Në rrjetet sociale mbi 95 përqind e shkruesve shkruajnë se politika dhe diplomacia e huaj është e blerë në rastin Fullani. Asnjë nuk flet, me përjashtime te vogla për skandalin e bankës së Shqipërisë ku janë vjedhur 7.1 milion dollarë
Një turp i madh se si zyrtari i Shtetit nuk ikën, por rri më zot në karrike !- shprehen në rrjetet sociale.
***
Dje ndodhi ajo çka pritej të ndodhte në Këshillin Mbikqyrës: Guvernatori Fullani nuk u shkarkua. Por ajo që nuk besohej se mund të ndodhte ishte vajtja e ambasadorit amerikan Arvizu, para mbledhjes, tek zyra e Guvernatorit. Kjo nuk pritej! Dhe sapo mediat e dhanë si lajm, gjoja se nuk ishte lajmëruar media, filluan dyshimet e shumë analistëve të medias së pavarur se vajtja e ambasadorit ka më shumë mundësi që të lëshojë sinjalin për Këshillin Mbikqyrës se nuk duhet shkarkuar, ndonëse dihej se përveç Ermelinda Meksit, asnjë tjetër nuk kishte takat të dilte mbi lekët që merr çdo muaj si anëtar i Këshillit dhe që nuk janë pak, por fiks 4 milionë lekë, pa harruar përfitime të tjera. Pra, ambasadori Arvizu e bëri efektin e vizitës. Në të vërtetë, mesazhi i tij ka një mijë kuptime, ndonëse thelbi kishte të bënte si në atë shprehjen popullore se “miku në ditë të vështira duket” dhe faktikisht, “ilaçi amerikan” turbulloi çdokënd. Politika u struk edhe më shumë, paçka se Guvernatori është mik me të gjithë, djathtas e majtas. Një pjesë e medias u tërhoq edhe më në skuta, pasi përshpërisnin se “derisa shkoi ambasadori amerikan, ç’punë kemi ta kruajmë ne!”, ndërkohë shoqëria civile vazhdoi me mbledhjen e firmave kundër Fullanit. Edhe këta do të vazhdojnë derisa të lodhen nga vapa e gushtit apo të blihet ndonjë drejtues i kësaj nisme qytetare.
Vjedhja e 7 milion dollarëve është e zgjatur në kohë, shumë veta janë arrestuar, prokuroria vazhdon hetimet dhe nëse pritej që ditën e parë të ndodhte diçka ishte dorëheqja e Guvernatorit Fullani. Pasi kaluan dy ditët e para të skandalit shumëpakkush që merr vesh se si luhet “kumari politik”, besonte në një dorëheqje. PD-ja as që bëri zë, PS-ja ka ca zëra që flasin, por që nuk vendosin; Qeveria foli, porse edhe nuk tha gjë saktësisht; Presidenti heshti, LSI-ja edhe tha, edhe nuk tha. Berisha foli hapur pro Fullanit. Dhe si në përralla pozitë dhe opozitë janë bërë një për rastin Fullani. Mazhoranca ka një detyrim ligjor, por edhe publik, pasi ka marrë 1 milion vota e pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta, që të sqarojnë me gojën e tyre se çfarë pozicioni kanë në raport me Guvernatorin për rastin në fjalë. Nuk është pushim gushti apo gjoja se parlamenti nuk punon, sepse kur duan e gjejnë mënyrën për të folur Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, lideri i opozitës, bile kur duan, përdorin edhe Facebook apo rrjet tjetër social. Pse heshtën deri tani, apo pritën të dilte Ambasadori Amerikan që të lakonte, edhe pa e thënë troç, se Fullani nuk duhet larguar. Nëse nuk janë për ta larguar si profesionist apo edhe politikisht, le ta thonë dhe nuk ka asgjë të keqe, ndonëse publiku është ai që vendos nëse kanë apo jo të drejtë. Por duhet folur!
Ardian Fullanin e njoh personalisht, ndonëse nuk e kam shumë mik si shumë kolegë. Ai është një specialist shumë i zoti, me miqësi të gjithëanëshme dhe i gjithëpranuar. Por këto që thashë nuk më kanë ndaluar apo t’ia ritheksoj edhe publikisht se ai duhet të japë dorëheqjen. Duhet ta bëjë në emër të vetvetes e jo gjoja për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit apo shumëçkara që sajohen këto ditë, pasi po iku Fullani bëhet nami. Ai ka nevojë të ikë për të krijuar një standard të një funksionari publik që kur ndodh një skandal, pasi është në të vërtetë skandal, ikën. Nuk futem tek ata që mendojnë se Guvernatori po qëndron që “të pastrojë letrat”, apo se “nuk e lënë të tjerët për t’u larguar”. Ai ka bërë shtatë vite si Guvernator dhe ka fituar mandatin e dytë, por tashmë i ka mbetur “dopio gjashta” në dorë. Natyrisht që janë në burg ata që kanë faj penalisht apo mund të shkojnë edhe të tjerë, porse një faj moralisht duhet ta ndjejë edhe Guvernatori. Nuk po nxitohem të them se mund t’i shkojë penaliteti edhe Guvernatorit, siç po duan disa të tjerë të vrapojnë për ta thënë, por Fullani duke qenë një zyrtar i sprovuar në detyra të larta nuk ka pse rri me zor në atë karrike. Ç’e do atë karrike e cila sa herë sillet rrotull i dalin tetë zyrtarët e tij të emëruar me firmën e tij, e që janë me pranga në duar!
Ardian Fullani ka nevojë jo për t’i thënë ndryshe në telefon e ndryshe në biseda të lira në kafene, siç po bëjnë shumë prej atyre që kanë njëmijë fije të lidhura me firmën e Guvernatorit. Nëse ai ka nevojë që të bindë veten se duhet të rrijë me zor prapë Guvernator, pas kësaj që i ndodhi, atëherë po bërtas edhe unë: Mos ik, Fullan!
Por ai prapë duhet të ikë!
Nikoll Lesi
Patozi: Fullani duhet ta kishte dhënë dorëheqjen ditën e parë
Se pari, refuzoj kategorikisht t’i pergjigjem pyetjes ne mode te ketyre diteve, nese jam me Fullanin, apo kunder tij. Sepse me duket teper fyese, nderkohe qe nuk kam asnje arsye ne bote qe te jem patjeter ne njeren ane te kesaj barrikade artificiale. Por sigurisht qe mund te flas rreth asaj qe po ndodh me Banken e Shqiperise, pas zbulimit te vjedhjes se bujshme.
Mendoj se skandali eshte nje pasqyre e perkryer per te pare fytyren e deformuar te institucioneve tona, ose me mire te themi, te vete sistemit, qe kemi ndertuar. Eshte pikerisht ajo qe ne nje fare menyre kemi mbjelle e qe tani po e korrim dhe ketu nuk kam parasysh vetem Banken e Shqiperise. Sepse, po te zhvendosesh ne shumicen e atyre, qe konsiderohen institucione te pavaruara, eshte e njejta panorame, ku pothuaj gjithcka vertitet rreth titullarit, i cili eshte edhe dielli edhe shiu, por mbi te gjitha percaktuesi i vetem i raporteve, jo vetem te brendshme te “cifligut” te vet, por edhe ato qe rregullojne marredheniet me te tretet.
Dhe kete askush nuk e thote, ndonese pakkush nuk e di. Ne kemi nevoje per nje sjellje te re insistucionale, e cila para se gjithash percohet nga politika, e cila eshte edhe pergjegjesja kryesore, ne mos e vetmja per kete gjendje. Jo thjesht me emerimet e saj pergjithesisht klienteliste, se sa me marredheniet e kompromentuara, qe vendos me te zgjedhurit e vet, pas votimit te tyre.
Por cfare po ndodh realisht? Qeveria kerkon te laje duart, duke treguar gjoja pafuqine e vet per te reguar. Eshte fshehur ai burri, qe edhe per gjene me te vogel, te tund para syve pergjegjesine para 1 milion “shuplakave”, qe e kane votuar me 23 qershor. Ne fakt, kryeministri ka marre pozicionin me te keq, ate te skuthit, i cili nuk eshte i shqetesuar fare prej skandalit, por thjesht perpiqet te perfitoje sa mundet prej tij. Mendoj se Edi Rames i intereson qe vorbulla me kerkesen per doreheqje te Fullanit te vazhdoje, duke shpresuar se nje fare fature me te i shkon edhe opozites, si dhe partnerit te koalicionit, Ilir Meta, i cili eshte shprehur hapur pro tij.
Por ai eshte brenda gjithashtu edhe per skenarin tjeter, qe Fullanin ta lene nervat, apo te ndodhe dicka tjeter dhe ai te largohet. Me siguri qe e ka bere gati zevendesuesin dhe eshte dramatike te mendosh qe ne mendje ka nje njeri qe duhet t’i behet nje nder, i cili jo vetem te mos e permiresoje situaten ne Banken e Shqiperise, por mund ta coje edhe me keq. Te vetmen detyre do te kete qe here pas here t’i bej fresk qeverise, ne kembim te nje zinxhiri marramendes perfitimesh dhe me te gjithe Banken ne dispozicion, te cilen vetem se nuk e hipotekon dot ne emer te vet. Sepse ndryshe, do e kishim sot nje kryeminister qe do te fliste per ligj te ri te funksionimit te Bankes dhe per nje qasje te re te qeverisjes se saj, te raporteve te reja te saj me ekzekutivin dhe parlamentin, po aq sa edhe duke u rene kembanave se ne te njejten derexhe ndodhen edhe institucionet e tjera, pavaresisht se ne to nuk kane shperthyer skandale te ngjashme.
Ndersa Ilir Meta, si politikan pragmatist qe shquhet, eshte me i drejtperdrejte. Vete ben sikur e mbron publikisht, ndersa nga ana tjeter i leshon te tijet qe nuk kerkojne vetem koken e Fullanit, por edhe ato te Keshillit te Bankes. Natyrisht, duke menduar si gjithmone se ne cdo torte qeverisese nje cope e mire i takon LSI-se. Ky kombinacion sigurisht qe e tejkalon edhe pritshmerine me optimiste te antifullanisteve, pasi as qe mendohet qe nje keshill i rinovuar do te mbaje te njejin guvernator. Me nje gur, vret dy zogj, merr keshillin dhe pastaj largon edhe Fullanin. Pra, shikohet qarte se qeveria, apo mazhoranca ne pergjithesi, duan thjesht dhe vetem ta kapin per vete Banken e Shqiperise, jo te ndreqin ndonje gje ne te, dhe ne keto rrethana e gjitha ngjan me nje loje te piste politike.
Ndersa opozita duket si me e sinqerta ne qendrimin e saj, pavaresisht se, si cdo gje ne kunderrrjedhe, ai nuk eshte per t’u lakmuar ne keto caste. Ajo eshte e perligjur gjithesesi ne piken qe shikon nje sulm te paster te mazhorances per te futur nen sqetull nje tjeter institucion te pavarur dhe per ta perdorur kunder saj. Por deri ketu. Per fat te keq, themelet e Bankes jane tronditur nga nje bombe qe plasi nga brenda, dhe jo si ato te ambasades sovjetike, per te cilat mund te akuzohej qeveria.
Ne rast se ne do te ishim shtet serioz, sic nuk jemi, Ardian Fullani do ta kishte dhene doreheqjen qe diten e pare. Njesoj si ne perendim nje minister transportesh largohet pa u menduar dy here nga detyra per shkak te perplasjes se nje treni. Me kete rast, do te kishte evituar furine e histerikeve kunder tij, qe duket se nuk kane ndermend ta leshojne. Ndonese te grupuar nga arsye nga me te ndryshmet me njeri-tjetrin, ata duken kembengules. Por mbi te gjitha, se do te kishte qene edhe vete i bindur se ne nje shtet te lire dhe normal askush nuk mund te lincohet pafundesisht edhe sikur te kete pergjegjesi direkte per ndonje afere, jo me te ndodhe e kunderta.
Nga ana tjeter, dhe kjo eshte me e rendesishme, qeveria nuk do te ferkonte duart se u hap nje vend per “qoke” te madhe, por do te kishte nisur negociatat me opoziten per te zgjedhur nje guvernator sa me konsensual. Mendoj se Shqiperia ka me shume nevoje per nje guvernator te gjithepranuar politikisht, sesa per nje president te tille. Por kjo qeveri duket shume vite drite larg ketij koncepti.
Per shkak se ne nuk jemi nje shtet serioz nuk ka ndodhur deri tani asnje nga te dyja, ndaj edhe eshte e padrejte qe per gjithcka po zhvillohet te fajesohet vetem Fullani.
Identifikohet kërcënuesi i Ajtanga Lubonjës që mbledh firma kundër Fullanit
Forcat blu të komisariatit Nr. 1 në Tiranë, kanë arritur të identifikojnë në një kohë rekord, personin që ka kërcënuar nëpërmjet një mesazhi mbrëmjen e djeshme Ajtanga Lubonjën, njërën prej nismëtareve të peticionit që është ndërmarrë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.Sipas burimeve nga policia mësohet se ka qenë 28-vjeçari Aleksandër Rrema, banues në Tiranë, personi i cili i ka dërguar mesazhe kërcënuese Lubonjës, për të ndërprerë angazhimin e saj në peticionin për shkarkimin e Guvernatorit të Shqipërisë.
Për 28-vjeçarin ka nisur procedimi për veprën penale “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Mesazhi kërcënues kundrejt Lubonjës:
”Dimë gjithçka për ty, dimë se kush je dhe çfarë bën. Tani kohët e fundit po merresh me një peticion që i shërben një politike të caktuar dhe të komanduar nga lart. Mos të të duket vetja e madhe kur nuk di asgjë se çfarë bëhet me ty. Hap sytë dhe shiko mirë përreth. Jam një që të dua të mirën, prandaj po të flas. Mos na detyro që të marrim masa të rrepta kundrejt teje. Hiq dorë sa je në kohë.”(koha Jone)
Flet Fullani: Qëndrimi si Guvernator tregues përgjegjshmërie
Tre javë pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë Guverantori Ardian Fullani vendos të flasë.
Zoti Fullani, tre javë pas publikimit të lajmit për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, ju nuk keni dalë personalisht të sqaroni rrethanat, përgjegjësitë tuaja dhe pasojat e ngjarjes. Pse kjo heshtje, kur opinioni publik e ka temën e ditës vjedhjen e Bankës Qendrore?
Duke ju falenderuar për mundësinë që më keni krijuar, dëshiroj të saktësoj se: Ngjarja është njoftuar dhe denoncuar nga Banka e Shqipërisë, dhe unë personalisht kam dalë në konferencë shtypi për të informuar publikun për të dhe masat emergjente që u morën që ditën e parë. Anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës po ashtu janë shprehur në media. Pa numëruar këtu deklaratat për shtyp. Duhet të keni parasysh që Posti i Guvernatorit është i tillë që ai flet me deklarata dhe komunikata shtypi. Së dyti, dëshiroj të theksoj se çështja është në hetim dhe është një çështje mjaft delikate. Çdo deklaratë që mund të shuajë kuriozitetin publik, mund të dëmtojë rëndë hetimin dhe zbardhjen ligjore të ngjarjes. Kam preferuar që hetimi të mos dëmtohet, edhe duke u dëmtuar unë personalisht, me mjaft akuza të pavërteta që qarkullojnë. Pas kontakteve me Prokurorinë, jemi angazhuar për të krijuar të gjithë kushtet për një hetim të shpejtë, profesional, të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent. Kjo mënyrë, i shërben publikut më shumë se sa show mediatik i një Guvernatori. Nëse ju mendoni ndryshe, mund t’ju kuptoj, por për mua si Guvernator, hetimi, sekreti i tij dhe dalja e përgjegjësisë, është më e rëndësishme se sa përgjigja ndaj akuzave që më kanë hedhur mbi shpinë.
Një pjesë e opinionit publik, por edhe politikanë kërkojnë dorëheqjen tuaj si akt i marrjes së përgjegjësisë për dëmin financiar të ndodhur. Cili është reagimi juaj, a keni menduar gjatë këtyre ditëve dorëheqjen dhe çfarë ju ka penguar?Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar deri më tani se Ardian Bitraj është ndihmuar në këtë vjedhje nga një sërë faktorësh; kanë munguar kontrollet periodike në arkën stok dhe atë në veprim nga përgjegjësit, nuk janë zbatuar protokollet e sigurisë për mbajtjen e çelësave të kasafortës dhe personi që duhej të mbikëqyrte kamerat, nuk ka dhënë asnjë sinjal për atë që ka ndodhur. Në analizën tuaj, pse nuk kanë funksionuar gjithë këto hallka?
Ju thashë edhe më sipër, çështja është në hetim. Përveç informacionit që kemi bërë publik, nuk mund t’ju jap detaje të tjera, por ju siguroj se lajmet që qarkullojnë çdo ditë kanë pasaktësi dhe të pavërteta. Ajo që rezulton nga analizat e kryra, është se nuk janë zbatuar rregullat proceduriale të përcaktuara si në aktet e Këshillit Mbikëqyrës, ashtu edhe në ato të miratuara nga Administratorët. Ndërkohë, ne po kryejmë me përgjegjësi të plotë rishikimin e gjithë procedurave tona që kanë lidhje me administrimin dhe kontrollin e vlerave monetare. Dua të theksoj se Banka e Shqipërisë, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, ka marrë, dhe po merr të gjitha masat që garantojnë mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ngjarje që kanë ndodhur edhe në banka të tjera qendrore të mëdha si në Angli, Irlandë apo Australi.
A ka çeduar auditi i brendshëm dhe i jashtëm i Bankës? A kanë ata përgjegjësi ligjore në këtë rast?
Të gjitha kontrollet e auditit janë kryer, çdo vit, konform planeve të miratuara. Jam i bindur që hetimi i nisur do të ndajë përgjegjësitë për të gjithë hallkat e përfshira në këtë proces. Auditi është vetëm një pjesë e zinxhirit të mekanizmit operacional dhe atij kontrollues të Bankës së Shqipërisë. Duhet të sqaroj se auditi i brendshëm (Inspektori i Përgjithshëm – Drejtuesi i Departamentit të Kontrollit) i Bankës së Shqipërisë caktohet nga Parlamenti me një mandat pesëvjeçar. Auditi i jashtëm përzgjidhet me një procedurë prokurimi ku ftohen të marrin pjesë, shoqëritë audituese më të njohura në botë. Dëshiroj të theksoj se auditi i jashtëm i Bankës së Shqipërisë, prej së paku 15 vitesh realizohet nga shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura auditimi.
A keni pasur ju sinjale për profilin e autorit të vjedhjes; një person aspak i besueshëm, i varur nga kumari dhe lojërat e fatit, që punon në një nga degët më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë? Nëse jo, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë?
Personi në fjalë është në punë në sistemin bankar që prej viti 1993. Në Bankën e Shqipërisë punon prej vitit 2005. Nga dokumentacioni në përmbajtje të dosjes së tij personale në lidhje me punësimin e mëparshëm, nuk ka rezultuar asnjë sinjalizim apo indicie rreth sjelljes apo ndonjë shkelje të mundshme të parimeve të kodit të etikës për punonjësin në Bankën e Shqipërisë. Për shkak të pozicionit specifik të punës, është çertifikuar nga organet e specializuara për nivelin më të lartë të sigurisë që në vitin 2011. Por ne po rishikojmë të gjithë procedurat e “verifikimit të pastërtisë” të gjithë personelit dhe veçanërisht atyre në pozicione të caktuara.
Posti juaj si Guvernator ka shumë kompetenca ekzekutive. Emërimet janë njëra prej tyre. Në kushtet kur 9 punonjës të Bankës ndodhen tashmë të arrestuar, a ndjeheni ju përgjegjës për përzgjedhjen apo emërimin e tyre?
Përveç Bitraj, të gjithë punonjësit nën hetim kanë punuar në Bankën e Shqipërisë, për një kohë të gjatë prej 10 -15 viteve. 8 persona janë punësuar në Bankë para se të nisja punën si guvernator më 2004.
Politika është ndarë këto ditë në reagime, ku disa kërkojnë dorëheqjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe disa të tjerë, të drejtuesve ekzekutivë si ju dhe Zv.guvernatori. Në të vërtetë, cilat janë përgjegjësitë tuaja dhe cilat i takojnë Këshillit Mbikëqyrës për situatën e krijuar. Pra, nga kush duhej të ishte diktuar në kohë kjo vjedhje?
Unë nuk e kam parë politikën të ndarë, por siç ju thashë edhe më lart, ajo ka qenë mjaft e qartë në deklaratat e saj zyrtare. Ka përçuar maturi. Deklaratat individuale, janë e drejtë e cilitdo. Nga ana tjetër, Banka Qendrore është një institucion i pavarur, i përgjegjshëm dhe llogaridhënës, që njeh dhe respekton vetëm qëndrimet zyrtare. Unë si Guvernator, Këshilli Mbikëqyrës dhe gjithë stafi i Bankës, jemi maksimalisht të angazhuar për të garantuar funksionimin normal të institucionit, në përputhje të plotë me ligjet e vendit.
Ka pasur aludime në media për një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, ku Ermelinda Meksi ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Si qëndron e vërteta dhe a keni ju ende besimin e Bordit të Këshillit Mbikëqyrës?
Ju thashë edhe më lart, ka patur shumë të pavërteta në media këto kohë. Kjo është njëra prej tyre. S’ka asgjë të vërtetë në këtë lajm.
Zoti Fullani, ju njiheni si mik i politikanëve dhe kjo ka shkaktuar një dozë më të madhe reaksioni. Por si janë raportet tuaja sot me Ramën, Berishën dhe Metën?
Në pyetjet tuaja, ju pyesni për marrëdhëniet me kryeministrin, ish-kryeministrin, dhe kryetarin e Parlamentit. Mandati i Guvernatorit është specifik që tejkalon atë të qeverive. Objektivat e Bankës Qendrore – garantimi i stabilitetit makro-ekonomik dhe tij financiar shkon përtej programeve politike afatshkurtra të qeverive. Një Bankë Qendrore që nuk është e pavarur nuk e përmbush dot misionin e saj. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që Banka Qendrore duhet të “përplaset” me qeverinë e radhës dhe kur kjo ndodh, jo detyrimisht kjo ndodh publikisht dhe shpesh nuk vihet re nga publiku. Çelësi i suksesit i bankës qendrore qëndron në respektin dhe mirëkuptimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme, në harmonizimin e politikave. Kam patur dhe kam kënaqësinë të punoj me 3 presidentë, 3 kryeministra, 3 kryetarë parlamenti. Detyrat e mia institucionale kërkojnë që të ndërtoj marrëdhënie pune dhe besimi reciprok, por pa cënuar në asnjë rast pavarësinë institucionale që qëndron në themel të përmbushjes me sukses të objektivave të Bankës.
Jehona mediatike e vjedhjes në Bankë mori përmasa të tjera, kur media publikoi fotot e ditëlindjes së djalit tuaj, por edhe koleksionin e tij të shtrenjtë të orëve apo makinave. Cili është komenti juaj për këtë? Si do t’i përgjigjeshit gjykimit të opinionit publik, që hedh dyshime mbi burimin e pasurisë së familjes tuaj?
Insistoj edhe një herë. Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale. Me shpifjet, ju siguroj se do të përballem për të ruajtur dinjitetin tim dhe atë të familjes sime. Të ardhurat dhe pasuria e familjes sime është prej më se një dekade subjekt i vetëdeklarimit dhe kontrollit nga institucionet përkatëse. Çdo pasuri dhe pronë e familjes është lehtësisht e verifikueshme dhe vërtetueshme. Por në ndonjë rast, spekulimet, janë më interesante se sa e vërteta. Unë punoj prej 40 vitesh dhe në këto 4 dekada kam pasur mjaft pozicione të rëndësishme, në sektorin publik dhe atë privat, të cilat jo rrallë më kanë vendosur në qendër të vëmendjes mediatike. Karriera ime nuk fillon dhe as nuk mbaron në Bankën e Shqipërisë. Ju siguroj, që s’do të lejoj asnjë spekulant të njollosë emrin tim.
Ngjarja e ndodhur, edhe pse e rëndë, nuk ka prekur asnjë nga treguesit e sistemit bankar. Veprimet monetare në arka dhe sportele janë në parametra normalë. Sistemi bankar funksionon në parametra optimalë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare të gjitha shërbimet. Publiku ka ditur të bëj dallimin mes një ngjarje të izoluar dhe sistemit.
(marre nga MAPO)