Washington, 9 shkurt 2018/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar ish-senatorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mikun e madh të shqiptarëve, Bob Dole.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë kontributin e SHBA-ve për Kosovën, po ashtu edhe rolin e çmuar dhe të pazëvendësueshëm të Senatorit Dole në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për ndihmën e miqve tanë amerikanë për lirinë dhe pavarësinë dhe tani për rrugën e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj në takim me ish Senatorin Dole.Kryeministri Haradinaj e njoftoi Senatorin Dole edhe për sukseset dhe vështirësitë e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike.
***
Kosova përherë falënderuese për ndihmën e Madeleine Albright
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright dhe drejtorin e NDI, Kenneth Wollack, me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar zonjën Albright për angazhimin e saj në luftën për liri të Kosovës dhe në ndërtimin e paqes.
“Ju na ndihmuat në kohën kur kosovarëve u duhej ndihma e një miku. Sot në emër të secilit qytetar, ju falënderoj nga zemra, për gjithë angazhimin tuaj” , tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim u bisedua për të gjitha temat që preokupojnë lirinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Zonja Albright shprehu përkushtimin e saj në përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit të saj.