Nga Pierluigi Battista-
Të mundohemi të gdhendim në kujtesë emrin e kësaj martireje turke të lirisë, për vdekjen e së cilës është përgjegjës tirani Erdogan: Ebru Timtik. Të mundohemi të mos t’a harrojmë menjëherë, siç bëjmë zakonisht ne evropianët që recitojmë në mënyrë shtiracake parime lirie, por pastaj për të jetuar qetë bëjmë sikur nuk ka asgjë e lëmë vetëm një veprimtare të të drejtave njerëzore të vdekur mbas 238 ditë greve urie në burg, për të pasur një gjykim të drejtë dhe jo farsën tragjike që e kishte dënuar.Të mundohemi t’a kujtojmë për pak kohë Ebru Timtik: ku t’a marrësh që ndonjë guximtar të mund t’i kushtonte një shesh, të pagëzonte me emrin e saj një festival, një teatër, një panair libri. Të mundohemi të mos jemi tmerrësisht shtiracakë si gjithmonë: dy ditë zëmërimi për diktaturën në Biellorusi e pastaj heshtje, ndonjë titull gazete për demokratët në Hong Kong pastaj çensurë e heshtje për të mos prishur marrëdhëniet e dobishme me Pekinin, diktaturën që i pëlqen shumë qeverisë sonë, në shumicën e së cilës ka një parti që stoliset madje me mbiemrin “demokratike”.
E dijmë, Evropa duhet të nderojë sulltanin Erdogan sepse, duke e mbushur me para, mbajmë të ruajtur në kampet turke, ne që jemi kaq njerëzorë, bujarë, mikpritës të gjithë të mërguarit që do të mund të na jepnin ndonjë bezdi. Shtiremi sikur nuk ekziston despotizmi i Erdoganit sepse ndoshta mund të na ndihmojë të stabilizojmë Libinë, këtë therje në ijë me të cilën nuk dijmë si të sillemi. Mundohemi t’a injorojmë praninë e Ebru Timtik, që i lejoi vetes të kundërshtonte dhunimin e të drejtave njerëzore në Turqi e për këtë, jo vetëm ajo, është dënuar në mënyrë absurde pa asnjë nga garancitë që parasheh një Shtet i së Drejtës. Të kujtojmë edhe një herë emrin e saj, kaq i bezdisshëm për neve që nuk do të donim që sulltani Erdogan të zemërohej shumë: Ebru Timtik. Ebru Timtik është pasqyra e ndërgjegjes së fëlliqur të një Evrope pa dinjitet që nuk meriton asnjë respekt. Prandaj bëhet garë për t’a harruar. Prandaj kthehemi nga ana tjetër, siç bëjmë me Kinën, para së cilës përulen qeveritë dhe OBSH. Siç bëjmë me Rusinë ku kundërshtarët helmohen. Ebru Timtik, e vdekur e vrarë në heshtjen e përgjithëshme: quhej kështu.
“Corriere della Sera”, 30 gusht 2020 Përktheu Eugjen Merlika