PRISHTINË, 24 Korrik /
Nga Behlul Jashari/.-“Vitrina e Muzeut të Kosovës”, titullohet ekspozita e hapur në Prishtinë me eksponate nga fondi arkeologjik, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri në 1 shtator, mundësohet blerja e riprodhimit të “Hyjneshës në Fron” prodhuar nga Muzeu i Kosovës, ndërsa fondet e grumbulluara do të dhurohen për fëmijët e SOS fshatrave të Kosovës.
“Hyjnesha në Fron” është një figurë terrakote mbi 6.000 vjet e vjetër, e zbuluar në 1956 në afërsi të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, dhe është simbol antik i saj.
“Prezantohen riprodhimet e disa objekteve nga thesari arkeologjik, pjesë e koleksionit të madh të Muzeut të Kosovës, i cili ende nuk është kthyer nga Beogradi”, u theksua në hapjen e ekspozitës.
Ka mëse 17 vite, nga 1998-1999 , prej kur më shumë se 1.200 objekte arkeologjike e etnografike të Kosovës mbahen në Serbi. Beogradi i ka kthyer Prishtinës “Hyjneshen në Fron”, të cilin e pat sjellë nga kryeqyteti serb një nga ish-kryeadministratorët e misionit të OKB-së në Kosovë, Michael Steiner.“Vitrina e Muzeut të Kosovës” ka ekspozuar edhe Medaljonin e Probit, i viteve 276-282, i zbuluar në Ulpianë, monedhë e përdorur gjatë sundimit të Perandorit Probi, Kapakun Prozopomorf dhe Figurinën Antropomorfe të peridhës së neolitit, të zbuluara në Mitrovicë, Urnën nga periudha e hekurit, zbuluar në Bardh të Madh, Okarinën – instrument muzikor frymor nga argjila e pjekur, e periudhës së neolitit zbuluar në Runik të Skënderajt, Tavolinën e kohës së neolitit zbuluar afër Gracanicës, e artefakte të tjera.
Hapja zyrtare e ekspozitës “Vitrina e Muzeut të Kosovës” u bë në Sheshin Ibrahim Rugova, në Prishtinë.