Nga Uran BUTKA/
Mërgimi i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar. Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit shqiptar dhe mbrojtjes së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]
Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen në SHBA të një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke formuar bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]
Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.
Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe taksat e papërballueshme.
Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që bënë gjatë këtij pushtimi.[3]
Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]
Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune, u përndanë edhe në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s etj. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]
Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.
Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.
Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]
Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.(Lexo me Shume en Diellin special te 100 vjetorit te Pavaresise)
*Marre nga Libri I autorit”Kristo Kirka”
[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002
[2] Kostandin Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960
[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002
[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906
[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika, 1937-1938.
[6] Po aty