Nga Aleksandër Çipa*
Libri “Matjani për Matin” është një antologji rrëfimesh dhe adresimesh për Matin. Si e tillë, ajo ka vlerën atipike të një përmbledhjeje informuese, gjeografipërshkruese, historie kronologjike, ka pasurinë ekspresive të një doracaku orientues tej së shkuarës dhe matanë së ardhmes së Matit. Por si një antologji atipike, kjo përmbledhje vjen përkushtueshëm prej një biri të paepur në shërbim dashuronjës për visin e vet, prej një publicisti me profil të krijuar ndër dekada, si shërbestar historiko-kulturologjik për vendlindjen dhe sidomos, visdashjen e bashkëvendasve të vet, Matin. Bëhet fjalë për një visdashje që mbart dhe udhëhiqet prej dëshirës dhe përkushtimit epistologjik të bijve të vet.
Janë dhjetra emra të shquar të përfaqësimit historik dhe kulturor kombëtar shqiptar që kanë origjinën dhe zanafillën fisnore të tyre nga visi i Matit. Është ky troll që në identitetin dhe modernitetin shqiptar të historisë, jo vetëm shpërfaqet atipikisht, por dominon përfaqësueshëm.
Për këtë arsye, autori i këtij libri, Hamdi Hysuka, motivin e parë shtytues për aktin autorial ka dashurinë dhe krenarinë genuine të visdashjes, të krahinë-përkimit dhe të shqueshmërisë kombëtare si në rrafshin historik, atë politik dhe sidomos kulturor dhe antropologjik.
Krejt vëllimi publicistik është i mbushur me materien përkushtuese për Matin dhe matjanët. Një përcaktueshmëri klasike kjo, në raportin vis-njeri për të provuar me krejt materien e vet shkrimore se: visi e fiton provën dhe ngjizjen historike të vetvetes, pashmangshmërisht në saj të historisë që bën njeriu. Në rastin e Matit, është fjala për një histori që u materializua jo thjesht si kontribut historik, politik, kulturor apo më gjerë shpirtëror, por parësisht, material arkeologjiko-historik.
Në disa prej shkrimeve të këtij libri ofrohen opcionet më të pakundërshtueshme të historisë zanafillore, të artefakteve të përshkruara arkeologjike, të kontributit kulturologjik në fillimësinë e shqipes si me Pjetër Budin, apo në adresimin e pandërprerë albanologjik të kontributorëve më të famshëm ndërkombëtarë të kësaj disipline, të cilët njeri pas tjetrit, nuk e kanë humbur dritësimin prej fari të matjanëve në fushën e dijes, prelatësisë dhe sidomos mendimtarisë në shkrimtarësi dhe rrëfimtari.
Antologjia e ciklit të gjerë të publicistikës (me shumë autorësi) në këtë libër, nuk e eklipson punën selektuese dhe konceptin strukturues të vetë autorit Hysuka. Madje në këtë koncept, duket se e ka bashkëndarë autorësinë individuale për interes të drejtnjohjes dhe plotnjohjes së krahinës së vet, duke dashur të perifrazojë misionin vetiak sipas afërisë me poezinë e famshme të Kadaresë për Skënderbeun: “Ç’ka mangut linte ditën Gjergji / plotësonte natën Skënderbeu”…E thënë në mënyrën më të drejtëpërdrejtë, kjo antologji nuk ka vetëm përshkrim, por është në tërësinë tekstuale të saj një doracak me vlerë të gjithëhershme përdorimi për përcaktueshmëritë kohore historike të Matit, për drejtorientimet kulturore të së shkuarës dhe përdorimi i pazhbëshëm referencial i saj, lartësimi mbipolitik dhe aq më tepër partiak i bijve matjanë si dhe rivlerësimet e historisë në kontekstet kombëtare dhe gjithëshqiptare të bijve dhe protagonistëve të vet.
Në këtë libër është në fuqi klithma optimiste për të mos humbur asgjë nga e shkuara e vendlindjes Mat. Është e jehonshme dëshira për të ardhmen e ndritshme turistike të krahinës, për një punë të palodhshme dhe pandërprerje për ndryshimin dhe promovimin e kulturës, trashëgimisë dhe sidomos identitetit entitar të Matit dhe matjanëve. Në këtë mënyrë, sipas autorit, duke shërbyer dhe kontribuar për vendlindjen, ke fituar provën për gurin peshues të së nesërmes matjane.
Antologjia përshkruese në krejt strukturën e vet, ndjek një linjë të fisme idolatrie për atdhesinë. Në sociologji do të thuhej për toposin. Por ne e evitojmë qëllimisht këtë term socio-gjeografik, sepse ia vlen më tepër kuptimësia e atdhesisë matjane. Jo më kot, autori ka përfshirë në hyrjen e këtij libri, strukturën në miniaturë të një enciklopedie personalitetesh matjane në kuadër të krejt historisë kombëtare shqiptare. E ka mundësuar jo vetëm racionalisht, por edhe konceptualisht drejt, duke mos mbetur vetëm në emërsinë e kontributorëve të shquar matjanë në historinë politike të kombit, por edhe në adresimin te bashkëkohës të tij, të cilët edhe amlin edhe ashtin prej matjanësh e dëshmojnë dhe shpërbjejnë duke i dhënë vlerë jo vetëm lokale, por gjithëkombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë aspekt, libri ka vlerë unike dhe të çmueshme për publicistikën enciklopedike entitare shqiptare.
Libri i Hamdi Hysukës është ndër të tjera, me vlerën e një doracaku emërdëshmues për inteligjencën dhe ekspertët me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar të Matit në gjithëkohësi.
Në të gjitha lëmitë, në kapitujt shkrimorë të këtij libri, bij të Matit bëhen zëra të një polifonie kulturore dhe shkrimore aq të lakmueshme nga krahina apo vise të tjera të shqiptarësisë dhe rajonit tonë ballkanik. Është kjo një dëshmi aq autentike për valencën intelektuale, atë civile dhe sidomos të investimit njerëzor të kësaj krahine. Libri ofron dëshminë e vet autentike dhe provat vijuese për një gjendje dhe shpirt emancipues që trashëgohet në viset e Matit.
Bijtë dhe bijat intelektuale të krahinës janë miniaturisht prelatë të një bashkëjetese dhe kulti europianist të pranësisë dhe pranimit religjionar. Mjafton të kalosh tekstin-guidë nën titullin “Të mirin e të zotin gjithkush e do” dhe të mjafton të krijosh një imazh të plotë perceptual për kontributësinë intelektuale dhe qytetare të matjanëve në hapësirat historike dhe atë teritoriale të kombësisë sonë.
Ky libër edhe pse është konceptuar (dhe falë autorit ia ka dalë të mbetet besnik i dritësimit të më së duhurës lokale), nuk është një tekst me gravitet lokalist. Përkundrazi, ka peshën specifike të rrëfimtarisë dhe fjalëthënies shumënjerëzore. Për këtë arsye, autori i tij, Hamdi Hysuka, e imponon lexuesin të fitojë dijeni dhe njohje më shumë se prej një autori.
*kryetar i Unionit
të Gazetarëve të Shqipërisë