Raport i Editorit te Diellit, Dalip Greca, në Kuvendin e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, 14 Qershor 2014/
Kur festohej 50 Vjetori i numrit të parë të Gazetës Dielli me 1959, editori i parë defacto i gazetës, Imzot Fan S Noli, uronte me gjithë zemër, që DIELLI, Gazetë e parë në gjuhën shqipe, që u botua e përditshme, të arrinte të festonte dhe një qind vjetorin e themelimit. Dëshira e Nolit duket e plotësuar, sot kur Dielli i ka kaluar 105 vitet dhe ka hyrë në të 106-tin vit, duke shtruar shinat drejt shekullit të dytë, me gjithë vështirësitë e shumta të mbijetesës, me ulje ngritjet, ku dukej se herë herë ishte në shuarje e sipër, e herë herë ringjallej dhe rregullonte frymëmarrjen. Misterin e jetëgjatësisë së Vatrës dhe zërit të saj, Diellit, i ka spjeguar mjaft mirë ish editori dhe sekretari i Vatrës për vitet 1958-59, studiuesi Peter Prifti, kur shkruan se , “Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. Si Dielli ashtu dhe Vatra,me jetëgjatësinë e tyre, kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.”
Editori i parë i diellit ishte Fan S. Noli, deri në tetor 1909, kur Faik Konica, i ftuar nga Shoqëria Besa-Besën, e cila e kishte emëruar editor të Diellit, pa mbërritur në Amerikë. Vendimi u mor të Dielën, më 14 mars 1909, në mbledhjen që drejtoi Fan Noli. Zyrtarët(Noli, Kristo Kirka, Nick Poci, Efthim Naum, Xhorxh Gjoleka) propozuan që të thirrej nga Londra ish drejtori i Albanisë, Faik Konica, që të merrte drejtimin e Diellit. Propozimi u prit me duartrokitje…Menaxher i parë i Diellit ishte George Konda, ndërsa i pari menaxher i Diellit si pronë e Vatrës, u bë bashkëthemeluesi i Vatrës, Kristo Kirka.
Që në numrin e parë të tij me 15 shkurt Dielli shpallte se ”Kryefjala Jonë është: Shqipëria për Shqiptarët”!
Dielli e mori rrezikun në sy dhe u bë avokat për cështjen shqiptare. Ai i priu Vatrës në mbrojtjen e cështjes kombëtare, u mësoi shqiptarëve të Amerikës patriotizmën, dhe gjuhën e bukur shqipe. Në kohën kur Dielli ishte pronë e Besa-Besës, editor ishin Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi e Kristo Floqi. Imzot Noli editoi 69 numra të Diellit të Besa-Besës, Kristo Floqi, editori i fundit persa kohe ishte i Besa-Besën, editoi 59 numra, Faik Konica 47 numra.
“Dielli” i Vatrës u drejtua nga: Faik Konica, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostandin Çekrezi (i takon atij merita e botimit të përditshëm të Diellit), Fan Noli, Bahri Omari, Loni Kristo,Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Athanas Gega,Xhevat Kallajxhiu, Eduard Lico e të tjerë. Nëse do t’u drejtoheshim statistikave, kemi këtë tablo ; Bahri Omari , editoi më shumë numra nga të gjithë,1074, Kostë Çekrezi 241 dhe Fan Noli 137.
Më jetëgjati nga të gjithë ishte Qerim Panariti që e drejtoi Diellin për rreth 19 vjet.
Ne vitet 1990-2006 gazeta serish kaloi veshtiresi. Nga viti 1990 – 94, Dielli nuk pati stabilitet dhe kaloi dorë në dorë; u botua tepër rrallë dhe kishte më shumë vlera kronikale si tentative mosshuarje .Pas largimit të Eduard Liços në vitin ‘90, një numër e botoi Din Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, njëkohësisht ishte edhe kryetar i “Vatrës” dhe editor i Diellit, ai botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës, në këtë periudhë , ’91, një numer u editua ne grup nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e Tahir Deskut e Muhamet Mjekut; në vitin 1992, një numër është edituar nga Agim Karagjozi, kryetar i “Vatrës”, dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim Karagjozi botoi 3 numra, në vitin ’94, u botua një numër nën editimin e Agim Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i atij viti deri në vitin 2006 u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Kryetarin e Vatres, z. Agim Karagjozi, si managing editor. Gjatë editimit të Anton Çefës Dielli u ngrit nga ana cilësore dhe kontribuoi në përcjelljen e vlerave studimore, historike dhe letrare.
Editori aktual e nisi punen me Diellin me pergatitjen e numrit te shtatorit 2009, duke ruajtur periodicitetin nje mujor, ka editur 57 numra të Diellit të printuar, dhe që nga viti 2010, Dielli ka dhe publikimin e perditshem ne online, ku numri i vizitoreve eshte rritur ndjeshem, nderkohe qe dhe numri i bashkepunetoreve e mbulon komunitetin shqiptar ne Amerike e Europe, por dhe trevat etnike. Dielli ka bashkëpunëtorët e vet në Amerikë, Europë, dhe trevat Kombëtare. Me rritjen e degëve po rritet dhe prania e gazetës në shumë shtete të Amerikës.
Nëse do të bënin një shfletim të shpejtë të Gazetës nga Kuvendi i vitit të Shkuar Prill 2013-deri në këtë Kuvend- Qershor 2014, Gazeta ka regjsitruar veprimtaritë e Vatrës në qendër dhe ato të degëve, pa lënë jashtë vëmendjes edhe Komunitetin shqiptar të Amerikës, kronika nga Mërgata në Europë, dhe zhvillimet në trojet etnike.
Konkretisht, Dielli pasqyroi Kronikën e Kuvendit të vitit të shkuar , duke i përcjellë punimet si vizion për shekullin e dytë të jetës dhe kontributit të Vatrës për cështjen Kombëtare, duke botuar jo vetëm kronikën, por edhe një editorial për këtë mision në shekullin e ri.Po ashtu Dielli përcolli në numrin e Majit edhe mesazhin e kryetarit dhe përzgjedhja e zyrtarëve të rinj. Në numrin e majit u pasqyrua edhe mbrëmja nderuse për vatranët e dalluar në dekadat e fundit, të cilëve Vatra u shpërndau cmim të Meritave. Ndërkohë që gazeta u dha hapësirë të plotë raporteve të paraqitura në Kuvend nga Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, Raportin shifror të arkëtarit Danny Blloshmi, raportin e Vatra Foundation Inc, paraqitur nga dr. Nexhat Kaliqi, Praportin e Presidentit të Fondacionit për Studentët, paraqitur nga Profesor Mithat Gashi dhe raportin e Editorit të Diellit, duke krijuar kështu mundësinë që degët t’i kishin këto raporte si orientime për punën gjatë periudhës mes dy Kuvendeve.
Po ndalem më gjatë tek Dielli i Majit, i pari numër pas Kuvendit, për të krijuar një tablo të punës së Vatrës pas atij Kuvendi: në këtë numër janë botuar kronika të vizitave në Vatër, dy, Poeti nga Gjermania dhe delegacioni i Vetëvendosjes, korrespondenca për promovimin e Librit të ambasador Mal Berisha, anëtar nderi i Vatrës”Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në shqipëri”, Reportazhin nga Dega në Jacksonville për veprimtarinë ku mori pjesë edhe kryetari i Vatrës, dr. Bucaj, Kronikën për përkujtimin Nikë Mërnacaj, ,një shkrim memorial nga përkujtimi i vatranit të ndjerin, Jani Melko, organizuar nga familja dhe vatranët në Boston, pa lënë jashtë vëmendjes edhe shkrimet nga komuniteti i Nju Jorkut, sic është rrugëtimi historik e shpirtëror i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, kronikë për Shoqatën Rugova etj.
Duke shfletuar 14 numrat ne print mes dy Kuvendeve te e Diellit, nga Prilli i vitit 2013 deri në Maj 2014, vërehet se jeta e degëve të Vatrës është mbuluar kryesisht përmes kronikave dhe reportazheve, të shoqëruara me fotografi.Jashtë fokusit të gazetës nuk kanë mbetur qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe rajon. Për këtë qëllim janë shfrytëzuar deklaratat dhe prononcimet e drejtuesëve të Vatrës.Edhe editorialet e Diellit kanë synuar që të përcjellin qëndrime dhe mesazhe që kanë pasë parasysh qëndrimet e Vatrës ose zhvillime në hapsirën shqiptare.Shkrimet historikë kanë synuar që të risjellin rrugën historike të Vatrës tek vatranët e rinj për të rritur krenarinë e të qenit vatran.
Probem mbetet financimi i gazetës. Kosto sa vjen e rritet, vecanërisht nga postimi. Të psotosh një gazetë në shtetet e Amerikës është përherë e më vështirë, kosto ka shkuar $1, 61, ndërsa në Europë $4.10. Jam përpjekur që të fusim rekalmën në Dielli, por me pak përjashtime, të pakët janë biznesmenët vatarnë që po e mbështesin gazetën. Natyrisht që të reklamosh në Dielli do të llogarisësh më shuëm patriotizmin se sa fitimin, por vatranët mendoj se duhet ta japin këtë llojë mbështetje në frymën vatrane. Me përjashtim të Besim Malotës, dr. Skënder Murtezanit, Ylli Cakanit, nuk gjejë dot emra të tjerë vatranë të sjellin reklama në Dielli. Kontribuesi kryesor, që vitin e kaluar dha $ 5000, ishte avokati Ylber Dauti. Ju lutem biznesmenëve vatranë që t’i afrohen Diellit me reklamimin e bizneseve të tyre si kontribut për Vatrën.
Mbështetje të konsiderueshme ka marrë Gazeta për numrin Special, Festës së Flamurit Kombëtar, ku për numrin e fundit, janë siguruar 38 faqe urime. Po kaq janë pak po të llogarisësh koston e plotë të gazetës për të gjithë vitin. Kam mendimin që edhe degët duhet të punojnë për të afruar beznesmenë në gazetën e Diellit, me qëllim që ta kthejmë atë në një zë më të fuqishëm për Vatrën tonë dhe për botën shqiptare.
Të dashur Vatranë, kemi në duar një gurë të cmuar, një pasuri të rrallë, që nuk e ka askush, një gazetë që vazhdon të mbetet gjallë pas 105 vitesh.
Me anë të bashkëpunimeve gazeta Dielli është përpjekur që të mbulojë edhe veprimtaritë e organizuara nga degët e Vatrës. I falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët. Më e pranishme ka qenë dega e Jacksonville, që ka organizuar shpesh veprimtari, por nuk kanë munguar as degët e tjera.
Na mbetet që ta forcojmë më tej bashkëpunimin me degët dhe secila prej tyre është e mira të ketë reporterin e vet, për të përcjellë në gazetë jo vetëm kronikat dhe reportazhet e mbledhjeve, festimeve, por edhe jetë nga vatranët e atjeshëm ose edhe nga komuniteti, pjesë e së cilës është cdo degë jona. Përmes gazetës ne mund t’a stimulojmë komunitetin që të na bashkëngjitet. E përsëris; në faqet e Diellit duhet të përcillet cdo ngjarje që përben lajm, për të mirë ose për të keq, urime ose ngushëllime, jetë e përditshme, suksese në biznes, suksese në shkollë të studentëve shqiptarë, në radhë të parë të fëmijëve të vatranëve, por edhe një dasëm, edhe një ditëlindje, edhe një mort, gjithcka që përbën jetën tonë.
Mbetem i hapur për bashkëpunim, sic mbetem i hapur edhe për vërejtje e këshilla për ta përmirësuar më shumë gazetën-emblemë të botës shqiptare, kandilin Kombëtar, sic e cilësuan vatranët e hershëm. Faleminderit që më dëgjuat.
Mark Gjonaj says
Mendoj se kalimi i Diellit ne doren e editorit Dalip Greca nje nga gazetaret me te shquar shqiptare, e ka, pasuruar kete regjister, ku ne te eshte pasqyruar gjithe skedimi i ngjarjeve 105 vjecare te Vatres. Gjykoj se kjo medie dhe te tjera duhet qe ne faqen e saje te zere vend ne nje qoshe, nje rubrike juridike ligjore, se shume flasim per shtet te se drejtes, shtet ligjore, zbatim ligjesh, shkelje ligjesh, edukim me anen e ligjeve, venje perballe ligjit dhe meqense si i thone kemi kaluar ne nje sistem demokratik me brume ligjore, ku cdo dite shqiptaret dhe te huajt qe punojne ne Shqiperi ushqehen me kete buk, mund te qendroje dhe ne hambarin e kesaje gazete! Urime!
Sadik Elshani says
“Dielli” te shnderrohet ne nje tribune te vertete ku mendjet me te ndritura merren me ceshtjet madhore te Kombit tone dhe sfidat me te cilat ballafaqohet bashkesia shqiptaro-amerikane dhe shoqeria shqiptare ne pergjithesi. Pune te mbare e suksese!