
Sokol Paja/
Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. “Dielli” special i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar u nis për në vatrat Kuq e Zi, aty ku flitet shqip, mësohet shqip, këndohet shqip dhe gëzohet shqip.Ky është numri im i parë i Diellit special si Kryeditor i gazetës me rastin e festave të Nëntorit.U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzemërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri të jashtëzakonshëm: Akademik Beqir Meta, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Dr. Musa Ahmeti, Prof. Dr. Ardian Ndreca, Prof. As. Dr. Bernard Zotaj(Mjeshtër i Madh), Prof. As. Dr. Jonela Spaho, Prof. As. Dr. Rudina Mita, Dr. Paulin Marku, Dr. Naim Musliu, Dr. Besim Muhadri, Dalip Greca, Eugjen Merlika, Rafael Floqi, Zef Ujkaj, Ndue Bacaj, e pena të tjera të spikatura në Diasporë. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Bashkëpunimi i Diellit me botën akademike shqiptare e ka kthyer gazetën në një qendër të fuqishme të mendimit kritik, atdhedashurie, informimi, edukimi, shkencor dhe informativ.Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat prestigjioze në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na bëjnë të ndihemi krenarë nga sukseset dhe veprat e mira.Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909. GËZUAR 109 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR