Të flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të atdheut, është një temë e vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, aq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim.
Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, por me qindra. Por, gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjen e historisë dhe figurave të saj.
Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër. Është përgatitur edhe një libër gjithëpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera, deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj, në të gjitha trevat e atdheut. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet tek pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor, për të gjitha viset.
Kemi evidentuar rreth 60 figura të tilla të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to! Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.
Ja disa prej tyre:
“Ptolemejtë ishin çamë” – shkruan Sami Frashëri në “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan Bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë.
Dihet nga të gjithë se strategu i Lashtësisë , Pirro, ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.
Kuriozitetet vijojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vet e kaloi në Çamërinë Jugore. Aty mori edukatën, frymën dhe guximin për të shkëlqyer më vonë si një shtetar i madh.
Kështu, toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam ka poetizuar:
Qysh ka qenë mëmëdheja?
Iskanderi si rrufeja…
Filipjadha nga Janina,
Që ka pjellë aq-ë trima…
Çam i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i Universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shekullit 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, dhe populli ynë i këndoi:
Gjithë rilindasit radhë
Nga Tahsini morën farë…
Rilindësja Dore d’Istria flet me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku ajo thotë se “Kam lindur në Pargë…dhe se nëna e saj i fliste me dashuri të madhe për atë qytet të bukur çam”.
Çami i famshëm Abedin pashë Dino është vlerësuar nga historio-grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atëhershme. Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit për çështjen Kombëtare. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.
E kështu, yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada. Sidomos në kapërcim të shekullit XIX e në dekadat e para të shekullit XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës.
Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat.
Shquajnë në folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame me e kulturën e patriotizmin e tyre shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam- internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e vise të tjera të atdheut. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në Luftën Nacionalçlirimtare.
Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra, ishin me origjinë nga Çamëria…
Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.
Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqitë e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:
Qaj Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë;
Ca Greqi, ca në Serbi,
Jinni këputur si zogjtë;
S’është e mirë ajo zoi,
Që jini ndarë me shokë,
Me ne do kini bashki,
Ësht’ e shkruar në Evropë…
Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim për pjesën tjetër të atdheut :
Qaj Metvegjë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë…
Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon:
Pa shikoni varret tanë:
Atje te trojet-ë çamë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e barit janë tharë;
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë;
Në buzët e detit Jon,
Ku gjaku i shqipes kullon…
Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shekullit XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh, në Vlorë. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij, ka një Çamëri e një Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës!”
Por kënga thotë:
Çamëri pushoje vajnë,
Se s’të lënë djeltë çamë,
E gjithë këta shqiptarë…
Por ka edhe shumë të rinj çamë që punojnë fort për iealin e kësaj pjese të Atdheut. Një nga këta është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur , Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmin e tij të zjarrtë, ka organizuar, ka sponsorizuar dhjetra aktivitete, takime, konferenca shkencore e sensibilizuese, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së çështjeve nacionale, siç është çështja çame, me të drejtëne saj themelore- atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë.
Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi Shqiperinë më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqëson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë të martirizuar.