Në Shqipëri një sasi e madhe droge është zbuluar në orët e vona të natës në fshatin Babicë e Vogël në qarkun e Vlorës. Dyshohet për afër 10 ton marijuanë e cila është gjetur në një banesë. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua gjatë një operacioni të forcave speciale të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda.
Për zhvillimin e tij ka patur njoftime kontradiktore. Burime nga prokuroria bënë të ditur se ai është pjesë e një hetimi të nisur që në fund të viti të kaluar në bazë të informacioneve të marra nga rrugë operative dhe përmes shërbimeve sekrete. Sipas të njejtave burimeve, operacioni përbën fazën e dytë të hetimit që disa muaj më parë çoi në sekuestrimin po në fshatrat e Vlorës të 24 tonëve marijuanë, dhe që lidhet sipas Prokurorisë me grupin e Habilajve, vëllezërve të përfshirë në organizatën kriminale italo-shqiptare e cila u godit në Catania të Siçilisë 3 ditë më parë. Një rast i cili ka shkaktuar një furtunë politike në vend, pasi në përgjimet e trafikantëve të dyshuar përmendet disa herë emri i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili rezulton të ketë lidhje farefisnore me Habilajt. Sipas burimeve nga Prokuroria, operacioni në Babicë, vjen pas takimit që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pati dy ditë më parë me drejtorin e Shërbimit sekret shqiptar Visho Ajazi, dhe mbledhjes që ai zhvilloi mbrëmë me drejtuesit e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Një version tjetër ka ofruar Policia e Shtetit. Burime pranë saj, shpjegojnë se operacioni është nisur nga të dhëna policore për praninë e sasive të marijuanës dhe se njësitë e saj speciale janë angazhuar pasi dyshohej se në zonë mund të gjendej dhe vëllai i Moisi Habilajt, Florian Habilaj, një ndër personat e shpallur në kërkim nga policia italiane.
Të dhënat e para flasin dhe për disa persona të ndaluar, por ende nuk ka një version zyrtar, pasi operacioni ka vijuar edhe pas mesnate, duke ushtruar kontrolle në disa banesa të tjera.