Nga Pjeter Logoreci/Vjenë/
Dr.Federik Shiroka, NDERI I KOMBIT, …edhe pse pa këtë titull/
Në Foto: Shiroka Gjimnazist në Austri/
Në Foto:Shiroka, student në Vjenë/
Megjithë traumat e mëdha historike kombëtare ndër vite, e sidomos në periudhën e errët dhe shkatërruese të diktaturës komuniste, familjet e mëdha e patriotike të elitës shqiptare, me shumë sakrificë, u munduan të ruanin e të trashëgonin vlera të kulturës, të traditës apo dokumentacione e dëshmi historike të rëndësishme.
Në Foto: Dr. Shiroka me nënën dhe motrat/
Një nga këto familje elitare është dhe familja shkodrane SHIROKA, nga gjiu i së cilës dolën përsonalitete e patriot të shquar. Një ndër to ishte dhe mjeku me duar të arta, mbreti i kirurgjisë shqiptare, Dr. Federik Shiroka.
Në Foto: Dr. Shiroka gjatë një konsulte/
Gjatë një vizite që bëra në familjen Shiroka në Shkoder, u takova me Marijen, me mbesen e Dr. Federikut, me të cilën kujtuam kirurgun e famshëm. Unë pata shkruar më parë për Dr. Shiroken duke ju referuar korespondencës dokumentare që ai dhe bashkëshortja e tij kishte pasë me familjen time, por nga biseda me mbesen e tij, mësova shumë gjëra të reja si dhe pashë dokumentacion e foto që nuk e njihja më parë.
Në Foto: I ftuar në Moskë/
Shumë kuptimplotë dhe mbresëlenëse është dëshmia e vlerësimi i bashkëmoshatarit të Federikut, Z. Kel Zojzit, i cili në një letër dërguar familjes, ka përshkruar shoqërinë me Shiroken, vitet e fëmijërisë, të shkollës fillore e deri sa Federiku u largua për studime në Austri.
Kel Zojzi / bashkëmoshatar
“…Unë Kel Zojzi, Dr. Shiroken e kam njoftë qysh në vjetin 1912, kur ishte 4-5 vjec, në konviktin parashkollore (atherë Servitet). Ai ishte një fëmijë i gezuar, i gjallë, i qeshur, shkonte mirë me të gjithë shokët. …Ishte femijë i edukuem i disiplinuem, kishte dashuri për shkollën, mësonte shumë mirë. Megjithëse rrjedhte nga nji familje me gjendje të mirë ekonomike, ai nuk bante dallim me shokët, aq ma tepër ishte i dashur me ato që ishin ma të vorfën. Luante me to dhe i ndihmonte ndër mësime. Federiku merrte pjesë në aktivitete artistike e sportive (luante mire futboll). Në vjetin 1920, kur u shfaq melodrama “Ora e Shqipnisë”, ku merrshe pjesë edhe unë, publiku mbet shumë i knaqun me pjesën që ai luajti me shumë shkathtësi. Ai bante pjesë edhe në grupin e valleve. Ka marrë pjesë edhe në melodrama të tjera, si psh. “Hijet e Zeza”, në vjetin 1922, luejtë nga Shoqnia Bogdani, ku ka luejtë rolin e shqiptarit të vogël i veshur me kostum kombëtar, rol që i pelqente shumë e ishte krenar e shumë i gzuem, dhe e luejti me shumë art…”
Në mes të dhjetra dokumentave mbi punën dhe jetën e Dr Federik Shirokes, të mbledhura me shumë dashuri e perkushtim nga Lekë Shiroka, vëllau i Marijes, gjinden edhe shenimet e shumë personaliteteve të njohur, personazhesh popullore, letra falenderimi të pacienteve të shëruar, të kolegëve, të bashkëpunëtorëve shkencore, gazetarësh apo vlerësime të autoriteteve shtetërore. Nga ky arkiv, i krijuar dhe i sistemuar me shumë kujdes, që i shtohej dokumentave dhe fotografive të trashëguara nga familja, po vecoj disa kujtime të Dr. Maksut Drasës i cili duke punuar pranë Dr. Shirokes, mësoj shumë nga metodat e reja shkencore prej tij.
Maksut Drasa / Mjek
“…Shiroka ishte mjeshtri im, sepse më ka mësuar të kem gjithnjë parasysh detyrat e kirurgut. I SEMURI QE ME DASHJE VEN JETEN E TIJ NE DUART TONA, thoshte ai , MERITON TERE RESPEKTIN DHE DASHURINE TONE. Ai donte që bashkëpunëtorët e tij të ishin në lartësinë e duhur. “Padituria është nata e errët e mendjes, pa hënë, pa yje… – ….i thoshte gjithmonë kolegeve të rinj, nuk na lejohet të kurojmë të sëmurët pa studiuar e pa kërkuar vazhdimisht, që të dhënat shkencore bashkëkohore ti vëmë në shërbim të tyre….” Ai kërkonte vazhdimisht mendimin tonë….. Kam nevojë të mësoj edhe unë – thoshte – nuk është kurr e mjaftueshme. Kur të tjerët e lavdëronin për gjeninë e tij në punë, ai na kujtonte një shprehje të Edisonit: SEKRETI I GJENIUT ESHTE PUNA KEMBENGULESE DUKE “PERDORUR” MIRE MENDJEN….
Shiroka na nxiste të donim librat: …Libri, thoshte, është mik i vërtetë e i sinqertë që bëhet këshilltar “intim”. Unë dhe librat e mij, shkojmë në harmoni e së bashku kurojmë të sëmurët…
Njëherë, kur rastësisht lexova raportin mjekësor ku thuhej se vuante nga Miokarditi, e shikova i shqetësuar dhe me keqardhje. Ai duke më buzëqeshur më tha:…Nuk është gjë, unë prap do të punoj… Dhe punoj ashtu me miokardit pa e ulur ritmin e punës, deri sa vdiq papritmas. Ai na mësonte që të mos vetëkënaqemi me suksese të vogla dhe kur në përvetësonim ndonjë teknike të re, gëzohej si ta kishte arritur vetë. Dr. Shiroka vinte cdo ditë, dimër e verë, në orën gjashtë të mëngjezit, në spital. Me përpikmëri të cuditëshme, me fanatizëm ndiqte programin ditor e javor. Këtu përfshiheshin: puna në sallën e operacionit, vizitat tek të sëmurët, konsultat për të sëmurët rëndë, diskutimet për rastet e operacioneve të vecanta, konsultat ambulatore. Personaliteti i tij rritej cdo ditë në sytë tonë. Dr. Shiroka ishte një gjinekolog e obsteter i mirë, ftiziater i mirë. Ai njihte mirë patologjinë, neurologjinë, patfiziologjinë, historinë e mjeksisë e mbi të gjitha ishte kirurg i mrekullueshëm, i kalibrit të madh.
Ai u bë për mua një mik i vertetë, atëherë kur u transferova në Berat. Këshillat e mira prej një miku të sinqertë, qenë freskuese të mendjes e inkurajuese për të punuar dhe jetuar… Tiranë, dhjetor 1985”
Pasi arrita të lexoj të gjithë materialin e gjetur për DR. Federikun, vërejta se në disa letra të miqve dhe të njohurve të tij, flitej për një përndjekje të ashpër ideologjike që Federiku vuante në jetën e përditëshme, si në punë nga disa kolegë, por edhe jetën e tij shoqërore dhe private, nga rrethanat që atij ja krijonin të tjerët. Lakmia e ndoshta xhelozia e disa kolegëve, të cilëve tesera partisë komuniste i krijonte siguri në vendin e punës edhe pse të paaftë, apo i jepte të drejtën e kritikës parimore marksiste për “të pa pjekurit politikisht”, ishin stressi i vërtetë i ditës. Ndjeva keqardhje të thellë dhe u cudita shumë, kur pata në dorë deshminë e shoferit të tij Ranko Thanasi, i cili edhe pse vetë komunist e guerilas, ishte befasuar kur kishte degjuar nga goja e Federikut që ….Erdhi e më takoj një shok në emër të qarkorit të partisë dhe me kërcënoj, prandaj mbaj një armë… Me poshtë Ranko tregon që … u desht ndërhyrja te Veliu (pseudonimi i sllavokomunistit Vasil Shanto), që Federiku të jetonte dhe të punonte “i qetë”.
Dëshiroj të sjell këtu edhe një fragment që tregon për përndjekjen e Federikut nga kujtimet e Zonjës Roza Buda e cila shkruan:
Dr. Roza Buda / mjeke
“…Dr. Federik Shiroka ishte një nga shokët e mi më të ngushtë. Ai ishte tepër i dashur dhe i thjeshtë, shumë inteligjent dhe me një vullnet të madh. Që kurse bënte specializimin në klinikën universitare të kirurgjisë në Vjenë, drejtuar nga Prof. Denk, ai ishte dalluar për talentin dhe aftësitë e tija.
Pas disa vjetësh, unë si studente bëja praktikën po në atë klinikë. Sapo morën vesht që isha shqiptare, docentët, asistentët, kryeinfermierët, më flisnin me shumë respekt për Dr. Shiroken dhe më thonin, që me siguri do të bëhej një kirurg i famshëm.
Nga mesi i vitit 1946-të, kur unë u ktheva nga Vjena, Frici (Federiku) punonte si kirurg në Spitalin Civil të Tiranës. Me gjithë konditat jashtzakonisht të vështira të asaj kohe, ai bënte një punë shumë të madhe, jo vetëm në sallën e operacionit, por edhe në ndjekjen e vazhdueshme të të operuarve, deri në shërimin e plotë të tyre. Fatkeqësisht për vite të tëra, ai u luftua nga kolegë të ndryshëm, deri sa arritën ta akuzojnë dhe si antisovjetik, për të cilën u bë dhe një mbledhje e vecantë për të. Nuk mund të harroj kurrë atë ditë, kur erdhi dhe më tregoj të gjitha. Ishte jashtëzakonisht i merzitur. Sapo unë doja ti flisja, ai më tha:…mos ki frikë ti Rozë, se unë nuk do të thyhem prej kësaj …”
Pak muaj para se të vdiste, për shkak të lodhjes, përndjekjes e stressit, që i rënduan zemrën e tij të sëmurë, ai u dërgua me një delegacion të Shoqërisë të Miqësisë, në Bashkimin Sovjetik, për të asistuar në manifestimin e 1 Majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve. Në një njoftim në faqen e parë të Zërit të Popullit, të datës 28 Prill 1955, shkruhet nder të tjera: “…Delegacioni kryesohet nga shoku Gaqo Nesho, sekretar i parë i komitetit të partisë për qarkun e Vlorës dhe kryetar i degës së Shoqërisë së miqësisë për këtë qark dhe përbëhet nga Zija Këllici, Dr. Federik Shiroka, Andrea Varfi, Prenk Jakova e Ollga Qano.”
Këtë vizitë, përvec qëllimit të udhëtimit, Shiroka e shfrytëzoj që të vizitonte klinikën dhe spitalin ku operonte Prof. Kuprianov, një nga kirurgët më në zë rus. Me tu kthyer në atdhe, ai i paraqiti emocionet dhe entuziazmin e tij në një artikull të botuar në numrin 7 të Revistës Kulturore Shoqërore MIQESIA, të korrikut 1955-së, në faqet 8 dhe 9-të. Aty ai shpreh kënaqësinë që u njoh me metodat e reja të ndërhyrjeve operative në zemër e mushkri dhe përshkruan vizitën e tij në klinikën e Profesorit Kuprianov me këto fjalë: “…përshkrimi i im është shumë, shumë ma i varfër nga realiteti…, po përpiqem të tregoj mbi një ndërhyrje operative në zemër dhe mushkri, e cila bëhet me një lloj narkoze të pashembëllt në praktikën mjeksore. Kjo narkozë quhet “letargji artificiale” ose po të përdorim një shprehje më shkencore “hipotermi artificiale me bllokadë vegjitative”… Me anën e kësaj narkoze, Prof. Kuprianov operoi me sukses një fëmijë 5 vjecar, që vuante nga anomali kongjenitale të vazove, nga e ashtuquajtura “maladie blue”… Gjatë kësaj vizite, unë krijova bindjen se atje tashma pothuajse nuk ka sëmundje që nuk shërohet. Me të tilla përshtypje del njeriu jo vetëm nga klinika e Prof. Kuprianov ose ndonjë institucion qëndror të shëndetësisë, por edhe nga vizita në cdo spital e ambulancë…”
Jo vetëm Dr. Shiroka, ishte mahnitur me mjekët rusë, por edhe kirurgët rusë, shprehnin fjalët më të mira e të vlefshme për Shiroken dhe dijet e tija në kirurgji. Në shumë biseda, artikuj, ato lavdëronin metodat dhe aftësinë e tij. Në shenjë nderimi për figurën e tij ato kishin vendosur bustin e Dr Shirokes në pavionet e muzeumit në Moskë. Ja dëshmia e kompozitorit të njohur Tonin Harapi për këtë:
Tonin Harapi / kompozitor
Të shumtë, janë rastet kur njeriu emocionohet papritmas para një fakti, para një personi, mbas ndojë fjale etj…. Si sot më kujtohet, në një vend të huaj në vitin 1959, së bashku me kompozitorin e dashur dhe të paharruar Prenk Jakova, po vizitonim një ekspozitë të arteve figurative të disa vendeve e cila fillonte me Shqipërinë, mbasi soditëm në mesin e një salle një maket allcie të monumentit të Skenderbeut, na shkuan sytë të një bust i bardhë në anën tjetër të sallës, ishte ai i Dr. Federik Shirokes që buzëqeshte plot përzemërsi. Ne u emocionuam shumë dhe nuk u shkëputëm dot nga ai. Ecnim dhe sillnim kokën nga ai vazhdimisht…
Ai, Dr. Shiroka përmblidhte dy cilësi, aq të domosdoshme për një njeri të vërtetë: aftësinë profesionale në shërbim të njerzve dhe buzëqeshjen që i buronte nga një humanizëm i madh. Të tillë e kujtoj Dr. Shiroken…
Dëshëroj të falenderoj nga zemra, pjestaren e familjes të Dr. Shirokes, Elsa Shiroken, e cila më ka vënë në dispozicion këtë dokumentacion që ajo ruan me fanatizëm.
VIJON në numrat e ardhshëm
Vjenë, me 2 mars 2017