Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore/
Shkruan: Uran BUTKA/
Regjimi totalitar godiste në thelb kulturën dhe artin e vërtetë, për të krijuar një kulturë e një art tendencioz të ideologjizuar, që t’i ngrinte himn pashallarëve të kuq, siç ndodhi me veprat klasore të socrealizmit.
Familja Pipa, një nga familjet më të kulturuara e më antikonformiste të Shqipërisë, u ndëshkua sepse nuk u bë palë me regjimin komunist. Mustafa Pipa, jurist i njohur, ishte anëtar i Gjykatës së Diktimit, kur kjo gjykatë qe e pavarur, në kohën e Zogut.
Myzafer Pipa, i biri, i lauruar për drejtësi në Padova, shkëlqeu si kampion i kulturës (drejtoi revistën kulturore “Fryma”), i patriotizmit (si antifashist, u internua nga fashistët në Ventotene dhe nga nazistët në kampin e Prishtinës) dhe sidomos i drejtësisë sublime. Ai mbrojti me guxim të paparë nacionalistët, demokratët dhe klerikët e pafajshëm që u dënuan nga gjyqet ushtarake në vitet 1945-46, duke iu kundërvënë publikisht Koçi Xoxes, Aranit Çelës, etj, por u arrestua dhe u torturua duke përdorur ndaj tij metoda barbare, si hekurin e skuqur në zjarr, me të cilin ia shponin trupin gjer në kockë, derisa vdiq në tortura. Vëllai i tij, Arshi Pipa, që ishte doktoruar për filozofi në Firence, pedagog në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit, nuk u pajtua me regjimin stalinist dhe kulturën konformiste soc.realiste. Ai u arrestua për lidhje me lëvizjen e Postribës dhe u burgos në burgjet e kampet e shfarosjes si në Burrel, Vloçisht etj., që i ka përshkruar në veprën “Libri i burgut”. Në vitin 1957, u arratis nga Shqipëria. profesor i filozofisë dhe letërsisë në disa nga universitetet më të njohur të Amerikës, Arshi Pipa, u shqua për krijimtarinë dhe studimet e tij shkencore në fushë të kritikës letrare, gjuhës e letërsisë shqiptare e botërore, të politikës, sociologjisë, publicistikës etj. Edhe pse larg vendit të tij, ai shikohej nga regjimi komunist si një armik i rrezikshëm, madje dhe kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, u eliminua, sepse, sipas akuzës së Enver Hoxhës, “bëri krushqi me mbesën e Arshi Pipës!”
Procesi i verbër i hakmarrjes primitive, i asgjësimit dhe tjetërsimit, në radhë të parë funksionoi ndaj familjeve të shquara fisnike dhe borgjeze, që mbështetën dhe u inkuadruan në radhët e Ballit Kombëtar, Legalitetit, apo Krerëve të Veriut.
Familjet e mëdha Lepenica, Muço, Dosti, Golemi, Ermenji, Quku, Hekali, Fratari, Cfiri, Bushati, Cakrani, Pali, Petrela e shumë të tjera, u ndëshkuan sepse ishin lidhur me Ballin Kombëtar; familjet Kupi, Çoba, Luli, Allamani, Mena, etj sepse ishin me legalitetin e kështu me radhë. Bie fjala, kreu i familjes Kazazi, Halit Kazazi, nacionalist dhe antikomunist, u pushkatua pa gjyq nga terroristët komunistë. Jup Kazazi, i lauruar për shkenca politike në Itali, dha dorëheqjen si ministër i fashizmit dhe luftoi kundër italianëve në betejën e Reçit, gusht 1943. Lider i rezistencës antikomuniste të Postribës, ai u vetëvra, i rrethuar në vitin 1946, për të mos rënë në duart e pushtetarëve komunistë. Bashkë me të u vra edhe i vëllai, Seit Kazazi, edhe ky i diplomuar për drejtësi, ish-komandant i batalionit ballist “Besnik Çano”, që luftoi në Kosovë, ku ra dëshmor edhe luftëtari i këtij batalioni, Hamit Troplini. Vëllezërit e tjerë, Zenel e Hamid Kazazi, u dënuan me burgime të rënda. S’mjaftoi me kaq, komunistët pushkatuan pa gjyq xhaxhain e tyre, Abdulla Kazazin dhe dajën, Rifat Koplikun. Rasim Kazazi vdiq nga torturat në qeli. Kushërinjtë Sabri, Bektesh dhe Bexhet Kazazi u dergjën burgjeve. Gjithë farefisi Kazazi u persekutua, u shpronësua, fëmijët u privuan nga shkollat.
Këtë fat tragjik pësuan edhe familjet që nuk pranuan të inkuadroheshin në Frontin NÇ, që s’ishte tjetër veçse PK e maskuar. Familja e Muharrem Bajraktarit, ndonëse nuk pranoi të futej në Frontin komunist, luftoi edhe kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve, edhe kundër komunistëve. Por pësoi fat tragjik. Vetë Muharrem Bajraktari, pasi rezistoi me armë deri në vitin 1946, u arratis nga Shqipëria, ndërsa i vëllai, Bajrami, i plagosur në përpjekje, u burgos dhe u pushkatua. Familja Kryeziu e Gjakovës, me Gani, Hasan e Said Kryeziun, bashkëpunoi me Lëvizjen NÇ pa u kyçur në Front. Por u godit dhe u asgjësua nga Forcat NÇ të Shqipërisë dhe njëkohësisht nga Forcat NÇ të Kosovës, kur kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve për të çliruar Gjakovën. Nga fisi i dëgjuar Gashi i Tropojës, u shqua sidomos Ramë Muja, që formoi një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri, por komunistët i shkaktuan tri vdekje njëherësh: e helmuan me anë të një gruaje, mandej të vdekur e çuan në një pritë dhe e qëlluan me armë, për të treguar se e vranë në përpjekje e jo me pabesi, mandej e varën në litar në Tropojën e vjetër.
E njëjta gjë ndodhi edhe me familjet e mëdha luftarake të Preng Calit nga Kelmendi, Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi, Ymer Bardhoshit nga Puka, Ndue Palit nga Dukagjini, Llazar Fundos nga Korça e të tjera familje që ndihmuan dhe derdhën gjakun e bijve të tyre në luftën patriotike kundër pushtuesve serbë, italianë dhe gjermanë, por që nuk u bashkuan me frontin komunist, sipas parullës totalitare: “O me ne, o kundër nesh”. Komunizmi i pushkatoi, i burgosi, i internoi krerët e shquar të këtyre familjeve të vjetra shqiptare, që kishin mbrojtur brez pas brezi trojet amtare dhe lirinë, ndërsa gratë e fëmijët i internoi në kampet e Tepelenës, Vloçishtit etj.
Dhe, nëse nuk i kurseu këto familje atdhetare dhe antifashiste, regjimi u tregua i pamëshirshëm kundrejt familjeve të atyre personave, që kishin bashkëpunuar me italianët apo me gjermanët, si Shefqet Vërlaci, Gjon Markagjoni, Mustafa Kruja, Kolë Bib Miraka, Halil Alia, Hysni Dema, Prenk Previzi, Vizhdan Risilia, Kadri Cakranit etj. Natyrisht, kolaboracionizmi është i dënueshëm moralisht e ligjërisht në çdo kohë, por përgjegjësia është personale. Mirëpo komunizmi e përgjithësoi këtë si fenomen dhe për një person damkosi e ndëshkoi brez pas brezi një familje me gjithë fëmijët e pafajshëm, persekutoi e njollosi një fis, një krahinë, një organizatë apo një parti, madje edhe Kosovën, për kolaboracionizëm. Kjo politikë antinjerëzore dhe antikombëtare i shërbente pushtetit të pakufizuar të komunistëve shqiptarë, por edhe interesave jugosllave në Shqipëri e Kosovë.
Kulmi i veprimtarive te ethshme të pushtetit komunist për të asgjësuar të djathtën shqiptare, ku bënin pjesë edhe familjet fisnike, ishte krijimi dhe funksionimi qysh në fund të
vitit 1944 dhe në vazhdim, i gjyqeve ushtarake, përvojë ruso-jugosllave.
Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore.
Mbas luftës u eliminuan gradualisht edhe ato pak familje fisnike që ishin bashkuar me Frontin NÇ, duke kujtuar që luftonin për një Shqipëri demokratike. Një pjesë e mirë e tyre u integruan në grupimet opozitare demokratike, për shkak të mendimit ndryshe, por edhe si reagim kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Po opozitë nuk u lejua, sepse ata që vepronin jashtë Frontit NÇ konsideroheshin armiq dhe asgjësoheshin menjëherë. Deputeti Gjergj Kokoshi, i lauruar doktor në universitetin e Parisit, atdhetar dhe demokrat i madh, që kishte vënë gjithçka për Luftën NÇ, ministër i parë i Arsimit pas luftës, duke deklaruar se “atje ku nuk ka pluralizëm, nuk ka demokraci”, përfundoi i vdekur në burgun e Burrelit, ndërsa 37 personalitete opozitare nga familje të mëdha, si Suat Asllani, Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari etj., u pushkatuan dhe u burgosën. Musineja, nga familja e shquar Kokalari, e para shkrimtare shqiptare, intelektuale me kulturë e vizion të gjerë demokratik, e diplomuar në Perëndim për Artet, themeluese e Partisë Socialdemokrate (tetor 1943), botuese e gazetës “Zëri i Lirisë”, deklaronte në gjyq:
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por unë në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënësja e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”.
Këtë fat pësoi edhe “Grupi opozitar i deputetëve”, që i pati fillimet në shkurt të vitit 1945.
“Regjimi i sotëm i Shqipërisë është një regjim totalitar dhe nuk është i përshtatshëm për vendin tonë për këtë arsye. Unë mendoj se Shqipërisë do t’i ishte përshtatur një regjim në formën e demokracisë perëndimore”, – deklaronte në gjyq Shefqet Beja, të cilin komunistët e varrën në litar.
Sheh Karbunara, atdhetar dhe klerik me kulturë, firmëtar i Pavarësisë, organizator dhe delegat në Kongresin e Lushnjës, mbështetës i luftës antifashiste dhe deputet opozitar, u pushkatua bashkë me të birin Hysenin dhe familja iu persekutua. U ekzekutua edhe intelektuali i shquar, shkencëtari dhe deputeti Selaudin Toto, themeluesi i Institutit të Shkencave në Shqipëri, përkthyes i Edit Durhamit.
Lufta e klasave njihte rritje dhe suksese të llahtarshme. Makineria e shtetit punonte me gjak. Shpikeshin armiq, agjentë anglo-amerikanë, sabotatorë. U varën në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, nga familje të shquara të Vlorës, po ashtu u varën në litar inxhinierët e mirënjohur Sulo Klosi dhe Riza Alizoti nga familje me histori.
Ata pinjollë të familjeve të njohura, që mbetën gjallë nga genocidi i viteve të para të Pasluftës, u asgjësuan gjatë gjithë periudhës së socializmit. Kulmi i këtij holokausti është masakra me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike.U pushkatuan pa gjyq e pa faj intelektualë që s’kishin lidhje me këtë incident, si Sabiha Kasimati, një nga gratë më të shquara të Shqipërisë, e para shkencëtare shqiptare, Pjerrin Guraziu, Jonuz Kaceli që e vranë në hetuesi, Zyhdi Herri, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo dhe Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Mehmet Shkupi, Gafur e Myftar Jegeni dhe Haki Kodra nga Dibra e Madhe e të tjerë dhe u groposën në mesnatë të lidhur me tela me gjemba në një gropë të përbashkët afër Urës së Beshirit.
Po ndalem paksa në familjen Jegeni, e cila ka dhënë kontribute në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuvendet e Dibrës dhe në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare me Shaqir beg Jegenin, Tefik beg Jegenin dhe Riza beg Jegenin. Nga kjo familje, më pas dolën edhe dy figura të shquara, Gafur dhe Myftar Jegeni, akademikë me studime të kryera në Itali, ushtarakë të ushtrisë kombëtare, që luftuan më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist, Gafurri në Vlorë dhe Myftari në Durrës me Abaz Kupin. Pas luftës, u tërhoqën në jetën private, sepse nuk donin t’i shërbenin regjimit komunist. I arrestuan të dy dhe i pushkatuan pa gjyq në vitin 1951 bashkë me 22 intelektualë të tjerë dhe familjet e tyre i internuan për 40 vjet. Absurditeti i persekutimit komunist ishte që, veç familjeve të tyre, u internuan edhe gjithë familjet e tjera të fisit Jegeni, falë zellit të dhëndrit të tyre, Haxhi Lleshit. Në vitin 1976, Presidenti i Republikës Haxhi Lleshi internoi në Mollas edhe gruan e tij Haxhire Lleshin (Jegenin) pas 40 vjetësh martese, bashkë me të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas së tij, duke dhënë kështu shembullin tipik stalinist sesi duhej bërë lufta e klasave në Shqipëri!
Familjeve të mëdha ua morën jetën, dinjitetin, por edhe pronat që i sekuestruan e shtetëzuan në mënyrë të paligjshme, madje edhe vilat e shtëpitë, ku u vendosën pashallërët e kuq. Ishte një faqe e turpshme dhe e llahtarshme vuajtja dhe poshtërimi nëpër burgjet komuniste, mjafton të kujtojmë Burrelin, ku mbaruan tragjikisht burrat më të shquar të kombit; Spaçin, ku shpërtheu revolta më e madhe e të burgosurve politikë, nga të cilët u pushkatuan katër martirët: Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, nga familje të njohura, si dhe u ridënuan qindra të tjerë; Vloçishtin (le të kujtojmë vetëflijimin e përgjakshëm të Sulejman Vuçiternës dhe murosjen e të pafuqishmëve në argjinaturën e kanalit e të burgosurve), kampin e Tepelenës (s’më hiqet nga mendja, këmisha e arrnosur e Gencit, djalit të Muharrem Bajraktarit. Ishim në një klasë në Tepelenë, ai vinte në shkollë në kulmin e dimrit këmbëzbathur, me llastika komardareje dhe vetëm me një këmishë gjithë arna në shtat, e qepur me fijet e flokëve të nënës së tij) dhe burgjet e tjerë, ku u aplikuan torturat më të paligjshme dhe ku humbën jetën në punë skllavëruese shumë persona nga familjet e mëdha, që as sot nuk u dihen varret. Në burgje aplikoheshin ridënimet “për agjitacion e propagandë”(!), në mënyrë që të dënuarit nga këto familje të mos dilnin të gjallë. Xhelal Koprencka, nga familja e shquar Koprencka, u ridënua pesë herë dhe në fund u pushkatua. Aplikoheshin rreth 12 lloj tortura çnjerëzore. Myzafer Pipës i çponin trupin me hekur të skuqur deri sa hekuri prekte kockën, gjersa vdiq, ndërsa Drita Kosturit i ranë dhëmbët dhe flokët nga përdorimi i elektroshokut e të tjera krime monstruoze.
Lufta e përbindshme e klasave goditi veçanërisht familjet e shquara të damkosura si reaksionare. Urrejtja klasore ndaj tyre dhe brezave të tyre krejt të pafajshëm, mori përmasat e tërbimit të ujqërve, siç shprehet Mid’hat Frashëri. Ndëshkohej çdo lidhje, qoftë edhe dashurore ndërmjet të rinjve me përkatësi të ndryshme klasore. Rasti më tipik, por edhe më i bujshëm, ishte qëndrimi ndaj vetë kryeministrit Mehmet Shehu, kur djali i tij u fejua me një vajzë nga familja e shquar Turdiu. Jo vetëm që u prish dhunshëm kjo lidhje, por kryeministri e pagoi me vetëvrasje ose vrasje, ndërsa e shoqja e tij u mbyll në burg dhe vdiq atje nga torturat. Një mësim për të gjithë të tjerët!
Fëmijët e familjeve të mëdha u privuan nga shkollat e larta, nga nëpunësitë, nga arti, madje edhe sporti, nga ushtria e rregullt, veçse në reparte pune. Kujtoni ata të talentuar nga shtresa jonë që sapo shkëlqenin nëpër shkollat e mesme, që për një gjest, për një fjalë apo për një varg, madje edhe për hiçgjë, përjashtoheshin nga shkollat ose burgoseshin, si Bilal Xhaferri, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Sherif Merdani, Maks Velo e qindra të tjerë, duke përfunduar me poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Lekën që u pushkatuan për disa vargje lirikë në vitet ’70, si dhe mësuesin e poetin e internuar Avzi Nelaj, që diktatura me firmën e Ramiz Alisë e vari ne litar në ditët që po jepte shpirt. Po nuk u kënaq me aq, e groposi vertikalisht në një gropë të thellë dhe sipër kufomës nguli një shtyllë betoni të tensionit të lartë, që të mos i gjendej as nishani!
Regjimi komunist vuri në punë edhe pseudoshkencën, si në gjithë vendet e Perandorisë të së Keqes. U mohua roli i trashëgimisë, i geneve, i traditës, u hoq nga shkollat lënda e gjenetikës dhe u goditën për vdekje familjet fisnike e trashëgimtarët e tyre, për t’i hapur rrugë kastës së njerëzve të nënshtruar, sejmenë e xhahilë. Në vend të evolucionit të natyrshëm, u ngrit në kult revolucioni i dhunshëm, në vend të arësyes u ngrit gijotina, në vend të qytetarisë u vendos bindja e verbër.
Dr. Mentor Petrela, një nga pinjollët e familjeve të shquara të Tiranës, më thoshte se një shkencëtar amerikan, duke studiuar ADN-në e Carit të Rusisë, të ekzekutuar nga bolshevikët, konkludoi se rusit të sotëm do t’i duheshin rreth 150 vjet për të arritur tek niveli i ADN-së së Carit. Goditja e lustrimi që iu bë trurit të kombit tonë nga komunizmi, si edhe ndërprerja e panatyrshme gjysmëshekullore e geneve, sollën një dëm të pallogaritshëm në qenien dhe jetën shqiptare, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot. Këtë e dëshmon më së miri tranzicioni i mundimshëm dhe me trauma i këtyre viteve të demokracisë, ku kanë dominuar mendësi e mendje jofisnike e joqytetare, idolatri e idhuj të rremë, të ardhur nga asgjëja.
Arsyeja është se u shkatërrua nga komunizmi sistemi i vlerave morale e qytetare të përpunuara nëpër shekuj dhe nuk është ngritur një sistem vlerash, mbi të cilat funksionon jeta dhe qytetërimi i sotëm. Jemi në një krizë ekzistenciale të vlerave, që i duhen individit dhe shoqërisë sonë për të qenë kohezive, e shëndetshme dhe e ekuilibruar brenda vetes dhe e integruar jashtë saj. Sistemi i vlerave humane orienton dhe shëndosh jetën individuale dhe shoqërore, ndihmon njeriun shqiptar që të bëhet fisnik e qytetar dhe mbron shoqërinë nga destruksioni i sotëm moral e shpirtëror. Sepse po shkohet kuturu, drejt një shkretëtire morale, ku po dominon arbitrariteti, shthurrja morale, abuzimi me pushtetin, përfitimi i paligjshëm dhe rasputinizmi. Deformimi moral i jetës së sotme shqiptare vjen nga goditja e braktisja që iu bë sistemit tradicional të vlerave njerëzore, por edhe nga mospërpjekja e sotme për të bërë të mundur gradualisht një sistem të përbashkët vlerash që kanë të bëjnë me humanizmin, identitetin shqiptar, respektin e ndërsjelltë, solidaritetin, tolerancën, altruizmin, etikën morale, bashkëpunimin, konkurencën e ndershme, korrektësinë kundrejt shtetit të së drejtës etj., veti aq të spikatura të personaliteteve dhe familjeve të mëdha.
Dora says
Ke haruar dhe nje nga figurat me te nderuara Kudret Kokoshin I cili ishte dipllomuar ne Itali,fati e deshte qe si antikomunist te arestohej nga komunistet dhe te denohet me pushkatim dhe me vone ju kthye ne burgim te perjetshem dhe beri vetem 25 vjet burg,cudi si e paske haruar ta permendesh kur keni dhe krushqi me te ….