Bllokimi i reporterëve dhe operatorëve të mediave shqiptare në Kapshticë, një arbitraritet i autoriteteve greke
Tiranë më 3.11.2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron bllokimin e reporterëve dhe operatorëve të mediave të Shqipërisë në pikën kufitare të Kapshticës, ditën e shtunë më 2.11.2024, një akt të turpshëm dhe thyerje të normave të BE-së për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe sidomos të gazetarëve.
Mbajtja në pengim për rreth tre orë, në pikën kufitare e një grupi reporterësh dhe operatorësh të mediave kryesore të Shqipërisë, përbën një akt të papranueshëm kundër rregullave dhe normave bilaterale dhe komunitare.
Pretendimi i punonjësve të kontrollit kufitar, nga pala greke, se nevoitet një notë verbale nga MInistria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, pranë ministrisë homologe greke, është thjesht një truk burokratik dhe shkakton ripërsëritjen e një precedenti të ngjashëm me periudha të shkuara.
Pengimi i grupit të gazetarëve nga Shqipëria po shënohet si akt i hidhur i ndodhur shpesh në të shkuarën.
UGSH u drejtohet organizatave simotra në Greqi dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve me apelin që këtë rast ta denoncojnë dhe të rikthejnë vëmendjen ndaj disa sjelljeve të përsëritura të autoriteteve greke ndaj gazetarëve shqiptarë, përmes të cilave dëshmohet se disa prej tyre janë të shenjuar si ” të padëshirueshëm” për disa institucione, ndërkohë që ende ka kolegë që mbeten të shpallur ” non grata” zyrarisht. Akte dhe praktika të tilla ndaj gazetarëve dëmtojnë fqinjësinë, parimet, rregullat e marrëdhënieve mes dy vendeve që i përkasin BE- së dhe lirive themelore.
Reagim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 3.11.2024
Kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama për “… rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi”, është një reagim i vonuar i qeverisë së Shqipërisë.
UGSH është e vetmja organizatë e gazetarëve profesionistë në Shqipëri që në mënyrë të përsëritur e ka ngritur zërin për këtë vendim absurd të autoriteteve greke ndaj këtij gazetari të njohur dhe disa rasteve të tjera me kolegë të mediave të tjera.
UGSH, ndaj këtij rasti, ka protestuar para Ambasadës së Greqisë në Tiranë, para Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u është drejtuar Federatës Europiane të Gazetarëve dhe Reporterëve pa Kufi, për solidaritet. Në disa takime dhe forume UGSH ka kërkuar ndjekjen e kësaj çështjeje dhe reagimin e palës greke për rishikimin e këtij vendimi dhe mospërsëritjen e sjelljeve penguese ndaj gazetarëve për lëvizje dhe qarkullim të lirë mes dy vendeve tona.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë