
Një refleksion mbi librin “Ngjarje dhe personalitete në trojet shqiptare” (1918 – 2000).
Arben Iliazi
Sapo ka dalë në qarkullim libri i historianit të njohur nga Shkupi, Qerim Lita, “Ngjarje dhe personalitete në trojet shqiptare” (1918 -2000), (redaktor Shkëlzen Halimi, botim i fondacionit Alsar-2026). Dr. Qerim Lita është një nga studiuesit shqiptarë që ka dhënë një kontribut thelbësor në ndriçimin e historisë moderne dhe bashkëkohore të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, duke sjellë prova të jashtëzakonshme, që i renditin shqiptarët në lartësinë e duhur të qytetërimit, përballë grackave të shovinizmit dhe primitivizmit ballkanik. Lita, në studimet e tij, ka argumentuar se çështja shqiptare është tejet serioze dhe më tragjikja në Evropë dhe, përballë saj, ndërgjegja e Evropës duhet të dlirësohet, të bëjë katarsisin e vet. Për studiuesin Q. Lita çështja shqiptare ka logjikën e saj njerëzore, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë logjikë institucionale. Ndaj vonesat historike do të rezultonin fatale. Zgjidhjet e politikanëve shqiptarë nuk kanë qenë dhe nuk janë përherë zgjidhjet e vërteta të popullit. Ndërsa nga Fuqitë e Mëdha, që gatuan Konferencën e Londrës, në vitin 1913, ende nuk kanë një “brerje” të vërtetë të ndërgjegjes.
***
Ekziston një histori, përderisa kanë ekzistuar dhe ekzistojnë shqiptarët. Fqinjët tanë ballkanikë janë përpjekur që kuptimin e historisë ta ngulitin qysh në krye, sipas variantit të tyre mitoman e të falsifikuar.
Ndaj ky libër merr vlerë në ditët e sotme kur fqinjët përpiqen të fabulojnë histori të rreme, shqiptarofobe.
Qerim Lita, me gërshetimet që formon në mjedisin historik, ka vite që është pozicionuar në fushën e determinizmit historik, me publikime të vazhdueshme shkencore dhe historike në revista të njohura albanologjike, duke ofruar një qasje të re, mbështetur në fakte arkivore për periudhat më të ndjeshme të shekullit të kaluar. Ai është autor i një sërë veprash, i disa monografive dhe përmbledhjeve, me vlerë të lartë shkencore, ndër të cilat spikasin:
“Problemi shqiptar në RS të Maqedonisë 1966-1974”,
“Terrori Komunist (1981-1991)”, Analiza e Lëvizjeve Kombëtare.
“Tragjedia Çame” ( në bashkëautorësi me shkrimtarin dhe studiuesin e njohur Shkëlzen Halimi).
Studimet e Qerim Litës janë fokusuar edhe te periudha e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shkup dhe trevat përreth, gjatë viteve ’40, si dhe tek rëndësia e inteligjencës shqiptare në ngritjen e vetëdijes kombëtare.
***
Në veprën “Ngjarje dhe personalitete në trojet shqiptare” (1918 – 2000), ku janë përfshirë 25 punime studimore, synohet zbardhja e ngjarjeve me peshë të rëndësishme historike që kanë ndodhur në Kosovë dhe në Trevat Lindore, Maqedoninë e sotme Veriore, nga krijimi i i Jugosllavisë së Versajës, deri në shpërbërjen e Federatës artificiale Jugosllave dhe në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
“Ngjarje dhe personalitete në trojet shqiptare”, është një libër sintezë për dhimbjen e tragjedisë sonë, për shpresën dhe idealin tonë mbarëkombëtar.
Me një punë pasionante Lita ka hedhur dritë mbi projektet antishqiptare të shpërnguljes dhe spastrimit etnik. Shpërnguljen dhe dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht qarqeve të Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit etj. në bazë të Traktatit Turko-Serb, të nënshkruar në Stamboll në vitin 1914, por edhe të shqiptarëve nga Trevat Lindore.
Studiuesi citon shtypin serb, gazetat turke, greke, bullgare, etj. për marrëveshjen e arritur, në qershor 1927, mes Mbretërisë serbe – kroate – sllovene dhe Republikës së Turqisë.
Lita flet gjithashtu për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi në vitet 1923-1934, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e përfaqësive diplomatike në vitin 1926, Marrëveshjen Turko- Greke të vitit 1927, për shpërnguljen e popullsisë ortodokse nga Turqia për në Greqi, ku u përfshinë edhe 25 mijë ortodoksë shqiptarë.
Traktati i Lozanës, i nënshkruar më 30 janar 1923, përcaktoi shkëmbimin e popullsisë ndërmjet Greqisë dhe Turqisë bazuar në përkatësinë fetare e jo atë etnike. Ndonëse zyrtarisht u përjashtuan, çamët myslimanë u shpërngulën dhunshëm në Turqi nga autoritetet greke përmes shfrytëzimit të kësaj marrëveshjeje dhe shpronësimeve masive (1923-1926).
Megjithatë, shteti grek përdori manovra ligjore dhe vendosi që t’i trajtonte shqiptarët myslimanë si popullsi shkëmbyese. Kjo situatë u shfrytëzua për të konfiskuar tokat, shtëpitë dhe pasuritë e çamëve, të cilat iu dhanë refugjatëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Rreth 30.000 deri 35.000 çamë u detyruan të lënë trojet e tyre stërgjyshore në periudhën 1923-1926 dhe të shpërngulen në Turqi.
Ky spastrim paraprak shërbeu si një goditje e rëndë demografike për Çamërinë, e cila i parapriu edhe shpërnguljes përfundimtare dhe gjenocidit të viteve 1944-1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Historiani Qerim Lita jep një panoramë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në Kosovë, kur në vitin 1930 qeveria shqiptare lejoi vendosjen e krerëve të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës në Shqipëri, siç ishin Bedri Pejani, Ibrahim Jakova etj. si dhe emërimin e Rauf Ficos, një nga diplomatët më të shquar, si ministër i plotfuqishën në Beograd, i cili në 10 tetor 1933 i raportonte ministrit të jashtëm Xhafer Vilës, se shqiptarët e Kosovës nuk gëzojnë as të drejtën më elementare të njeriut.
Një kapitull hedh dritë mbi kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë në Lëvizjen Kombëtare, si Sait Idriz Hoxha, Muderrizit, politikanit, atdhetarit dhe humanistit të shquar, që lindi në Shkup në vitin 1887. Vend kanë gjetur në këtë libër edhe zhvillimet ushtarake arsimore në qarqet e Kosovës. Luftimet shqiptaro – serbe në qarkun e Mitrovicës dhe Marrëveshja e Nishit, më 26 nëntor 1941. Mjaft interesant është kapitulli “Mustafa Kruja dhe tokat e liruara”, kushtuar një ndër atdhetarëve nacionalistë, që ishte për një politikë kombëtare të qeverisë shqiptare, dhe që mori nismën për regjistrimin e popullsisë në tokat e liruara, përkatësisht në Dibër, Prishtinë, Pejë, Prizren, Ulqin. M Kruja ishte hartues i projektit “Instituti shqiptar për studime dhe arte”, një ngjarje shumë e rëndësishme kombëtare, që do të mblidhte dokumente dhe dëshmi të shkruara prej të huajve për të drejtat etnike te kombit shqiptar. Ky projekt u mbështet nga intelektualë të tjerë të shquar si Eqerem Çabej, Ernest Koliqi, Eqerem Bej Vlora, Mati Logoreci, Lasgush Poradeci, Dhimitër Berati etj. Pranë këtij Instituti u formua edhe “Seksioni Kosova”.
Një kapitull tjetër trajton organizimin politik dhe ushtarak të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Trevat Lindore më 16-21 shtator 1943, që shtroi kërkesën për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.
Autori sjell të dhëna shumë interesante për Masakrën e Tivarit, ku u masakruan 3760 shqiptarë.
Me mjaft vlera janë hulumtimet arkivore që u kushtohen prof. Ibrahim Kelmendit, veprimtar kombëtar nga Presheva, si dhe Jonuz Ballës nga fashti Mollas i Elbasanit, që u bë udhëheqës të nacionalizmës shqiptare në Trevat Lindore, nga viti 1941-1946.
Kapituj të tjerë flasin për shpërnguljet e shqiptarëve nga Republika e Maqedonisë për në Republikën e Turqisë, në vitet 1953-1959, për presionin e vazhdueshëm ndaj gjuhës shqipe nën regjimin jugosllavo-maqedonas, hapjen e shkollave turke në vendbanimet shqiptare, debatin rreth përdorimit të gjuhës së vetme letrare shqipe dhe çeshtjen e perdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, si dhe masat e dhunshme ndaj librit shqip dhe imponimin e toponimeve sllave. Me hollësi përshkruhet represioni ndaj gjuhës shqipe në Maqedoni, në vitet 1981-1990. Interesant është dhe kapitulli ku autori jep listën e plotë të pjesëmarrësve në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, të mbajtur në 4 dhjetor 1988, me kryesues Remzi Kolgecin.
Një kapitull tjetër i kushtohet shqiptarëve në Kosovës në vitet 1989-1990, si dhe veprimtarive të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga Ibrahim Rugova. Kapitulli 23 na njeh me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Federatës Jugosllave.
***
Historiani Qerim Lita ngre problemet tragjike të popullit të vet dhe rrit ndërgjegjen kombëtare, sepse njohja e së vërtetës është një nga parimet autentike të lirisë, jo vetëm për një popull, por për tërë bashkësinë e popujve.
Në këtë libër autori shtron idenë se çështja e Kosovës, çështja çame, apo çështja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe trevave të tjera shqiptare, janë pole të të njëjtit univers, pjesë të së njëjtës çështjeje të vetme, e cila duhet emërtuar saktë si çështje shqiptare. Shqiptarët, në zinxhirin e kohërave, me kërkesat e tyre të thelbit ekzistencial e të normave ndërkombëtare, nuk kanë kërkuar aspak më shumë nga ç’u takonte në të vërtetë. Edhe përfaqësuesve të tyre nuk u ka munguar kurrë aftësia për të bërë parashikime të sakta dhe prognoza politike, në kuptimin e ndërgjegjësimit të madh e të përgjithshëm, si dhe ndërgjegjësimin e faktorit ndërkomëbtar.
Armiqtë e kombit tonë konstruktuan doktrinën e spastrimit etnik për zhdukjen e shqiptarëve, plot paragjykime e urrejtje shtazarake, me mitologji dinake politike, duke u rrekur t’i mbushin mendjen fuqive perëndimore se shqiptarët janë të mangët intelektualisht, pa imunitet historik e kulturor.
Studiuesi Qerim Lita, me argumenta historike, provon të kundërtën, duke rrëzuar tezat e partikularitetit, duke na prezantuar një sërë figurash të rëndësishme historike, që u bënë simbole kombëtare dhe pararendës të unitetit kombëtar.
Lita provon me dokumenta se çështja shqiptare është tejet serioze dhe më tragjikja në Evropë, pavarësisht se shumë diplomatëve u është dukur shumë e vogël përballë çështjeve të tjera.
Kështu libri fiton dimensione më të gjera dhe apelon që t’u jepen të gjitha të drejtat shqiptarëve në ish – Jugosllavi, pa sakrifikuar interesat e kombit shqiptar. Çdo verdikt i bazuar në shkeljen e këtyre të drejtave do të jetë një padrejtësi. Platforma për spastrimin etnik të shqiptarëve përbën një turp nga më të pabesëshmit për qytetërimin evropian e botëror. Kjo filozofi e spastrimit dhe gjenocidit u aplikua në masë të gjerë dhe mbi një plan të studiuar nga shovinizmi serbo – grek.
Por ka patur një kod ekzistencial të kombit shqiptar në të gjitha kohërat. Atë e ka formuluar vetë populli, personalitetet dhe heronjtë e tij, të përkrahur dhe të mbështetur nga bota e qytetëruar e përparimtare. Në këtë kuptim, kjo vepër, përveç kuptimit historiko – shkencor të mirëfilltë, është edhe një antropologji dhe filozofi e humanizmit politik dhe protagonizmit patriotik.
Historiani Lita e trajton çështjen shqiptare si një substancë etnike shpirtërore, përbërëse të një realiteti të martirizuar shqiptar.
Autori tregon se midis luftës e paqes shqiptarët përherë kanë dashur paqen. Shqiptarët, duke fituar lirinë, bëjnë të mundur që serbët, grekët, maqedonasit, të çlirohen nga kompleksi i pseudolirisë, që është një mjerim e tragjedi për ta, një mungesë emancipimi politik, i pashembullt, që i izolon nga kombet e tjera të lira të Evropës e të botës.
Mesazhi i veprës është i qartë: ne jemi për paqe, por jo pa liri, ne jemi për liri, por me paqe. Politika kombëtare nuk është monopol i shtetarëve, por është e hapur për të gjithë, duke ofruar dhe vënë në lëvizje potencialin intelektual të të gjithë kombit.
***
Falë punës së shkëlqyer të historianit Qerim Lita në këtë libër mësojmë se shpirti i lirisë ekzistenciale te shqiptarët ka qenë i palodhur, duke kërkuar pa fund mëvetësinë dhe dinjitetin njerëzor, pavarësisht se u gjendën në një vorbull tjetërsimesh historike. Liria e njeriut shqiptar, që nuk e njohu kurrë shpirtin e skllavërimit dhe shpërfilljen ndërkombëtare, ka qenë njëherazi e përkorë dhe guximtare, në epoka gjithnjë e më të shformuara nga ajo që vetë epoka i quante fatalitet. “Por beteja për lirinë nuk ka fund, shprehet studiuesi. Në çdo rrethanë historike shqiptarët zotërojnë dashurinë për lirinë dhe janë në gjendje të ndërtojnë lirinë. Liria është Fe dhe përkushtim për shqiptarët. Ata janë përpjekur dhe përpiqen të mos e thjeshtojnë lirinë vetëm tek arritja e mëvetësisë. Çdo fitore e lirisë duket se kthehet kundër saj, cënon ekzistencën tonë kombëtare, ndaj kërkon një luftë të re. Shpirtrat e shquar të Shqiptarizmës ushqejnë forcën që raca shqiptare të mos zhburrërohet”.
Autori në këtë libër na rrëfen se nëse nacionalizmi fiksionohet dhe mbyllet në vetvete, shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare, detyrimisht të çon te lufta. E keqja ndjell të keqen. Ndjenja e kombëtares është një ndjenjë e fortë kundër egoizmit dhe ideologjive shkombëtarizuese, të udhëhequra nga ksenofobia, që vijnë nga dallimet etnike.