Nga Don Lush GJERGJI/
“Ungjilli i jetës nuk është vetëm për besimtarë: ai është për të gjithë. Pyetja e jetës dhe mbrojtjes si dhe zhvillimit saj nuk është previlegj vetëm i të krishterëve… Kur Kisha shpallë respektimin e të drejtës së pakushtëzuar për jetë të çdo personi të pafaj – që nga ngjizja e deri te vdekja e natyrshme – e kjo është një ndër shtyllat në të cilët qëndron çdo shoqëri civile, ajo thjesht dëshiron ta përparojë një shtet human…”/ Gjon Pali II/
Karol Wojtyla – Papa Gjon Pali II – u lind në Wadowice (Poloni) më 18 maj 1920 në një familje të përshpirtshme katolike nga prindërit Karol Jozef dhe Emilie Kaczorowska. U pagëzua në kishën famullitare më 20 qershor 1920.
Babai i tij ishte nënoficier ushtarak, paksa i natyrës së mbyllur, i cili mbeti qysh herët i vej, mirëpo më nuk u martua. Vdekja e së ëmës ishte një goditje e rëndë për familje, për burrin dhe fëmijtë, në veçanti për Karolin e ri, i cili atëherë ishte vetëm tetë vjeçar. Pati edhe një motër e cila i vdiq gati se menjëherë pas lindjes.
Kështu u formua ky duet i çuditshëm: ati Karol dhe biri Lolek-u, siç e quanin të gjithë Karolin e vogël. Gati se ishin gjithmonë së bashku. I biri i parë, mjek në Bielsk, vdiq qysh në vitin 1932.
Shtëpia familjare ishte mjaft modeste. Karoli i vogël vijoi shkollën fillore në Wadovice, ku menjëherë u tregua i zellshëm dhe djalosh i telantuar. E donte lojën e fudbollit, mirëpo njëkohësisht ishte edhe jashtëzakonisht i disciplinuar. Shpeshherë ndërpren lojën duke thënë: “Mjaft, shkova të mësoj, po shkoj t’i ndihmoj atit tim në puntë shtëpiake.”
Në kishën famullitare ishte ministrant i rregulltë. Ishte edhe mjaft i përshpirtshëm, antar i Kongregatës Mariane, ku aktivisht merrte pjesë në iniciativa të ndryshme. Me ëndje e gëzim lexonte dhe e donte artin, muzikën, sportin, shetitjen në natyrë, teatrin. Mieczyslaw Kotlareczyk e futi në jetën teatrale, ku ia mëson gojëtarinë.
Gjimnazin e ndjeku në Wadovice, kurse në vitin 1938 regjistroi në Krakovë studimin e letërsisë polake. Edhe i ati u zhvendos në Krakovë, kështu që erdhi të jetonte me të birin e vet në lagjen Debnike të qytetit, te kusherina e së ëmës tij.
Djaloshin Karol, Provania e përcolli dhe udhëheqi hap pas hapi. Në Krakovë e takoi meshtarin Fieglewiecza, i cili së shpejti i bëhet atë shpirtërorë dhe rrëfystar i përmuajshëm. Kishte shumë vullnet për studim, kështuqë reflektonte e mbi të gjitha besonte në kulturë, art, në jetë dhe në dashuri… Dëshironte sa më mirë dhe me sinqeritet të përgaditet për të ardhmen. Ishte aktiv në rrethin univesitar, në veçanti në aktivitete kulturore, mirëpo njëkohësisht ishte edhe në kërkim të kuptimit dhe përmbajtjes së jetës dhe punës. Të gjitha i ndërpreu furishëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore.
Më 1 shtator 1939 Karol-i përjeton bombardimet, rrënimet, vrasjet, dhunën… Me shumë miq dëtyrohet të largohet në veri të shteti për të shpëtuar jetën.
Mirëpo e gjitha ishte e kotë. Gjermania së shpejti okupoi të tërë Poloninë. Qeveria ishte në egzil në Rumani. Hitleri dëshironte të zhbijë nga faqje e tokës emrin Poloni. Së shpejti fillon edhe realiteti i dhimbshëm dhe i mundimshëm me kampet e përqëndrimit, në veçanti Auschwitz (Oswiecim). Përsekutimet e polakëve janë shumë të ashpra, sidomos kundër intelektualëve dhe hirearkisë kishtare.
Për të jetuar dhe mbijetuar disi, po edhe për t’iu shmangë deportimit në Gjermani, Karoli i ri vendos të studijojë në fshehtësi, pranë punës së rëndë në minierë. Punon, mëson, shkruan, lexon, lutët… Papritmas, nga infarkti, vdes i ati i Karolit (1941). Humbja ishte e madhe, pikëllimi i rëndë, zbrazëtia e papërshkruar, sepse ai ishte gjithçka për të, atë, nënë, vëlla, motër. I dukej se tashmë bota ishte në kokën apo shpinën e tij, sepse tani qysh në moshën 21 vjeçare nuk kishte më askend të vetin!
Në të lind pyetje dramatike: O, Zoti im, çfarë dëshiron prej meje? Çfarë dëshiron nga populli im polak? Në të vërtet, çfarë është duke ndodhur me këtë botë?
U vu në sprovë të madhe me luftën, me okupimin gjerman. Në vitin 1942 patrolla SS e arreston, e rrah deri gati në vdekje dhe ashtu gjysmë të vdekur e hudhën në një hendek. Pas disa orëve i kthehet vetëdija, dhe gati se në mënyrë të mrekullueshme qe shpëtuar nga një kalimtare e rastit. Ishte kjo “goditja” Provanisë dhe hirit të Zotit, sepse iu desht ta braktiste punën, studimin, për t’u shëruar. Në heshtje, lutje, vuajtje të shpirtit dhe trupit, apo siç do të thoshte më vonë, “në ushtrimet shpirtërore të cilat i kishte menduar vetë Zoti”, ballafaqohet me pyetjen jetësore të thirrjes, ardhmërisë.
THIRRJA MESHTARAKE
Karoli studijon teologjinë, në fillim në mënyrë private, e më pas me një grup shokësh në seminarin e fshehtë. Për meshtar u shugurua më 1 nëntor 1946. Ipeshkvi i njeh shumë mirë aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet e tij morale. Për këtë e dërgon në studime të mëtutjeshme posdiplomike në Romë, në Universitetin Domenikan “Angelicum”. Këtu njohu një realitet tërësisht tjetër nga ai në Poloni. Miqët dhe kolgët e tij student ishin nga pjesë të ndryshme të botës, si dhe profesorët. Atë Garrigon-Langrange ishte moralist me famë botërorë, te i cili Don Karoli e shkruan disertacionin e doktoraturës nga teologjia morale me titull “Feja në veprat e shën Gjonit të Kryqit”.
Në ndërkohë, sipas dëshirës dhe këshillës së ipeshkvit të Krakovës, Don Karoli i ri viziton Francën, Belgjikën dhe Holandën për të parë dhe studijuar, mësuar, përsonalisht punën pastorale në këto shtete europiane. Atje njihet me procesin e shekularizimit, në veçanti në Paris, kurse në Belgjikë dhe Holandë mori përvojën e bashkëjetesës mes katolikëve dhe protestantëve, të cilët thënë shpirtërisht nuk urrehen, mirëpo as nuk duhen shumë!
Me këto përvoja pastorale, intelektuale, morale dhe përgaditje shpirtërore, Don Karoli kthehet në Poloni në vitin 1948 me plotë entuziazëm për jetën meshtarake dhe punën pastorale.
Së pari emërohet kapelan në Niegowiq, një famulli e vogël dhe e largët malore, pa rrugë dhe rrjet elektrik, me besimtarë të varfër dhe të thjeshtë, të cilët mbi të gjitha e duan dhe nderojnë meshtarin katolik. Famullia kishte 14 fshtatra për rreth. Famullitar atëherë ishte Don Kazmierz Buzala, meshtar i urtë dhe i shenjtë, i cili punonte shumë mirë me besimtarët e famullisë. Don Karoli shumë shpejt përfitoi zemrën e famullitarit dhe të besimtarëve të famullisë me përkushtimin e tij, me durim, e mbi të gjitha me mirësinë dhe dashurinë ndaj çdo njeriu. Kremtonte meshë, iu mbante fëmijëve mësim feje, rrëfente dhe vizitonte të sëmurët, me kënaqësi e përvujtëri bisedonte me popullin e thjeshtë, kujdesej për rini. Ky vend iu duk se ishte ideal për përshpirtëri, lutje, meditim, lexim, shkrim, të cilin e deshte aq shumë.
SHËRBIMI BARITOR
Në vitin 1949 megjithatë arrin dekreti i ri ipeshkvor: Don Karoli ishte emëruar kapelan në famullin e Shën Florianit, në qendër të Krakovës.
Banorët e kësaj lagjeje kryesisht ishin ardhacakë nga pjesë të ndryshme të Polonisë. Pas lufte në afërsi të Krakovës u krijua Nova Huta, një pjesë e re e qytetit për banorët e ri. Vështirësitë ishin të mëdha dhe të llojllojshme, mirëpo po ashtu edhe mundësitë për ripërtërirje kombëtare, fetare, morale dhe shpirtërore. Don Karoli iu kushtua në veçanti pastoralit të të rinjëve, krijimit dhe edukimit të familjeve të reja, me organizime të takimeve të ndryshme, shetitje, ligjerata, shkëmbimin e përvojave jetësore. Nga kjo punë dhe përvojë e bashkimit fetar dolën shumë meditime të tij, shumë artikuj, poezi të cilat vite me radh i publikoi me pseudonimin Andrzej Jawien.
Në vitin 1951 sipas dëshirës së arqipeshkvit të tij Don Karoli duhet lëshuar famullinë dhe tërësisht t’i kushtohet shkencës, hulumtimeve, në veçanti studimit të filozofit Max Schiler-it. Në vitin 1953 u emërua profesor në Seminarin e arqipeshkvisë së tij dhe aty jepte mësim dhe edukon meshtarët e ardhshëm.
Mirëpo, në jetën e Don Karolit gjithnjë arrijnë befasitë. Në vitin 1958 u emërua ndihmës ipeshkëv i Krakovës. Edhe pse vazhdon me ligjerime, Ipeshkvi i ri përballet me realitetin e kurisë, bënte vizita baritore, ndante sakramentin e përforcimit të rinjëve, përcjellte ndërtimin e kishave të reja, themelonte famulli të reja…
Mons. Karol Wojtyla kërkonte mënyrën për të motivuar klerin për shërbim pastoral. Shpeshherë ia përsërit vetjes dhe të tjerëve: “Nuk duhet, por dua… Nuk duhesh, por dëshiron”!, duke u thirrur në përcaktim të lirë, në përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi, nga dashuria dhe për dashuri. Nga kjo përvojë pastorale dhe në bazë të hulumtimeve shkencore lindi libri “Dashuria dhe përgjegjësia” (1960).
Në vitin 1962 papritmas vdes arqipeshkvi i Krakovës Mons. Baziak. Ipeshkvi i ri Wojtyla aktivisht merrë pjesë në punimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, kurse në vitin 1964 emrohet për arqipeshkëv të Krakovës, pas dy vitesh që drejtoi arqipeshkvinë si vikar kapitular.
Edhe si arqipeshkëv ishte shumë i ngarkuar në punët e Koncilit të Dytë të Vatikanit, në veçanti rreth krijimit të dokumentit konciliar Lumen Gentium. Arqipeshkvia e tij është e madhe dhe mjaft e gjerë, për kah madhësia e dyta në Poloni, pas asaj të Varshavës, pra, me 2 milionë banorë dhe rreth 1500 meshtarë.
Në Vitin 1967 Papa Pali VI e emron kardinal Mons. Karol Wojtylen. Si kardinal në mënyrë të veçantë i përkushtohet bashkëkohorizimit dhe ripërtrirjes së Kishës, shpjegimit dhe aplikimit të saktë dhe të drejtë të ripërtrirjes konciliare, mbrojtjes themelore të drejtave të të gjithë njerëzve, dmth. edhe të besimtarëve të Polonisë. Pranë kardinalit Wyszynskit është shtyllë e Kishës polake. Në takimet e ndryshme, vizitat baritore, tubimet shkencore dhe kishtare, erdhi në shprehje kultura dhe përvoja e tij pastorale, në veçanti në Sinoda Ipeshkvore, ku ai ishte antar i përheshëm i Sekretariatit në emër të episkopatit polak.
Papa Pali VI vdiq në Castelgandolfo më 6 gusht 1978. Ishte harxhuar dhe mirë e kishte investuar tërë jetën e vet në shërbim të Zotit, Kishës, mbarë botës. Në meshën e dritës për shpirtin e Papës Pali VI, kardinal Wojytyla, thotë: “Të gjithë ne jemi të vetëdijshem se pontifikati i Palit VI ishte shumë i ndjeshëm dhe i rëndë…”
Për papë u zgjodh kardinali idhe patriku Venedikut Albino Luciani, Papa Gjon Pali I. Është talian, por jo nga Kuria Romake, por ipeshkëv baritor. Karol Wojtyla e njehte mjaft mirë papën e ri Gjon Pali I. Qysh nga mbledhjet dhe seksionet e ndryshme konciliare ishin bashkëpuntorë dhe miq të mirë. Në kthim për Poloni tha: “Ne dëshirojmë të jemi me Papën që nga fillimi i pontifikatit të tij, sepse e di që ky kryq, kryqi-Papë, është fshehtësia e shëlbimit e cila realizohet në Jezu Krishtin.”
Mirëpo, befasitë nuk kanë më fund. Papa buzëqeshur – Gjon Pali I, përfitoi botën me thjeshtësinë në të folur, me buzëqeshjen dhe përzemërsinë e tij, me gjuhën e qartë dhe të kuptueshme për të gjithë, me dashurinë e madhe që kishte për të gjithë. Kisha dhe bota frymojnë me një lehtësim të caktuar. Së fundi një njeri nga populli drejton Kishën e Krishtit! Mirëpo, shumë shpejt ndodhi tronditja i vërtetë, pikëllim i madh. Bota u shtang dhe “ngri” me lajmin mbi vdekjen e befasueshme të Gjon Palit I. Hutia, mosbesimi, tërbimi, pështjellimi, interpretimet e ndryshme, deri diku edhe frika për shkak kësaj ngjarjeje, janë të mëdha.
Kardinal Wojtyla në Katerdalën e Krakovës tha: “Shumë kemi shpresuar, shumë kemi pritur nga Papa i ri. Dukej se pikërisht ai ishte personi i vërtetë i pritjes së Kishës dhe botës. Për këtë pyetëm, pyetet gjithë Kisha, gjithë bota, Përse?…”
Në emër të revistës fetaro-kulturore “Drita” në gjuhën shqipe, si dhe në emër të shtëpisë botuese katolike “Kršćanska sadašnost” nga Zagrebi pata fatin dhe rastin të përcjell në Romë konklavën (mbledhjet e fshehta, apo me dyer të mbulluara për zgjedhjen e Papës). Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, pritjet e mëdha, përgjegjësia e kardinajve historike. Kisha është në heshtje, lutet, shpreson, thërret ndihmën e Shpirtit Shenjt, për Protagonistin e ri të kësaj konklave dhe të Kishës. Qytetarët e Romës janë të shqetësuar, të ngacëmuar nga kjo gjendje e paqartë dhe e pasigurtë. Gati thuajse fillon “mbështetja” për njerin apo tjetrin kardinal.
PAPA GJON PALI II
Me 16 tetor 1978 kardinal Karol Wojtyla zgjedhet për Papë. Kardinal Felici shpalli lajmin e madh: “Kemi Papën…Karol Wojtyla…Gjon Pali II.” Pas këtyre fjalëve mbretëronte heshtja. Njerëzit shiqoheshin mes veti, shiqojnë kah drejtimi i tarasës së Shën Pjetrit… Të befasuar, të zënë ngushtë, thuajse gati nuk iu besojnë veshëve të tyre, pyesin njëri-tjetrin: kush është ky? Pas një heshtjeje dhe hutie të shkurtër, shpërthen gëzimi që shprehet me përqafime, urime, këngë, lutje, brohoritje, gjunjëzime, lotë…
Korrespodenti i New York Timesa, i cili ishte afër meje, më pyet: “Në të vërtetë, kush është ky kardinal? I përgjigjem në shpejtësi: “Kardinali i Krakovës, Karol Wojtyla, Polak!” Atëherë ai më tha: “Ky është senzacion i madh, ngjarje e shekullit tonë, gjë fantastike!”
Gazetari i TG1 më pyet: “Çfarë mendoni mbi këtë zgjedhje, për Papën e ri?” Përgjigjem i shqetësuar dhe shpontanisht kështu: “Për herë të parë nga afër, në Romë, përcjell konklavën… Jam shumë i lumtur dhe i befasuar me këtë përzgjedhje providenciale… Jo se vetëm nuk e kam pritur, por as që kam pasur guxim të mendoja për këtë përzgjedhje. Kjo është një mirënjohje për mbarë Kishën, në veçanti për Kishën martire polake, për mbarë Kishën e persekutuar… Kjo është vepër e Shpirtit Shenjt… Në një mënyrë e konsideroj ‘tonin’, jo sikur papët tjerët të mos ishin tanët, porse me këtë jemi më afër vuajtjes bashkon vuajtja. Ai i njeh shumë mirë kushtet tona, mendoj edhe kushtet dhe rrethanat e Kishës së përgjithshme.. .Me këtë përzgjedhje Kisha polake ka humbur Bariun e madh, mirëpo për këtë Kisha e përgjithshme ka fituar edhe Bariun e ri e të madh, Atin e Shenjt… Shpresoj që kjo kohë të jetë e favorshme për mbarë Kishën, po edhe për Kishën e heshtjes, për Kishat tona martire. Kjo përzgjedhje tejkalon gjitha pritjet. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet vdekja e hershme e Papës Gjon Palit I, si dhe rrugën të cilën e përgaditi Zoti dhe zgjodhi për Kishën dhe botën e sotme…” (“DRITA”, 9/1978, 16. X.1978, fq 4).
Papa i cili erdhi nga “larg” siç tha Gjon Pali II, gjatë paraqitjes së të tij të parë popullit të Zotit, shumë shpejt do të jetë i afërt, Mik, Vëlla dhe Atë i të gjithëve.
Vazhdimi e këtij tregimi vërtet të pabesueshëm, është shkruar nga Shpirti Shenjt dhe Papa i madh, “i pavdekshmi” Gjon Pali II, i cili për 27 vite ishte “Protagonisti” i parë i Zotit në Kishën katolike, në mbarë botën.
“HAPJANI DYERT KRISHTIT”
“Hapjani dyert Krishtit” është klithja, thirrja e Gjon Palit II drejtuar Kishës, të rinjëve, botës. Në pontifikatin e tij, siç shënon edhe emëri i tij, dëshironte të trashëgonte, përmbledhte mirësinë e Papës Gjoni XXIII, urtinë, këmbëngulësinë, guximin e Papës Pal VI. Dhe vërtet përmblodhi emërin, përmblodhi jetën dhe veprën e tyre!
Gjon Pali II ishte Bari i vërtetë i Kishës së Romës, i Kishës së përgjithshme, me plotë forcë, guxim, ngazëllim, dashuri. Ritmi i jetës dhe punës, i vizitave baritore, enciklikave, takimeve, përkushtimit për paqe, drejtësi, solidaritet, befasonte të gjithë, ishte i ijashtëzakonshëm.
Gjon Pali II ishte pa dyshim fenomen i fesë, dashurisë, përkushtimit të plotë me veprimtari dhe hapa gjigant. Më askush nuk mund ta ndalte: as atentati, as sëmundja, as pleqëria, as sulmet nga e djathta apo e majta, do të thoja as vdekja! Njeriu i Zotit, Zëvendës i Krishtit, me ngazëllim udhëheqi Kishën drejt mijëvjeçarit të tretë me moton: Jezusi është i njejti, dje, sot e përgjithmonë!
Në sypet e shtrembura, në duart që dridheshin, në këmbët të cilat nuk e mbajnin më, kishin mbetur edhe dy drita dhe sy të thellë, Zemra – Dashuria e madhe me të cilën përqafonte dhe shërbente tërë botën.
Dhe kështu ishte deri ditën e shenjtë të ndërrimit të jetës, më 2 prill 2005. Procesi për beatifikimin e tij filloi po të njejtin vit, më 8 maj.
Para akrkivolit të tij janë rreshtuar dhe përkulur të mëdhenjët e botës, më se tre milion shtegtarë nga meridianet e ndryshme të tokës, më se 200 delegacione zyrtare, përfaqësuesit e shumë feve. Mesha e salikimit ishte trasmetuar në mondovision, dhe për shumë komentatorë, ishte “varrimi më i përcjellur dhe me pjesëmarrje në historinë e mjeteve pamoro-dëgjimore”.
Procesi i lumturimit ka përfunduar shpjet dhe mirë, kështu që më 1 maj 2011 ishte Lumturimi i Papës Gjon Pali II, prapë me pjesëmarrje dhe gëzim të jashtëzakosnhëm të të gjithëve. Tashmë në jetën e pasosur së bashku me të Lumen Nënën Tereze, pa dyshim, lutet dhe ndërmjetëson për Kishën dhe Popullin tonë, siç kishte bërë dikur në këtë jetë, edhe më gjerë, për mbarë njerëzimin!
Shenjtërimi apo kanonizimi i Gjon Pali II (27 prill 2014) është prfundim i natyrshëm i jetës dhe veprës së tij madhore në shërbim të Zotit, Kishës dhe mbarë njerëzimit, si “Shenjti” i ditëve dhe kohës sonë dhe “bashkëudhëtar” kah amshimi.