Një donacion prej 30,000 dollarësh i është dhënë Vatrës nga bamirësi dhe biznesmeni shqiptar Jim Xhema. Donacioni i kushtohet një prej projekteve më të mëdha të Vatrës lidhur me dokumentimin e historikut të Vatrës.
”FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA NË DOKUMENTE HISTORIKE” përmbledh dokumentacion arkivor brenda dhe jashtë Shqipërisë, raporte origjinale dhe artikuj të qëmtuar nga grupi i punës nën drejtimin e akademikut Profesorit Beqir Meta. Historia 110 vjeçare e kësaj organizate patriotike të emigracionit shqiptar në Amerikë e Kanada dëshmon kontributin e saj madhor duke filluar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në periudhën e Pavarësisë, në mbështetjen efektive të shtetit shqiptar, veçanërisht në periudhën e Luftës së Parë Botërore kur shteti shqiptar praktikisht ishte i pajetë, dhe pastaj me ndihmesën per ngritjen e institucioneve të këtij shteti pas viteve 1920, me qëndrimin e saj antikomunist dhe sakrificat e persekutimi i shumë Vatranëve nga regjimi komunist i Tiranës.
E konceptuar në pesë vellime, kjo vepër është panorama më e plotë e rolit të Vatrës në të gjitha sferat e jetës shqiptare, në politikë, në fushën e mbrojtjes, në arsim, letërsi, kulturë, etj. Mbi të gjitha Vatra është përpjekur të mbrojë dhe përfaqësojë interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve duke qenë një model i angazhimit qytetar dhe civil në Amerikë.
Ky projekt ka qenë ëndërr e dëshirë e disa brezave të Vatranëve, prandaj realizimi i tij i mundësuar nga donacioni i një miku të Vatrës si Jim Xhema është veçanërisht i vlerësuar nga drejtuesit e organizates, nga komuniteti vatran e diaspora.