Nga Gladiola Jorbus/
Një personazh i shumanshëm si Maya Angelou: shkrimtare, poete, aktore, këngëtare, skenariste, balerinë, regjisore, predikuese, humoriste dhe aktiviste e mirënjohur e të drejtave civile. Jeta e saj konsiderohet një histori frymëzimi e mbushur me guxim, këmbëngulje dhe aftësi për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha.
Edhe pse kurrë nuk u diplomua në një universitet, ajo njihej me titullin ‘Dr. Maya Angelou’. Autobiografitë e autores pushtuan mbarë botën duke u kthyer në simbol përfaqësimi për komunitetin afro-amerikan.
Stili autobiografik i Angelout theu skemat e kohës, u duartrokit, por pati dhe kundërshtarë, kryesisht në institucionet arsimore. Këtë material të ri didaktiko-mësimor, që derivonte prej saj, prindërit e konsideronin tabuthyes e provokues, meqenëse promovonte seksualitetin, marrëdhëniet jashtëmartesore e homoseksualitetin, cënonte vlerat tradicionale dhe përshkruante racizmin, abuzimin apo përdhunimin.
Pavarësisht nga kjo, Angelou frymëzoi me aspiratën e saj për të bërë të njohura çështjet e racës, identitetit dhe të shkruarit e të lexuarit. Ky model arsimi që prek kultura të ndryshme, epoka të kaluara e popuj të tjerë na bën më empatikë dhe njerëzorë.
Maya Angelou u dha hov programeve në kolegje dhe universitete. Një shembull është ai i universitetit ‘Winston Salem’, i cili krijoi ‘Institutin Maya Angelou për përmirësimin e edukimit të fëmijëve dhe familjes’. Misioni i tij ishte të krijonte iniciativa për t’u dhënë fëmijëve dhe familjeve mjetet e nevojshme për të lulëzuar në aspektin arsimor, shoqëror, fizik dhe psikologjik.
Autorja lëvroi në poezitë dhe romanet e saj dallimin midis injorancës dhe analfabetizmit, njohurive të fituara përmes përvojës praktike dhe mungesës së barazisë në arsim. Për dekada me radhë, ajo inkurajoi breza të tërë studentësh që të bëheshin shkrimtarë, mendimtarë dhe qytetarë më të mirë.
Përsa i përket përcaktimit të stilit të poetes Angelou, ai është i vështirë për t’u klasifikuar sepse krijuesja nuk iu përmbajt një të shkruari specifik, dhe as një skematike të caktuar rimash. Në shumë nga poezitë e saj vërehet një lloj dialekti i quajtur Black Secular, një formë e anglishtes së thjeshtuar, me metafora që lidhen me skllavërinë. Në poezinë e saj dallohet ndërveprimi verbal midis lexuesit dhe poetit.
Edhe në prozë, edhe në vargje, stili i Angelout shfaqet i drejtpërdrejtë e bisedor, ajo nuk lëkundet të pasqyrojë as individualitetin, as papërkulshmërinë dhe as hidhërimin e saj. Madje e fton publikun të bëhet pjesë e historive a sekreteve të veta.
Gjithsesi nuk duhet lënë pa përmendur dhe ndikimi i muzikës blues, zhanër që i ka rrënjët në jugun e thellë të Shteteve të Bashkuara, një nënrajon kulturor dhe gjeografik që veçonte për format e ashpra të skllavërisë dhe traditën muzikore afrikane.
Në vitin 1972, M. Angelou shkroi skenarin e filmit ‘Georgia’, një prodhim dramatik suedezo-amerikan i vitit 1972, që drejtohej nga Stig Björkman. ‘Georgia’ mori pjesë në ‘Festivalin e 23-të ndërkombëtar të filmit’ në Berlin.
Gjatë gjithë karrierës së saj, M. Angelou ka marrë tituj honorifikë nga disa universitete të botës, një çmim Pulitzer dhe plot nderime të tjera. Megjithatë, kritikët e saj shpreheshin se ajo ishte e mbivlerësuar, pasi nuk gëzonte peshën e vërtetë akademike, se sa atë të artistes së famshme.
Në vitin 1993, Maya Angelou triumfoi sërish, si e ftuar speciale në ceremoninë zyrtare të ish – presidentit Bill Clinton. Ajo interpretoi poezinë e saj ‘Në pulsin e mëngjesit’. Kjo poezi amplifikoi famën e poetes duke e shndërruar kështu Maya Angeloun, në gruan e parë dhe poeten e dytë në histori, (pas Robert Frost) që recitoi në një përurim presidencial.
Vargjet e saj synonin vëmendjen e audiencës, përmes mesazhit se uniteti e përgjegjësia ndaj njerëzve dhe planetit janë veçori shumë të rëndësishme.
Angazhimi i saj në politikë vazhdoi me pjesëmarrjen në fushatën elektorale të vitit 2008, në favor të Hillary Clinton. Por kur Obama u zgjodh si presidenti i parë afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Maya nuk ngurroi ta mbështeste me thënien: “Ne po rritemi përtej idiotizmave të racizmit dhe seksizmit”.
Poetja, romancierja dhe aktivistja amerikane Maya Angelou ka lënë gjurmë si një ndër figurat më të shquara femërore në letërsinë botërore. Ajo trajtoi tema të tilla si racizmi, tirania seksuale dhe ekonomia. Vepra që i dha famë ishte ‘Unë e di pse këndon zogu i kafazit’ (1969).
Si avokate e të drejtave civile, ajo bashkëpunoi me Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X. Angelou vlerësohej për oratorinë e saj dhe përpjekjet në mbrojtje të njerëzve dhe të kulturës së komunitetit të cilit i përkiste. Ajo shkroi haptas për veten, pa lënë mënjanë faktin që dikur kishte qenë punëtore seksi, në momente shumë të vështira të jetës. Angelou është shprehur lirshëm në lidhje me këtë temë, për t’u dhënë të kuptojë njerëzve se askush nuk është perfekt, ndaj duhet të falin veten dhe të vazhdojnë përpara me jetët e tyre duke besuar fort, se mund të arrijnë atë çka duan.
Ajo i përshkroi përvojat e saj në autobiografinë ‘Mblidhuni së bashku në emrin tim’(1974), memuaristikë e vlerësuar nga kritika. Libri flet për adoleshenten Rita (emri i vërtetë i autores), paraqet kolapsin e një nëne të vetme në shkallët e varfërisë dhe të krimit. Titulli i librit është marrë nga ‘Bibla’ dhe rrëfen se si një femër afro-amerikane, mundi të mbijetonte në shoqërinë e mbizotëruar nga të bardhët, pas Luftës së Dytë Botërore në SH.B.A.
Angelou diskutoi me autoritet për shumë çështje si amësia, familja, racizmi, identiteti, arsimi etj., së bashku me aspekte të tjera të jetës, të cilat e bënë më eklektike, më të fuqishme, më interesante dhe influencuan transformimin e saj.
Poezitë, librat dhe zëri i krijueses kanë ndikuar jetën e mendësinë e miliona njerëzve. Maya Angelou mbetet një heroinë sa reale, aq dhe e paharrueshme, e cila deri në vdekje vigjiloi pareshtur për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve, të grave dhe paqen në botë. Ajo qe një potencial i jashtëzakonshëm ku ndërthureshin eksperiencat e jetës, talenti, aftësitë, forca, grinta, mendimi kritik, kreativiteti dhe inteligjenca.
Nëse sipas semiotikës, kryqi përfaqëson krishtërimin apo Ylli i Davidit judaizmin, mund të themi me bindje se Maya Angelou përfaqëson Gruan Fenomenale.