Çohu Ali Pashë Tepelene të kam rixha…! Keshtu do të shprehej në një intervistë artisti i madh i Kombit shqiptar Kadri Roshi dhënë z.Pëllumb Tare.
Nga Keze Kozeta Zylo/
Sa herë do të degjojë grekërit e marrosur që flenë me ëndrra syhapur për të rrëmbyer Shqipërinë dhe veçanërisht për Jugun e saj do t’ju vë përballë Ali Pashë Tepelenën që e mbrojti me aq gjak e mund vendin e tij nga hordhite turke dhe bëri zap gjithë pretendimet shovene greke për Vorio Epirin. Janinë e bukur dhe shumë qytete të tëra të Greqisë ishin nën territorin shqiptar nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, ngase banoheshin nga popullsi autoktone shqiptare dhe flisin gjuhën hyjnore shqip.
Fashistët grekë të agimit të artë (të ndryshkur) guxojnë m’u në palcë të Shqipërisë në Himarë të ulërasin se qenka tokë e tyre dhe për atë do luftojnë ata. Pa me thoni bashkëkombas të nderuar se në cilin vend të Europës shkohet dhe bërtitet me të madhe se psh Janina, Sicilia, Parisi, Bukureshti, Beogradi janë pjesë e atyre që pretendojnë, se mund të ketë shumë grupe që pretendojne nën zë si agimi i artë, por nuk guxojnë kurrë ta bëjnë atë. Ndërsa në tokën time dhe tuajën vinë sikur të jenë zotër të shtëpisë pa jua bërë syri tërr dhe kërcënojnë se për Himarën do të luftojnë gjer në vdekje. A thua të jene kaq të guximshëm grekët e agimit të artë (të ndryshkur)? Ku e gjejnë gjithë këtë fuqi grekët e agimit të artë (të ndryshkur) të flasin nga ballkonet e Himarës se toka qenka e tyre, qenka greke? Më drithërohet shpirti kur dëgjoj ca çapaçulë grekë që me britma fashistësh duan ta marrin Himarën, duan ta rrëmbejnë, ndërkohe do të dëshiroja që ca gra trimëresha himarjote t’i qëllonin fashistët grekë me domate dhe vezë të prishura duke i nisur me bisht ndër shalë andej nga kanë ardhur. Ju drejtohem grave trimëresha se e kanë treguar kurdoherë vehten për ta mbrojtur kombin e tyre kur ka qenë nevoja, ju drejtohem atyre se shteti i tanishëm dhe ai qe do të vije së shpejti janë në gjum letargjik, ose ju kanë dhënë leje me pashë duke vjedhur tokën time dhe tuajën, duke ndërtuar dhe prishur varre shqiptarësh, duke vjedhur kockat e të parëve tanë dhe i pronësojnë si kocka të fashisteve grekë të agimit të artë (të ndryshkur). Le të kujtojmë për një çast varrezat e Kosinës që u dhunuan, prishën, shkatërruan dhe tani zotër të tyre janë fashistët grekë, le të kujtojmë Konsullin grek në Korçë Theodhoros Ikonomu i cili foli hapur fare, pa frikë pa ndrojtje, në 20 vjetorin e organizatës “Omonia” duke thënë: “Gjyshërit tuaj janë grekë, beteja jonë nis me regjistrimin e popullit grek që është prezent këtu…Ky quhet Vorio Epir, në Korçë ekzistojnë dhe kanë ekzistuar grekët”, është shprehur Theodhoros Ikonomu.
Le të kujtojmë shkollat greke që janë hapur në Boboshticë në Korçë dhe shumë vende të tjera të Shqipërisë, ku qeveria greke dhe agimi i artë veprojnë si në shtëpine e tyre, duke hequr gjuhën shqipe ose të mësohet vetëm një orë në javë, nderkohe s’rezulton asnje shkolle shqipe në Greqi, ndryshe themeluesit e shkollave shqipe do të dhunohen ose do të vriten pas shpine nga tërbimi nacionalist që kanë. Konventat ndërkombëtare duan t’i zbatojnë vetëm në vendet e tjera, ndërsa në tokën e tyre duhet të zotërojë vetëm greqishtja. Kurrë s’do të më hiqet nga mendja parakalimi i fashistëve të agimit të artë me flamurin grek pranë urës së Dragotit, urë që e kam kaluar mijëra herë për të shkuar në vendin e të parëve të mi Mezhgoran, urë që popujt përreth gjatë luftërave kurrë nuk i kanë lënë hordhitë të kalojnë, por aty kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Burrat si Fehmi Bej Mezhgorani, Asim Zeneli luftuan me pushkë dhe penë dhëmbë për dhëmbë me hordhitë barbare dhe dolën fitimtarë. por agimi i artë parakaloi në kohët e stome për të shkuar në Kërcyrë në manastir për të festuar përvjetorin e çlirimit të Greqisë. Ata shkuan pranë korifejve të Rilindjes, Frashëllinjve të cilët me siguri janë rrotulluar pranë varrit dhe Naimi ka kënduar vargjet si: Ishin trima prindit tanë/ Pa emrë përjetë lanë/ Aleksandr’i Math i ndjerë/ Dhe shumë shokë të tjerë/ Që ishinë me të të parë/ Qenë gjithë shqipëtarë/ Muntnë së pari Greqinë/ Pasdaj muntnë dhe Persinë/.
Thirrjet për luftë të qeverisë greke kemi një jetë që i dëgjojmë, thirrjet për helenizimin e popullit tim dhe tuajin kemi një jetë që po na rrinë varur mbi supe, dhe ne nuk jemi në gjendje akoma t’ju vemë kufirin tek thana të gjithë atyre që duan të zhdukin Kombin tim dhe tuajin, të gjithë atyre që duan të zhdukin identitetin tonë të shenjtë! Ndarja e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha në shekullin e kaluar, të cilat e bënë copë e çikë, është nje krim që akoma nuk është shlyer, është një krim që nacionalistët e tërbuar grekë, ZERVA Të DYTË që bënë karshi popullsise martire çame, po e përsërisin mu në zemër të Kombit tim dhe tuajit, ngase Shqipërisë po i mungon një Ali Pashë Tepelene dhe një Teutë Shqiptare!
Shqipëria ka nxjerrë shumë burra të shquar të cilët fatkeqësisht ca psudo…i kanë vënë në shënjestër duke i quajtur tradhtarë dhe antishqiptarë dhe çuditërisht ne prapë heshtim…
Por në rastin e fjalëve fashiste të agimit të artë (të ndryshkur) dhe konsullit grek Ikonomus, jo më kot e përmend Ali Pashë Tepelenën, ngase Ali Pashë Tepelena është ai që bashkoi një pjesë të madhe të trojeve shqiptare, dhe krijoi shtetin autonom shqiptar, që do bëhesh shëmbull i Pavarësisë, ishte ai që e kishte Janinën në zap, tashmë të agimit të artë (të ndryshkur) dhe konsullit grek dhe qeverise greke…!
Pa më thoni sot bashkëkombas të nderuar ku e keni Janinën, ndërkohe konsulli grek dhe qeveria që fshihet pas tij do të helenizojë gjithë Jugun e Shqipërisë duke e quajtur Vorio Epir?
Hej terroristë të agimit të artë, Konsull grek, dhe ju sahanlëpirësa pro tyre sipas mendimit tuaj fashist dhe të qeverise tuaj i bie që të jem dhe unë vorio epiriote meqënse jam nga Jugu, Mezhgorani i Tepelenës, shumë afër me Greqinë, dhe zotëria juaj dhe qeveria greke më përfshin dhe mua që qenkam vorio epiriote…
Po të drejtohem nga zemra e botës, nga New Yorku se unë, gjithë Shqipëria dhe Jugu që e keni aq për “zemër” është i gjithë shqiptar, ndërsa bashkëkombasit tuaj me origjinë greke që jetojnë në Shqipëri i ka respektuar dhe respekton ndoshta dhe më shumë se vetja ngaqë është tradita jonë e shkëlqyer e mikpritjes…Ndaj të them mos abuzo me mirësinë dhe mikpritjen tonë të traditës së lashtë dhe të shkëlqyer!
Nuk kanë vdekur akoma ata burra dhe gra të mençura të Kombit tim që t’i tregojnë vendin agimit të artë (të ndryshkur) dhe gjithë atyre që fshihen pas konsujve grekë dhe qeverisë greke e cila dhe pse e vdekur dhe e pakallur në varr ka akoma energji dhe forca të mendojë për të zaptuar trojet tona.
E që t’i ndalohet babëzia qeverisë greke e cila ka futur kalin e Trojës në tokën tonë me agimin e artë (të ndryshkur) dhe sahanlëpirësit në krye, i duhet një Ali Pashë Tepelene, një Bonapart Mysliman që siç ka thënë Aleksander Dyma, shkrimtari i famshëm botëror në gazetën e “L’Indipendentes” së 23 tetorit 1862 se Shqipëria, është populli që nxori nga gjiri i tij Pirron, Skënderbeun e Ali Pashën”.
Ndaj kur hordhitë greke ngulmojnë që të helenizojnë Jugun, do t’i drejtohem lutjes së artistit të Kombit Kadri Roshi që ka thënë:
Çohu Ali Pashë Tepelene të kam rixha…!
14Gusht, 2013
Staten Island, New York