


Në fushën e studimeve albanologjike dhe balkanologjike kontributi i Át Giuseppe Valentinit është i jashtëzakonshëm, dhe ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, duke nxierrë në dritë dokumenta dhe të dhëna shumë të çmuara, për këtë periudhë pothuajse të pahulumtuar fare të historisë sonë kombëtare. Në këtë mënyrë ai, tejkalon studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve: italianë, austriak, sllavë, grekë, bullgarë, etj. Interesimin e Át Giuseppe Valentinit për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore. Pas kërkimeve disa-vjeçare gjenden 6 vëllime me 2031 dokumente të pabotuara të kolanës “Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase.” – Më shumë se 150 dokumente janë për Gjergj Kastriotin Skenderbeun. – Të gjitha dokumentet i takojnë periudhës së ashtuquajtur “epokë Skenderbegiane” dhe të gjitha janë nxjerrë nga Arkivi i Qytetit të Venedikut. –Pas përgatitjeve dhe ballafaqimit me origjinalet së shpejti pritet botimi i të 6-vëllimeve me dokumente të pabotuara si vazhdim i kollanës: Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase, seria IV-të.
Prof. dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies,
Budapest
Studimi i epokave të caktuara, e në kuadër të tyre edhe i personaliteteve që vepruan e krijuan, luftuan dhe sakrifikuan jo vetëm karrierën, por edhe jetën e tyre, përbën një moment tepër të veçantë në historinë e popullit shqiptar. Në të shumtën e rasteve, për këto personalitete, veçanërisht për ata që nuk ishin shqiptarë, të dhënat dhe informacionet për jetën dhe veprat e tyre janë të shpërndara në dorëshkrime, kronika dhe dokumente burimore që ruhen nëpër shumë arkiva e biblioteka të Evropës, e rrallë ose fare pak në ato shqiptare. Përkundër namit, respektit, nderit dhe veprës madhore që ata krijuan me mund dhe me shumë vështirësi, duket sikur ne i kemi harruar, pavarësisht se janë pjesa e ndritur e mendjes dhe e kulturës sonë kombëtare.
Në fushën e studimeve albanologjike dhe ballkanologjike, kontributi i át Zef Valentinit është i jashtëzakonshëm dhe ka një rëndësi të veçantë, sepse njihet si një prej “lavruesve të palodhun të albanologëve.” Ai ishte ndër studiuesit e rrallë që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, kulturën dhe traditën, duke nxjerrë në dritë dokumente, dorëshkrime dhe të dhëna të tjera burimore shumë të çmuara, pothuajse të pahulumtuara të historisë sonë kombëtare. Në këtë mënyrë ai tejkalon botimet e korpuseve të dokumenteve dhe studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve italianë, austriakë, sllavë, grekë, bullgarë, etj.
Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, át Valentini paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, por edhe në shekujt në vijim duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Perëndimin, Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. “Me dashuri të veçantë njerëzore dhe përkushtim pasional prej dijetari, u përpoq ta ekspoloronte dhe rindërtonte, duke qëmtuar me durim shembullor nëpër dokumente autentike, shumica të pluhurosur nëpër raftet e bibliotekave apo të ndonjë dosjeje të arkivave të huaja. Falë inteligjencës së veçantë, këmbënguljes dhe vullnetit të admirueshëm, i studioi me kujdes, përvetësoi thellë përmbajtjen e tyre dhe i analizoi me objektivitet e kthjelltësi, për të nxjerrë përfundime realiste dhe për t’i shndërruar në studime për Shqipërinë, historinë, kulturën, folklorin, organizmin administrativ dhe juridik etj.” Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore, përkundër disa pohimeve të ndonjërit prej autorëve shqiptarë se: “Për të krijuar bindje te lexuesi, Valentini luan me dokumente: çdo pohim i tij në tekst, shoqërohet me një lumë dokumentesh. Një mashtrim dhe asgjë më shumë…”, për të vazhduar më tutje me një paragjykim tjetër edhe më të rëndë: “Në historiografinë italiane të pasluftës njohësi më i mirë i periudhës së sundimit venedikas në qytetet e bregdetit mbeti për fat të keq Z. Valentini, një figurë që kishte provuar tashmë se dinte të intrigonte sheshit historinë e Shqipërisë”. Autori i këtyre pohimeve, nuk e ilustron këtë qëndrim të tij me të dhëna konkrete, burime, dorëshkrime, dokumente apo tituj veprash e studimesh të át Valentinit në të cilat vërehen dukuritë dhe të metat që pohohen në lart.
Kontributi i át Valentinit në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazezë, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, por edhe strukturën dhe formën dhe përmbajtjen e statuteve mesjetare shqiptare, gjithnjë duke u mbështetur në burime arkivore, për t’i krahasuar ato me të drejtën zakonore, të cilën e njihte për mrekulli, duke studiuar jo vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, por edhe kanune të tjera. Statutet dhe notariatin, ai i analizon që nga zanafilla e tyre nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtyre institucioneve në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare, në anën tjetër, studim, që deri tani është ndër më të kompletuarit, përkundër botimeve të M. Shuflajt, L. Nadin dhe ndonjë tjetri.
Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, át Zef Valentini e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore,” mbi influencën ekskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim.
Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, át Z. Valentini e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.
Edhe në studimet e tjera të át Zef Valentinit bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por kanë mbetur disi anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për át Valentinin paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.
Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngulja që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur dikujt nuk i pëlqente kjo gjë. Punimet dhe studimet e tij të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe të botuara si libra të veçantë janë të njohura vetëm për një numër të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve kanë pak ose aspak njohuri për ekzistencën e tyre.
Çfarë është kolana e njohur dhe e vlerësuar botërisht: “Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase
Në planin e tij botues, për botimin e njërës prej kolanave më të njohura dhe më të mëdha të botuara ndonjëherë me dokumente për shekujt XIV-XV për Shqipërinë dhe shqiptarët, albanologu dhe studiuesi i mirënjohur italian, që e quante veten shqiptar, át Zef Valentini, kishte vendosur që kolanën e tij, ta përfundonte me vëllimin e 30-të, përkatësisht me dokumentin numër 9.699, i cili mban datën 2 mars të vitit 1468.
Po çfarë është Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase? Çfarë përmban? Cila është vlera e saj dhe pse ka një rëndësi të dorës së parë për historinë e shqiptarëve?
Kolana “Acta Albaniae Veneta – Aktet Shqiptaro-Venedikase” përmban në vetvete dokumente burimore, origjinale, autentike të nxjerra nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), për shekujt XIV dhe XV. Përkatësisht, vëllimi i parë i botuar në vitin 1967, fillon me dokumentin nr. 1 që mban datën 17 prill 1301 dhe vëllimi i 25-t përfundon me dokumentin nr. 7.665, që mban datën 31 dhjetor 1463 (në këtë vëllim janë edhe dy regesta, përkatësisht numrat e dok. 7.666 e 7.667, që nuk kanë datën e shënuar, por vetëm vitin!) Pra nga viti 1967 deri në vitin 1977, për trembëmbëdhjetë vite me radhë, janë botuar 25 vëllime me gjithsej 7.667 dokumente. Të tëra këto vëllime u botuan sa ishte gjallë át Zef Valentini.
Pjesa dërrmuese e dokumenteve burimore origjinale janë të pabotuara ndonjëherë. Të tjerat edhe pse ishin botuar, u ballafaquan me origjinalin dhe u korrigjuan lëshimet e bëra nga editimet e ndryshme, p.sh. të shikohet botimi i V. Makuševit, J. Radonićit, S. Ljubićit…etj.
Kolana e botuar në 25 vëllime me dokumente burimore origjinale ndahet në tri seri:
- Seria e parë përfshin vëllimet 1-4;
- seria e dytë përfshin vëllimet 5-17 dhe
- seria e tretë vëllimet 18-25, por në fakt kjo është një seri e pandërprerë botimi dhe tani po sipas projektit të át Zef Valentinit, do të botohet dhe ajo pason për vëllimet në vijim:
- seria e katërt që do përfshijë vëllimet 26-30 me 2031 dokumente, pjesërisht të përgaditura për botim siç e cekëm më lartë!
Menjëherë pas vdekjes së át Zef Valentinit, ndërpritet botimi i kolonës Acta Albaniae Veneta – Aktet Shqiptaro-Venedikase, për dy arsye kryesore:
a) materialet dokumentare, përkatësisht dokumentet e përgatitura për botim, nuk kishte kush t’i editonte, t’i redaktonte dhe t’i kontrollonte para se ato të shtypeshin, punë kjo me mjaft përgjegjësi dhe tepër sfiduese dhe
b) mungonin mjetet financiare, të cilat át Zef Valentini sa ishte gjallë i siguroi jo lehtë, por me një punë përkushtuese shumë të veçantë (për të parë se kush qëndronte pas botimit të shikohet një nga kopertinat e vëllimeve të botuara, që po botojmë si ilustrim.)
Në një letërkëmbim të Gjek Gjonlekaj me Át Daniel Gjeçajn /ose Gjin Dukën/ me datën 13 prill të vitit 1985, gjejmë një informacion mjaft interesant për vëllimet: 26-të e 27-të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase, ku ndër të tjera theksohet: “vëllimet e fundit (…) janë bllokue në shtypshkronjë sepse nuk del kush me pague shtypin.”
Vëllimet me 2031 dokumente të pabotuara dhe përmbajtja e tyre
Është folur e shkruar disa herë se ruhen në dorëshkrim edhe disa vëllime të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase të át Zef Valentinit, duke u theksuar gjithnjë se fati i tyre nuk dihet. Natyrisht, hamendësime të tilla kanë bërë të gjithë ata që nuk kanë pasur në dorë asnjë nga dorëshkrimet e këtyre vëllimeve, të cilat në të vërtetë ekzistojnë dhe janë përgatitur për botim. Këtu e shohim të udhës të bëjmë një saktësim: para disa vitesh medievisti shqiptar, prof. dr. Pëllumb Xhufi na vuri në dispozicion fotokopjen e një pjese të vëllimit 26, të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase” të cilit i mungonin 107 dokumentet e para. Ky vëllim është i njëjtë me vëllimin që kemi ne. Te vëllimi 26 që disponon prof. dr. P. Xhufi, 4 faqet e para i ka përgatitur Antonius Guzzeta, dhe atë frontespicin e vëllimit 26, një hyrje prej një faqje në latinisht, burimet arkivore (fondet) dhe shkurtesat.
Në dorëshkrim, ruhen gjashtë vëllime, nga këto pesë vëllime me dokumente dhe një vëllim me indekse për vëllimet 25, 26 dhe 27. Nga vëllimet e gjetura, vëllimet 26-të e 27-të janë të përgatitur për botim dhe të dy vëllimet janë në gjendje boceti, pra i janë dhënë át Zef Valentinit që të bëjë rishikimet e fundit para se këto vëllime të shihnin dritën e botimit. Ndërkohë të katër vëllimet e tjera, janë vetëm të daktiloshkruara pra jo në gjendje boceti! Në katër vëllimet tjera ka shënime anësore dhe në fletë të veçanta se çfarë duhet kontrolluar e korrigjuar dhe si duhet vepruar me rastin e botimit të seicilit vëllim.
Vëllimi i 26-të dhe 27-të, sikurse edhe vëllimet e tjera është identik në çdo aspekt, si për nga forma, përmbajtja, trajtimi, përgatitja, kronologjia, indekset, burimet, shkurtesat, etj, me të njëzetë e pesë vëllimet e botuara. Si dëshmi për këtë po sjellim disa ilustrime nga këto vëllime.
Vëllimi i 26-të i kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase fillon me dokumentin numër 7.668 që mban datën 3 janar 1464 dhe përfundon me dokumentin nr. 8101 që mban datën 26 dhjetor 1464. Pra në këtë vëllim janë përfshirë 433 dokumente, përkatësisht të përgatitura nga át Valentini 326 dokumente që fillojnë nga dokumenti me numër 7.775 dhe që mban datën 15 mars 1464. Pjesa tjetër prej 107 dokumentesh u përgatit nga ne, duke ndjekur me kujdesin më të madh metodën dhe praktikën e punës së át Valentinit si për vëllimet botuara ashtu edhe për ato në dorëshkrim.
Të 107 dokumentet që mungojnë në fillimin të vëllimit 26 ne i nxorëm sipas të dhënave që át Zef Valentinit pjesërisht i ka botuar dhe pjesërisht i ka lënë të pa botuara, në dorëshkrim, në Arkivin e Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia).
Vëllimi i 27-të i kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase fillon me dokumentin numër 8.102 që mban datën 6 janar 1465 /ditë e premte/ dhe përfundon me dokumentin nr. 8.553 që mban datën 26 dhjetor 1465, /ditë e martë/. Pra në këtë vëllim janë përfshirë 451 dokumente.
Të gjitha dokumentet e kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase janë nxjerrë nga një arkiv i vetëm, Arkivi i Qytetit të Venedikut
Sikurse edhe për të gjitha vëllimet tjera edhe këto dokumente u nxorën nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), nga fondet e njëjta që ka shfrytëzuar át Valentini. Dokumentet fillimisht i skanuam dhe i riprodhuam në letër, pastaj bëmë transkriptimin e tyre dhe i përgatitëm për botim, sipas metodës dhe kritereve të punës së át Valentinit.
Me këtë rast dëshirojmë të theksojmë se një apo dy “albanologë” të huaj që kanë provuar të bëjnë studime dhe botime për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, kanë shfrytëzuar disa nga dokumentet e pa botuara të át Zef Valentinit, duke mos cituar fare se i kanë shfrytëzuar ato, me shpresën se vëllimet e mbetura në dorëshkrim nuk do të shohin asnjëherë dritën e botimit.
Në anën tjetër jemi në dije të dy projekteve madhore, të dy botuesve shqiptar, njëri po përgatit ribotimin anastatik-fototipik të kolanës së botuar nga át Zef Valentini, të të 25 vëllimeve, ndërsa tjetri botues është duke bërë përgatitjet e duhura për përkthimin e tërë kolanës së botuar, pastaj edhe të 6 vëllimeve të pa botuara, të cilat shpresojmë se do të botohen në ndërkohë.
Pra, vëllimet e mbetura trajtojnë kronologjikisht epokën “Skenderbegiane”, përkatësisht, siç u cek më lartë ato përfundojmë me 2 mars të vitit 1468, përkatësisht janë nxjerrë për botim dokumente vetëm për rreth dy muaj pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, që do të thotë, se át Zef Valentini nuk kishte gjetur dokumente që trajtonin drejtëpërdrejtë dhe zyrtarisht të ashtuquajturën “epokë Skenderbegiane” në Arkivin e Qytetit të Venedikut për periudhën e më vonshme kohore!
Rëndësia dhe vlera kapitale e 25 vëllimeve të botuara të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase
Të 7.668 dokumentet e botuara në 25 vëllime dhe 1.356 të tjerat të pa botuara në 6 vëllime, janë nxjerrë nga një arkiv i vetëm, pra nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), në rreth 10 fonde të tij, pra gjithsej 9.024 dokumenta. Kjo është një dëshmi shumë e rëndësishme për faktin se sa shumë dokumente, dorëshkrime dhe burime të tjera ka për shqiptarët dhe Shqipërinë nëpër arkivat dhe bibliotekat e ndryshme të Evropës. Pjesa më e madhe e dokumenteve të botuara botoheshin për herë të parë, të plota dhe me metoda bashkëkohore për kohën, duke ju mundësuar studiuesve të specializuar për fusha të ndryshme që të studiojnë dhe njohin nga afër mesjetën shqiptare.
Është krejt e natyrshme që në vëllimet e botuara ndeshen pasaktësi dhe gabime të natyrave të ndryshme, të cilat kanë si burim qoftë vetë origjinalin apo edhe scribes-it të cilët punuan për át Zef Valentinin dhe ndonjëherë edhe vetë editorin e tyre, i cili e kishte të pamundur që çdo gjë ta ndiqte vetë.
Këto gabime e lëshime, në asnjë mënyrë nuk ulin vlerën dhe rëndësinë që kanë ato për njohjen e përgjithshme të jetës së mesjetës shqiptare në shekujt XIV dhe XV.
Át Zef Valentini në lëndën burimore të përgatitur për botim, ka nxjerrë të gjitha dokumentet e mundshme që kishin të bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë, duke u përpjekur për të mos lënë anash asgjë. Ky, në fakt është rasti i parë që një studiues i huaj apo shqiptarë bën një botim të tillë me vlera kapitale dhe pothuajse të patejkaluara edhe sot.
Vëllimet e botuara në vija të trasha ndahen në epokën para skenderbegiane dhe atë skenderbegiane. Nëse lëmë anash të gjitha ato dokumente të botuara dhe shikojmë vetëm botimin e atyre për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, emri dhe puna e át Zef Valentinit është e paçmueshme dhe e papërsëritshme.
Rëndësia dhe vlera e 6 vëllimeve të pabotuarave të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase
Duke shfletuar me kujdes të 1356 dokumentet e pa botuara të kësaj kolane, ndeshen të dhëna dhe informacione me shume interes nga fusha të ndryshme të jetës dhe përditshmërisë së arbërorëve mesjetarë.
Dokumentet që presin të botohen dhe që janë shënjuar e përshkruar nga át Zef Valentini (me editorë dhe botues të rinj me rastin e botimit të tyre tani) fitojnë vlerë të shumëfishtë, kur dihet se pjesa dërmuese e tyre janë të pabotuara, ndërsa një pjesë e tyre edhe pse e botuara, janë jo komplete, me shkurtime, lëshime dhe deformime të shumta ndërsa një pjesë tjetër e njohim vetëm si regest.
Duke mos dashur të ulim vlerën e asnjë dokumenti, ne dëshirojmë të theksojmë se dokumentet që kanë të bëjmë me epokën Skenderbegiane, janë të një rëndësie të veçantë.
Meqenëse e njohim me themel këtë periudhë, jo vetëm nga ky arkiv, por edhe nga arkiva dhe biblioteka tjera evropiane, ne pohojmë me siguri të plotë, se për herë parë, studiuesve dhe të interesuarve të tjerë, në 6 vëllimet e pabotuara e të përgatitura nga át Zef Valentini, ju ofrohen më shumë se 150 dokumente të pa botuara. Ky numër i dokumenteve për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, do të ishte edhe më i madh sikur një studiues i huaj (zviceriano-austriak) që ka botuar një “vepër” për Skenderbeun, të mos kishte botuar me dhjetëra dokumente të përgatitura nga át Zef Valentini, të cilin nuk merr mundin as ta citoj fare në “veprën” e tij, duke përvetësuar pa fije turpi punën e gatshme të tjetrit. Po ky autor i huaj, ka shfrytëzuar edhe regestin e pjesshëm të Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikas” të botuar në: Archivum Historiae Pontificae të cilën e citon në ndonjë rast të vetëm (!), ku át Zef Valentini kishte botuar regestin dhe vendodhjen (signaturën) e saktë të shumë dokumenteve për vitet: 1442-1468.