
Kosta Nake/
Moisi Golemi pati lindur në rajonin e Dibrës dhe ishte djali i vetëm i Muzakë Arianitit, të birit të Arianit Komnenit. Kur Skënderbeu braktisi oborrin e sulltanit dhe u kthye në atdhe, Moisiu u bashkua me të dhe Skënderbeu i besoi detyrën e komandantit të rojeve kufitare. Në këtë funksion ai mbikëqyri pushtimin e kështjellës së rëndësishme të Svetigradit. Pas shpartallimit të forcave mbrojtëse gjatë rrethimit të Beratit, ndoshta edhe nga zilia ndaj famës së Skënderbeut, një variant i trajtimit historik të figurës së tij, e ka trajtuar si tradhëtar që shkoi dhe u vu në shërbim të osmanëve. Një vit më vonë ai u kthye në krye të një ushtrie prej 15 mijë luftëtarësh , u mund nga Skënderbeu i cili edhe e fali. Në 1465 gjatë betejës së Vajkalit Moisiu u zu rob nga Ballaban Pasha, gjenerali osman. Moisiu dhe princat e tjerë shqiptarë u dërguan në Stamboll dhe u dënuan me turpërim publik.
Historia e Moisi Golemit u rikthye së pari te arbëreshët e Italisë, Gavril Dara i Ri e bëri pjesë të vështrimit të vet kritik te poema e vet “Kënga e Sprasme e Balës” me tri detaje: lisi i helmit, dita e marrëzisë dhe qëndrimi i turpëruar – sintezë e asaj që ka ndodhur; ka braktisur komandantin e vet, ka humbur lavdinë dhe vuan pasojat, edhe pse i falur.
“Majë Gur-Madhit të zhveshur.
Por te hija e lisit t’helmit,
Veç të gjithve, ballëfshehur,
Rrinte i madhi i Golemëvet
Me sytë ngulur përdhe…
…Helmi i zemrës i derdhej,
Pse në zemër kujtimi
I ditës së marrëzisë
Mu si gur në det i ra.
Si në ëndërr po kujtonte
Lëvdatat plot ëmbëlsi,
Që katundet i drejtonin,
Kur “Dragoi i Dibrës” mbrrinte,
Duke e quajtur “i pari i luftës,
Nderi i ushtrisë, malli i vajzave
Edhe trimi i këngëve…”
E tashti të turpëruar
E mbulon nata e shkretë!”
At Gjergj Fishta e përmend së pari Moisi Golemin te kënga e nëntë e “Lahutës së Malcis” kur citon disa nga figurat e shquara historike me të cilat identifikohet toka e të parëve tanë: e Skënderbeut, e Mojs Golemit, e Lekë Dukagjinit, e Oso Kukës, e Muzakut, e Strezës dhe e Aranitit. (Vepra, vol. 4 f.131) Në vitin 1929 Fishta do të botonte një poemë epiko-legjendare posaçërisht për Moisi Golemin në pjesën e parë të së cilës përshkruhet vetëm përballja me Deli Cenën, dyluftim që e ngre në piramidën e luftëtarëve të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ishte një përballje viganësh dhe Fishta duket sikur rri me peshoren e farmacisë në dorë për të vlerësuar meritat e gjithsecilit.
Nga një anë kemi portretizimin e Deli Cenës që mëton troje dhe robina nën kërcënimin e një shpate me mill floriri:
“…Delia i kishin thanë
Fjalën peng kurrkund s’ka lanë,
E pse ardhë shtatit viga,
Me do sy si katalla,
Me do buzë, si buzë harapi,
Me do kambë, si degë t’një rrapi
Ai po dante burrë i zoti
Me pasë frikë vetë Gjergj Kastrioti.” (f. 606)
Këto tipare plotësohen edhe me përshkrimin e kalit të tij, një vraç i zi “me tri zemra në krahnuer”, me “thundrat që shkrepnin zjarr e shkëndija,” por edhe si një korb që ndjell zi. (f. 607, 618) Nisja në dyluftim është po aq kërcënuese me “shpatën gjakësore”, me shqytin, me heshtën sa një trup ahu, me atë kërcimin si ari mbi shpinën e kalit.
Nga ana tjetër është Mojs Golemi që e pranon sfidën sepse është një burrë vigan, gjithaq i fuqishëm, edhe ai ka në dorë një shpatë “në farkë breshane shkri nand’ herë” duke i dhënë ujë “në gjak kuçedrash,” (f. 613) mburojën e ka me “nandë gëzhoja” dhe nga brenda “shoje buejsh shtrue renda-renda” (f. 614) dhe i përgjigjet me një kalë “gjok-pllumb sa ‘i mal me borë.) (f. 615) hidhet me fluturue “tue shkrepë n’thundra zjarr e shkëndia.” (f. 616)
Përmasat e pritshme të dyluftimit kundrohen nga dy palët armike që presin të shpallin fitoren. Përgjakja e parë fillon nga kuajt që ndeshen si “mali me mal.” (f. 621) Interesante është që lufta politike plotësohet edhe me luftën fetare, sepse bashkëluftëtarët e Moisiut i luten për fitore Krishtit dhe Zonjës Mari, kurse turqit i bëjnë duva Pejkamberit. (f. 622) Fatkeqësisht ky rreshtim forcash përsëritet herë pas here deri në ditët tona në Europë dhe më gjerë.
Pjesa e parë nuk mjafton për të shpallur një fitues, prandaj ajo vazhdon edhe në pjesë e dytë të poemës me zgjerimin e fushës së luftimit, me pasurimin me emra të shumtë nga të dy kampet armikë. Moisi Golemi niset për t’u kthyer fitimtar në Krujë, por përplasja s’ka mbaruar ende se dy jeniçerë e sulmojnë besëprerë dhe përfundojnë të vrarë. Turku i tretë identifikohet me emër, Hamz Kadria, me atë paralajmërimin e shpërfillur të së ëmës “kurrë ndesh mos me i ra shqiptarit.” Është vrasja e këtij të fundit që i bën qindra luftëtarë nga të dy kampet që të vërsulet në një betejë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin, e bëjnë edhe tokën të dridhet (f. 638), e bëjnë lexuesin të presë heronjtë e radhës që luftën e bëjnë me zemër e me shpatë. (f. 642-649)
Pjesa e pakënaqësisë, e rebelimit, e braktisjes, e kundërvënies, e humbjes, e faljes dhe e dënimit përfundimtar nuk është pjesë e poemës, gjë që të bën të mendosh se poema është e pambaruar. Gjithsesi, pjesa e parë ka qenë e mjaftueshme për ta shprehur qartë dhe pa mëdyshje vlerësimin për Mojsinë e Dibrës, përndryshe nuk do të kishte gjetur pasqyrim te “Lahuta e Malcis.”
Ismail Kadare ka shkruar dy poezi kushtuar kësaj figure në vitet e diktaturës komuniste: “Ikja e Moisi Golemit” dhe “Vdekja e Moisi Golemit.” Te poezia e parë, siç zbulohet që në titull, fokusimi i autorit është te tradhëtia dhe kritika letrare i ka mëshuar metaforës së rrugës së ikjes që përdridhet si gjarpër i zi, pastaj pluhuri mbi flokë dhe mbi pelerinë, pastaj udha që përshkohet nëpër natën që nxin dhe mbyllet me damkën “gjeneral Moj-Zi”.
Poezia e dytë lidhet me pasojat e kapjes rob, “lidhur me hekura, zinxhirë”, me pluhurin e mbetur në flokët e thinjur, por që i ka mbetur një fije dinjiteti kur pohon se është i vdekur përderisa ndodhet në këmbët e sulltanit dhe përfundon me “ulurima, kuje e lemeri.”
Në të dy poezitë qëndrimi i poetit Kadare është konstant: Moisiu ishte dezertor, Moisiu u zu rob dhe gjithçka tjetër zhvlerësohet.
Studiuesit që janë marrë me figurën e Moisi Golemit në vitet e tranzicionit kanë bërë interpretime të ndryshme. Avni Alcani mendon se te braktisja e Moisiut dhe vënia në shërbim të turqve mund të kenë ndikuar joshjet e sulltanit, por edhe shkaqe brendashqiptare. Së pari, mund të ketë qenë bashkëshortja e Moisiut, Zanfina Muzaka, të cilën, sipas Gjon Muzakës, Skënderbeu e kishte ndarë nga Muzakë Topia për t’i dhënë të motrën, Mamicën. Së dyti, shkak mund të ishte sërish Skënderbeu që i kishte rrëmbyer Moisiut disa prona në Dibër.
Ilmi Veliu sjell një variant befasues: Moisiu nuk e tradhëtoi Skënderbeun, por u dërgua prej tij në oborrin e sulltanit si pjesë e shërbimit sekret informativ, madje ky hamendësim shkon edhe te largimi i nipit të tij, Hamza Kastrioti.