Nga Rafail Floqi

Çdo vit, më 11 nëntor, amerikanët ndalojnë për të nderuar burrat dhe gratë që kanë shërbyer në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara. Dita e Veteranëve është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë mbrojtur lirinë, kanë ruajtur paqen dhe kanë mbajtur gjallë idealet mbi të cilat është ndërtuar Amerika. Në historinë e saj, kjo ditë kujton sakrificat e miliona ushtarëve, oficerëve dhe punonjësve civilë, burra dhe gra nga të gjitha kombësitë që përbëjnë vendin. Sipas të dhënave të 14 prillit 2025, në SHBA ka 15.8 milionë veteranë, nga të cilët gratë përbëjnë 11.6 përqind. Gratë kanë shërbyer më shumë se dyqind vjet në ushtrinë amerikane, dhe të gjithë veteranët e Luftës dhe të Ushtrisë nderohen në këtë ditë, pa dallim kombësie apo gjinie.
Mes komuniteteve të ndryshme, shqiptarët e Amerikës mbajnë një vend të veçantë. Që nga fillimi i shekullit të kaluar, shqiptarët që u vendosën në SHBA treguan dashuri të thellë për atdheun e ri, duke dhënë jetën dhe shërbimin e tyre për mbrojtjen e tij. Një traditë e fortë patriotizmi u shfaq që me brezat e parë të emigrantëve. Rreth 80 vjet më parë, Fan Noli theksonte se shqiptarët i kishin një borxh të madh Amerikës për ndihmën e dhënë në sigurimin e Pavarësisë. Shumë shqiptarë u inkuadruan në ushtrinë amerikane dhe disa dhanë jetën për këtë vend. Historiani Viron Prodani ka dokumentuar emrat e 4,973 shqiptarëve që luftuan gjatë Luftës së Parë Botërore dhe të 3,441 shqiptarëve që shërbyen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo tregon një angazhim të vazhdueshëm dhe të madh të komunitetit shqiptar për vendin që i pranoi.
Ndër shqiptarët që shërbyen me nder në ushtrinë amerikane, disa kanë lënë gjurmë të paharrueshme. Sotir Noke ishte ndoshta shqiptari i parë që u rekrutua dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore në Francë. Van Sotir Christo ishte shkrimtar dhe oficer në Luftën e Dytë Botërore dhe më vonë u propozuar për ambasador në Shqipëri. Jorgji Josifi, pilot amerikan, u vra në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Spiro Kosta u dallua në këmbësorinë amerikane për guxim. Llambi Qiriazi luftoi në Evropë dhe u dekorua me medalje nderi, ndërsa koloneli Llazar Papen mori pjesë në beteja të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore. Shumë të tjerë, si Spiro Koço, James dhe George Pashko, Stevo Dhimitri, Pandeli Jovani dhe Paul Prifti, shërbyen në fronte të ndryshme dhe dalluan për trimëri dhe përkushtim.
Kontributi i shqiptarëve nuk kufizohet vetëm në luftime. Pilotë amerikanë të aviacionit aleat realizuan sulme kundër forcave gjermane në Shqipëri dhe siguruan furnizime për Luftën në vend. Një rast i veçantë ishte shpëtimi i 30 ushtarakëve amerikanë të mjekësisë, të cilët ranë aksidentalisht në Çestije të Elbasanit në nëntor 1943 dhe kaluan 68 ditë në Shqipëri para se të imbarkoheshin për në Bari. Këto ngjarje lidhin historinë shqiptare dhe atë amerikane në mënyrë të veçantë dhe tregojnë mikpritjen e jashtëzakonshme të popullit shqiptar.
Disa veteranë amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri, si Agnes Jensen Marhgarich dhe Lloyd Smith, vizituan vendin në vitet 1995-1996, ku u pritën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe vizituan vendet ku kishin shërbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore. Agnes Jensen, e cila atëherë kishte 83 vjet, e konsideronte Shqipërinë si atdheun e saj të dytë dhe më vonë botoi kujtimet për kohën e Luftës në Shqipëri. Ajo u nderua edhe në SHBA si veterane e Luftës, duke treguar lidhjen e fortë historike dhe emocionale midis dy vendeve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarë të rinj vazhduan traditën e shërbimit në ushtrinë amerikane. Gjatë Luftës në Vietnam, disa individë u dalluan për trimëri dhe sakrificë. Në dekadat e fundit, shqiptarë-amerikanë kanë shërbyer në Irak dhe Afganistan, duke përfaqësuar krenarinë e dy kombeve. Emra si Kolonel Edmond Dosti, Major Kreshnik Dedvukaj, Ervin Dervishi dhe Gentian Marku tregojnë guxim dhe sakrificë të lartë; Dervishi ishte shqiptari i parë që u vra në Irak në vitin 2004, ndërsa Marku humbi jetën gjithashtu në nëntor 2004 si pjesë e marinës amerikane. Këto shembuj tregojnë se kontributi i shqiptarëve në ushtrinë amerikane vazhdon edhe sot dhe krijon një trashëgimi të paharrueshme.
Marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe SHBA u forcuan më tej gjatë viteve ’90, kur Amerika luajti një rol vendimtar në ndalimin e tragjedisë humanitare në Kosovë. Ndërhyrja e NATO-s nën udhëheqjen amerikane në vitin 1999 shpëtoi mijëra jetë dhe përforcoi lidhjet midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ushtrisë amerikane. Sot, fëmijë shqiptarësh që mbërritën në Amerikë pas këtyre ngjarjeve vazhdojnë të shërbejnë në ushtrinë amerikane, duke ndjekur shembullin e brezave të mëparshëm.
Në çdo qytet me shqiptarë — nga Bronksi në Nju Jork, Detroit, Boston, Filadelfia, Çikago apo Arizona — Dita e Veteranëve shënohet me ceremoni dhe nderime. Familjet vendosin flamuj amerikanë pranë fotografive të veteranëve të tyre, ndërsa organizatat komunitare, si Federata “Vatra”, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe shoqata lokale të veteranëve, mbajnë aktivitete përkujtimore, duke treguar historitë e brezave të shërbyer dhe duke ruajtur trashëgiminë për brezat e rinj.
Për komunitetin shqiptaro-amerikan, Dita e Veteranëve ka një kuptim të thellë shpirtëror. Ajo simbolizon mirënjohjen ndaj lirisë dhe nderimin për sakrificën. Shumë familje kanë ardhur në Amerikë duke ikur nga luftërat, diktaturat dhe persekutimet, dhe përjetojnë në mënyrë të veçantë çmimin e lirisë. Shërbimi në ushtri është për ta një mënyrë për të shprehur falënderim ndaj vendit që u dha strehë, dhe një deklaratë se komuniteti shqiptar është gati të mbrojë vlerat që dikur e shpëtuan.
Veteranët shqiptaro-amerikanë vazhdojnë të jenë frymëzim për brezat e rinj, duke ndarë historitë e tyre në shkolla dhe aktivitete komunitare. Ata kujtojnë se liria nuk është dhuratë, por fiton përmes sakrificës dhe përkushtimit. Brezat e rinj ndjekin shembullin e tyre, duke ruajtur lidhjen mes identitetit shqiptar dhe përgjegjësisë qytetare amerikane. Guximi i tyre, përkushtimi ndaj detyrës dhe dashuria për lirinë janë shembuj të gjallë të asaj që do të thotë të jesh qytetar i denjë i Shteteve të Bashkuara.
Në këtë Ditë të Veteranëve, ndërsa Amerika përkulet me respekt para të gjithë atyre që kanë shërbyer, ne u kushtojmë një nder të veçantë shqiptarëve që kanë veshur uniformën e ushtrisë amerikane. Sot dhe çdo ditë, themi me krenari dhe mirënjohje: faleminderit të gjithë veteranëve — amerikanë dhe shqiptarë — për shërbimin, sakrificën dhe besnikërinë ndaj lirisë. Falënderime dhe nderime për të gjithë veteranët tanë!