nga Tonin Mirakaj/
U mbushën 25 vjet nga “Festivali i parë Shqiptar” mbajtë më 20 Tetor 1991 në Lehman College në Bronx New York, organizue nga Kisha Katolike Shqiptare, në bashkpunim me Ethnic Folk Arts Ceneter, Lehman Center for performing arts dhe Bronx arts Center. Suksesi që u arrit në atë Festival, bëri të mundur krijimin e një tradite të suksesshme, që gjeti përkrahje nga Qendrat Fetare dhe Komuniteti Shqiptar në përgjithësi.Festivali Shqiptar, që nga fillimi u bë një aktivitet kultural,që solli kënaqësi dhe u frekuentue familiarisht nga Shqiptarët, si asnjë aktivitet tjetër. Eshtë kënaqësi të shihen familje komplete me fëmijë, të rinj, të moshuar të gjithë sëbashku, të celebrojnë kulturën, folklorin dhe kostumet kombëtare, nga të gjitha trojet Shqiptare, që me mjeshtëri dhe profesionalizëm, paraqiten në Festival.
Përpara Festivalit të parë, të ftuar nga “Balcan Arts Center”, shqiptarët morën pjesë në “Festivalin e Arteve Ballkanike”, me rastin e 200 vjetorit të pavarësisë Amerikane, mbajtë më 8 Maj 1976, në “Dewitt Clinton High School” në Bronx, New York. Në kët Fesival,përvec shqiptarëve, nga Ballkani merrnin pjesë edhe komunitetet greke, dhe Jugosllave. Shqiptarët ishin shumë të sukseseshëm.Komisioni organizues i shqiptarve, kishte kryetar nderi Mons. Joseph Oroshi te Kishës Katolike, Mr. Abdullah Kaloshi nga Qendra Islame Shqiptare dhe Mrs. Evans J. Liolin nga Kisha Orthodokse.Pjestarët e komisionit ishin gjithashtu nga te tri qendrat. Dhjetë vjet më vonë, grupi i kërcimtave “Rozofati”, perfaqësoi Komunitetin Shqiptar në “Harbor Festival” që u mbajt në New York, me rastin e 100 vjetorit të “Statutit të Lirisë”, nga 4 deri më 6 Korrik 1986, ku mirrnin pjesë grupe nga më se 120 shtete të Botës.Edhe kësaj rradhe, ne shqiptarët, ishim të ftuar nga “Ethnic Folk Arts Center”.
Në verën e vitit 1991, në një takim në zyrën e Kishës Katolike “Zoja e Kshillit të Mirë”, dy miq të Komunitetit Shqiptar, që bënë të mundur pjesëmarrjen tonë në dy rastet e përmendura, z. Martin Koenig dhe zonjusha Ethel Raim, sugjeruen që të fillojmë “Festival Shqiptar” më vehte, meqense në atë kohë mendonin se i kishim mundësitë. Administratori i Kishës në atë kohë Dom Rrok Mirdita (sot Argjipeshkev i Tiranes dhe i Durrësit) ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj dhe bashkëpuntorët e tyre, aprovuen këtë ide, dhe zgjodhën një komision për këtë qëllim.
Komisioni filloj përgatitjet pa vonese. Caktoi daten 20 Tetor 1991. Rezervoi vendin në “Lehman Center for Performing of Arts”, identifikoj artistët dhe këngëtarët e komunitetit, siguroi kostumet kombëtare me ndihmën e zonjës Prenda Shala,si edhe orkestrën e nevojeshme.Mungonte eksperienca për organizime të mdha kësisoji, por nuk mungonte dëshira. U pregatit programi i rastit me një paraqitje historike të Shqiptarve në Amerikë, në të dy gjuhët, biografi të shkurta të perfomuesve të rastit, dhe u bënë lajmërimet e nevojeshme në mjetet e komunikimit të kohës.Grupi i kërcimtarve Rozofati filloj pregatitje nën drejtimin e koreografes profesionale, zonjës Shprea Uli, e cila kishte ardhur nga Shqipëria pak kohë më parë.Kjo u ndihmue nga Fran dhe Liza Shala. U vendos që të pregatiten edhe ushqime nga guzhina shqiptare, që të shijoheshin nga pjesëmarresit, Shqiptarë dhe Amerikanë, kështu që nga shitja e tyre mund të paguhet një pjesë e shpenzimeve, që nuk ishin të pakta, nga se hymja në festival ishte falas, pa pagesë.Pregatitja e ushqimeve u bë nga Shoqata e Prindërve, pranë Kishës Shqiptare që kryesohej nga zonja Vera Lekocaj.
Festivali i parë Shqiptar kaloi cdo parapamje, si në pjesëmarrjen masive të bashkatdhetarve, ashtu edhe në suksesin e plotë profesional në fushën folkloristike dhe tradicionale të artistëve popullorë Shqiptar, të cilet ekzekutuen një numër këngësh dhe vallesh shqiptare, nga krahina te ndryshme të vendlindjes s’onë. Moderatorët që drejtuen programin ishin zonjusha Jane Sugarman, profesoreshë e muzikës në Stony Brook college, dhe i riu Shqiptar z.Gjovalin Nikci, që të dy njohës të gjuhës dhe muzikës Shqiptare.Zonjusha Jane Sugarman po pregatiste në atë kohë tezën e doctorates, mbi muzikën popullore Shqipe.
Programi i Festivalit filloi në ora 6 të mbrëmjes. Në sallën kryesore merrnin pjesë më se 700 përsona, ndërsa disa qindra të tjerë u vendosën në sallën e kafeterisë, për të cilët u përsëritën pjesët kryesore të programit.Të gjith i përshkonte një atmosferë kënaqsie dhe gëzimi që dukej se prisnin prej shumë kohe, një aktivitet kësisoji. Akti i parë në program ishte “Kangë mbas krahi”, këndue nga artisti Mark Vulaj. Mbas këtij Zef Lucaj luajti melodi me fyell, dhe një këngë me lahutë. Këngëtarët të tjerë të përcjellur nga orkestra e vëllazërve Krasniqi, i kenaqën të pranishmit me një repertor të begatshëm nga folklori Shqiptar. Valltarët e rinj, të pregatitur pranë Kishës Katolike Shqiptare nga zonja Shpresa Uli dhe zonjusha Liza Shala, i dhanë Festivalit një pamje që mund të krahasohej me festivale në Kosovë dhe Shqipëri. Cdo akt, u duartrokit nxehtësisht nga pjesëmarrësit.
Mr. Bill Aguado, drejtor ekzekutiv i këshillit të Bronxit mbi arte, në mes të programit i dorzoj kryetarit të Festivalit z. Tonin Mirakaj, proklamaten e presidentit të Bronxit z. Fernando Ferrer i cili e shpalli 20 Tetorin 1991,“DITE E SHQIPTARVE NË BRONX”! Ky vlerësim solli duartrokitje dhe krenari për të gjithë.
Në festival merrnin pjesë personalitete të shquara të mërgatës Shqiptare si edhe shumë miq Amerikan. Në mes të të ftuarëve kryesorë, dallohej sekretari i Misionit Shqiptar në UNO, z Sokol Necaj me zonjën.Ishte kohë e tranzicionit në Shqipëri, dhe pjesëmarrja e z. Necaj paralajmëronte ndryshime që mirëpriteshin nga të gjithë.
Programi përfundoj me këngën “Shqipëri o Nëna ime”, këndue nga të gjithë përformuesit dhe
pjesëmarrësit në këmbë, në mes duartrokitjesh dhe një gëzimi e kënaqësie, që nuk mbahej mend se kishte ngjarë në ndonjë aktivitet më parë…….
Për realizimin e festivalit të parë, dhe festivaleve që pasuan,janë një numër aktivistësh që kanë bërë të mundur suksesin e këtij aktiviteti, që ka nderue komunitein Shqiptar në Amerikë.Të gjithë meritojnë falenderim dhe mirënjohje,që nuk mund të bëhet në një artikull të shkurtë.Në këtë rast, do permend tre persona: z.Mark Shkreli, z Ismer Mjeku dhe z.Fran Shala.Këta, që prej fillimit, kanë luejtë një rol vendimtar në organizimin dhe suksesin e festivaleve.
URIME DHE SUKSES FESTIVALIT TE 25-te!
Scarsdale,New York Tetor,2015
lekmirakaj says
S a mire qe kujtohen dhe rifreskohen ngjarjr qe kane shenuar jeten e komunitetit shqiptre.Shum shkrim i bukur