Adrian Neritani, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitet 2006-2009, pjesë e Këshillit të Federatës Vatra, është përzgjedhur nga OKB dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW/ONAK), si një nga 3 anëtarët e grupit civil, që do të hetojnë nëse në Siri janë përdorur armë kimike kundër popullsisë civile dhe kush i ka përdorur ato. Këshilli i Sigurimit në OKB dha “dritën jeshile” për hetim të përbashkët nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike javën e kaluar, por ndërkaq si qeveria e Sirisë, ashtu dhe kryengritësit kanë mohuar përdorimin e armëve kimike. Adrian Neritani do të jetë pjesë e grupit, së bashku me argjentinasen Virginia Gamba, e cila do të jetë drejtuese, dhe me ekspertin gjerman, Eberhard Schanze. Qeveritë perëndimore shpresojnë se, hetimi nga OKB-ONAK do të përcaktojë fajtorët e përdorimit të gazit sarin, prova këto që mund të përdoren një ditë për të ndjekur penalisht anëtarët e qeverisë siriane për krime lufte. Zyra e shtypit të Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar lajmin, se Neritani do të jetë pjesë e grupit të “Mekanizimit të Përbashkët të Hetimit” dhe se, për shkak të përgatitjes së tij si diplomat, por edhe jurist i njohur në të drejtën ndërkombëtare, ai do të jetë përgjegjës për pjesën politike të këtij mekanizmi investigativ. Fillimisht, grupi prej 3 anëtarësh do të shqyrtojë dokumentet e mbledhura deri më tani, e më pas, nëse do të jetë e nevojshme, ata do të udhëtojnë drejt Sirisë për të mbledhur prova të tjera, për të provuar nëse është përdorur gazi sarin dhe se cilët kanë qenë ata që e kanë përdorur. {Sh.K}
DEKLARATË E FEDERATËS VATRA PËR ASOCIACIONIN E KOMUNAVE NË LUGINËN E PRESHEVËS
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” përshëndetë vendimin e këshilltarëvet shqiptarë të tri qyteteve të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët, simbas mjeteve të informimit, me votë unanime miratuen Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi. Ky Asociacion krijohet si reciprocitet me Asociacionin (“Zajednica”) e komunavet me shumicë serbe në Kosovë, miratue nga qeveritë e Kosovës e të Serbisë muejin e kaluem.
Qendrimi i “Vatrës” ka qenë gjithnji që shqiptarët në Luginën e Preshvës duhet të kenë, së pakut, të njajtat të drejta që Serbia kërkon për pakicat serbe në Kosovë. Por për të arrijtë këte, përveç vullnetit dhe angazhimit të vetë shqiptarëve që banojnë në trojet e veta autoktone në Luginë, e cila i asht marrë Kosovës pa të drejtë dhe pa i pyetë banorët, “Vatra” mendonte se duhej edhe angazhimi i qeverisë së Kosovës në rend të parë, si edhe i asaj të Shqipnisë.
Angazhimi i dy qeverive për njohjen e Asociacionit, që do t’ishte instrument legjitim për emancipimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të Luginës, nevojitet sidomos tash e mbas, pse përjetsimi i Asociacionit do të jetë nji proces i vështirë dhe me pengesa të mëdha. Serbija kërcnohet dhe, me anë të Ministrit të Jashtëm, shqiptarëvet “Ua tërheq vërejtjen që të mos bajnë ndonji paralele me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ua tërheq vërejtjen të mos luejnë me zjarrin….”.
Nga ana e Bashkimit Europian, përmendet se Asociacioni i Komunavet serbe në Kosovë asht arritë me negociata në mes Prishtinës e Beogradit, dhe se “niveli i autonomisë së vetqeverisjes mbrenda vendit asht vendim sovran i nji vendi kandidat per BE”, këtu asht fjala për Asociacionin e komunave të Luginës së Preshevës.
Qeveritë shqiptare duhet të solidarizohen me bashkëkombasit që diskriminohen në pikpamje ekonomike, kulturore e kombëtare dhe rrezikohen nga spastrimi etnik në mënyrë të vazhdueshme. Ato duhet të jenë megafon i fuqishëm për të pohue se “Evropa nuk mund të veprojë me dy standarde, ndryshe për serbët e Kosovës dhe ndryshe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”. Shqiptarët atje shpresojnë se jeta dhe të drejtat e tyne do të përmirsohen në nji status me Asociacionin e Komunavet.
Suksesi i kësaj nisme mëvaret shumë nga veprimi i përbashkët i të gjitha forcavet politike shqiptare. Nji nga titujt: “Lugina e përçarë themeloi asociacionin” e ulë entuzjazmin e lajmit për aktin historik të djeshëm. Prandej bajmë thirrje vllaznore me shpresën se interesi i përbashkët dhe kujtimi i atyne që atij interesi ia kanë kushtue edhe jetën, do të sjellin frymën e bashkëpunimit dhe suksesin.
Nju Jork, 13 shtator 2015
Zonja Suzana Arbnori, mysafire e deges se Vatres ne Michigan
Sic njofton per gazeten Dielli, z. Mondi Rakaj, zv/kryetar i deges se Vatres ne Michigan, me daten 10 Shtator 2015,zonja Suzana Arbnori ishte mysafire e vatarneve te Michiganit. Z. rakaj shkruan:"kishim kenaqesi qe te kishim mes nesh Znj.Suzana Arbnori,bashkshortja e te paharruarit Pjeter Arbnori,e cila shoqerohej nga i biri Filip Arbnori,ne nje vizite private ne familjen e te ndjerit Albert Degaj,kusheriri i Z.Arbnori. Z. Alfons Grishaj, Kryetari i deges se Vatres te Michiganit,i uroi mireseardhjen zonjes se nderuar dhe solli kujtime nga bashkpunimi me mikun e tij Z.Arbnori,gjate viteve te para te demokracise. Gjithashtu anetari i Keshillit te Vatres,Z.Kujtim Qafa,pershendeti Znj.Arbnori dhe ngriti lart figuren e Pjeter Arbnorit si nje nga figurat me te shquara te kombit shqiptar. Nenkryetari i deges,Z.Mondi Rakaj,pasi pershendeti Znj.Arbnori dhe djalin e saj tha:"Ne te rinjte shqiptare kudo ne bote duhet ta kemi Z.Arbnori si simbol te lirise,paqes dhe perparimit." Znj.Arbnori falenderoi per pritjen dhe shprehu konsideraten e saj per Vatren dhe kreun e saj Dr.Gjon Bucaj. Informacioni nga Mondi Rakaj.
VATRANI VETERAN, ZEF PERNDOCAJ VIZITOI BASHKINE E KAMZES
Kryebashkiaku Mziu pret në një takim vatranin z. Zef Perndocaj /
KAMEZ: Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, priti te Merkuren me 9 Shtator 2015 në një takim një prej anëtarëve më të vjetër të Federates PanShqiptare te Amerikes “Vatra”, pjese e Advisory Board, z. Zef Perndocaj, njoftoi zyra e shtypit te kesaj bashkise.
Kreu i Bashkisë, duke i uruar mirëseardhjen z. Perndocaj, u shpreh se ndiente kënaqësi dhe një emocion të veçantë që priste një mik të shtrenjtë, një pjesëtar të Federatës së mirënjohur e mbarëshqiptare “Vatra”, e krijuar prej më shumë se njëshekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga koloset e kombit.
Nga ana tjetër, z. Perndocaj, i larguar nga Shqipëria per shkak të regjimit komunist si dhe një nga anëtar
Ne njoftimin zyrtar thuhet se Z. Perndocaj erdhi në Bashkinë
Njëkohësisht anëtari i kryesise se Vatrës, me kete rast e përgëzoi dhe e uroi për mandatin e tretë në krye të një prej Bashkive më të mëdha, siç është Bashkia e Kamzës. Gjithashtu, ai i shprehu kreut të Bashkisë edhe përshëndetjet e kryetarit të “Vatrës”, z. Gjon Buçaj, si dhe dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet kësaj shoqate dhe Bashkisë Kamëz.
Z. Mziu u shpreh se ka qenë një nder bashkëpunimi me këtë shoqatë, duke shprehur falënderimet e tij për pritjen e ngrohtë që i është rezervuar gjithnjë në vizitat që ka zhvilluar te selia e saj në New York.
Në këtë takim, ndër të tjera, u fol për lidhjet e forta të kryebashkiakut Mziu me “Vatrën” dhe ndihmën që ka dhënë Bashkia Kamëz për shkollat shqipe në Nju Jork. Pjesë e bisedës ishte edhe situata politike dhe ekonomike e vendit, si dhe gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhen shqiptarët për shkak të keqqeverisjes aktuale.
Z. Zef Perndocaj i përket atij brezi të shqiptarëve në diasporë që u arratisën nga regjimi komunist dhe kaluan në ish-Jugosllavi, ku vepruan dhe u lidhën me shumë patriotë shqiptarë në
Në fund të vizitës, në emër të “Vatrës” dhe kryetarit të saj, z. Gjon Buçaj, Perndocaj e ftoi mikun e vatranëve, siç e quajti ai kryetarin e Bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu, për një vizitë në NewYork me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan ne njoftimin e saj zyra e shtypit te bashkise se Kamzes.
HISTORI VATRANESH
Kujtim Qafa: Atdheu Detyrë e Përditëshme /
Ne Foto:Anetari i Keshillit te Vatres, Kujtim Qafa (djathtas) me kryetarin e Vatres dr. Gjon Buçaj, ne nje veprimtari te Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA”/
1-Skuadrat e Futbollit “Stamford-Albanians” dhe “Besa”
Pas maratonës së emigrimit në Itali, familja jone udhëtoj për në tokën e premtuar, Amerikë. Një mik i familjes, Pjetër Kimeza na priti. U vendosëm në Stamford. Fillimi si për të gjithë, ishte i vështirë dhe për ne. Kërkesa e gjuhës dhe e punësimit ishin primaret. Pasi u stabilizuam fillova me mendu se çfarë mund të bënim për të mbajtë gjallë traditën e familjes. Shikova që kombet tjera përfaqësoheshin dhe njiheshin sipas traditës së futbollit. Duke qenë dhe pasioni i rinisë, vendosa që të ngrinim një ekip shqiptar të futbollit që dhe ne të përfaqësoheshim si kombet tjera. Kështu që në vitin 1970, ideja për ngritjen e një ekipi futbolli u bë realitet. Sëbashku me disa atdhetarë të tjerë vendosëm ta quanim ekipin e ri, “STAMFORD-ALBANIANS”. E regjistrova ekipin me këtë emër dhe filluam provat. Lojtarët ishin nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike: Zeqir Gjini, Avdi Gjini, Hasan Bajram Ukperaj, Can Mal Dushaj, Ahmet Nezaj, Sherif Sejdiu, Gjon Hoti, Gjon Junçaj, Nik Lulgjuraj, Zef Cuni, Dede Nikollaj, Martin Mërturi, Simon Qafa, Nik Lumaj, Pjetër Micakaj.
Respekti për njeni-tjetrin ishte në standartin më të lartë vëllazërore.
Në Janar te vitit 1973, për arsye pune vendosemi familjarisht në Detroit. Detroiti qe më tepër familjar se Stamford. Familjariteti shqiptar qe më i kompletuar. Pas largimit tim nga NY, ekipi i futbollit “Stamford-Albanians” pushoi aktivitetin. Ndjeva një farë turbullimi, pse shokët atje nuk e mbajtën pas largimit tim skuadrën në fjalë?
Njohja me Shqiptarët në Detroit qe e mënjihershme, duke pasur parasysh se disa i ritakova përsëri si Pjetër Micakaj etj…Njohja me bashkatdhetarë të tjerë si: Mark Micakaj, Lucë Lulgjuraj, Gjelosh Nikprelaj. Impresioni im ishte njohja me Gjon Lulgjuraj. Ai qe në pararojë e një të reje, e cila i mungonte komunitetit, Radio.
Gjoni kishte filluar me transmetu me emertesën, “Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit” Njohja me Agim Bardhen, qe një gëzim plus, se bahej fjalë për shpirtin binjak si familje tradicionale të persekutuara nga regjimi i Enver Hoxhës. Takimi me Ndue Malote Lulgjuraj dhe me të vëllanë Vaselin ishte një plus në shoqërinë e krijuar. Pas njohjes me këta atdhetarë, më lindi dëshira që punën e lënë përgjysëm në Stamford ta vazhdoja në Detroit. Më parë në Detroit, kishte ekzistuar ekipi me emrin “Skenderbeu”, po ishte diskualifiku. Mbasi u mblodhën edhe zotni të tjerë në shoqninë tonë krijuam ekimin “Besa”, ku nji zëri e aprovuam, duke pasë parasysh dhe definicionin e fjalës Besë. Pasi u kryen të gjitha formalitetet ligjore, në Shkurt të vitit 1974, u mblodhëm për të vendosur trajnerin e skuadrës tonë. Deri ato momente ishim pa të. Duhej një trajner profesional. Në atë mbledhje u paraqit Ninosllav Berishiq. Baba i Ninos qe shqiptar dhe nana malazeze. Ai kishte lind në Shkodër. Dhe pse kish lind në Shkodër, ai vetë thoshte se ishte malazez. Vendosëm Ninon trainer të ekipit duke pasë parasysh se ai kishte qenë futbollist dhe e njihte futbollin më mirë se ne.
Fillimi nuk qe i suksesshëm. Megjithë vështirësitë financiare, Ninon e paguanim 600 dollarë në muaj, dhe këto para më vonë u prenë për arsye se nuk kishim fonde. Ai u largua pas ndalimit të pagesës për tu kthyer përseri pa pagesë, pasi skuadra mori emër të mirë pas disa fitoreve rrallazi. Mbase me emrin e Berishiqit skuadra jonë mori dhe një emër jo të mirë, duke pasun parasysh se Nino ishte hapur pro-Jugosllav.
Megjithse të rinj në moshë, shpesh herë vrulli rinor nuk bën diferencimin si në rastin e Ninos, jo rrallë na nervozonte me broçkulla, ne gjenim kurajon për ta falur, meqë atdheun tone të dashur nuk na e prekte. Vitin e dytë, ekipi jonë u fut në elitën më të lartë të futbollit, megjithëse Liga nuk na donte për shkak të skuadrës mëparshme “Skenderbeu” që nuk kish lënë një emër të mirë. Përpjekjen për suspendim tonë nuk u ecën kundërshtarve tanë. Loja e skuadres “Besa” u tregoi dhe kombeve të tjera që dhe Shqiptarët ekzistojnë në Amerikë, krahas atyre. Në dy vite skuadra e jonë nuk kish humbur asnjë ndeshje. Krenaria qe e madhe për ne qe përfaqesonim shqipërinë etnike me emrin “Besa”. Megjithëse disa nga lojtarët tanë nuk dinin mirë serbisht dhe nuk e kuptonin shpesh herë trainierin, i cili fliste serbisht, skuadra jonë pati suksese. Suksesi i jonë i dytë ishte se dhe Nino, mësoi shqip dhe e gjithë skuadra fliste gjuhën amtare.
Në Shkurt të vitit 1976, lindi ideja që të shkonim një turne në Jugosllavinë e atëhershme, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte në izolim të plotë, dhe nuk na lejonin,ose po të shkonim, gjysma do të perfundonte në burg. Me tregu të vërteten, në mendjen time kish zënë vend nji sfidë. Kjo sfidë qe, për me i tregu Jugosllavisë, se shih çfarë bën nji komunitet i vogël shqiptar në emigrim, po sikur Shqipnia të ishte e hapur dhe të bashkohej, cfarë do të ndodhte? Mrekullia e Zotit do të pushtonte kombin tonë.
Në Shkurt të vitit 1977, si sekretar i K.F.Besa, udhëtova për në Jugosllavi, për të biseduar për organizimin, ku do të zhvilloheshin ndeshjet, me të cilat skuadra dhe akomodimin e skuadrës gjatë turneut tonë.
Mbledhja u zhvillua në Prishtinë me datën 23, Shkurt 1977. Përfaqësuesi i Kosovës ishte z. Zija Novoberdalia. Morën pjesë dhe përfaqësues të Serbisë, K. Nezheviç, i Malit të Zi, Sharo Brajoviç, kurse përfaqësuesit nga Vojvodina nuk ja mbaj mend emrin, i cili sipas psikologjisë time ishte njeri pa sherrina, jo si përfaqësuesi Serb. Në këtë takim, përfaqësuesi i Serbisë këmbënguli që ndeshja e parë të mos zhvillohej në Serbi, e kështu me rrallë, të gjithë përfaqësuesit kërkonin që ndeshja e parë të mos zhvillohej në republikat e tyre! Zija Novoberdalia, një burrë i matur dhe i zgjuar i tha të pranishmëve që takimi i parë do të zhvillohej në Kosovë, duke pasur parasysh se ekipi qe shqiptar. Ndeshjet e para i humbëm me skuadrat e Kosovës “Liria e Prizerenit” me rezultatin gjashtë-zero, dhe me skuadrën “Obiliq” katër-zero. Ne Mal të Zi u zhvilluan tri ndeshje, të cilat i humbëm që të trija. Me skuadrën e Ulqinit humbëm dy-zero, me “Iskra”, dhe me skuadrën e Tuzit “Deçiqit” katër me nji.
Takimi në Vojvodinë qe i njëjtë, me humbje, me skuadrën “Bella Crkva” me rezultatin katër me dy. Takimi me skuadrat e Serbisë qenë të fundit. Ndeshja me ekipin e “Radniçki” përfundoi tre me dy në favor të “Radniçkit”. Ndeshja e lamtumirës qe me skuadrën e rangut republikan “Teleoptik”, e cila perfundoi në favor të vendalive me rezultatin tre-dy. Pas këtij takimi u zhvillua një darkë, ku mori pjesë dhe artisti me famë botrore: Bekim Fehmiu dhe Faruk Bekolli.
Ato ditë iu propozue ekipit “Besa” me vendos një kunorë në shenjë nderimi tek “Ushtari i Panjohur”, dhe ne e vendosëm. Tash, ajo fotografi e vitit 1977 qarkullon si hekuraç minjësh për me kallzue se ajo kunorë a vu tek vorri i Titos! Por, Tito, vdiq më vonë, në vitin 1981, e skuadra “Besa”nuk ka luajtur më pas vitin 1977 në Jugosllavi. Më vjen mirë që këtë sajesë nuk e thotë asnjë patriot, por bash minjët e Serbisë dhe të Enver Hoxhes, që unë kam qenë dhe jam kundra tyre të pabesve, që dhe sot, i vjen erë e qelbun tradhti! Tek varri i Titos, kanë shkuar ca sahanë lëpirës të tjerë që po të dëshirojnë ua qes emrat…
Siç e shikoni, skuadra jonë nuk pati suksesin e pritur në ndeshjet e mësipërme. Mungesat e mëdha që kishim si nga ana financiare, drejtuse dhe pregaditore qenë pasojë e prezentimit tonë. Klubi “Besa”, pas turneut në Jugosllavi krijoi një çarje. Disa të entuziazmuar nga pritja, filluan të propogandonin për Jugosllavinë. Këtu filloi dhe distancimi im me klubin që bash unë e kisha emëruar! Vendosa të largohem. Një mik i imi, Gjergj Lulgjuraj, më tha që mos të largohesha: “Po i qesim tanë pro-sllavët jashtë e po e bëjmë rishtas skuadrën”. Vendimi im qe i prerë mos me u kthy kurrë më në atë skuadër ku rrëshqiti në nji vorbull të mbrapsht. Kjo skuadër u shkërmoq pesë apo gjashtë vite më vonë .
2-Radio
Njohja më Gjon Lulgjuraj siç e ceka më lart, pati një lidhje vlerash dhe për hir të çështjes kombëtare. Radio “Zëri i Komunitetit” ishte më të vërtetë një punë e vlefshme. Mora pjesë në një sere demonstratash kundër Jugosllavisë dhe kundër rregjimit komunist shqiptar. Disa prej atyre “patriotëve” që hiqen si kombëtar të mëdhenj sot, jo vetëm që nuk u çuan kundër rregjimit komunist shqiptar, por e përkrahën atë dhe në 97, duke punuar kundër qeverisë së brishtë demokrate dhe frymëzuar derdhjen e gjakut mbi 3800 viktima të pafajshme…Patriotë janë këta? Mos o Zot ma keq! I kisha lutur me ndejtë urtë se më duket i ka ardhë koha me i çjerrë maskat e tyne. Ne vitin 1987 e mora përsipër Radion dhe e udhëheqa vetë me shpenzimet e mia deri në vitin 1992. Dhe sot e kësaj dite falemnderoj, Ekrem Bardhen per 1000 dollarë që më ka ndihmuar dhe Gjergj Dedivanaj me reklamën e biznesit dhe për bashkëpunimin e mëparshëm ne Radio. Falenderoj gjithashtu dhe Shtjefën Berishen. Une, Gjon lulgjuraj, Julian Cefa, Col Pashku dhe Gjergj Dedivanaj vazhduam programin për të ndihmuar kombin dhe kundërshtuar politikën e ndyrë Jugosllave që kishte zënë vend në Michigan.
Lajmet bazoheshin nga informacioni i AP dhe UPI. Radio Vatikani dhe Zëri i Amerikës. Pas largimit të Gjonit, vendosa ta drejtoja vetë programin duke menduar se ishte koha për të ndihmuar zhvillimet progresive ne Kosovë dhe Shqipëri. Ne këtë program u përcollen të gjitha ngjarjet historike që u zhvilluan ato vite…U intervistuan shumë personalitete te Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë trazirave ne Kosovë 1989, korrespondenti i Radios u bë Sali Kabashi, veprimtar për të drejtat e njeriut Kosovë-Slloveni. Gjithashtu, nga Radio Prishtina, kisha korrespondent te famshmin Mehmet Aziri dhe bashkpuntorin Lekë Musolli. Nga Shqipëria, korrespondet i Radios qe Frrok Cupi, i cili mbulonte gazetën e parë demokratike “Rilindja Demokratike” në Shqipëri.
3-Përpjekja për Liri
Në fundin e vitit 89 nga fillimi e 90, bëra të mundur sjelljen e Sali Kabashi dhe Jasha Zllobec, të cilët me ndërhyrjen e Z.Ekrem Bardha dhanë dëshmi para Departamentit të Shtetit Amerikan. Ata u takuan me kongresmenë dhe senatorë. Takimet qenë të sukseshme për sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Para largimit, miqtë e nderuar i ndihmuam me një shumë prej 10,000 dollarësh per organizatën e tyre.
Fill pas atyre takimeve, Ambasadori Warren Zimerman, akredituar në Beograd, jep një deklaratë bombë, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Rasti i deshmisë së Z. Ekrem Bardha para Kongresit Amerikan, në rastin e Pjetër Ivezaj, dhe rasti i dëshmisë së Zotërinjve, Kabashi dhe Zllobec para Departamentit të Shtetit, ishin çelsi i hapjes së dyerve dhe njohjes së problemit të Kosovës. Rastet e mësipërme tërhoqën vëmendjen e Shtetit Amerikan, të cilët hapen rrugë për të pritur dëshminë e Z. Ibrahim Rugova, dhe Anton Kolaj para Senatit dhe Kongresit Amerikan.
Pas këtyre ngjarjeve historike, marr një ftesë në qershor të po atij viti…nga Sali Kabashi, në nji vjetorin e “Këshillit për të Drejtat e Njeriut” dhe shoqatës “Migjeni”, të drejtuar nga Naim Maloku. Merrnin pjesë akademikë, artistë, historianë, këngëtarë e tjerë. Duke shfrytëzuar këtë rast, në Hotel Holiday kemi biseduar me Gjeneral. Tom Berishaj, për një mundësi të shpejtë për formimin e njësive mbrojtëse në rast nevoje. Në ketë bisedë ishte i pranishem dhe Naim Maloku, më vonë komandat i UCK-së. Pas takimeve me liderë të Kosovës, vizitova Dr. Tomë Berisha, i cili më dhuroi dy karta antarsie të “Lidhjes Demokratike” të shqiptarve në Kroaci. Kartat ishin me flamurin e kuq dhe pa yll. Në muajin korrik-gusht të 90, sëbashku me Dr. Dom Lush Gjergji, profesorët Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Anton Ceta, morëm pjesë në Tuz, me festu 20 vjetorin e “Besëlidhja e Malësisë” njëzet vjet pa u vra asnjë shqipëtar. Policia Jugosllave ishte e pranishme në çdo qoshe. Shumë fjalime e urime e mbushën me jetë e shpresë atë takim. Vlen për tu theksuar, se një patriot i quajtur, Lush Nucullaj ishte arrestuar pasi kish tentuar të sillte në atë takim flamurin tonë shqiptar. Pas takimit, organizuesit kishin pregaditur një darke tek “Kroni i Traboinit”. Me këtë rast, në fjalën time falenderova orgnizimin dhe organizuesit për këtë eveniment historik. Aty merrte pjesë dhe Bajraktari i Grudës, Gjeto Ivezaj. Bisedat qenë të ndryshme me sens kombëtar dhe familjar. Në skenë dolën një grup valltarësh kuq e zi. Tom Berisha, thotë: “Eh, sikurë të kishim një flamur?!” Unë menjëhere u përgjigja, “Flamurin e kam në gji!”-“Mos luej me mue bre…” Unë qesha dhe nxora flamurin prej gjoksit që e kisha dhe e shpalosa. Më i bukur dukej flamuri në dekorin e valltarve. Ai e mori flamurin dhe e ngriti mbi krye. U bashkua me të rinjtë. Zemra m’u ba mal. Aty ishin dhe Lekë Lulguri, Gjeto Ivezaj dhe Vasel Gjonaj. Z. Lekë Lulguri u shpreh: “Duhet ta kishim pasë flamurin dhe në Tuz!”
4-Levizja Demokratike në Shqipëri.
Pas themelimit te Partisë Demokratike Shqiptare, para zgjedhjeve të para pluraliste ne Shqiperi, mendova që të shkoja ne atdheun tim për të kontribuar sadopak për fitoren e demokracisë. Tatiana Luçi, më njohu me Kryeredaktorin e RD-së, Frrok Cupi, i cili me mundësoi takimin me Dr. Prof. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Folëm për ndryshimet në Shqipëri dhe u afrova bashkëpunimin tim për çështjen e demokracisë.
Pikërisht, me ftesë të Sali Berishajt, unë u nisa për në Shqipëri. Atje erdhi dhe Gjeto Ivezaj dhe Dode Ivezaj. Para se të nisesha ne Shqipëri, bisedova me Kapedanin e Mirditës, Ndue Gjon Markaj, i cili ishte Kryetar i “Blokut Kombetar Indipendent”. Ai delegoi për Shqipëri nga përfaqësues të këtij Bloku: dr. Gjon Buçaj, Gjon Kadeli, Viktor Darragjati.
Meqë isha i ftuari personal i Sali Berishës, ai më priti në Hotel Tirana. Berisha ishte i shoqeruar nga Azem Hajdari, Genc Pollo dhe Arben Imami. Me buzëqeshjen karakteristike dhe dashurinë e një vëllai m’u drejtua: “Kujtim! Ja ku eshte Arben Imami, bashkpunoni me njeri-tjetrin, dhe dua fitoren Puke–Mirdite!” Fushata filloi e ashpër, por jo si në vitin 1991 që u martirizuan katër antarë të PD-së në Shkodër…
Radion e kisha lënë në dorën e Julian Cefës dhe Shtjefën Berishës. Informacionin e percjellja përditë për në Radio. Ishte një kohë që nuk do ta harroj kurrë. Njerëzit na prisnin me brohori, me dashuri, me lotë ne faqe. Ne flisnim nga zemra pse duhej ndryshimi. Të them të drejtën nuk dita ti dalloj moshat e tyre dhe me vinte keq ti pyesja. Ata dukeshin shumë më të vjetër. Nganjëherë gëlltisja lotët përbrenda kur degjoja historitë e tyre, megjithëse historia e familjes se Qafajve ishte po aq e dhimbshme sa e disave prej tyre. Fitorja e Partisë Demokratike ndaj komunizmit gjakatar na bëri me krahë. Grupi jonë i kryesuar nga Arben Imami, fitoi katër deputetë në Mirditë dhe Pukë.
Takimin e fitores e bëmë tek hotel Tirana. Aty merrnin pjese: Ekrem Bardha, Gjeto Ivezaj, Dode Ivezaj dhe Lek Lulguri.
Pasi u ktheva ne Miçigan, mendova që ta mbyll radion. Misioni im per informimin kishte kryer, duke pasur parasysh se demokracia në Shqipëri kish fituar. Vetë qeveria demokratike do të kryente misionin e vet historik duke i dhenë një shtytje ringritjes të popullit Kosovar për rivendosje. Me presidentin Rugova pata marrdhënie shumë të mira dhe me personalitete tjera të Kosoves dhe Shqipërisë, duke u gjindur në çdo moment ku ishte nevoja për çeshtjen e madhe kombëtare. Organizata Vatra, qe djepi qe më përkundi ndër vite. Sot e kësaj dite, pjesmarrja ime në këtë organizatë të nderuar ka influencuar në qënien time dhe ka ndihmuar ne vizionin për të ardhmen…
- « Previous Page
- 1
- …
- 96
- 97
- 98
- 99
- 100
- …
- 148
- Next Page »