Meditime për Rexhep Çelikun një NJERI dhe një BURRË të madh të valles popullore shqiptare/
Ai iku në një kohë dhe moshë kur i çelte lule jeta. Vetëm 63 vjeç…
Tri ditë më parë iu gëzova titullit tepër të vonuar për një SHQIPONJË të valleve tona, shqiponjë që të ngrinte lart në fluturim e kapje qiejt.
E njoha një ditë tetori të vitit 2008. E njoha tek ngjitej lart si shqiponjë e na mbushte me gëzim e krenari.
Nuk ka gjë më të madhe, emocion më të madh për një mërgimtar kur sheh se si fluturon në ngjyra e në lëvizje vendi jot…
E njoha në disa fluturime në Iraklio, Rethimno dhe Jerapetra të Kretës.
I dhashë dorën…
Kur u ndamë u përqafuam…
Mbetëm miq për tu takuar në Tiranë në kthimet e mija në Shqipëri.
Kishte dashuri për një dibran që fluturonte si Ai, Besmir Agën…
Ndjeva dhimbje sot kur lexova faqeve të gazetave e portaleve se Ai, Rexhep Çeliku nuk është më, u shua për tu ngritur në qiell ashtu siç ia kishte zemra, si SHQIPONJË.
Kërkova në arkivin tim fotografik, shumë i pasur me jetë e vlera mërgimtarësh.
E gjeta në një rresht të gjatë shkrepjesh fotografike. Aparati im i xhepit, dëshmitar i shumë ngjarjeve në mërgim nuk më kishte tradhtuar, kishte fiksuar bukur lëvizje që vështirë të kapen nga një aparat modest.
E kisha fiksuar shumë herë, në shumë pozicione fluturuese të tij…
Zgjodha dhe po përcjell trembëdhjetë…
Më erdhi keq që nuk kisha ftuar dikënd të bënte një shkrepje bashkë me të.
Kështu e kanë gazetarët, shkruajnë e fiksojnë të tjerët dhe harrojnë veten.
Megjithatë sot ndjej se jam me Të, me REXHEP ÇELIKUN e madh të valles popullore shqiptare, valle që ai e artistë të tjerë të mëdhenj e ngritën në qiellin e artit popullor shqiptar.
Rexhep Çeliku numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.
Nuk e di se ku emri i tij të mund të skalitet në histori: në vendlindje, në ndonjë bulevard të madh në ndërtim ende pa emër (jo në ndonjë sokak), në ndonjë institucion apo shkollë të madhe të artit…?
Ai e meriton të jetë NDER I KOMBIT.
Dhe Nderi do të thotë përjetësim i tij.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 12 janar 2018