Nga Pertefe LEKA/ Dr. Jakov Milaj një figurë shumë dimensionale, erudit I njohur në botën intelektuale shqiptare me studimin e tij “Raca Shqiptare”. E kam njohur në vitin 1993, kur erdhi në Tiranë I ftuar nga Znj. Drita Ivanaj në Konferencën Përkujtimore, kushtuar Prof.Dr. Mirash Ivanajt, figurë madhore e Arsimit Kombëtar, dhe ” Martir i Demokracisë”. Dr. Milaj mbajti një fjalim të gjatë nga kujtimet e tij për mësuesin e tij të nderuar dhe Drejtorin e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, Prof.Dr. Mirash Ivanaj. Fjalimi publikohet për herë të parë, marrë nga dorëshkrimi i imet, por shumë i bukur e me estetikë, në 10 fletë të bardha ,pa vija, shkruar nga një 83 vjeçar. Përveç këtij dorëshkrimi, me shumë vlerë për arsimin , Zoti Milaj dërgoi me fax edhe një biografi të shkurtër për B.Merxhanin, si bashkudhëtar në mergim me M. Ivanajn ,ku sqaroi shumë enigma rreth jetës së Merxhanit në Shqipëri. Dr. Milaj në atë mbledhje u nderua në podium përkrah bashkëvuajtsve ,Pjetër Arbërorit,Osman Kazazit …dhe Ministrit të Arsimit Z. Xh, Teliti, Z. V. Minarolli …Gezimin më të madh e mori nga shokët e tij, bashkënxënës të Gjimnazit ,edhe ata të moshuar , që i erdhen nga Shkodra të organizuar nga Prof. Dr. Mentor Quku.Me rastin e 110 vjetorit të lindjes një biografi e shkurtër :
Dr. Jakov Milaj ishte Lindur me 25 Mars të vitit 1911 në Fier. U shkollue në Gjimnazin e Shkodrës. deri më 1931.Ka drejtuar shoqatën kulturore “Besa Shqiptare” kur ishte student në këte Gjimnaz.Punoi si mësues në qytetin e lindjes, sekretar komune në nën/prefekturën e Kolonjës; redaktor në organe të ndryshme të shtypit ; si të Vatra e Timo Dilos dhe në “Përpjekja Shqiptare “ e Branko Merxhanit “. Dr. Milaj shkruante artikuj në fushën historike,etnografike,antropologjike,….Në vitin 1934 i është dhënë e drejta e studimit në Universitetin e Torinos për Veterinari. Atje i forcoi edhe me shumë lidhjet me Migjenin ,të cilit i qëndroi pranë deri në momentet e fundit të jetës.I ndërpreu përkohësisht studimet Universitare në vitin 1935, sepse mori pjesë në Kryengritjen e Fierit, ku denohet me burgim të përjetshëm.Pas ndërhyrjes të organizmave ndërkombëtare, do të falej dhe shkoi në Itali për të vazhduar studimet e lëna përgjysmë.Në ditët më kritike të Migjenit ishte pranë tij dhe motrës në Sanatoriumin e Tore Feliçes prej nga solli edhe fjalët e fundit të mikut të zemrës dhe disa nga dorëshkrimet e fundit të Migjenit. U kthye në Shqipëri më 1939 pas diplomimit me resultate të larta.Punoi në institucione zyrtare dhe në qeverinë e Maliq Bushatit për pak kohë si Ministër i Bujqësisë .U largua shpejt nga kjo detyrë duke dhënë dorëheqjen , sepse kërkoi që pyjet tona të ishin nën kontrollin Shqiptar dhe jo të milicisë Italiane. Pas çlirimit vazhdoi kalvarin e vuajtjeve .Në vitin 1945 arrestohet ,pas burgimit internohet së bashku me familjen në Shtyllas të Fierit dhe më vonë punoi për të mbijetuar dhe jo atje ku i takonte për progresin shqiptar. Vlen për t’u përmendur kryevepra e tij ,” Raca Shqiptare” botuar në vitin 1944. Kjo vepër është e para monografi e shkruar nga një autor Shqiptar, për të cilën Dr. J. Milaj shkruan të parathënia: “Të përgatitësh një studim anthropologjik e historik pa qenë as anthoprolog as historian duhet të keshë shumë guxim. E këte guxim e mora pse desha të plotësoj me sa që e mundur një nevojë të madhe shpirtërore, një mungesë që duhet ta ketë ndjerë shqiptari : Njohjen e vetvetës……Thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nentokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve që Ai shtet mban në gji, prej shpirtit që i jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon nepër venat e tyre………Ky studim Nuk është bërë për t’u marrë me racizëm në kuptimin politik-filozofik …..Qellimi i hartimit të kësaj vepre ka qenë që të nxjerrë në shesh disa të vëteta , gjerë më sot të panjohura mbi racen tonë dhe t’u jap shkas atyre që e ndjejnë veten të Zotin për t’u marrë më tepër me biologji e antropologji …….Populli Arbëror ka një origjinë të vetme e të përbashkët, është autokton në të gjitha viset ku banon sot…….Njësia e racës duhet të ketë rendësi të madhe për kombin tonë , pse nga kjo rrjedh diçka e rëndësishme: divergjencat mendore e shpirtërore ndërmjet shqiptarëve duhet të jenë shumë të vogla, aspiratat kombëtare të përbashkëta…….Jemi të gjithë bij të një race të vetme, jemi vëllezër; shpejt do t’i njohim gabimet që kemi bërë e do t’i kërkojmë ndjesë shoqi shojt, Gjaku ujë s’bëhet……. Qellimi i kësaj vepre ka qenë, që lexonjësi i thjeshtë të nxjerrë disa të vërteta rreth racës së tij,të dijë së midis tij dhe atyre që flasin një gjuhë me te nuk ka asnjë ndryshim gjaku e pra ta njohë Shqiptarin që prej Mitrovice e gjerë në skajin më jugor të Çamërisë si vëllanë e vet” .Janar 1944, J.Milaj. Shembulli më i lartë që i përgjigjet këtij studimi ishte Nënë Tereza e cila edhe pse larguar prej vendit të origjinës , pohon me krenari :”Me gjak jam shqiptare,me nështetësi indiane,jam murgeshë katolike” .Është një mësim për të gjithë sot,kur bota shqiptare është më e vetëdijshme për autoktoninë dhe vetëdijën kombëtare , të shpresojmë që të realizohet sa më shpejt në Evropën e Bashkuar, siç e thotë Dr. Milaj “Populli Arbëror ,me një origjinë të vetme”.Fjala e mbajtur në Konferencën Përkujtimore kushtuar Prof.Dr. M. Ivanajt.23 Shtator 1993 me rastin e 40 vjetorit të vdekjes.
***
Jakov Milaj për M.Ivanajn
Nga fjala e mbajtur me rastin e 40-vjetorit te vdekjes se Prof.Dr.Mirash Ivanaj.
Shtator 1993, ne pallatin e Kongreseve Tiranë
E nderuar Zojushë, të nderuar Zonja e Zotërinj
Eshte e rregullt qe ndokuj qe vjen nga larg,t’I urohet mireseerdhe! Dhe ne sot kështu duhej të vepronim ,dhe bashkë me urimin t’I kujtonim patriotës tonë të nderuar, Zojushës Ivanaj,dy vargje të poetit tonë Çajupi:
Ku më duket balta më e ëmbël se mjalta!
Në Shqipëri!
Por sot rasti është i veçantë.Bashkë me urimet e përzemërta duhet të kujtojmë edhe diçka të hidhur : jemi mbledhur që të nderojmë edhe 40-vjetorin e vdekjes të mësuesit tonë të shkëlqyer Dr.Mirash Ivanajt,njërit nga pedagogët më të mirë e një nga patriotët më të mëdhenj që ka nxjerrë Arbëria jonë.Ky është ungji i zojushës Drita që na ka nderuar.Unë kam patur fatin të kem qenë për 5 vjet nxënës I tij.Jam edhe një nga nxënësit më të vjetër që Ai ka nxjerrë (po mbush afër 83 vjeç).Dhe prandaj ju lutem të mos mërziteni nga ky fjalim,ndofta pak i gjatë,që ka të bëjë me kujtimet që unë kam për të përmendur.
Kanë kaluar plot 62 vjet nga koha kur kam marrë maturën e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër.
Përshtypja e parë që të lë një njeri kur e sheh në fillim është paraqitja e jashtme.Drejtorit të cilit iu paraqita në shtator të vitit 1926 ishte madhështor.Të linte përshtypjen e malësorit nga e kishte origjinën.Megjithëse i ri, dukej pak i kërrusur,ndofta pse të shumtën e kohës e kalonte mbi libra,duke studiuar.
Ishte tepër i thjeshtë në sjellje e në veshje. Dukej sikur ishte I ashpër me nxënësit,kurrë,përkundrazi ishte shumë I dashur.Ndiqte me interes përparimin e tyre.i qortonte ndonjë herë të dobëtit por nuk përtonte të afronte e të këshillonte edhe të aftit dhe t’I nxiste këta që të ndihmonin,por siç e thonë tashi,t’I mirrnin në patronazh,ata që ishin më prapa.
Në vitet e para të krijimit të Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës,shumica e pedagogëve nuk ishin aq të aftë,pse disa vetëm shkolla të mesme në gjuhë të huaja kishin mbaruar.Ndonjëherë mungonin edhe mësuesit e përgatitur qoftë edhe gjysmakërisht për ndonjë lëndë.Atëhere mësimin e tyre e merrte përsipër, vetë Drejtori.Sado që në fakultet kishte studiuar filologji e jurisprudence,në klasa të ndryshme
Ai jepte,ku filozofi,ku histori,ku latinisht ose greqishte të vjetë,ku fizikë edhe matematikë.
Një profesor matematike Anton Deda,thoshte se Drejtori është më I aftë se unë,për të dhënë edhe lëndët e ndryshme e të matematikave në të cilat unë kosiderohesha kompetent.
Kishte pak miq në Shkodër dhe rrallë e shikoje nëpër kafe,vetëm kur i vinte nga Tirana i vëllai,juristi Dr.Martin Ivanaj ose zbriste nga mali e motra,një grua trupmadhe si vëllezërit,e veshur me kostum karakteristik të mbi Shkodrës,Ai me këta shetiste në rrugë të madhe dhe pinte birre ose ndonjë pije tjetër në Kafen Adriatik,(Kafja Madhe )
Që ishte në atë kohë kafja më e mirë e qytetit .
Përjashtim bënin ditët e garave sportive, në të cilat Gjimnazi I Shtetit rregullisht fitonte ndaj shkollave të tjera.Këta gara I kushtonin shumë drejtorit tonë,pse ky do të shpenzonte nga xhepi I tij për të blerë disa nga veglat sportive më të nevojshme,si litarë,topa etj.për të cilat deri në mbarim të vitit shkollorë 1927-1928 nuk sigurohej asnjë fond nga shteti;pse pastaj në mbarim të garave,nga gëzimi ai do të shtronte një darkë për të gjithë profesorët dhe do të paguante vetë për të
Gjithë.
Pengesë e madhe për zgjërimin e shpejtë të shkollës tonë ishte fanatizmi fetar që ndrydhte shpirtërat e myslimanëve dhe të katolikëve.Ndërsa për katolikët u desh kohë që të afrohen me shkollën laike,për muhamedanët puna qe më e lehtë.Këte e ndihmoi një koinçidenë që unë e pata dëgjuar
Edhe kur isha nxënës në Shkodër,edhe nga goja e një miku
Serioz të Drejtorit nga goja e Demir Vilës me të cilin kishim qenë bashkënxënës në Romë.
Kur në qershor të vitit 1924,kryengritësit u futën në Shkodër,Ivanaj si kundërshtar I tyre,la shtëpi e katandi dhe iku rrëmbimthi vetëm me rrobat e trupit,në Mal të Zi,u vendos në Podgoricë.Pas disa ditësh, një komision i ngarkuar nga prefektura erdhën për të sekuestruar mallin e të arratisurve politikë, hynë në dhomën e tij dhe, për çudi gjetën te krevati,Kuranin.
Anëtarët myslimanë të komisionit mbetën të shtangur nga kjo e papritur dhe ngulën këmbë që teshat e tij të mos preken.Nga kjo u detyruan të tërhiqen edhe anëtarët e tjerë.Dolën nga dhoma,e vulosën derën me dyll,kur u kthye Mirashi pas gjashtë muajsh,I gjeti të paprekura teshat e pakta,librat si dhe Kuranin nën jastëk me një fletë që kishte përkthyer vetë kur u largua nga Shtëpia.
Shënimet që mbante nga leximi I kuranit ishin për të parë ndikesën që kishte patur e drejta romake në sheriatin.
Kjo ngjarje bëri bujë në gjithë Shkodrën dhe të gjithë myslimanët filluan ta adhurojnë.Kur Mirash Ivanaj mori drejtimin e Gjimnazit të shtetit,shumica e tyre i dërguan fëmijët me dëshirë të madhe për t’u edukuar nga ky dijetar që “kishte lexuar edhe Kuranin”…Dhe filluan të zbatojnë pa nguruar porositë e tij.
Kur unë shkova për herë të pare në Gjimnazin e Shkodrës (1926),nxënësit mbanin në kokë,edhe gjatë orës së mësimit fesa të zezë.
Në shtator të vitit 1927 ,Drejtoria para fillimit të regjistrimeve ngjiti në hyrje të shkollës një urdhër me këte përmbajtje:
“Të gjithë nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh se në klasë do të qëndrojnë pa kësulë në kokë”Asnjë nuk e kundërshtoi këtë kusht.
Pushimet javore ishin të gjata në shkollën tonë.
Veç së dielës,ditën e mërkurë dhe ditën e premte bëheshin vetëm nga tri orë mësim,për arsye të ditës së pazarit dhe të festës javore myslimane.Për të kufizuar pushimet,në fillim të vitit shkollor 28-29,varet një shpallje tjetër në derën e shkollës:”Nxënësit që dëshirojnë të ndjekin Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh se të premten mësimet do të zgjasin gjithë ditën.Si për çudi asnjë nxënës nuk nguroi të regjistrohej.Natyrisht, evolucioni i mendjes ndaj kulturës bënte punën e vet,por besimi në ndershmërinë,seriozitetin
e patriotizmin e udheheqësit të këtij institucioni pat shumë rëndësi për të bindur popullaten se rruga që ndiqte ai ishte
e vetmja rrugë për përparimin e njerëzve.
E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në shkollë ka qenë punë patriotike,për patriotizmin e tij flasin edhe këto dy fakte:
Me 28 Nëntor 1927 ,nga nxënësit e Gjimnazit tonë u bë demostrata kundër Bankës Kombëtare pse në ballkonin e saj Flamuri ynë ishte vendosur në krahun e majtë,kurse flamuri i huaj në të djathtë.Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh,ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve.Policia, sa pa studentët që filluan demostratën, njofton menjëherë drejtorin që të marri masa. Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë.Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes Ai hipën në këmbën e parë të shkallës dhe na flet me butësi.Tregon se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demonstrate kundër bankës.Drejtori na thotë:
Se detyra e parë e nxënësve ishte që të shikojnë mësimet. Dhe përfundon me këto fjalë të buta “Ju tani jeni të rritur,e kuptoni vetë të mirën e të keqën e vetës e të Atdheut,ju këshilloj ,që të shihni mësimet.Ju e dini vetë si të veproni “
Këto këshilla na u dukën më shumë se aprovim,shtytje për veprimin tonë.Nga shkolla dolëm më të vendosur .Pas dreke
Demostrata vazhdoi më e ashpër si dhe në mbarim të saj,policia arrestoi nja 20 vetë nga shokët tanë më të rritur.Të nesërmen shumica u liruan dhe mbetën në burg
Vetëm 6 gjashtë vetë,të gjithë pa përkrahje.Për ushqimin dhe fjetjen e tyre Drejtori interesohesh shumë.Merrte ushqime dhe shtresa nga konvikti,megjithëse vetëm dy prej të arrestuarve ishin konviktorë,shkonte për natë në qeli ku ishin vendosur ata dhe i këshillonte të hanin mirë,të mos ftoheshin dhe të mbanin gjakftohtësi.
Një javë më vonë,në mbrëmje,kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës,drejtori i zymtë në fytyrë,na mbledh në korridorin e shkollës dhe na liron, pa bërë asnjë koment, për telegramin e ministrit të arsimit, me të cilin njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë.Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhërin epror.Sipas fjalëve që na treguan gjashtë shokët midis të tjerash, Ai u tha :”Demostrata verteton se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë,por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica”
Me këmbënguljen e Drejtorit, të dënuarit pas sa kohe u falen
dhe me përjashtim të njerit të tjerët rifilluan mësimet.
Një fakt tjetër ishte ky; Në pranveren e vitit 1929 ,me urdhër të drejtorit,Prof.Gabriel Meksi na mblodhi ne, 5-6 nxënës ortodoks të gjimnazit dhe na këshilloi që të përgatisim një kor të vogël për të psalur shqip të Premten e Madhe dhe ditën e Pashkës në kishën e qytetit e cila ishte slave.Ne nuk dinim, por dy shokë që i dinin mirë këto punë, na ndihmuan
të përgatiteshim dhe vajtimet e përmivarrëshme nuk shkuan keq.Por mesha e Pashkëve bëhej në mesnatën e të nesërmes.Për të dale natën nga konvikti duhej leja e drejtorit.Për fat të shtunave Ai vinte në internat dhe unë si më i madhi i kërkova autorizimin për të shkuar në kishë.E aprovoi me gjysmë zëri kërkesën time;por pak më vonë më nxori nga salla e studimit dhe vetëm për vetëm më tha me zë të ulët:”Po të flas ty se je më i madhi dhe mund të më kuptosh,ku do të arrijmë ne,në qoftë se ortodoksët,katolikët,myslimanët do të shkojnë secili më vete,në kishë e xhami për Pashkë e Bajram.A mund të ndërtohet Shqipëria kur edhe ju të rinjtë, që jeni shpresë e të ardhmes,mendoni dallimin fetar e jo bashkimin?!
Kur unë iu përgjegja se asnjëherë nuk i kishim kërkuar leje për të shkuar në kishë,por sonte e bënim këte pse ishte rasti I korit të vajit që do të thoshte ato pak lutje shqip gjatë meshës sllavishte,Atij i qeshën sytë dhe ma ktheu menjëherë: Ah,po,po ! Më kishte dalë fare mendsh kjo çështje.Të shkoni, të shkoni! Dhe në qoftë se keni nevojë, më thërrisni edhe mua, se jam gati t’ju ndihmoj….
Drejtori ka qenë vetë nismëtari për formimin e shoqërisë ‘Besa”.Ai e shihte se si ishin organizuar prej françekanësh e jezuitësh. E kuptonte se nxënësit e Gjimnazit të Shtetit përbërë prej feshë të ndryshme dhe krahinash të ndryshme,kishin nevojë për një organizatë të rinjsh ku të mirreshin me kulturën,me sportin, me problemet e kohës,mbi të gjitha të forconin bashkimin.Për t’ia arritur qellimit ftoi në drejtori disa nxënës të cilët hartuan statutin e shoqërisë dhe kësaj i vunë emrin “Besa Shqiptare.” Drejtori u kënaq shumë me këte emër dhe,midis tjerash na tha:Besa është karakteristikë vetëm për popullin tonë.Të huajt nuk gjejnë fjalë të sakta për të përkthyer këte nocion në gjuhën e tyre
Prandaj edhe ata janë të detyruar të shënojnë në vokabulin “Besa”në fjalorët e tyre.Ne e zgjodhëm Drejtorin Kryetar Nderi.
U largua nga Shkodra e shkoi në Tiranë për të jetuar me të vëllanë,Martinin,por gjurmët e Mirashit mbetën të pashlyeshme.Ai linte një shkollë shumë më të madhe nga ajo që e gjeti dhe me personel më të aftë .Brenda 6-7 vjetësh numri I nxënësve ishte katërfishuar dhe përbërja kishte ndryshuar si nata me ditën.Më pare thuajse të gjithë nxënësit ishin myslimanë;tashi ishin shtuar dhe vazhdonin të shtoheshin edhe katolikët të cilët vazhdonin të braktisnin shkollat e vjetra. Gjatë kohës që punonte Ai në Shkodër,dolën nga shkolla tri matura të degës pedagogjike dhe dy matura të gjimnazit.Kjo ishte kënaqësi e madhe për te.
Unë pata fatin ta shoh drejtorin disa herë edhe në Kryeqytet vetëm ose me bashkënxënës të tjerë.E therrisnim Zoti Drejtor, megjithëse kur u largua nga Shkodra,Ai pati poste më të rëndësishme: më pas profesor,ministër arsimi,deputet dhe Kryetar i Këshillit të Shtetit.
Na priste me shumë përzemërsi në një dhomë të madhe, mbushur me libra të sistemuara mirë.Na pat bërë përshtypje biseda e tij.Ne kujtonim se Ai nuk dinte të qeshte kurrë,kurse Ai përkundrazi,ishte gjithnjë buzagas sidomos kur fliste për ndonjë ngjarje të kaluar ose na kallxonte ndonjë anekdotë.
Me 1936 pat rënë disa herë fjala me te për kryengritjen e Fierit. Ai pyeste për hollësira rreth saj,dhe i vinte mirë që pati mjaft arsimtarë pjesëmarrës,pse sipas mendimit të tij, edukimi i brezit të ri kishte rënë në duar patriotësh.Veç më shumë se një herë pat shtuar :”Po ku u gjetën ata pleq për të drejtuar një kryengritje që kërkonte udhëheqës të rinj e të vendosur?”
Kur bisedoja me këte njeri,unë pyesja veten: si është e mundur që një personalitet i regjimit të Zogut,pak muaj më parë ministër arsimi,e tani Kryetar i Këshillit të shtetit,të shfaqi mendime të këtilla? Dhe përgjigjja më dukej e qartë. Mirash Ivanaj nuk ka qenë asnjëherë njeriu i Zogut.Ai i njihte mirë të metat e këtij,por bashkëpunoi me te për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër, laicizmin e arsimit.
Shokët që e patën parë me sytë e tyre më patën thënë:”Para
7 Prill 1939 Mirashi pat braktisur zyrë e bibliotekë dhe qe bashkuar me turmat e popullit që demonstronin kundër fashistëve dhe bashkë me ta patën thirrur “Duam pushkë,duam pushkë!”
Këtu del sheshit patriotizmi i drejtorit tonë.
E megjithë këto ndjenja e dëshira,ai qe I detyruar të ndiqte
Karvanin mbretëror dhe të arratiset në Turqi sepse e njohu më mirë si bashkëpunonjës që kishte drejtuar regjimin e Zogut.Ndërsa Mbreti vetë u largua nga Stambolli dhe shkoi nepër Evropë, ata që mbeten morën arin nga valixhet për të blerë çifligje nepër Anadoll dhe për të bërë tregti.Mirashi mbeti pa dhet are në xhep.Kur iu sëmur i vëllai, qe i detyruar të shesë një dhëmballë ari për t’I blerë ilaçet.
Për funeralin e të vëllait,meqenëse asnjë nga bashkëpunëtorët nuk e ndihmoi. Ai qe I detyruar t’I drejtohet
Bashkisë së Stambollit dhe kjo e çoi në varr Martinin si të gjithë varfanjakët.
Kthimi i Mirash Ivanajt në Shqipëri ishte një tjetër akt I tij patriotik Ai dëshironte t’I shërbente prap Atdheut.
Por Atdheu i tij i udhëhequr tashi nga komunistët nuk e ndjente nevojën e tij.Prandaj e burgosën, e torturuan sipas zakonit,dhe Ai mbaroi në dorë të operativit, gjithmonë i burgosur.
I përjetshëm qoftë kujtimi I tij .
Jakov Milaj