëshirën për të qenë më të mirë edhe në artet që përfshijnë profesione të lidhura ngushtë me të.

Në vitet 1991–1993, ai garoi në kompeticione evropiane si një paruker i ri dhe i talentuar, ku në vitin 1992 arriti të fitojë vendin e dytë – një sukses i madh që u pasua edhe me shumë arritje të tjera. Ndërsa nuk zhurmoi kurrë, duke qëndruar brenda korpusit të modestisë.

Nga viti 1986 deri pak para luftës në Kosovë, jeta e tij profesionale ishte e suksesshme, me një aktivitet të pandërprerë dhe me biznesin e tij të njohur “Noli Salon”, që funksionoi për 18 vite. Emri Noli është karakteri i tij për të mos ndryshuar qenien atdhetar në kërkim të lirisë.

Por në të njëjtën kohë, pavarësisht suksesit, një pjesë e shpirtit të tij mbetej e paplotësuar – dëshira për mikrofonin dhe kamerën. Përsosuria është qëllim i domosdoshëm, pikërisht sepse përsosuria është e paarritshme. Nëse nuk synoni përsosurinë, nuk tentoni dot asgjë madhështore.

Nazim Salihu vendosi të kërkojë ëndrrën drejt lirisë që të dhuron mikrofoni dhe kamera. Ndaj ai bleu kamerën e tij të parë Panasonic me kaseta të vogla dhe filloi të eksperimentojë me regjistrime, në një kohë kur realiteti politik në Kosovë, nën okupimin serb, e bënte të vështirë zhvillimin e lirë artistik dhe mediatik.

Duket e ngjashme me artin e Francisko Goja në Spanjën e inkuizicionit.

Kompromisi nuk njeh kohë. Nazim Salihu nuk do të rreshtte së shpresuari dhe do të fillonte të mendonte përtej imagjinatës së rinisë.

Pas luftës së vitit 1999, emigrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen shënoi një kthesë të madhe në jetën e tij. Ai e pa këtë si “vendin e mundësive” dhe vendosi të mos dorëzohej. Nuk kishte menduar kurrë ta shiste ëndrrën e jetës, të cilën e imagjinonte ta realizonte në Tokën e premtuar.

Duket si një model gjeocentrik i suksesshëm kudo ku ai ka aplikuar artin me ëndrrat për të.

Për tetë vite jetoi në Saint Paul, Minnesota, ku përveç profesionit të parukerisë, punoi edhe si përkthyes në State Capitol Building.

Ekzistencialja dhe arti përpiqen të gjejnë gjithmonë ekuilibrin e mundshëm për të mos cënuar në asnjë anë të spektrit të jetës.

Më pas u zhvendos në Connecticut, pranë Nju Jorkut, ku filloi të ndërtojë një kapitull të ri.

Në Rocky Hill, Connecticut, hapi biznesin dhe, falë afërsisë me median, krijoi lidhje me profesionistë të televizionit WFSB Channel 3 Eyewitness News. Në vitin 2012, ai filloi të punojë duke përgatitur të ftuarit për dalje televizive.

Megjithatë, ëndrra për të qenë vetë para mikrofonit vazhdonte ta ndiqte. Me mbështetjen e drejtuesve të televizionit, ai u inkurajua të fillonte emisione për komunitetin shqiptar, duke zhvilluar njohuritë e vërteta artistike.

Fillimisht nisi në një radio online, ku për 18 muaj realizoi emisionin:

“Me pjesëtarët e artit dhe sukseset e shqiptarëve në glob”.

Më pas, ai vazhdoi me transmetime televizive live përmes Skype dhe studioje, duke realizuar mbi 250 emisione me figura të njohura të artit dhe suksesit shqiptar në mbarë botën. Duket si një shqiptar që ecën në ëndrrat e vëllezërve të famshëm Lymier. Ata prodhuan filmin e parë në botë, Nazimi po prodhonte emisionet e para televizive për shqiptarët në diasporën amerikane.

Pasioni për artin nuk u ndal vetëm në media. Në vitin 2012, ai përfundoi studimet për Special Effects Make-Up Artist në Beverly Hills, Hollywood, duke punuar më pas në produksione të ndryshme, përfshirë edhe programe në TLC dhe projekte të tjera ndërkombëtare. Marsel Prust thotë se vetëm përmes artit dalim nga vetja dhe njohim vizionin e një tjetri për universin.

Kështu që për Nazim Salihun erdhi një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte më 29 janar 2024, kur me ftesë të Elmi Berisha, u emërua Këshilltar për Kulturë dhe Art në Pan-Vatra në Bronx, New York. Kjo detyrë përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe një nder të veçantë për të. Shqiptaria është emëruesi i përbashkët i të gjitha aktiviteteve jetësore të tij.

Në këtë rol, ai kontribuon në organizimin e aktiviteteve kulturore, promovimin e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, si dhe në ndërtimin e urave kulturore mes diasporës dhe trojeve shqiptare.

Sot, në Rocky Hill Community TV, ai realizon emisione kushtuar kulturës, artit, traditës dhe sukseseve të bashkatdhetarëve. Ai është gjithashtu gazetar i licencuar nga IAPP dhe USPA.

Aktualisht drejton edhe platformën e tij mediatike Noli TV, e cila transmetohet në TV Alb (kanali 39) dhe Nimi TV (kanali 249), duke sjellë histori frymëzuese dhe intervista me figura të rëndësishme shqiptare. Ai nuk është i famshmi gazetar italian Bruno Vespa, por as Bruno Vespa nuk ka dashurinë për kombin që ka në emisionet e tij Nazim Salihu. Arti i tij nuk proklamon ideologjinë dhe kozmopolitizmin, por shqiptarinë, duke e kthyer në një dashuri dhe objekt estetik të realizuar.

“Nga një ëndërr fëmijërie për mikrofonin dhe artin, deri te realizimi i saj në një skenë ndërkombëtare – ky është rrugëtimi im.” – shkruan për veten e tij artisti Nazim Salihu.

Filed Under: Vatra

SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

May 7, 2026 by s p

E nderuar familja Funici

Të nderuar vatranë e patriotë

I tronditur dhe me keqardhje të thellë mësova lajmin e largimit nga jeta të vatranit të përkushtuar, patriotit, aktivistit të dalluar të komunitetit tonë, mikut tim të çmuar Kujtim Funici. Kujtimi ishte mik fisnik e besnik, mikpritës, i papërtueshëm, zemërbardhë, shumë i këndshëm e i hareshëm, i dashur e i nderuar në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme familjes, farefisit e miqve për humbjen e parakohshme të Kujtim Funicit.

Nderimi, mirënjohja dhe kujtimi do të jetë i paharrueshëm. Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë familjes në këto momente trishtimi e lamtumire të pakthyeshme.

Lusim Zotin për shpirtin e tij.

Pushoftë në mbretërinë e engjëjve e të shenjtërve.

I pikëlluar në zemër

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i Vatrës

Dr.Elmi Berisha

Filed Under: Vatra

MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”

May 7, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, rajoni i Adriatikut u shndërrua në një nga nyjet më të tensionuara të diplomacisë ndërkombëtare. Në qendër të kësaj përplasjeje qëndronte vizioni i Presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili u përball drejtpërdrejt me ambiciet territoriale të fuqive evropiane, sidomos të Italisë.

Në vitin 1915, përmes Traktati Të Londrës, Italia ishte joshur të hynte në luftë në krah të Antantës, duke iu premtuar territore të gjera në Adriatik. Këto përfshinin pjesë të bregdetit dalmat, qytetin e Fiumes (Rijeka), si dhe ndikim të konsiderueshëm mbi Shqipërinë.

Ky traktat përfaqësonte kulmin e diplomacisë së fshehtë: territore që u përkisnin popujve të tjerë negocioheshin pa praninë dhe vullnetin e tyre.

Wilson kundër diplomacisë së vjetër

Kur Woodrow Wilson mbërriti në Konferencën e Paqes se Parisit, ai solli një qasje krejt të re. Me 14 Pikat e tij, ai refuzoi hapur parimin e traktateve të fshehta dhe kërkoi që kufijtë të vendoseshin mbi bazën e vetëvendosjes së kombeve.

Në çështjen e Adriatikut, kjo përkthehej në:

refuzimin e pretendimeve italiane mbi territore me shumicë jo-italiane

mbështetjen për krijimin dhe stabilizimin e shteteve të reja si Jugosllavia

mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë

Wilson e konsideronte Adriatikun jo si “det italian”, por si një hapësirë ndërkombëtare ku duhej të respektohej balanca etnike dhe politike.

Konflikti me Italinë dhe kriza e Fiumes

Një nga përplasjet më të forta ndodhi për qytetin e Fiumes (sot Rijeka). Italia kërkonte aneksimin e tij, ndërsa Wilson kundërshtonte, duke argumentuar se popullsia nuk ishte kryesisht italiane.

Kriza arriti kulmin kur delegacioni italian u largua përkohësisht nga konferenca në shenjë proteste. Wilson reagoi duke iu drejtuar drejtpërdrejt opinionit publik italian, duke mbrojtur parimet e tij dhe duke refuzuar kompromiset që binin ndesh me vetëvendosjen.

Ky ishte një moment i rrallë në historinë diplomatike: një president amerikan që sfidonte publikisht një aleat evropian në emër të parimeve.

Në historinë e diplomacisë amerikane të fillimshekullit XX, marrëdhënia midis Charles R. Crane dhe Presidentit Woodrow Wilson përfaqëson një nga rastet më domethënëse kur idealet politike u përkthyen në veprim konkret ndërkombëtar. Kjo marrëdhënie pati jehonë të veçantë edhe për fatin e Shqipërisë, në një moment kur ekzistenca e saj si shtet ishte seriozisht e rrezikuar.

Konteksti historik: Shqipëria në rrezik zhdukjeje

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Europa u gjend përballë një rikonfigurimi të madh territorial. Në Konferencën e Paqes në Paris fuqitë e mëdha diskutonin kufijtë e rinj, shpesh mbi baza interesash strategjike dhe jo domosdoshmërisht mbi parime etnike apo historike.

Shqipëria, e shpallur shtet më 1912, rrezikonte të copëtohej mes fqinjëve – Greqisë, Serbisë dhe Italisë – sipas traktateve të fshehta të kohës së luftës. Pikërisht në këtë moment kritik, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht e Presidentit Wilson ndryshoi rrjedhën e historisë.

Wilson dhe doktrina e vetëvendosjes

Presidenti Woodrow Wilson hyri në Konferencën e Parisit me një vizion të ri për rendin botëror, të mishëruar në 14 Pikat e tij. Një nga shtyllat kryesore ishte parimi i vetëvendosjes së kombeve – ide që sfidonte drejtpërdrejt marrëveshjet e fshehta dhe planet për ndarje territoriale.

Wilson kundërshtoi hapur projektet për copëtimin e Shqipërisë, duke e konsideruar të papranueshme që një komb i vogël të zhdukej për interesa gjeopolitike.

Ky qëndrim ishte vendimtar për ruajtjen e integritetit territorial shqiptar në fazat kritike të negociatave.

Roli i Charles R. Crane: ndërmjetësi i ideve wilsoniane

Charles R. Crane ishte një figurë kyçe në rrethin e ngushtë të Wilsonit. Industrialist i pasur, por edhe intelektual me interes të thellë për popujt e Evropës Lindore dhe Lindjes së Mesme, Crane shërbeu si një ndërmjetës informal diplomatik.

Ai ishte bashkëdrejtues i Komisionit të famshëm King-Crane Commission, një mision hetimor i dërguar nga Wilson për të kuptuar dëshirat e popujve në territoret ish-osmane. Edhe pse ky komision u përqendrua kryesisht në Lindjen e Mesme, ai përfaqësonte një metodë të re: dëgjimin e popujve përpara vendimmarrjes.

Crane ishte gjithashtu një mbështetës i fortë i kombeve të vegjël dhe kishte simpati për aspiratat shqiptare. Ai kishte udhëtuar në Shqipëri në kohën e Kryengritjeve kundër Turqisë dhe ne Kryengritjen e Malësisë se Madhe. Patrioti Kristo Dako Christo Dako u kthye për një periudhë të shkurtër në Shqipëri në qershor të vitit 1911, pikërisht në kulmin e Kryengritjes Shqiptare të vitit 1911, së bashku me Charles Richard Crane nga Çikago. Atje ai u burgos për një kohë të shkurtër për shkak të veprimtarisë së tij nacionaliste. Ai u lirua falë ndërhyrjes së Crane-it, ndërsa përndjekësi i tij, Şhefkqet Turgut Pasha, u largua menjëherë nga autoritetet osmane. Charles Crane do të bëhej një nga lobuesit e paktë të çështjes shqiptare në atë kohë, duke ndikuar, sipas burimeve, mbi qeverinë amerikane për të ushtruar presion diplomatik në favor të Shqipërisë ndaj britanikëve gjatë Konferencës së Londrës të viteve 1912–1913. Dako ishte redaktor i gazetës Dielli dhe kryetar i Vatra në vitin 1913. Në vitin 1914 ai vizitoi për një kohë të shkurtër vendlindjen e tij në Shqipëri. Për shkak të mospajtimeve të mëvonshme me Fan Noli, ai u tërhoq pjesërisht nga veprimtaria në Vatra.

Në vitin 1918 ai iu bashkua “Partisë Politike Shqiptare”. Në vitin 1916 botoi në Southbridge, Massachusetts, gazetën jetëshkurtër me tetë numra “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (“Voice of Albania Library”). Më vonë Dako mori pjesë në Paris Peace Conference në vitin 1919. Ai u takua dy herë me presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson. Bashkëshortja e tij, Sevasti Dako, i shkroi Wilson-it për t’i shpjeguar aspiratat kombëtare të shqiptarëve.

Përmes kontakteve dhe ndikimit të tij në qarqet amerikane, ai ndihmoi në formësimin e një qasjeje më të drejtë ndaj çështjeve të Ballkanit.

Shqipëria dhe ndërhyrja amerikane

Në Paris, delegacioni shqiptar përballej me një situatë të pafavorshme. Fuqitë evropiane ishin të prirura të respektonin marrëveshjet e mëparshme sekrete. Megjithatë, qëndrimi i Wilsonit – i mbështetur nga rrethi i tij, përfshirë Crane – krijoi një kundërpeshë të fuqishme. Refuzimi amerikan për të njohur traktatet e fshehta dhe insistimi mbi parimin e vetëvendosjes:

ndaloi legjitimimin e ndarjes së Shqipërisë

i dha kohë diplomacisë shqiptare të organizohej

vendosi një precedent moral në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Trashëgimia historike

Ndikimi i Woodrow Wilson dhe Charles R. Crane në çështjen shqiptare nuk ishte rezultat i një traktati të vetëm, por i një filozofie politike që sfidoi realpolitikën tradicionale evropiane.

Për shqiptarët, Wilson mbeti simbol i mbrojtjes së të drejtave kombëtare, ndërsa Crane përfaqëson atë figurë më pak të njohur, por thelbësore, që ndihmoi në përhapjen dhe zbatimin praktik të këtyre ideve. Historia e marrëdhënies midis Crane dhe Wilson tregon se diplomacia nuk është vetëm çështje marrëveshjesh, por edhe e ideve dhe e njerëzve që i mbrojnë ato. Në një epokë të dominuar nga interesat e fuqive të mëdha, ndërhyrja e tyre krijoi një hapësirë për drejtësi ndërkombëtare – një hapësirë në të cilën Shqipëria arriti të mbijetojë si shtet.

Shqipëria në ekuacionin e Adriatikut

Çështja e Adriatikut nuk mund të kuptohet pa Shqipërinë. Italia synonte të kishte një rol dominues në këtë vend, madje edhe protektorat të drejtpërdrejtë.

Qëndrimi i Woodrow Wilson ishte vendimtar:

ai kundërshtoi planet për ndarjen e Shqipërisë

refuzoi legjitimitetin e marrëveshjeve të fshehta që e parashikonin këtë ndarje

mbështeti ekzistencën e një shteti shqiptar të pavarur

Në këtë mënyrë, Shqipëria u bë pjesë e një beteje më të madhe: përplasjes midis realpolitikës evropiane dhe idealizmit wilsonian.

Adriatiku si provë e rendit të ri botëror

Për Wilsonin, Adriatiku ishte një test i vërtetë për rendin e ri ndërkombëtar që ai synonte të krijonte. Nëse fuqitë e mëdha do të vazhdonin të ndanin territore sipas interesave të tyre, atëherë parimet e tij do të dështonin.

Megjithëse jo të gjitha synimet e tij u realizuan plotësisht, ndikimi i tij ishte i thellë:

traktatet e fshehta humbën legjitimitetin moral

koncepti i vetëvendosjes u bë standard ndërkombëtar

shtetet e vogla fituan një mbrojtje politike të re

Ndërhyrja e domosdoshme e diasporës shqiptare

Roli i Woodrow Wilson në çështjen e Adriatikut ishte më shumë se një ndërhyrje diplomatike – ishte një përpjekje për të transformuar mënyrën se si funksiononte politika ndërkombëtare.

Në këtë përballje midis parimeve dhe interesave, Adriatiku u bë një skenë ku u vendos jo vetëm fati i territoreve, por edhe drejtimi i rendit botëror pas Luftës së Parë Botërore.

Për Shqipërinë, kjo ndërhyrje mbeti jetike: ajo e vendosi çështjen shqiptare brenda një kornize më të gjerë drejtësie ndërkombëtare, duke i dhënë mundësi të mbijetojë si shtet në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së saj. Në këtë kohë është mjaft e rëndësishme të evidentohet roli i Vatra dhe i Fan Noli, si edhe analiza e tyre e hollësishme e gjeopolitikës dhe e interesave italiane pas Luftës së Parë Botërore.

Në memorialin e zbuluar prej meje në dokumentet arkivore italiane paraqitet qëndrimi i shqiptarëve në dy letra: njëra e Vatrës dhe tjetra e Christo Dako, të cilën do ta botojmë në një numër tjetër.

Në letrën shoqëruese, të firmosur nga sekretari i Vatrës, Leon Kristo, paraqitet situata, vendimi juridik dhe përmenden dy fakte kryesore :

Zotëri, Kam nderin t’ju informoj se në një takim të Vatrës (organizatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara), të mbajtur më 15 Mars 1918, pas shqyrtimit dhe diskutimit të kujdesshëm, dolëm me deklarata e bashkangjitur me titull: “ Deklarata e Vatrës në lidhje me një Protektorat të mundshëm Italian në Shqipëri “, që u miratua unanimisht. Gjithashtu u votua për të dërguar kopje të certifikuara siç duhet të kësaj deklarate Presidentit të Shteteve të Bashkuara, të Nderuarit Charles R. Crane, një mik i nderuar i Shqipërisë, dhe Kolonel E. M. House, i cili, siç e dimë, është seriozisht i shqetësuar me problemet ekonomike dhe politike që rrjedhin nga lufta.”

Ky memorial paraqet një nga dokumentet më të rëndësishme të mendimit politik shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, ku shfaqet qartë shqetësimi patriotik për fatin e Shqipërisë dhe rrezikun që paraqiste një protektorat italian.

Autorët argumentojnë me largpamësi se një kontroll italian mbi Shqipërinë nuk do të sillte stabilitet, por do të krijonte konflikte të reja ndërkombëtare, rivalitete në Ballkan dhe tensione në Mesdhe. Ata e shohin “protektoratin” si një formë të maskuar aneksimi dhe paralajmërojnë se italianizimi gradual, kolonizimi ekonomik dhe kontrolli i Vlorës do të çonin në humbjen e pavarësisë shqiptare. Dokumenti denoncon gjithashtu politikën italiane gjatë Luftërave Ballkanike dhe traktatet sekrete për copëtimin e Shqipërisë, duke e paraqitur Italinë si një fuqi që kishte përdorur intrigën diplomatike për të dobësuar shtetin shqiptar.

Në të njëjtën kohë, memoriali dëshmon një nivel të jashtëzakonshëm intelektual dhe diplomatik të elitës patriotike shqiptare të lidhur me Vatra.

Argumentimi është i ndërtuar mbi analiza gjeopolitike, ekonomike dhe strategjike të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke treguar një kuptim të thellë të rivaliteteve mes Italisë, Francës, Britanisë dhe shteteve ballkanike. Autorët nuk kufizohen vetëm në kundërshtimin e Italisë, por propozojnë një alternativë moderne dhe vizionare: mbështetjen amerikane si garanci për një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe të zhvilluar sipas idealeve të lirisë dhe vetëqeverisjes. Besimi i tyre tek Woodrow Wilson dhe tek roli i Shteteve të Bashkuara tregon jo vetëm orientimin perëndimor të patriotëve shqiptarë, por edhe aftësinë e tyre për ta ngritur çështjen shqiptare në nivelin e diplomacisë ndërkombëtare

“MEMORIAL I FEDERATËS PANASHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”

LETËR QARKORE ,

97 Compton St., Boston, Mass., 20 Mars 1918.

DEKLARATAT E “VATRËS” MBI NJË PROTEKTORAT TË MUNDSHËM ITALIAN MBI SHQIPËRINË ·

“Një protektorat italian do të ishte një burim fërkimesh midis Italisë dhe Austrisë nga njëra anë, dhe Italisë dhe Ballkanit nga ana tjetër. Mund të provokojë lehtësisht ndërlikime ndërkombëtare në të ardhmen e afërt dhe të mbjellë farat e një lufte tjetër botërore. Shpërbërja e Austrisë dhe eliminimi i saj nga arena ballkanike nuk do ta zgjidhte situatën, pasi në atë rast Serbia më e madhe, ose Bullgaria më e madhe, ose të dyja, me ndihmën e mundshme të Greqisë, do të zëvendësonin Monarkinë e Danubit.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, duhet të merret në konsideratë antagonizmi franko-italian në lidhje me Detin Mesdhe. Ky antagonizëm do të bëhej më i akut ditën që Italia, me protektoratin e saj mbi Shqipërinë dhe zotërimin e Vlorës, praktikisht dominonte Mesdheun qendror nga Vlora në Tripoli.

Përveç Francës, nuk është e sigurt, nëse Anglia do të ishte e kënaqur me një zgjidhje të tillë.

– II. Një protektorat italian mbi Shqipërinë do të ishte thjesht një emër tjetër për “aneksimin”. Depërtimi ekonomik do të ishte faza e parë, e ndjekur nga kolonizimi sistematik. Shqipëria është shpopulluar nga lufta, uria dhe sëmundjet; Italia, nga ana tjetër, në provincat e saj jugore, ka një popullsi të tepërt që mund të tundohet ta derdhet në Shqipëri në vend që ta lërë të shkrihet në “tenxheren e madhe të Amerikave”.

Nën një protektorat italian, është e pashmangshme që Shqipëria të italianizohet brenda pak dekadash. As nuk shohim se si mund të shmangen rreziqe të tilla me anë të “shifonëve” të rremë prej letre.

III. Italia nuk do të jetë e kënaqur me një protektorat mbi Shqipërinë. Ajo do të këmbëngulë në sovranitet dhe kontroll absolut të portit të Vlorës dhe të rrethinave të saj. Kjo është shumë e njohur për t’u provuar. Vetë italianët nuk e kanë mbajtur kurrë sekret.

Në fillim të luftës, Austria u ofroi atyre Vlorën si çmim të neutralitetit të tyre. Aleatët morën një angazhim në lidhje me Vlorën, me qëllim që të tërhiqnin Italinë në kauzën e tyre.

Për më tepër, një traktat sekret, i zbuluar nga Bolshevikët, tregon se Italia kishte rënë dakord për copëtimin e Shqipërisë nga shtetet fqinje ballkanike me kusht që ajo të mbante Vlorën, me një brendësi të gjerë dhe të sigurt.

Italia nuk do të jetë kurrë në gjendje ta shkatërrojë me të drejtë këtë provë thelbësore; dhe shqiptarët e dinë mirë se “protektorat italian” do të thotë “pushtim”.

IV. Në dritën e këtij traktati sekret, i gjithë qëndrimi i lig i Italisë ndaj shtetit të sapolindur shqiptar mund të konsiderohet si një seri sistematike intrigash që synojnë të provokojnë rënien e Shqipërisë së pavarur dhe të fitojnë një mundësi për të pushtuar Vlorën.

Gjatë Luftërave Ballkanike, Austria dhe Italia fillimisht ranë dakord ta ndanin Shqipërinë në dy sfera ndikimi: Shqipëria veriore nën Austrinë dhe Shqipëria jugore nën Italinë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Austria do të detyronte zbrazjen e sferës së saj të ndikimit nga serbët dhe malazezët, ndërsa Italia mori përgjegjësinë për zbrazjen e seksionit që i ishte caktuar nga grekët.

Austria dërgoi dy ultimatume, të mbushura me ndërlikime ndërkombëtare, dhe i detyroi serbët dhe malazezët të zbraznin territorin e caktuar shtetit shqiptar nga Konferenca e Londrës. Por Italia i lejoi grekët të vazhdonin të pushtonin Shqipërinë jugore dhe ishte bashkëpunëtore në komedinë e përgjakshme të së ashtuquajturës Qeveri Autonome e Epirit të Veriut nën Z. Zografos, të vënë në skenë nga Greqia me ndihmën e ushtarëve dhe oficerëve grekë, me anë të pushkëve dhe municioneve. Rezultati ishte që Shqipëria u përmbyt me gjak nga banditët grekë, dhe rreth njëqind mijë refugjatë të varfër vdiqën fjalë për fjalë nga uria në ullishtat e Vlorës.

Të gjithë shqiptarët, me të drejtë ose pa të drejtë, e konsiderojnë Italinë përgjegjëse për këtë krim. Kulmi i paudhësisë u arrit kur Italia Ishte, siç dihet, kryengritja e popullit shqiptar kundër shtypjes turke që shkaktoi luftën e parë ballkanike; as shqiptarët nuk do t’u nënshtrohen sundimtarëve nga vende të tjera apo atyre që dëshirojnë t’i zotërojnë ata “nën forma të fshehta kontrolli”.

Një protektorat italian ose ndryshe do të nënkuptonte demonstrime të vazhdueshme lufte, dhe paqja e dëshiruar në Ballkan do të mbetej e pamundur.

Është e qartë se nëse Italisë ose ndonjë kombi tjetër do t’i jepej një protektorat, rivalët ambiciozë do të nxitonin të armatosnin dhe pajisnin, në shenjë proteste, malësorët shqiptarë, të cilët konsideroheshin nga Turqia, në periudhën e saj të shkëlqimit, si luftëtarët më të guximshëm që mund të komandonte.

– IX. Ne besojmë se është dëshira pothuajse unanime e shqiptarëve që, kur të rivendoset pavarësia e tyre, atyre t’u jepet ndihma dhe bashkëpunimi i ndonjë kombi të madh pa ambicie politike për t’i shërbyer dhe pa dëshirë për pushtim territorial.

Është e vështirë të imagjinohet se çdo komb evropian mund të çlirohet nga dyshimi për interesa egoiste. Shtetet e Bashkuara duket se janë i vetmi komb të cilin shqiptarët mund ta shikojnë me besim të plotë.

Nëse një Komisioner ose Komision Amerikan do të emërohej nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar shqiptarët në formimin dhe qeverisjen e një shteti të suksesshëm, çdo shqiptar besnik do të deklaronte veten të kënaqur. Mijëra prej atyre që erdhën në Amerikë për të fituar lirinë që u është mohuar në atdheun e tyre do të ishin të etur të ktheheshin në vendin e tyre të lindjes dhe të bashkëpunonin në rehabilitimin e tij dhe në futjen e ideve amerikane të lirisë dhe zhvillimit politik dhe ekonomik.

Institucionet kulturore amerikane do të ishin një bekim për Shqipërinë, pasi kultura anglo-saksone i përshtatet më së miri shpirtit viril dhe puritan të racës shqiptare. Luginat pjellore të Shqipërisë nuk janë kultivuar kurrë me mjete dhe metoda bujqësore moderne, në përdorimin e të cilave udhëzimi i miqve dhe mësuesve amerikanë do të ishte më efektiv se ai i çdo kombi tjetër.

Mosinteresimi i Shteteve të Bashkuara do të ishte një siguri për të gjitha shtetet e Evropës se Shqipëria nuk do të ngatërrohej në makinacionet politike të Fuqive të tjera; dhe nuk do të shqetësonte paqen e Ballkanit, nën një qeveri të përshtatshme të vetën.

Kushte të tilla janë absolutisht të paarritshme nga një protektorat italian. Italia nuk është një shtet i zhvilluar mirë për sa i përket bujqësisë; Dihet mirë se para luftës së tanishme, Italia ishte e detyruar të importonte sasi të mëdha kapitali gjerman për të zhvilluar burimet e saj. Fushat, qytetet, qytezat dhe industritë e saj janë dëmtuar tashmë nga lufta dhe mund të vuajnë më tej. Prandaj, për shumë vite që do të vijnë, Italia do të ketë nevojë për të gjitha burimet e saj për rindërtimin dhe zhvillimin e saj të brendshëm, dhe nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për nevojat urgjente të përparimit të Shqipërisë. Çdo hap që Italia ndërmerr për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë do të konsiderohej nga shqiptarët jo si një bekim, por si një hap drejt dominimit politik.

Një protektorat italian do ta linte prandaj Shqipërinë ekonomikisht të varfër, ndërsa me zhvillim të përshtatshëm dhe vetëmohues, pasuria e fushave, pyjeve dhe minierave të saj mund të kontribuonte menjëherë në lehtësimin e Evropës së shkatërruar dhe të vuajtur. Ne besojmë se sa më sipër përfaqëson mendimin e përgjithshëm të të gjithë shqiptarëve.

Në kuvendin e fundit të Federatës Shqiptare, korrikun e kaluar, një protestë e fuqishme kundër një protektorati italian u votua unanimisht dhe iu telegrafua Presidentit Wilson, Anglisë, Francës dhe Rusisë.

Federata Pan-Shqiptare Vatra (nënshkruar)

FAN S. NOLI, President.

Unë, i nënshkruari, Leon Christo, Sekretar i “Vatrës”, vërtetoj se kjo është një kopje autentike e procesverbalit të “Vatrës” dhe se votimi u krye nga “Vatra” në takimin e mbajtur në Boston, Massachusetts, më 15 mars 1918.

Në dëshmi të kësaj (vulë) (nënshkruar) LEON CHRISTO, Sekretar.

Filed Under: Vatra Tagged With: Rafael Floqi

Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”

May 4, 2026 by s p

Irena Dragoti/

Librin “Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)” gjatë leximit nuk e pashë vetëm si studim historik por edhe si një rrëfim të ndërgjegjes kolektive shqiptare, ku historia nuk bëhet vetëm nga ngjarjet, por edhe nga fjala, reagimi dhe memoria e organizuar në diasporë. Në këtë vepër, historia e Kosovës nuk paraqitet veç si një kronikë lineare, por si një tekst multiplanësh, ku bashkëjetojnë dhimbja, rezistenca dhe diplomacia.

Qysh në parathënie, theksohet se kemi të bëjmë me një periudhë vendimtare për fatin kombëtar, ku diaspora shqiptare në SHBA, përmes “Vatrës” dhe “Diellit”, shndërrohet në aktor historik.

Veprën e Prof. dr. Roland Gjinit e lexova si arkeologji të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, ku dokumenti, fjala dhe veprimi politik bashkëjetojnë si shtresa të së njëjtës të vërtetë historike. Në këtë sens, duket qartë që profesori e historiani Prof dr Gjini nuk ndalet te ngjarja, por kërkon aryet që e prodhojnë atë njëjtë si historianët e mëdhenj si Fernand Braudel apo Eric Hobsbawm.

Që në hyrje, të librit, Kosova nuk shfaqet thjesht si territor, por si kohë e zgjatur historike, hapësirë ku përplasen perandori, identitete dhe projekte politike ose siç thotë profesori “rrugë e gjatë, e ndërlikuar, e vështirë e e mundimshme”

Kjo fjali, në dukje përshkruese, është në fakt qasje se historia e Kosovës vjen njëherazi si shtypje po aq sa dhe kujtesë. Në analizën e viteve 1981, autori nuk e trajton protestën si një shpërthim spontan, por si rezultat i një akumulimi historik të padrejtësive ku identiteti kolektiv lindi si përgjigje ndaj krizës kur thotë: “iu mohuan liritë dhe të drejtat kombëtare… nën diktatin… serb”

Kjo është tipike koloniale pasi nga njëra anë mohon subjektivitetin e tjetrit dhe në anën tjetër është një popull që e rindërton atë përmes rezistencës. Demonstratat e vitit 1981 nuk janë vetëm kërkesë politike, por edhe akt i rikthimit të historisë në duart e shqipeve.

Në këtë pikë, roli i gazetës “Dielli” bëhet thelbësor. Ajo ka prodhuar realitetin historik, duke shndërruar një ngjarje lokale në çështje ndërkombëtare.

Një nga risitë më të rëndësishme të librit është vendosja e diasporës në qendër të analizës. Në frymën e Braudel-it, mund të themi se “Vatra” dhe “Dielli” përfaqësojnë një (longue durée), që veproi përtej ngjarjeve të përditshme.

Nga fillimshekulli XX deri në fundin e tij, diaspora shqiptare mbetet aktor konstant në mbrojtje të çështjes kombëtare. Në këtë kuptim, libri rrëzon keqkuptimin se historia bëhet vetëm brenda kufijve shtetërorë.

Përkundrazi, autori na bind se historia e Kosovës ndodh në një hapësirë të zgjeruar në SHBA, në media, në diplomaci duke krijuar atë që mund ta quajmë një atdhe diskursiv.

Përshkrimi i luftës së viteve 1998–1999 nuk është vetëm retorikë por panoramë e plotë e dhimbjes kolektive shndërruar në argument moral duke ndikuar në ndërhyrjen ndërkombëtare.

Ndërhyrja e NATO-s, në këtë këndvështrim, nuk paraqitet vetëm rezultat i interesave strategjike, por edhe i një presioni moral të ndërtuar nga media dhe diaspora.

Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 paraqitet si kulm, por Profesor doktor Gjini e shmang triumfalizmin pasi ai e sheh lirinë si një proces të papërfunduar. Kjo duket në fjalinë” Kosovës i nevojiten institucione… ndërtimi i demokracisë është kyç” . Pavarësia thotë indirekt autori është kulm e fillim i ri.

Këtu shfaqet paradoksi themelor i historisë moderne, fitimi i lirisë nuk garanton menjëherë funksionimin e saj. Shteti duhet të ndërtohet, dhe ky proces është po aq i vështirë sa edhe çlirimi.

Në fund, e them me bindje se kjo vepër është tekst mbi tekstet pasi analizon gazetën “Dielli”, e cila vetë analizon historinë. Kjo krijon një shumëfishim perspektivash dhe e bën veprën një hapërsirë interpretimi. Historia këtu nuk është një e vërtetë e vetme, por një rrjet të vërtetash që ndërthuren. Kjo e afron librin me qasjet moderne të historiografisë, ku rëndësi ka jo vetëm “çfarë ndodhi”, por edhe “si u tregua ajo që ndodhi”.

Në përfundim, kjo vepër dëshmon se historia e Kosovës është jo vetëm një proces politik, por edhe ndërgjegje që formohet nëpërmjet kujtesës, vuajtjes dhe fjalës.

Libri i Prof . Dr Gjinit arrin të ndërtojë një urë mes historisë dhe interpretimit, mes faktit dhe kuptimit. Ai na mëson se pavarësia nuk është vetëm një akt juridik, por një proces i gjatë i krijimit të vetvetes si subjekt historik.

Dhe ndoshta idetë më të thella që dalin nga kjo analizë do të ishin

1-një komb nuk bëhet i lirë vetëm kur shpall pavarësinë, por kur arrin ta tregojë historinë e tij në mënyrë që bota ta dëgjojë.

2-Historia e Kosovës ishte dialog mes atdheut dhe diasporës

3-“Vatra” dhe “Dielli” nuk janë vetëm institucione, por edhe ndërgjegje kolektive që mbajtën gjallë një kauzë.

4-një komb nuk jeton vetëm në territorin e tij, por edhe në kujtesën dhe fjalën e bijve të tij kudo në botë.

Në këtë kuptim, libri dëshmon se aty ku historia dhe vetëdija përplasen fuqia e medias si instrument historik, kthejnë fjalën në armë e apel për botën e në fund vepër për kombin.

Filed Under: Vatra

Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

May 2, 2026 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha dhe kryetari i Këshillit të Vatrës z. Kolec Ndoja zhvilluan një vizitë zyrtare në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK. Zyrtarët e Vatrës shprehën mirënjohje, nderim e vlerësim për sakrificën sublime të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si histori, identitet e krenari kombëtare. Në faqen zyrtare të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK u raportua edhe nderimi për kryetarin e Vatrës nga organizata e kryesuar nga z.Hysni Gucati: “Sot kishim për vizitë z. Elmi Berisha, Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” të cilit iu nda mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në avancimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe atdheut”.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i ka apeluar Kongresit, Senatit, Shtëpisë së Bardhë e Departamentit të Shtetit Amerikan për drejtësi për Kosovën. Vatra ka kërkuar vazhdimisht liri për çlirimtarët që mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ka dënuar gjyqin e turpshëm ndaj heronjve të lirisë së Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Gjyqi i padrejtë dhe i turpshëm ndaj çlirimtarëve e luftërëve të lirisë së Kosovës është turp për perëndimin. Maskarada e Hagës duhet të marrë fund sa më parë. Çlirimtarët duhet të kthehen të lirë në Kosovë.

Përmes gazetës Dielli, Vatra ka sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për padrejtësinë që i bëhet kombit shqiptar në zemër të qytetërimit perëndimor, në Hagë dhe ka insistuar për proces të drejtë, të ndershëm, transparent dhe jo të fabrikuar nga serbët e rusët. UÇK është nderi i kombit shqiptar, krenari dhe faqe e ndritur në historinë kombëtare.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 166
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT