
Nga Sokol Paja
Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada.
U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj.
Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë pasqyrohen imtësisht në këtë numër. Shqiptarët në mergatën e Amerikës dhe Kanadasë e jo vetëm përbëjnë një krenari kombëtare.
Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë.
Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar.
Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.
Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909.
Faleminderit që na besoni.
Faleminderit që na ndiqni.
Faleminderit që na mbështesni.
Faleminderit që bashkoheni me ne.