Nju Jork, 29 Dhjetor 2018 – Viti 2019 përkon me 110 vjetorin e daljes të numrit të parë të Gazetës Dielli. Si gazetë e shoqërisë Besa-Besën numri i parë i gazetës doli në Boston me 15 Shkurt 1909 me editor Fan S. Noli dhe menaxher George Konda(Gjonleka). Nga tetori i vitit 1909, Editor u bë Faik Konica. Pronare dhe themelonjëse e gazetës ishte Shoqata Besa-Besën, e cila qe krijuar që me 6 Janar 1907, duke patur si zyrtarë: Fan S. Noli-Kryetar; Goni Katundi-nën/Kryetar; Nini Fani Katundi-Sekretar; dhe anëtarë-(Pleq): John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Konomi, dhe Lambi Josif. Dielli, që zëvendësoi “Kombin” e Sotir Pecit,që u mbyll me 10 Janar 1909, ishte gazetë javore dhe e para e përditshme shqiptare më 1914 me Kostë Cekrezin Editor. Në mbledhjen themeluese të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” me 28 Prill 1912, gazeta Dielli u bë pronë e saj me editor Kristo Floqin dhe menaxher Kristo Kirkën.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do ta festojë 110 vjetorin e Gazetës me një sërë veprimtarish, që do të bëhen të njohura në ditët në vijim. Gazeta në përkujtim të këtij përvjetori , dhe në nderim të Editorëve të saj për 110 vite, shpall Konkursin për gazetarë e studiues. Preferohen libra të rinj, që janë botuar gjatë vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019; esse(shqip dhe anglisht), artikuj studimorë, analiza, portrete, Dossier, Fejtone, kushtuar Vatrës, gazetës Dielli dhe editorëve të saj ndër vite. Cmimet do të mbajën emrat e editorëve më të shquar të Diellit.
Konkursi mbyllet me 31 Mars 2019. Fituesit do të shpallen me 6 Prill.
Adresa ku dërgohen materialet: Email: gazetadielli@gmail.com
Adresa e Postimit:
VATRA
2437 Southern BLVD
Bronx, NY 10458
USA