
Akademia e Shkencave të Shqipërisë/
Më datën 10.5.2024, në sallën “Akademikët” u mbajt tryeza shkencore kushtuar filologut dhe albanologut frëng Mario Roques(1875-1961), si bashkëpunim mes Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Seksionit të Shkencave Sjoqërore dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Shaban Sinani mbajti fjalën e hapjes së kësaj tryeze shkencore, duke nënvizuar më së pari rëndësinë e përkujtimit të kontributeve të filologut Mario Roques në disa fusha themelore të gjurmimeve albanologjike, ndër të cilat dallohen pikërisht hulumtimet mbi tekstet më të hershme shqipe dhe çështje të dokumentimit shkrimor të tyre. Për vetë formimin kompleks dhe njohjen e disa disiplinave studimore, me arritjet e tij Roques nxit një perspektivë të gjerë trajtesash, duke spikatur jo pak dhe me gjurmimet mbi tekstet e vjetra shqipe, reflektuar dhe në veprën me të njëjtin titull që pa dritën e botimit në vitin 1932, pothuaj në një kohë të afërt me botimin fotomekanik të “Dicionarit latinisht-shqip” të Frang Bardhit, botuar për herë të parë në vitin 1635 nga Tipografia e Kongregacionit të Propaganda Fide-s.
Formimi i veçantë i studiuesit Mario Roques dhe historiku i kontributeve specialistike të studiuesve francezë që janë interesuar për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare qenë argumente të trajtuara gjerësisht dhe me një arsenal të dhënash të pasura nga prof. dr. Tomorr Plangarica (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë), i cili mbajti referimin me titull “Mario Roques – vijues i një tradite dhe nismëtar i një tjetre (shqyrtimet filologjike dhe mësimdhënia e shqipes në Francë”. Personaliteti kompleks i filologut frëng Mario Roques u ilustrua me një sërë të dhënash mbi angazhimet e tij në fushë të kërkimit shkencor e të mësimdhënies universitare, por dhe në komisione e redaksi shkencore të cilat mbajtën gjatë në përbërje të tyre emrin e tij.
Për kontributin e studiuesit frëng Roques në lidhje me tekstet e vjetra shqipe dhe domosdoshmërinë e vështrimit filologjik të tyre foli gjerësisht prof. dr. Anila Omari (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë), e cila u ndal në disa aspekte të trajtesave të tij në këtë drejtim. Grafemat speciale që gjurmohen në tekstet e e librit të parë të njohur deri më sot të shkruar në gjuhën shqipe dhe që janë të ndryshme nga ato të alfabetit latin, ekzemplarët e veprave të letërsisë së vjetër shqipe të shekullit XVII dhe njohja e historikut të tyre (në veçanti përpilimet e Pjetër Budit), ndikimet nga kultura të tjera shkrimore dhe vendi i mundshëm i shtypjes së “Mesharit” të Gjon Buzukut, në dritë dhe të arritjeve më të fundit nga studiues që njohin e konsiderojnë dhe pikëpamjet e M. Roques, u trajtuan hollësisht nga prof. dr. Anila Omari.
Prof. dr. Mimoza Priku (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”) u ndal në trajtimin e kontributit të albanologut Mario Roques në vështrimet e studiuesve shkodranë, duke nënvizuar në veçanti reflektimet e F. Fishtës, W. Kamsit (njëherësh dhe përkthyes i parathënies së plotë të M. Roques në hyrje të botimit fotomekanik të “Dicionarit latinisht-shqip” të F. Bardhit që daton në vitin 1932), M. Camajt, T. Osmanit etj. Përkujtimi i emrit të W. Kamsit në këtë kumtesë, njëherësh kultivues i fondeve të albanologjisë në bibliotekat e qytetit të Shkodrës u lidh ngushtë dhe me kujdesin e tij që të sillte sa më të plotë ndihmesat e M. Roques dhe në veprën e përkthyer disa vite më parë, pikërisht “Gjurmime mbi tekstet e vjetra shqipe”, Botime Françeskane, Shkodër, 2011.
Prof. asoc. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) mbajti referimin me titull “Mario Roques (1875-1961), magister et philologus omnium temporum”, duke nënvizuar disa momente të rëndësishme të rrugëtimit të tij profesional, të lidhura me lindjen e interesave ndaj filologjisë, leksikologjisë, studimeve mbi tekstet mesjetare, historisë së shkrimeve të vjetra në disa gjuhë të Europës. Artikuj të veçantë në të cilat ai trajton dhe çështje të njohjes së një gjeografie të shpërndarjes së ekzemplarëve të veprave më të rëndësishme të letërsisë së shkruar shqipe (trajtuar dhe në veprën e mirënjohur “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris, 1932), por dhe vepra të plota të shkruara prej tij u përmendën në këtë trajtesë, bashkë me interpretime komemorative të përpiluara nga viti 1961 nga dishepuj e kolegë të tij (Jean Frappier, Félix Lecoy, Alfred Merlin, Maurice Delbouille etj.), me të njëjtat interesa studimi e kërkimi.
Mario Roques ka hyrë në traditën e studimeve shqiptare për një sërë sprovash dhe trajtesash studimore në të cilat ai bën fjalë për tekstet e vjetra shqipe dhe evidentimin e modeleve librore mes të cilave njihen këto të fundit. Emri i tij është i pranishëm në vëllime enciklopedike të rëndësishme në disa gjuhë, në të cilat nënvizohet pikërisht kompleksiteti i interesave të tij studimore dhe ndërthurja metodologjike e vështrimeve shkencore mbi një sërë fushash. Burimet letrare më të hershme në gjuhën frënge, provencalishtja, latinishtja vulgare, gjuhët romane (ndër të cilat dhe rumanishtja), gjuha shqipe dhe dëshmimi shkrimor i saj më i hershëm, korpuset leksikore për të cilat ruajti deri në fund një interes të madh (në veçanti “Novum Glossarium”), periodikët shkencorë për të cilët u kujdes në vijimësi (në veçanti revista “Romania”), shkrimet e shumta përkujtimore në nder të tij u përmendën në këtë veprimtari të sotme shkencore, të iniciuar si bashkëpunim mes Seksionit Shkencor të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjke dhe Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.