Nga Aristotel Mici/
Akili i falej Zeusit Pellazgjik të Dodonës
(Iliada, XVI, V. 223- 238)
——————————————————————————
Në veprën e tij monumentale “Historitë” Herodoti na përshkruan mjaftë hollësira rreth Orakullit të Dodonës dhe banorëve për rreth saj. Historiani më i vjetër i botës aty na njeh edhe me pellazgët, duke i konsideruar ata jo vetëm si më të herëshëm se helenët, po edhe që kanë ndihmuar në formimin e tyre kulturor dhe shpirtëror, krahas ndikimit egjyptian.
Me fjalët e tij Herodoti do të përforcojë idenë se jo të gjitha zakonet Helenët i kanë marrë prej egjyptianëve. “Siç do ta shpjegoj, – shkruan ai,- gjithë zakonet helenët nuk i kanë marrë prej egjyptianëve, po prej pellazgëve. Prej pellazgëve kanë marrë edhe gdhendjen e shtatoreve të Hermesit… . Më parë, siç kam dëgjuar në Dodonë,- vazhdon të tregojë Herodoti,- pellazgët gjatë të gjitha flijimeve që kryenin u luteshin “perëndive” pa përmendur ndonjë emër, a po epitet të veçantë, sepse nuk kishin dëgjuar ende për gjëra të tilla……. Shumë kohë më pas mësuan emrat e perëndive të ardhura prej Egjiptit- përveç atij të Dionisit, të cilin e mësuan shumë më vonë. Pas një farë kohe u këshilluan me orakullin e Dodonës, që është orakulli më i lashtë i Heladës dhe atëherë ishte i vetmi.[1] Pellazgët e pyetën orakullin nëse duhet t’i pranonin këto emra perëndish që u patën ardhur prej barbarëve. Orakulli u tha se duhej t’i pranonin. Dhe pikërisht qysh atëherë ata përdornin emrat e perëndive, kur kryenin ritet e tyre. Edhe këto veprime helenët i kanë trashëguar prej pellazgëve.”[2] “Por vetëm dje ose pardje, si të thuash, helenët mësuan prejardhjen e çdo hyjnie. Me që mendoj se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar jo më shumë se katërqind vjet para meje, ishin ata që krijuan një teogoni (pemët e familjes së perëndive) për botën helene, pra ata u dhanë emra atyre, caktuan nderet për ta dhe fushat që mbulonin dhe na thanë ç’pamje kishin.
Nga këto që zura në gojë më sipër, pjesa e parë e tyre janë pohime të priftëreshave në Dodonë, kurse e dyta, ajo që i përket Hesiodit dhe Homerit, është mendimi im.” [3]
Është kuptimplot fakti që Herodoti po thuajse në të gjitha rastet, kur pikëtakohen ndërveprme midis pellazgëve dhe helenëve, të parët, pra pellazgët i konsideron si pararendës të helenëve, gjë që duket edhe në faqet e librit të VII të veprës; në parag. 95, të këtij libri shohim:
“Edhe banorët e ishujve të Egjeut kishin prejardhje pellazge, po më vonë u quajtën jonianë për të njëjtën arsye si edhe jonianët e dymbëdhjetë qyteteve, që ishin shpërngulur nga Athina”.
Duke lexuar Herodotin, gjithnjë të bije në sy mendimi i tij për t’i quajtur fiset helene si akejt, athinasit, jonianët me origjinë pellazgë siç thotë edhe paragrafi, që pason: “Në kohën kur pellazgët zotëronin atë që tani quhet Heladë, athinasit një popull pellazgë, quheshin kranaj [4](nënvizimi im, AM).
Nga fjalët e cituara dhe të vizuara më sipër, që lexohen në paragrafin 44, Lib. VIII, nuk është e vështirë të dalim me tre deduksione:
1)Së pari, Herodoti na tregon se ajo, që në kohën e tij, quhej Helladë, dikur ka qenë vend i zotëruar nga Pellazgët.
2) Së dyti, “athinasit kanë qenë një popull pellazg”
3)Së treti , në kohën e zotërimit nga pellazgët, athinasit quheshin kranajë.
Siç duket në gjihë veprën e tij, Herodoti ka qënë dhe një dijetar shetitës, që kish gjesdisur shumë vende të botës së vjetër, nga Teba në Dodonë, në Athinë, Lemnos, Pelepones. Dhe kudo që vinte, ai përpiqej të gjellinte fakte dhe ngjarje, që i dukeshin interesante për historitë, që kish marrë përsipër të shkruante. Nga moria e ngjarjeve m’u duk me interes të veçoja midis të tjerave edhe rrrëfimin për dy orakujt, atë të Heladës dhe atë të Libisë. “Egjiptianët,- shkruan Herodoti, – ,tregojnë sa vijon: priftërinjtë e Zeusit të Tebës më thanë që dy gra, në fakt priftëresha, ishin rrëmbyer në Tebë prej disa fenikasve. Ata kishin marrë vesh se njera nga gratë ishte shitur në Libi dhe tjetra në Heladë. Sipas tyre këto gra ishin të parat që themeluan dy orakuj në këto dy vende. Kur i pyeta si mund të flisnin me kaq siguri, m’u përgjegjen se kishin bërë një kërkim të kujdesshëm për këto dy gra. Dhe, megjithëse nuk ia kishin dalë t’i gjenin, kishin zbuluar më pas atë çka po më thoshnin për to.(Historite, Lib. II- f.124)
Kjo është ajo që më thanë priftërinjtë në Tebë, por profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturonin që nga Teba në Egjipt; njera fluturoi drejt Libisë, tjetra aty në Dodone, pranë tyre. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një orakull i Zeusit.
.Banorët e Dodonës e kuptuan se po dëgjoni një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha. Priftëreshat thonë se pëllumbesha që shkoi në Libi u tha libianëve të ndërtonin orakullin e Amonit, një orakull tjetër të Zeusit. Kështu thoshin priftëreshat e Dodonës, nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta Timareta dhe më e reja Nikandra. Edhe dodonasit e tjerë që banonin rreth e rrotull tempullit, pajtoheshin me këtë….
*(Te plote e lexoni ne Diellin e Printuar)
[1] Herodoti, “Historitë”, libri-II- Parag.
[2] Herodoti, Historitë, Libri II, parag. 52
[3] Herodoti, Historitë, Libri II- paragrafi 53, f.124
[4] Herodoti , Historitë, VIII- Parag.44, f.472