Nga Uran BUTKA/
Mid’hat Frashëri, ka qenë dhe është edukator jo vetëm i një kohe apo i një brezi të caktuar, por edukator prore i një kombi të tërë.
Së pari, gjithë vepra e tij madhore është njëherësh edhe edukuese, madje këtë karakter ajo e ka parësor. Ajo edukon ndjenjat dhe tiparet njerëzore më të mira si dashurinë e përpjekjen për atdheun, lirinë, gjuhën shqipe, librin, humanizmin, fisnikërinë, trimërinë, solidaritetin, dëshirën e merakun për punën, për të vërtetën, sinqeritetin, thjeshtësinë, altruizmin, shërbestarinë, këmbënguljen, tolerancën, respektin reciprok, indipendencën, durimin e të tjera.Qysh në moshën 17 vjeç gjejmë të shprehur tek ai mendimin filozofik për identitetin shqiptar, boshti ku mbështillet e mbahet universi dhe qenia shqiptare. “Qe një koh’ e vjetër, kur shqiptarët besonin e u faleshin yjevet, diellit, hënës, drurëve, shkëmbinjëvet. Që ahere shqiptarët quheshin: shqipëtarë.
Pastaj zunë të besonin që çdo gjë në jetë ka një perëndi…Këta njerëz prapë quheshin: shqipëtarë
Shqipëtarët ishin të tërë të krishterë, gjersa erdhi turku; pas kësaj, disa u bënë muhamedanë… Shqipëtarë të krishterë a muhamedanë, hapni sytë, jemi vëllezër!
Feja është ndrruar, por kurdoherë kemi qenë shqiptarë dhe ashtu duhet të jemi”.
E para, për M.Fashërun: të qenët shqiptar. E dyta: të qenët komb.
Sipas mendimit të tij, nuk mund të jetë një komb i lirë dhe i përparuar, pa qenë i ditur dhe i ndërgjegjësuar.
Ideja e lirisë te Mid’hat Frashëri i ri merr një kuptim e trajtim, që nuk ka ndryshim nga formulimi i sotmë. “Liria është që të mos të të trazojë njeri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët”, shkruan ai. Sipas tij, meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e jetën e atyre që së bashku formojnë kombin, atëherë, së pari, liria e çdonjërit sigurohet nga liria e gjithë kombit, së dyti, liria e çdonjërit mbaron atje ku trazohet liria e tjetrit.
Në moshën 18-vjeçare, Mid’hat Frashëri përktheu nga frëngjishtja dhe botoi në shqip “Gyjom Telli” të Lamartinit. Pse pikërisht zgjodhi këtë vepër për ta shqipëruar? Edhe kjo nuk është e rastit. Mit’hati e adhuronte Lamartinin si poet. Por veprën e tij “Gyjom Tell” e zgjodhi ta përkthente në gjuhën e shqiptarëve, sepse këta kishin nevojë për modele liberatorësh si Teli, ngaqë ishin ende nën robërinë e Turqisë. Kjo dëshmon për shpirtin liridashës të djaloshit Mid’hat Frashëri, i cili u bë qysh në rini zëdhënës i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar shqiptar. “Shqipëtarë, – bën thirrje ai më 1899, – të kemi bashkim, të duam njëri-tjetrin, të zgjohemi, të punojmë me vullnet dhe ahere do të jemi të lirë, të lumtur dhe fatbardhë. Përndryshe, do të humbasim si komb.
Rritur në një mjedis kulturor e qytetar, midis njerëzve më të shquar e më të ditur të kohës, por edhe midis librave, Mid’hati u lidh më shumë se me njerëzit, me librat, që u bënë miqtë e tij më të mirë e të përhershëm. Dëshira e pakufishme për librin që u kthye në një dashuri e në një kujdes atëror si edhe në një përpjekje e në një sakrificë për të qëmtuar e mbledhur këtë pasuri të paçmuar të mendjes njerëzore e mandej për t’ua lënë trashëgim brezave që vijnë, e ka fillesën që në fëmijërinë e Mid’hatit. Ishte 17-vjeç kur themeloi bibliotekën e tij personale me emrin “Lumo Skëndo” (1897); atë e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Kur shkroi “Testamentin” (1929), ai la trashëgim kulturës shqiptare (Institutit Albanologjik) rreth 40.000 vëllime, nga të cilët pjesa më e madhe ruhet dhe shërbehet në Bibliotekën Kombëtare, përfshirë edhe autorët e vjetër të letërsisë shqipe.
Mid’hati vijoi përpjekjet rilindase për ndriçim mendor e shpirtëror të shqiptarëve si kusht i domosdoshëm i çlirimit dhe i rrojtjes së pavarur të tyre. Në themel të këtyre, M.Frashëri vendos gjuhën shqipe. Motivi i tij në këtë kohë bëhet “Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Gjuha jonë është e bukur, e pasur, është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë. Sipas M.Frashërit lufta për gjuhën është një formë tjetër e luftës për të rrojtur.
Nuk është rastësi që M.Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin, – mendon Mid’hat Frashëri, – duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar. Një nga këto akte themelore është të shkruarit, të botuarit dhe të përhapurit e librave shqip, sidomos të përdorurit e tyre në shkollat e para shqipe.
Lumo Skendo nuk është vetëm i fjalës, por edhe i veprës rilindëse. Ai i përvishet vetë kësaj pune themeltare. Harton dhe boton tekste për shkollat shqipe, libra diturakë, gazeta e revista kulturore.
“Programi dhe qëllimi ynë është që ta bëjmë një revistë të dobishme, pak a shumë për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësonjësit, si dhe për amatorët e këndimit dhe të nxanit, të japim një landë të këndshme për një ushqim moral për çdo intelektual” – thotë Lumo Skendo për angazhimet e revistës “Diturija”.
Lumo Skendo e shikon shpresën e shpëtimit dhe të përparimit të Shqipërisë e të kombit tek qytetaria, që vjen nga puna, nga kamja, nga dituria, nga kultura. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut më s’është vetëm te fuqi e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetarija… Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetarija, puna, dituritë, begatija”
Qytetarinë e formon përparimi ekonomik i vendit, përmirësimi i kushteve të jetës, begatia, mentaliteti më i përparuar, psikologjia dhe qëndrimi qytetar larg individualizmit primitiv, si edhe virtytet e tjera.
Mid’hati, si filozof, e koncepton kombin si një bashkësi gjaku, gjuhe dhe territori, por edhe si një konstitucion shpirtëror. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta, trimëria e therorizmi, vijnë pas ndërgjegjësimit shpirtëror, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.
Këtë tezë ai e zhvilloi plotësisht më pas, kur u shtrua problemi i mëvetësimit të shtetit shqiptar. Ai shndërrohet në një Adam Smith të Shqipërisë. Mit’hati i kuptonte kohët e reja që do të vinin dhe u paraprinte atyre si profet. “Adam Smithi ka të drejtë, thotë ai, që kamja është të punuarit. Por të punuarit është jo vetëm kamja, por edhe shpëtimi, përparimi dhe fatbardhësia e shqiptarit dhe e Shqipërisë, shton Mid’hat Frashëri.
Mid’hati bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore në kohën e Rilindjes “Shqiptarizma filloi të bëhet një farë feje, një besim, jo individual, si me thanë i posaçmë për çdo fis, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më mirë akoma feja vetë: njerëz që s’kishin parë kurrë shoku-shokun, të panjohur dhe të padëgjuar gjer dje, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në fenë dhe në besimin e ri, zbulonin se ishin adaptë, më mirë të themi, vëllezër, në kuptimin që ka në disa shoqëri fetaro-politiko-shoqërore…” Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune gjigante.
“Një komb që ka shpresën të fortë dhe që ka vullnet për të ecur përpara, është i zoti që të sigurojë rrojtjen e tij kombëtare dhe politike të pavarur.”
Këto ide dhe të tjera, janë shprehje e mendimit më të përparuar shqiptar, por edhe europian, që mbart figura madhore e Mid’hat Frashërit. Ai i kuptonte kohët e reja që po vinin dhe u paraprinte atyre si profet.
Protagonist i shpalljes së indipendencës dhe ministër i disa qeverive të periudhës së Pavarësisë, ai u përpoq për themelimin e një shteti shqiptar sipas principeve perëndimore. Me gjithë turbullirat e luftërat që ndodhën, M. Frashëri qysh në fillim të shekullit që shkoi, shtroi dhe mbrojti tezën se shqiptarët janë të aftë të bëjnë shtet. “Duhet vullnet për bashkimin e tyre përpara rrezikut çbërjes së identitetit kombëtar, duhet ndërgjegjësim, punë dhe qytetari”, thotë M. Frashëri. “Një komb, një vend në skaj të Europës moderne, përbën një anakronizmë, një kundërshtim me të”, shkruan ai. “Duhet të na mbushet mendja se një Shqipëri gjysmë e qytetëruar, gjysmë në dritë e gjysmë në errësirë, nuk rron dot dhe shumë kohë… Qytetërimi vjen nga zhvillimi politik, ekonomik, arsimor e kulturor në një Shqipëri të lirë e demokratike.
M.Frashëri priret nga një përpjekje titanike për një jetë mendore të re, për një jetë politike të re, për një jetë shoqërore të re, për një jetë kulturore dhe arsimore të re, për një jetë kombëtare të re, për një horizont të ri”.
Qysh në vitin 1912, ai formulon e mbron tezën se, shpëtimi i Shqipërisë do t’i vijë me anë të vetes sonë. “Më duket se çdo gjë ndreqet, kur të ndreqemi ne vetë. Çdo të lige i priten krahët, kur të ndreqim të metat tona, çdo të keqeje të huaj i priten këmbët kur të bëhemi ne të zotët të mbrojmë të drejtat tona… Atëherë do ta bëjmë botën të na respektojë e ndikojë”. Si njeri me kulturë dhe principe demokratike, Frashëri mendon se, vendet e varfëra dhe larg qytetërimit duhet të përfitojnë nga përparimi ekonomik dhe qytetërimi europian. Por, ai është për të marrë anët pozitive, shembullin e mirë e të përshtatshëm për Shqipërinë, dhe jo për një nënshtrim të verbër. “Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur!”- shkruan ai në mënyrë të figurshme.
Mid’hati është për një zhvillim kapitalist të natyrshëm, me evolucion dhe në mënyrë demokratike, me përsosje të vazhdueshme, për një shtet me karakter shoqnor, siç shprehet ai. Është kundër revolucionit, përmbysjes me armë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit komunist të Rusisë, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen dhe shpërbërjen. Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, ku “drejtimi dhe rregulli vijnë nga zbatimi dhe respektimi i ligjit, përkundër anarkisë dhe arbitraritetit”. “Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri, i shkruan ai konsullit Iden të Anglisë. Është një mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Mid’hati është për një sistem demokratik të përafërt me atë të Anglisë, ku “pronarët dhe bujqit bashkëpunojnë për fitimin e përbashkët”.
Ai është për një politikë të urtë dhe ekuilibriste të qendrës, larg ekstremizmit të marrë dhe larg konservatorizmit të verbër: “Në këtë degë të jetës shoqërore problemi më i rëndë do të ishte të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat e një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”, shkruan ai.
“Për mua ka vetëm një mënyrë, që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike”, i shkruan po në atë kohë Idenit.
Mid’hati është për një shtet ligjor, për drejtimin nga institucionet që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme. “A nuk besoni se duhet të përpiqemi të krijojmë një frymë rregulli dhe solidariteti, të shpëtojmë brezin tonë dhe kombin, përkurdoherë nga nihilizma dhe bolshevizma marlet, të meta që mjerisht i pëlqejnë karakterit tonë të ashpër?” – i drejtohet ai Kostë Çekrezit në SHBA, dhjetor 1925.
Duke shtjelluar teorinë për shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet e tij me individin, M.Frashëri, si europian, është për respektimin e ligjit në një vend të lirë. “Shqiptarin e prishi mosbindja dhe jo bindja, shkruan ai. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”. Ai kërkon që, shqiptari të çlirohet nga “të qepurit pas qeverisë”, të bëhet sa më i pavarur, së pari, moralisht dhe ekonomikisht. …Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe naltësimi i çdo individi, që formon këtë komb”, shkruan ai. Pra, individin, individualizmën, sistemin e vlerave, ai e vë në themel të përparimit. Indipendenca morale dhe ekonomike e individit është e lidhur me rrojtjen politike të një kombi të lirë. Por, ai si idealist objektiv i mëshon më tepër vlerave, sidomos të inteligjencës, elitës, që udhëheq. “Në më thënçin arkimedët e rinj se pika e mbështetjes është paraja, do të përgjigjem: jo vetëm pika e mbështetjes, por edhe maniveli që mund ta kthejë botën, s’është veç inteligjencia”, shkruan ai.
Mid’hati që e njihte jetën politike të Shqipërisë dhe të Europës, madje prej andej u këshillon deputetëve shqiptarë një politikë të urtë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben më mirë Shqipërisë, pa ekstremizma të marra dhe pa konservatorizma të verbëta. “Në Parlament kombi do të bëjë stërvitjen e tij politike, gjithë duke shfaqur zotësinë për një edukatë të tillë. Provim i vështirë, pa dyshim, sadoqë kuvendet, pleqësitë, gjyqet kanë qenë prej institucioneve më të vjetra të vendit. Në këtë degë të jetës shoqërore, problemi më i rëndë është të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat tërheqëse të një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”.
Mid’hati gjakon për tolerancën, mirëkuptimin dhe dialogun, si mjete demokratike e humane. Ai është kundër mendësisë dhe praktikës totalitare që kundërshtari politik të konsiderohet armik dhe të luftohet si i tillë për t’u eliminuar siç ndodhi me fashizmin dhe komunizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me sistemin komunist të pasluftës. Për çështje madhore, siç ishin ato të luftës çlirimtare apo të zgjedhjeve politike, M.Frashëri inicion dhe bën kompromisin si një mundësi apo një zgjidhje e mundshme. Shembull i qartë për këtë është Kuvendi i Mukjes, ku u arrit një marrëveshje me përmasa kombëtare ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, mbi bazën e tolerancës e të kompromisit për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike.
Së dyti, vepra e Mid’hat Frashërit dhe vlera edukative e saj, përputhen plotësisht me jetën dhe moralin e tij personal. Do të sjell vetëm një shembull.
Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit më 30 mars 1913, duke themeluar kështu institucionin e dorëheqjes në shtetin shqiptar. Ai shkoi në Elbasan, këtë radhë, në detyrën e thjeshtë, por të shenjtë të mësuesit të shkollës fillore (1913-1914), duke dhënë shembullin e shërbestarit. Nga ky moment u lidh ngushtë me mësuesinë, e nderoi atë dhe figurën e arsimtarit. “Edhe tani kam bindjen, i shkruan ai një mësuesi elbasanas, se karriera e mësuesisë është ajo, nuk them vetëm më e mira, por edhe më kënaqësiprurësja. Eshtë një detyrë modeste, pa bujë, fort e lodhshme, por që të jep një prehje shpirti, se çdo ditë, çdo muaj, çdo mot shohim me sytë tanë pemën që po rritim me aqë mundime”.
Më 20 janar 1914, Mid’hati u bën thirrje qytetarëve mësimdashës të Elbasanit, që, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i ka bërë kombit shqiptar, miss Edith Durhamit, t’i blinin një stilograf të florinjtë. Që të kishte përfaqësim sa më të gjerë kjo shenjë nderimi, Mid’hat Frashëri kishte menduar që çdo atdhetar do të paguante veçse 5 qindarka, kështu të blihej me ndihmën e sa më shumë shqiptarëve. Kështu, ai edukonte solidaritetin dhe demokracinë e gjerë. Këtë stilograf prej ari ia dhuroi miss Durhamit, një përfaqësi e qytetit të Elbasanit, e përbërë nga Mid’hat Frashëri, Gligor Cilka, Dr.Ruzhdi Beu dhe Taqi Buda, kur ajo zbriti në Vlorë në muajin gusht, 1914. Mid’hati ishte kujdesur që edhe mbishkrimi i dhuratës të ishte sa më përfaqësues: “Zonjës Edith Durham, shqiptarët mirënjohës, 1914”. Kështu M.Frashëri vlerësonte dhe edukonte mirënjënjojtjen e respektin.
Së treti, duke u nisur nga hulumtimet e studimet e mirëfillta pedagogjike, Mid’hati është edhe një edukator profesionist.
Ai shkruan një sërë punimesh të mirëfillta pedagogjike, ndër të cilët studimi “Për të formuar karakterin”.
Karakterin e një individi apo të një populli Mid’hati e kushtëzon me rrethanat historike, shpirtërore, morale, kulturore dhe mjedisi gjeografik e mënyra e jetesës. Ndryshimin e karakterit (përmirësimin) e lidh me ndryshimin e këtyre kushteve që rrjedhin nga idetë e reja. Elita e një kombi, thotë ai, këtë detyrë parësore ka: Të formojë një opinion tjetër më të përparuar që të bëhet një hap përpara në qytetari dhe në formim të karakterit. Edukata e familjes dhe e shoqërisë, si edhe arsimimi, kultura, janë mjetet më të forta të formësimit të karakterit. Mid’hat Frashëri është idhtar i teorisë së mirësimit, si rrjedhojë më së shumti i ndryshimit të ideve, opinioneve, njëmendësive.
Qysh formohet karakteri? – pyet retorikisht Lumo Skëndo dhe përgjigjet: “Për të formuar karakterin, duhet, më parë se çdo gjë, të dimë të mirat dhe të metat e subjektit tonë, të djalit, të gruas, të burrit ose të popullit. Karakteri formohet me të shtuar të mirat, me të ushqyer virtytet, duke zmadhuar cilësitë dhe, nga ana tjetër, duke pakësuar, lehtësuar dhe zhdukur të metat… Është ajo vepër e përmirësimit, seleksionit moral…Vetëm vullneti i gjatë, mund që të sigurojë seleksionin, të arrijë qëllimin e mirësimit dhe të naltësimit”.
Lumo Skëndo e shtron kështu problemin:
A është karakteri çështje race, trashëgimie, temperamenti, rrjedhur prej klimës, vendit, mënyrës së jetesës, apo mpleksje e faktorëve moralë që dependojnë prej vullnetit dhe dëshirës sonë? A kemi ne në dorë të ndryshojmë gjë, të japim një shtytkë sipas nevojave tona, të ndërtojmë e të mirësojmë apo duhet të deklarohemi robër të mundur përpara fuqive të verbëta, përpara fatit, të pafuqishëm për të ndrequr dhe për të shëruar?
Dhe jep këtë zgjidhje:
Nëse pranojmë pikpamjen e dytë, në qoftë se bindemi që çdo send është i kotë dhe që s’duhet të përpiqemi për mirësim, atëherë nuk na mbetet tjetër, veçse të kryqëzojmë krahët përpara fatalitetit të mortjes. Duhet të pranojmë teorinë e mirësimit të njeriut, veprimin e vullnetit, të kushtëzimeve morale, efektin jo vetëm të përmirësimit të individit, por, edhe më tepër akoma, të shoqërisë, mbi forcën e ideve transformuese. Atëherë mund të mendojmë se si të ndryshojmë kushtet, qysh të krijojmë konditat e mira, qysh të bëjmë që të lindin shtytkat dhe veprimet mirëbërëse, për ta bërë natyrën njerëzore të jetë më e dobishme, pra, për veten e saj, që të jetë në harmoni me nevojat e jetës.
Sipas Lumo Skëndos, shqiptari ka shumë virtyte, po ka dhe shumë të meta. Ai zbërthen virtytet, por ndalet edhe tek të metat, si: karakteri i ashpër, kryelartësia (vetëkapërdisja, mosdurimi i kritikës), mosrespektimi i ligjit (pak i dhënë pas anarkisë), mospëlqimi i të punuarit, rendja pas nëpunësllëkut, sedra e madhe, kotësia etj. “Mjerisht, gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si misëroku me erë, dhe në ruzullim nuk sheh veçse vetëhen e tij…. Veçse Lumo Skëndo është për një ambicie që e çon përpara individin dhe kombin dhe jo për ambicionin që është motër e vëlla me kotësinë. “Kemi nevojë që të zgjojmë ambicion kombiar, një lidhkë solidariteti për çdo send që i takon kombit, racës, Shqipërisë. Këtë ndjenjë mund ta ngjallim, duke e bindur nxënësin se, vetëm duke u nderuar kombi, duke u lëvduar Shqipëria, duke qenë me famë dhe me zë të mirë çdo send që i përket Arbërisë, vetëm atëherë edhe çdo shqiptar, çdo njeri mund që të jetë i lëvduar dhe i nderuar si person; me një fjalë, duhet, që të vërë në shërbim të Shqipërisë gjithë ambicionin dhe aktivitetin e tij, që të marrë edhe vetë pjesën më të madhe dhe më të pëlqyer”. Ai i sheh zakonet, të mira apo të liga, të krijuara historikisht, por edhe rastësisht, të ngulitura në kanune, por edhe në opinione të rastit. “Zakonet, adetet, mënyrat e rrojtjes trashëgohen dhe respektohen vullnetarisht, jo me pahir, po me dashje. Thonë, se zakoni është më i fortë se ligji: Ligji inspirohet me fuqi. Kurse zakoni pranohet, duke dashur, shpesh herë edhe duke qenë i keq, i pakëndshëm dhe pa asnjë dobi për atë që i bindet. Pse, pra, i shtrohemi një tiranie dhe nuk na shkon mendja që të përndërkrehemi, ta rrëzojmë poshtë? Cila është fuqia që na shtrëngon? Duhet të dimë mekanizmin e zakonit, qysh lind dhe si vepron, që të mundim të jemi të zotër ta ndryshojmë, ta mirësojmë ose të krijojmë një të ri.
Filozofi Frashëri është idhtar i teorisë se, mirësimi apo ndryshimi i karakterit dhe i zakoneve, si rrjedhim edhe i marrëdhënieve shoqërore, vijnë nga ndryshimi i ideve, opinioneve, njëmendësive. Çdo ndryshim, sipas Lumo Skëndos, qoftë në jetën politike, ekonomike, shoqërore e morale, paraprihet e induktohet nga idetë, mendimet, opinionet e reja, progresive apo regresive. “Njëmendësia mund të nxjerrë në shesh një gjë të mirë, si edhe një gjë të dëmshme, thotë ai. Edhe në punën e bujkut, në atë të blegtorit që kërkon përmirësimin e racës, edhe në atë të politikanit apo edukatorit që kërkon mirësimin e njeriut, vetëm idetë e reja, sjellin ndryshime. Pa mendim, asgjë nuk lëviz përpara. Është fjala këtu për teorinë e ndryshimit ose të mirësimit, siç e quan Lumo Skëndo. Sa për ndikimin e ambientit, të kushteve materiale tek njeriu, apo shoqëria, ai nuk e mohon aspak këtë. Për shembull, kur flet për temperamentin e ashpër apo karakterin individualist të malësorit tonë, Lumo Skëndo e lidh këtë edhe me kushtet gjeografike të Shqipërisë dhe të mjedisit tepër të veçuar e të ashpër ku ai rron. “Mbase kjo është një e metë e rrjedhur prej çukave dhe maleve të Shqipërisë, – thotë Mid’hat Frashëri. Po, kushtet materiale kanë të bëjnë më tepër me konservimin, me qëndrueshmërinë e sendeve e të fenomeneve. Ato na mbajnë verbërisht robër të tyre. Kështu, për të zmbrapsur individualizmin primitiv të malësorëve, mendon Lumo Skëndo, duhet t’i mësojmë njerëzit të vijnë në pjekje me shoku-shokun për të zhvilluar cilësitë e shoqërimit dhe të solidaritetit. Kjo sigurohet me idetë e reja të lëvizjes së lirë të njerëzve, por edhe të ndryshimit të kushteve materiale, qoftë edhe ato gjeografike (mbledhjes së shtëpive të shpërndara në qendra të përbashkëta banimi, ndërtimi i infrastrukturës lëvizëse etj.)
Kushtet materiale që ndikojnë në formimin e karakterit, ai i përmbledh në faktorin “kohë”: “Pa ndihmën e kohës dhe të këmbënguljes, asgjë nuk bëhet në këtë botë”, shkruan ai.
Ndryshe nga rilindësit dhe mjaft bashkëkohës, Mid’hati jo vetëm zbulon plagët, diagnostikon sëmundjet, por edhe gjen ilaçin, shpëtimin, zgjidhjen.
Sipas M.Frashërit zhvillimi ekonomiko-social sjell zgjerimin e lirive dhe ndryshimin e karakterit e të zakoneve, por ai parapëlqen të qëndrojë në planet psikologjiko-moralë, për të dhënë rolin transformues të ideve në shoqëri. Po kjo është njëra anë e medaljes, – mendon Lumo Skëndo, ndofta po aq e rëndësishme, është plazmimi i tyre, mbruajtja e njerëzve, sidomos e të rinjve me ide të reja, përpjekjet e tyre për t’i vënë në jetë ato. Në këtë rrafsh, rol ka puna e intelektualit, veçanërisht puna e mësuesve, si mëkonjësit e diturisë, e të resë, e përparimit. “Për edukimin moral të popullit tonë, rolin kryesor e ka mësuesi, thotë Lumo Skendo. Detyra e tij është nga më të rëndat, por edhe ajo më e shenjta. Është një detyrë pa shkëlqim, pa kënaqësi materiale: gazin e ka në prehjen morale që ndjen mësonjësi, duke parë çdo mot djemt’ e vegjël që rriten dhe hyjnë në tufë të njerëzisë”. Misioni i tij është të mbjellë tek ndërgjegja e çdo nxënësi farët e ideve përmirësuese, ideve të reja që do të ndryshojnë jetën.
Detyra e edukatorit duhet të plotësohet me detyrën e çdo shqiptari, sidomos të brezave që vijnë:
“Për miqësinë që kemi bashkë, i dashuri im mik, tani dua prej teje një therori të vogël: të më shogrosh pesë minuta, çdo mbrëmje, pa të zënë gjumi. Dua që në këto pesë minuta të bësh një pyetje me vetëhen, të bësh një hetim në shpirt dhe zemrën tënde: Ç’të mirë bëre? Ç’të keqe punove? Kërko, rrëmo, shiko dhe vër re: do të gjesh edhe të mirat, edhe të metat. Përpiqu të shtosh të parat dhe të pakësosh të fundit, për kënaqësinë tënde, jo nga frika e ndokujt, as nga ndonjë shtrëngim, sprovo këtë ushtrim dhe, besomë mua, do të jetë një fuqi për frymën tënde. Pastaj, bëj këtë therori edhe në një shkallë më të gjerë: pyet vetëhen tënde, ç’të mirë i prure kombit dhe Shqipërisë, me ç’mënyrë u bëre i dobishëm për ta, nga ç’rasje dite të fitosh dhe cilat rasje të tjera të shpëtuan prej dore? Ç’dëm munde t’i prapsësh shoqërisë dhe ç’fitim u bëre i zoti t’i sjellësh? Ç’nder dhe ç’lumturi përpjekja jote u pruri vëllezërve që të rrethojnë dhe tokës që të ka ushqyer.
Pesë minuta për vetëhen tënde dhe pesë minuta të tjera për Shqipërinë, dëgjomë mua, nuk janë një therori e madhe”.