George Tames me origjinë shqiptaro-amerikane.
Nga Kristaq BALLI
Historia e fotografisë shqiptare jo në pak raste na adreson në krijimtari që është zhvilluar plotësisht apo pjesërisht nga artistë fotografë shqiptarë apo me origjinë shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu ka ndodhur p.sh. me fotografët e shquar Gjon Mili, George Boria, Pero Kaçauni, Kristaq Sotiri, vëllezërit Manaki, etj. Por kjo krijimtari, ashtu si edhe aktiviteti i fotografëve të tjerë brenda Shqipërisë janë pjesë integrale e artit fotografik dhe kontributi i tyre, kudoqoftë, mbetet një gur kristali në mozaikun shumëngjyrësh e multikulturor global. Arti dhe kultura, në këtë rast e, veçanërisht, fotografia(edhe muzika e piktura), nuk kanë kufij gjeografikë, sepse gjuha e shprehjes së saj është universale, është imazhi pamor që “lexohet” e kuptohet lehtësisht në çast dhe gjithandej njëlloj, pavarësisht perceptimit e reflektimit vlerësues filozofik, social, profesional, estetik. Artistët e shquar kanë atdheun e lindjes, apo origjinës, ashtu siç kanë atdheun artistik Tokën dhe botën humane ku ata jetojnë e krijojnë.
Aty nga rrëzimi i shekullit XIX dhe lindjes së shekullit XX një valë emigrantësh ballkanas, midis tyre edhe shumë shqiptarë, iu drejtuan Amerikës, e cila, në ato dekada ishte në rrugën e ngjitjes dhe zhvillimeve të saj të shpejta ekonomike, industriale, shkencore e humane. Së shumti me qëllime modeste për të siguruar një jetë më të mirë për vete dhe familjen e tyre me punë të rënda e të rëndomta emigrantësh, nuk e përfytyronin se, pas një kohe jo shumë të gjatë, një pjesë e tyre do të integrohej me ambicje e dinjitet në shoqërinë amerikane, apo do të rreshtohej në elitën intelektuale që do të punonte jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për një kontribut të dalluar në dobi të vetë shoqërisë multietnike amerikane, e cila i vlerësonte dhe i mirëpriste, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Midis tyre, George Tames (Xhorxh Tejms), i lindur më 21 Janar 1919 në Washington D.C., i pari fëmijë i familjes shqiptare Tames.(By David Binder: From the New York Times, Feb. 24, 1994: “George Tames, Photographer, Dies at 75”) ( On Line, American people of Albanian descent; George
Tames. Në listën përkatëse të paraqitur aty George Tames qëndron i pari midis dhjetra personalitetesh të shquar me prejadhje shqiptare.) që vetëm para pak kohësh kishte emigruar në Sh.B.A., do të rritej, si për koincidencë me karierën e tij të gjatë si fotogazetar shumë i suksesshëm, në një shtëpi që ndodhej “nën hijen e Capitol Dome” (Kodrën Kapitol), pikërisht aty ku ai do të punonte thuajse për gjysmë shekulli për gazetën The New York Times dhe gazeta të tjera. Për shkak të përdorimit të vështirë të anglishtes, pasi edhe prindërit e ardhur rishtazi nuk e flisnin dot këtë gjuhë, George e pati të zorshëm edhe shkollimin. Po t’i shtosh kësaj edhe gjendjen rëndë ekonomike familjare, sidomos gjatë Depresionit të madh Amerikan të viteve ’30, si më i madhi prej tyre (ndonëse akoma adoleshent), por dhe me ardhjen në jetë të shumë fëmijëve të tjerë, nevojitej që edhe George të punonte për të ndihmuar familjen e madhe. Andaj, për këto arsye ai u shkëput nga shkolla në klasën X dhe shkolla e tij e vetme do të mbetej më tej puna dhe kultivimi e formimi autodidakt për të ecur me kurajo e dinjitet në udhën e jetës. Si një familje me mendësi fisnore ballkanase edhe jeta e Georges e ka kaluar këtë simptomë gjatë vegjëlisë dhe rinisë së tij duke respektuar kodet e saj ekonomike e sociale për një jetë të përbashkët patriarkale, ku ai konsiderohej e duhej të merrte rolin e shtyllës kryesore bashkë me babain për të përballuar jetën. Midis të tjerash ai e përhin të atin kështu “ Ai ishte një njeri i mirë. Ishte i fortë e i vrazhdë, ndaj ai nuk e kuptoi kurrë këtu lirinë pasi vinte nga një shoqëri pothuaj feudale në Shqipëri…”; “… babai im ishte një shitës ambulant me një karrocë dore dhe unë e lashë shkollën e lartë për të punuar.” (George Tames, Washington photographer for the New York Times, Interview # 1: Introduction to the Hill, Wednesday, January 13, 1988, p. 24-25)
Ndërkaq nënën e kujton me nostalgji si një grua tipike mesdhetare minoritare, shtëpiake të përkushtuar ndaj burrit, fëmijëve dhe shtëpisë së tyre, që priste çdo ditë kthimin e burrit nga puna e gjatë dhe e vështirë, me frikë në zemër nëse ai do të kish fituar diçka për përballimin e jetës së përditshme.
Në fakt, që kur ishte 8-9 vjeç, George ka filluar të punojë si çirak i babait të tij duke përgatitur e shitur pije freskuese nëpër shitësit e tjerë ambulantë të rrugës tregtare ku ata punonin.
Viti 1938, pra kur George ishte 19 vjeç, u bë për të vendimtari në jetën e tij, në të ardhmen e tij. Ai ia dedikon këtë një njeriu të quajtur Harold J. T. Herran, i cili sapo kishte hapur një zyrë për “Time” Inc. (Një kompani konglomerate mediash, K.B.) dhe me iniciativën e vet mori si korrier zyre Georgen. “Ky ishte fillimi. Një botë e tërë e re hapej përpara” (George Tames, Washington photographer for the New York Times, Interview # 1: Introduction to the Hill, Wednesday, January 13, 1988, p. 24-25) Vetëm në Dhjetorin e vitit 1939, pasi kishte dhënë prova fillestare, ai filloi të punojë ligjërisht në atë zyrë. Dhe meqë kjo punë kërkonte lëvizje të përhershme në mjedise e zyra mediatike, ai filloi gradualisht kultivimin e disa vetive e njohurive që i detyronte ky lloj profesioni. Ndërkaq George kishte blerë një aparat fotografik “Leica” dhe fotografonte çmundte, punonjësit e zyrës, ashtu si edhe poshtë e përpjetë. Sigurisht pa anjë mësim profesional, vetëm nëpërmjet provave praktike dhe gabimeve, madje duke hyrë edhe në dhomën e errët laboratorike për të realizuar printimet e fotove të tij nëpërmjet vëzhgimeve e intuitës.
“Gjatë luftës qëndrova në zyrën e Time-Life ku punova si fotograf për revistën “Life”. Ngutesha sa më shumë mundesha të dilja me fotografët e tjerë George Scatti, Tom McEvoy dhe të tjerë që vinin nga New York. I ndihmoja ata për të mbajtur pajisjet dhe ta bëja veten sa më të dobishëm për qëllimin e profesionit tim” ( Library of Hurry S. Truman, Missouri: Oral History of George Tames, June 11th 1980 by dr. Benedikti K. Zobrist)
Më pas ai filloi t’u propozojë e sugjerojë ngjarje të shkurtra reporterëve, madje filloi të shkruajë edhe vetë. “Rrugën për të shkruar – dhe unë ende shkruaj – ia detyroj ritmit të sistemit. Nëse më duket si rrjedhë e saj, unë guxoj…; fotografoja në Prince George’s County, ku disa studentë zezakë mësoheshin skematikisht dhe unë i dëgjoja ata…” (George Tames, Washington photographer for the New York Times, Interview # 1: Introduction to the Hill, Wednesday, January 13, 1988, p.34.)
Kështu, shumë shpejt, kishte filluar një erë e re në punën profesionale e krijuese të George Tames. Fotografitë e para të tij ishin ato të njerëzve të ndryshëm, të administratës presidenciale të asaj kohe, senatorë, kongresmenë dhe figura të njohura të politikës e jetës administrative në Capitol Hill, të realizuara fillimisht me drojtje, por që shpejt do të përcaktonin fushën e veprimtarisë së tij të mëtejshme.
Fillimet e punës së tij përkitën, gjithashtu, me angazhimin amerikan në Luftën e Dytë Botërore. Për shkak të saj shumë fotografë e reporterë të njohur amerikanë shkuan në Europë, Azi e Lindjen e Largët, në terren ku zhvillohej lufta, për ta pasqyruar atë direkt. (Kështu do të vepronte edhe fotografi tjetër i njohur shqiptaro-amerikan George D. Boria i cili shoqëroi si një prej fotografëve të parë zyrtarë komandantin e Shtabit Amerikan në Lindjen e Largët, Douglas McArthur në Japoni, Kore, Filipine…, ku qëndroi duke fotografuar deri në vitin 1961, K.B.). Pra një brezi më të ri fotografësh, midis të cilëve edhe George Tames, iu krijua një mundësi më shumë për të gjetur hapësira pune mediatike në Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 1945 ai, falë edhe disa cilësive e aftësive humane për t’u bërë shpejt i shoqërueshëm me çdo njeri, pavarësisht nga pozita e tij, për të krijuar lidhje e afinitet miqësor, për të qënë inteligjent, i hapur, i komunikueshëm e i besueshëm, për t’u përshtatur shpejt e natyrshëm me njerëzit e mjedisin, për prirjen e humorit dhe të shprehurit intuitiv ndaj personazhit apo situatës konkrete, për të guxuar e sfiduar, por edhe duke qëndruar e punuar shumë gjatë gjithë ditës së punës për të fiksuar çdo situatë politike ditore, si dhe duke mbajtur konspirative ato që dëgjonte e nuk duhej të merreshin vesh, ai shpejt krijoi pozicionin e vet komod midis fotogazetarëve të tjerë. Gjatë viteve që punoi për revistën “Time – Life” (1938-1945) ai konsolidoi vendin e tij të punës dhe krijoi në mjedisin politik të Capitol Hill personalitetin e tij intelektual e profesional dhe u kompletua me atmosferën e jetës së vërtetë politike që gëlonte në sallat e korridoret më të rëndësishme të politikës globale.“Unë bëhesha shumë miqësor me individë. Unë isha i aftë të punoja me ta, madje shumë herët. Bëja miq lehtësisht, dhe kështu krijoja konfidencën e tyre. Më e rëndësishmja, ata e shfaqnin këtë kur unë isha duke i fotografuar ata, sidoqoftë nuk u përmendja asgjë të të tjerëve. Si rezultat unë kisha konfidencën e anëtarëve.” (Po aty)
Gjatë viteve që punoi për “Time – Life” ai fotografoi dhe shkroi për shumë ngjarje, grupe njerëzish, individësh politikë, bëmash e faktesh të bujshme, skandalesh, rrymash, marrëdhëniesh e konfliktesh “djathtas, a majtas” duke krijuar një imazh interesant të profilit të tij profesional dhe duke qenë i mirëpritur e i vlerësuar nga qarqet politike të Washingtonit e sidomos të drejtuesve të kompanisë mediatike “Time-Life”. Fotot e kësaj periudhe i kushtoheshin kryesisht presidentit Rusvelt (1882-1945, presidenti XXXII për 4 mandate rresht 1933-1945). dhe administratës së tij. Presidenca moderne amerikane fillon pikërisht me presidentin Franklin Rusvelt, i cili i admironte dhe i shfrytëzoi shumë fotografitë dhe mediat e shkruara e radiofonike dhe, për më tepër, sepse ai konsiderohej si njeriu që fitoi Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë kësaj periudhe ai ka mbuluar pjesërisht fushatën elektorale të tretë (1940) dhe të katërt (1944) të Rusveltit si dhe disa konventa zgjedhore presidenciale në Nju York, Detroit, Washington, etj. Plotësisht me fushatat politike presidenciale dhe konventat zgjedhore ai ka filluar me kandidatin Harri Truman.
Kur ai vendosi të largohej nga kompania mediatike “Time-Life”, më 1945(vit që korespondon rastësisht edhe me vdekjen e presidentit Rusvelt), atij iu kërkua që të mos e bënte atë, madje edhe sikur të qëndronte edhe vetëm për pak kohë. Por ai e kishte vendosur. Dhe mori vendimin e mendjes së vet. Kështu do të fillonte një kapitull i ri, më i rëndësishmi, më i gjati dhe më vendimtari në jetën e tij profesionale, sociale e intelektuale, ngjarjet e të cilit do të zhvilloheshin, gjithsesi, në të njëjtin sfond, në të njëjtin arenë politike, por tashmë në favor të një tjetër organi mediatik, politikisht më prestigjoz, “The New York Times”. Puna si fotograf lajmesh e tërhiqte, megjithëse në atë kohë fotografët nuk lejoheshin të qarkullonin në korridoret e Kongresit. Por, shpejt, ai u lejua të bënte foto individuale të anëtarëve të Kongresit dhe, nga fundi i Luftës II Botërore, ai ishte nga të paktit fotografë që u lejuan të fotografonin presidentin. Foton e parë zyrtare ia ka bërë nënsekretarit të atëhershëm të shtetit Dean Acheson. Më pas ai realizoi shumë foto nga administrata e presidentit Rusvelt dhe nga Senati e Kongresi amerikan e, në mënyrë të veçantë ai mbuloi fushatën zgjedhore për mandatin e katërt presidencial të Rusveltit (si asnjë tjetër president në historinë presidenciale të ShBA-ve) si dhe të zv.presidentit Harri Truman, i cili u fitua prej tyre por u ndërpre në vitin 1945 për shkak se ai u nda nga jeta nga një hemoragji cerebrale.
Një cikël të madh fotosh Tames i realizoi gjatë funeralit të presidentit Rusvelt më 14 prill 1945, një pjesë e të cilave u botuan në “New York Times”
Harri Truman (1884-1972 presidenti XXXIII (1945-1953), që e mori presidencën menjëherë pas vdekjes së Rusveltit, në Prill 1945 dhe fitoi edhe një mandat tjetër presidencial më 1949, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë amerikane e botërore edhe nëpërmjet fotove të tij origjinale e autentike të realizuara nga George Tames, është personazhi apo subjekti kryesor i fotove dhe shkrimeve të shumta të tij. Ajo çka duhet theksuar është veprimi intuitiv e profesional që portreti i Trumanit të jetë fiksuar shpesh spontanisht dhe në koherencë të plotë me karakterin e temperamentin e tij shumë ekspresiv, gjestikulativ e karizmatik . Midis të tjerash, Presidenti Truman krijoi klubin “One More Club” dhe e konsideroi veten si president të tij . Ai ishte krenar me të. “Fotografët gjithmonë këmbëngulnin të shkrepnin ‘edhe një foto’. Kjo ndodhte në ditët kur përdoreshin filma 4×5 dhe llampa flesh. Fotografit më të shpejtë i duhej të paktën 6 sekonda nga një shkrepje në tjetrën, pra derisa çdo fotograf të bëhej gati për shkrepjen e tij mund të kishte skaduar koha në dispozicion dhe kështu mund ta humbisje shkrepjen. Ndaj ata luteshin edhe për një shkrepje (“one more”). Gjatë kohës së fotografimit duhej të bëje të paktën dy shkrepje, pasi një e vetme mund të rastiste që nuk ishte e cilësisë së duhur, pra ishte njëlloj sikur të mos kishe bërë asnjë. Kur në Shtëpinë e Bardhë vinin vizitorë ai i uronte ata formalisht dhe paskëtaj rrotullohej në mënyrë që t’ju krijonte mundësinë fotografëve për të bërë një foto të mirë. Ai ju thoshte vizitorëve: Këta janë miqtë e mi; janë anëtarë të “One More Club” dhe përveç se unë jam president i Shteteve të Bashkuara, jam edhe president i “One More Club”…dhe shtonte: meqënëse unë jam president i Shteteve të Bashkuara dhe kryekomandant i kombit më të fuqishëm në botë, unë nuk marr urdhëra nga asnjë, përveç fotografëve… pas mbarimit të mandateve presidenciale ndodhte që kur ai takohej me mua, më thosh: Si ia kalon, George? Si janë djemtë e mi? Si janë miqtë e “One More Club”?
Presidenti Truman ishte pa dyshim i preferuari i tij, pasi ai ishte i pari që i trajtoi fotografët me respekt e kujdes të veçantë. Tames i pëlqen të kujtojë faktin që Truman “i bëri fotografët e Shtëpisë së Bardhë qytetarë të klasit të parë” nga zhvendosja e tyre prej dhomës së vogël në krahun perëndimor e quajtur “kolibja e qenit” në të drejtën për të qëndruar në dhomën e shtypit. (Library of Hurry S. Truman, Missouri: Oral History of George Tames, June 11th 1980 by dr. Benedikti K. Zobrist)
Truman admirohet në fotot e realizuara nga G. Tames në “korridoret e fuqisë”, siç thuhej në momente tipike, duke shëtitur apo zbritur shkallët i shkujdesur duke tundur çadrën, apo bastunin e tij simbolik, etj.
Ndërkaq vetë Tames kishte një konstrukt të fortë dhe gjithmonë lëvizte ku mundej. Ishte mjeshtër i palodhur në tregimin e anekdotave e thashethemeve të shoqëruara me një të qeshur të ngjirur. Ky ishte një atribut personaliteti që ai e kishte të lindur e po aq të kultivuar dhe që e kishin bërë atë popullor jo vetëm me politikanët që ai mbulonte, por edhe me kolegët e vet.
Me presidentin pasues Ajzenauer (1890–1969, presidenti XXXIV i ShBA-ve, dy mandate 1953-1961) krijoi, gjithashtu, marrëdhënie të mira. George Tames, midis dhjetra fotosh të tij dhe administratës presidenciale e politike të kohës, e lidh fakti që ai (presidenti, K.B.) zgjodhi si fotoportrete zyrtare dy foto të realizuara nga ky fotograf (David Dinder: George Tames, Photographer, Dies at 75, The New York Times, Feb. 24, 1994), ndërsa një e tretë u stampua më vonë, më 6 gusht 1970 në një pullë postare prej 6 cent të dizenjuar nga Robert Geissman për nder të këtij presidenti. (Roger S. Brody, May 18, 2006.)
Në vitet 1953-54 për shkak të disa problemeve të pazakonta lidhur me superprodhimin e drithrave në Teksas, George Tames shkoi aty për të verifikuar situatën dhe realizoi një set fotografish shumë interesante, në qendër të të cilave ishin fermerët, punëtorët, makinistët, peizazhet e fushave të grurit, të përshkruara nga një frymëzim lirizmi e perceptimi plot ndjenjë respekti e pathosi njerëzor. Janë fotografi të përkryera, që ndonse të bëra në kushte natyrore ditën e natën, shprehin aftësitë dhe perceptimin e talentuar, por edhe përvojën e kultivuar gjatë viteve që ai iu përkushtua fotografimit jo vetën si një profesion i rëndomtë për të siguruar jetën e familjes së tij, por edhe si një aktivitet me synime protagonizmi në këtë fushë po aq artistike, sa edhe politike e sociale që ai iu përkushtua. Ato janë një prurje e mrekullueshme profesionale, artistike e tejet origjinale të George Tames.
Në vitin 1961 një tjetër udhëheqës hyn në zyrën ovale– Xhon Kenedi (1917-1963, presidenti XXXV. Qëndroi si president nga 20 Janari 1961- 22 Nëntor 1963) Për George Tames kjo periudhë shënon kulmin e suksesin më të madh në veprimtarinë e tij si fotogazetar, kur ai u bë botërisht edhe më i famshëm. Midis qindra fotove apo fotoreportazheve për New York Times, një prej tyre veçohet, jo vetëm se ajo ka thyer çdo skemë imagjinate dhe “kanuni” fotografik ndaj një presidenti, por edhe sepse do të ngjallte komente e interpretime nga më të ndryshmet për simbolikën që ajo mund të reflektonte edhe në ditët tona, qoftë edhe nga emërtimi i saj sensacional. Ajo titullohet nën diçiturën “Puna më e vetmuar” (në botë) dhe ka në qendër figurën shpinore të presidentit Xhon Kenedi në formë siluete, të përkulur mbi tryezën e tij të punës, që vizatohet grafikisht kundër dritës natyrale e cila vërshon nga dritaret e mëdha të faqes jugore të zyrës ovale. Fotoja është shkrepur më 10 Shkurt 1961, një muaj pasi Kenedi kishte filluar punën aty.
Rreth kësaj fotoje ka opinione e interpretime nga më të ndryshmet e sensacionalet. Kollen Walsh, shkrimtar i stafit të Harvardit shkruan: “Imazhi bardh’ e zi është po aq i njohur sa edhe ikonike. Fotoja e zyrës ovale shpreh vetminë dhe solemnitetin e presidencës së ShBA-ve dhe ndjenjën dërrmuese që Xhon Kenedi i ri mbante peshën e kombit mbi shpinën e tij të sëmurë…, ajo shfaqet gjithashtu edhe si simbol i presionit të krizës së raketave kubane që do të zgjaste edhe më shumë se një vit…”
Por, gjithashtu, “Ishte Kenedi i cili realisht krijoi idenë e “foto op” (photo opportunity-një standard që i lejonte fotografët të shkrepnin sa më shumë foto gjatë prezencës së tyre në zyrën presidenciale, si një mënyrë modelimi apo kompozimi sa më perfekt të portretit të tij. Ai e rrethonte veten me fotogazetarë si George Tames nga New York Times, Stan Tretick nga revista Look dhe Paul Shutzer nga Life të sigurt se ata kishin lejën ekskluzive gjatë fushatës së tij”.) si një mënyrë e perfeksionit të imazhit të tij.
Vdekja tragjike e Xhon Kenedit më 1963 e obligoi zv.presidentin e tij – Lindon Xhonson (1908-1973, presidenti XXXVI i SHBA-ve 1963-1969) të marrë frenat e shtetit. George Tames thosh se ai e kishte mik Xhonsonin që kur ishte senator . “Mund të bëja shaka me të apo t’i tregoja ndonjë skandal që dëgjoja ose mblidhja rreth Hill (Capitol Hill) dhe t’i tregoja anekdoda dhe ai do të qeshte.” Por kur vinte puna për fotot e botuara në New York Times ai i kritikonte dhe e fajësonte fotografin nëse ato nuk i pëlqenin. Xhonson shprehte interes të veçantë për t’u paraqitur në The New York Times sa më mirë, kështu ai u përpoq që t’u sugjeronte e kultivonte fotografëve dhe reporterëve këtë syninm estetik të tij. “Tames fotografoi në mënyrë brilante esencën e Lindon Xhonsonit. (May 28, 2009, Lyndon Johnson and the “Johnson Treatment” The New York Times: By JILL ABRAMSON, Published: April 24, 2002: Robert A. Caro: The Years of Lyndon Johnson, master of the Senate)
Vitet e mëtejshme karakterizohen nga zhvillimi eksponencial i një tjetër teknologjie të informacionit mediatik – televizionit, i cili ndryshoi shumë “kanune” tradicionale të fofogazetarisë. Mbërrijmë, kështu në vitin 1969, vit në të cilin zyrën ovale do ta zotëronte për rreth 5 vjet Riçard Nikson ( Richard Milhous Nixon, 1913 –1994, presidenti XXXVII i Shteteve të Bashkuara) Rreth një interviste dhe disa fotove që George Tames i ka bërë Richard Nikson-t në Çikago (kur ai ende ishte senator) gjatë fushatës së tij elektorale për zv.president, njihemi me ngjarjen se si Nikson e ka ftuar Georgen për të ngrënë bashkë mëngjesin e të bisedonin më gjatë e miqësisht rreth situatës dhe të tatimit të parashikimeve të mundshme rreth kandidatëve. Nikson ishte një njeri zhbirues dhe fotoreporterët ndjenin se ai kishte qejf të fotografohej dhe krijonte mundësinë që t’i joshte ata. Tames realizoi shumë fotografi kujtimore të Niksonit gjatë karierave të gjata që ata patën.
Xherëlld Ford, presidenti pauses i Niksonit, (Gerald Ford , 1913-2006, presidenti i XXXVIII i ShBA-ve, 1974-1977) si gjithë presidentët, do të bëhej “viktimë” e fotografimit. Ai ishte një nga sportistët më të mirë të kohrave në Shtëpinë e Bardhë.
Xhimi Karter (Jimmy Carter, 1924, president i XXXIX i ShBA (1977-1981) i bëri një ofertë George Tames për t’u bërë fotograf i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij, por George nuk u interesua për këtë ofertë. Nga ana tjetër Senatori Humphrey thosh se nëse mund të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, George Tames do të jetë fotograf i Shtëpisë së Bardhë. (Online: From the Congressional Record Online via GPO Access : A TRIBUTE TO GEORGE TAMES)
Ronald Regan (Ronald Reagan, 1911-2004, presidenti XXXX i ShBA-ve me dy mandate 1981-1989) Ka mbërritur një etapë që fotografët të mos kenë akses të pakufizuar tek presidentët, shumëllojshmëria e fotografëve të Shtëpisë së Bardhë, gazetave, revistave, rrjetet televizive dhe stacionet private e kanë bërë shumë të vështirë e të pamundur realizimin e fotove, madje edhe kur bëhet marrëveshje për të marrë nga koha e presidentit qoftë edhe 5 minuta për këtë qëllim. “Ky është një show fantastik, ka aq shumë prej nesh, sa nuk mund të të lenë të kryesh misionin dhe dështon,” thosh George Tames në atë kohë.
(By Gary Haynes, Inquirer Graphic Arts Director Posted: July 13, 1986)
Regan, sidoqoftë, ndjehej jo fort komod me këtë lloj fotografie. Fotografët me vështirësi mund të bënin vetëm një shkrepje, e mirë, apo e dobët; e botueshme apo jo.
Mundësia më e mirë për të fotografuar presidentin ishte gjatë udhëtimeve e vizitave në evente të ndryshme. Por edhe aty, “kur ne arrinim, çdo spot televiziv ishte realizuar. Ne gjithmonë përpiqeshim dhe “luftonim” minutën e fundit dhe nuk mund të pretendoje të bëje dot ndonjë foto të mirë…” (George Tames, Washington photographer for the New York Times, Interview, 1988)
Fotot dhe videoklipet për presidentin Regan janë më shumë rezultat i një “foto op” i ekipit të Shtëpisë së Bardhë. Këtij qëllimi i shërbeu formimi nga G. Tames dhe Michael Evans (një fotograf i Shtëpisë së Bardhë) i një grupi fotografësh të cilësuar si “Turfbuilders”. Qëllimi i këtij grupi të themeluar me “bekimin” e presidentit Regan ishte mbulimi i udhëtimeve presidenciale jashtë shtetit.
Xhorxh H. W. Bush (GEORGE H.W. BUSH është presidenti XXXXI i ShBA-ve 1989-1993) Fotot e realizuara nga George Tames për presidentin Bush shënojnë përfundimin e karierës së tij profesionoale dhe janë bërë nën trysninë e një “privimi” dhe censure të rreptë proceduriale, për arsye të sigurisë fizike dhe rrethanave politike të kohës.
Dhe kështu, pas një pune të gjatë e intensive, por edhe shumë produktive e gjurmëlënëse, në vitin 1986, George Tames, zyrtarisht, del në pension. Dekada të tëra pune gjeneroze, pasionante, përkushtuese, protagonizmi profesional, inovativ, artistik, që do t’i linin kapitujve të historisë politike të Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë, por edhe asaj botërore dëshmi autentike të panumërta pamore të 10 gjeneratash presidenciale, përmbylleshin nga ligjet natyrale të jetës biologjike, të cilat edhe aq ishin treguar shumë bujare ndaj soliditetit e energjive të tij fizike e shpirtërore. Kjo ngjarje u shoqërua me aktivitete të panumurta festive, takimesh e celebrimesh zyrtare e private, në shenjë vlerësimi e mirënjohjeje ndaj kontributit të tij të gjatë në fotogazetarinë kontemporane amerikane. Në këto tubime përshëndetëse ishte sërish karakteri i zhdërvjellët, shpirti i tij human i ripërtërirë, stoik, çiltërsia dhe humori i tij nativ, aftësia për të krijuar situata të ngrohta e plot humor me dhjetra e dhjetra kolegë, miq e politikanë të lartë, epiqendra e krijimit të një atmosfere të paharrueshme miqësore, që u pasqyruan gjerësisht në shtypin e kohës dhe kujtohen edhe sot me nostalgji si një model i tipareve të tij njerëzore.
Por edhe pas daljes në pension, ai nuk heshti. Ai vijoi të punojë si fotograf i lirë, kryesisht për revistën “Times” (Gazeta CHICAGO TRIBUNE), si dhe kudo ku e thërrisnin dhe e ftonin, qoftë edhe për pasionin e jetës së tij. Edhe nga kjo kohë ai ka lënë shumë foto emocionuese të karakterit privat e familiar, veçanërisht me miqtë e familiarët e vet. Në pinakotekën e tij zenë vend edhe shumë foto artistësh, shkencëtarësh, sportistësh, muzikantësh, si dhe shumë peizazhe, natyra të qeta, fotografi intime lirike, etj.
Por angazhimi kryesor i tij menjëherë pas pensionimit ishte shkrimi dhe botimi i librit të tij autobiografik “Eye on Washington: the Presidents Who’ve Known Me” (“Një sy mbi Washington: Presidentët që më Kanë Njohur Mua”) (28.11.1990, 1st edition, Publisher: Harper Collins Publishers, page: 159.)
. Libri, ashtu si edhe dy intervistat e tij gojore të regjistruara nga Senati në vitiet 1980 dhe 1988 e të hapura për publikun, përbëjnë një retrospektivë biografike të jetës dhe aktivitetit të tij profesional e intelektual në Shtëpinë e Bardhë. Ato janë refleksione, kujtime, përvoja, sprova të inteligjencës së tij, të pikpamjeve të tij, të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të tij me njerëz, figura e ngjarje të rëndësishme historike, politike, profesionale e shoqërore të kohës për më se 40 vjet dhe krijojnë një tablo shumë interesante mbi raportet e George Tames me arenën e ngjarjeve të mëdha të gjysmës së dytë të shek. XX.
Një fenomen tepër interesant i fotografive dhe fotogazetarisë së kompanisë “Times” dhe gazetës “The New York Times”, në mënyrë të posaçme për dhjetra e dhjetra fotografë që kanë punuar për këtë organ për dekada tëra përbën i ashtuquajturi “Morgu i Gjallë”. Morgu i Gjallë, që u pagëzua si i tillë, përbën arkivën më të madhe mediatike e fotogazetareske të “The New York Times” –it, e krijuar në fillim të shek. XX, pak kohë më pas fillimit të punës së fotografëve me foto, negativët e tyre, shkrimet dhe publikimet e ekipit të kësaj reviste për më se një shekull. Nuk mund të parashikohej që me zhvillimet eksponenciale të fotogazetarisë, sidomos pas viteve ’40 të shek. XX kjo arkivë do të rritej aq shumë sa disa herë të zgjeronte mjediset për shkak të pamjaftueshmërisë hapësinore të tij. Gjithashtu nuk u imagjinua që funksioni dhe roli i tij në kohët e sotme të ishte aq i çmuar e një minierë aq e pasur referencash për ngjarje dhe personazhe të rëndësishëm historikë, politikë, dokumentarë, fotografikë. Simbolika e “morgut” si një mjedis vdekjeje e nekrologjish do të ndryshonte kuptimin e tij etimologjik duke u shndrruar në një mjedis i gjallë, jete, aktiviteti, vonë, kur koha dhe gjeneruesit e tij-gjurmuesit, kërkuesit, studiuesit, hulumtuesit u futën aty për të “ringjallur” e shpalosur historinë e shoqërisë amerikane nëpërmjet dokumenteve e fotove, sidomos ato të pabotuara, që do të evidenconin sidomos pjesë të panjohura e shumë mistere mediatike të “Times”-it. Midis të tjerash ai shërben edhe për kërkime nekrologjike. Pas qëndrimit mbyllur për rreth më shumë se 100 vjet, me urdhër të Kryebashkiakut John Lindsay, u bë e mundur hapja e tij fillimisht për gratë në vitin 1970. (Morgu i Gjallë u krijua nga një ekip që përfshin Nic Barajas, Jennifer Brook, David W. Dunlap, Darcy Eveleigh, Lacy Garrison, Jake Guevara, Meaghan Looram, Heena Ko, Ben Koski, Kerri MacDonald, Alexis Mainland, Jim Mones, Alessandra Montalto, Bill O’Donnell, Jeffrey Roth and Patricia Wall.) Sipas The New York Times, kjo arkivë pëmban 10 milion foto, video, dhe 300.000 thasë me negativë e dokumente të tjera mediatike që datojnë prej fundit të shek XIX. (Shpesh ky numër është i diskutueshëm) (The Lively Morgue, The New York Times Photo Archive Tumblr, by EDW Lynch at 12:19 pm on February 28, 2012.)
George Tames, si një prej fotogazetarëve më jetëgjatë e më të suksesshëm në “New York Times”, për fat, qysh në fillim të këtij projekti afatgjatë rizbulohet e afirmohet si i tillë me një numër fotosh shumë interesante që shumohet nga koha në kohë e që e kompletojnë fizionominë e tij prej fotografi, historiani e politikani viziv, por, pa dyshim edhe artist i klasit të parë. (Gazeta Los Angeles Times).
Fotografia e fundit zyrtare e George Tames konsiderohet ajo e Warren Christopher(1993), sekretari i gjashtëdhjetetretë i shtetit. (NEWS: George Tames; N.Y. Times Photographer, February 26, 1994)
Më 23 Shkurt 1994, gjatë një operacioni kardiak, zemra dhe drita e jetës së George Tames shuhet përfundimisht në moshën 75 vjeçare. Por drita e shpirtit, aktivitetit dhe veprës së tij profesionale, intelektuale e krijuese mbetet e ndezur përjetësisht dhe rrezaton në gjithë brezat e ardhshëm, nëpërmjet dëshmive vizive me një kontekst të shumëfishtë human, politik, historik, artistik. Jehona e dhimbshme e vdekjes së tij fizike në institucionet publike, shtetërore e shtypin e asaj kohe, por edhe më pas ishte e kumbueshme në memorjen e qarqeve fotogazetareske dhe politike, notat mbizotëruese të së cilës, gjithsesi, mbetën ato të humanizmit të thellë, të karakterit të tij prej xhentëlmeni fisnik dhe, sidomos, të mirënjohjes për kontributin e paçmuar që ai i la historisë dhe shoqërisë amerikane.
Me këtë rast gazetat dhe revistat më të njohura të Washingtonit dhe New Yorkut botuan shkrime e artikuj të panumërt, ku veç dëshpërimit shpirtëror, ndriçohej suksesi i padiskutueshëm i veprës së tij dhe i personalitetit të tij superior.
Gjatë kohës së punës, aktivitetit dhe krijimtarisë së tij fotografike e fotogazetareske, por sidomos pas vdekjes së tij, deri në ditët e sotme, me punimet dhe veprat e George Tames janë çelur me dhjetra ekspozita vetiake, si dhe ekspozita kolektive të dimensioneve të rëndësishme historike, politike, humane, artistike, çka dëshmon se krijimtaria fotografike e tij ishte e një rëndësie të veçantë jo vetëm pragmatiste, por pa kufij kohorë e etapash historike, universale. Kjo për disa arsye: ai mbetet një nga fotografët më jetëgjatë në profesionin e tij, të cilit i atribuohen më shumë se katër dekada në funksionin e fotografit “prima” në Shtëpinë e Bardhë presidenciale amerikane të revistës më të njohur amerikane The New York Times. Ai e konsolidoi këtë vend të privilegjuar në Shtëpinë e Bardhë falë punës, qëndrueshmërisë së tij, aftësive të tij intelektuale e profesionale, këmbënguljes tipike të një karakteri integral konsekuent, kërkues, ambicioz, durimtar, dashamirës, fisnik, karizmatik, inteligjent, inovativ plot kolorit. Si asnjë fotograf tjetër, ai realizoi në mënyrë të pandërprerë korpusin fotografik të dhjetë presidentëve amerikanë, zv.presidentëve dhe stafit administrativ të presidencave të tyre. Ky opus imazherik përbën një pasuri të pakrahasueshme e autentike, një precedent superior dhe një eveniment të rrallë veprimtarie vetiake, që mbetet një rast i vetëm unikal në historinë mediatike të Shtëpisë së Bardhë. Shumë prej fotografive të tij përbëjnë dëshmi vizive shumë të rëndësishme e domethënëse për historinë e ngjarjeve politike e historike amerikane e botërore të gjysmës së dytë të shek. XX. Dhjetra punime të tij fotografike mund të konsiderohen me plot gojë edhe si vepra artistike të një fotografi të pajisur me intuitë e talent gjenuin, por edhe të kultivuar gjatë veprimtarisë së tij profesionale e artistike 50 vjeçare. Arkiva fotografike e George Tames do të vijojë të mbetet një bllok i madh pamor, një sy i mprehtë i së kaluarës dhe i reflektimeve të ardhme të shoqërisë amerikane.
Këto janë disa nga arsyet që ekspozitat kushtuar krijimtarisë së George Tames janë çelur në disa prej institucioneve më të rëndësishme muzeore, arkivore, politike e kulturore amerikane dhe kanë lënë jehonë të kumbueshme sociale e humane.
Ekspozita e fundit është ajo e Bibliotekës “Henderson”, e cila u çel (1-28 Shkurt 2013) për nder të fjalimit të fundit të ish presidentit Xhimi Karter dhe zonjës së parë Rozalin Karter, si dhe në respektim të Ditës së Presidentëve që celebrohet çdo vit të Hënën e tretë të muajit shkurt. Eksponatet e Artikujve e Letrave të presidentëve, kujtimet presidenciale, fotot presidenciale nga fotografi i famshëm presidencial George Tames (përfshirë edhe fotografinë shumë të njohur “Puna më e Vetmuar”),… ishin objekte të ekspozitës. (Online:February 18, 2013. Hot Doc: Happy Presidents Day! Presidential Libraries Exhibit. Presidential Libraries, Presidents Day, Rosalynn Carter)
Gjithashtu, në mirënjohje ndaj punës së tij të gjatë e të suksesshme fotografike, ai ka fituar shumë çmime, medalje, vlerësime, dedikime, midis të cilëve edhe çmimet prestigjoze “Grand Award Trophy” (Trofe e Çmimit të Madh), 19 Shkurt 1960 dhe çmimin special “George Polk Awards”, 1985 për mjeshtëri në karierë. Eshtë vlerësuar 17 herë si Fotograf i Vitit nga Korpusi i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë. ( Eye on Washington: The Presidents Who’ve Known Me , by George Tames, Editorial Reviews.)
George Tames ishte sigurisht një qënie humane, por përbën e mbetet edhe një fenomen unik social. Nëse në vegjëli do ta pyesnin se çdo të bëhej kur të rritej, i vetmi profesion që nuk mund të imagjinonte ishte ndoshta ai i fotografit. Rastësia për t’iu përveshur punës që i ri në mbështetje ekonomike të familjes së tij të madhe e në gjendje të vështirë, si po gjithë familjet emigrante të gjeneratës së parë, u bë shansi i tij i parë që, duke u punësuar si punëtor i rëndomtë në një zyrë mediatike të revistës “Time-Life”, t’i hapej mrekullisht mundësia e lançimit të karierës së tij të ardhshme. Mandej, rrethanat…, vëmendja, përqëndrimi, synimi, dëshira, karakteri e temperamenti i tij ëndërrimtar, ambicioz, kërkues, këmbëngulës, intuitiv, pragmatist, sportiv e më tej pasioni për t’u afirmuar në profesionin e fotografit që mori përsipër i ndihën për t’u përfshirë si pakuptuar në botën vizuale mediatike. Pas një eksperience disavjeçare në revistën “Life”, kompania mediatike The New York Times (edhe mbiemri i tij Tames tingëllon rastësisht ngjashëm me atë të kësaj gazete) do të bëhej tempulli i punës dhe jetës së tij profesionale e krijuese që për rreth 4 dekada pandërprerë do t’i krijonte “kullën e tij të fildishtë” në Shtëpinë e Bardhë, në piramidën më të madhe të historisë dhe politikës amerikane e globale. Aty, duke duke vënë në shërbim të punës dhe obligimeve të tij intelektuale, do të bëhej jo vetëm një dëshmues pamor i ngjarjeve dhe personazheve ekstraordinerë të Senatit dhe 10 presidencave rresht, me presidentët përkatës që nga Rusvelt e deri tek Xhorxh H. W. Bush (i vjetri), për të cilët ai realizoi një galeri të tërë fotosh interesante, disa herë ikonike, por do të shndrrohej edhe vetë në një personazh simpatik pjesëmarrës i refleksioneve dhe i interpretimeve politike e profesionale në sfondin e zhvillimeve turbulente të shekullit të kaluar.
Opusi fotografik dhe fotogazetaresk i George Tames, i krijuar për më se 50 vjet, përbën një pasuri të çmuar të fondit mediatik amerikan, kryesisht ndaj gazetës më të madhe amerikane The New York Times. Mijra foto të realizuara prej tij, të botuara apo jo, përbëjnë një fototekë të pasur, pjesa më pikante e më e bukur e të cilave, sot, janë në arkivat e muzeve dhe bibliotekave presidenciale, si dhe në Muzeun Kombëtar të Portretit, Institutit Smithsonian, Muzeun e Artit Modern (MoMA), “Morgun e Gjallë” etj. dhe dëshmojnë jo vetëm impenjimin e tij profesional ndaj zhvillimeve historike, por edhe për nivelin e lartë estetik e artistik të realizimit të tyre, me të cilat ai mbetet edhe një konkurues klasik ekskluziv ndaj teknologjive elektronike e dixhitale që zaptuan mediumet publike pas viteve ’60.
George Tames do të mbetet në memorien dhe vetëdijen e botës mediatike amerikane si një prej mjeshtërve më jetëgjatë e më prodhimtarë të pinakotekës amerikane që i la asaj jo vetëm pasurinë enumerike, por edhe shumë e shumë dëshmi retrospektive autentuike të ngjarjeve deçizive historike, kryesisht nëpërmjet portreteve e fotove presidenciale, zhbirimit të tyre psikologjik politik, dramatik, human, familjar, intim, lirik, që, në fakt, pasqyrojnë figurativisht edhe gjendjen shpirtërore të kombit amerikan në situata respektive historike, politike, ekonomike, shoqërore.
Vetë Tames mbetet një foto e gjallë kujtimi e veprës së tij dëshmitare e rikrijuese që do të përcillet e do të admirohet përjetësisht. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë për t’u krenuar me qytetarin e origjinës së tyre.
ᴥ ᴥ ᴥ
Diçiturat e fotografive, të realizuara nga George Tames
- George Tames
- Presidenti Rusvelt dhe zv.presidenti Truman
- Gruaja e presidentit Rusvelt në funeralin e tij.
- Presidenti Truman.
- Tavolina me borsalinat e gazetarëve gjatë intervistimit.
- Presidenti Ajzenauer.
- Presidenti Ajzenauer me kamera.
- Edicioni i parë filatelik me presidentin Ajzenauer. Firmosur nga vetë presidenti për George Tames
- Presidenti Ajzenauer dhe udhëheqësi sovjetik Krushov.
- Profili i Xhon Kenedit.
- Presidenti Kenedi gjatë punës.
- “Puna më e vetmuar në botë”
- Presidenti Xhonson
- Presidenti Xhonson dhe zv.presidenti Nikson
- “Johnson Treatment”
- Presidenti Nikson dhe George Tames
- Presidenti Nikson dhe kryeministri Italian Emilio Kolombo, 1971
- Presidenti Xherald Ford.
- Presdidenti Ford në zyrë
- Presidenti Ford ushtron pompa gjimnastikore.
- Presidentët Karter, Ford, Regan dhe Nikson.
- Presidenti Regan.
- Presidenti George H.W. Bush
- Capitol Hill.
- Trumpeta e vetmuar
- Memoriali i presidentit Xheferson.
- Kompleksi “Beatles”
- Dirizhablat.
- Pamje e Memorialit të presidentit Linkoln.
- Restaurim i pikturës në Shtëpinë e Bardhë.
- Radari.
- Forcat ajrore në stërvitje.
- Ndërtimi i dirizhablave.
- Portreti i Paul A. Volcker.
- George Tames në takim me presidentin Nikson
- Presidenti Kenedi ndan çmimet. (George Tames i pari majtas, ulur)
- Capitol Hill natën.
- Flamuri amerikan, në sfond kupola e Capitol Hill.
- George Tames.