
Arben Iliazi/
Bacën Adem Demaçi e takova për herë të parë në Sarandë, në vitin 1992. Ishte një rastësi fatlume. Kaluam disa orë në bisedë për letërsinë, kryesisht, së bashku me poetin Agim Mato. Me një forcë shpirtërore dhe me një pasion të zjarrtë, krejt të papërlyer, ai e quante letërsinë të shenjtë dhe diçka afër hyjnores. E urova për Çmimin Saharov (për Lirinë e Mendimit), që kish marrë nga Parlamenti Evropian. Vitet që pasuan nuk patëm mundësi të takoheshim.
Nga fundi i vitit 2006, mora vesh se Adem Demaçi vendosi të ngulet në Sarandë dhe ta zgjedhë atë si qytetin që i bën mirë për shëndetin dhe për krijimtari të shëndetshme. Njerëz të letrave në qytetin e jugut shqiptar, i ofruan mbështetje, me bujari. Poeti i njohur dhe atdhetari çam, Hekuran Halili, ishte i pari që do t’ia bënte këtë ofertë, duke i premtuar përkujdesje.
Kështu, në vitin 2012, baca u bë banor i 41-mijti i qytetit të Sarandës. Patrioti tjetër çam, Nuredin Izeti, e ndihmoi të blinte një apartament të vogël në pallatin prapa Hotel “Butrinti”. Dhe kështu baca u përfshi në jetën e qytetit bregdetar, duke vënë në miqësinë me njerëzit e thjeshtë dhe me krijuesit e Sarandës, edhe zemrën edhe shpirtin. Ai kurrë nuk kërkonte asgjë në këmbim. Gjendej kudo mes krijuesve, mes gjimnazistëve, në biseda për letërsinë, për politikën, për Kosovën dhe Çamërinë.
Më 22 Qershor 2010, u ritakova me Bacën në Tiranë , kur u promovua si klip muzikor kënga “Baladë Çame”, e poetit Bilal Xhaferi, kompozuar nga Edmod Zhulali, dhe e kënduar nga Enkelejda Alushi. Në promovimin e këngës foli dhe Adem Demaçi. Më kujtohen fjalët e tij: Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale. Kosova e fitoi lirinë me luftë. Po Çamëria? Tashmë ka ardhur radha e çështjes çame për t’u zgjidhur sa më shpejtë dhe në mënyrë efikase nga pala greke. Askush më mirë se ne, shqiptarët e Kosovës, nuk mund ta kuptojnë dhimbjen tuaj”.
Kur e përgëzova pas aktivitetit, më njohu menjë herë dhe iu kujtuan bisedat e vitit 1992 në Sarandë. Ashtu, i frymëzuar nga kënga “Baladë Çame”, hodhi idenë e një filmi për kalavarin dhe shpërnguljen tragjike të çamëve. Ka plot detaje tragjike, madje nuk ka nevojë për imagjinatë …mundohu ta ndërtosh skenarin, më tha.
Në prill 2013, mijëra shqiptarë, nga të gjithë trevat, u mblodhën përpara Parlamentit të Shqipërisë, për të protestuar në mbështjetje të Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Të pranishëm në këtë aktiviteti ishin Adem Demaçi, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Flora Brovina, si dhe përfaqësues të shoqatës “Vatra” të Preshevës. Gjatë fjalës së tij, Baca u shpreh se kishte ardhur në emër të shkrimtarëve të Kosovës për t’i kërkuar Parlamentit të Shqipërisë miratimin e Rezolutës Çame. Sipas zotit Demaçi, ky shekull është shekulli i shqiptarëve, u shpreh Baca, në fjalimin e tij solemn, që u prit me ovacione të më dha.
***
I tërë rrugëtimi i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos nga viti 1958, është i lidhur ngushtësisht me emrin e Adem DEMAÇIT. Ai ishte frymëzuesi i të gjitha organizimeve politike e ushtarake për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte misionari i Lirisë, i Çlirimit dhe i shtetit. Adem Demaçi, në çdo periudhë të veprimtarisë së tij politike, tregoi integritet të lartë, dinjitet të veçantë e, sidomos, tregoi se ishte personalitet i çliruar nga lakmia e shpirtngushtësia. Ai mbetet frymëzues e misionar fisnik i lirisë, çlirimit dhe i pushtetit shtetëror për shtetin e së drejtës.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ky tribun i Shqiptarisë, lindur në vitin 1936, integritetin e tij kombëtar e politik, nisi ta ravijëzojë saktësisht në vitin 1958. Pas daljes nga burgosja e parë, ai me shumë veprimtarë të tjerë politikë formuan organizatën politike: Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (1963). Më pas u burgos për herë të dytë më 1964, ku bëri dhjetë vjet burg dhe u lirua më 1974. Armiku nuk dëshironte ta shihte atë të lirë dhe e burgosin për të tretën herë më 1975, burgim nga i cili lirohet në prill të vitit 1990. Pra, Adem Demaçi jetoi 28 vite në burgjet e Jugosllavisë. Por Demaçi nuk iu nda as edhe një herë politikës për bashkimin e kombit e të atdheut, deri më 26 korrik 2018, ku dhe mbylli sytë përgjithmonë.
Në vitet ’90-të ushtroi detyra të veçanta për kombin. Në vitet 1991- 1993 ishte kryeredaktor i gazetës “Zëri”. Për një kohë udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), këshill i cili i bënte të njohur opinionit vendor e ndërkombëtar çdo formë të dhunës që përdorte armiku i egër. Në vitin 1996 hyri në politikë. Dy vjet më vonë iu bashkua UCK-së , duke shë rbyer si kreu i krahut të saj poltik. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Më vonë udhëhoqi Partinë Parlamentare të Kosovës, e cila në dallim nga e gjithë Alternativa Demokratike Shqiptare në Kosovës, në programin e saj kishte të nënvizuar edhe luftën e armatosur, dhe ishte i vetmi lider që e arsyetonte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
***
Më pas iu kushtua vokacionit të tij krijues, si shkrimtar i lirë. Në vitet 2005-2006 ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarë ve të Kosovës.
Shenjat më të dukshme krijuese Adem Demaçi i kish shpërfaqur në letërsi, me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, (viti 1958) ku, mes të tjerash shkruante: “Jo atij që ngreh gishtin e krimit, por atij që shtrin dorën e pajtimit”. Kjo vepër u ndalua nga regjimi ish-komunist dhe e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë .
Adem Demaçi përjetësoi amanetin e tij në Federatën Panshqiptare VATRA. Pak para se të mbyllte sytë, la një amanet që e tërë krijimtaria e tij letrare, politike dhe filozofike të prehet në VATËR. Shqiptar Demaçi, i biri Adem Demaçit, i dorëzoi Vatrës, përmes mikut të tij, Doktor Skënder Myrtezanit, tërë krijimtarinë e çmuar të të Atit. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në USA, e cila është e aksesueshme edhe për studiues, historianë e albanologë e kërkues shkencorë nga Universitetet perëndimore dhe e gjithë hapsira shqipfolëse. Kjo pasuri kulturore e letrare e bën të pavdekshëm kujtimin e veprës dhe idealeve të Adem Demaçit.
Ja lista e librave në dispozicion jo vetëm të vatranëve:
FERKIME
Gjarpërinjtë e Gjakut
Libër për Vet Mohimin
Heli e Mimoza
Nëna Shegë e pesë gocat.
Shkrumbnajë e Dashuri
Dashuri Kuantike e Filanit
Alb Prometeu
Politika dhe Pushka
10.Tung vargu im