Shkruan:Eugen SHEHU/
“MILAZIM LARGO TABORRE/
SE TË KUQ,TË BËJ ME BOJË/
ÇERÇIZ TOPULLI MË THONË » /
Në një lagje të qytetit të Gjirokastrës,ende sot qëndron si një kështjellë krenare,shtëpia e Topullarëve.Ago Topulli,ai burrë i mençur e trim i cili pat bashkëpunuar me Abdyl Frashërin,pati plot 18 fëmijë,të cilët i edukoi me dashurinë për Gjirokastrën dhe krejt tokën arbërore.Me pasurinë e vet,Ago Topulli,do t’i vinte në ndihmë sidomos mikut të ngushtë të tij,Koto Hoxhit i cili ishte shndrruar në pishtar të çeljes së shkollave shqipe në gjithë jugun e Shqipërisë. Çerçiz Topulli lindi në vjeshtën e vitit 1880,në ate shtëpi të madhe që ushtonte nga zërat e shumtë të fëmijëve,të miqve dhe dashamirësve të Ago Topullit.Ai që në fëmijëri u shqua si djalosh guximtar dhe ndonëse vazhdonte shkollën osmane të qytetit,do të ishte përkrah punëve të vështira të atit të tij.Natyrisht ai do të kishte një model ku mund të mbështetej,një dasiuri të shenjtë ku mund të guxonte të hynte,ky ishte vëllai i tij më i madh Bajo Topulli,i cili asaj kohe mësonte e jetonte në Stamboll.Ndër ditët më të lumtura të fëmijërisë së Çerçizit,ishin pikërisht ato,kur në shtëpinë e madhe në Gjirokastër,vinte Bajo i cili i fliste sidomos për takimet e tij me Naim Frashërin dhe Koto Hoxhin.Duke dëgjuar fjalët e ngrohta të Bajos,për ato burra të shquar të Shqipërisë,Çerçizi ndjente t’i rritej në shpirt,flaka e shqiptarizmës.Dalëngadalë,ndonëse larg,Bajo, përpiqej të mbante lidhje me vëllanë e vet i cili po i lutej ta merrte me vete në Stamboll.Por qëndrimi i Bajos në Stamboll,në vitet 1901-1903,ishte tejet i rrezikshëm.Ai ishte lidhur ndërkaq me Shahin Kolonjën,Gjergj Qiriazin,Grigor Cirkën,Mid’hat Frashërin,Ibrahim Temon e patriotë të tjerë shqiptarë të cilët parashihnin në fundin e Perandorisë osmane,një lëvizje të domosdoshme autonomiste për shqiptarët.Vetëm kështu mund të përballej rreziku i madh që i vinte Shqipërisë pothuaj nga të katër anët.Ngase ka rënë në sy të spiunëve të Stambollit,Bajo,merr rrugën për në Manastir dhe fillon punë aty si mësues.Më pas në vitin 1905,Bajon do ta shohim në krye të atdhetarëve shqiptarë për krijimin e Klubit të fshehtë të Manastirit.Ngase reputacioni i tij ishte i madh sidomos në Kolonjë,Korçë dhe Gjirokastër,ai dërgohet atje për të formuar degët e klubit Qendror të Manastirit.Ka qenë pikërisht ky mision i cili ka bërë të mundur bashkimin e dy vëllezërve Topulli,me ç’rast vetëm vdekja mund t’i ndante.Bajo,shkon në Gjirokastër dhe bisedon me të vëllanë,Çerçizin,tashmë 25 vjeçar,trupgjatë, syshqiponje,me një mjekër që i kishte hije,Çerçizi nga ana e tij i tregon se pas tij mund të shkonin 40-50 djem trima të jugut,të gatshëm për të luftuar e për të dhënë jetën për atdheun.
“Pas disa ditësh,Bajua largohet fshehurazi nga Gjirokastra,sepse mytezarifi po dergonte aty forca ushtarake,Bajua duke kaluar në Korçë së bashku me Çerçizin dhe luftëtarë të tjerë,ndalet në Humelicë të Gjirokastrës në familjen e Papa Kristo Negovanit ku i thonë familjarëve se çeta e tyre do të merrte hakën e patriotëve të vrarë”.(J.Dilo”Çerçiz Topulli me shokë”Tiranë 1961,faqe 14).
Papa Kristo Negovani,ky dëshmor i shkronjave shqipe,pat rënë i mbuluar prej gjaku,nga dora vrastare e dhespotit të Korçës,grekomanit Foti.Dhe shpagimi nuk vonoi,Vetëm shtatë ditë,pasi u përshëndetën me familjen e mësuesit Papa Kristo Negovanit,dhespoti i Korçës,Foti,u shtri si qen përdhe,nga plumbat e luftëtarëve.Shtypi i asaj kohe,duke dashur të intrigojë për vrasjen e dhespotit,shkruajti për ndikime vllehe apo bullgare në çetat shqiptare.Por përgjigjja që ua dha Çerçizi,në fshatin Starje të Kolonjës,në prani të dhjetra trimave,ishte se plumbi që pat shtrirë në tokë dhespotin e Korçës,kishte dalë prej pushke shqiptare dhe ajo pushkë nuk do të pushonte,deri në çlirimin e plotë të gjithë trevave shqiptare.Ndërsa në vjeshtën e vitit 1906,Çerçizi dhe Bajo Topulli shkojnë në Gjirokastër,për të organizuar aty në fshehtësi,çetat e jugut.Por bëmat e tyre kanë alarmuar Stambollin dhe katër vëllazërit Basriun,Dautin,Banushin dhe Halilin nuk i gjejnë në shtëpi.Me urdhër të mytezarifit të qytetit,ata ishin lidhur me pranga dhe ishin dërguar në burgun famkeq të Janinës.Arrestimet nuk i trembin dy vëllezërit,dy trimat ndaj ata porositin vëllezërit e tjerë të bëjnë kujdes dhe vetë nisen sërish në fshehtësi për në Manastir.Gjatë udhëtimit çeta e Çerçiz Topullit bie disa herë në prita nga ushtritë osmane duke luftuar trimërisht.Por turqit i ndjekin trimat këmba-këmbës,edhe në trevat e Manastirit,Strugës e Resnjës, Tetovës e Shkupit dhe falë komiteteve të këtyre trevave,Çerçiz Topulli mbëriti në Sofje,ku i pritën me madhështi nga shqiptarët e shumtë që jetonin aty,me ç’rast u mblodhën për të përshëndetur trimat.E vërteta është se për mbrritjen aty të vëllezërve Topulli,shkruajti edhe shtypi i kohës,duke bërë me dije krejt Evropën se Shqipëria do ti dalë zot fateve të saj me komitat e vet trima dhe të mençur.Natyrisht se Bajo dhe Çerçizi,do të ishin atje,më së shumti,në shoqërinë e Shahin Kolonjës.Ata do të diskutonin me te jo vetëm fatet e Shqipërisë por edhe rrugët e mundshme të organizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare.Çerçizi pos të tjerave do të ndikonte në këtë lëvizje edhe me idetë e tij përparimtare.Në faqet e gazetës “Drita” protesta e tij kundër Portës së Lartë do të ishte e fuqishme.Në një prej artikujve të shumtë pos të tjerave Çerçiz Topulli do të shkruante : “E fëlliqura Turqi,shqiptarët i ka rrjepur dhe i ka varfëruar kaqë shumë,sa mund të themi se carfëri si e shqiptarëve nuk gjendet gjëkundi.Pa shtëpi pa bagëti,pa mësim e pa më të voglën shpresë kanë mbetur.Dhe prap pagesatë brenda i paguajnë Turqisë e cila i merr ushtarrë që të venë e të vdesin nga klima dhe nga shigjetat e Mahmut Jahjait,ndë Arabi”.
( Gazeta “Drita “ Nr. 86 , dhjetor 1906 ). Dhe po në këtë artikull duke u bërë thirje bashkëkombasve të vet që t’i lanë menjanë përçarjet dhe dasitë fetare,shkruan tekstualisht ; “Duhet të bëjmë kurban,sakrifice e gjdo gjë që kemi,që të shpetojmë nga Turqia.Dua prap të them,se vdes per nji shqiptar të krishterë,se ay është gjak prej gjakut tonë dhe se ka eshtra prej eshtravet tona,ndersa me turqit ndryshojmë si dita nga errësira,si jeta nga vdekja !”.
Në janarin e vitit 1907,me porosi të Shahin Kolonjës dhe Bajo Topullit,Çerçizi shkon në Bukuresht.Edhe aty një grup shqiptarësh i mblidhen rreth kapedanit të Gjirokastrës duke e respektuar.Aty Çerçizi takohet edhe me atdhetarin tjetër shqiptar,Mihal Gramenon,me të cilin do të ndanin paskëtej gëzimet,shpresat dhe zhgënjimet e çetës së tyre.Në fillimin e shkurtit të vitit 1907, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno,hartojnë së bashku një thirrje drejtuar popullit shqiptar ku flitet për njëmijë e një të zezat e nga sundimi osman.Thirrja përfundon me fjalët ; “Rroftë kryengritja e Shqipërisë së robëruar e cila do t’i sjelle asaj lirinë dhe mirëqenien”.
Në marsin e po këtij viti,Grameno së bashku me Çerçizin,marrin rrugën për në Itali,pse vetëm nëpërmjet detit,do të kishin më të lehtë të hynin në atdhe.Në Beograd,arrestohen dhe serbët duan t’i nisin për në Stamboll.Ka qenë sigurisht ndërhyrja e dy-tri patriotëve shqiptarë,me ç’rast trimat u lanë të lirë.Pas kësaj me nxitim udhëtuan për në Itali dhe prej aty,më 1 maj 1907 mundën të shkonin në Shqipëri,të malluar sa s’ka më për trojet ku patën lindur.Prej majit të vitit 1907 e deri në dhejtor,Çerçiz Topulli i ndejkur këmba këmbës nga hafijet dhe çetat osmane,do të luftonte sa në Vlorë aq në Delvinë,sa në Gjirokastër aq në Kolonjë,sa në Përmet aq në Tepelenë.Pas trimit të madh,ishin me dhjetra djem të jugut,të cilët mundën të zhvillojnë luftime të mëdha,ndonëse nuk kishin armë moderne e fishekë të shumtë.Në librin me kujtime të Mihal Gramenos,i cili gjatë kësaj kohe ndiqte në çdo hap çetën e Çerçiz Topullit,dëshmohen dhjetra episode trimërie e guximi ku bijtë e shqipes dhanë edhe pranverat e tyre të njoma për lirinë e Shqipërisë.Çeta e Çerçiz Topullit, pos luftimeve kundër ushtrisë osmane,do të mbronte edhe shkollat shqipe të sapoçelura që u ngjanin luleve të pranverës.Çerçizi do të ishte mik e vëlla me Sevastinë,Parashqevin e Gjergj Qiriazin,në përpjekjet madhore të tyre për mbajtjen çelur të shkollave së vashave në Korçë e cila rrezikohej të mbyllej prej shovenëve grek.Madje edhe Katerina Cilka,bashkëshortja e Gligor Cilkës,do të bashkohej me çetën e Çerçiz Topullit,kundër synimeve të mbrapshta greke.Në kujtimet e veta Grameno pos të tjerave shkruan ; “Kjo interesohet për luftëtarët tanë.U qep këtyre nga një qese të madhe për të vënë bukën dhe u thotë që thërrimet t’i mbledhin me kujdes,se mund t’u duhen kur të jenë ngushtë”. ( Mihail Grameno “Kryengritja Shqiptare “ faqe 71 ).
Nga kujtesa e luftëtarëve,nuk do të mund të harrohet lehtë,trimëria e Çerçiz Topullit në qytetin e Përmetit.E vërteta është se për shumë ditë çeta e tij qendroi në teqenë e famshme të Frashërit,vetë Lidhja shqiptare e Prizërenit.Në këtë faqe Çerçizin e bëjnë me dije se në Përmet ka mbërritur peshkopi i Korçës i cili kërkon të përçajë shqiptarët në ortodoksë e mysliman duke dashur në fakt të përçajë vet lëvizjen kombëtare shqiptare.Natyrisht të hyje në qytetin e Përmetit për të luftuar ishte e vështirë pse garnizoni rruhej nga forca të konsiderueshme.Çerçiz Topulli ndërkaq vishet me uniformën e kapidenit të ushtrisë osmane,dhe fill vetëm futet në Mitropolinë e qytetit.Kur gjendet përballë peshkopit,i thotë këtij se është vetë Çerçiz Topulli dhe kësaj radhe “vetëm sa të këshilloj të heqësh dore nga punët e liga,ndërsa radhën tjetër ju e kuptoni si do t’ju flas”.Me këtë rast,konsulli austriak njoftonte Vjenën se “komitat si Çerçiz Topulli bëjnë gjëra që nuk rrëfehen”.(Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.Sipas dokumentave të Vjenës,shkresa dt.4 dhjetor 1907 ).
Në shtëpinë e Çerçiz e Bajo Topullit,në Gjirokastër,turqit arrestuan të gjithë burrat,ndërsa për kapjen e Çerçizit,Mytezarifi i Gjirokastrës dhe ai i Janinës patën dërguar mjaftë ushtarë.Në kushte të disa luftimeve të ashpra që çeta e Çerçizit zhvilloi në Përmet e Kolonjë (ku mbetën të vrarë edhe disa trima) kapedani i Gjirokastrës i dërgon një korier,mikut të vet,atdhetarit të Çamërisë, Musa Demi,që ky t’i gjnete ndonjë vend për të strehuar çetën disa kohë.Është interesante përgjigjja që Musa Demi i dërgon,me anën e një letre,ku pos të tjerave i shkruan Çerçiz Topullit :
“I turpëruar të shkruaj se sot për sot,s’është koha që të vish këtu,nga shkaku që ka një muaj që kanë ardhur dy koshadhe turke,të cilat janë vetëm për komita,nuk vështrojnë gjë tjetër.Nuk është puna se mos pësojmë ne,ndonjë të ligë,por Zoti mos dhëntë,pëson zotëria juaj ndonjë të ligë,pastaj s’na mbetet sy e faqe të dalim në sy të shqiptarëve”. ( Arkivi Qendror i shettit – Tiranë. Fondi 101, dosja 27,fleta 3).
Pikërisht në këto kushte binbashi turk,Musa Beu,urdhëronte repartet e tij që të gjurmojnë se kush e fsheh dhe mbron Çerçizin,madje burgos disa prej tyre në kalanë e Gjirokastrës.Me këtë akt ai do të mjell terror,dhe siguron Portën e Lartë për qetsinë e vendosur.Madje ai mban të lidhur me zinxhirë edhe të vëllanë e Hajredini Tremishtit,bashkëluftëtarit të Çerçizit duke dashur të shtjerë në dorë,këtë të fundit.Futja e Çerçizit në qytet ishte e pamundur pasi tashmë ai njihej prej të gjithëve.Për këtë vendoset që në Gjirokastër,të hyjnë të veshur si fshatarë dy prej trimave më të afërt të Çerçizit, ndërsa çeta do të mbronte tërheqjen e tyre në disa gurë e shëkëmbij,poshtë teqesë së famshme të qytetit.Trimat janë përqafuar (mund të mos shiheshin më) dhe kanë pritur bimbashin turk të dalë prej shtëpie sa hap e mbyllë sytë,në çastin kur bimbashi dhe rojet e tij,kanë dalë nga shtëpia ai ishte qëlluar drejt e në zemër nga plumbat e trimave.Xhandarmët,të lebetitur janë vënë në ndjekje të trimave por në gurët poshtë teqesë ka shpërthyer beteja e madhe.Pas kësaj trimat e udhëhequr nga Çerçizi i janë drejtuar fshatit Mashkullore.Në javët që erdhën më pas,kundër çetës së Çerçiz Topullit,Porta e Lartë mobilizoi gati dy batalione me ushtarë dhe oficerë.Por trimi i Gjirokastrës, linte dy-tri shokë të tij të shkrepnin ndonjë batare maleve dhe së bashku me trimat e tjerë ndërmerrte inkursione të tjera luftarake,pikërisht në rrethina të qytetit duke dëshmuar edhe një herë guximin e madh të tij.Ndonëse këta trima e dinin se qeveria turke kish paguar florinj për kokën e tyre,ata nuk trembeshin.Është me vend të sjellësh këtu,një letër të Çerçiz Topullit,shkruar enkas për Shahin Kolonjën,por që ky i fundit,me disa shkurtime e boton në Sofje,në gazetën e tij.Pos të tjerave,Çerçizi aty shkruan : “Kishin ndërmend që këtë dimër ta shkonim jashtë Shqipërisë,po muarrëm vesh se Islam Bej Këlcyra i është zotuar Hilmi Pashës,se dotë zëre të gjallë,ose të vrarë dhe se Maliq bej Vila përpiqet të na bënjë varrë.Nga ky shkak nuk do të dalim jasht Shqipërisë,le të bëjnë ata ç’të duan”.( Gazeta “Drita” – Sofje më 15 shkurt 1908 ). Ndërsa vetë Shahini në numërin tjetër të “Dritës”,dy javë më pas,duke analizuar ngjarjen në fjalë shkruante : “Ta zëmë se këta shqiptarë ia arritën qëllimit t’i vrasim këta djem që ndodhen në mes të zjarrit,për lirinë e Shqipërisë… Une nga ana ime u jap një këshillë : hiqni dorë nga tradhëtia e poshtër,mblidhni mendjen e rrini urtë,përndryshe nuk u shpëton dotë as sulltani dhe as pengameri,sikur edhe në brinjët e buallit të futeni”.
Merret me mend që në letrën e Çerçizit,dërguar Shahin Kolonjës,është folur edhe për shumë halle që kalonte çeta e trimave,në male të Labërisë.Me ushqime bëhej si bëhej sepse shqiptarët e ndanin kafshatën e fundit me djemtë e tyre,por mungonin veshjet,armët,municionet.Disa shpresa të pakta kishin pasur prej shqiptarëve që jetonin në Rumani,(miq të dikurshëm të Mihal Gramenos) sa vinin e shiheshin.Ndonëse aty formalisht kishte edhe një komitet që merrte porosi nga komiteti Qendror i Manastirit,por ndihma e tij,për çetën e Çerçizit,ishte shumë e vogël,krahasuar me hallet që kalonin luftëtarët.Me të drejtë patriotët shqiptarë,lidhur me këtë shkruanin:”Një komitet i tillë nuk duhej askujt”(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë fondi 9 , dosja 30 fleta 302 ).
Megjithatë çeta e udhëhequr nga Çerçiz Topulli nuk e ndërprehu aktivitetin luftarak të saj.Lufta e Mashkullores mbetet ende sot,një epope e ndritur e guximit dhe trimërisë shqiptare,ku 300 burra me fishekë të numërruar luftuan për 32 orë rresht kundër 2000 e ca ushtarëve dhe oficerëve turq.Po ashtu,vlen të përmenden edhe luftimet e ashpra të zhvilluara në Frashër,Delvinë dhe fshatin Labove.Të udhëhequr prej kapedan Çerçizit,trimat e jugut,ndofta se patën menduar se do të hynin qysh herët në këngët e popullit të tyre.Kështu pas betejës në Delvinë,kur Çerçiz Topulli pat paralajmëruar komandantin turk të mos i zinte pritë,në fund të betejës ku numëroheshin dhjetra turq të vrarë,populli ngriti këngën ;
“ Milazim largo taborre
Leri djemt e mij të shkojnë
Se të shkuq të bej me bojë
Çerçiz Topulli më thonë “
Korriku i vitit 1908,do të sillte ngjarje të reja për krejt lëvizjen kombëtare shqiptare.Turqit e rinj,duke qenë të interesuar për të marrë pushtetin në duart e tyre,nuk munguan të deklarojnë disa liri aq shumë të kërkuara prej shqiptarëve.Në këto kushte,nga atdhetarët shqiptarë të Manastirit,u parapa si domosdoshmëri një organizim i çetave të komitëve të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.Nga Komiteti i Manastirit,dërgohet urdhëri që Çerçiz Topulli duhet të takohet patjetër me Nijazi Resnjën,edhe ky një tjetër patriot në trevën e Maqedonisë shqiptare.Të dy çetat e komitëve,takohen në pyllin e Pirgut,pranë Pogradecit,më 20 korrik 1908.Takimi ka qenë i ngrohtë dhe dy burrat kanë mundur të bisedojnë gjatë mbi fatet e Shqipërisë.Në fund të këtij takimi,pos të tjerave u ra dakord që : “të luftohet bashkarisht për rrëzimin e regjimit autokratik”.(Mihal Grameno “Kryengritja Shqiptare” faqe 106). Pas takimit me Nijazi Resnjën,Çerçiz Topulli ndihmon të formohen çeta të reja të luftëtarëve shqiptarë,sidomos në trevat e Korçës dhe Kolonjës.
Prania e Çerçizit në Kongresin e Manastirit,do të ishte një ngazëllim i madh për te.E vërteta është se ka qenë Bajo Topulli,si përfaqsues i Gjirokastrës në këtë kuvend,por kjo nuk ka penguar patriotët e mbledhur aty,të përfaqsohen dhe njihen nga afër me trimëritë e Çerçizit.Gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit,fjala e Çerçiz Topullit do të dëgjohej me respekt,sidomos në pikëpamje të organizimit të çetave të luftëtarëve.Edhe në vitet që rrodhën më pas,1909-1912,çeta e bijve të Gjirokastrës,do të jetonte në hallet e popullit të vet,do të luftonte për t’i shuar ato halle.
Ndërsa në ngjarjet pas ngritjes së flamurit në Vlorë,më 28 nëndorë 1912,Çerçiz Topulli dhe trimat e tij,i shohim në beteja të mëdha,në ruajtje të kufijve jugorë të Shqipërisë.Nëse furitë e andartëve greke,u ndaluan me dhjetra e dhjetra herë në Tepelenë,Vlorë,Korçë e Kolonjë,kjo nuk e harroi askurrë vendin e vet në male të Shqipërisë , në krye të trimave të vet.Këtu do ta kishte gjithmonë vendin,ky bir i Gjirokastrës edhe kur rrëmbeu armët dhe vrapoi në Shkodër,të luftonte kundër forcave malazeze që pushtuan qytetin.Në fushë të Shtoit,më 15 korrik të vitit 1915,binte nga dora vrastare kapedani i jugut,trimi i paepur Çerçiz Topulli.Ai binte,por populli i Shkodrës,duke e përcjellë për në varr,me mijëra ,betohenin se do të ecnin në rrugën e ndriçuar prej tij,për liri e bashkim kombëtar,nga jugu në veri,nga lindja në perëndim,një komb e një shtet.
Bern-Zvicër
Vildan says
Vellezerit Topulli,jane krenaria e vertete shqiptare.Ishin te paret,qe kerkuan dhe luftuan per shkeputjen nga perandoria otomane.Vetem me lufte fitohej pavaresia,jo nga fuqite e medha?!
Agron Luka says
Perderisa nuk e keni vertetuar me fakte te plota se vellezerit Topulli na paskan luftuar per shkëputjen nga Perandoria Osmane, kjo mbetete vetem nje hipoteze> (?!) M. Grameno, shkrunte ne Kujtimet e veta se ai brez luftoi per Hyrrietin si levizje xhon-turke dhe jo si levizje indipendentiste. Ne nje rast mbledhjeje ne Selanik, ku ishin ftuar edhe Bajua, Çerçizi e Mihali, u ngrit Bajua duke folur turqisht, se duheshinhedhur mbrapa te shkurat dhe tash e mbrapa duhej perpjekur per forcimin e mbretererise sone etj. Mos u përpiqni te krijoni nje levizje te madhe etj si indipendentiste, per shkeputje te menjehershme nga Tyrqia etj, sepse i beni nje histori inekzistente e te falsifikuar…
alban says
Ore agron po c’fare shkruan more !? Po ata trima luftuan kunder te tereve, vrane bimbash dhe dhespot turq , greke e malazese dhe pak majmuna tradhetare si puna jote.