KRYEMINISTRI RAMUSH HARADINAJ JEP DORËHEQJE, FTOHET NGA GJYKATA SPECIALE NË HAGË/
-Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 Mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës/
Gazeta DIELLI nga korrepondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 19 Korrik 2019/ Lideri i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, në mbledhjen e Qeverisë pasdite deklaroi se arsyeja e këtij vendimi është se ka marrë thirrje të paraqitet për t’u marrë në pyetje si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 Mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.
DEKLARATA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMUSH HARADINAJ SOT NË MBLEDHJEN E QEVERISË SË KOSOVËS:
Të nderuar qytetarë,
Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:
Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.
Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.
Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.
Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.
Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.
Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.
Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.
Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.
Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.
Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.
Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.
I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.
Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit.
I juaji,
Ramush Haradinaj
***
KRYEPARLAMENTARI VESELI: LUFTA E UÇK, E PASTËR DHE E DREJTË
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së.Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona.
***
PRESIDENTI THAÇI: KEQARDHJE PËR FTESAT NGA GJYKATA SPECIALE
-Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë/
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka shkruar në ‘facebook’:
Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! HTH