Sokol Paja/
New York, 30 Prill 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” promovuan veprën e lënë në dorëshkrim nga Dalip Greca, editori epokal i “Diellit” (2009-2021). Me pjesëmarrjen e gjërë të familjarëve, vatranëve, patriotëve, veprimtarëve, miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, mediave e personaliteteve të botës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veprat publicistike-historike “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” dhe “Editorial” si botim ekskluziv i Federatës Vatra, e kthyen promovimin në një homazh, respekt dhe nderim të thellë për jetën dhe veprën e Dalip Grecës. Për 12 vite në gazetën “Dielli” dhe Federatën “Vatra”, Dalip Greca në mërgatën e Amerikës u bë zëri më i fuqishëm i çështjes kombëtare dhe pena më e prehtë e jetës komunitare. Ai do të mbahet mend për cilësi dhe virtyte të veçanta si patriot, si gazetar, si vatran dhe si atdhetar i shquar. Gjatë katër dekadave aktive në media, Dalip Greca ishte simbol i profesionalizmit, sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë, thjeshtësisë, përuljes dhe këmbënguljes. Dalip Greca për katër dekada punoi me integritet moral, qytetar e profesional, me kurajo, drejtësi dhe ndershmëri. Promovimi i veprës së editorit Dalip Greca, filloi me një dokumentar përgatitur nga Tv Kultura Shqiptare e Adem Belliut rreth jetës e veprës mediatike dhe komunitare të Dalip Grecës.
Në fjalën prezantuese editori i “Diellit” Sokol Paja deklaroi se studimi “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” është një vepër monumentale në historinë e “Diellit”, “Vatrës” e shqiptarëve të Amerikës. Dalip Greca e drejtoi “Diellin” për 12 vite dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e gazetës “Dielli” dhe Federatës “Vatra”. Libri përmbledh tërësisht veprat dhe kryeveprat e patriotëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës që shkrinë talentin dhe kontributin e tyre në “Vatër” e në “Diell”. Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Refat Gurrazezi, Bahri Omari, Qerim Panariti, Eftim Natçi, Andon Frasheri, Kostandin Çekrezi, Nelo Drizari, Xhevat Kalljaxhi e deri te profesor Arshi Pipa vijnë të skeduar mjeshtrisht në këtë botim. Dalip Greca si Editor i Diellit punoi, drejtoi dhe udhëhoqi me fanatizëm nën frymën e Nolit, Konicës, Floqit, Gurrazezit, Omarit, Kallajxhiut, Pipës e shumë intelektualëve të lartë që punuan dhe lobuan fort në shërbim të shqiptarisë dhe kombit tonë. Veprimtaria e gjërë e “Vatrës” e “Diellit” rrëfyer nga Dalip Greca si kronikan i kohës së lavdishme që shkroi e punoi, pasuron historiografinë tonë kombëtare dhe identitetin tonë kombëtar. Ai la pas një trashëgimi të shkëlqyer shkrimesh, hulumtimesh e kontributesh historike, mediatike, letrare, politike dhe publicistike. Nëpërmjet librit “Editorial” vijnë të paraqitura dhe të skalitura editorialet më me peshë në historinë 12 vjeçare të z.Greca që kanë mbajtur gjallë gazetën “Dielli”. Bien në sy shkrimet patriotike për Kosovën, Çamërinë, shqiptarët në trojet etnike e mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri “Editorial” i Dalip Grecës për nga mënyra e trajtimit të çështjeve, mënyrës së hulumtimit të fenomeneve, fakteve, dokumentave, analizës së fakteve, trajtimit dhe shfletimit të dokumenteve, perspektivës dhe vendosmërisë për t’iu shkuar deri në fund çështjeve që ngre, e bëjnë një botim me vlerë historike të patjetërsueshme në publicistikën shqiptare, theksoi ndër të tjera editori i “Diellit” Sokol Paja.
Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij theksoi se “Vatra” është krenare dhe “Dielli” po ashtu për shërbimin, përkujdesjen dhe mirësinë që mori prej Dalip Grecës. Dalipi ishte një ekspert i lartë i mediave, ishte një profesionist i veçantë edhe në fushën e historisë, të letërsisë dhe albanologjisë. Mënyra sesi i ka trajtuar çështjet në mënyrë shterruese Dalip Greca e bëjnë atë një gazetar shumë të veçantë në diasporën e Amerikës. Emri i Dalip Grecës do të jetojë përgjithmonë i lavdishëm në historinë e “Diellit” e të “Vatrës” si një patriot, profesionist, misionar i të vërtetës dhe dëshmitar i historisë së shqiptarëve të Amerikës e dishepull i përjetshëm i patriotizmës kombëtare shqiptare.
Recezenti shkencor i botimeve Dr.Paulin Marku u shpreh se ky promovim njeh publikun e gjërë me krijimtarinë e spikatur të z.Greca dhe punën e tij voluminoze në shërbim të “Diellit”, “Vatrës” e publicistikës shqiptare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Dr. Marku paraqiti për të pranishmit detaje të vlerës së botimeve dhe punës voluminoze për çështjen kombëtare shqiptare në krijimtarinë publicistike të Dalip Grecës. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij u ndal te njohja me Dalip Grecën, punën cilësore në gazetën “Dielli”, angazhimin, përkushtimin e punën e çmuar në Federatën “Vatra”, gjithashtu dhe kontributin në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Studiuesi Idriz Lamaj u shpreh se Dalipi e kthen lexuesin në vitet, vështirësitë dhe sakrificat e tyre, për krijimin dhe mbajtjen gjallë të “Vatrës” dhe të “Diellit”. Lexuesi i sotëm i këtij libri, jo vetëm që njihet në hollësi me jetën dhe veprimtarinë e Editorëve të “Diellit” në 110 vite histori por njihet në hollësi edhe me të gjitha zhvillimet historike në trojet tona në Ballkan, dhe natyrisht këtu në Amerikë. Njihet me varfërinë, vuajtjet e sukseset tona kombëtare. Në secilin shkrim të tij gjinden paragrafe, fjali dhe copa shkrimesh të editorëve të “Diellit”, perla tërheqëse ndjenjash atdhetare, që lexuesin e kthejnë në kohën e tyre dhe e bëjnë krenar me kolegët e tij, me editorët e “Diellit” 114 vjetësh të vjetër.
Sekretarja e “Vatrës” zonja Nazo Veliu në fjalën e saj u ndal te hulumtimet publicistike të Dalip Grecës në nxjerrjen në pah të figurave të rëndësishme të kombit tonë dhe rëndësinë e veprës publicistike e shkencore të Dalip Grecës. Dr. Preno Imeraj shpjegoi vlerat e njohjes me Dalip Grecën në Lushnje, kujtimet e kohës së vështirë të komunizmit dhe cilësitë e tij si qytetar dhe gazetar.
Zonja Mimoza Belliu shpjegoi punën me Dalip Grecën në arkivin e Televizionit Kultura Shqiptare, zonja Marjana Bulku veçoi profesionalizmin e Dalip Grecës dhe hapësirat që u dha të rinjve në “Diell” dhe në “Vatër”, zonja Kozeta Zylo rrëfeu bashkëpunimin e ngushtë me Dalip Grecën, punën me shkollat shqipe, dhe krijimtarinë e tij letrare dhe lëvrimin e gjinive publicistike duke e kthyer veprën e Dalipit të çmuar për të gjithë komunitetin shqiptar. Petrit Alibej kryetar i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besën dha mesazhe bashkimi e bashkëpunimi.
Miku i Dalip Grecës Mark Mrnaçaj rrëfeu emocionet e dashurisë së Dalipit për “Vatrën” e vatranët, miqësinë me z.Greca që në Lushnje, bashkëpunimin në New York dhe përkushtimin e Dalipit në “Vatër” e komunitetin shqiptar.
Djali i Dalip Grecës, Dorjan Greca në emër të familjes u shpreh me një fjalim prekës mirënjohjeje e falenderimi: “Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, Kryesia, Këshilli, anëtarët e saj, miqtë dhe kolegët e të ndjerit babait tonë, Dalip Greca, meritojnë një mirënjohje dhe falënderim të veçantë për punën e tyre në botimin dhe promovimin e kontributit të tij shumëvjeçar permes librave “Editorët e Diellit ne 110 vite histori” dhe “Editorial”. Sinqerisht, ndjehemi të nderuar e të respektuar që Federata “Vatra” botoi një pjesë të punës dhe veprës voluminoze së babait tonë. Babai do të na mungojë shumë, por kujtimet, mësimet, influenca dhe VEPRA e tij do të jenë gjithmonë këtu mes nesh, si frymëzim, burim inkurajimi dhe udhërrëfyes për të gjithë ne. Puna dhe misioni i Federatës “Vatra” janë me të vërtetë shembulli më i mirë. Përmes botimeve të veprës së babait tonë dhe kontributit të jashtëzakonshëm në “Vatër” dhe gazetën “Dielli”, “Vatra” po le pas gjurmë të thella në trashëgiminë kulturore të vendit tonë për brezat e ardhshëm” tha në mesazhin e falenderimit të familjes Dorjan Greca.
Promovimi vazhdoi gjatë me një koktejl të përgatitur nga familja Greca dhe shpërndarjen e librave për të pranishmit. Ky promovim ishte një nderim i lartë për Dalip Grecën, ikonën e shtypit të shkruar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veprimtarin, patriotin, vatranin, gazetarin, atdhetarin e shqiptarin e shkëlqyer që sot na mungon kaq shumë.
I përjetshëm kujtimi, amaneti dhe vepra e Dalip Grecës.
“Vatra” dhe “Dielli” falenderojnë fotografin e mirënjohur Bujar Verzivolli dhe Adem Belliun e Tv Kultura Shqiptare për pasqyrimin profesional të aktivitetit publicistik e patriotik.