– Diaspora do të votojë nga 2 deri më 12 shkurt-
Shqiptarët e Kosovës jashtë vendit do të votojnë për herë të dytë në zgjedhjet në Kosovë. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, votimi me postë prej tyre është parashikuar të bëhet nga 2 deri në 12 shkurt.
Ndërkohë regjistrimet për qytetarët e Kosovës jashtë vendit do të bëhen nga data 13 janar deri më orën 18.00 të 21 janarit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpërndau legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.
Në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.
Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.
Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës sepse Qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.(Kortezi-Gazeta Diaspora Shqiptare)