Mesazhi i 4 Korrikut, 2023
”Patriotizëm do të thotë të duash Atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tëndë, vetëm, atëherë kur ajo e meriton”. (Mark Twain)
Nga Frank Shkreli
Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë. Sivjet, 4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë origjinale amerikane të asaj kohe kanë shpallur përgjithmonë pavarësinë dhe lirinë e tyre nga sundimi mbretëror britanik.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet – ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë – që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe zhvillimin e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.
Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushtetit dhe si të tilla, ato edhe mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të autoritetit, ose mbretit, Sepse, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi. Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara me 4 Korrik, 1776 ka hedhur poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat e një personi dhe në populli nuk i jepen nga qeveria ose autoriteti, cilido qoftë ai, por nga vet Krijuesi I gjithësisë –nga Perendia. ”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.” Është kjo fraza, ndoshta më të famëshme në tekstin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Mesazhi kryesor i kësaj dite, si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës, është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi – jo vetëm në tekstin e dokumentit të pavarësisë së Amerikës – por edhe në historinë e njerëzimit në përgjithsi. Duke shpallur se është Perëndia dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti — që jo vetëm amerikanëve, por të gjithë njerëzëve kudo, u ka falur të drejta themelore, të barabarta dhe të pamohueshme. Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të interesave dhe mirëqenjës së qytetarëve.
247 vjetë më parë, shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe por pavarësia ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht, indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.
Por ç’prej nënshkrimit të këtij akti dramatik pthuaj dy shekuj e gjysëm parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, ndonëse kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapseparapë ekziston vetdija se mbetet ende shumë për t’u bërë. Se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverive, cilatdo qofshin ato – që kanë për obligim kushtetues t’i mbrojnë dhe jo t’i shkeli e t’i shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit, të garantuar në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Koncepti i fjalës liri, kjo e drejtë e pamohueshme e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme për të gjithë njeërzit pa dallim, më 4 Korrik 1776. Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ”qytetëruar”, madje edhe sot, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës nga diktatorë, autoritarë të llojllojshëm dhe regjime shtypëse, të cilat mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që vetëm ata si autoritarë të gjithpushtetshëm i rregullojnë dhe i zbatojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet, për interesa personale. Diktatorë të tillë edhe sot urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të lindur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776. Parim ky , sipas të cilit, është e drejta e popullit kudo e në çdo vend të botës, të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër pushtet, i cili do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës.
Për tu siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat – sot e asja dite — garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit si edhe amandamente të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme të shtetit dhe nga autoritetet qeveritare. Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të përpjekjeve të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka thënë se, “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe qeveria do të dominojë jetën dhe do të kufizojë të drejtat tona”.
Është me vend që kto vlera e të drejta bazë e të pamohueshme të njeriut, të skalitura në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë dhe më vonë në Kushtetutën e Amerikës të kujtohen dhe të celebrohen sot, në në këtë 247-përvjetor të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, por është gjithashtu e nnevojshme që këjo ngjarje historike për popullin amerikan, të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e nënshkruar nga shumica e shteteve të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Le të jetë pra 4 Korriku, 2023, një festim i garancisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan, por të kujtohet gjithashtu edhe nga popujt anë e mbanë botës – përfshir Kombin shqptar — e që nga kjo ditë e shënuar patriotike për amerikanët, mund të na mësojë, se sipas Mark Twain, ”Patriotizëm do të thotë të duash Atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tëndë, vetëm kur ajo e meriton”.
Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë dhe sfidat që shprehen dhe me të cilat përbvallet ky vend, nga koha në koha – edhe 247-vjet pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika vazhdon përpjekjet e saja për një, “bashkim edhe më të pësosur” të këtij kombi të madh, ndërkohë që mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës, përtshir Kombin shqiptar. Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Në këtë 247-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Zoti e bekoftë Kombin amerikan dhe Kombin shqiptar – në miqësi të përjetshme me njëri tjetrin!
Frank Shkreli